Prishtina nuk ka kohë për shtatore të Adem Jasharit

Heroi kombëtar Zahir Pajaziti, Gjergj Kastrioti Skënderbeu e ish-presidenti Ibrahim Rugovës, janë figurat historike për të cilët ka shtatore në qendër të Prishtinës.

Shumë liderë institucionalë e qytetarë, sa herë shënohet 28 Nëntori, bëjnë homazhe në veçanti pranë shtatores së Zahir Pajazitit.

Por, atyre që duan ta nderojnë edhe figurën e heroit Adem Jashari, iu duhet të vizitojnë Prekazin apo Skënderajn, pasi kryeqytetit i mungon shtatorja e tij, shkruan Koha.

Prishtina ka një shesh me emrin e heroit, derisa një fotografi e tij e vendosur për një ndeshje sportive vite më parë, ka mbetur në Pallatin e Rinisë, por që nuk ka ndonjë lidhje me të.

Organizatat e dala nga lufta ka kohë që kanë kërkuar që edhe Prishtina të ketë shtatoren e Adem Jasharit.

Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Migjen Shala, thotë se kryeqyteti është dashur qysh moti ta nderojë veprën e Jasharit. Shala tregon se një kërkesë e tillë ka kohë që u është drejtuar organeve komunale.

Sipas tij, nuk ka rëndësi lokacioni. Komuna e Prishtinës, në anën tjetër, nuk ka dhënë ndonjë afat kohor se kur kryeqytetit do t’i shtohet edhe shtatorja e Adem Jasharit. Tahiri nuk ka dhënë detaje nëse shtatorja e Jasharit do të mund të vendosej në sheshin që mban emrin e tij. Aty për momentin është përmendorja e Vllaznim-Bashkimit, për të cilën Shpend Ahmeti kishte kërkuar referendum.

E familja Jashari nuk ka dashur të flasë për këtë çështje. Bekim Jashari ka thënë se përgjegjësia dhe vendimmarrja për këtë u mbetet udhëheqësve të Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com

Sot në Lipjan përurohet shtatorja e Adem Jasharit

Shtatorja e komandantit legjendar Adem Jashari do të përurohet sot në Lipjan.

Me këtë rast do të përurohet edhe Sheshi “Adem Jashari”.

Po ashtu do të ketë edhe një program festiv në shënimin e Ditës së Flamurit – 28 Nëntorin, daljen në skenë të UÇK-së dhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari./ KultPlus.com

28 nëntor, ditëlindja e Adem Jasharit

Komandanti Adem Jashari sot po të ishte gjallë do t’i bënte 62 vjet.

Ai ka lindur më 28 nëntor të vitit 1955 në Prekaz të Skenderajt. Ishte djali i tretë i Shabanit dhe Zahide Jasharit. Ka mbaruar shkollën e mesme teknike në Skenderaj.

Pas shuarjes së të gjitha institucioneve të Kosovës më 1990, ideja për t’u organizuar në aspektin ushtarak merr një dimension të ri, nga LPK-ja, e cila ende nuk vepronte krejtësisht publikisht. Me 3 nëntor të vitit 1991, në Shqipëri shkoi një grup veprimtarësh për t’i kryer ushtrimet e duhura ushtarake dhe për t’u stërvitur për luftën e armatosur.

Shërbimet sekrete serbe i bien në gjurmë formacionit të armatosur dhe policia serbe ia mësyn rrethimit dhe kapjes së tij. Më 30 dhjetor 1991 ekspedita policore – ushtarake serbe ndërmori aksion për zënien e grupit.

Pas kësaj përleshjeje me forcat e policisë serbe, tërë grupi i Adem Jasharit kalon në ilegalitet, deri në fillimet e luftës çlirimtare në Kosovë.

Intensifikimi i aksioneve të armatosura të UÇK-së fillon me sulmin e shtatorit 1997 në 12 stacionet policore.

Nga aksionet e armatosura kundër forcave policore që kryente UÇK-ja, pas shtimit të dhunës sistematike të forcave serbe nëpër Kosovë, kalohet në një fazë tjetër, të ndeshjes së drejtpërdrejtë me forcat serbe, pra në beteja, në fundin e nëntorit 1997, kur në Rezallë të Re luftohet me forcat e shumta të policisë serbe.

