Këngëtarin Adhurim Demiri e kujtojmë kryesisht si pjesë të festivaleve të ndryshme, e në veçanti në Festivalin e RTSH-së ku gjithmonë me këngët e tij ka ditur të bëjë për vete publikun, shkruan KultPlus.
Rokeri i cili ka kohë që jeton në Austri, ka shprehur mallin e tij për vendlindjen përmes këngës më të re të cilën sapo e ka lansuar.
“Mall Bulevardi” është poezia e njohur e Pandi Laços që e shkrirë nën tingujt e kitarës dhe kënduar nga zemra e me shumë nostalgji nga Adhurim Demirit, përbëjnë një projekt shumë të dashur.
Kënga e cila e sjell këngëtarin në formë dhe me një stil të veçantë, vjen e shoqëruar edhe me videoklip.
KultPlus ju sjell edhe poezinë e Laços që kësaj radhe na vjen e shoqëruar me muzikë:
“Ka qenë dikur një qytet…
Në vend të zemrës, “një bulevard”
Një bulevard ku mijëra njerëz…
Çdo natë takoheshin”… mos jam përçart ?
Nga mijëra fytyra që kam njohur
Qindra mbaj mend, pak kam harruar
Vallë sa prej tyre shpërndarë në botë
“Mall bulevardi” i ka sharruar?
Nga Vollga vinte një muzikë
“Sahati” e kishte si kolonë zanore
Kafe Gjirokastra, kafe nuk ofronte
Por historira me “dashnore”.
“Më ka marrë malli” për Bar Sahatin
Që ta mbledh veten me një konjak
Një xhiro qejfi në rimorkio
Nga Porcelani në Kombinat.
“Mall bulevardi” për një rrugë
Që e pushtojë tek luaj “botash”
Ku i vjedh kumbllat një gjitoni
Ku gjunjët e brrylat, bëhen copash.
“Mall bulevardi” për një shok të ngushtë
Ai i qetë e unë “gjaknxehtë”,
Unë për “Beatles”, ai për “Stones”
Tek “Ura” ziheshim, po pajtoheshim lehtë.
Për një rrugicë, kam shumë mall
Veç një makinë, kalonte rrallë…
Prisnim gjithmonë, t’i vareshim prapa
“Zukut” të druve, një gërdallë.
“Mall bulevardi” për një tren
Që gjithmonë vonohet, po prapë e pres
Të kap një vend që nga dritarja
Në ecje e sipër, në plazh të zbres.
“Më ka marrë malli” për të dielën
Që radioposta të më zgjojë
Një film shqiptar, plot me batuta
“Punë e komisarit, ishte lojë!”
Të pres me ankth, “më ka marrë malli”
Për ndeshjen derbi, Kuq-Bardhëblu
S’ka gjë po humbëm kampionatin…
Mjafton që sot t’u japim “dru”.
“Më ka marrë malli” për një teatër
Për dy bileta gjetur me mik
Për një artist që nuk jeton më
Për pakëz Breht, pakëz Shekspir.
Mall kam për fqinjin që rrinte poshtë nesh
Qe çesmen hapur, shpesh ia harroja
Edhe kur mbesja për një dorë kripë
Në mes të natës mund ta zgjoja.
“Më ka marrë malli” për një top të shpuar…
Që shpesh na ngecte në tarracë
Një kanatiere e bardhë pa mëngë
Me bojë këpuce, numrin “shtatë”.
“Më ka marre malli” që “të gjuaj”
E “t’i bëj naftën” një ditë mësimi
Të bëj një xhiro nga gjimnazet
Nga “Qemal Stafa” te “Petro Nini”.
“Më ka marre malli” për një vajzë…
Diku ka humbur nëpër botë
Ndoshta se njoh, kur ta takoj,
Për të kam ruajtur një pikëz lot…
“Më ka marrë malli” për një kitarë
Dorë më dorë, pak e stonuar,
Kur kthehej prapë, ajo ishte çarë
Të gjithë e donin, ish e bekuar.
“Më ka marrë malli” për një burrë të vjetër
shtynte ngadalë një karroce dore
Nuk është “Ai” i këngës së Battistit
Megjithëse thërret… ”Akullore”.
“Mëka marrë malli” të mbyll xhiron
Nga hotel “Peza” te Universiteti
Do më bjenë këmbët, kot do t’i lodh,
S’do gjej fytyra të këtij qyteti… /KultPlus.com