Organizata Admovere dhe Integra, janë në përgatitje të librit për masakrat e ndodhura në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Por, në disa raste ato po hasin në mungesë informacioni, andaj po kërkojnë ndihmë nga të gjithë ata që mund të kenë njohuri apo informacione për disa nga masakrat në Kosovë.
Kësaj radhe, bëhet fjalë për masakrën në Shtuticë, e cila ka ndodhur më 2 gusht ’98 dhe 30 prill ’99.
Ky është postimi i plotë i Admovere:
NDIHMË PËR INFORMATA PËR MASAKRAT NË SHTUTICË, 2 GUSHT ’98 dhe 30 prill ’99
Së shpejti, ADMOVERE dhe INTEGRA do ta botojnë librin «Masakrat në Kosovë 1998-1999», në të cilin do të pasqyrohen me tekst (shqip, sërbisht e anglisht) dhe fotografi të gjitha masakrat që janë kryer në Kosovë më 1998-1999. Për këto masakra, i kemi hulumtuar rrënjësisht raportet e organizatave vendore e ndërkombëtare, artikujt në mediet vendore e ndërkombëtare, raportet e gjykatave, e kështu me radhë.
Çuditërisht, për disa prej masakrave nuk ka materiale në burimet e sipërpërmendura. Dy nga to janë Masakrat në Shtuticë, ku më 2 gusht 1998 janë vrarë 7 civilë, kurse më 30 prill 1999 janë vrarë 44 civilë. I lusim banorët e fshatit Shtuticë dhe të tjerët që nëse kanë për këtë masakër ndonjë fotografi, video, artikull gazete, raport, libër, e kështu me radhë, t’i dërgojnë në faqen tonë në Facebook.
Do ta vlerësonim tejmase bashkëpunimin tuaj! / KultPlus.com
Organizata “Admovere” po kërkon ndihmë për mbledhje të informacioneve për masakrën në Reznik, e cila ndodhi më 6 prill 1999.
Përmes një publikimi në facebook, “Admovere” ka njoftuar se bashkë me Organizatën “Integra”, së shpejti do ta botojnë librin «Masakrat në Kosovë 1998-1999», në të cilin do të pasqyrohen me tekst (shqip, sërbisht e anglisht) dhe fotografi të gjitha masakrat që janë kryer në Kosovë më 1998-1999.
“Për këto masakra, i kemi hulumtuar rrënjësisht raportet e organizatave vendore e ndërkombëtare, artikujt në mediet vendore e ndërkombëtare, raportet e gjykatave, e kështu me radhë.
Çuditërisht, për disa prej masakrave nuk ka materiale në burimet e sipërpërmendura. Njëra nga to është Masakra e Reznikut, ku më 6 prill 1999, janë vrarë 9 civilë në familjen Ujkani. I lusim banorët e fshatit Reznik dhe të tjerët që nëse kanë për këtë masakër ndonjë fotografi, video, artikull gazete, raport, libër, e kështu me radhë, t’i dërgojnë në faqen tonë në Facebook.
Do ta vlerësonim tejmase bashkëpunimin tuaj!”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com
Admovere ka reaguar në lidhje me miratimin e një teksti shkollor me autorë plagjiatorë nga ana e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
KultPlus ju sjell reagimin e plotë:
Më 26 maj 2022, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) publikoi vendimin me numër të referencës 01/B 1161, «Lista përfundimtare e teksteve shkollore për klasat 4 dhe 9», në të cilin «prezantohen vlerësimet e dorëshkrimeve sipas recensentëve për secilën klasë dhe lëndë». Sipas këtij vendimi, për lëndën Edukatë Qytetare për klasën e IX komisioni recensues i ka vlerësuar katër (4) tekste, si vijon: tekstin e Shtëpisë Botuese «Dukagjini» me 2.17 pikë, tekstin e Shtëpisë Botuese «Libri Shkollor» me 2.14 pikë, tekstin e Shtëpisë Botuese «Albas» me 3.57 pikë dhe tekstin e Shtëpisë Botuese «Irisoft» me 3.24 pikë. Në tekstin shkollor «Edukatë Qytetare 9» të Shtëpisë Botuese «Irisoft», autorë të të cilit janë Alba Kreka, Selim Bezeraj dhe Bujar Dugolli, shënohet se teksti është «miratuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit»
Dy bashkautorët e këtij teksti, Bezeraj dhe Dugolli tanimë janë të njohur për publikun si plagjiatorë të dëshmuar.
Në vitin 2018 ADMOVERE publikoi raportin me titull «Stafi akademik i UP-së: studimet, angazhimet tjera, plagjiaturat, vlerësimet dhe përpjesa staf-studentë», në të cilin prezentoi 16 plagjiaturat e stafit akademik të UP-së, të prezentuara ndër vite nëpër media. Rasti i Selim Bezerajt, prezentohet në këtë raport si vijon:
«Në korrik 2016, Gazeta «Jeta në Kosovë» raportoi se Shefi i Departamentit të Historisë në Fakultetin e Filozofisë, Selim Bezeraj, disertacionin e Doktoraturës «Shqiptarët dhe Austro-Hungaria gjatë viteve 1912-1914», të mbrojtur në Universitetin e Tiranës më 2014, si dhe punimin «Gjendja sociale në Shqipëri gjatë sundimit të princit Ëilhelm Ëied sipas udhëtarit gjerman», të dorëzuar për botim më 2015 në revistën akademike gjermane «Zeitschrift für Balkanologie», i ka kopjuar nga tema e magjistraturës e Adam Christian-it në Universitetin e Vjenës. Menjëherë pas këtij raportimi, ish-rektori Ramadan Zejnullahu me një letër zyrtare u kërkoi profesor Bezerajt dhe dekanit të Fakultetit të Filozofisë, Bujar Dugollit, «sqarim të plotë me shkrim». Revista akademike gjermane, pasi e zbuloi hilen, nuk ia publikoi Bezerajt punimin e dorëzuar, të cilin synonte ta shfrytëzonte me rastin e hapjes së konkursit për avancime akademike në UP. Rektorati i Universitetit të Tiranës thotë se «ka filluar hapat e parë procedurialë» për tezën e doktoraturës së Bezerajt. Çështja shkon edhe te Këshilli i Etikës në UP, por Kryesuesja, Myzafere Limani, thotë se nuk ka mundësi të ndërmarrë veprime pa aprovimin e rregulloreve relevante përkatëse nga Senati dhe Këshilli Drejtues» (https://admovere.org/ëp-content/uploads/2022/06/2.-Stafi-akademik-i-UP-se.pdf).
