Përkthyesi Krasniqi: I lumtur që vargjet e fuqishme të Fishtës tingëllojnë edhe në gjuhën frënge

Bujar Meholli

Kur flitet për Gjergj Fishtën dhe veprimtarinë e tij, secilit shqiptar i ndizen ndjenjat kombëtare. I konsideruar si “Homeri shqiptar”, Fishta ka arritur të bëhet i përjetshëm falë kontributit të tij të madh dhënë letërsisë dhe kulturës shqiptare, shkruan KultPlus.

Fishta, i formuar në periudhën e Rilindjes sonë kombëtare, është një nga vazhduesit më të drejtpërdrejtë të saj, shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në kushtet e reja që u krijuan në shekullin e njëzetë. Mënyrat e pasqyrimit të jetës, në krijimtarinë e tij, janë vazhdim i natyrshëm i teknikës letrare të Rilindjes, ku mbizotëron romantizmi, realizmi dhe klasicizmi. Si krijues Fishta, në radhë të parë ishte poet. Përkushtimin më të madh e pati ndaj epikës. “Lahutës së Malcis”, veprës së jetës, ai i kushtoi plot 40 vjet punë. Tonet heroike, burimësia e papërsëritshme e përfytyrimeve, shqiptarësia në dhënien e mjediseve, heronjve e rrethanave kanë bërë që Fishta të quhej “Homeri shqiptar”. Ndërthurjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin, stili, mendimi i fuqishëm filozofik e dramaciteti i veprës kanë bërë që ai të krahasohet edhe me Gëten apo Danten.

Abedin Krasniqi, studiues i sociologjisë dhe përkthyes në gjuhën frënge, ndërmori një hap shumë të rëndësishëm që ta përkthejë “Lahutën e Malcis” në gjuhën frënge.

Sot në ambientet e Aleancës Franceze të Fakultetit të Filologjisë u promovua përkthimi i kësaj vepre me vlera të mëdha poetike.

Mes profesorëve dhe studentëve, Krasniqi, i ardhur nga Parisi për ta promovuar librin, bashkëbisedoi duke treguar përvojën e tij, entuziazmin dhe vështirësitë në këtë përkthim që i mori dy vjet e gjysmë punë intensive. Krasniqi tregon se vargjet e para i mësoi nga i ati, ndërsa frymëzimi për t’i hyrë përkthimit të “Lahutës së Malcis” i erdhi nga Robert Elsie i cili e kishte përkthyer paraprakisht në gjuhën angleze.

“Ideja që ta përkthej Lahutën ka lindur vonë. Unë kur isha i vogël kam mësuar nga babai sepse ai i dinte përmendsh, e sidomos këngët e para të Oso Kukës”, tregon ai.

“Gjithmonë kam qenë i pasionuar me epopetë e botës. I kam lexuar shumicën prej tyre dhe kam pas dëshirë ta përkthej eposin shqiptar”, vazhdon ai.

Populli francez, siç dihet, ka një kulturë të pasur. Letërsia franceze padyshim ka sjellë vepra kolosale që sot janë të përbotshme. Por si pritet një vepër e huaj nga francezët? Ideja e Krasniqit ishte që t’ia paraqes këtë vepër tonë aq të madhe publikut francez. Ai tregon se qysh i ri ka shfaqur interesim për eposet e vendeve të ndryshme, ndërsa përballja e tij e parë me “Lahutën e Malcis” ka qenë për të mbresëlënëse.

“Kanë qenë disa fjalë problematike, por kam shfrytëzuar fjalor që ma kanë bërë më të lehtë punën. Unë nuk kam arritur ta mbaj tetërrokëshin, e kam mbajtur nëntërrokëshin dhe jam përpjekur ta ruaj ritmin sepse sipas meje është shumë i rëndësishëm në këtë vepër”, shpjegon Krasniqi.

“Problemet i kam tejkaluar me fjalor dhe si inspirim më ka ndihmuar Robert Elsie. Kam përdorur shumë fjalorë dhe kam menduar t’i paraqes edhe për publikun francez përmes fusnotave informacionet me interes që gjenden në Lahutë”.

“Kam anëtar të familjes të cilët janë arsimtar dhe kemi biseduar për ato pika ku ndonjëherë kam pasur vështirësi, kështu në këtë mënyrë i kam tejkaluar dhe në fund arrita ta përfundoj pa ndonjë vështirësi të madhe”, tregon Krasniqi.

Poezia në përgjithësi sot botohet më pak dhe shtëpitë botuese i japin më pak rëndësi. Edhe në Paris, botimet e poezisë kanë rënë, aq më pak të poezisë së huaj. Megjithatë, Krasniqi është i lumtur për jetësimin e kësaj pune. Interesimi për librin vjen kryesisht nga shqiptarët që jetojnë në Francë dhe jashtë saj. Sidoqoftë, secili shqiptarë duhet të ndihet krenarë sepse tashmë vargjet e fuqishme të poetit tonë kombëtar, tingëllojnë edhe në gjuhën frënge. /KultPlus.com