Vëllezërit Frashëri, Abdyli, Naimi, Samiu përbëjnë trinomin e veçantë të historisë, kulturës dhe letërsisë shqiptare. Kontributi që këta tre frashëriotë i kanë dhënë kombit e Atdheut pa dyshim se është kontributi më i çmuar dhe më i rëndësishëm i kohës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare
Abdyl Frashëri lindi në vitin 1839 në fshatin Frashër të Shqipërisë, në një familje të gjendjes së mesme ekonomike. Ishte djali i Halit dhe Emine Mirahorit-Frashëri. Vdiq më 23 tetor të vitit 1892 në Stamboll, të Turqisë. Avdyli ka qenë atdhetar i përkushtuar e çështjes kombëtare shqiptare një nga ideologët përparimtarë të Rilindjes Kombëtare dhe një nga udhëheqësit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Qeveria dhe shteti shqiptar e ka shpallur Hero të Popullit.
Lindi në Frashër të Përmetit në familjen e një vëllai i madh i Naim Frashërit dhe Sami Frashërit, fis Dakollarësh nga Dera e madhe Frashëri. Abdyl Frashëri e kaloi pjesën e parë të jetës në fshatin e lindjes deri në moshën 18-vjeçare kur u vendos për nevoja pune në Janinë. U shqua si personalitet politik qysh më 1877, sapo u duk se Kriza Lindore po rrezikonte trojet shqiptare. Si kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës që u formua po atë vit, hartoi projektin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë me anën e kryengritjes çlirimtare antiosmane. Por shpresat e tij se idenë e shtetit shqiptar do ta përkrahnin rivalët e Perandorisë Ruse, të cilët nuk e dëshironin supremacinë e saj në Gadishullin Ballkanik, nuk u realizuan. Bisedimet që zhvilloi me përfaqësuesit e Greqisë në korrik dhe në dhjetor 1877, për një aleancë politike dhe ushtarake shqiptaro-greke kundër Perandorisë Osmane dështuan gjithashtu mbasi as Athina nuk e pranoi idenë e një Shqipërie të Pavarur në kufijtë e saj etnikë.
Në fund të vitit 1877, Abdyl Frashëri (atëherë deputet i Janinës në parlamentin e dytë osman), u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll (Komiteti i Stamboilit). Si kryetar i tij ai dha një kontribut të rëndësishëm në përpunimin e platformës politike që adoptoi lëvizja kombëtare pas fitores ruse mbi Perandorinë Osmane dhe sidomos pas nënshkrimit të Traktatif të Shën Stefanit. Sipas tezës së Abdyl Frashëri në kushtet e krijuara nga prirjet ekspansioniste të Rusisë cariste, nga interesat e fuqive perëndimore për ta mbajtur më këmbë Perandorinë Osmane dhe nga synimet e monarkive ballkanike fqinjë për ta copëtuar Shqipërinë, zgjidhja më e përshtatshme (një zgjidhje kjo e përkohshme) ishte krijimi i një shteti autonom shqiptar nën suverenitetin e sulltanit ose, të paktën, krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadrin e Perandorisë Osmane, i cili, po të realizohej, do të sanksiononte kufijtë etnikë të Shqipërisë dhe të drejtat kulturore të shqiptarëve.
Si një nga autorët kryesorë të platformës politike të Komitetit Qendror të Stambollit, të cilën Abdyl Frashëri e parashtroi publikisht edhe me anën e artikujve që botoi në disa organe të shtypit evropian gjatë pranverës së vitit 1878, ai mori pjesë aktivisht në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pas themelimit të Lidhjes, e cila e adoptoi këtë platformë, Abdyl Frashëri. u shqua si udhëheqës, organizator, diplomat dhe aktivist i saj. Veprimtarinë e tij kryesore e zhvilloi sidomos në viset e vilajetit të Janinës dhe të Kosovës. Nuk e shkëputi asnjëherë luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut nga lufta për autonominë e Shqipërisë. Mori pjesë pothuajse në të gjitha kuvendet kryesore që u organizuan nga Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare ose nga komitetet ndërkrahinore të saj. Kudo udhëhoqi krahun autonomist të lëvizjes. Në Kuvendin themelues të Lidhjes së Prizrenit u zgjodh kryetar i koinisionit të punëve të jashtme të saj. Ai përfaqësoi Toskërinë në Kuvendin e Parë të Dibrës (1 nëntor 1878), ku u miratua rezoluta me të cilën kërkohej zyrtarisht nga Porta e Lartë krijimi i vilajetit të bashkuar autonom të Shqipërisë. Ai qe organizatori kryesor i Kuvendit të Prevezës (janar 1879), i cili arriti ta pengonte lëshimin e Çamërisë në favor të Greqisë. Në pranverën e vitit 1879 kryesoi delegacionin e Lidhjes që vizitoi kryeqytetet e Fuqive të Mëdha për të mbrojtur nga afër tërësinë territoriale dhe të drejtat për autonomi të Shqipërisë. Abdyl Frashëri, ishte promotori i projektit që miratoi Kuvendi i Dytë i Frashërit për të formuar qeverinë e përkohshme. Ai udhëhoqi gjithashtu Kuvendin Kombëtar të Gjirokastrës që u shpreh për krijimin e shtetit autonom shqiptar me anën e lëvizjes së armatosur.