Në këtë betejë i ndërpritet rruga kolonës së armatosur rëndë të forcave serbe, që kishin mësyrë një sulm në fshatin Vojnik, ku një ditë më parë, patrullat e maskuara të policisë serbe ishin gjuajtur me armë zjarri nga njëri prej luftëtarëve të hershëm të UÇK-së, Abedin Rexha – Sandokani. Në këtë betejë printe Adem Jashari dhe luftëtarë të tjerë si Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Ilaz Kodra, Ilaz Dërguti etj. Kjo është beteja e parë dhe fitorja e njësitit të UÇK-së. Kjo betejë bëri jehonë të madhe në opinionin publik.

Policia serbe kishte shënjuar që moti shtëpinë e Jasharëve. Më 5 mars 1998, që në orët e hershme, forca të mëdha të policisë serbe kishin mësyrë Prekazin. Një pikë zjarri, e stacionuar që herët në lokacionin e fabrikës së municionit, që ishte në afërsi të shtëpisë së Jasharëve, ishte përforcuar me mjete të rënda artilerike.

Përforcimet e forcave serbe kishin ardhur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit. Sulmi mbi Jasharët nis rreth orës gjashtë të mëngjesit. Në shtëpi ndodheshin pothuajse tërë anëtarët e familjes. Sulmi mbi Jasharët dhe qëndresa heroike e tyre zgjatë tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998.

Kjo luftë heroike, në historinë e re të Kosovës njihet me emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për figurën e Adem Jasharit kanë shfaqur mendime edhe personalitete të rëndësishme. Administratori i parë ndërkombëtar i Kosovës, Bernar Kushner ka deklaruar se po të kishte Çmim Nobel për sakrificë për liri, ai do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij.

Me vendim të ish presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Adem Jashari është nderuar me titullin Hero i Kosovës./ KultPlus.com

A i plotëson kriteret kjo shtatore e heroit Adem Jashari?

Ilir Muharremi

Shtatorja e komandantit legjendar Adem Jashari pritet të vendoset më 28 nëntor në Lipjan, e punuar nga artisti Durrsak Idriz Balani. Lartësia e shtatores është rreth 3m e 25 cm, do të peshojë pas derdhjes në bronz afërsisht 1 ton. Pritet që këto ditë kjo vepër monumentale në argjilë, të përgatitet për derdhje në bronz, në një nga fonderitë e specializuara për derdhjen e veprave të artit në Tiranë. Arsyeja pse u zgjodh kjo punë nga Belani është se boceti i tij u vlerësua më i mirë nga autoritetet e Lipjanit. Sa arriti skulptori të futej thellë në botën e heroit? A ngjanë realisht pamja e shtatores me pamjen reale të heroit? A i përket frymës socrealiste skulptura, apo ka diçka nga e sotmja? Nga koka e gjerë tek këpucët a i plotëson kriteret për një figurë madhështore siç qe Jashari? A ka kreativitet vepra? Ose pse gjithmonë heronjtë i paraqesim me pushkë dhe plumba? A mund të qëndroj heroi pa këto?
Skulptori Balani në të gjitha veprat e tij përdorë lëvizshmëri, dinamikë, elegancë… Por, kësaj radhe, figurën madhështore e projekton më mirë krahas atyre shtatorëve të shëmtuara që u bënë për heroin tonë. Nuk e dijë pse së paku fytyrën nga fotot që i kemi për heroin ta paraqisnin origjinal, por gjithmonë me deformime, Balani lirohet nga këto amatorizma, krijon një fytyrë të butë, engjëllore, të pastër, por paska si shumë ka lëmuar pjesën e ballit, hundës dhe mjekrës. Hundën e paraqet më të vogël krahas me hundën origjinale të heroit. Dihet që Ademi hundën e kishte më të gjerë në pjesën e poshtme. Po të ishte më e gjerë do ishte origjinal fytyra e Jasharit. Shihet që ka bërë përpunim të mirë të fytyrës, ka nxjerrë forma nga heqja e madhe e pjesëve. Nuk është vetëm ngjashmëri e fytyrës me heroin, por e veçohet ana estetike, e lëmon aq shumë, me qëllim depërtimit të dritës mbi fytyrë. Ka një ekuilibër harmonikë fytyra. Nuk përqendrohet te mjekra, gjatësia, por te ana e muskujve, lëkura, dhe artisti që nxjerr mirë muskujt me saktësi, ka arritur ta sfidoj skulpturën. Pjesën e flokëve e paraqet më të shkurtra, kur dihet në çdo fotografi Ademi i kishte më të gjata.

