Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 80-të vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, Ambasada e Shqipërisë në Kosovë sot ka filluar me shfaqjen e katër filmave historik shqiptar, në Kinemanë ABC, shkruan KultPlus.
Sonte janë shfaqur filmat “Përrallë nga e kaluara”, dhe “Gjeneral Gramafoni”, përderisa nesër pritet të shfaqen filmat “Lulëkuqet mbi mure” dhe “Radiostacioni”.
Në sallën e mbushur plotë adhurues të filmit shqiptar, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj ka thënë se kjo datë e shënuar përfaqëson sakrificat e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi.
“Sot jemi mbledhur të kalojmë një mbrëmje të bukur, në prag të festave të ditës së Flamurit tonë kombëtar, po nga ana tjetër për të kujtuar dhe nderuar 80-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë. Një ditë historike që përfaqëson sakrificat dhe përkushtimin e madh të popullit shqiptar, për lirinë dhe pavarësinë e tij, dhe ky përvjetor është një mundësi e artë për të parë jo vetëm historinë tonë të lavdishme, por edhe artin dhe kinemanë që e kanë përjetësuar atë me aq pasion dhe aq mjeshtëri”, ka thënë ambasadori Malaj.
Ambasadori Malaj më tej ka thënë se filmat të cilët shfaqen me rastin e 80-të vjetorit të Shqipërisë paraqesin realitete në të cilat ka kaluar populli shqiptar.
“Arti thotë të vërteta por ndryshe nga filozofia, historia etj. Arti ka një tjetër gjë jo aq të drejtpërdrejtë se sa të tërthortë, është gjuha e tij, nënkuptimi, ajo që fshihet pas një fjale, pas një ngjarje, pas një fati. Alegoria, metafora, simboli janë ato që e krijojnë shumë kuptimësinë në art. Ato që nga konkretja e prekshmja dhe e përsëritshmja kalohen tek e përgjithshmja, abstraktja dhe e papërsëritshmja”, ka shtuar ambasadori.
Për filmin e cili do të shfaqej pas pak “Përrallë nga e kaluara”, ambasadori Malaj ka thënë se përmes karaktereve të tij dhe skenave të papërsëritshme ai kapërcen kohën duke u bërë pjesë e kujtesës kolektive dhe një simbol i përhershëm i shpirtit shqiptar.
Ky film i realizuar në vitin 1987, me regji të Dhimitër Anagnostit vazhdon të jetë një ikonë e kinematografisë shqiptare, i cili ofron një pasqyrë të thellë të jetës patriarkale dhe zakoneve të tradicionale të shoqërisë shqiptare.
“Një djalë i detyruar të martohej në moshë të re dhe një vajze të zgjuar që vë në lojë gjithë një fshat për të drejtën e saj, për dashurinë e saj të jetës. Anagnosti ka ndërtuar një vepër që shfaq me elegancë kontradiktat dhe anët komike të kësaj shoqërie ndërthurur me sfidat e jetës së grave të asaj kohe”, ka thënë ambasadori Malaj.
Ndërsa, filmi tjetër i cili u shfaq i dyti me radhë, “Gjeneral Gramafoni”, është një film që sjellë një pasqyrë të pasur të identitetit kulturor e kombëtarë, duke e shpërfaqur edhe rolin që muzika dhe kultura kanë luajtur gjithmonë në jetën e shqiptarëve.
“”Gjeneral Gramafoni” nga regjisori Viktor Gjika trajton temën e patriotizimit të rezistencës dhe përpjekjes për të ruajtur vlerat kombëtare përmes artit edhe kur kushtet janë të vështira nën presionin për depërtim kulturor të Italisë fashiste, përmes karaktereve të muzikantëve të interpretuar me mjeshtëri nga Bujar Lako, Kadri Roshi dhe grupi i aktorëve të tjerë që janë aty. Përcillet një mesazh i forcës shpirtërore dhe i qëndresës së popullit shqiptarë për të asimiluar muzikën e tyre”, ka thënë ambasadori Malaj duke i ftuar të gjithë të shijojnë filmat.