Ndërkaq, sa i takon rastit të Bujar Dugollit, më 1 tetor 2021, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) dorëzoi në Këshillin e Etikës të Universitetit të Prishtinës prova përfundimtare mbi plagjiaturën e dy profesorëve: Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati. Pas 6 muajsh, më 10 mars 2022, Këshilli i Etikës, në përgjigjen zyrtare për ORCA-n thotë se ka vendosur që këtë çështje ta administroj përmes ekspertizës profesionale. Pas kësaj përgjigjeje, ORCA ia dërgon të gjitha provat dhe dëshmitë e plagjiaturës revistës botuese të punimit. Në përgjigjen për ORCA-n revista konstaton dhe verifikon plagjiaturën e punimit të profesorëve Dugolli dhe Kastrati dhe menjëherë e largon punimin nga revista, duke shtuar se «politikat e revistës nuk e lejojnë plagjiaturën në asnjë formë». Me të marrë këtë përgjigje nga revista, ORCA i është drejtuar edhe njëherë Këshilli të Etikës të Universitetit të Prishtinës, duke paraqitur prova shtesë për plagjiaturën, me ç’rast e ka plotësuar denoncimin fillestar. Me 6 qershor 2022, Këshilli i Etikës ka konstatuar përfundimisht se punimi i paraqitur nga profesorët Dugolli dhe Kastrati ka përmbajtje të theksuar të plagjiaturës dhe si rrjedhojë i ka shkelur të gjitha standardet e ndershmërisë akademike dhe kredibilitetit në publikime shkencore» (http://orca-ks.org/sq/shpallen-plagjiatore-bujar-dugolli-dhe-ardian-kastrati/)
Duke i pasur parasysh faktet e sipërpërmendura, ADMOVERE shpreh indinjatën më të skajshme lidhur me një vendim të tillë të MASHTI-t. Tekstet shkollore nuk duhen parë si mundësi e rehabilitimit të plagjiatorëve, të cilët nuk përfaqësojnë as kredenciale morale e as akademike. Një vendim i tillë, që nxënësve të klasës së IX ua servon librin e Edukatës Qytetare, bashkautorë të të cilit janë dy plagjiatorë, Bezeraj dhe Dugolli, është qartë skandaloz dhe i papranueshëm. ADMOVERE është thellësisht e tronditur dhe e zhgënjyer me këtë vendim të MASHTI-t dhe fton mekanizmat kompetentë ta rishikojnë sa më shpejtë që është e mundshme. Gjithashtu, ju bëjmë thirrje mësimdhënësve të Edukatës Qytetare, prindërve e nxënësve të klasës së IX, që ta refuzojnë prerazi këtë libër! Ne do të përcjellim nga afër hapat e mëtejmë të MASHTI-it karshi këtij libri, sepse nuk mund të lejojmë që të legjitimohet plagjiatura! / KultPlus.com
Sot, u promovua raporti i botuar nga organizata joqeveritare Admovere, «Strategjitë në fushën e arsimit të lartë në Kosovë», me autorë Aulonë Memetin dhe Nuhi Sadikun, mbështetur financiarisht nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).
Raporti ka për qëllim që të analizojë dhe krahasojë paraqitjen e problematikave të arsimit të lartë gjatë planifikimit strategjik. Më konkretisht, hulumtimi pëqendrohet në pesë indikatorë: transparenca dhe llogaridhënia, puna shkencore, gjithëpërfshirja; ndërlidhja e programeve të studimit me tregun e punës, dhe akreditimi.
Raporti krahason dhe shqyrton objektivat e përcaktuara dhe nivelin e përmbushjes së tyre në mes të të gjitha strategjive (dhe planeve të veprimit) të arsimit të lartë në Kosovë, të nxjerra nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), dhe në mes të strategjive (dhe raporteve vjetore) të Universitetit të Prishtinës (UP). Për nevojat e këtij hulumtimi, me theks të veçantë janë shqyrtuar Strategjia Kombëtare për Zhvillim (SKZH) dhe udhërrëfyesi për zbatimin e saj, Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë (PSAK) 2017-2021 dhe Plani i Veprimit, si dhe Planet Strategjike të UP-së 2017-2019 dhe 2020-2022.
Drejtori Ekzekutiv i organizatës Admovere dhe bashkëautori i këtij raporti, Nuhi Sadiku deklaroi se “raporti është analizë krahasimtare e dokumenteve kryesore të planifikimit strategjik për arsimin e lartë të nxjerra nga tri nivele institucionale”. Ndërsa, si konkludime përmendi se “(1) ka një hendek të madh në mes të planifikimit, monitorimit dhe zbatimit në praktikë të masave të parapara për t’u ndërmarrë; (2) niveli i transparencës në Universitetin e Prishtinës po përcjell një trend të rritjes; (3) mekanizmat për zhvillim profesional të stafit akademik nuk janë të mjaftueshme; (4) Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë 2017 – 2021, kur përmend gjithëpërfshirjen kryesisht mendohet për nivelet më të ulëta të arsimit, e më pak për arsimin e lartë; (5) një shtysë shumë pozitive në motivimin e stafit akademik për publikime shkencore, ka qenë Rregullorja për financimin e botimeve e miratuar nga Universiteti i Prishtinës (UP)”.
Kurse, recensenti i këtij raporti, prof. Xhavit Rexhaj duke rekomanduar që ky raport të bëhet i përvitshëm ose së paku çdo dy vite, deklaroi se “planifikimi strategjik është ndër pikat më të dobëta të arsimit në Kosovë”. Z.Rexhaj, gjithashtu potencoi faktin e mungesës së të dhënave për sistemin e arsimit, duke e konsideruar këtë gjë shumë problematike. Ndërkaq, për raportin tha se “është i pari i këtij lloji në Kosovë, është bërë në kohën e duhur, ka indikatorë të përcaktuar mirë, e ruan koherencën në mes të niveleve të planifikimit strategjik dhe e ruan fokusin e trajtimit”.
Raporti përmbyllet me vlerësimin e zbatimit në praktikë të strategjive, me fokus tek indikatorët e lartpërmendur, duke shqyrtuar më hollësisht rastet e tri fakulteteve të UP-së, përkatësisht Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), Fakultetit të Edukimit dhe Fakultetit Filozofik, me dekanët e të cilave janë zhvilluar intervista nga ekipi hulumtues. /KultPlus.com
«Strategjitë në fushën e arsimit të lartë në Kosovë», është raporti i fundit i botuar nga ADMOVERE, raport që është mbështetë nga KFOS, e që do të prezantohet më 01 dhjetor 2021 (nesër) në orën 13:00 në hapësirat e KultPlus Caffe Gallery (rruga Isa Boletini, Soliteri 3/2-1, te Fontana në Ulpianë).
