Ekspozita “PA LIMIT” me shtrirje filozofike brenda një gjeografie të caktuar

Naser Shatrolli

“PA LIMIT” Ekspozitë Galeria e Fakultetit të Arteve të Kosovës 17. maj, 2022, Prishtinë

Ekspozitë artistike, instalacion konceptual, e kuruar nga Ismet Jonuzi, skulptor dhe pedagog në Fakultetin e Arteve të Kosovës, me pjesëmarrjen e Adem Rusinovcit – skulptor dhe pedagog, të Mehmet Behlulit, piktor dhe pedagog dhe të Driton Selmanit, piktor!

Paraqitja artistike nga pikëpëmja estetike ishte brenda logjikës së teatrit performativ – Ideja ishte sendërtuar mbi rekuizita reale që nxirrej në qendrën e mediumit skenik bota irreale në relacion me tematikën, e trajtuar nëpërmes figurës, si metafor dhe simbol i një teatri absurd.

Ekspozita kishte shtrirje filozofike brenda një gjeografie të caktuar, ndërsa ndriçimi filmik ishte zgjedhje adekuate për formatin.

Artistët duke përdorur imagjinatën e tyre riprodhonin përfytyrime – relikte kujtese mbi të kaluarën tonë të hidhur, që risemantoheshin figurshëm me disa objekte të caktuara, të cilat, për rrethana të reja, evokonin emocione në relacion me monedhat evropiane që ndërlidheshin me baterinë e ekzistencës sonë dhe me tabelën e fatumit shekullor që ka qenë dhe mbetet sinonim i fjalës ”kismet” – madje ky sllogan ngelet sinonim shekullor.

Armët, lulet e vyshkura, karriget e kalbura, bunari i mbuluar me gjethet e monedhës evropiane, kova e kuqe e kthyer mbrapsht, tabela e rrëzuar, janë rekuizita, me të cilat loznin bukur kreatorët e shfaqjes pamore – formë artistike e trasuar mes sikurit të dokumentarit si fenomen dhe sikurit të shprehjes si formë artistike!

Adem Rusinovci -Pedagog – Skulptor

Adem Rusinovci, kishte zgjedhur bunarin dhe monedhat evropiane që e lidhin trungun evropian me bunarin e një forme të re aplikative. Gjetja e Rusinovcit ishte qe atraksion estetiko-filozofik, e cila, në vetvete trumpetonte ngushtimin e universit të manovrimit të mendjes së njeriut.

Nëpërmes këtij modeli shprehës, Rusinovci piketonte në thelbin e problemit dhe në adresën e synimeve të njeriut bashkëkohor: Por cili është synimi i popujve me bunare të shterruara – kjo është pyetje më tepër retorike..!? Pra, konteksti ideor i kësaj drame artistike, e shprehur në frymën e formatit pamor – dikush e quan instalacion pamor, të tjerë i’a vënë një emër tjetër, ndërsa, për mendimin tim, kjo mënyrë e shfaqjes, ishte format i filmit pa zë – krijohej imazhi i celuloidit gjersa me qindra e mjëra monedha evropiane (1 euro) – punë dore, qëndronin në ajër, si formë e re e oxygenit të njeriut bashkëkohor, të cilat krijonin dinamika dhe tërheqnin zvarrë syrin e lakmisë gjersa fluturonin mbi kokat e publikut. Pra, ishte një formë artistike që dukej bukur qoftë nga aspekti estetik qoftë ideor. Në syzheun ideoestetik dhe në përcepcionin operativ, ecuria fabulare ishte në harmoni mes autorësh. Mjetet e tyre shprehëse qëndronin në relacion me temën. Lulet, armët, karriga, tabela orientuese, secila prej tyre, kundronte brenda pentagramit harkor-ideor, madje sintetizohej mirë dhe në kuptimin estetik. Monedha ka një shumësi dimensionale në zbërthimin e saj. Qëllimi i autorit është provokimi i intuitës publike. Monedhën fundja e zotëron universin e bunarit ndërsa kova e kuqe dhe dërrasa e bardhë, ngelen brend simbolik – ndaras prej të gjithave. Në vetevete, Rusinovci është krijues, mIshëron idetë e tij mirë dhe në vend të duhur i vendos, ndërsa detajet e bëjnë unike tërësinë e veprës. Bunari këtë rast ishte mirë i motivuar, fakti që përkonte dhe me diktaturën, me izolimin e mendimit, me etjet për dije, për shkencë, për art të mirëfilltë, për humanizmin, në të kundërtën e saj, kutia e bunarit, kishte perspektivën e një bunkeri – bunkerizim i mendimit të lirë, sikundër që, shtrihej dhe dimensioni i një varreze masive të luftës së fundit të ish Jugosllavisë, fakti që, janë gjetur një mori kufomash brenda tyre. Ka dhe dimensionin e pasurisë nëntokësore, për të cilën janë zhvilluar luftërat rajonale….!