Abdyl Frashëri, e mbrojti programin e Gjirokastrës në Kuvendin e Dytë të Dibrës ku udhëhoqi si gjithnjë krahun radikal të lëvizjes. Edhe pse programi i autonomisë nuk u pranua nga përfaqësuesit e rrymës së moderuar, ai kaloi në Kosovë dhe aty së bashku me bashkëluftëtarët e vet kosovarë, vuri në jetë vendimet e Gjirokastrës. U bë anëtar i qeverisë së përkohshme që u formua në Prizren në fillim të vint 1881 dhe dha një kontribut të rëndësishëm né përgatitjet politike dhe ushtarake që u morën për mbrojtjen e autonomisë kundër ekspeditës ushtarake osmane.
Pas shtypjes së Lidhjes, u arrestua dhe u dënua me vdekje nga gjyqi special osman, por dënimi u kthye në burgim të përjetshëm. Megjithatë, pasi qëndroi në burg 3 vjet dhe në internim 20 muaj, për arsye shëndetësore u lirua, por me kusht që të hiqte dorë nga veprimtaria politike patriotike. Edhe pse i sëmurë dhe i izoluar, ai e vazhdoi veprimtarinë patriotike derisa vdiq në Stamboll më 23 tetor të vitit 1892. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë në vitin 1978. (Vikipidia)
Kastriot Bezati: Vëllezërit Frashëri
Frashëri, vendlindja e Vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit dhe Samiut, ka qenë dhe është kryeqendra e Dangëllisë. Emrin e tij, fshati, Frashëri, e ka marrë nga pema pyjore “Frashër”, ndërsa krahina, Dangëllia, e ka marër emrin nga fjala turke “Dag-ili”, që do të thotë “Malësi”, – ka shkruar Sami Frashëri. Emrin krahinës ia dhanë osmanët në fillim të shekullit XVII. Më parë, në shekullin XIV, krahina quhej “Malakas” dhe qendra e saj ishte fshati “Malakas”, i cili ndodhej jo shumë larg Frashërit, në shpatin perëndimor të malit Radomir, – thotë Kristo Frashëri. Emërtimi turqisht “Dangëlli” është një përkthim i emrit “Malakas”, që në rrënjë ka fjalën shqipe “Mal” në kuptimin “Malësi”.
Dangëllia, si hapësirë gjeografike, në ecurinë historike ka ndryshuar, herë ka pasur më shumë dhe herë ka pasur më pak fshatra, si përshembull: më 1850 përfshinte 48 fshatra, më 1896–28, në vitet ’40 të shekullit XX kishte 22, ndërsa sot Komuna e Frashërit ka 12 fshatra: Frashëri, Miçani, Zavalani, Gostivishti, Ogreni, Kreshova, Vërçishti, Gostomicka, Suropulli, Koblara, Kostreci dhe Selenica.
