Sot nga ora 18:00 mbahet në ceremonia e shpalosjes së propozimit fitues për zhvillimin e Master Planit të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Në këtë ceremoni do të flasin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesi i Familjes Jashari.
Ndryshe Kompleksi Memorial “Adem Jashari” gjendet në Prekaz – Skënderaj dhe ky vend i veçantë historik është ndërtuar për nder të Dëshmorëve të Betejës së Jasharajve më 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998.
Duke marrë parasysh domosdoshmërinë e vënies në mbrojtje të kësaj zone me interes të veçantë, e cila ka rëndësi ontologjike, antropologjike, historike dhe kulturore për qytetarët e Kosovës, Kuvendi i Kosovës gjithashtu e miratoi Ligjin për shpalljen e Kompleksit Përkujtimor “Adem Jashari” zonë me interes të veçantë kombëtar.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se ka nisur restaurimi në shtëpinë e Adem Aga Gjonit, në Prizren.
MKRS ka njoftuar se objekti në fjalë është një prej aseteve që i përket trashëgimisë kulturore, i ndërtuar në shekullin XVIII.
“Shtëpia interpreton ndërlidhjen e ngushtë ndërmjet kulturës së banimit të shprehur përmes arkitekturës tradicionale të qytetit të Prizrenit që i ka mbijetuar kohës dhe tash me profesionalizëm po punohet në ruajtjen e vlerave të saj.
Ndërtesa në tërësi është e pasur me elemente etnografike që datojnë nga koha e ndërtimit të saj dhe po bëhet funksionale për të dëshmuar para gjeneratave të ardhshme vlerat tona të pasura të trashëgimisë kulturore”, thuhet në njoftim./KultPlus.com
“Hamalli” është quajtur drama e cila është luajtur para më shumë se pesë dekadave në Teatrin e Mitrovicës, shkruan KultPlus.
Regjinë e kësaj shfaqje e kishte punuar Adem Mikullovci, i cili është shfaqur edhe në rolin kryesor duke e luajtur rolin e Hamallit të rrejshëm kurse krah tij në rol kryesor kishte luajtur Nazmije Hoxhaj- Raifi. Aktorët e tjerë të shfaqjes ishin Ami Emra Emra, Dibran Tahiri, Ali Ahmeti, Sadedin Prekazi e shumë të tjerë.
KultPlus sot ju sjellë tri fotografi nga kjo shfaqje, e prezantuar në vitin 1964 për publikun e Mitrovicës.
Shfaqja ka trajtuar kohën e Luftës së Dytë Botërore. / KultPlus.com
Në vitin 1972, Xhemajl Mustafa kishte shkruar një poezi për figurën e rezistencës shqiptare, Adem Demaçin.
Sot, KultPlus e sjell këtë poezi në 88-vjetorin e lindjes së Adem Demaçit.
MES GRILASH – FENIKS
Akrostik Agimin e zi po e ngjyros me lotë kujtimi Derisa këngën po e thyej nëpër fytyrën tënde E në heshtje po tretem e fikem si jetimi Me ndezë dëshirat e fjetura si krande Dhe prore po zbres në sytë e rrugëve kah ti E ëmbël është vdekja në qëllim – Me e puthë atë dritë në horizonte që rri Akoma i etur jam në këtë varg, i humbur në trishtim Qetësi e natës kridhet në grila e mbërthyer I lodhur një zog diku me krahë të thyer Tash këngës ia thotë me afsh në gji – I amshuar balsam në varg qëndron Këngë ngadhënjimi lyrë e poetit shënon Rrugët ndrit qëllimi në këtë natë plot vetmi.
Për nder të 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në Bibliotekën Kombëtare do të hapet ekspozitë me dorëshkrime dhe dokumente origjinale të atdhetarit Adem Demaçi, shkruan KultPlus.
Në ekspozitë, do të dominojnë materiale të Arkivit të peridhës së hetimeve, gjykimit dhe dënimit për aktivitet kombëtar të Adem Demaçit, të cilat kryesisht nuk janë ekspozuar më parë.
“Agjencia Shtetërore Arkivave të Kosovës, më datë 16.02.2024, në kuadër të programit shtetëror për shënimin e përvjetorit të 16’të të pavarësisë së Kosovës, me një ekspozitë në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, sjellë para publikut dokumente origjinale, dorëshkrime dhe materiale tjera burimore të veprimtarisë politike atdhetare, kulturore, artistike të Veprimtarit të Ceshtjes Kombetare, Adem Demaçi”, thuhet përmes një njoftimi në facebook.
Në ekspozitë, do të dominojnë materiale të Arkivit të peridhës së hetimeve, gjykimit dhe dënimit për aktivitet kombëtar të Adem Demaçit, të cilat kryesisht nuk janë ekspozuar më parë.
Ai konsiderohet një prej figurave më të mëdha të historisë politike e kulturore kombëtare.