Mehmet Behluli – Pedagog, Piktor!

Mehmet Behluli, kishte zgjedhur lulet dhe karriget e vjetra si mbetje të njollave të një epoke tjetër, aty këtu ndonjë copë a fletë libri, e kapur për karriges, që koincidonte ndjeshëm me fatumin e popujve të vyshkur. ndërsa, në kalendarin kronologjik këto rekuizita fragmentonin të ftohtin e egër, të cilat, kanë derivuar thatësi – tharje të bimëve familjare pa të cilat stagnon kuptimi për jetën. Lulet e vyshkura përqonin ndjesi për gruan, për vyshkjen e fetusit femëror – sikundër dhe për perspektivën e njeriut të ri, madje, ato ishin të lidhura ngushtë me bunarin e perspektivës evropiane, dhe me armët skulpturale të që kanë prodhuar tropikalizëm Afrikan në trendin ballkanik ndërsa si mjet shprese ngelej tabela orientuese me sllogani shekullor ”Kismet” të autorit Driton Selmani.

Në kuadër të kësaj platforme ideore-konceptuale fshehej magjia artistike dhe botëkuptimi ideo-filozofik. Behluli kishte përdorur arsyeshëm dhe argumentueshëm element të pikturës si dimension më vete, mbi të cilën pa u diktuar, kishte sendërtuar idenë e luleve dhe njollave të kuqe mbi pëlhurën – lëkurën tonë, madje, tendenca kapërcente kufinjtë e gjetjeve unike, duke i futur në proces pune disa gjëra me element tërësisht rutinor si: qesja e najllonit, si ndotës i ambientit në një rrethanë tjetër, ndërsa, këtu e përplotësonte mozaikun e kuptimit ideor!

Pra, Behluli, gërsheton arsyeshëm dhe bindshëm pikturën me zooparkun e luleve. Kambana e mesazhevë ishte sa humane po kaq dhe politike. Në karrige duhet dominoj arsyeja, ndjeshmëria e nderit. Paraqitja artistike ishte kuruar mençur dhe magjishëm, ngase, parafabrikohej kopshti familjar i familjeve të djegura, të vrara, të zhdukura, të dhunuara, në të cilat përvec vyshkjes, në ndonjëren nga vazot kishte dhe dromaca jete – ndonjëra mes luleve i kishte mbijetuar thatësisë, kjo qe gjë e mirë për optimistët, madje, në këtë format kërkimor artistik, Behluli ka gjetur tabelën e identifikimit të tij në paraqitjet artistike.

Ismet Jonuzi – Pedagog, Skulptor!

Nëpërmes armëve të luftës, sendërton themelet e shtëpive të shoqërive të dala nga lufta, dhe të atyre që duan të tregtojnë zemrat e njerëzve të frustruar, duke ua rikonfiguruar jetën mbi rrënojat e mjeteve të luftës.

Nga perspektiva vizuele, zemra e hekurt, e punuar me copa armësh, është shprehje adekuate e Jonuzit, në relacion me luhatjet e mëdha që kanë ndodhur në hartën e rajonit ballkanik sidomos. Por jo vetëm territori rajonal – armët nuk përkufizohen me territore e vende. Punimet e tij dukeshin bukur edhe si skulptura, si gjetje sidomos, për më tepër peshonin nuk kuptimin ideor, sikundër që, në aspektin fizik, rezultonin në format skenografie të një teatri filozofik.