Frashëri ngrihet rrëzë malit të Kokojkës, 1030 metra mbi nivelin e detit, me hapësirë relievi 15.5 km2. Frashëri, përmendet për herë të parë si vendbanim në Regjistrin ixhmal të Vilajetit të Përmetit dhe të Korçës, hartuar në vitet 1431-1432, me emrin Fraxhili, ndërsa ashtu si e shqiptojmë sot, Frashëri, del për herë të parë në vitin 1506, në Defterin mufasal të Vlorës. Popullsia: më 1431 – 12 shtëpi, më 1506 – 41, më 1583 – 58 shtëpi. Në mesin e shekullit XX kishte 22 lagje dhe një treg prej 20 dyqanesh. Në këto vite kishte jo më pak se 300 shtëpi, sipas historianit Kristo Frashëri, dhe jo më shumë se 350 shtëpi sipas shtetarit Medi Frashëri. Ishte “një qytet i vogël malor”, – shkruan Sami Frashëri në veprën e tij Kamus-ul-Alam. Lagjet: Sulejmanbellinjtë, Dukollarët ose Dulellarët, Skënderajt, Lahçenjtë ose Haxhillarët, Velibellarët, Kasollarët, Dhamellarët, Karafilbejtë, Cërrasit, Bakasit, Vilakët, Lopësit, Begmeçasit apo Begasit, Qyrasit, Arapasit, Aliçkasit apo Çokllarët, Liçollarët, Rasetasit, Kisha apo Ninkat, Panollarët, Çobenët dhe Beçllarët. Më 1912 ishte rreth 1180 banorë. U dogj tërësisht më 6 maj 1914 nga okupacioni i Greqisë. Më 1923 kishte 302 banorë, më 1990 – 91 familje me 432 banorë dhe më 2009 kishte 53 familje me 186 banorë. Më 2008 si komunë kishte 1555 banorë. Sot, më 22.07. 2012, fshati ka realisht 7 shtëpi me 32 banorë, shumë më pak seç kishte në shekullin XV.
Dulellarët apo Dukollaret
Dukollarët apo Dulellaret janë vendas apo të ardhur në Frashër? Të dy këto mendime janë të ngritura dhe të parashtruara në punimet e botuara historike si dhe në publicistikë e masmedia. Idea se janë të ardhur është sjellë nga Mit’hat Frashëri në jetëshkrimin e Naim Frashërit, Sofie, 1901, botuar me emrin Mali Kokojka, ndërsa ideja se janë autoktonë është mbrojtur më 1982 nga Dhimitër Shuteriqi në librin “Naim Frashëri”, Tiranë, 1982, dhe, sidomos, nga Kristo Frashëri në librin “Abdyl Frashëri”, Tiranë, 1984.
“Bejlerët e Frashërit rrjedhin nga një i quajtur Ajaz Bej dhe tani përbëhen nga 40 – 50 shtëpi”, – shkruan Sami Frashëri në veprën “Kamus ul Alam”, Vëll. V, Istanbul, 1896. Ajaz Beu,- vazhdon më tej Sami Frashëri, – është nga Tomorica, të cilin Porta e Lartë e internoi familjarisht nga Tomorica në Stanimakë, sot Asenovgradi i Bullgarisë. Kur u bë Vezir i Madh i Perandorisë Osmane Mehmet Pashë Qypriliu nga Roshniku i Beratit, i cili qeverisi në hapësirën e viteve 1656 – 1661, familja e Ajaz Beut u lejua të kthehej ne Shqipëri duke iu dhënë si timar Frashëri në Dangëlli dhe disa fshatra në Myzeqe dhe, fëmijët e Ajazit, zgjodhën si vëndbanim Frashërin e Përmetit. Këto thotë Sami Frashëri dhe nuk thotë që familja e Vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit dhe Samiut, e ka prejardhjen nga Ajaz Beu i Tomoricës. Edhe në autobiografinë e vet, botuar në “Serveti Funun”, Istanbul, 19.06.1896, edhe kur trajtoi biografinë e vëllait të madh, të Abdyl Frashërit, Kamus ul Alam, Istanbul, Vell.V, 1896, Sami Frashëri nuk thotë se familja e tij rridhte nga Ajaz Beu i Tomoricës, – thotë Kristo Frashëri.
Mit’hat Frashëri, në jetëshkrimin mbi Naim Frashërin, Sofie, 1901, shkruan: “Më 1570 Hamza Beu, i pari i Tomoricës, desh të shtojë urdhërin e tij dhe të marrë në mproje Skraparin, Oparin, Vërçën …U zu i gjallë dhe me gjithë fëmijë u dërgua në Stanimakë, ku ndenji 70 vjet. Më 1656 në kohën e Mehmet Pashë Qypriliut, kushëri i tyre, u fal Ajaz Beu, i nipi i Hamzait dhe ju dha në mprojë Frashëri, Mërtinja, Xhanjani, Topojani dhe në Vlorë Kudhësi, Armeja dhe ca fshatra në Myzeqe, po Ajazi pëlqeu Frashërin për të ndënjur se është vënd i fortë. Kur erdhi Ajazi në Frashër atje gjeti fëmijë parësie: Aliçkajt, Cërasit, Bregasit dhe Bakasit”. Më tej Mit’hat Frashëri shkruan se nga fisi i Ajaz Beut e kane prejardhjen edhe Dulellarët e Frashërit.
