Adelina Canolli, artistja e gjithanshme që arriti të fitojë çmime ndërkombëtare dhe të ekspozohet në galeritë evropiane

Bujar Meholli

Arti dhe kultura çdoherë kanë dëshmuar se mund t’i ndryshojnë shoqëritë dhe t’i afrojnë njerëzit me njëri-tjetrin me fuqinë që të flasin me gjuhën e secilit, shkruan KultPlus.

Piktura, si një nga format më të lashta artistike, ka qenë gjithmonë prezente në jetët njerëzore, duke përcjellë ngjarje dhe duke i përjetësuar ato.

Edhe në vendin tonë, artistët janë përpjekur të skicojnë ngjarje interesante, apo portrete të njerëzve të dalluar në njërën apo fushën tjetër.

Adelina Canolli është një artiste e talentuar e cila ka vite që e ushtron artin e pikturës. Portretet që i realizon ajo me teknikën laps në letër janë mirëpritur nga publiku. Në punimet e saj mund të shohim personalitete të njohura. Ajo është fituese e disa çmimeve ndërkombëtare me punimet e saj të cilat edhe janë ekspozuar në disa prej galerive evropiane.

Canolli thotë se pikturon atë që sheh dhe që i merr vëmendjen dhe që i duket interesante. Mes një rrugëtimi të gjatë dhe mjaft interesant nëpër Evropë, ajo thotë se jeton me artin dhe se çdo ditë përpiqet të mësojë diçka të re. Së fundmi ajo ka ndërmarrë një iniciativë bamirësie për familjet e prekura financiarisht nga pandemia, dhe i fton të gjithë artistët të kontribuojnë. Artistja Canolli po ashtu ka në plan ta realizojë një ekspozitë në Prishtinë.

1. KultPlus: Si ka filluar rrugëtimi juaj artistik dhe lidhjet e para me pikturën?

Është një rrugëtim shumë i gjatë, pothuajse gjithë jetën merrem me art. Që nga mosha 4 vjeçare kam filluar vizatimin, mandej kam filluar studimet për art në Leeds College of art and Desin (tani, Leeds Arts University ), mandej diplomova ne Becket University ku specializova në artet e bukura (Fine arts). Mbasi që unë kam pasion shumë për arkitekturën, vendosa t’i vazhdojë studimet në fushën e dizajnit ku magjistrova në Product design, Menagement, Communication and Leadership në Becket University. 

Lidhjet e para me pikturën kanë qenë kur isha shume e vogël siç e ceka dhe më lart. Nuk më kujtohet asnjë ditë e vetme që unë nuk kam qenë e lidhur me artin. 

2. KultPlus: Disa prej punimeve tuaja janë të punuara me laps në letër. Pse keni zgjedhur këtë teknikë dhe a keni provuar edhe teknika tjera në punimet tuaja?

Kam punime të shumta të punuara me laps në letër. Mediumi laps në letër është bazë për vizatimet e mia. Kam shume eksperiencë në këtë teknikë edhe pse çdo ditë mësoj gjëra të reja nga punime e mia. Kam provuar teknika të ndryshme që janë të shumta. Eksperimente me teknika të ndryshme kam bërë më së shumti  kur isha në studime. Meqenëse punoj shumë shpejt një kohë të gjatë kam punuar me ngjyra akrili. Tani më së shumti jam e përqendruar në laps, ngjyra druri dhe ngjyra vaji. Po ashtu përveç përqendrimit në hiperrealizëm, unë punoj vazhdimisht në lëvizjet tjera si në abstrakt dhe artin modern bashkëkohor. 

dav

3. KultPlus: Jeni fituese e disa çmimeve për art. A mund t’i ndani këto përvoja me lexuesit tanë? 

Jam fituese e çmimit ‘Highly Commended’ për Artisic Exellence of Work në UKCPS United Kingdom Coloured Pencil Society, ku mora pjesë me portretin e bashkëshortit tim të realizuar në ngjyra druri në letër që u mbajt në Menier Gallery, Londër. Kam qenë në listë të ngushtë (shortlist) në këtë garë për disa vite me radhë. 

