Në 77 vjetorin e lindjes, poeti dhe studiuesi Agim Vinca nderohet me titullin “Profesor Nderi” nga Kolegji AAB

Kolegji AAB, sot ka organizuar një ceremoni të veçantë me rastin e ditës së lindjes të poetit dhe studiuesit Agim Vinca, duke e nderuar me titullin “Profesor Nderi”.

Ceremonia u mbajt në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB, ku u vlerësua kontributi dhe roli i rëndësishëm që Vinca ka dhënë në arsim, kulturë dhe shkencë. Prorektorja e Kolegjit AAB ndërsa moderoi këtë ngjarje, e cilësoi Vincën si emer të dijes dhe frymëzimit, duke shtuar se kontributet e tij në arsim dhe letërsi kanë lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në qarqet akademike por edhe përtej.

Rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri, në fjalën e tij të rastit përshëndeti të pranishmit dhe tha se institucioni jep vlerësime të rezervuara për individë me merita të jashtëzakonshme, ndërsa përmendi personalitetet e shquara që kanë marrë titullin “Profesor Nderi” deri tani.

“Profesor Vinca, duke ju dhënë titullin “Profesor Honoris Causa”, ne ju njohim jo vetëm talentin e jashtëzakonshëm letrar, por edhe kontributin e madh në arsim si dhe angazhimin e palëkundur në kërkimin e së vërtetës, të bukurës dhe të drejtësisë. Ju, duke pranuar këtë titull, na nderoni edhe ne si kolegë e si institucion, ku gjithashtu keni dhënë kontributin tuaj si profesor, por edhe si anëtar bordi”, u shpreh rektori Olluri.

Poeti i mirënjohur Lulzim Tafa, solli disa nga kujtimet më të bukura që ka me Vincën si një mik i tij, por edhe figurë e dalluar në fushën e poezisë. Ai citoi disa vargje dhe tha se zëri i tij ishte i lartë dhe i fuqishëm edhe kur ka qenë vështirë të flitej. Kurse figurën e tij Tafa e cilësoi si shumëdimensionale me veçori të dallueshme.

Profesori Bedri Zyberaj, pati një përmbledhje për profilin e Agim Vincës si pedagog dhe studiues i letërsisë. Ai kujtoi kohët kur Vinca u zgjodh si “profesor ordinar”, deri tek veprimtaria e tij e bujshme që nderohet edhe në ditët e sotme.

Vinca, përshëndeti të gjithë që ishin prezent në Teatrin Kamertal dhe kujtoi themelimin e Kolegjit AAB, deri tani si një gjigant në fushën e arsimit.

“Lidhjet e mia me AAB-në janë të hershme dhe mund të them se jam edhe bashkëthemelues i institucionit, që sot është shndërruar në një gjigant falë punës dhe përkushtimit nga stafi dhe udhëheqësit”, tha ai.

Gjithashtu, ai ndau edhe përvojën si profesor në Kolegjin AAB, ku shtoi se për studentët çdoherë këmbëngulte të kishin tri elemente: dije, kulturë dhe ethos, sepse sipas tij janë më të rëndësishmet për formimin e karakterit të njeriut.

Në fund të ceremonisë rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri dhe poeti Lulzim Tafa, i ndanë titullin “Profesor Nderi” Vincës me motivacion: “Për kontributin e dhënë në arsim, kulturë dhe shkencë, si dhe për meritat e jashtëzakonshme për artin dhe letërsinë ndërkombëtare”.

Në këtë ngjarje pati edhe recitime të poezive të autorit nga artistët Fitnete Tuda, Arta Lahu dhe Alban Zogaj, të shoqëruar nga kitaristi Riad Ramadan,i si dhe këngë të vjetra shqipe nga Ermal Demiri./ KultPlus.com

 

 

Vizitë e Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë në Kolegjin AAB

Me ftesë të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, një delegacion i zgjeruar i Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë do të vizitojë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut në datat 8-13 Maj, 2023.

Ndërsa, në Kosovë specifikisht do të jenë më 11 maj nga ora 12:00 në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, Kolegji AAB.

Delegacioni i Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë pritet të takohet me nivelet më të larta shtetërore, me faktorët politikë vendorë si dhe me selitë e tyre diplomatike në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup./KultPlus.com

“Një vit pa Buqen…”, mbahet takimi përkujtimor në nderim të veprës dhe jetës së Burbuqe Berishës

Në teatrin e Kolegjit AAB “Faruk Begolli”, është mbajtur takimi përkujtimor në një vjetorin të shkuarjes në amshim të regjisores Burbuqe Berisha. Familjarët, miqtë e kolegët e Burbuqes, kujtuan me mall punën dhe angazhimin e madh që ajo ka bërë në sferën e kulturës, duke dhënë kontribute të pashlyeshme.