Nga Admovere është bërë e ditur se raporti ka për qëllim që të analizojë dhe krahasojë trendet e vlerësimit të problematikave në arsimin e lartë në aspektin institucional. Më konkretisht, hulumtimi përqendrohet në pesë indikatorë:
transparenca dhe llogaridhënia,
puna shkencore,
gjithëpërfshirja,
ndërlidhja e programeve të studimit me tregun e punës, dhe
akreditimi.
Raporti krahason dhe shqyrton objektivat e përcaktuara dhe nivelin e përmbushjes së tyre në mes të të gjitha strategjive (dhe planeve të veprimit) të arsimit të lartë në Kosovë, të nxjerra nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), dhe në mes të strategjive universitare (dhe raporteve vjetore) të Universitetit të Prishtinës (UP). Për nevojat e këtij hulumtimi, me theks të veçantë janë shqyrtuar Strategjia Kombëtare për Zhvillim (SKZH) dhe udhërrëfyesi për zbatimin e saj, Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë (PSAK) 2017-2021 dhe Plani i Veprimit, Planet Strategjike të UP-së 2017-2019 dhe 2020-2022. Për të vlerësuar zbatimin e strategjive, me fokus tek indikatorët e lartpërmendur, janë shqyrtuar më hollësisht rastet e tre fakulteteve të UP-së, përkatësisht Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), Fakulteti i Edukimit dhe Fakulteti i Filozofisë./ KultPlus.com
Sot u mbajt tryeza ‘Strategjitë e Arsimit të Lartë në Kosovë’ nga ADMOVERE, me mbështetje financiare nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).
Tryeza u moderua nga eksperti i arsimit, prof. Xhavit Rexhaj, kurse qëllimi i saj ishte që të merren rekomandime nga rektorët, prorektorët, dekanët dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare që në fokus kanë arsimin e lartë, si dhe të shihet se çka mund të bëhet më mirë në hartimin e planeve të ardhshme strategjike të arsimit të lartë në Kosovë.
Duke qenë se performanca e institucioneve të arsimit të lartë në veçanti dhe gjendja e arsimit në Kosovë në përgjithësi, jo rrallë herë është konsideruar e pakënaqshme nga masa e gjerë, shoqëria civile, perceptimet e studentëve dhe vet institucioneve relevante, është e rëndësishme që të analizohen strategjitë e arsimit të lartë për të parë se sa ka koordinim mes tyre, nivelin e redundancës dhe përsëritjes së objektivave.
Drejtoresha e organizatës, Aulona Memeti, foli për rëndësinë e një planifikimi të mirëfillt në mes ZKM-së, MASHT-it dhe Universiteteve Publike: “meqenëse aktualisht është duke u përpiluar Plani i ri Strategjik i Arsimit në Kosovë (PSAK) duhet të shtrojmë pyetjen se a ka ardhur koha për një planifikim të mirëfillt, dhe nëse po, çka nënkupton kjo?”
Kurse Nuhi Sadiku, hulumtues dhe bashkëautor i raportit me po të njëjtin titull, i cili do të publikohet së shpejti, tha se gjatë përpilimit të strategjive duhet të kihet më shumë konsideratë për një qasje nga poshtë lartë, meqë në fund fare janë njësitë akademike ato të cilat duhet t’i zbatojnë ato.
Zëvendësministri i Arsimit, z. Dukagjin Pupovci, në fjalën e tij sqaroi procesin e hartimit të PSAK-ut të ri dhe shtoi që rekomandimet e nxjerra në tryeza të tilla janë të nevojshme për t’u inkorporuar në PSAK-un e ri. Kurse Adnan Ahmeti nga Zyra për Planifikim Strategjik potencoi nevojën e planifikimit strategjik të bazuar në evidencë dhe të dhëna. Ndërsa Rron Gjinovci nga ORCA gjatë diskutimit tha se një nga problemet kryesore është mungesa e të menduarit strategjik, e kjo manifestohet edhe në hartimin e planeve strategjike.
Të pranishëm të tjerë në tryezë ishin Mimoza Ibrani dhe Kurtesh Sherifi, përfaqësues nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës; Dekanët Isak Shabani nga FIEK, dhe Dashamir Burxulli nga Fakulteti Filozofik; nga Agjencia e Kosovës për Akreditim; dhe përfaqësues të organizatave që në fokus kanë arsimin e lartë si KEC, ORCA, CPC, FIT, e me radhë. / KultPlus.com
I titulluar ‘Sërbia Tjetër’, vëllimi në tri gjuhë (shqip, sërbisht e anglisht), është botuar nga ADMOVERE e me mbështetje nga KFOS-i, e ku janë përfshi fragmentet nga artikujt dhe intervistat e më të spikaturit intelektual serb, arkitektit Bogdan Bogdanović [1922–2010], në të cilat ky flet mbi shkeljet brutale të të drejtave të shqiptarëve në Kosovë gjatë viteve ‘90, përcjellë KultPlus.
Veç këtyre, me rëndësi të veçantë është parë përfshirja e fragmenteve në të cilat Bogdanović shpalos mendime mbi pavarësinë e Kosovës dhe raportet e saj me Serbinë, por edhe mbi raportet shqiptaro-serbe përgjithësisht.
Ky vëllim në tri gjuhë ofron modelin e intelektualit që i kundërshton padrejtësitë dhe krimet e kryera nga autoritetet shtetërore të udhëhequra prej ‘bashkëkombësve’ të vet, si dhe nderon intelektualin i cili shpesh e ka vënë jetën e vet në rrezik, duke dëshmuar guxim mahnitës që kurrsesi nuk duhet të kalojë pa mirënjohjen e merituar. Fatkeqësisht, humanisti Bogdan Bogdanović te populli serb është parë si tradhtar, ndërkaq te populli shqiptar është shpërfillë.
Sipas ADMOVERE, Kosova duhet ta ketë një rrugë, shesh apo shkollë me emrin e humanistit Bogdan Bogdanović.
“Kosova e pasluftës s’e ka një rrugë, shesh apo shkollë me emrin e arkitektit e humanistit Bogdan Bogdanović, ndonëse ai ishte i pari dhe më i zëshmi intelektual serb që jo vetëm e kundërshtoi okupimin e Kosovës nga regjimi serb, por edhe e mbështeti pavarësinë e saj. Prandaj, le të jetë ky publikim në tri gjuhë, një mirënjohje modeste për kontributin e madh të këtij intelektuali të jashtëzakonshëm për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Librin mund ta gjeni në libraritë ‘Dukagjini’, ‘Buzuku’ e ‘Artini’ në Prishtinë. / KultPlus.com
Ofendimet, fyerjet dhe linçimet kundrejt grave politikane po rriten dhe po shpeshtohen. Ato janë cak i sulmeve të ulëta seksiste, ngacmimeve për shkak të prejardhjes, orientimit të tyre politik, madje edhe për shkak të dukjes fizike. Kryesisht, ndaj grave ekziston një mosdurim. Sikur ato nuk duhet të kenë vend në skenën politike. Sikur angazhimi publik e politik është i rezervuar vetëm dhe ekskluzivisht për politikanët burra.
