Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, admirali amerikan Stuart B. Munsch, ka zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë.
Në një postim në profilin zyrtar të Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli në platformën X.
“Admirali Stuart Munsch u takua me z. Kurti në Prishtinë, për të diskutuar mbi aktivitetet e KFOR-it për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe mbështetjen e NATO-s për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet” Kosovës dhe Serbisë, është thënë në njoftim.
Për dallim nga Kurti, presidentja Vjosa Osmani nuk ka mundur të takohet me komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, admiralin amerikan Stuart B. Munsch.
Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, për Klankosova.tv ka pohuar se presidentja është e prekur me grip sezonal dhe se takimin e paralajmëruar me Admiralin Munsch e pati të pamundur ta zhvillojë.
“Takimi në mes të Presidentes Osmani dhe Admiralit Munsch ka qenë i konfirmuar për sot në orën 15:00, por nuk do të mund të realizohet sot për shkak se Presidentja e kishte të pamundur të dalë në zyrë shkaku i një virusi sezonal”.
“Presidentja ka biseduar me Admiralin Munch nëpërmjet telefonit dhe do të takohet me të së shpejti në njërin nga udhëtimet e radhës”, ka thënë Kupina.
Admirali amerikan Stuart B. Munsch, po qëndron për vizitë në Kosovë.
Ai është pritur nga komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, ndërsa lajmi për këtë takim u bë i ditur nga misioni KFOR-i.
“Ulutash ilustroi aktivitetet e KFOR-it në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe mbështetjen e saj për dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i vepron si reaguesi i tretë i sigurisë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), të cilët janë përkatësisht reaguesi i parë dhe i dytë i sigurisë”, thuhet në njoftimin e postuar në llogarinë e KFOR-it në Facebook.
Ndërkaq, në llogarinë e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli në platformën X, u tha se në takimin Munsch – Ulutash, “diskutimet u fokusuan në përkushtimin e KFOR-it për stabilitetin dhe sigurinë në rajon dhe mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”. /Klankosova.tv/ KultPlus.com