Motra e Burbuqes, Trëndelina Berisha, tha se ndihet krenare për sukseset që ajo ka shënuar dhe se si kujtohet vepra e jeta e saj pas një viti.

Miku i saj i afërt dhe aktori i njohur, Ilir Tafa, falënderoi për pjesëmarrje të pranishmit, duke thënë se kujtimet për miken e tij Buqen, kanë mbetur të pashlyeshme dhe secili në Kolegjin AAB mban në zemër një kujtim për të.

Shkurta Aliu, përfaqësuese e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, tha se humbja e Burbuqes ishte humbja e një figure shumë të rëndësishme të artit. Ajo shtoi se Ministria e Kulturës do angazhohet në maksimum që trashëgimia e saj të përcillet deri te gjeneratat e tjera me shumë krenari.

Regjisorja Burbuqe Berisha ishte themeluese dhe drejtoreshë e “Prishtina International Theater Festival” që mbahet në teatrot e Kolegjit AAB, ku për nder të kujtimit të saj në edicionin e gjashtë, festivali mbajti emrin e saj. / KultPlus.com

Nesër në Kolegjin AAB nis edicioni i parë i Panairit të Karrierës dhe Punësimit AAB 2022

Nesër do të bëhet hapja zyrtare e edicionit të parë të Panairit të Karrierës dhe Punësimit AAB 2022, që do të mbahet më 27 e 28 maj 2022 në Kolegjin AAB në Prishtinë.

Në edicionin e parë të këtij panairi do të marrin pjesë rreth 50 kompani vendore e ndërkombëtare të cilat veprimtarinë e tyre e ushtrojnë në pothuaj të gjitha qendrat e Kosovës, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre ofrojnë shërbime edhe për vendet evropiane e amerikane.

Pjesëmarrësit e panairit do të takohen drejtpërdrejt me studentët dhe të diplomuarit e Kolegjit AAB, me ç’rast ata do të njoftohen për pozitat e lira që ofrohen nga këto kompani qoftë si internshipe apo edhe vende të lira pune.

Ceremonia e hapjes së Panairit të Karrierës dhe Punësimit do të mbahet të premten më 27 maj 2022, nga ora 10:00. /KultPlus.com

COVID-19 mbledh 29 shtete të botës në Kolegjin AAB në Kosovë

Polonia, Greqia, Finlanda, Turqia, Kanadaja, Brazili, Australia, Uruguai, ShBA, Republika Dominikane, Singapori, Ekuadori, Britania e Madhe, India, Butani, Tunizia, Franca, Belgjika, Filipinet, Italia, Gjermania, Meksiko, Rumania, Bullgaria, Sllovenia, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Maqedonia e veriut, Shqipëria, janë 29 shtete pjesëmarrëse që do të bëhen pjesë e Konferencës Shkencore Virtuale më të madhes të organizuar në rajon.

Në bashkëpunim edhe me universitete të njohura nga Polonia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Shqipëria e Bosnjë e Hercegovina, Kolegji AAB ka organizuar konferencën në temën “Transformimet dhe pasojat në shoqëri nga pandemia Covid-19”, e cila do të mbahet online më 5 e 6 shtator 2020.

Në këtë konferencë do të marrin pjesë 183 autorë ku folës kryesorë do të jenë profesori nga Universiteti i Bolonjë, Pierluiggi Musaro dhe Prof. Derek El-Zein nga Universiteti Paris Descartes.

Tematikat kryesore të konferencës kanë të bëjnë me efektin e izolimit nga pandemia nga një qasje interdisiplinore dhe transdisiplinore. Sipas organizatorëve të kësaj konference janë pranuar 124 abstrakte të cilat kanë marrë përgjigje pozitive nga Komiteti Shkencor, ndërsa mbi 50 aplikime janë refuzuar.

Qëllimi kryesor i konferencës është të sjellë së bashku studiues nga fusha dhe vende të ndryshme për të siguruar njohuri shkencore mbi transformimet dhe pasojat e pandemisë, përmes një qasje ndërdisiplinore dhe me një qasje të hapur, inovative dhe të shpërndarë gjerësisht.

Punimet e seancës do të organizohen në 17 sesione të ndara, ndërsa konferenca do të nisë me sesionin plenar që do të zhvillohet të shtunën më 05 shtator, me fillim në orën 15.00, sipas kohës lokale të Kosovës.

Për më shumë, programin e konferencës, temat dhe pjesëmarrësit mund t’ i gjeni këtu.

Shfaqja “Bretkosa” hapi mbrëmë festivalin PITF, ngjalli një emocion të paharruar për publikun

Xhemile Hysenaj

Arthur Milleri, e konsideronte teatrin si diçka shumë të ngjashme me jetën, diçka që është pafundësisht mahnitëse, thoshte ai. E ku më mirë se në teatër shfaqen e thuhen të pathënat e brengat që në një kohë qoftë ajo kohë aktuale qoftë e shkuar, e ka preokupuar një shoqëri te caktuar, shkruan KultPlus.