“Ky pohim, i cili është marrë në fakt nga mjaft studimtarë, nuk është i saktë”, – shkruan Kristo Frashëri në librin “Abdyl Frashëri”. “Nuk del që Dakollarët , siç quhen Vëllezërit Frashëri të jenë pasardhës të Ajaz Beut … Një bej i shek XIX, ndofta i frashëriotit Tahir Nasibiu, që jetoi përpara Naimit, me Ajazin lidh vetëm dy familje të Frashërit, Sulejmanbellinjtë e Vilakët”, – thotë Dhimitër Shuteriqi në librin “Naim Frashëri”. Tahir Skënderasit i referohet ndër të tjera edhe Kristo Frashëri, i cili shkruan: “Në një poemë shqipe kushtuar Frashërit prej 82 katrorësh (328 vargje) që la në dorshkrim Tahir Skënderi apo Tahir Dedej, një frashërlli i kulturuar nga lagjja Skënderas, i cili vdiq më 1834, … poema që ne sot kemi në dorë katër katrorë, në njërin nga të cilët trajtohen si familje të ardhura nga Stanimaka vetëm Sulejmanbellinjtë dhe Vilakët”. Vite më vonë, në librin “Frashëri – Shkëlqimi dhe rrënimi i tij”, Tiranë, 2010, Kristo Frashëri shkruan: ”Emrin e Ajaz Beut nga Frasheri … e ndeshim në Kodeksin e Manastirit të Shën Prodhomit në Voskopojë. Aty thuhet tekstualisht se: “1728: në kohën e igumenit Niqifor, Bondua, biri i Ajaz Beut nga Frashëri, vrau Theodor Paskalin nga Voskopoja në çifligun e tij në Barç” dhe, ndër të tjera, po në këtë kodik, thuhet ”1731: sulltan Mahmuti .. vrau Ajaz Beun nga Frashëri dhe Bondon”. Të dhënat e këtij kodiku flasin se nuk është viti 1650 viti i largimit të Ajaz Beut nga Stanimaka e vendosja e tij në Frashër, nuk është koha e Mehmet Pashë Qypriliut por koha e Veziratit të Qyprilinjëve, e cila vazhdoi deri më 1735: pas Mehmet Qypriliut, i cili e mori mbiemrin “Qyprili” nga qyteza “Qypry” në zëmër të Anadollit, kemi: Fazil Ahmet Pasha (1661-1676), Kara Mustafa Pasha (1676-1683), Fazil Mustafa Qypriliu (1689-1691), Hysen Qypriliu (1697-1702), Numan Qypriliu (1710-1711) dhe Abdullah Qypriliu (1723-1735).
Kristo Frashëri dhe Dhimitër Shuteriqi, nisur kryesisht nga shkrimet e Sami Frashërit në “Kamus ul Alam” dhe “Serveti Funun”, nga vargjet e poemës së Tahir Nasibiut kushtuar Frashërit dhe nga të dhënat e Kodikut të Manastirit të Shën Prodhomit në Voskopojë, konkludojnë se Vëllezërit Frashëri nuk janë me prejardhje nga Ajaz Beu i Tomoricës por bij të mëdhenj të familjes autoktone të Dukollarëve apo Dulellarëve të Frashërit të Përmetit.