Si motiv bazë, zemra e salduar nga tytat e armëve, godet në zemrat e njerëzve që ushqejnë mendjet e tyre me krisma kundrejt dinjitetit njerëzor, (shih njollat e kuqe në pikturën e Behlulit apo në kovën e Rusinovcit, ose drandofilin e kuq të autorit në fjalë). Pra, dimensioni skulpturor i Ismet Jonuzit, futet në rrafshin e retorikës politike dhe të mendësisë së tryezës së luftës, përmes së cilave, të fortit, ndërtojnë kauzat e tyre, duke ngritur deri në kulmin e marrëzisë muret e shtëpisë, si një parafabrikim i logjikës diktatoriale.

Pra, segmenti i këtij krijuesi ndërlidhet me diktaturën e popujve të egër, megjithëse, ambientin e kishte krijuar sikur çdo gjë është në funksion të jetës, marrë parasysh, tryezën, lulet e kuqe mbi tryezë, pastaj shtëpinë e fildishtë përbri dhe lapidarin e zemrës së njerëzve me zemër të çelikosur. Pra, fenonomenin hekur – apo kallashnikov, që bazën e prodhimit e ka në Rusi, artisti e formulon në një rrafsh artistik, me të cilin, përveç mesazheve të çarta ndaj forcës së tytës, përçon dhe idetë e tij estetike, me të cilat krijon universin artistik, duke i përdorur armët për të sendërtuar botëkuptimet e tij për artin. Pra, armën e paralizon me forcën e saldimit ne vepër arti. Dimensionet kërkimore të skulptorit Jonuzaj dekodojnë kode dhe limite në relacion me misionin dhe qëllimin e daltës së tij.

Driton Selmani – Piktor Ishte brenda këtij brendi artistik, nisur nga moduli i përshtatjes me akterët kryesor të kësaj ekspozite, duke i zbërthyer limitet e kohës së tij me limitet e njerëzimit, nëpërmes një tabele rrugore me ngjyra ta flamurit të Ukrainës, e cila e kishte dimensionin e orientimit të njeriut bashkëkohor. Pra, ekspozita tërthorazi prek dhe në dimensionin human. Tabela ishte nxjerrë dhunshëm ose është goditur me mjete të forta, që dëfton kaosin e organizimit urban, ndërkaq, mbështetja e saj në mur pa ndonjë bazament, tregon ekzistencën tonë pa një bazë qëndrueshmërie për synimet tona. Ndërsa, brenda saj, kishte sistemuar limitet e fundit të baterisë, orën, dhe slloganin ”KISMET” me të cilat paraskicon madje dhe mesazhe të caktuara në varësi të të limitit të baterisë – përkthyer në gjuhën artistike beteria ndërlidhej me zemrën moderne që funksionon me gjakun teknologjik. Performanca e tij ndërlidhej me reflektimin ”merre ose lëre”. Vrapo pas ”kismetit” tënd ose dorëzohu para kësaj logjike tabelare. Megjithëse, shpresa për një qetësi meditative ngelej brenda bunarit të dëshirës.

Si slogani ideoestetik, shpërfaq meteorët e mendimit mbi rezultatin dhe sanksionimin e mendjes së njeriut që truri i tij, shikimi, dëshirat, ambicjet, intuita ishin të kurdisura brenda kësaj logjike, pa e përjashtuar dhe ironinë që kishte brenda modulit botëkuptimor.