Në Kosovë, teatri zë një vend të rëndësishëm në kulturën dhe artin e vendit. Duke bërë kështu që festivalet e teatrove, të jenë shpesh herë të pranishme para publikut tonë kosovarë dhe jo vetëm.

Mbrëmë u hap zyrtarisht edicioni i tretë i festivalit të nivelit ndërkombëtar të teatrove në Kosovë, Prishtina International Theater Festival, i cili zë vend në Teatrin ”Faruk Begolli”, të Kolegjit AAB.

Hapjen e bëri regjisorja Burbuqe Berisha, e cila shprehi falënderimet më të larta për organizatorët e këtij festivali. ”Faleminderit qw keni krijuar një komunitet artistik, me një komoditet aq të mirë që bota artistike të frymojë brenda Universitetit AAB. Kjo është diçka shumë e veçantë”, tha ajo para publikut, duke e shpallur kështu zyrtarisht të hapur festivalin.

Fjalën e mori edhe përfaqësuesja e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Jehona Shyti, e cila shprehi kënaqësinë e saj që ishte pjesë e hapjes së këtij edicioni. ”Mendoj që është një edicion i rëndësishëm. E kemi për obligim të mbështesim ngjarje të tilla që i sjellin publikut shumë vlera”, tha ajo.

Pas hapjes së festivalit, publiku vazhdoi drejt teatrit për të shikuar shfaqjen ”Bretkosa”, shfaqje kjo nën regjinë e Burbuqe Berishës, e cila shprehej të jetë tejet e kënaqur që ”Bretkosat” po shfaqej prapë për publikun kosovarë.

”Unë i dua shumë këto tema dhe ka qenë shumë kënaqësi realizimi i shfaqjes. Aktorët kanë qenë shumë të mirë dhe ka qenë njëra ndër sfidat më të mira dhe më të guximshme për mua”, potencoi ajo për KultPlus.

”Bretkosa” shpaloste një realiteti të hidhur, që ndeshej me njerëzoren, një anë njerëzore që binte ndesh me parimet personale duke bërë kështu që jeta e personazheve të merrte kahje tjetër, një kahje të padëshirueshme prej së cilës humbiste filli e zhytja në llum ishte më e thellë sesa njeriu mund ta përballonte.

Tri personazhe, tri jetë të shkatërruara, tri jetë që kërkonin me ngulm një ndryshim që me shumë gjasë nuk do të vinte kurrë.

Ilir Tafa, në rolin e një berberi, i cili në rininë e tij të hershme kishte qenë pjesë e luftës së fundit në Kosovë, me trauma të ngjitura fort pas qenies së tij prej luftëtari krenar, kishte humbur gruan dhe djalin e tij si pasojë e krizave psikike që kishte pësuar. Në tjetrën anë, vëllai i tij, rolin e të cilit e luante Donat Qosja, vuante varësinë nga alkooli dhe bixhozi i cili poashtu kishte humbur punën dhe nuk gjente guximin t’i tregonte gruas së tij të vërtetën. Shoku i tyre, një taksist që luhej nga Basri Shala, tradhtonte gruan me një vajzë të re dhe personazhi i katërt, nën interpretimin e Valmir Krasniqit, i cili vinte në formë shprese për personazhin kryesor, berberin.

Berberi (Ilir Tafa), vuante pamundësinë për ndryshim dhe vazhdimisht shtynte të vëllain dhe shokun e tyre taksist për të ndryshuar, për të filluar një jetë më ndryshe. Ndërsa, këta të dy, një gjë të tillë e konsideronin të pamundur deri në pikën që edhe talleshin me të.

Dashuria e madhe për kombin, një jetë e dëmtuar si pasojë e humbjeve dhe sakrificave, vinin nën interpretimin e një kasti prej katër aktorësh, që publikut i falën emocione të pakrahasueshme. Ku përmes këtyre katër personazheve, trajtohej e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e secilit që ka qenë viktimë e luftës dhe traumave të saj.

”Bretkosa”, ngjalli një emocion të paharruar për publikun duke përfunduar me shumë duartrokitje e brohoritje nga ana e tyre.

Të pranishëm ishin edhe disa aktorë, ndër ta edhe Vlora Merovci, e cila për KultPlus u shpreh të jetë tejet e kënaqur me shfaqjen dhe performancën e aktorëve. ”Ka një kohë të gjatë që nuk kam parë shfaqje kaq të mirë, aktorët na falën shumë emocione”, potencoi ajo për KultPlus.

Ndërkaq, Ilir Tafa i cili ishte në rolin kryesor, pohoi të jetë shumë i kënaqur që ishte pjesë e kësaj shfaqjeje. ”Është hera e 12-të apo e 13-të, që po luhet kjo shfaqje. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e një kasti kaq të mirë aktorësh, që i kanë dhënë frymë dhe jetë shfaqjes”, deklaroi ai për KultPlus.

