Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu ka pritur sot në takim të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Australisë në Kroaci, përgjegjës për Kosovë, Adrea Biggi.
Marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve, Presidentja Osmani i ka vlerësuar të shkëlqyeshme dhe në këtë kontekst, ka veçuar mbështetjen e Australisë ndaj Kosovës në rrugën për liri dhe pavarësi, shtet-ndërtim dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar.
Zyra e Presidencës ka njoftuar se Osmani në këtë takim ka thënë se shteti i tij ka kontribuuar edhe gjatë luftës në Kosovë, duke strehuar refugjatët kosovarë, për të cilën gjë ka falënderuar Biggi. Gjithashtu, ajo ka kërkuar që mbështetja e Australisë për Kosovën të vazhdojë edhe më tej, në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, por edhe në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Tutje, sipas presidencës, njoftohet se të dy palët kanë diskutuar edhe për rëndësinë e agjendës së gjelbër, për të cilën gjë Osmani ka theksuar se është ndër objektivat e saj prioritarë, së bashku edhe me forcimin e rolit të gruas në shoqërinë kosovare, si dhe mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta. /KultPlus.com