Adem Demaçi ka lindur më 26 shkurt 1936 dhe ka vdekur më 26 korrik 2018 /KultPlus.com
I riu nga Vlora, Bledar Cakalli ka pikturuar pesë figurat historike të kombit shqiptar.
Por ajo se çka është e veçanta e këtij pikturimi është figura e Adem Jasharit.
Në Vlorë tek “Uji i ftohtë”, Bledari pos Adem Jasharit ka pikturuar edhe figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeun, Ismail Qemalin, Isa Boletinin dhe Muharrem Rushitin e Çamërisë.
Në klasën e shtatë na u shtuan edhe disa lëndë të reja: latinishtja e psikologjia. Këto lëndë bashkë me frëngjishten na i jepte Zekeria Rexha. Ky ishte një burrë shtatmesëm, zeshkan, me syze prapa të cilave qëndronin sytë e mëdhenj e të zi. Ky ishte fort i përkushtuar që të na pajiste me dije. Para lufte kishte pas qenë nxënës i Liceut francez të Korçës dhe kishte pas studiuar në Francë. Kishte marrë pjesë në luftën antifashiste dhe pas luftës, për disa kohë, kishte qenë në post të lartë, mirëpo serbët e kishin pas shkarkuar nga detyra dhe i kishte ardhur radha që të na bëhej profesor. Djali i tij, Dukagjini, ishte në klasë me ne, por ai kurrë nuk pranonte që të fliste çfarëdoqoftë për babain e vet. Ne kishim dëgjuar nga fjalët në qytet se ai ishte shkarkuar për shkak se kishte kundërshtuar turqizimin me zor të shqiptarëve. Ishte tejmase tolerant me ne. Më në fund, ne, përsëri e gjetëm Kolën tonë të humbur, thoshim ne nxënësit e pakët që kishim kaluar nëpër duart e Kolë Nikajt. Ne e lusnim që të na i përsëriste leksionet e kaluara nga psikologjia dhe ai e bënte këtë pa përtesë. Ne filluam ta pyesnim edhe për shumë çështje jashtë programit mësimor dhe ai e bënte këtë me kënaqësi të madhe. Ne, me pyetjet tona, filluam të hynim edhe “lakrave”. Dhe ai, nuk hezitonte të hynte “lakrave” bashkë me ne. Ne e patëm pyetur për “Rezolutën e Bujanit” dhe ai na pati folur për atë ngjarje të rëndësishme të historisë sonë, një muaj rresht, duke marrë nga pesëmbëdhjetë minutat e para të orëve që mbante çdo ditë me ne. Ai kishte pas qenë edhe njëri nga hartuesit e kësaj rezolute. Ai na e citonte pothuaj në tërësi “Rezolutën e Bujanit” të nxjerrë nga Këshilli Nacional-Çlirimtar i Luftës Antifashiste të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit. Pasi pati përfunduar këto leksione, profesori ynë, pati nxjerrë shaminë dhe pati fshirë djersët. Vetëm shpirti i tij e dinte se si ndihej. Tani, ne nuk ishim krejt të vegjël që të mos dinim se nga sa po shkonte fasulja në Serbi. Të gjithë ishim mbi shtatëmbëdhjetë vjeç. Mirëpo, kureshtja jonë për të mësuar të vërtetën tonë ishte aq e madhe saqë nuk përmbaheshim dot. Edhe një çështje na kishte mbetur e pasqaruar. Të gjithë e dinim se pyetja ishte fort, fort e rrezikshme, mirëpo ne nuk kishim kë të pyesnim tjetër. Ajo pyetje na shqetësonte pamasë dhe nuk u duruam dot.
Një ditë, gjatë shëtitjes së gjatë mes orëve, më futën në mes Shefqet Popova, Ali Buçinca, Feti Badivuku, të gjithë nga Vushtrria dhe Avdi Sinani e Enver Tali. Shefqeti e hapi i pari muhabetin:
-Shiko Filan! Ty profesori të do më së shumti në klasën tonë…
-Edhe? – thashë unë.
-Edhe,-vazhdoi Shefqeti,- ne, shokët e klasës, e kemi një lutje për ty…
–Po, ta pyes profesorin, çka?