Festivali do të zgjasë deri më 9 nëntor 2019, në dy skenat e Teatrit AAB “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB, ku aty do të ngjiten shtatë trupa artistike në programin konkurrues, të cilat vijnë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Greqia, Bullgaria e Kroacia. /KultPlus.com

Mbi 60 studiues nga vendi e rajoni janë mbledhur sot në Konferencën Shkencore për Gjuhësi, Letërsi dhe Edukim, në Kolegjin AAB

Mbi 60 studiues nga vendi e rajoni janë mbledhur sot në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare për Gjuhësi, Letërsi dhe Edukim, organizuar nga Fakulteti i Gjuhës Angleze dhe ai i Shkencave Sociale ne Kolegjin AAB dhe në partneritet me Pedagogical University of Krakow, Poloni, Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Shqipëri, dhe Universitetin “St. Kliment Ohridski” nga Maqedonia e Veriut.

Në hapje të kësaj konference dekanja e Fakultetit të Gjuhës Angleze, Dr.sc. Aida Alla përshendeti pjesëmarrësit dhe shtoi se kjo konferencë e organizuar nga AAB këtë vit bashkon studiues e praktikues  në fushën e gjuhësisë, letërsisë dhe edukimit me qëllim prezantimin e gjetjeve të tyre shkencore e akademike që lidhen me temat përkatëse të konferencës.

“Kolegji AAB është shndërruar në një qendër kërkimore dhe një mjedis të rëndësishëm shkencor për gjuhëtarë dhe studiues vendorë e ndërkombëtarë, të cilët po ndërtojnë ura bashkëpunimi në rajon dhe më gjerë. Deri më tani, janë shkëmbyer tema të ndryshme gjuhësore me objektiva dhe qasje të ndryshme tematike, duke filluar nga studimi i gjuhës në kontekste edukative, deri tek roli shoqëror i tyre”, shtoi Alla.

Ndërsa, prorektori për shkencë në Kolegjin AAB, Prof.ass.dr. Hasan Saliu theksoi se kërkimi shkencor në Kolegjin AAB është domosdoshmëri e punës dhe funksionimit të këtij kolegji me qëllim të ngritjes së cilësisë së arsimit të lartë.

“Kjo konferencë është njëri ndër segmentet e përkushtimit jo vetëm për rrjetëzimin dhe shkëmbimin e përvojave akademike e hulumtuese të pjesëmarrësve, por, edhe për të dhënë kontributin e vetë shoqërisë. Kërkimi shkencor në Kolegjin AAB është një domosdoshmëri e punës së përditshme këtu”, shtoi mes tjerash Saliu.

Hapjen e konferencës e përshëndeti edhe dekanja e Fakultetit të Edukimi në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Shqipëri, prof. Griselda Abazaj Dangolli e cila tha se ndihet e nderuar që është prezente dhe bashkorganizatore në një ngjarje kaq të rëndësishme akademike.

Ndërsa, përfaqësuesja nga e universitetit partner nga Maqedonia e Veriut, prof.Silvana Neshkovska, në fjalën e saj hapëse të konferencës tha se shpreson që ky bashkëpunim në këtë projekt të përbashkët, të zgjerohet edhe në fusha të tjera në mes universiteteve partnere.

Konferenca për Gjuhësi, Letërsi dhe Edukim ICLLE 2019 do të shërbejë si një urë lidhëse midis studiuesve nga vendi dhe bota për të shpalosur gjetjet e tyre dhe për të shkëmbyer eksperiencat e përdorimit të metodave më bashkëkohore hulumtuese në fushat përkatëse. Konferenca është e ndarë në katër sesione ndërsa në secilin prej tyre do të prezantohen dhjetëra punime të pjesëmarrësve të këtij edicioni. /KultPlus.com

Shfaqja ‘Artisti i vetëm’ vjen premierë në teatrin ‘Faruk Begolli’

Teatri Faruk Begolli në Prishtinë kësaj radhe do të mirëpres premierën e shfaqjes “Artisti i vetëm”, me autor dramaturgun gjerman Ralph Hammerthaler, përcjellë KultPlus.

Në shfaqje luan aktori Naim Berisha ( në rolin e personazhit Hans Klipp), i cili njëkohësisht është edhe regjisor i shfaqjes, kurse regjisor mbështetës është Shkelqim Bunjaku.

“Artisti i vetëm” trajton dramën e brendshme të një artisti të madh, i cili për shkak të degradimit të artit dhe shijes se publikut, përjashtohet nga shoqëria me dhunë, për tu vënë në situatë të skajshme jetësore dhe ekzistenciale.
Personazhi i vetëm i kësaj shfaqje Hans Klip, gjatë prezantimit të tij të fundit para publikut të tij të zgjedhur rrëfen jetën e tij, momentet kulminante artistike në të kaluarën dhe dramën e tij në të tashmen. Në fund të shfaqjes Hans Klip vetlargohet dëshpërueshëm nga arti i tij dhe nga vetvetja, duke renë në humnerën e pakthyeshme të dëshpërimit.

