Manifesta 14 prezanton punimet e artistes shqiptare, Abi Shehu

Abi Shehu, artiste e shumë disiplinave vizuale nga Shqipëria, e cila krijon portrete njerëzore duke hulumtuar përvoja ekzistenciale dhe thelbësore, është pjesë e ekspozitës tematike “Grand Scheme of Things” në katin mbi tranzicionin, me titull ‘Where stories cut across the land’.

Ekspozita në fjalë është pjesë e “Manifesta 14” që përmbledh punët e një prej 103 artistëve pjesëmarrës në programin e kësaj bienaleje, që do të qëndrojë e hapur në Prishtinë, përgjatë 100 ditëve.

Abi Shehu prezantoi një përzgjedhje punimesh në kushtet e një studioje të hapur. Ajo fton vizitorët që t’i bashkohen për të menduar dhe për të diskutuar mbi peizazhet e tranzicionit që lidhen me kujtesën, subjektivitetin dhe ekologjinë.

Në më pak se një javë bienalja Manifesta 14, ka pritur rreth 6500 vizitorë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 30 tetor të këtij viti dhe realizohet në kuadër të bienales nomade, e cila për këtë vit i takon Prishtinës.

Manifesta, Bienalja Europiane e Artit Bashkëkohor, e ndryshon vendndodhjen e saj çdo 2 vjet. Kjo bienale përpiqet të qëndrojë larg atyre që njihen gjerësisht si qendra që prodhojnë art, duke e kërkuar atë në terrene të freskëta e më të begata. Kjo është dhe njëra nga arsyet përse u përzgjodh Prishtina për edicionin e saj të 14-të.

Në 100 ditët e saj në Prishtinë, Manifesta 14 do të ekspozojë punimet artistike në 25 hapësira të ndryshme./atsh/ KultPlus.com