–Dëgjo,-ndërhyri Enveri-kjo është pyetje fort e vështirë dhe mund ta ngushtojmë fort profesorin
– Dëgjo Filan, – ndërhyri Avdiu. – Ta pyesësh profesorin se ku qëndron shkaku që ne kosovarët mbetëm në robëri? Vetëm kaq…
Unë u ndala dhe po i shikoja të gjithë me radhë. Më në fund thashë: -More, po ju a po doni që profesorin ta fusim në burg e ndoshta të bëhemi shkaktar që ai ta humbë edhe kokën?!…
Heshtje. Pas pak, foli Aliu: -Dëgjo! Profesori edhe me kaq sa na ka folur e ka fituar burgun e ndoshta edhe ta humbë kokën. Kur i pata treguar unë në shtëpi vllaut tim, Isakut, se çfarë po na thoshte ne profesori, ai lëkundej prej vendit dhe kapte kokën me duar. Më pati thënë: “Hej, more, juve djalli ju marrtë! Do ta merrni në qafë profesorin”!…
–Mirë po thotë Aliu! Ne, në qafë e morëm se e morëm dhe le të shkojë me një harxh!… Të paktën do ta marrim vesh të vërtetën e plotë. A s’është kështu?- na i hapi sytë prapa syzeve, Feti Badivuku.
-Ashtu është!- thanë të gjithë njëzëri dhe ndër ta vazhdoi Shefqeti:
-Paj, Filan, ty të intereson edhe më shumë se neve e vërteta e plotë…
Rrudha krahët. Ia qëlluan. Po i shikoja të gjithë me radhë dhe ula kokën. Ata buzëqeshnin dhe ia bënin njëri tjetrit me sy. N’ata ra zilja e shkollës për të hyrë brenda në klasa…
Ishte ora e frëngjishtes. Hyri profesori Zekeria dhe pyeti:
-Ku kemi mbetur?
Ata të pestët e oborrit m’i hapën sytë si në mënyrë kërcënuese. Unë
hezitoja. Enveri foli:
-Filani e ka një pyetje për juve, profesor…
– Mos e keni Filanin mësit, ju? – tha profesori duke mos i dhënë rëndësi kësaj pune dhe m’u drejtua mua: -Fol, Filan!
Unë u ngrita në këmbë dhe me zë që dridhej thashë:
– I dashur profesor, kush ka faj që Kosova, përkundër “Rezolutës së Bujanit”, mbeti nën Serbi?…
Profesori, për një çast u pre, pastaj i shkoi një qehre e zbehtë, por menjëherë pas kësaj, mori veten dhe fytyra iu skuq. Ai, me duar që ende i dridheshin, nxori pakon e cigareve, nxori shkrepsën, ndezi cigaren, iu afrua dritares, hapi njërin krah të saj dhe qëndroi ashtu me fytyrë kah rruga. Ai thithte tymin në qetësi të plotë. Ne u bëmë vetëm sy e veshë. Kur e kreu cigaren, profesori fiku duçin duke e shtypur mbi teneqen e jashtme të dritares dhe hodhi duçin në oborrin e shkollës kah rruga. Pastaj, iu afrua ngadalë djalit të vet në bankën e parë, pranë meje dhe i tha:
-Dukagjin, ti merr çantën dhe shko në shtëpi!- Pastaj ai, ua bëri me gisht dy anëtarëve të komitetit të rinisë të gjimnazit, Nazmi Kajtazit e Nazmi Junikut, duke u thënë butësisht:-Ju të dy, përcilleni Dukagjinin deri në shtëpi!
Ata të tre u larguan dhe profesori na u drejtua me zë shumë të sigurt:- Jeni shumë të ri, por edhe ne, në kohën tonë kemi qenë shumë të ri kur jemi marrë me punë shumë serioze, si ju sot. Janë kohëra fort të rrezikshme e fort të vështira, por më duhet t’ua them të vërtetën e kulluar, pa le të dalë, ku të dalë!… Fajin e kemi ne komunistët shqiptarë që komunistëve jugosllavë u besuam qorrazi. Fajin e kemi ne që kërkuam ndihmën e tyre. Fajin e kemi ne që fare i besuam idesë komuniste, e cila s’kishte pas qenë gjë tjetër përveçse një gënjeshtër e madhe me bisht të përgjakur. Krejt ato që ndodhën dhe që po ndodhin pas mbarimit të luftës e provuan dhe po e provojnë një të vërtetë të këtillë. Krimet që u bënë deri më sot dhe që po bëhen sot ndaj shqiptarëve në Goli Otok e në burgjet tjera, vrasja nën tortura çnjerëzore e Omer Çerkezit me shokë flet mjaft qartë se komunizmi kishte pas qenë një përrallë për fëmijët e vegjël…
Profesori u ndal për një çast, Na shikoi të gjithëve, një nga një e pyeti me zë të lartë:
-A dëgjuat? –
Ne të gjithë u përgjigjëm me një “po” të gjatë.
-Atëherë, – foli profesori duke na e luajtur gishtin,- prej këtij momenti e tutje, nëse ju pyet dikush, ju do të thoni se nuk keni dëgjuar asgjë!…
Të gjithë ne, prapë, u përgjigjëm me një “asgjë”.
Ora vazhdoi me frëngjishte, por në kokat tona u thadrua thellë e vërteta e hidhur për komunizmin dhe na u ndriçua fort dashuria për kombin tonë. / KultPlus.com