Të po kësaj fryme shqetësuese e të papranueshme janë komentet seksiste nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), z. Ardian Kastrati kundrejt Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani. Një gjuhë e tillë nuk guxon të ketë vend në fjalorin publik të një deputeti të Kuvendit të Kosovës, i cili paguhet me paratë e taksapaguesve të këtij vendi.
Përveçse deputet, z. Ardian Kastrati është gjithashtu profesor në Universitetin e Prishtinës (UP). Prandaj, i bëjmë thirrje të gjithë akterëve relevantë që të marrin masa të menjëhershme disiplinore ndaj të njëjtit. UP duhet të shërbejë si institucion i emancipimit shoqëror e kulturor, i edukimit dhe arsimimit të brezave të rinj pa dallime gjinore, etnike e racore.
Aty nuk duhet të kenë vend njerëzit që e kontaminojnë diskursin publik dhe kanë mosdurim e qasje seksiste ndaj grave. Sikur që nuk duhet të kenë vend as në Televizionin që mbahet nga taksat e të gjithë qytetarëve, Televizionin Publik, ku z. Kastrati për një kohë ka uzurpuar kohë televizive si analist politik. Sepse janë modeli i keq të cilin po jua ofrojmë studentëve tanë!
Admovere do të përcjellë nga afër hapat e mëtejmë të organeve kompetente të UP-së karshi profesorit në fjalë. Si organizatë e fokusuar në arsimin e lartë, e shohim të domosdoshëm përjashtimin e z. Ardian Kastrati nga pozita e profesorit në UP. Inkurajojmë dhe mbështesim vazhdimin e protestave nga studentët dhe aktivistët e shoqërisë civile për të dërguar mesazhin e qartë se seksizmi nuk kalon! / KultPlus.com
Më 13 mars 2021 bëhet 1 vit qëkurse në Kosovë dolën dy rastet e para pozitive me COVID-19. Pas daljes së këtyre rasteve dhe alarmimit të të gjithë shoqërisë e veçanërisht institucioneve përkatëse, vendi u mbyll totalisht në funksion të mbrojtjes nga infektimi. Rëndom, mbylljet e tilla dhe këso kohë të çrregullta, shtresa më e varfër e shoqërisë i përjeton më së rëndi. Pa pikë dyshimi, në këtë shtresë përfshihen edhe pjesëtarët e komuniteteve më të margjinalizuara në Kosovë: romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët.
Në një raport të publikuar nga ADMOVERE në korrik 2020, gjetjet ishin tejet shqetësuese. Komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptianë ishin thuajse inekzistentë në kontekst të marrjes së një trajtimi të veçantë nga institucionet tona. Duhet thënë që nga gjithsej 27 vendime të Qeverisë së Republikës së Kosovës për menaxhimin e pandemisë Covid-19, vetëm njëri lidhet me komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptianë.
Që nga koha e publikimit të raportit ka kaluar thuajse një vit dhe skena politike ka pësuar ndryshime drastike. Është ndërruar Qeveria (tashmë në detyrë) dhe janë marrë masa të tjera restriktive në raport me pandeminë. Komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptianë jo vetëm që nuk kanë qenë prioritet i Qeverisë, por as pjesë e diskursit publik përgjatë këtyre muajve.
Pjesëtarë të këtyre komuniteteve përveç krizës shëndetësore, janë përballur edhe me gjendje të rënduar ekonomike. Të prekur nga varfëria e skajshme, e rënduar edhe më shumë në kohë të mbylljes totale, ata gjendjen shëndetësore të tyre u detyruan ta zhvendosin në plan të dytë e të fokusohen në mbijetesë. Shteti, përveçse me ndonjë ndihmesë të vogël me pako ushqimore dhe higjienike që ngjason në lëmoshë, nuk bëri më shumë. Trajtimi i tyre ishte tërësisht formal, kryhej në bazë të një protokolli të përgjithshëm dhe nuk ishte trajtim i veçantë, ashtu siç janë edhe kërkesat dhe nevojat e tyre.
Madje, që komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptianë nuk kishin një trajtim të veçantë dëshmon fakti se mekanizmat shtetërorë dhe institucionet shëndetësore nuk posedojnë të dhëna të sakta për numrin e të testuarve dhe të infektuarve nga këto komunitete.
Nxënësit dhe studentët e komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë u përballën me vështirësi të mëdha në ndjekjen e shkollimit online. Këtu ndikuan shumë faktorë, si: mungesa e pajisjeve të teknologjisë, mungesa e internetit nëpër shtëpitë e tyre apo edhe mosinformimi për shkollimin online.
Mosinformimi është një nga pikat thelbësore të problemit. Jo rrallë, pjesëtarët e komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë nuk janë të vetëdijshëm për të drejtat dhe beneficionet që atyre u takojnë, ngase ka një shkëputje të hallkave të komunikimit në mes tyre dhe institucioneve.
Të bindur se qeveria në detyrë e anashkaloi pandeminë dhe kujdesin për popullatën, duke kalkuluar politikisht në veprimet e marra, si dhe të shqetësuar nga disa premisa shqetësuese që i ka dhënë qeveria në ardhje në raport me pandeminë, ne shprehim indinjatën dhe shqetësimin tonë lidhur me këtë problematikë.
Gjithashtu, ftojmë institucionet relevante për kujdes më të afërt të të gjithë qytetarëve pa dallim në moshë, gjini, etni, përkatësi politike e me radhë. Secili qytetar i Republikës së Kosovës duhet të ndjehet i vlerësuar në shoqërinë tonë dhe se secili qytetar ka të drejtë ta gëzojë mbështetjen e shtetit të vet.
Si organizatë e shoqërisë civile, me fokus në krijimin e një shoqërie prosperuese e të prirë nga parimi i gjithëpërfshirjes dhe barazisë, ADMOVERE kërkon nga institucionet e vendit tonë një trajtim më meritor të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë dhe një ndihmë më të madhe të institucioneve të shtetit në përballjen e tyre me pandeminë e cila po vazhdon. / KultPlus.com
Sot në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, u mbajt promovimi i publikimit ‘Përfshirja e studentëve të komuniteteve jo shumicë në Universitetin e Prishtinës’, të botuar nga ADMOVERE dhe nën mbështetjen e KFOS. Një hulumtim ky i bërë nga Aulonë Memeti dhe Fitore Metbala, shkruan KultPlus.