Në vitin 2018 në ekspozitën Derwent konkurruan 1278 artistë me 3.299 punime nga 64 vende të botes dhe unë isha një nder 57 artistet që u pranuam për këtë ekspozitë e cila u mbajt në Mall Galleries të Londrës. Në vitin 2019, isha njëra nga 50 artistet që u përzgjodhëm të ishim pjesë e Artists Of The Year 2019. Në të njëjtin vit punimi im u përzgjodh në Biennial Ruth Borchard Self portrait Exhibition që u mbajt në Mall Galleries. Është një tregim shumë interesant i shkrimtares Ruth Borchard. Jua rekomandoj ta lexoni! Po ashtu ia vlen ta përmend që në vitin 2018 u mbajt ekspozita urbane më e madhe në botë që u realizua në Londër dhe dy punime të mia u përzgjodhën për ekspozitë tri herë radhazi. (Portreti Otto, dhe Mollat).

4. KultPlus: Kemi parë se shumica e punimeve tuaja janë portrete. A keni provuar të punoni edhe forma tjera, fjala vjen, peizazhe?

Asnjëherë nuk i jap vetes kufi se çka duhet dhe nuk duhet të vizatoj apo pikturoj. Lirinë më të madhe e gjen në art. Unë pikturoj dhe vizatoj gjithçka që shoh dhe pëlqej që më duket interesant ose për arsye të ndryshme. Është e vërtetë që shumica e punimeve të mia janë portrete mbasi që edhe marr shumë porosi për portrete. Për ndryshe kam punime tjera nga fashion deri te peizazhet, natyrë të vdekur (still life) dhe  dizajne industriale, interior design, urban design, grafik design. Jam shumë e gjithanshme në fushën e artit.

5. KultPlus: Si e shihni artin, respektivisht pikturën në ditët e sotme. A ka pësuar rënie arti i pikturës?

Nuk mendoj që ka rënie. Çdo ditë e më shumë është më lehtë për t’u realizuar një pikturë. Po ashtu galeritë ku shiten pikurat janë të shumta. Sidomos këtu në Angli. 

Njerëzit gjithmonë dëshirojnë të shohin gjera te reja në art dhe unë mendoj se kjo është në një nivel të mirë. Pritjet janë gjithnjë e më të mëdha për risi në art nga komuniteti i artistëve po ashtu edhe nga publiku. 

6. KultPlus: Sa luajnë rol rrjetet sociale për artistët. A janë ato mënyrë e mirë për t’i shpërfaq krijimet artistike? 

Asnjëherë nuk ka qenë më mirë. Rrjetet sociale janë thjeshtë online ‘gallery’ ku artistët ekspozojnë artin e tyre.  Ke mundësi edhe për të zbuluar punime të ndryshme nga artistë të ndryshëm anë e mbanë botës. Po ashtu edhe tani në kohë pandemie shumë galeri dhe muze nga vende të ndryshime kanë mundësuar online tours. 

7. KultPlus: Cilat janë planet tuaja në të ardhmen? 

Po gjithnjë kam plane. Këtë vit do të marrë pjesë në një garë të madhe për art. Më vjen keq nuk mundem të zbulojë dhe më duhet t’i përmbahem rregullave të garës. 

Sa i përket kohës së pandemisë kam ndërmarrë një iniciativë për bamirësi për familjet e prekura financiarisht nga pandemia.

Bëhet fjalë për ankand të punimeve të ndryshime nga artist profesional dhe artist jo profesional ku të gjitha të ardhurat nga shitjet do të shkojnë për bamirësi. 

Do ta shfrytëzoja rastin që t’ju bëjë thirrje të gjithë artistëve shqiptarë në Kosovë dhe jashtë Kosovës që t’i bashkëngjiten kësaj iniciative. Këtu janë të përfshira arti dy dimensional, tre dimensional dhe fotografia.  Po ashtu ju bëjë thirrje gjithë publikut brenda dhe jashtë Kosovës që të blejnë punimet në mënyrë që të grumbullojmë sa më shumë ndihma. Të gjitha këto punime kanë hashtagun #artipërtëmirën.

Për më shumë informata dhe për artistët ky është linku ku ata mund t’i ngarkojnë fotografitë e punimeve te tyre. 

https://www.facebook.com/brightgiving/

8. KultPlus: A keni planifikuar ta mbani ndonjë ekspozitë? 

Po kam plane që ta realizojë një ekspozitë të përhershme në Prishtinë në një objekt ku ka qasje publiku. Është diçka nga e cila do të përfitonte vendi ynë. /KultPlus.com