PEN Qendra e Kosovës ngushëllon për vdekjen e Adem Gashit: Ka lënë gjurmë në poezinë dhe në publicistikën tonë

Me rastin e vdekjes së poetit e krijuesit Adem Gashi PEN Qendra e Kosovës ngushëllon komunitetin letrar të Kosovës dhe familjen Gashi.

Nga PEN Qendra e Kosovës janë shprehur se Adem Gashi ka lënë gjurmë në poezinë dhe në publicistikën tonë.

Adem Gashi, i cili në vitin 2022 fitoi Çmimin Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”, është pa dyshim njëri nga poetët më të shquar të Kosovës, mjeshtër i rrallë i vargut, njohës i shkëlqyeshëm i gjuhës, me një opus të gjerë krijues si poet, por edhe prozator, publicist dhe veprimtar kulturor. / KultPlus.com

Adem Gashi

Ndoshta ishte puthje

Poezi nga Adem Gashi.

Në buzë më rri një bulë
mbetur nga një puthje
përzierje qumështi e loti tepër e rrallë,
e kush më mirë se buzët ruan një perlë
të mos bëhet dhallë

Mbase e tërë shfaqja s’është tjetër
veçse kujtim i largët,
kujtim i ri në një peizazh me gjethe e shi

Në pyllin poetik me lajthi
lajthitur sherrnajës shtojzovalle
si vetëndëshkim po e ndez një cigare

Humbës i humbur
tymit të saj të platintë,
tymit të saj të zi

Ndoshta vërtet qe puthje
në pezulin e një ëndrre./ KultPlus.com

Ministri Çeku për vdekjen  e autorit Adem Gashi: Do të kujtohet si një njeri i cili ka krijuar vepra të cilat janë shndërruar në himne

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka ngushëlluar familjen e shkrimtarit dhe poetit Adem Gashi, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në rrjetin social facebook, Ministri Çeku ka thënë se ai do të kujtohet gjithmonë si një njeri i cili vazhdimisht ka krijuar vepra të cilat u shndërruan në himne këngësh dhe që me ëndje do të vazhdojnë të dëgjohen edhe në të ardhmen.

Më poshtë është postimi i plotë i Ministrit Çeku në facebook:

E nderuara familja Gashi,

Me pikëllim e pranova lajmin për ndarjen nga jeta të shkrimtarit dhe poetit të shquar, Adem Gashi. Ikja e tij do të lërë mungesë në krijimtarinë letrare por veprimtaria e tij artistike e lënë si trashëgimi do të mbetet referencë për brezat e ardhshëm.

Shkrimtarin Adem Gashi do ta kujtojmë gjithmonë si një njeri modest, atdhedashës e punëtor të zellshëm, i cili vazhdimisht ka krijuar vepra të cilat edhe u shndërruan në himne këngësh që me ëndje i kemi dëgjuar dhe do t’i dëgjojmë edhe në të ardhmen.

Me ndarjen e tij nga jeta, jo vetëm letërsia shqipe, por e gjithë bota letrare ka humbur një prej figurave emblematike dhe frymëzuese.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë komunitetit artistik.

Hajrulla Çeku

Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit/KultPlus.com

Vdes shkrimtari Adem Gashi

Ka vdekur shkrimtari Adem Gashi.

Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë familjarët.

“Sot në mëngjes, baba ynë Adem Gashi ndërroi jetë. Varrimi i Ademit bëhet sot (e Martë) në ora 15:00 në fshatin Nekoc\ Drenas.”, shkruan djali i tij Dardan Gashi.

Në vitin 2022 Çmimi Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” i cili ndahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ju dha Adem Gashit.