Nga ana vizuale, dora e djathtë duket pak më e zgjatur se e majta, ndonëse plumbat peshojnë, dhe pjesën e sipërme të krahut e jap si më të vogël, më të ngushtë. Është përthyerje e madhe e dorës dhe krahut të djathtë. Gishtërinjtë janë pak më të mëdhenj sesa ata që duhet të jenë me përmasa të sakta natyrale krahas me madhësinë trupore. Mëngët te duart duhet paksa të zmadhohen në raport me shuplakën e dorës.
Gjoksi është mirë i punuar, kurse kostumi në raport me muskulin, është më i vakët, kjo e qëllimshme sepse Balani sforcon pjesën anatomike muskulore. Është pak i ngarkuar me armë, sidomos në kohën në të cilën jetojmë.

Madhështia e skulpturës nuk qëndron te armët, kjo pak na vret syrin, por te fytyra, karakteri, veshja, lëvizja trupore, e në këtë rast, shtatorja përmes fytyrës shprehë paqe, kurse përmes qëndrimit etje për luftë. Qëndrimi dhe fytyra janë të kundërta njëra me tjetrën.

Pjesa e pantallonave i ka vetëm dy thyerje në pjesën e djathtë të këmbës nga lartë dhe te pjesa e këpucës poshtë. Pantallonat janë shumë të lëmueshme, të drejta të jep përshtypjen e materialit të kadifes ngjajnë edhe si tuta. Pantallonat është dashur të jenë më me lakime, më të vrazhda sepse është një ushtarak. Skulptura duhet ta ketë një stil të punës nga fytyra e deri te këpuca. Duhet të respektohet liria e artistit, veçanërisht tek stili i tij. Këpucët duken sikur të njëjta, por ndoshta kjo vetëm vizualisht mashtron, nëse vendoset mbi bazament, mund të peshoj më mirë. Pushka nuk është theksuar mjaftë krahas me elementët tjera nuk arrihet saktë forma e shprehjes së saj.

E bukura e skulpturës është se heroi duket shtatdrejtë, ashtu siç ishte vërtetë. Ka përmbajtje të fortë, ka ritëm, dhe nga sytë e tij del shpirti origjinal i Ademit. Trajtimi është shumë realist, i saktë në tërësi, e riprodhuar më imazh tejet të fuqishëm, dinamikë, dhe çdo aksentë është mirë i përpunuar, gjithmonë them në tërësi, përjashtuar detajet e vogla që u theksuan më sipër.

Pse gjithmonë heronjtë të ngarkuar me pushkë dhe plumba? Kjo shtatore ka imazh tipik socrealist dhe arti s’mund t’i takojë të gjitha kohërave, përcaktohet nga koha e tij, gjithmonë shprehë vlerat më të privilegjuara qofshin heronj apo ndonjë klasë dominuese. Skulptura e sotme, është konceptuale, zbukurim i hapësirës dhe shfrytëzuese në raport me hapësirën. Duhet pra ta krijojmë të bukurën absolute brenda vendit dhe kohës në të cilën jetojmë. Jo të jetë bukuri kalimtare siç e krijoji Rafaeli, kjo ndonëse qe e pakuptueshme për njeriun e ri. Ademi për njerëzit e ri duhet të jetë i kuptueshëm dhe skulptori Balani kishte dashur t’ja vë në kokë plisin. Ky veprim i tij u mohua, por do ishte më e arsyeshme vendosja e plisit kur bëhet fjalë pas njëqind vjetësh, dhe identifikimi i tij mund të keqkuptohet nga njerëzit në rajon e më gjerë. Plisi do ruante të vërtetën mbi kokën e Ademit. Nëse heronjtë do i lirojmë nga pushka dhe plumbat, mund ta deformojmë biografinë e tyre. Skulptura ndërtohet mbas biografisë së personazhit. Veçanërisht shtatoret në vendet publike, por edhe skulpturat e parkut.

A duhet të lirohemi nga shabllonet e paraqitjeve të heronjve? Në planin estetik, po, në planin historik jo. Duhet të harmonizohen të dyja këto, me kujdes dhe ruajtje të madhe ndaj patetikës. Qëllimi i çdo skulpture të sotme nuk është më të imitojë saktë njeriun, por ta stilizoj pa e deformuar, të mbajë ngushtë shprehjet e tij që janë domethënëse (ana ushtarake), të bëjë vërtitje të shumta të qëndrimeve, të ngrihet mbi frontin e krejt qyteteve, të zhurmojë me perfeksionin anatomik gjithmonë stilist.
Andaj, lirisht mund të them se kjo shtatore krahas me ato që u punuan për heroin Adem Jashari është më e kompletuara njëherësh dhe shpresoj ta meritoj vendin e duhur. / KultPlus.com