LIDHJET IDEORE

Bunari në hyrje të galerisë, monedhat si ambrellë dhe metafor që lidhej me tavanin qiellor, për të cilin ëndërron truri njerëzor. Pastaj, simbolika e parasë në relacion me kohën dhe me universin e qëllimit, unifikimi i Evropës brenda një monedhe si standard i pakapërcyer monetar në mes tokës dhe qiellit, ku do të parashtrohej në formë të kërkesës për ne siç është ajri nevojë jona për të qenë pjesë e Evropës së unifikuar. Pastaj dimensioni korruptiv që kontekstualizohej me thellësitë e bunarit dhe të mendjes së njeriut, dhe monedha si iluzion varshmërie, të cilën e krijuan evropianët, e cila ngelet peng tabelar – për të ardhmen e këtij rajoni specifikisht. Enigma vazhdon të qëndroj brenda bunarit, madje, enigma mbetet magnum shpirtëror me të cilin do të përballemi më tej, ndërsa, monedha evropiane do të derivoj një shumësi pyetjesh? Cila prej tyre e shuan etjen – monedha apo bunari? Kush është më afër qiellit bunari apo monedha!? Të gjitha këto detaje, janë pasazhe retorike me të cilët krijohet skeleti kritik mbi këtë ekspozitë konceptuale, formë kjo, me të cilën, artistët kanë krijuar botëkuptimin e tyre artistik, brenda logjikës së tendencës kërkimore në stil, zhanër, në gjetje hapësinore, gjithnjë, duke i kursyer maksimalisht ngjyrat dhe furçën e piktorëve klasik. Ekspozita në vetvete ka dhe dimensionin e ehos, fshehej edhe gjuha poetike në strumbulloin e saj, madje, fshehej dhe bukuria përrallore e kinemasë, dritë-hijet shpërfaqnin monedhaët e mendimit publik të publikut. (Autori merret me kritikë përveç dimensionit teatror)./ KultPlus.com

Hapet ekspozita “Pa limit”, një simbolikë edukative që synon lirinë dhe pakufinë e artit

Me një simbolikë edukative për studentët, mbrëmë në Galerinë e Fakultetit të Arteve është hapur ekspozita me titull “Pa limit” me autorët: Adem Rusinovcin, Driton Selmanin, Ismet Jonuzin dhe Mehmet Behluli, të cilët sollën gjithsej katër vepra artistike që ngërthejnë një veçanti më vete dhe synojnë që publiku të jetë pjesë e tyre, shkruan KultPlus.

Ende pa shënuar ora 19:30, artdashës të shumtë kapluan hapësirën e gjerë në Galerinë e Fakultetit të Arteve. Fillimisht me atë se çfarë do të përballeshin të pranishmit, do të ishte instalacioni “Bunari” nga artisti Adem Rusinovci. Një bunar i cili në thelb ka shumë kuptime por ajo që vihet në pah është simbolika e vdekjes dhe ajo e gjuajtjes me para për të dëshiruar diçka. Kjo më së miri vërehet edhe tek paratë të cilat vinë të lëshuara nga muri në fije të holla dhe secila nga to përfshijnë shumën prej një euro.

Një befasi për shumë kë, vepra artistike po merrte vëmendjen e shumtë nga të pranishmit të cilët soditnin jo vetëm bunarin e krijuar nga gurët por dhe gjithë konstruktin e tij, e sidomos dhe pjesën e parave që qëndrojnë të ndriçuara nga dritat lart në mur. E artisti duket se ia ka arritur qëllimit të tij për arsye se publiku po komunikon me veprën dhe po e gjen veten përbrenda krijimit të tij unik.

Ndërkaq, më poshtë shihet vepra artistike “I love you”, vepër kjo nga artisti Mehmet Behluli, e cila në fakt portretizonte një dhimbje mjaft të madhe. Me një zymtësi të dalluar në lulet e vyshkura e të thata, libra të djegur në ngjyrë të zezë, copëza të cilat thjesht krijonin një atmosferë që i ngjasonte luftës si dhe një pikturë e bardhë e cila zhytet në ngjyra të mbyllëta. Edhe pse titulli në shikim të parë vjen si mesazh i dashur, në fakt na shfaqet si një ironi me atë se çfarë po ndodh në Ukrainë.

Po ashtu në pjesën e dytë të galerisë, na shfaqet vepra me titull “Alkimsti”. Artisti Imset Jonuzi arriti që krejt emocionin e tij ndaj luftës ta portretizojë në instalacionin e tij të krijuar nga armët dhe vetëm një lule trëndafili. Me plotë armë që po krijonin një tavolinë dhe tri karrige si dhe një lule në ngjyrë të kuqe e vendosur sipër, artisti Jonuzi na sjell para syve një situatë e cila dukshëm tregon për mos-ndalimin e luftës në Ukrainë. Paqja synohet pothuajse nga të gjithë por ajo nuk po ndodh.