Ndërsa në vitin 2018, Adem Gashi ishte fitues i vendit të dytë në konkursin e poezisë “KultStrofa” të organizuar nga KultPlus. / KultPlus.com

Vargje nga 15 poetë jehuan mbrëmë në Festivalin e Poezisë “Republika” për nder të 15-të vjetorit të Pavarësisë

Në nderim të pesëmbëdhjetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, dje u mbajt Festivali i Poezisë “Republika”, i cili bëri bashkë 15 poetë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Zvicra, Maroku dhe ShBA. Në këtë edicion të pestë me radhë, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës frymuan vargje, zëra, tinguj e kërcime, të cilat u jetësuan në gjuhë të ndryshme, shkruan KultPlus.

Me pjesëmarrjen e poetëve si Curtis Bauer nga SHBA, Anna Hoffmann nga Gjermania, Dalila Hiaoui nga Maroku, Luccila Trapazzo nga Zvicra, Adem Gashi, Primo Shllaku nga Shqipëria, Nerimane Kamberi, Timo Flloko nga Shqipëria, Vlora Konushevci, Ahmet Selmani nga Maqedonia e Veriut, Blerina Rogova Gaxha, Halil Matoshi, Emin Z. Emini, Ndue Ukaj dhe Xhevat Latifi, “Republika” hyri në secilin shpirt të pranishëm.

Ky edicion ka sjell pranë vetes edhe gërshetimin e poezisë me interpretimin e aktores Melihate Qena dhe Avni Dalipit, të cilët dhuruan emocione të jashtëzakonshme që u përcollën nën tingujt e instrumentistit Astrit Stafai. Në anën tjetër, mbrëmja gjeti nisjen fillimisht nga kënga e Vlora Ademit nën interpretimin e Qenës, dhe pjesëmarrjen e balerinës Altina Basha me një kërcim tejet të veçantë nën koreografinë e Robert Nuhës, që i dha hijeshi unike këtij edicioni.

Me fillim nga ora 19:00, BKK u shndërrua në shtëpinë e dytë të poetëve e jo vetëm. Ishin fotografitë abstrakte nga fotografi Fahredin Spahija, ato që këndshëm në prapavijë zunë vend. Gjithsej 45 fotografitë nëpërmjet ekspozitës virtuale së quajtur “odin 45”, e bënë atmosferën akoma më të ngrohtë.

Organizatorja, Vlora Ademi fillimisht falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre, duke ia lënë hapësirën poezisë që të jehojë.

“Faleminderit shumë që keni ardhur dhe po e nderoni edicionin e pestë të Republikës. Sonte si zakonisht, vetë Republika do të flasë nëpërmjet poezisë, andaj unë po ia jap fjalën poezisë. Uroj që ta shijoni këtë mbrëmje”, tha Ademi.

Ndërkaq, moderatorja Fitore Rexhepi në nderim të figurës së njohur Edi Shkuriu, tregoi se do të interpretohet poezia “Në qiell”, në shenjë respekti.

“Këtë vit e kemi humbur një figurë të rëndësishme të kulturës, Edi Shukriun e cila jo vetëm që ka dhënë kontributin e saj në fushën e arkeologjisë por ajo ka kontribuar shumë edhe në çështje kombëtare, andaj në shenjë respekti dhe nderimi për të, ju ftoj ta dëgjojmë poezinë e saj “Në qiell”, nën interpretimin e aktores Melihate Qena.”

Tutje, poezitë si: “Putini gri”, “Dita e parë dhe e fundit” nga Adem Gashi, “Shën Valentini”, “Fleta e bardhë” nga Primo Shllaku, “Duhet kërkuar dashurinë”, “Ne vajzat, bijat, motrat” nga Nerimane Kamberi, ““Nekrologji”, “Lutja e mbrëmjes” nga Curtis Bauer, “Shën Valentini”, “Kushtetuta” nga Dalila Hiaoui, “Xhelozi e detit”, “Rob i manive” nga Timo Flloko, “Amulli”, “Veprimtare e pabesë” nga Vlora Konushevci, , “Rrno vetëm për me tregue (Pëshpëritja e At Zef Pllumit) nga Ahmet Selmani, “Bota rrotullohet”, “Kasandra në shërbimin tuaj” nga Anna Hoffmann, “Gruaja e dëshmorit”, “Ende harku” nga Emin Z. Emini, “Rekuiem 20/22”, “Në rrethin e hënës” nga Luccila Trapazzo, “Ikja e kalorësit të fundit”, “Pikë tamël në sy” nga Xhevat Latifi, “Listë personale” nga Blerina Rogova Gaxha, “Biletat”, “Ne jemi duke u dënuar për mëkatet tona” nga Ndue Ukaj, “Njeriu mes mjegulle” nga Halil Matoshi, rrumbullakuan këtë natë përgjatë dy orëve, me ç’rast u dëshmua se poezia është e pakrahasueshme në artin e saj, andaj jo rastësisht cilësohet si “mbretëresha e arteve”.