Shfaqja në mesazhin e sajë, bënë thirrje për kthimin e vlerave kulturore, në një shoqëri që është zvetënuar nga vlerat e mirëfillta dhe paraqet protestën më sublime kundër antivleres.

Premiera e shfaqjes vjen më datë 2 nëntor në ora 18:00 në Teatrin “Faruk Begolli” në AAB. /KultPlus.com

Fillimi i tetorit i sjell kryeqytetit Panairin Vjeshtor të Librit AAB 2018

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, edhe gjatë muajit tetor do të jetë nikoqir i librit dhe Shtëpive Botuese. Kësaj here përmes Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2018, që do të mbahet nga datat 04 deri 07 tetor 2018, shkruan KultPlus.

Panairi Vjeshtor i Librit AAB 2018, është nismë e Kolegjit AAB, institucionit më të madh jopublik në rajonin e Evropës Juglindore.

Tradita gati dy dekadëshe e Kolegjit AAB, fryma moderne dhe përcaktimi i qartë i tij për të qenë lider në zhvillimet e arsimit të lartë në vend dhe më gjërë, janë indikatorë të rëndësishëm se edhe Panairi Vjeshtor i Librit AAB 2018, do të jetë një ngjarje e rëndësishme kulturore e cila në fokus do të ketë librin dhe promovimin e tij.

Panairi Vjeshtor i Librit AAB 2018, s’ ka si të mos jetë edhe një tjetër storje suksesi, duke pasur parasysh që do të jetë pjesë e një institucioni i cili në vazhdimësi i ka sjellur Kosovës manifestime, festivale e ngjarje të rëndësishme kulturore të organizuara shkëlqyeshëm.

Për më shumë, duke qenë epiqendër e rinisë jo vetëm nga Kosova por edhe vendet e rajonit, Kolegji AAB synon që Panairin Vjeshtor të Librit ta bëjë një nga panairet më të frekuentuara të librit me vizitorë të rinj të cilët janë konsumatorët më të nevojshëm të librit.

Panairi Vjeshtor i Librit AAB 2018, që do të mbahet nga data 04 deri më 07 tetor 2018, në ambientet moderne të Kolegjit AAB, ka për qëllim të mbledhë botuesit më të mirë dhe më seriozë të librit jo vetëm në gjuhën shqipe.

Pjesë e pandashme e Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2018 do të jenë edhe ngjarjet kulturore që do të organizohen gjatë kohës sa do të mbahet panairi, si: promovime librash, punëtori, orë letrare e takime me shkrimtarë.

Deri tani pjesëmarrjen në Panairin Vjeshtor të Librit AAB 2018, e kanë konfirmuar rreth 50 shtëpi botuese, nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia, ndërkohë që organizatori, Kolegji AAB po harton edhe programin e promovimeve e vizitorëve të rëndësishëm të panairit.

Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë panair i cili do të zhvillohet në një ambient universitar, ku shumica e frekuentuesve do të jenë të rinj, është edhe transporti i siguruar falas për të gjithë vizitorët e panairit. Gjatë tërë kohës sa do të mbahet panairi, transporti nga qyteti në kampusin e AAB-së në Prishtinë dhe anasjelltas do të jetë falas, në çdo 15 minuta.

Po ashtu, gjithmonë duke iu referuar shtresës studentore që do të jetë prezente gjatë panairit të gjithë botuesit do të ofrojnë ulje në çmimet e librave që do t’ i prezantojnë gjatë panairit. Kjo edhe mund të jetë një arsye më shumë të mos mungoni në këtë panair.

Për më shumë informacione rreth panairit, të interesuarit mund të shfletojnë faqen zyrtare të panairit: https://panairi.aab-edu.net/, apo të bëhen pjesë e komuniteti të panairit në profilin zyrtar në facebook panairiAAB./ KultPlus.com

PAAF 2018 filloi edicionin e parë me shumë aktivitete artistike (FOTO)

Gili Hoxhaj
Sonte ka filluar festivali i vetëm i Artit dhe i Arkitekturës në rajon – “Prishtina Arts and Architecture Festival” – PAAF 2018, i titulluar “Tingulli i tokës”, shkruan KultPlus.

Pas edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit, ky është festivali i dytë që po organizohet nga AAB. PAAF 2018 që po organizohet për herë të parë nga Kolegji AAB, ka të përfshirë në programin e tij shkolla të artit nga Italia, Sllovenia, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria e Maqedonia. Edicioni i parë i këtij festivali përfshin një program nga fusha të ndryshme si: Arkitektura, Piktura, Dizajni Grafik, Dizajni i Modës, Muzikologjia dhe Filmi.