Ndërsa, krejt në fund është e pozicionuar vepra e artistit Driton Selmani. E titullar “Calm before the storm”, instalacioni i tij përfshin një copëz të madhe hekuri që rëndom shohim nëpër rrugët e Prishtinës dhe ai atë e ka shndërruar atë në një vepër artistike. Nga natyra në Galeri, vepra portretizon fjalën “Kismet”, fjalë kjo që përdoret jashtëzakonisht shumë nga populli shqiptar.

Për të na treguar më shumë rreth konceptit të ekspozitës dhe veprës së tij, për KultPlus foli artisti Ismet Jonuzi.

“Ne si pedagogë që jemi kemi bërë një përfshirje të gjeneratave për të sjell këtë ekspozitë. Koncepti i ekspozitës në fakt qëndron tek titulli “Pa limit”, pra nuk është diçka e kufizuar, nuk është diçka që kufizon artin sepse arti duhet të jetë i lirë dhe pa kufi. Këta të gjithë autorë e kanë pasur një lloj qasje që nuk ka pasur kufizim. Ideja ishte që të krijojmë sa më pak punime se këtu është krijuar një standard që të mbushen muret dhe pastaj nuk krijohet distanca prej punës në punë që të shihet e analizohet mirë ajo vepër”, thotë Jonuzi.

Sipas tij, ekspozita duhej të ishte më e veçantë për arsye se ata si pedagogë që janë, duhej të kishte një karakter refleksiv tek studentët në mënyrë që ata të shohin se mund të bëhet dhe një ekspozitë ndryshe sikurse që janë mësuar të shohin që 20 apo 30 vjet.

“Puna e Driton Selmanit shembull vjen si një provokim si koncept “Kismet” sepse lidhet me përditshmërinë tonë si shqiptarë. Ndërsa, unë në punën time kam përdorur armët pas luftës menjëherë dhe kam bërë një transformim të asaj se me çfarë vritet, mund të bëhet art. Pas luftës vietnameze-amerikane, artistët amerikanë kanë filluar të punojnë me një moto “Jo luftë, krijo art”. Dhe në një farë mënyre edhe kjo shihet tek vepra ime. Lulja që qëndron në tavolinë simbolizon paqen dhe përreth është lufta. Kjo vërehet edhe me situatën në Ukrainë, që duket sikur do të ndërprerët por në fakt kjo nuk është duke ndodhur”, thotë Jonuzi.

Artisti Adem Rusinovci për KultPlus tregoi rreth idesë për këtë ekspozitë dhe punës së tij artistike në instalacionin “Bunari”.

“Ideja ishte krejtësisht e profesorit Ismet Jonuzi. Ne kemi dashur që si pedagog që jemi, të iu tregojmë studentëve që arti bashkëkohor nis në vitet e 60-ta dhe studentët shpeshherë inspirohen nga disa ekspozita që i shohin nëpër mure dhe ajo nuk është bash e shëndetshme për ta. Zakonisht kur studentët shohin një profesor apo një njeri më të vjetër në moshë, mendojnë se ashtu duhet të jetë arti, sikurse puna e tyre. Ne nuk kemi bërë kurrfarë risie për globin por megjithatë këso ekspozita shumë rrallë shihen dhe ne kemi dashur ta krijojmë në fakultet jo për të pasur ndikim tek studentët por që ata të fitojnë një kulturë pak më ndryshe sesa që e marrin zakonisht në ekspozitat tjera”, thotë Rusinovci.

Sipas tij, është shumë e rëndësishme raporti mes autorit dhe veprës. Ai artin e konsideron një filozofi që prek realitetin dhe thotë se skulptura nuk është diçka që vetëm gdhendet në gur dhe se piktura diçka që gjuhet ngjyra në të.