Drejtoresha e organizatës Aulonë Memeti, njëherit bashkautore e hulumtimit, tregoi se raporti ofron një analizë të masave afirmative për studentët e komuniteteve jo-shumicë dhe efektin e tyre ndër vite. Më konkretisht, publikimi përfshin të dhëna të detajuara statistikore për numrin e vendeve të rezervuara, numrin e të pranuarve dhe numrin e të diplomuarve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, për secilin fakultet të UP-së, që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot.
‘Kuotat për studentët e komuniteteve jo-shumicë në UP janë zbatuar që nga viti 2004-2005, por tek në vitin 2016 është nxjerrë Udhëzimi Administrativ për aplikim të masave afirmative dhe vendeve të rezervuara për regjistrim të kandidatëve nga komunitetet jo shumicë në institucionet e publike të arsimit të lartë, sipas të cilit, kuota për përfshirje të studentëve të komuniteteve jo-shumicë është përcaktuar të jetë 12% nga numri i përgjithshëm i studentëve për pranim’, theksoi tutje Memeti.
Fitore Metbala, hulumtuese dhe bashkautore e raportit, poashtu tregoi se nga 11 dekanë të intervistuar, 10 kanë potencuar që dy vitet e fundit hyrja e kuotës prej 12% në numrin e përgjithshëm të paraparë të studentëve për pranim, ka shkaktuar problem, për shkak se vendet kanë mbetur të zbrazëta dhe kjo ka shkaktuar pakënaqësi, sidomos në fakultetet me konkurrencë më të madhe.
‘Nga gjetjet e hulumtimit, del se gjatë 12 viteve, që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, në UP asnjëherë nuk janë plotësuar vendet e rezervuara më shumë se 50%. Ky plotësim prej 50% ndodhë vetëm në Fakultetin e Mjekësisë, kurse fakultetet e tjera nuk i kanë plotësuar as 26% të vendeve të rezervuara për studentët e komuniteteve jo-shumicë’, potencoi tutje Metbala.
Ndërkaq, vlen të ceket se gjatë periudhës 2008-2020, në të gjitha fakultetet e UP-së janë paraparë 5 mijë e 372 vende për komunitetet jo-shumicë, vende që janë plotësuar vetëm 18.42%, pra me gjithsej 990 studentë të regjistruar nga komunitetet jo-shumicë.
‘Interesim më të madh studentët e komuniteteve jo-shumicë kanë shfaqur për Fakultetin e Mjekësisë, Filologjisë dhe Filozofisë. Ndërkaq, Fakulteti i Bujqësisë, Inxhinierisë Mekanike dhe Shkencave Matematike Natyrore janë fakultetet për të cilat ka më së paku interesim. Fakulteti i Filologjisë është fakulteti me numrin më të madhë të të diplomuarve, me një shkallë prej 72.72% e studentëve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë’, theksoi Metbala.
Në hulumtim poashtu u bë e ditur se studentët e komunitetit turk, prijnë me numrin më të madh të të diplomuarve në UP, me gjiithsejt 119 të diplomuar, komuniteti boshnjak me 92 të diplomuar dhe komunitetet romë dhe egjiptian me nga 9 të diplomuar secili.
Kurse kërkesat kryesore të dakanëve të 11 njësive akademike ishin: të lejohet plotësimi i vendeve të zbrazëta; të rishikohet Udhëzimi Administrativ 09/2016; të merren vendime të bashkërenduara lidhur me zbatimin e masave afirmative për vendet e rezervuara, procedurën e përmbushjes së tyre dhe përcaktimin e numrit të paraparë për studentë mes Universitetit, MASh-it dhe Agjencisë së Kosovës për Akreditim. / KultPlus.com
Nesër, më 16 dhjetor në orën 11:00, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, do të mbahet promovimi i publikimit ‘Përfshirja e studentëve të komuniteteve jo shumicë në Universitetin e Prishtinës’, të botuar nga ADMOVERE dhe nën mbështetjen e KFOS.
Raporti ofron një analizë të masave afirmative për studentët e komuniteteve jo-shumicë dhe efektin e tyre ndër vite.
Më konkretisht, publikimi përfshin të dhëna të detajuara statistikore për numrin e vendeve të rezervuara, numrin e të pranuarve dhe numrin e të diplomuarve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, për secilin fakultet të UP-së, që nga shpallja e Pavarësisë e deri më sot.
Disa nga pyetjet të cilave jemi munduar t’u japim përgjigje në këtë raport janë:
-Sa po përmbushet kuota për vendet e rezervuara në UP?
-Cilat janë fakultetet me interesimin më të madh të studentëve nga komunitetet jo-shumicë? Cilat janë fakultetet me numrin më të vogël të studentëve të pranuar nga komunitetet jo-shumicë?
-Cilat janë fakultetet me numrin më të madh të të diplomuarve në raport me numrin e të pranuarve?
-Cilat janë komunitetet me numrin më të madh të të pranuarve dhe të diplomuarve në fakultetet e ndryshme të UP-së?
-Çka mendojnë dekanët e UP-së lidhur me përcaktimin e kuotës (prej 12%) për vendet e rezervuara?
-A duhet të rritet pragu i kalueshmërisë për studentët e komuniteteve jo-shumicë.
Promovimi do të mbahet duke respektuar masat Anticovid. / KultPlus.com
Historia e shqiptarëve dhe e vendeve të tjera ballkanike është përfshirë në projektin e organizatës “Qendra për Demokraci dhe Pajtim në Evropën Juglindore”. E kaluara jonë në vëllimin prej 6 librave është shkruar nga historianët Frashër Demaj, Jusuf Bajraktari e Fehmi Rexhepi. Në anën tjetër, Shkëlzen Gashi kur ka lexuar këto tekste ka hasur në shtrembërime historike, me ç’rast analizat e tij, që kundërshtojnë po këtë shtrembërime, i ka përmbledhur në librin “Të damkosurit e Ballkanit”, promovimi i të cilit zuri vend në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.
Organizata me qendër në Selanik të Athinës me qëllim të dokumentimit historik dhe krijimit të paqes mes popujve ballkanas kishte nisur “Projektin e Historisë së Përbashkët” me gjithsej 6 vëllime të botuara, të cilat përfshijnë Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, Luftën e Ftohtë, kombet dhe shtetet në Evropën Juglindore, periudhën e Perandorisë Osmane si dhe luftërat ballkanike. Ndërkaq, Kosova në këtë projekt, u prezantua nga historianët Frashër Demaj, Jusuf Bajraktari dhe Fehmi Rexhepi.