Edicioni i pestë i Festivalit të Poezisë “Republika”, këtë vit u mbështet nga Komuna e Prishtinës dhe Instituti Goethe në Prishtinë. Ndërsa sponsor medial është gazeta online për art dhe kulturë, KultPlus.

Fotografitë: Ferdi Limani/ KultPlus.com

Lëkura e trashë e Kosovës

Poezi nga Adem Gashi

Je bërë lëkurëtrashë Kosovë
si lëkurë derri.

Dikur e kishe të hollë mazë qepe –
siç thoshim ne
ose si pëlhurë tyli, siç thoshin të tjerët.

Himenin e ndjeshmërisë kaherë e ke tretur
a ta morën, ta shitën
në lojën e stisur me sherre.

Tashti më kot të therin, të shpojnë
me hostenë, gjilpëra, shkopinj
besa edhe me shkopinj bejsbolli.

Ma jep dhe mua të parriturit të voglit
një çast kënaqësi loje
si sot
e të harroj se zgjatanët me shtat shtogu
nganjëherë di t’i lësh pa gjumë
edhe me lëkurën prej bualli të shogur! / KultPlus.com

Lirika me kominoshe

Adem Gashi

LIRIKA ME KOMINOSHE

ju thoni çfarë të doni
po komunizmi qe uzinë me skeptër
për prodhimin e figurave poetike
dhe tropeve

edhe sot më ngjeth mishtë ai “tigër prej letre”
metafora
dhe sidomos menyja me “rrënjë e bar”
dhe “zjarr e hekur”

çfarë të doni flisni sot
për skena komike e groteske
po tragjedinë e “tharjes së njeriut”
dhe “shtrydhjen e limonit”
nuk e bëni dot
as me butaforinë e teatrove moderne

ah, e harrova “lirikën me kominoshe”. /KultPlus.com

‘Ngjan si e stisur, po unë qeshë i tëri aromash e tingujsh e shpirtrash dehur’

Shkruan: Adem Gashi

Më zuri nata midis shavarësh e shelgjesh
bregut të lumit
(Sa ngjan me një stisje romantike!)
dhe Hëna qe e palindur a e fshehur,
dhe pa një zog çerdhet,
dhe… mbretëria e pagjumit.

Ju thashë si e stisur ngjan,
po Ajo qe me mua
në trajtën e pranisë së mungesës
si një cigane shpërthyese a lule Shëngjergji….dhe yjet qenë fshehur.

Ngjan si e stisur, po unë qeshë i tëri
aromash e tingujsh e shpirtrash dehur. /KultPlus.com

Adem Gashi: As në skaje të imagjinatës nuk më përftonte ideja se një ditë do të isha laureat i çmimit “Azem Shkreli”

Shkruan: Adem Gashi

Fjala ime me rastin e pranimit të Çmimit kombëtar letrar “Azem Shkreli”

I respektuari, Z. Ministër Çeku,

Të çmuar anëtarë të Jurisë,

Të nderuar të pranishëm,

E dashur Grua,

Jam hamendur shumë nëse duhej të flisja sot, prirë nga bindja se kur njeriu vlerësohet me çmimin më të lartë të karrierës letrare, pikërisht për mjeshtërinë e fjalëve, ç’u dashka të thotë tjetër?