Prindërit e Vëllezërve Frashëri
Shënimet gjenealogjike të famijes së Dulellarëve, të cilat të mikrofilmuara ndodhen në Institutin e Historisë në Tiranë, shkojnë deri te Beqiri, katragjyshi i Vëllezërve Frashëri, i cili ka jetuar në shekullin XVIII. Studiuesi turk A.S.Levend, në librin “Semsettin Sami”, Ankara, 1969, thotë se ai ka qenë spahi, por nuk thotë se ku ndodhej timari i Beqirit. Djali i parë i Beqirit ishte Fejzullahu, i cili në fshat thirrej shkurtimisht Duko, ndaj dhe fëmijët e tij u quajtën Dukollarë. Djali i tij i dyte ishte Muhtari, i cili thirrej në fshat me emrin Tare dhe fëmijët e tij u quajtën Tarenj. Studiuesi, Alfred Frashëri, në librin “Frashëri në historinë e Shqipërisë”, Tiranë, 2007, thotë se Beqiri kishte edhe tre djem të tjerë, që ishin: Kajmaku, Jakupi dhe Mahmuti. Fejzullahu, sipas traditës gojore, kishte një djalë, që u quajt Abdullah Hysni, shkurtimisht Dule, i cili pati dy djem, Halitin dhe Durmishin, – shkruan Kristo Frashëri. Familja që krijoi Halit Frashëri u njoh në Frashër me emrin e Dules – familja e Dulellarëve, kurse pasardhesit e Durmish Frashërit ruajtën emrin e mëparshëm, vazhduan të thëriteshin familja e Dukollarëve, ashtu si thirreshin më parë edhe fëmijët e pasardhësit e Fejzullahut.
Në kohën e Ali Pashë Tepelenës, Abdulla Hysni, Dulja, u vendos me familje në Janinë, ku më 1797 lindi Haliti dhe më 1801 Durmishi. Dy vëllezërit pas disa vitesh u kthyen në Frashër. Haliti në vitet ’20 të shekullit XIX hyri në shërbim të Mehmed Reshid Pashës me detyrën e serçeshmes, intedentit, ndihmës i serqedes, komandant i reparteve bashibozuke, – shkruan Sami Frashëri, Kamus ul Alam, Istanbul, Vëll. III, 1891. Me këtë detyrë ai mori pjesë, nën urdhërat e Mehmd Reshidit, më 1824, në luftimet që u zhvilluan në territorin grek ku edhe u plagos, – vazhdon Sami Frashëri dhe më tej, Sami Frashëri, thotë se i ati, Halidi, tregoi simpati për reformat centralizuese osmane dhe përkrahu Mehmed Reshid Pashën për t’i zbatuar këto reforma në Shqipëri. Halidi nuk u bë oficer i karrierës por mbeti i lidhur pas ofiqit të serçeshmes, që e detyronte të shkonte në luftë me harxhe sa herë e thërriste Porta e Lartë. Më 1854, ai shkoi me harxhe në Thesali, ku mori me vete edhe djalin e madh, Abdylin, dhe, tre vjet më vonë, më 1857, Halidi u nis së bashku me Abdylin në Janinë, ku dhe u nda nga jeta më 19 janar 1859.
Halitit, gruaja e parë nuk i dha asnjë fëmijë dhe, me vdekjen e saj, u martua me Eminenë nga familja përmetare e Mirahorëve që banonte në Korçë. Emineja lindi në Korçë më 3 maj 1814. I ati i saj, Islam Mirahori, ishte biri i Hysen Mirahorit, i cili i takonte brezit te dhjete pasardhës te Iljaz Bej Mirahorit, dhëndrit të Sulltan Mehmetit I, themeluesit të qytetit të Korçës. E ëma e Eminese, Zymbylja, ishte e bija e Mehmet Pashë Plasës, edhe ky pesonalitet i trevës së Korçës, në shek. XIX. Iljazi u lind në hapësirën e viteve 1408 – 1420 në fshatin Panarit, i cili në atë kohë bënte pjesë në Kazanë e Përmetit. U muar peng nga Murati II, sulltan në vitet 1421 – 1451. U martua si cilësuam me të bijën e sulltan Mehmetit II, 1430-1481, i cili hipi në fron më 1451 pas vdekjes së të atit Muratit II. Iljaz Mirahori luftoi për marrjen nga turqit të Konstandinopojës më 29 maj 1453. Në kohën e mbretërimit të Bajazitit II, 1481 – 1512, u emërua sanxhakbej i Janinës. U kthye në Korçe më 1484 dhe, në periudhën midis viteve 1484 – 1495, iu dhanë si pronë private nga Sulltan Bajaziti II disa fshatra, si: Panariti, Trebicka, Treska, Vodica, Stratobërdha të Kazasë së Përmetit dhe Leshnja, Vithkuqi, Boboshtica të Kazasë së Korçës, shkruan historiani Ferid Duka, Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Vëll.II, 2008. Më pas në vënd të Treskës dhe Panaritit iu dha nga sulltani fshati Peskopje dhe, me marrjen në pronësi të këtij fshati, si dhe te fshatit më të vogël Gjoricë, të cilët ndaheshin nga ujërat e lumit të Moravës, në relievin e këtyre fshatrave, sidomos të fshatit Peskopje, në vitet 1494 – 1496, hodhi themelet dhe filloi ndërtimin e qytetit te Korçës. Iljaz bej Mirahori ndërtoi xhaminë, tyrben, hane, hamame, imaretin, pazarin dhe hapi institucionin arsimor me veprimtari fetare e shkencore – Medresenë e Korçës. Qyteti i Korçës është themeluar dhe ndërtuar nga Iljaz Bej Mirahori në periudhën e Sulltan Bajazitit II, – shkruan Sami Frashëri, Kamus ul Alam, Istanbul, Vëll. V, 1896. Iljaz bej Mirahori vdiq më 1512, ndërsa stërmbersa e tij, Emine Mirahori, gruaja e Halid Frashërit, u nda nga jeta në Frasher më 28 prill 1861.
