Hoti e Cakaj dakordohen se dialogu duhet të përfundojë me njohjen e Kosovës nga Serbia

Kryeministri i vendit Avdullah Hoti sot ka zhvilluar një takim me kryediplomatin shqiptar Gent Cakaj.

Këtë takim Cakaj e ka vlerësuar si të vyer, e ku ndër të tjera tha se me Hotin ka diskutuar për rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, për fshirjen e adresave të shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë, si dhe për epilogun e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Shkrimi i plotë i Cakajt:

Një takim fort i vyer me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti !

Biseduam mbi rëndësinë e patjetërsueshme të qasjes së bashkërenduar, mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Shprehëm shqetësimin e thellë lidhur me procesin e fshirjes së qëllimshme të adresave të shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Ne do të vazhdojmë të punojmë pakursyer për për rritjen e ndjeshmërisë ndërkombëtare për gjendjen e shqiptarëve në Luginë.

Ndamë të njëjtën pikëpamje se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë. / KultPlus.com

Kryeministri Hoti e ministrja Dumoshi bënë homazhe për Ismet Pejën

Në nderim të figurës së këngëtarit të njohur Ismet Peja, Kryeministri Avdullah Hoti dhe ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, kanë bërë homazhe, për artistin e këngës, përpara objektit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku është vendosur fotografia e këngëtarit të ndjerë.

Kryeministri Hoti dhe ministrja Dumoshi janë nënshkruar në librin e kujtimeve duke e vlerësuar lart jetën dhe veprën e Ismet Pejës, i cili u nda sot nga jeta në moshë 83 vjeç.

Kryeministri Hoti tha se bashkë me ministren Dumoshi bënë nderime për ikonën e muzikës popullore gjithëshqiptare, Ismet Peja. “Ismet Peja do të mbahet mend për këngët e tij të cilat nuk ka shqiptar që nuk i di, jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha trojet shqiptare. Ai ka hyrë në historinë artistike të Kosovës, sepse ne të gjithë jemi rritur me këngët e tij”.

Kryeministri tha se sot është një ditë e dhimbshme për familjen e tij dhe tërë komunitetin artistik shqiptar. “Ne do ta kujtojmë gjithmonë”, u shpreh kryeministri.

Ndërsa ministrja Vlora Dumoshi, ka thënë se lajmi i mëngjesit për vdekjen e Ismet Pejës, ishte i trishtë sepse u nda nga kjo jetë doajeni i muzikës popullore. “Unë si ministre kam kontaktuar me familjen e tij dhe ne si ministri do të përkujdesemi për ceremoninë në Gjakovë. Në orën 14:30 do të jenë homazhet dhe në ora 15:00 varrimi”, sqaroi ministrja.

“Ndonëse kohë pandemie, ne po tregojmë respektin institucional për artistin e madh e cili ka dhënë shumë për kultivimin e këngës së mirëfilltë popullore”, tha ministrja. / KultPlus.com

Situata me COVID-19, Hoti: Pas dy javësh do të marrim masa ekstreme

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në konferencën e mbajtur për media, ku është njoftuar për rezultatin e të infektuarve me Covid-19, tha se pas dy-tri jave do të detyrohen të marrin masa ekstreme për të ndaluar përhapjen e infektimit me COVID-19.

Hoti tha se Kosova është rrethuar nga vendet të cilat kanë numër shumë të lartë të të prekurve dhe se Kosova veçse ka filluar me rritjen e numrit të të infektuarve me COVID-19.

“Prezenca jonë këtu është shenjë që rreziku është real, që ne për dy ose tri javë të kemi të njëjtën gjendje nëpër të cilën po kalojnë shumica e vendeve të BE-së. Në regjion veçse jemi rrethu nga vendet të cilat kanë numër shumë të lartë të të prekurve. Këtu tek ne sapo ka filluar të rritet numri i të infektuarve, prandaj rreziku është real, që pas dy tri jave ne të detyrohemi që nëse numri shkon me këtë trend të marrim masa më ekstreme”, tha Hoti. /Express/ KultPlus.com