“Le të jetë ky një moment nderimi për të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtyre veprave të të çmuara por edhe një përkujtim për vlerat dhe saktificat e brezave që u përkushtuan për Shqipërinë e lirë”.
Nesër do të vazhdojë shfaqja e filmave “Lulëkuqet mbi mure” (18:00) dhe “Radiostacioni”(20:00) , në kinemanë ABC./ KultPlus.com
Alec Baldwin dha një intervistë apokaliptike me rrjetin televiziv ABC dhe George Stephanopoulos dhe foli për xhirimet e ‘Rust’, që përfundimisht doli fatale për regjisorin Bridle Hutchins.
Intervista vjen në fund të hetimit të autoriteteve, i cili vazhdon një muaj pas ngjarjes tragjike: skenari në diskutim ka shumë të ngjarë që dikush nga produksioni të vendosë një plumb të improvizuar të furnizuar nga një person i armatosur në New Mexico në armën që ai përdori.
Në intervistën e cila do të transmetohet ditën e enjte, më datë 2 dhjetor, në orën 20:00 në rrjetin ABC, aktori ka folur hapur për herë të parë dhe me çdo detaj për aksidentin në xhirimet e filmit. Në intervistë, aktori i përlotur thotë se nuk e ka kapur këmbëzën në armën fatale.
“A nuk ishte në skenar shtypja e këmbëzës? Stefanopoulos pyet Baldwin. “Unë nuk e tërhoqa këmbëzën”, përgjigjet ai.
“Pra nuk e shtype këmbëzën? pyet sërish gazetari.”Jo”. “Nuk do t’i drejtoja kurrë armën askujt dhe nuk do të tërhiqja kurrë këmbëzën”, i thotë aktori.
Në pjesën tjetër të trailerit, aktori me lot në sy thotë se ende nuk mund ta besojë se ka ndodhur ngjarja tragjike. Ai gjithashtu thekson se dikush e ka futur plumbin në armë dhe se plumbi nuk duhet të ishte aty.
Kujtojmë se arma “false” që mbante Alec Baldwin në një skenë ishte përfundimisht plot me plumba të vërtetë, me pasojë që regjisorja Halina Hutchins humbi jetën kur shpërtheu.
“Siç mund ta imagjinoni ishte i shkatërruar, por gjithashtu ishte shumë i sinqertë dhe shumë i gatshëm për të folur”, thotë aktori gazetar George Stephanopoulos dhe shton: “Ajo iu përgjigj të gjitha pyetjeve të mia, foli për Bridle Hutchins për takimin me familjen e saj dhe zbuloi çdo detaj për atë që ndodhi në set atë ditë”.
Sipas informacionit të dhënë nga detektivi në Daily Mail dhe një peticion anonim të betuar të paraqitur në zyrën e Sherifit të Qarkut Santa Fe, Seth Blank, një veteran 51 vjeç i Hollivudit i cili jeton në New Mexico dhe shet armë, gjoja ndoshta ai e kishte dërguar atë të ricikluar plumba nga një grup i mëparshëm.
Hetimi i autoriteteve mbi municionet që kishte në dispozicion Kenney përfundimisht vërtetoi se plumbi që vrau Halina Hutchins përputhej me ato në stokun e saj.
Edhe pse armëpunuesja e filmit kishte kontrolluar të gjitha armët në set, ajo kishte hequr dorë nga Alec Baldwin, duke pretenduar se ishte në një vend të sigurt dhe për këtë arsye nuk mund të kishte humbur asgjë. Në fund, ajo gaboi dhe fatkeqja Halina Hutchins “pagoi” për pasojat e gabimit të saj.