Emine dhe Halit Frashëri patën tetë fëmijë: gjashtë djem e dy vajza dhe të gjithë lindën në Frashër. Djali i parë lindi më 29 gusht 1839 dhe i vunë emrin e gjyshit, Abdullah Hysni, por në fshat u thir shkurtimisht Abdyl, kurse në familje akoma më shkurtimisht Dule. U nda nga jeta më 23 tetor 1892 në Stamboll. Dy vjet më vonë, më 1841, lindi fëmija e dytë, një vajzë, të cilën e quajtën Nefise. Më 13 dhjetor 1843 lindi Sherifi, i cili u nda shpej nga jeta, më 8 maj 1874 në Janinë. Më 25 maj 1846, Emineja lindi dy binjakë, njëri nga të cilët vdiq në shpergënj, ndërsa tjetri, që ishte gjithashtu i dobët, i vunë një emër ogurmirë, e quajtën Naim, që në arabisht do të thotë i fuqishëm, i cili u nda nga jeta më 20 tetor 1900 në Stamboll. Fëmija i pestë lindi më 1848, ishte vajzë dhe i vunë emrin Shahnisha, e cila jetoi vetëm 23 vjet, u nda nga jeta më 1871. Samiu ishte fëmija i gjashtë, lindi më 1 qershor 1850 dhe u nda nga jeta në Stamboll më 18 qershor 1904. Tre vjet më vonë, më 27 janar 1853 lindi Tahsini, i cili jetoi sa Shanishaja, 23 vjet, u nda nga jeta në Janinë më 23 prill 1876. Fëmija i fundit, djali i gjashtë, ishte Mehmeti, u lind më 26 tetor 1856 dhe u nda nga jeta në Tiranë më 21 dhjetor 1918.
Shtëpia e Halit Frashërit ndodhej në shpatin e Kokojkës, në mes të fshatit, në lagjen Dulellarë. U rënua më 1892. U ringrit mbi themelet sipas projektit të hartuar nga Xhovalin Kroqi dhe u kthye në muze memorial kushtuar vëllezërve Frashëri më 16 qershor 1974. Ishin te pranishëm në këtë ditë të përurimit, ndër shumë të tjerë, edhe mbesa e Naimit, Naime Rusi, si dhe nipi i Samiut, Emin Ereri. Shtëpia është me dy kate, ndërtuar me gurë të zinj dhe çati me rasa guri. Ka dhjetë dhoma. Përbëhet nga dy korridore me përmasa të mëdha, në çdo kat janë nga tre dhoma të rreshtuara në vijë të drejtë në të majtë kur hyn në ndërtesë, nga një dhomë si poshtë e lart përballë hyrjes e në tërë gjerësinë e korridorit dhe e pesta e katit të parë dhe e dhjeta e katit të dytë, ndodhen në të djathtë kur hyn në shtëpi e ngjitur me fasadën e ndërtesës. Nga kati i parë në të dytin ngjitesh nëpërmjet shkallëve të drunjta me parmak. Përballë shtëpisë, mbi podiume, lartësohen pranë njëri tjetrit ashtu si kanë qënë në jetë, me vështrim nga fshati e lindja e diellit dhe me shpinë nga mali i Kokojkës, bustet e tre vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit dhe Samiut, punime të skulptorit të madh, përmetarit Odise Paskali. /KultPlus.com