Notari Adell Shaboviq në Lojërat Olimpike, ministri Çeku: Ai ka shënuar rekord shtetëror

Komiteti Olimpik i Kosovës, ka njoftuar se notari Adell Shaboviq, ka garuar sot në Lojërat Olimpike Paris 2024, garë të cilën e ka përfunduar me kohë 51.77 sekonda, duke dalë i dyti në baterinë e tij.

“Në përgjithësi, u rendit i 58-ti nga 79 garues, duke lënë prapa 21 notarë. Koha e tij e sotme është rekord shtetëror”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, ministri i Kulturës në Kosovë, Hajrulla Çeku u shpreh se Shaboviq ka shënuar sot rekord shtetëror.

“Garën në Lojërat Olimpike #Paris2024, e përfundoi me kohë 51.77 sekonda, duke dalë i dyti në disiplinën e 100 metrave stil i lirë. Përkundër që kësaj radhe nuk arriti kualifikimin, jemi gjithmonë krenarë me përkushtimin e tij”, ka shkruar Çeku në rrjete sociale.

Tutje, ai tha se sportistët tanë plot potencial, po na nderojnë çdo ditë./KultPlus.com