Fillimisht ky festival mblodhi shumë pjesëmarrës në natën e parë të tij, ndërsa si fillim u prezantuan dhjetëra punime të studentëve të Dizajnit të Modës. Këto punime të cilat ishin jo dhe pak në numër, studentët i kishin punuar nën monitorimin e ligjërueseve të këtij kolegji, Krenare Rugova dhe Albulena Borovci. Sfilata përmbante fustane e kostume të ngjyrave të ndryshme që fillimisht erdhën përmes ngjyrave më të ndezura duke kaluar në ato më të mbyllura. Përveç kreacioneve të studentëve në këtë sfilatë ishte e përfshirë edhe puna e vijuesve të Shkollës Profesionale Gjermane, nën monitorimin e Sellma Kasumovicit dhe Kaci Lleshit.

Në mesin e atyre që e ndoqën sfilatën ishte edhe kreatorja Yllka Brada e cila tha se edhe pse nuk po i njeh studentët, do donte që një pjesë e tyre ndonjë ditë edhe të jenë pjesë e stafit dhe projekteve të saj.
“80 % e punimeve ishin të mira, përjashtim bën një përqindje e vogël prej 20 për qind, e që është normale se prej një shkolle nuk mund të dalin të gjithë profesionistë, nuk dalin as në shkollat më të njohura të botës. Nëse shikohet nga ana kreative ishin shumë kreativë, kishte ide të reja dhe ç’është më e rëndësishmja shumica ishin veshje që vishen”, u shpreh Yllka Brada.

Zija Rexhepi, koordinatori i Festivalit e cilësoi si shumë të rëndësishëm faktin që për herë të parë u promovua puna e studentëve të Dizajnit të Modës, e cila u kompletua me punën e studentëve të Shkollës Profesionale Gjermane.

Rexhepi tha se synojnë që këtë festival ta bëjnë tradicional dhe qëllimi i tij është që t’i mbledhin të gjithë studentët e Fakultetit të Arteve dhe të Komunikimit Masiv në një festival.

“Synimi ishte që të përmbledhim punën e këtyre dy drejtimve që zhvillohen në AAB tash e dy dekada. Ne në vazhdimësi kemi pasur ekspozita, performanca të ndryshme, kemi pasur projeksione të ndryshme të filmave dhe kësaj here kemi vendosur që të gjitha këto t’i përmbledhim bashkë në një festival”, tregoi ai, ndërsa tha se veçantia e këtij festivali qëndron edhe në faktin që në seksionin e filmit kanë mbledhur punime te studentëve nga shkolla nga vende të ndryshme të botës.

Para se të hyje në Amfiteatrin e Teatrit, ishin vendosur punimet e ekspozitës së studentëve të Fakultetit të Arteve. Kjo ekspozitë e cila përfshin punime nga Arkitektura, Piktura, Dizajni grafik, Punimet e Konkursit në Branding dhe Projekte të Diplomave do të hapet e plotë më 18 maj.

Shyqri Nimani, dekan i Fakultetit të Artit dhe Arkitekturës tha për KultPlus se po mundohen të krijojnë gjëra atraktive dhe produktive që përfaqësojnë interaktivitetin e profesorëve dhe studentëve. Ai tha që përgjatë viteve të Kolegjit, tanimë janë në ndërtim të kurorës së suksesit.

“Ky festival ka një spektër të gjerë të disiplinave të Arteve Figurative, Muzikore pastaj Dramatike dhe kjo është jashtëzakonisht atraktive jo vetëm për studentët por edhe për publikun që njoftohet me to. Ata kësisoj mund të ndihen të kënaqur që mjetet të cilat i investojnë për universitete private siç është ky, po sjellin më pas suksesin në fusha të ndryshme” , u shpreh Nimani për KultPlus.

Më pas vizitorët u drejtuan drejt ekranit të madh në Amfiteatrin e Teatrit në AAB, aty ku u paraqitën filmat “Për ty atdhe”, i studentit Fitim Rrustemi, pastaj filmi “The station” i Leart Ramës, “The unknown” i Berat Asanit nga Maqedonia, “Maruska” i Hanna Szentpeteri nga Sllovenia dhe “Cistocs”, nga Neven Smarozic.

Dekanja e Degës së Komunikimit Masiv në Kolegjin AAB, Burbuqe Berisha, ka qenë një nga seleksionueset e filmave që u shfaqën sonte. Ajo tha se është kënaqësi që në këtë festival fillimisht do të paraqitet filmi i studentave të Kosovës, për të vazhduar me filma nga Bosnja dhe Hercegovina, Sllovenia dhe Shqipëria.

“Mendoj që ky është hapi i parë që e kemi bërë këtë vit dhe festivali do të ketë një formë tjetër vitin e ardhshëm”, u shpreh ajo.