Shkëlzen Gashi në verën e vitit të kaluar kishte lexuar librin e fundit të këtij projekti, atë në të cilin kalonin luftërat e fundit të Jugosllavisë. Kur kishte parë mënyrën se si ishte dokumentar historia, ai kishte reaguar duke publikuar analizën e tij në mediume të ndryshme. Përfaqësuesit e Ambasadës Zvicerane kur e kanë lexuar atë, kanë shprehur gatishmërinë për financim të analizave të Gashit për këto libra. Kësisoji kishte nisur rrugëtimi i publikimit të shkruar në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe, të quajtur “Të damkosurit e Ballkanit, Shqiptarët dhe Kosova në tekstet alternative gjithëballkanike të historisë”, e cila është realizuar nga “Admovere”.
Përgjatë prezantimit, moderatorja Aulonë Memeti deklaroi se ky publikim iu është dërguar Presidencës, Kryeparlamentares, Kyeministrisë, Ministrisë së punëve të jashtme, Komisionit për Arsim dhe Shkencë, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Institutit të Historisë dhe të Albanologjisë, kryetarëve të gjitha partive në Kosovë dhe institucioneve tjera të Shqipërisë. Publikimi ky, i cili iu kushtohet mikut të Gashit, Bekim Lumit.
Në kopertinën e librit është një fotografi të realizuar në nëntor të vitit 1912 te trekëndëshi në Prishtinë. “Fotografia është bërë prej një agjencioni francez, me shënimin “ushtarët serb duke korrektuar kryengritësit dhe keqbërësit në Prishtinë”, taman duken ushtarët serb duke i damkosur dhe stigmatizuar shqiptarët”, shprehet autori Gashi.
Shkëlzen Gashi tha se ka analizuar këto tekste duke pasur tre qëllime: të shoh se si janë paraqitur shqiptarët në to, ngjarjet më të rëndësishme të shqiptarëve dhe Kosovës dhe se cilat ngjarje nuk janë përfshirë dhe si do të duhej të paraqiteshin.
Në librin e parë i cila i kushtohet periudhës osmane, Gashi thekson se nuk janë të përfshira kryengritjet shqiptare kundër shtetit osman, specifikisht 25 vitet e rezistencës së Gjergj Kastriotit; kryengritjet e fundit që përfshijnë vitet 1878-1912, pozitat kyce si kryevezirë që 42 shqiptarë në këtë Perandori i kanë gëzuar, familjet e famshme si ato Tepelena, Bushatliu, Begolli, Kryeziu, Gjinoli.
“Këta autorë t’i nxjerrin sytë për Skënderbeun, Pjetër Bogdanin dhe të gjitha kryengritjet që kanë ndodhur gjatë Rilindjes Kombëtare 1878-1912 kur hartojnë tekste mësimore për nxënësit e shkollave fillore e të mesme në Kosovë. Por, kur shkojnë në Selanik nuk e prezantojnë asnjërën prej këtyre kryengitjeve”, u shpreh Gashi, duke përmendur Selanikun si vendin e botimit të librave.
Tutje ai shton se në këtë libër shqiptarët shihen si persona që s’e dinë ç’është dashuria, madje neveriten dhe i përbuzin gratë ndërkaq martohen sa për të pasur një sllave në shtëpitë e tyre. Në anën tjetër, gratë portretizohen si të paarsimuara, përdoren për bagëti, ndëshkohen me goditje dhe nuk dinë asnjë gjuhë tjetër pos shqipes.
“Gjëja më e rëndë te libri i parë për Perandorinë Osmane është se shqiptarët portretizohen si ushtarë me pagesë që iu kanë bashkuar ushtrive armike, për t’i plaçkitur provincat osmane, si njerëz që kanë bërë pasuri përmes fajdeve, që kanë krijuar ushtri private për kontroll politik në provinca”, theksoj Gashi.
Për librin e dytë “Kombet dhe shtetet në Evropën Juglindore”, Shkëlzen Gashi thotë se Rilindja Kombëtare është prezantuar jo mirë, madje sipas tij, edhe po t’iu lihej dokumentimi historianëve serb apo grek nuk do të dinin ta bënin më keq.
“Gjëja më e rëndë te ky libër është se nuk prezantohen askund krimet e vitit 1878-79 në Sanxhakun e Nishit. Ndërkaq mos prezantimi i këtyre krimeve është karakteristikë e këtyre gjashtë vëllimeve, me përjashtim të luftës së fundit por, edhe aty prezantohen në mënyrë sipërfaqësore, të pasaktë dhe tendencioze”, tha autori i “Të damkosurit e Ballkanit”.
Teksa të gjitha shtetet prezantohen në këtë libër me flamujt, stemat, himnet dhe shkrimet prej personaliteteve të rëndësishme shtetërore, Gashi thotë se për Kosovën këto mungojnë.
Librin e tretë të titulluar “Luftërat Ballkanike” Gashi e vlerëson si më të rëndin për të, për shkak të mos përfshirjes së krimeve të forcave serbe në periudhën 1912-1913 në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni Perëndimore.
“Është një tabelë ku prezantohen krimet ndaj bullgarëve, serbëve, malazezëve, turqve, të gjitha vendeve por, vetëm për shqiptarët nuk ka asgjë”, u shpreh Shkëlzen Gashi.
Ndërkaq në librin e katërt në të cilën shkruhet për periudhën e Luftës së Dytë Botërore nuk ka të shkruar asgjë për shqiptarët e Kosovës dhe Jugosllavinë përgjithësisht sipas Gashit.
“Lufta e Ftohtë” është libri i pestë me radhë, për të cilin Shkëlzen Gashi u shpreh se nuk përfshihet e ashtuquajtura “periudha e Rankovicit”.
“Nuk ka kurrgjë për dhunën e tmerrshme dhe terrorin e dy dekadave ndaj shqiptarëve civil e të pafajshëm, depërtimin e dhjetëra mijëra shqiptarëve për në territorin e Turqisë, konfiskimit të shumë pronave dhe maltretimit të shumë njerëzve”, theksoj Shkëlzen Gashi.
Një gabim tjetër i lëshuar sipas tij qëndron te prezantimi i demonstratave, ku në libër përmenden ato të vitit 1968 dhe 1981. Fotografitë të cilat janë të realizuara nga periudha ku protestat studentore bënë bujën e vet për thirrje mbarëpopullore, ato të vitit 81, në këtë libër etiketohen si të ishin të periudhës së vitit 1968.
“Këto tekste janë të shkruara prej historianëve që janë jo veç anti-Kosovë por, edhe anti-NATO. Kur prezantohet lufta në Kosovë gjatë viteve 98-99 ilustrohet me fotografi të bombardimeve të NATO-së, shkatërrimit të urave dhe objekteve nëpër territorin e Serbisë, mirëpo nuk ka asnjë fotografi për shkatërrimet e 120.000 shtëpive në territorin e Kosovës, e shkatërrimit të 232 xhamive, për shtëpitë tradicionale dhe momunentet e tjera të rëndësishme”, theksoj autori i publikimit “Të damkosurit e Ballkanit”.