E megjithatë, Z. Ministër, ja që paska diçka që ju me fjalorin e administratës e quani protokoll dhe ne shkrimtarët, me fjalësin poetik i themi ritual dhe unë e respektoj.

Kam tri gjëra që nuk dua t’i mbaj ujem.

E para: Pikërisht në këtë ministri, në legjislaturën e parë pas lufte, kam qenë këshilltar i parë politik. Atëbotë kam hedhur dy projekt-ide që erdhën dhe u bënë program: Çmimin nacional për karrierë letrare dhe subvencionimin e dorëshkrimeve të autorëve. Programe që gjëllijnë edhe sot, veçse të zgjeruara e të begatuar në formë e përmbajte. Sigurisht që atëherë as në skaje të imagjinatës nuk më përftonte ideja se një ditë do të isha edhe unë laureat.

E dyta: I përkas gjeneratës së demonstratave të gjashtëdhjetetetës. Formimi im letrar i detyrohet shkollës letrare të Normales së Prishtinës që ishte bija gjenetike e Normales famëmadhe të Elbasanit, me drejtorin e parë Luigj Gurakuqin. Aty gjeta grupin letrar “Migjeni” që drejtohej nga Rushit Ramabaja. Një vit më vonë e mori kryesimin, tashti i ndjeri, Arif Demolli. Pastaj, për tri vjet, e drejtova unë (sigurisht duket të kem qenë më karrierist se dy të parët)! Po përse i zura ngoje këta emra dhe këto fakte? Që t’jua kujtoj se kjo shkollë letrare, si asnjë tjetër, dha tre laureatë të çmimit “Azem Shkreli”.

E treta: Ka vite që më ka bezdisur formulimi “Juri profesionale”. Ç’është kjo juria profesionale? Lexoja sesi çdo manifestim a konkurs letrar shkolle, mëhalle a qyteti bënte “juri profesionale”. Kur shihja përbërjen më dilet një arsimtar BAT-i, një tjetër i lëndës së Amvisërisë a ku di unë. Ata edhe mund të ishin shumë të mirë për lëndët e tyre, po nuk gjeje një pikëtakim me letërsinë.

Ju, Z. Ministër më bëtë të bëj një vetëqortim. Dëshmuat se kur do dhe di njeriu edhe mund të bëjë një juri me përgjegjësi, dije dhe kulturë profesionale. Dhe prova u dha. Pothuajse të gjitha vendimet u morën më vota unanime dhe, për herë të parë, nuk pati “ndarje” çmimesh, por “dhënie” çmimesh. Një çmim letrar mund të ndahet vetëm në një rrethanë, kur ka në konkurrencë një libër me bashkautorësi.

Tashti dikush mund të më pyes: do të thosha kështu për këtë juri edhe po të mos ma jepte çmimin? Ju them me sinqeritet, një vendim i tillë nuk do të më pëlqente hiç, po bindjen për kalibrin e saj nuk do ta kontestoja në asnjë rrethanë.

Tashti dua t’ju kujtoj diçka historiku letrar. Kur shkrimtarit gjerman Heinrich Bell i dhanë kumtin për çmimin Nobel ai bëri një pyetje habitore: Vetë mua, jo edhe Gynter Grasit? Vite më vonë kur Grasi e mori këtë çmim, po me habitore pyeti: Vetëm unë, jo edhe Krista Volf?

Nga ç’kam marrë vesh në listën për çmim karriere ishin edhe dy miq të mi të letrave: Zejnullah Rrahmani dhe Anton Nikë Berisha. Është bindja ime personale, të dy, po ashtu, meritorë për këtë çmim.

U mërzitët?

Po e mbyll këtë fjalë me një refleks komik: Doni më për Belulin?

Ju faleminderit!