Megjithatë, Alec Baldwin do të flasë për të gjitha këto, duke shpjeguar në detaje kohën e aksidentit, akuzat me të cilat përballet, si dhe anëtarët e tjerë të produksionit dhe do të zbulojë se kush është sipas tij personi kryesor përgjegjës për vdekjen e gruas, regjisores dhe mikes së tij të mirë./shekulli/ /KultPlus.com
Emiljan Cera është 27-vjeçari nga Dibra, që nga lavazhier është bërë një nga artistët më të preferuar të rrugëve.
Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, ai tregoi se fillimisht punonte në një lavazh, ku lante makinat. Ndërkohë, pas 14 vitesh jetesë në Greqi dhe praktikonte me disa djem breakdance, u largua për në Amsterdam.
Tashmë, Cera jep shfaqje në rrugë dhe fiton para sa për një muaj punë krahu.
“Është më vështirë se është në rrugë, është pllakë, asfalt. Po trupi vihet në punë. Që i vogël 5-6 vjeç kam nisur breakdance. Për momentin nuk bëj stërvitje se e shpërndaj energjinë time kur bëj shfaqje.
Unë jam një tip shumë energjik dhe kam shumë qejf adrenalinën. Kam shumë qejf ta vazhdojë derisa të kem mundësi. Unë kam eksperienca me këtë shfaqje në rrugë. Po që në 2012. Si fillim flas, bëj prezantimin, nuk i tregoj se çfarë do bëj. Derisa shoh që janë mbledhur shumë njerëz dhe i surprizoj.
Jam nga Dibra. Kam bërë lloj-lloj punësh, 19 vjeç kam punuar në lavazh, kam larë makina. Këtë shfaqje e përsëris dy herë në ditë dhe për mua është perfekt”./abcnews.al / KultPlus.com
Ideja ishte e Asimit dhe e Demirit. “Të botojmë një revistë”. Këtë ide e pranuan edhe shumë shokë të tjerë, sidomos Skënder Rusi, Zef Mala, Vasil Shanto, Vasil Kushi, Reshat Këlliçi, të cilët më vonë u bënë edhe si kolegjium i redaksisë. Të tjerët, që pretendojnë të kenë qenë në këtë nismë dhe në këtë kolegjium (këtu nuk po përmend emra), as që e dinin se ku qe redaksia e “ABC”-së dhe as që i pamë ndonjëherë. E vërteta është se unë u kërkova të gjithëve bashkëpunim, por thirrjes sonë iu përgjigjën menjëherë vetëm Dhimitër Shuteriqi dhe Shevqet Musaraj. Të tjerët nuk na dërguan asnjë shkrim për numrin e parë. Kryeartikulli u shkrua nga të gjithë (Asim Vokshi, Vasil Shanto, Reshat Këlliçi, Vasil Kushi, Skënder Rusi), por më në fund u vendos që ta kopjonte në gjuhën e mesme Reshat Këlliçi. Artikullin programatik e shkroi Tajar Zavalani, me pseudonimin ZAKS. Artikullin për rininë e shkroi Branko Merxhani. Një artikull problematik ekonomiko-shoqëror e shkroi Bedri Pejani, me pseudonimin “Sos”. Të hollat i mblodhi Asimi, nga grupi i oficerëve që kishin rroga të mira dhe ndihmonin kurdoherë. Shtypshkronjën e gjeti Asimi. Ishte shtypshkronja e vogël “Ora”, ku botohej dhe organi i Komunitetit Mysliman. Numri i parë doli në shkurt me tirazh 10.000 copë. Ishte tirazhi më i madh që ishte parë gjer atëherë. Revista u shit menjëherë. Në Kuçovë dërguam 3000 copë dhe Rexhep Luga, që punonte aty në postë, na dërgoi të hollat dhe kërkesa për të shkruar artikuj për punëtorët e Kuçovës, që ishte qendra më e madhe e punëtorëve…
