Poezi e shkruar nga Eli Krasniqi.
Asht qetësi, ora e kuzhinës numron
Sonte sa autobusë ikin?
Sonte sa kufij kalohen?
Asnjiherë ata të mendjes,
Pos ata të maleve, kaçubave
Njerzit kushtojnë lirë sot
Sonte a ka fëmijë që kalojnë mbi koka të njerzve?
Për me u ngulfatë në autobusët që dikund çojnë
40 deri në 60 euro nji njeri.
Sot asht mot me shi e borë
Muret e lagshta nuk thahen në mushknite e njoma të fëmijve
A ka nxemje sot në spitalet me njolla gjaku
Po shtretër? 4 fryma në 1 shtrat
2 gra, e 2 fryma brenda trupave të tyne
Po glukozë, penicillin, anti-shok?
Oh vdiq edhe nji
edhe 1
edhe 1
‘Kaq e ka pasë të shkrume’
Sa gra në strehimore?
6 muj ikin nga dhuna e pastaj ku shkojne?
Sa landë në gjykata?
Sa kushton 1 rast?
Sa kushton 1 landë?
A ka nji qenie pas ‘landës’?
Radiatorët a përçojnë vërshimën e kilovatëve
Sa kilovat? Sa euro?
Po dru? A ta djegim vetën ma mirë.
Bombola gazi shperthyn
1 fëmijë i lëndum rand në rrezik jete, nanës ju dogj
shpirti
mendja
krahët
gjinjtë
duert
barku
Shkrumi ra mbi kokat tona.
Borë e shi bashkë bijnë sot
Nxitimthi paketohen valixhet, pak pak gjësende
Si në kohën e luftës
Maro gurabia, ato qëndrojne gjatë, mos harro ujë.
1 litër
5 anëtarë
40 gurabia.
“Oh pa shihe, paska oferta të lira për Dubai”
“Po ikim pak, ta harrojmë për pak llumin e këtij vendi”
“Ah pa shihe 399 euro në Paris për shën Valentin”
Nji njeri kushton ma pak.
Po dalim edhe ne, po dalim, po ikim
Jo, thojnë hallku e la atdheun
Cilin atdhe? A hahet atdheu?
Edhe po deshëm me e hangër, e kanë ba para nesh
Ja kanë grry malet e bjeshkët
Na rrijmë këtu, po e hajmë dheun
2 metra nën tokë.
A ka sot protesta në Prishtinë?
A janë shkurtu ditët a janë zgjatë?
Orët nuk numrojnë njësoj
Matet koha me vaktin e ushqimeve
‘Mos ikni, mos e lini atdheun’
Cilin atdhe bre? Cilin?
A hahet atdheu?
3 vakte në ditë.
2015, Graz – Eli Krasniqi