Rama: Mbi 95 evente në të gjithë Shqipërinë deri në fund të korrikut

Kryeministri Edi Rama sërish solli në vëmendjen e të gjithë atyre që do të eksplorojnë këtë verë Shqipërinë që të përdorin aplikacionin TEA.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama informoi se prej datës 15 korrik deri në 31 korrik ka mbi 95 evente fantastike në të gjithë Shqipërinë.

“Shkarko aplikacionin udhërrëfyes TEA dhe do të gjesh evente plot gëzim, kulturë dhe adrenalinë për të gjitha grupmoshat. TEA guida juaj digjitale”, u shpreh Rama.

Në aplikacion gjenden jo vetëm eventet kulturore dhe artistike, por edhe çdo shërbim rreth vendpushimit të secilit.

TEA është një risi teknologjike për turizmin shqiptar. U hodh në treg nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, një kalendar digjital, i cili ofrohet përmes një aplikacioni miqësor për çdo përdorues brenda Shqipërisë dhe anembanë botës.

Aplikacioni TEA është i aksesueshëm falas në të gjithë telefonat. Në aplikacion mund të gjenden aktivitetet që do të ndodhin gjatë sezonit turistik në çdo kohë dhe në çdo vend. Mjafton të vendosësh vendndodhjen dhe aplikacioni do të nxjerrë rezultatet ku veprimtaritë do të jenë të dedikuara për të gjitha grupmoshat.

Ky aplikacion shërben edhe për orientimin e turistëve, të cilët përveç bukurive natyrore të mund të shijojnë dhe mësojnë më shumë rreth traditës, si dhe të marrin informacion për vendndodhjet.