Migjeni na shkroi një letër të gjatë, ku na këshillonte që të mos nxitoheshim e të mos i binim murit me kokë. Ai do të bashkëpunonte me revistën, por ne duhej të kishim shumë kujdes e të mos linim rast për masa administrative nga ana e qeverisë. Ne ishim për zhurmën, alarmin, paçka se revista mund të mbyllej. Na kishin thënë disa herë shokët se duhej ta shfrytëzonim këtë rast të “shtypit të lirë”, që la përkohësisht qeveria liberale e Mehdi Frashërit. Mua më caktuan si drejtor politik dhe unë iu drejtova qeverisë për lejen e botimit të një reviste artistiko-kulturore…
Përveç Migjenit, edhe Branko Merxhani, me të cilin bashkëjetoja në një dhomë, nuk e pëlqeu vrullin tonë. Ai ishte i mendimit që ne të merreshim më shumë me art e kulturë për popullin, sesa me ngritje problemesh themelore për jetën dhe shoqërinë tonë. Prandaj nuk na dha ndonjë shkrim tjetër për numrin e dytë të revistës. Më kujtohen fjalët e tij: “Keni një revistë në dorë. Mbajeni që të hani bukë ti, Asimi, Demiri e te tjerë. Po me një kusht: mos shkaktoni zemërimin e qeverisë. Ju kërkuat leje për një revistë artistiko-kulturore dhe e kthyet në manifest politik revolucionar! Kush t’i lejon këto, more Petro! Ju ende nuk e keni kuptuar mirë politikën e Zogut! Ai është i mprehtë dhe kërkon të mbretërojë i qetë dhe jo me andralla. Edhe ju e pësuat si Fan Noli! Dale, more djema! Mos u nxitoni, se Zogu nuk lejon propagandimin e hapur të komunizmit dhe të revolucionit”.
Megjithatë, numri i dytë qe edhe më revolucionar. E dërguam në shtyp. Unë shkrova kryeartikullin “Urra, mbi Tiranë”, ku thosha se të gjithë duhej të vinin në Tiranë, se vetëm në Tiranë kishte bukë, kishte jetë. Kisha shkruar dhe një artikull për punëtorët e Kuçovës: “Bajrami në Kuçovë”, ku tregoja jetën e mjerë të punëtorëve të Kuçovës, që banonin në kasolle të bëra me karton dhe thasë çimentoje. Numri i dytë mbaroi së shtypuri dhe unë me Asimin po e paketonim në shtypshkronjën e vogël “Ora”, kur na erdhën dhjetë xhandarë, me në krye kapitenin Zef Prenushi, të cilin e njihte mirë Asimi. Ai na tregoi shkresën: “Drejtori i revistës, Petro Marko, të arrestohet dhe revista të digjet!”. Ai qeshte dhe, kur hapi revistën e nisi ta shfletonte, theksonte me zë: “Bobo, ç’paska këtu! More Asim (i tha me zë të ulët), merr ca kopje dhe nxirri shpejt, se do ta djegim këtu në oborr”. I ndihmuar nga një radhitës, Asimi nxori nja pesëqind kopje që qarkulluan më vonë ilegalisht. Mua më lidhën dhe më shpunë drejt e te ministri i Punëve të Brendshme, Zoti Ethem Toto. Sapo hyra i lidhur në zyrën e tij, ai u ngrit më këmbë dhe i egërsuar më thirri: – Jo ti, po 3000 Leninë të jenë në Shqipëri, nuk e bëjnë dot komunizmin! Aq sa bëhet limoni në Peshkopi, aq bëhet dhe komunizmi në Shqipëri. Unë e kam lexuar dhe e lexoj “Kapitalin” e Marksit, por komunizmi është për vendet e zhvilluara, me industri të madhe, ku ka miliona punëtorë dhe jo këtu, ku popullin jeton në mizerie. – Pastaj e uli zërin dhe, duke më shikuar në sy, më tha:
– Agjent i Moskës! Na gënjeve, prandaj ta dhamë edhe lejen e revistës. Çt’i bëj tim vëllai, që ka besim te ju! Unë iu afrova dhe e vendosa këmbën mbi tryezë. Këpuca ishte grisur, dukeshin gishtërinjtë e këmbës… – Po të isha agjent, si thoni ju, do të kisha edhe këpucë! Unë jam agjent i atyre që janë si unë, këmbëzbathur, kurse ti, që je këtu, në këtë kolltuk, je agjent i Romës. Moska nuk ka nevojë për agjentë!”. – Hiqe këmbën! më thirri.
