Flonja Haxhaj
Mbrëmë, Prishtina jehoi me tingujt e veçantë të këngës së Adelina Thaçit në koncertin recital ‘Nji za dashnije’, që erdhi si shënim i 25-vjetorit të karrierës së saj në muzikë dhe në 25-vjetorin e çlirimin e Kosovës, një koncert ky që mbushi përjetimet e publikut me emocione të mëdha dhe ndjenja nostalgjie, shkruan KultPlus.
Mbrëmja filloi me këngën ikonike “Shko”, e cila që në tingujt e parë, zgjoi vëmendjen e publikut të cilët kënduan njëzëri me këngëtaret. Nën përcjelljen e filharmonisë së Kosovës me dirigjent Edon Ramadani, Adelina Thaçi dëshmoi edhe njëherë potencialin e rrallë dhe repertorin e pasur që posedon.
Vazhdimi i koncertit solli këngën “Tanë moj Tanë”, e pas saj këngën dedikim për babain e saj, një përjetim i rrallë që solli lot e ndjenjë dashurie në të njëjtën kohë.
Më pas, Adelina Thaçi ftoi në skenë kengetarin Denik Prizrenin për të interpretuar “Kontrast”, një tjetër këngë ikonike e saj. Ky bashkëpunim në skenë mes tyre solli energji dhe emocion, e duke ftuar publikun në një ritëm të nostalgjisë e argëtimit.
Denik Prizreni vazhdoi me interpretimin e tij të fuqishëm në këngën “Ne Shkoder te Vish”, duke shtuar një tjetër dimension në atmosferën e koncertit.
Në vazhdim, emocionet u rritën kur Adelina Thaçi ftoi në skenë Gjon’s Tears, një nga kengetarët shqiptarë më të njohur në skenën ndërkombëtare.
Adelina Thaçi më pas e la skenën vetëm për Gjon’s Tears, i cili çoi koncertin në një tjetër dimension teksa interpretoi këngën ‘Tout l’univers’, këngë me të cilën ai përfaqësoi Zvicrën në Eurovision.
Pas këtij emocioni të paharruar, Adelina Thaçi vazhdoi me performancën e këngëve të tjera të njohura si “S’dua të lë gjurmë” dhe “Comsi Comsa”, duke e mbushur skenën me një energji dhe një shfaqje të vërtetë artistike.
E pak para përfundimit, në skenë u ftuan ansambli ‘Zanat’ të cilat interpretuan këngën shumë të dashur për publikun ‘Të fala nga Prishtina’, këngë kjo që plotësoi mozaikun e këngëve të mirëfillta që u sollën para publikut mbrëmë.
Magjia e mbrëmjes u plotësua kur Adelina Thaçi e mbylli koncertin me këngën e saj shumë të dashur “Sonte”, duke lënë një ndjesi të paharruar tek të pranishmit
.Pas emocioneve të mëdha që dhuroi, Adelina Thaçi pas koncertit u shpreh se pavarësisht dilemave që kishte, ky concert shkoi ashtu siç ajo e kishte planifikuar.
“Kur një artist ka pauza, sido që të shkojë koncerti edhe po të jesh një artist profesionist, ekzistojnë ato dilemat se si do të shkojë koncerti, mirëpo duke e parë nderimin që ma ka bërë publiku, kam qenë sigurt se ata do të jenë këtu me mu dhe do të festojnë këto 25 vite të karrierës sime dhe unë sot vërtet ndihem aq e lumtur dhe e përmbushur sa zemra don të me dalë nga vendi. Jam kënaqur sot duke i parë fytyrat e publikut dhe kjo më ka bërë të jem në top formë dhe ka qenë një natë e pa harrueshme”, u shpreh Thaçi për KultPlus.
Ajo më tutje foli edhe për këngën dedikuar babait të saj, duke u shprehur se pavarësisht emocioneve, në këtë mbrëmje mblodhi forcat që fjalët e kësaj kënge të shkojnë në vend.
“Prej momentit kur ka fillu me u punu kanga, por edhe kur e kam inçizuar, kam pasë shumë probleme se gjithmonë filloja të qaj, e kisha shum të vështirë të filloja të këndoj, mirëpo sot i kam mbledhur forcat dhe të këndoj ashtu që fjalët të shkojnë në vend sepse eshte pikerisht babi im, i cili ka qene një shtylle e fortë edhe nji mburojë për mua, qe unë sot këtu e gezoj këtë skenë”, u shpreh Thaçi duke shtuar se pavarësisht pse ai nuk ishte present, beson se e ka dëgjuar dhe shijuar koncertin nga qielli.
Pas koncertit, për KultPlus foli edhe artisti Gjon’s Tears i cili shprehet i lumtur qe pranoi ftesën dhe ndau të njëjtën skenë me Adelina Thaçin.
“Për mua ishte kënaqësi të jem në një skenë me Adelina Thaçin, sepse unë jam rrit me humorin e babait të saj. Adelinën e kam zbuluar më vonë dhe gjithmonë më ka pëlqyer, ka një repertor gjigant me shumë këngë, njëfarë mënyre është edhe e popullit, ka një klas, më pëlqen shumë prandaj edhe e pranova ftesën”, tha Gjon’s Tears për KultPlus.
“Ishte një kënaqësi e madhe me ardhë prapë me performu para publikut shqiptar, sepse e di qe e ka një zemër të madhe dhe duartrokitjet i pranova me një zemër të madhe po ashtu”, u shpreh Gjon’s Tears i cili në vazhdim falënderoi mediumin e KultPlus qe e mbështet dhe beson në punën e tij.
Ju kujtojmë se ky koncert i dedikohet gjithë punës së Adelina Thaçit, karrierës, dashamirësve të këngës së saj, dhe e fundit, ky koncert erdhi edhe dedikim për 25 vjetorin e Çlirimit të Prishtinës./KultPlus.com