Një mungesë tjetër e vërejtur nga ana e tij qëndron në kapitullin ku përkujtohet e kaluara, e në të cilën nuk janë fotografi të masakrave të Kosovës. Përkundrazi, aty prezente janë fotografi të dy monumenteve në Beograd, njëra është një monument për 16 punëtorë të Radio Televizionit të Serbisë dhe tjetra është një memorial në parkun e qytetit të Beogradit, për Milica Rakiq, një fëmijë 4 vjecar, të dy këto grupe të vrara përgjatë 78 ditëve të bombardimeve të NATO-së.
Ai i kritikoi edhe fotografitë e përfshira në libra, ku përderisa refugjatët kosovarë në Maqedoni ose Shqipëri shfaqen në pamje prej më së shumëti 40 personash, serbët shfaqen me qindra e mijëra refugjatë.
Gashi për fund theksoj se këto libra ndoshta nuk do të përdoren në Kosovë, mirëpo në vendet e Ballkanit ku mësimdhënësit do të mund të ligjërojnë me to si literaturë alternative, do të bëhet keqinterpretimi i historisë së kombit tonë.
Ai rekomandoi që institucionet e Kosovës të cilat tanimë veçse i kanë këto tekste të reagojnë sa më parë dhe të angazhojnë historianë ndërkombëtarë të cilët do të ndërhyjnë në vendet e duhura me ndryshimet e nevojshme.
Përvec Shkëlzen Gashit, për këto gjashtë vepra ka reaguar edhe historianja Emine Bakalli Arifi në vitin 2006 nëpërmjet një publikimi në një revistë dhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja. / KultPlus.com
Nesër promovohet publikimi “Të Damkosurit e Ballkanit – Shqiptarët dhe Kosova në tekstet alternative gjithëballkanike të historisë”, botuar nga ADMOVERE, me mbështetje nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë.
Në këtë publikim janë analizuar gjashtë vëllimet e OJQ “Center for Democracy and Reconciliation in Southeast Europe (CDRSEE)”, me seli në Selanik, të titulluara: 1. Perandoria Osmane; 2. Kombet dhe Shtetet në Europën Juglindore; 3. Luftërat Ballkanike; 4. Lufta e Dytë Botërore; 5. Lufta e Ftohtë (1944-1990), si dhe 6. Luftërat, Ndarjet dhe Integrimi (1990-2008).
Në këto vëllime të CDRSEE-së shumë ngjarje tejet të rëndësishme të historisë së Kosovës nuk figurojnë fare, e shumë ngjarje paraqiten në mënyrë sipërfaqësore, jokorrekte, të pasaktë, të njëanshme, e ndonjëherë edhe fyese, sa të krijohet përshtypja se pjesët për shqiptarët dhe Kosovën do t’i kenë hartuar historianë të indoktrinuar me nacionalizëm serb. Mënyra si paraqitet historia e Kosovës në këto publikime nuk i kontribuon aspak misionit të pretenduar të CDRSEE-së për tejkalimin e trashëgimisë së dhimbshme të të kaluarës dhe pajtimin afatgjatë mes popujve ballkanikë dhe se mënyra e prezantimit të historisë së Kosovës duhet të ndryshojë urgjentisht.
Promovimi mbahet më 22 tetor 2020 (e enjte) në orën 11:00 në hapësirat e KultPlus Caffe Gallery në adresën: rruga Isa Boletini, Soliteri 3/2-1, te Fontana në Ulpianë. / KultPlus.com
Sot në zyret e ADMOVERE-S është mbajtur promovimi i raportit ‘Sfidat e Komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë gjatë pandemisë Covid19’, synimi i të cilit ka të bëjë me identifikimin dhe analizën e masave të ndërmarra nga institucionet qendrore dhe lokale të Qeverisë së Kosovës, me theks te komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian, për parandalimin dhe menaxhimin e pandemisë Covid-19, shkruan KultPlus.
Promovimin e hapi hulumtuesja e këtij projekti, Aulonë Mehmeti, e cila falenderoi mediat për praninë e tyre, duke sqaruar se këtë raport kanë zgjedhur ta promovojnë vetëm në praninë e mediave pasiqë pandemia e pamundëson që ky promovim të bëhet me publik më të gjerë.
Hulumtimi ka zënë vend në tre komuna, atë të Ferizajit, Lipjanit dhe Fushë Kosovës. Qëllimi i këtij hulumtimi sipas dy hulumtuesëve, Aulonë Mehmeti dhe Durim Jasharaj, ka qenë identifikimi dhe shqyrtimi i masave të ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me theks tek komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian, për parandalimin dhe menagjimin e pandemisë Covid19.
Aulonë Mehmeti tregoi se për këtë hulumtim kanë analizuar të gjitha vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrië së Arsimit dhe Shkencës si dhe Ministrisë së Financave, duke kërkuar qasje në dokumente dhe të dhëna publike nga këto institucione, ku poashtu kanë përcjellur edhe raportimet e mediave dhe të portaleve kryesore në lidhje me pandeminë.
‘Kufizimi kryesor i kësaj pjese të hulumtimit ka qenë mospërgjigja e ministrive në kërkesat tona’, tregon Aulonë Mehmeti.
Arsimimi, punësimi, mirëqenia, përkujdsi shëndetësor dhe strehimi, ishin këto pikat kyqe tek të cilat ishin fokusuar hulumtuesit e këtij raporti. Ku sipas tyre, secila prej këtyre pikave lë shumë për të dëshiruar.
Ky hulumtim kishte arritur në 21 përfundime, ku disa prej tyre i përmendi Durim Jasharaj, bashkëhulumtues në raport
-Deri më 1 qershor numri i të testuarëve për Covid19 në Republikën e Kosovës është 14.968, i të vdekurve 30, i të shëruarëve 837 dhe i rasteve aktive më virusin.
-Nga gjithsej 27 vendime të Qeverisë së Kosovës për menaxhimin e pandemisë Covid19, vetëm njëri vendim lidhet me komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian.
-Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk kanë të dhëna mbi përhapjen dhe menaxhimin e pandemisë Covid19 të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.
-Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk i ka pasur parasysh nevojat e nxënësve të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian kur e ka filluar organizimin e mësimit nga distanca. Mungesa e qasjes në internet dhe mungesa e pajisjeve teknologjike (laptop, tabletë) ka ndikuar në pjesëmarrjen e ulët në procesin edukativo-arsimor të nxënësëve nga këto komunitete.