Unë nuk e hiqja. Atëherë ai më shtyu dhe rashë në dysheme i lidhur. Në atë çast hyri brenda Ismeti, vëllai i tij dhe i bërtiti: – Ç’bën kështu, more i marrë! – dhe m’u afrua e më ngriti. – Hiqja zinxhirin nga duart! – bërtiste Ismeti, dhe më mbante pranë. Erdhi xhandari dhe më hoqi prangat… Atëherë ministri iu kthye të vëllait, Ismetit: – Pa shiko se çfarë reviste kanë nxjerrë! Revistë bolshevike! – dhe tundte numrin e dytë të “ABC”-së, që mbante në duar. – Këta na kërkuan leje për një revistë kulturore, ashtu siç më the dhe ti, por përfituan, ia bënë fora. Po lejohet kjo? I lejon Lartmadhëria e tij këto botime bolshevike?
Më shpunë në zyrat e policisë, andej nga Rruga e Dibrës. Më mbajtën gjithë natën. Të nesërmen në orën 10.00 më çuan në Kryeministri. Më futën në sallën e pritjes. Qëndroja më këmbë. Hyri Mehdi Frashëri, kryeministri, i cili, sapo më pa të lidhur, urdhëroi menjëherë të më hiqeshin prangat. Më tha të ulesha në një kolltuk shumë të rehatshëm. Edhe ai u ul pranë meje. Më hodhi dorën në qafë dhe pak a shumë më tha këto: – Edhe unë jam persekutuar për tridhjetë vjet e ca, por nuk jam mërzitur! – Po ju, nga kush jeni persekutuar? – i thashë. Ai qeshi me të madhe:
– Nga kush persekutohet njeriu i ndershëm, ë? Ti je i ri. Mos u mërzit, dhe pa dëgjomë pakëz! – e më shikonte në sy. Ishte një burrë simpatik, që, sipas meje, nuk i bënte keq as mizës. – Ne e dimë që jemi populli më i varfër i Evropës. Por pa më thuaj pakëz, si rrojmë? Kemi një dhi, kemi një dele, një lopë, një pulë, një copë arë, hamë ndonjë kukurec, ndonjë kokë të pjekur, bëjmë përshesh me dhallë e me kos. Diçka hamë, prandaj dhe jemi gjallë, apo jo? Po ju, me shkrimet që bëni, na nxitë fare! S’kemi e s’kemi. Po, s’kemi mend në kokë! Nuk punojmë, nuk dimë të punojmë, jemi dembelë, presim nga Perëndia. Nuk dimë, jemi një popull injorant. S’themi të mos shkruani, por shkruani që jemi dembelë, që duhet të punojmë, të shtojmë bagëtinë, të shtojmë ugaret, të shtojmë pemët, të lëvizim, ta bëjmë tokën pjellore. Kemi një tokë të mirë. Apo jo? Ja, këto shkruani, more bir! Të zgjohet fshatari! Por fshatari nuk di të lexojë fare! Ç’të shkruani! Mos e bëni edhe ju si një katundar që qahej e thoshte: “S’kam gjë prej gjëje, po më vdes fëmija për bukë!”. Por ai kishte një lopë, kishte dhjetë dhi, kishte pula, kishte me se të rronte, po ama përditë avazin e Mukës: s’kam asgjë, po vdes nga uria. Ndillte të keqen. I ngordhi lopa. I ngordhën dhitë, i ngordhën dhe pulat. Aman more djalë, mos na ndillni zi, se diçka kemi. Duhet të lëvizim e të punojmë, të çalltisim, të jemi më të gjallë dhe jo të ndjellim babëzinë. Ju, si të rinj me kulturë, që e doni popullin, mësojeni popullin të jetë më i gjallë. Ai fliste shumë dhe mendimet i ilustronte me fjalë të urta të popullit. Pastaj më mori për krahu dhe më futi në kabinetin e tij, ku ishin mbledhur gjithë ministrat, këshilli ministror. Me dorën e tij në qafën time, ai, sapo u fut, tha: – Ja ku e kemi! Shiheni! Ç’t’i bëjmë, ta varim? – dhe buzëqeshi.