28.02.2022 / KultPlus.com

Promovohet ‘’Linga e heshtjes’’ nga Bujar Salihu, Emini: Libri do të lexohet si cingarja e cila thyen heshtjen dhe thërret për bashkëbisedim

Era Berisha

Përurimi i librit ‘’Linga e heshtjes’’ nga autori Bujar Salihu sot solli diskutimin mbi po këtë libër nga Adem Gashi, Emin Emini, Flamur Maloku dhe Berat Dakaj nga Shtëpia Botuese ‘Armagedoni’, ku u shpalosën vlerësimet, paragjykimet dhe analizat e ndryshme të cilat ishin futur thellë brenda përmbledhjeve të poezive në këtë libër, shkruan KultPlus.

Amfiteatri i madh i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës sot ka mbledhur rreth vetes familjarë dhe shkrimtar të ndryshëm, me rastin e përurimit të librit ‘Linga e heshtjes’ nga autori Bujar Salihu. Ky libër ngërthen në vete një përmbledhje poezish, ku disa nga to edhe u interpretuan nga Alketa Gashi-Fazliu, duke futur publikun në një gjendje herë komike e herë të qetë e të thelluar në figurat stilistike të plasaritura brenda poezive.

Fillimisht, pasi që u bë e ditur se pjesëmarrësit do të kenë rastin të marrin një kopje falas të librit, fjalimin e parë e nisi vetë botuesi i këtij librit, Berat Dakaj i cili është shprehur rreth ndikimit të mediave në aspektin e kulturës.

“Mediat kanë varrosur kulturën por e kanë varrosur me kokën poshtë. Kur koha kthehet mbarë, ky aktiviteti i këtij lloji dhe të tjerat, dashamirët e kulturës përmbysin poetikën dhe ndjekin pas kulturën”, thotë Dakaj.

Radhën e morri Adem Gashi, i cili shpalosi sprovën e leximit të tij që është mbështetur në tre kritika.

“Kjo sprovë leximi është mbështetur në tre paragjykime. Bindja ime, konstatimet dhe shijet e mia janë të shpalosura në këtë sprovë të leximit, pa përjashtuar elemente vlerësimi dhe analizës”, thotë Gashi.

Sipas tij, duke pasur parasysh zhvillimin e hovshëm të poezisë, përtacia e leximit ishte prezente por praktika e tij për të hapur pa menduar librin në një fletë, i dha atij faqen 85, ku ai gjeti poezinë e titulluar ‘Buka’ dhe me aq ai nisi leximin dhe rileximin e tij.

“Lirika e Bujarit vjen mes atyre më të mirave në të gjitha regjistrat që trajtojnë poezinë sot. Poezia e tij është  thjesht poezi e bukur, një lirikë e pastër me kulturë gjuhësore, shtresime dijesh autoriale, vlerë të ritmit poetik, me denduri figurash stilistike ku dominon metafora, oksimoroni dhe ironia”, përfundon Gashi.

Kurse, profesori universitar, Emin Emini për të folur rreth analizës së tij të titulluar ‘Linga e komunikimit’.

“Në organikën e objektit estetik të librit identifikohen disa shtresa ligjërimore, figurative e ndjesore që shpërfaqen të bashkëlidhura në bërthamat përmbajtjesore poetike heterogjene. Skema e strukturës ndërtohet përmes funksionalizimit të numrit shtatë, e i cili është pikëtakimi arkitekturor i poezive të sistemuara në shtatë cikle poetike, ndërkaq bërthamat janë produkt i motivacionit krijues poetik”, thotë Emini.

Sipas tij, akti i vetëdijes subjektive, poetit i jep dorë që në ligjërimin poetik të përdor gjuhën e artit pamor. Pra, gjuhën e ngjyrës duke filluar nga e bardha e deri tek e zeza, të cilat në etikë janë sinonim i keqes dhe së mirës. Prandaj, Emini e konsideron këtë ecejake poetike të natyrshme përmes së cilës autori ndërton arketipa të imazheve.

“Nëpërmjet copëzimit dhe rivjëzimit temporal dhe hapësinor, autori ndërton formën e ekzistencës së qenies estetike dhe njëkohësisht me largimin nga ky diskurs, përfiton formësimin e strukturës transcendentale mendimore. Prandaj, ky libër do të lexohet si linga e komunikimit, si cingarja e cila thyen heshtjen dhe thërret për bashkëbisedim”, përfundon Emini.