“Puna ime në bunar ka shumë kuptime. Nuk kam dashur aspak që ta krijoj një kuptim që bunari është një burim jete dhe nuk ka qenë mendimi im që unë t’i dhuroj publikut diçka që e shohin dhe vinë. Kam dashur ta shtrojë një dilemë sepse bunari është vend krimi ku njerëzit janë mbytur shumë dhe sot fatkeqësisht po ndodh në Ukrainë e që ka ndodhur në Bosnje e ka ndodhur edhe në Kosovë. Por bunari ndonjëherë është edhe vendi i fatit ku njerëzit gjuajnë para. Unë dëshiroja që secili person që vjen, ta gjejë veten tek bunari jem”, thotë ai.

Gjithashtu për të na folur më shumë rreth instalacionit të tij, për KultPlus foli artisti Mehmet Behluli.

“Ne mburremi me këtë galeri që është krijuar për studentë por nuk është vetëm për ta. Kjo është hera e parë që ne po provojmë të ekspozojmë si mësimdhënës dhe kjo është si nismë që këtë herë jemi përzgjedhur ne dhe kjo ide do të vazhdojë si pjesë e përhershme e programeve të galerisë. Kjo ndodh për qëllimin që studentët të shohin se si profesorët punojnë dhe jo vetëm si ligjërojnë. Ndërsa, puna ime sot është një vazhdim i imi. Është mbledhur njëfarë opusi ku karriget janë pjesë e para luftës dhe unë pata provuar që të stimulojë luftën nëpërmjet edhe librave të cilat ishin të mbuluara me zift dhe zifti stimulon njëfarë katastrofe”, thotë

Sipas tij, nga djegia e shtëpisë së tij në luftë, janë pikërisht ato copëzat që kanë mbetur të cilat janë shndërruar në atë vepër.

“Unë kohë pas kohe i instaloj ato copëza vepre dhe provoj që ta kem një vazhdim apo një krahasim me vitet para 99-shit dhe sot. Ndërsa, lulet e thata për mua simbolizojnë një poetikë të dhimbshme andaj edhe titulli “I love you” vjen në fakt si një ironi për atë se çfarë po ndodh me situatën në Ukrainë”, përfundon ai.

I pranishëm në këtë ekspozitë ishte edhe drejtori i Galerisë Kombëtare të Kosovës, Naim Spahiu i cili për KultPlus tregoi përshtypjet e tij.

“Në fakt momentin kur e dëgjova lajmin që është ekspozita e këtyre autorëve që janë prezent, vërtetë me shumë kënaqësi kam ardhur duke e ditur dhe krijimtarinë e këtyre artistëve që i kam përcjell me vite të tëra. Ndoshta edhe është një frymëzim shumë i mirë për gjeneratat e reja sepse këta artistë çdo herë kanë prezantuar vlera duke u nisur nga Ismet Jonuzi i cili është një prej vizatuesve më të mirë që e kemi në Kosovë dhe është një prej skulptorëve që bënë eksperimente që thjesht ka thyer tabutë e skulpturës në kohë të ndryshme. Po ashtu edhe Ademi është një skulptor reprezentativ që çdo herë është ndryshe me kalimin e kohës dhe sonte na u shfaq me një bunar që na befasoi të gjithëve”, thotë Spahiu.

Sipas tij, Mehmet Behluli është një prej profesorëve i cili ka përcjell gjenerata duke qenë shumë aktiv, megjithëse krijimtaria e tij ka qenë pak më e vonë në krahasim me të tjerët. Ndërsa, tek Driton Selmani shihet që ka një perspektivë dhe se është një artist i ri që gradualisht po ngritët në një nivel ku duhet të jetë, duke prezantuar vlerat tona si shtet.

“Në fakt, unë e veçoj Ismet Jonuzin për arsye se ai din të gërshetojë shumë mirë emocionet ndër vite dhe këto emocione ndërlidhen pikërisht me kohën e kaluar dhe të tashmen. Në një farë mënyre ato fazat e vetë shoqërisë tonë shfaqen në çdo vepër të cilën ai e prezanton dhe padyshim që është pjesë e historisë të popullit tonë. Që vlera e një vepre të jetë emocioni dhe koncepti që realizohet, kjo është shumë me rëndësi”, përfundon ai.

Ekspozita “Pa limit” do të qëndrojë e hapur prej datave 17 maj deri më 01 korrik 2022 në Galerinë e Fakultetit të Arteve. / KultPlus.com