Këngëtarja e njohur Adelina Thaqi është në përgatitjet e fundit të koncertit të saj recital, koncert që e ka titulluar “Nji za dashnije – Për ty Prishtinë” e që përpos që shënon prezantimin e saj në një format të tillë, Thaqi në të njëjtën kohë këtë koncert ia dedikon edhe 25 vjetorit të Çlirimit të Kosovës, shkruan KultPlus.
Adelina Thaqi në një intervistë për KultPlus ka treguar se këtë koncert nuk e quan si rikthim në skenë, por si vazhdimësi e krijimtarisë së saj artistike, duke pas parasysh se angazhimin me fushën e muzikës nuk e ka ndërprerë asnjëherë.
“Është një ndjenjë e bukur, përmbushëse, më bën me u ndi e fuqishme, e gjallë, sepse muzika, këndimi është gjuha ime me të cilën unë shprehi ndjenjat, dashurinë, jetën, gjithë anët e mira të jetës, por edhe ato sfiduese”, ka thënë Thaqi e cila ka shtuar se rikthimi i saj po bëhet në një mënyrë shumë të bukur, pasi që po vjen me një koncert recital.
Ajo në këtë koncert do të prezantohet me 15 paraqitje, paraqitje që do të shoqërohen edhe nga artistë të tjerë, por që nuk ka zbuluar se kush do të jenë ata këngëtarë që do të ngjiten në skenë bashkë me Adelinën, përpos emrit të mysafirit special e që është Gjon Muharremaj, i njohur me emrin artistik Gjon’s Tears, i cili kishte përfaqësuar Zvicrën në Eurovision, i cili me vota të jurisë pat zënë vendin e parë, sukses që e kishte shënuar në vitin 2021.
“Gjoni do të paraqitet me një këngë, sikurse që do të prezantohet me një këngë tjetër edhe me mua. Dua ta falënderoj publikisht, sepse na ka nderuar shumë me pjesëmarrjen e tij në këtë koncert” ka thënë Thaqi.
Adelina Thaqi ka zbuluar se në këtë koncert recital do të publikohet edhe një këngë e re, këngë që është dedikim për babin e saj të ndjerë.
Krejt në fund ajo ka thënë se ky koncert i dedikohet gjithë punës së saj, karrierës, dashamirësve të këngës së saj, dhe e fundit, por më thelbësorja, ky koncert vjen edhe dedikim për 25 vjetorin e Çlirimit të Prishtinës. Koncerti do të mbahet më 27 qershor, në Klan Arena e që do të fillojë në ora 19:30. / KultPlus.com