Po ashtu, shkrimtari Flamur Maloku për publikun dha një analizë të tijën që bazohet tërësisht në gjuhën e autorit të librit.

“Letërsinë nuk e shoh si paragjykim por thjesht një kënaqësi. Poeti është një njeri i arsyeshëm i atij realiteti ku fjala dhemb më shumë se çdo forcë tjetër në gjuhën e tij. Me këtë frymë si arsye personale Bujari fillimisht e krijon një gjuhë për vete dhe pastaj e shpërndan atë përtej kufijve ku syri nuk mund ta shoh, si një rrugë shkretimi për të mundur errësirën e kohës që e krijon dhe sprovon brenda shpirtit të tij’’, thotë Maloku.

Sipas tij, Bujari e krijon një trajtë tjetër, një gërshetim personal dhe njerëzor nga perceptimi i dëshmuar poetik e formwson formën e dhembjes jetësore.

“Gjuha poetike e identifikon fuqishëm emocionin ku emocioni bëhet zë i fortë i një vetë njohje ku Bujari e krijon një gjeografi të heshtjes sepse metafora nuk është vetëm një figurë stili, por është frymë e akt pafundësie”, përfundon Maloku.

Kështu krejt në fund, për një fjalë rasti, autori i librit, Bujar Salihu falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre.

‘’Jam shumë mirënjohës dhe i nderuar për prezencën e juaj sot këtu. Dua që ti falënderoj të gjithëve që keni ndarë kohën që të jeni me mua në këtë përurim të përmbledhjes time poetike”, thotë Salihu.

Ndërsa, përveç interpretimit të poezive, Alketa Gashi-Fazliu, për fund lexoi edhe pasthënien e këtij libri.

“Ky mund të mos jetë libri i pritjeve të mia e as i shijes tënde. Mund të mos jetë bindje e teorive, kornizave, projeksioneve të hijezuara, fabulës, dritës, makthit e meditimit. Tani, më në fund pas gati 20 vitesh, duket se është shkruar libri që nuk është shkruar”, lexoi ajo.

Përurimi është organizuar duke respektuar masat kundër Covid-19 me një numër të limituar të pjesëmarrësve. / KultPlus.com

Promovohet librit ‘Linga e heshtjes’ nga autori Bujar Salihu

Përurimi i librit ‘’Linga e heshtjes’’ nga autori Bujar Salihu të premten sjell diskutimin mbi po këtë libër nga Adem Gashi, Emin Emini, Berat Dakaj nga Shtëpia Botuese ‘Armagedoni’ dhe Flamur Maloku, shkruan KultPlus.

Pas këtij diskutimi, po ashtu do të interpretohen edhe disa nga poezitë e këtij libri nga Alketa Gashi Fazliu. Është bërë e ditur se pjesëmarrësit do të kenë rastin të marrin një kopje falas të librit ‘’Linga e heshtjes’.

Përurimi do të organizohet duke respektuar masat kundër Covid-19 me një numër të limituar të pjesëmarrësve dhe do të mbahet të premten në amfiteatrin e madh të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, duke filluar nga ora 12:00. / KultPlus.com

Drita Ademi promovon ‘Vesë mbi dhimbje’ dhe ‘Andrra e gjethe’, Gashi: Vargjet e saj na bënë ta duam edhe vdekjen

‘Vesë mbi dhimbje’ dhe ‘Andrra e gjethe’ të autores Drita Beqiri, u promovuan sot në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar. Dy vëllime këto poetike që brenda vetes ngërthejnë një lirikë të jashtëzakonshme. Rrugëtimi si një mërgimtare, nuk e zbehi dëshiren e madhe për të krijuar art, një dashuri kjo e derdhur në faqet boshe, për ta mbushur përmes fjalëve të cilat depërtojnë brenda shpirtit njerëzor të lexuesit, shkruan KultPlus.

