Përkujtohet “Piktori i Popullit”, Abdurrahim Buza

Më 7 nëntor 1968, ndërroi jetë “Piktori i Popullit”, Abdurrahim Buza.

Buza lindi më 1905, në Shkup, në një familje me origjinë nga Gjakova. Në moshën 8-vjeçare mbeti jetim dhe shkollimi i tij kaloi nën tutelën e figurës më me ndikim në Malësinë e Gjakovës, Bajram Currit. Mësimet fillore i mori në në Shkodër dhe Tiranë dhe më pas, ndoqi Normalen e Elbasanit (1923-1928).

Në vitin 1928 fitoi bursë njëvjeçare në Akademinë e Arteve të Bukura në Torino, ku pati si bashkëstudent një prej skulptorëve më të njohur shqiptarë, Odhise Paskalin. Më tej, vijoi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence.

Në vitin 1933 kthehet në Tiranë, ku punoi si mësues në Shkollën e Vizatimit në Tiranë. Më 1947-n, u punësua si mësues vizatimi në Liceun Artistik “Jordan Misja”, ku edhe doli në pension në vitin 1966.

Pikturat e tij të para janë frymëzuar nga qëndrimi i tij në Pogradec. Motivet etnike nga Gjakova, Kosova dhe veriu i Shqipërisë bëhen subjekt i shpeshtë i krijimtarisë së tij. Disa prej veprave të tij më të njohura, janë: “Dasma kosovare”, “Pogradeci”, “Nusja kosovare”, “Azem Galica dhe luftëtarët”, “Refugjatët” etj. Punimet e Buzës u ekspozuan për herë të parë në nivel kombëtar në prill 1945. / KultPlus.com

Piktorët e shquar Vangjush Mio dhe Abdurrahim Buza vlerësohen me çmimin ‘Nderi i Kombit’

Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta vlerësoi sot piktorin e shquar, Vangjush Mio (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit”, me motivacionin “Si një ndër piktorët e parë profesionistë në Shqipëri.

Me metodën e impresionizmit ka pikturuar me dashuri peizazhin shqiptar, me dritë dhe gjuhë artistike të nivelit më të lartë. Ai mbetet “Poet i natyrës” dhe pararendësi në formimin e peizazhistëve të mëvonshëm”.

Po kështu me Dekoratën “Nderi i Kombit”, Kreu i Shtetit çmoi edhe piktorin e shquar Abdurrahim Buza (pas vdekjes), me motivacionin “Si një ndër piktorët e parë që hodhi bazat profesionale të arteve figurative në Shqipëri. Për krijimtarinë e tij të gjerë që përshkohet dallueshëm nga fryma kombëtare, e ndërthurur me vlera artistike. Si një zë unik e individualitet i dallueshëm në artin pamor shqiptar”.

Duke iu drejtuar të pranishmëve në ceremoninë e dekorimeve të dy mjeshtrave të papërsëritshëm të artit pamor shqiptar, Presidenti Meta u shpreh se, “ky aktivitet zhvillohet sot në ditën e parë të muajit Tetor, i cilësuar tradicionalisht si muaji i letërsisë dhe artit, por edhe si muaji kur kanë lindur shkrimtarë të shquar të letrave shqipe dhe kulturës sonë, si Gjergj Fishta, Dritëro Agolli, Migjeni por edhe të tjerë.

Aktiviteti i sotëm shënon njëkohësisht, fillimin e një sërë aktivitetesh të tjera kulturore e artistike, që do të zhvillohen në këtë Institucion, gjatë muajit tetor.

Artistët shqiptarë i kanë patur dhe do i kenë dyert e Presidencës gjithmonë të hapura, për të performuar e për të shpalosur krijimtarinë e tyre.

Vërtet jam shumë i nderuar për këtë ceremoni vlerësimi të organizuar sot për këto dy personalitete shumë të mëdha të kulturës sonë kombëtare, sepse në këtë periudhë globalizimi, vetëm forcimi i identitetit kombëtar dhe krenarisë për kulturën tonë kombëtare, mund të na mbajë të bashkuar dhe të fortë, në mënyrë që të mos zhbëhemi si komb, as si shtet dhe as si shqiptarë”, përfundoi Presidenti i Republikës së Shqipërisë. /atsh/ KultPlus.com

“Refugjatët” nga Abdurrahim Buza, vepër e vitit 1957 (FOTO)

Është një ndër artistët më të rëndësishëm shqiptarë dhe veprat e tij kanë zënë vend edhe në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Tiranës, shkruan KultPlus.

Abdurrahim Buza ka trajtuar tema të ndryshme nëpërmjet artit të tij, por dukshëm vërehet dhimbja e popullit shqiptar, që ka reflektuar edhe në punën artistike të Buzës.

KultPlus kësaj radhe ka përzgjedhë veprën “Refugjatët”, vepër kjo që është realizuar në vitin 1957, dhe po kjo vepër është prezantuar edhe në Documenta 14./KultPlus.com