Një vendim për ndalimin pothuajse total të abortit në Poloni ka hyrë në fuqi dhe ka filluar zbatimin nga 3 shkurti. Ky vendim gjykate kishte nxitur protesta të mëdha në tetor të vitit të kaluar. Aborti tani lejohet vetëm në rastet e përdhunimit dhe incestit ose kur shtatzënia kërcënon jetën e nënës.
Në kundërshtim të këtij vendimi në qytetet polake përsëri u zhvilluan protesta javën e kaluar. Vendimi shkaktoi zemërim tek mbështetësit e të drejtës për abort, por qeveria konservatore e Polonisë, e cila ka lidhje të forta me kishën e fuqishme katolike të vendit, po mbështet vendimin.
Gjykata arsyetoi vendimin e saj me faktin se “një fetus është një qenie njerëzore” dhe për këtë arsye meriton mbrojtje sipas kushtetutës së Polonisë e cila siguron të drejtën për jetë.
Në anën tjetër grupet që mbështesin vendimin për ndalim thonë se bëhet fjalë për të drejtat e fëmijëve. “Ne jemi shumë të lumtur që ky gjykim është publikuar. Është një hap i madh drejt realizimit të të drejtave të njeriut për të gjitha qeniet njerëzore,” i tha BBC-së Karolina Pawlowska nga qendra e së drejtës ndërkombëtare Ordo Iuris.
“Unë dua që ne të kemi të drejtat tona themelore, të drejtën për të vendosur në lidhje me trupat tanë, të drejtën për të vendosur se çfarë duam të bëjmë, nëse duam të lindim fëmijë dhe në cilat rrethana dëshirojmë të kemi fëmijë,” u tha një protestuese, Gabriela Stepniak, agjencisë së lajmeve Reuters.
Kryetari i Bashkisë së Varshavës – Rafał Trzaskowski postoi kundërshtimin e tij ndaj vendimit në platformën Twitter, duke u bërë thirrje grave të refuzojnë vendimin.
Edhe para këtij vendimi Polonia veçse kishte disa nga ligjet më kufizuese të abortit në Evropë. /qika/ KultPlus.com