Paraqitja e saj zhvillohet në dy plane, për librin dhe poezinë. Në mënyrë krejtësisht të parëndomtë, libri ka dy linja paralele, më një përmbajtje poetike, ku gjithsej përmban 101 poezi të botuara, të ndara në: 49 poezi të shkruara në dialektin gegë dhe 52 poezi në standard.

Bibliografia e Dritës, e njohur për referuesin dhe kritikun letrar, Adem Gashi, nisi qysh nga rrjetet sociale, nëpërmjet së cilave, ai njohi poezitë e saj, që i shoqëroi me komente. Kritika e tij, gjatë promovimit, gjithmonë duke përfshirë dijen e tij dhe mbresat e tij për veprat, iu drejtua drejt termit ‘Diasporë’, ku sipas tij, thjesht flitet për botën e mërgimit, teksa ai nuk brengoset fare se me çfarë konstatime njihet ai, qofshin ato të emërtuara si një konstatim i guximshëm, apo konstatim i çmendur.

‘Filozofia e poezisë së Dritës mbështjellet në kursimin e tekstit, ku është e vështirë të gjendet ndonjë fjalë e tepërt, së bashku me përmbajtjen antologjike, ku shfaqen rreth 10 apo 11 të tilla. Poezia e cila u veçua ishte ajo me shkrimtarin e shquar, Azem Shkreli,’ poezi kjo e titulluar, ’Dialog’. Figurat kryesore që mbizotërojnë në poezi janë, oksimoroni dhe kontrasti, dukë i dhënë një bukuri unike, vargjeve të poeteshes. Ndërsa në poezinë me titull, ‘A e njihni nanën time’, shfaqet konstatimi goditës “Ajo ëshë vrasëse”, nëpërmjët së cilës publiku stepet, ngrihet e akullohet për një çast’, thekson Gashi.

“Vargjet e tua na bënë ta duam edhe vdekjen”, përfundon Gashi.

Ndërkohë, poeti i njohur Imer Topanica, i cili poezinë e Dritës e fut në një spektër me përmbajtje misterioze dhe enigmatike, ku lexuesin e fusin në një kureshtje të habitshme, e ndoshta edhe frustruese.

“Kjo haset edhe tek figura stilistike, siç është ajo e metaforës, të cilën e shohim edhe në titullin ‘Vesë mbi dhimbje’. Temperamenti poetik dhe prodhimet shpirtërore diversive, shfaqen në dy poezitë e para  dhe ‘Më vjen keq’, ku përmes tyre ofrohet ngrohtësia stilistike dhe gjuha e thjeshtë e autores”, theksoi tutje Topanica.

“Një liber i vlefshëm, një libër me poezi të rënda”, përfundon Topanica.

“Gazeta Mapo për 200 muaj ka botuar 200 poetë shqiptar, secilin vetëm nga një herë, me përjashtim të poetes, Drita Ademi”, tregon Mark Simoni, kryredaktori i kësaj gazete, i cili aspak nuk pendohet nga ky vendim i marrë. Ai veçon hijeshinë, feminitetin, sharmin dhe bukurinë e saj, nga të cilat duhet të nderohen shumë gazeta e tribuna nga më të ndryshmet.

“Nuk është e rastësishme gjuha, letërsia poetike e Drita Ademit, duhet studiuar jo vetëm si krijimtari dhe fantazi, por mbi të gjitha si gjuhë artistike, procesion artistik, fenomen sociolinguistik, por edhe si gjuhë ndjenjash”, përfundon Simoni

E i gjithë ky promovim nuk do të konsiderohej i tillë nëse nuk do të ishin interpretuar vargjet e Dritës nga aktori i njohur Armend Baloku, i cili rrënthqethi publikun e pranishëm tek sytë e të cilëve lexohej kënqësia e madhe për artin e të shkruarit.