Edicioni i parë i “Prishtina Arts and Architecture Festival” – PAAF 2018, do të vazhdojë edhe nesër. KultPlus ju sjellë edhe programin e ditës së nesërme. / KultPlus.com

“Dashuria e thjeshtë” me koreografi të Roberta Ferrara sonte në teatrin AAB “Faruk Begolli”

Sonte teatri AAB “Faruk Begolli” në kuadër të festivalit “Albania Dance” do të sjellë shfaqjen “Dashuria e thjeshtë”. Kjo shfaqje vjen me koreografi dhe koncept të Roberta Ferrara, me këshilltar muzikor Vito CAusarano, ndërsa në skenë shfaqja do të vije përmes Silvia Sisto & Nicola de Pascale, shkruan KultPlus.

“Dashuri e Thjeshtë” është një rrëfim i thjeshtë ku strukturat e fjalës dhe strukturat joverbale nuk janë te nevojshme. Gjesti i treguar në formë të shenjtë e të deshifruar do ta zërë vendin e foljes, përmes trupave të cilët lëshohen dhe ngërthehen me njëri tjetrin dhe heshtazi vështrojnë se si Dashuria dhe Arti të ngërthyera janë të brishta e delikate. Është një pasqyrim i pastër i ndjenjave: një vorbull, një nxitje e balancit dhe kompromisit që duhet gjetur vizualisht bashkë me trupin, kurse konceptualisht me zemrën dhe mendjen

Sinqeriteti është prapaskena e kësaj vepre që nxit momente të qetësisë, kujtimeve, aromave; një nevojë për të gjetur paqen e brendshme, një moment kur koha dhe hapësira nuk ekzistojnë dhe japin një dashuri të thjeshtë e të çiltër.
“Dashuri e thjeshtë”, shfaqet sonte me fillim nga ora 19:00./ KultPlus.com

Nëpërmjet rebelizmit të Medeas, shfaqja iraniane solli historinë e grave të vuajtura

Nata e katërt e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove në Kosovë, “Prishtina International Theater Festival 2017″ (PITF 2017), solli ekipin iranian me shfaqjen “Speak Medea” në AAB Teatrin ‘Faruk Begolli” , shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje e cila synon njërin nga çmimet e festivalit erdhi nën regji të Mehdi Sheikhvand dhe në lojën e aktorëve: Clara Corona, Darya Nazari, Fatemeh Abrishami Movahed dhe Vida Gharagozlou.
Medea, është personazhi kryesor e cila mbi vete barte historinë e grave të vuajtura, por që nuk i reshtin përpjekjet për të mos u nënshtruar. Brenda skenës, e varur rrinte një kurorë mbretërish e cila i nxirrte në pah idealizimin e ndjenjës për të udhëhequr, e pak më larg saj rrinte i varur një litër i cili shfaqej si ngushëllim i ikjes nga frika e tërbimi.

Historia e personazhit Medea flet fuqishëm për zërin e munguar të grave, e shpresën e shuar për të fluturuar drejt ëndrrave të veta. Rruga e saj mbahet në një litar të hollë, i cili s’i mban gjallë asnjë shpresë. Ajo derisa përshkohet nga ndjenja e nënçmimit që i vjen, e sheh hakmarrjen si të vetmen rrugë ndaj burrit të saj Jason, për të cilën kishte bërë gjithçka gjatë jetës se saj.

Jason kur paraqitet në skenë e sheh vetën si një burrë dhe baba ideal, mirëpo dëshira për pushtet e mban larg këtyre tipareve derisa dhe vetë shfaq frikë për t’i mbrojtur gratë. Medea, e kapluar nga dhimbja e tërbimi dëshmon se asgjë nuk i përket asaj, madje thotë se as gjaku, e as trupi s’është i imi. Në martesë gratë janë pronë e bashkëshortëve të tyre, ato duhet të durojnë dhimbjet e lindjes e kur braktisen nga shtëpia, mbesin pa asgjë, ishin fjalët vajtuese pas të cilave fshehte mllefin.
Përmes fjalimeve të saj ajo kërkon që dhimbjen e saj ta bart në hakmarrje për Jasonin. Pas këtyre fjalëve sundimtari i vendit, Creoni një burrë hijerëndë vjen me urdhëresën për ta larguar nga vendi pasi që ai e ndjenë rrezikun se ajo mund të përdorë zgjuarsinë e saj për t’u hakmarrë ndaj tij, Jasonit dhe vajzës së tij Galuce, dorën e të cilit Jason e kishte kërkuar për martesë. Ndërsa në anën tjetër Medea lutet vetëm edhe për një ditë qëndrimi, për hir të fëmijëve të saj. Mbi të gjitha Medea nuk i rresht përpjekjet për të sjellë hakmarrjen në botën e burrave, në një shoqëri ku gratë mbesin të nënshtruara dhe larg pjesëmarrjes në jetën publike.