Nuk i vura re fytyrat e të tjerëve. Shikoja fytyrën e Et’hem Totos. Ai u ngrit e tha: – Do ta gjykojë gjyqi politik! Ka shkelur ligjet tona. Kemi ligje në fuqi. Tani jemi mbledhur këtu t’i heqim lejen e revistës. Unë ju propozoj që lejen t’ia heqim, se ka shkelur ligjet. Ka botuar një revistë revolucionare. Ja se ku është lutja që ka bërë për lejen. (E lexoi lutjen ku kërkoja leje për një revistë artistiko-kulturore). Pra, revista që nxori ky, nuk është artistiko-kulturore, po revolucionare. Kërkoj nga ju të gjithë që t’i hiqet leja. U pranua unanimisht heqja e lejes. – Tani ne s’kemi punë më me të. Punë ka gjykata politike! – përfundoi Ethem Totoja, që ishte më këmbë. Pas një ore më çuan në gjyqin politik. Aty gjeta dhe Asimin, në bankën e të akuzuarit. Më buzëqeshi dhe me këtë deshi të thoshte: “Mos çaj kokën”. Prokurori: Kiço Bisha. Kryetari i gjyqit: Bilal Nivica… Pyetjet që më bënin, ishin që të dinin se cilët fshiheshin pas pseudonimeve. U përgjigjesha se, përderisa isha përgjegjës politik i revistës, pranoja se të gjitha shkrimet ishin të miat. Më pyetën nëse kishte shkruar Asimi. Ua përsërita: – E marr unë përgjegjësinë për të gjitha shkrimet që janë botuar pa emër ose me pseudonime! Gjyqi nuk zgjati shumë. Vendimi: Internim në Porto Palermo, gjashtë muaj. Kështu u mbyll historia e revistës sonë “ABC”. Pas Çlirimit, numrin 2, që u ndalua, ma dha Ali Bakiu, që e kishte fshehur, ose, më saktë, ma dha kur i shkova në shtëpi, ku gjeta dhe Gogo Nushin. Aliu aso kohe ishte kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës. E njihja nga Demiri dhe Asimi. Ai na ruante shume shkresa dhe shtypin ilegalqë vinte nga jashtë. Atij i dhashë dhe disa fotografi që i bëra në Korçë, gra që demonstronin para prefekturës dhe xhandarë që i shtynin me bajoneta. Ishin të mira dhe u botuan disa herë me raste përkujtimesh të demonstratave. Aliu doli në kopsht, gërmoi me kazmë dhe nxori një tub të vogël prej llamarine. E hapi dhe nxori numrin 2 të “ABC”-së. E kam ruajtur, – më tha… /KultPlus.com
Me regji, tekst dhe orkestrim nga Naim Krasniqi, muzikëli për fëmijë dhe familje ‘Aladini’ jep premierën më 2 tetor në Kinemanë ABC në kryeqytet, shkruan KultPlus.
‘Aladini’ flet shqip, këndon dhe vallëzon shqip të hënën mbrëma në Kino ABC, duke sjellë në rolet kryesore: Princ Morina, Anzotika Dalipi, Dren Llumnica , Ari Krasniqi, Jona Zeneli…
Ky muzikël për fëmijë, reprizën e parë do ta ketë më 3 tetor në dy terminë atë të 16:00 dhe 18:00, ndërsa gjatë vikendit në orën 14:00./ KultPlus.com