Përkundër shumë autorëve, të cilët hasin sfida gjatë periudhës së krijimit, Drita shpjegon se krijimet e saj nuk ishin aspak të vështira për tu shkruar, poezia veçse ishte e pranishme në brendësinë e saj. Frymëzimi i saj, qoftë për shkrimin, letërsinë e artin në pergjithësi, është vetë njeriu me emocionet, mendimet, ndjenjat e grumbulluara, e të larmishmë por herë tjera ato papritmas mund të kthehen vetëm në ‘bardh e zi’.

Frymëzim tjetër për shkrimtaren ishte edhe jeta për të cilen nuk mund të jepet një definicion apo konkluzion i specifikuar, për arsyje se ajo del jashtë çdo lloji të limituar të kornizës. Kurse, puna e saj në fushën e mjekësise, u shpalos si një kontrast i cuditshëm, për publikun por jo dhe për artisten në fjalë. Kur në temë futet edhe familja, Drita shpalos se e gjithë familja e saj ishte mbeshtetja më e madhe për të.

Për sa i përket poezive, dhe personifikimit të tyre, ato nuk janë aspak personale por në fakt janë frymëzim i jashtëm, poezi të shkruara që lexuesi të gjejë veten brenda tyre, të përhumbet në rreshta e që së bashku me autoren, të ndjenjë. Kur bëhet fjalë për sekrete, qofshin ato gjigande apo nga to të vogla fare por të ëmbla, siç është edhe kjo e autores, “Më pëlqen qetësia, zgjohem heret në mengjes, për të krijuar art. Askush nuk e di që në atë kohë, shkruaj”, shprehet Drita për KultPlus.

“Duhet pak guxim, mirëpo në qoftë se lind poet, je poet, atëherë duhet të marrësh guximin për tu shprehur. Për të shprehur botën e brendshme, atë uniken prej secilit nga ne. Guxo”, përfundon poetja për KultPlus.

E në mes të një publiku të afërt me autoren nuk munguan falënderimet, urimet e buçetat me lule, por në pamundësi të përqafimeve, nga ato të zjarrtat të cilat vështirë të këputesh duartrokitjet e fjalët e përzemërta u bënë kryevepra e skenës së vogël të Teatrit Kombëtar.   

Pas promovimit, të pranishmit patën munësi të shtojnë në librarinë e tyre shtëpiake, veprat e Drita Ademit, poeteshes së njohur ku përmes fjalëve të saj, vizëllojnë rrezet e diellit të cilat ngrohin zemrën e lexuesit. / KultPlus.com

Dita e Kushtetutës së Kosovës

Adem Gashi

e martë është sot nëntë prill
herë tjetër mund të jetë ditë tjetër
sot bie shi
herë tjetër mund të ketë dhe diell

në një sfond pëlhure të kaltër
gjashtë yje të bardhë 
që mund të shtohen ndërkohë e ngaherë
dhe në mes një blanë e verdhë
që mund të vizatohet ndryshe nesër

është një ditë kjo me një dokument në letër
po shkelësit…

ah, kjo është punë tjetër. / KultPlus.com

Adem Gashi në mesin e finalistëve në konkursin e poezisë ‘KultStrofa’

Juria profesionale e edicionit të dytë të konkursit të poezisë “KultStrofa”, të organizuar nga KultPlus, nga 150 poezitë sa kanë konkurruar për këtë edicion, tashmë ka përzgjedhë edhe dhjetë finalistët e këtij edicioni.

Në mesin e dhjetë finalistëve është edhe Adem Gashi i cili në këtë konkurs ka konkurruar me poezinë “U dogj ky film”. Adem Gashi është finalisti i fundit i edicionit të dytë të “KultStrofa”, kurse KultPlus nesër do të bëjë publike edhe përbërjen e jurisë profesionale të këtij edicioni.
Sponsor gjeneral i këtij edicioni është ProCreditBank. Kurse tre çmimet e para nga dhjetë finalistët do të kumtohen në orën letrare që do të organizohet së shpejti nga KultPlus. / KultPlus.com