-Në komunën e Ferizajit, nga 828 nxënës të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian 425 ose 51% nuk e kanë ndjekur mësimin nga distanca. Nga gjithsej 1500 nxënës që nuk e kanë ndjekur procesin mësimor, 28% janë nxënës nga radhët e komuniteteve. Në asnjërin nga nivelet e arsimimit nuk ka ndonjë mësimdhënës të rregullt nga radhët e komuniteteve. Janë vetëm tre mësimdhënës të angazhuar në mësimin shtesë.
-Në komunën e Lipjanit, nga 411 nxënës të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, në nivelin fillor dhe të mesëm, mësimin nuk e kanë ndjekur 115 ose 26%, ndërsa në nivelin e mesëm të lartë, nga 30 nxënës, mëimin nuk e kanë ndjekur 19 ose 63% e tyre.
-Në komunën e Fushë Kosovës, mësimi në distancë është zhvilluar në të gjitha shkollat, që nga data 23 mars 2020. Mirëpo, pjesëmarrja në mësimin online e personelit shkollor, e as ajo e nxënësëve nga radhët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian nuk është prezantuar numërikisht.
Ky raport u përkrah nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur dhe u botua nga ADMOVERE. / KultPlus.com
Nesër duke filluar nga ora 11:00, në zyret e ADMOVERE-s, do të mbahet promovimi i raportit ‘Sfidat e Komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë gjatë pandemisë Covid19’, njofton KultPlus.
Raporti synon t’i identifikojë dhe analizojë masat e ndërmarra nga institucionet qendrore dhe lokale të Qeverisë së Kosovës, me theks te komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian, për parandalimin dhe menaxhimin e pandemisë Covid-19. Po ashtu, raporti ka për qëllim të shqyrtojë zbatimin dhe ndikimin e këtyre masave te këto komunitete.
”Ndërkaq disa nga pyetjet të cilave jemi munduar t’u japim përgjigje në këtë raport janë:
-Sa është numri total i të testuarve, i të vdekurve, i të shëruarve dhe i rasteve aktive me Covid-19 në nivel vendi deri më 1 qershor 2020?
-Sa është numri i të testuarve, i të vdekurve, i të shëruarve dhe i rasteve aktive me Covid-19 nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë?
-Sa prej vendimeve të Qeverisë së Kosovës për menxhimin e pandemisë Covid-19 lidhen me komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptianë?
-Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, sa është përhapja e pandemisë te komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptianë?
-Si ka shkuar mbarëvajtja e procesit mësimor në Komunën e Ferizajt, Lipjanit dhe Fushë Kosovës?
-Sa është përqindja e vijueshmërisë së nxënësve të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë në këto tri komuna?
-Sa është numri i të regjistruarve si të papunë gjatë muajit prill (pas fillimit të zbatimit të Pakos Emergjente Fiskale)? Sa prej tyre janë pjesëtarë të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian?
-Sa ëhtë numri i arrestimeve, shoqërimeve në polici dhe gjobave gjatë periudhës së pandemisë Covid19? Sa prej tyre janë pjesëtarë të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian?’, thuhet në njoftimin e ADMOVERE-S.
ADMOVERE, si organizatë joqeveritare angazhohet për ndërtimin e një shoqërie demokratike, promovimin e tolerancës e bashkëjetesës dhe luftimin e paragjykimeve; dialogun mes komuniteteve të ndara për t’i tejkaluar mosmarrëveshjet, si dhe promovimin e praktikave të mira për drejtësi dhe pajtim. Fushat kryesore të organizatës janë të drejtat e njeriut, me theks të veçantë te drejtësia transicionale, edukimi dhe ndërtimi i paqes. / KultPlus.com
Do të bëhet promovimi i raportit “Profesorët përballë ligjit”, të publikuar nga ADMOVERE. Në këtë raport, mes tjerash, do të publikohen aktakuzat dhe kallëzimet penale, në të cilat janë të përfshirë pjesëtarë të stafit akademik të Universitetit të Prishtinës.
Organizatorët bëjnë të ditur se promovimi mbahet më 21 qershor 2019, e premte, në orën 11:00 në Qendrën Informative Kulturore të BE-së (EUICC) në Prishtinë, që gjendet në rrugën e UÇK-së nr. 90, ish ProCredit Bank (përballë komunës së vjetër)./KultPlus.com
Në vitin 2006 Zeqir Veselaj kërkon nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) që t’ia nostrifikojë doktoraturën e mbrojtur më 2005 në Universitetin e Tiranës me titull «Mycoflora në disa masive pyjore të Kosovës». MAShT-i kërkon vlerësimin e një komisioni për këtë doktoraturë. Komisioni i krijuar nga profesorë të Departamentit të Biologjisë të Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore në UP konstaton në raportin e lëshuar se doktoratura e Veselajt, «përmban gjëra që nuk janë rezultat i punës së kandidatit», «ka shumë përshkrime dhe kopjime» dhe se «kapitujt ku bëhet fjalë mbi […] njohuri për vegjetacionin, kandidati i merr tërësisht nga dr. Ferat Rexhepi». Megjithëkëtë, MAShT-i e nostrifikon diplomën e Veselajt. Gjetjet për plagjiaturë të këtij raporti bëhen publike nga «Zëri» vetëm më 2015, kur Veselaj emërohet anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së. Veselaj i paraqet ankesë Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) kundër raportimit mediatik me pretendimin se i është dëmtuar rëndë personaliteti. KMShK, pasi siguron një kopje të raportit të ekspertëve të FShMN-së, vendos se nuk ka shkelje të Kodit të Mediave të Shkruara. Veselaj ligjëron në Fakultetin e Edukimit në UP që nga viti 2007, madje më 2011 avancohet në profesor të asocuar dhe ligjëron në nivelet Bachelor dhe Master.
—–
ADMOVERE ka përmbledhë të gjitha rastet e plagjiaturave të pjesëtarëve të stafit akademik të UP-së, për të cilat është raportuar në media përgjatë viteve, që nga vetë themelimi i UP-së. Nga gjithsejt 16 pjesëtarë të stafit akademik të UP-së të cilëve u janë shpalosur plagjiaturat në media, shumica nuk kanë reaguar asnjëherë ndaj akuzave. Prej këtyre 16 rasteve, vetëm tre janë suspenduar nga procesi mësimor, mirëpo që të tre më pas janë kthyer. Vetëm njërit – që nuk ka qenë mësimdhënës i rregullt, por i angazhuar – i është ndërprerë kontrata e punës. Pra, edhe kur zbulimet e plagjiaturave të pjesëtarëve të stafit akademik janë publikuar nëpër media, plagjiatorët jo veç që nuk kanë dhënë dorëheqje, por në shumicën dërrmuese të rasteve, as që u janë nënshtruar masave. Në ato pak raste kur ndonjë masë është ndërmarrë, ajo është shfuqizuar më pas.