Kanë mbetur edhe dy netë për të përfunduar edicioni i parë Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove në Kosovë, ndërsa nesër pritet që në skenën e teatrit të vijnë edhe ekipi maqedonas me shfaqjen “Darka e Thërrimeve” nga Maqedonia dhe “Armiku i Popullit” nga Kosova./KultPlus.com

Teatri i Sofjes zbriti sonte në PITF ku shpalosi përpjekjet dhe koston e lirisë njerëzore

“Shërbëtoret” është shfaqja nga ekipa bullgare që erdhi në natën e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Prishtina International Theater Festival”, i cili po mbahet në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje ishte e realizuar nga produksioni National Theatre, me autor Jean Genet dhe me regji të Diana Dobrevo. Aktorët të cilët performuan në këtë shfaqje janë: Joreta Nikolova, Aleksandra Vasilevo, Diana Dobrevo, Muja Shishkova, Niya Shiskovo. Shfaqja është në garë për njërin nga çmimet e këtij festivali, çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rol kryesor, çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rol dytësor, çmimi për regjinë më të mirë dhe për shfaqjen më të mirë.

Në fokus të kësaj shfaqje paraqiten në rolet e dy shërbëtoreve, Sollanzh dhe Klara duke trajtuar kështu përmes tyre jetën dhe lirinë njerëzore. Ato të rritura në një shtëpi duke ushtruar gjithnjë rolin e shërbëtoreve, tërë jetën e tyre shërbehen me synimin për të ikur nga thundra e zonjës së shtëpisë. Të uritura për jetën dhe pushtin e Madam, në momentet kur ajo nuk gjendet në shtëpi ato mbulohen në petkun e saj të kuq, ulen në karrigen e saj dhe hidhen pas planeve për ta vrarë atë. Planet e tyre vazhdimisht të dështuara dhe pamundësia për të vrarë zonjën e tyre, bën që këto përpjekje ato t’i kthejnë për të vrarë njëra- tjetrën dhe vetën e tyre.

Drejtoresha artistike e festivalit, Burbuqe Berisha këtë shfaqje e cilësoi si një homazh për lirinë e të pafuqishmëve për me qenë të fuqishëm, ndërsa ardhjen e kësaj shfaqje nga Teatri Kombëtar i Sofjes e cilësoi si nder të madh për këtë festival dhe për publikun duke theksuar punën e aktorëve dhe veçanërisht të regjisores, të cilën e vlerësoi si njërën nga regjisorët më të mira në rajon.

Regjisorja e kësaj shfaqje, Diana Dobrevo tha për KultPlus se ndihet e lumtur që është pjesë e fillimit të këtij festivali, dhe tha se ndihet mjaft e lumtur që para publikut kosovar solli sonte këtë shfaqje në fokus të cilës ishte përpjekur që përmes dy personazheve kryesore të sjellë koston dhe përpjekjet për liri njerëzore.

Përveç kësaj shfaqje, në programin garues, nata e dytë e festivalit u pasua dhe nga shfaqja e dytë musafire “Shenjëtorja e errësirës”, një biografi teatrale kushtuar jetës dhe veprës së shenjtores shqiptare, Nënë Terezës. Kjo shfaqje është luajtur qindra herë në teatrot e Kroacisë e Bosnjë e Hercegovinës, ndërsa sonte solli emocione të veçanta për publikun kosovar.

Ky festival do të vazhdoi të jetë i hapur deri më datë 21 tetor. Netët në vijim edicioni i parë i këtij festivali do të mirëpres edhe këto katër shfaqje garuese : “Vdes siç vdes një vend” nga Shqipëria, “SPEAK MEDEA” nga Irani, “Darka e Thërrimeve” nga Maqedonia, “Armiku i Popullit” nga Kosova. / KultPlus.com

Sonte nis ‘Prishtina International Theater Festival’

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Prishtina International Theater Festival”, i cili është themeluar në hapësirat e Teatrit AAB “Faruk Begolli”, në qershor të vitit 2017, ka shpalosur programin për këtë edicion, shkruan KultPlus.

Në skenën e këtij teatri, do të shfaqin punën e tyre artistike trupa teatrore të vendeve e të rajonit.

Festivali fillon sonte më datë 16 tetor dhe zgjatë deri më datë 21 tetor. Këto data janë rezervuar për gjashtë shfaqje të mrekullueshme nga vendi dhe rajoni.

“Dhe jetuan të lumtura…?” – Kroaci, “Shërbëtoret” – Bullgari, “Vdes siç vdes një vend” – Shqipëri, “SPEAK MEDEA” – Iran, Darka e Thërrimeve – Maqedoni, Armiku i Popullit – Kosovë, janë shfaqjet që do të mirëpriten përgjatë këtij edicioni të parë të festivalit. / KultPlus.com