E ofendoi Vjosa Osmanin, Këshilli i Etikës merr vendim për Ardian Kastratin

Këshilli i Etikës ka marrë një vendim për profesorin Ardian Kastrati i cili e kishte fyer presidenten Vjosa Osmani menjëherë pasi ajo mori postin e të parës së shtetit. Me këtë vendim, Kastratit i mohohet që të jetë pjesë e komisioneve vlerësuese dhe në mentorim.

Për tri vitet e ardhshme deputeti Ardian Kastrati, nuk do të marrë pjesë në komisionet vlerësuese të Universitetit të Prishtinës.

E për dy vite, do t’i ndalohet që të përfshihet në mentorim të të gjitha niveleve.

Ky është vendimi i Këshillit të Etikës, për Kastratin i cili ditën e zgjedhjes së presidentes Vjosa Osmani, bëri një postim që ngjalli reagime.

Mirëpo në vendimin e Këshillit, thuhet se pozitat shtesë nuk janë privilegje, por përkundrazi duhet të deklarohet me përgjegjësi më të madhe.

Kësisoj pas shqyrtimit, Këshilli i Etikës ka konstatuar që një postim i tillë përbën përbuzje dhe nënvlerësim.

Madje Këshilli i Etikës, në vendimin e tij thekson se largimi i postimit nga ana e Kastratit ka qenë i vonuar.

Ky organ ka thënë që rrethanë rënduese është edhe fakti që Kastrati nuk kishte kërkuar falje të sinqertë dhe bindëse.

Mirëpo shoqëria civile përmes protestës, kishte kërkuar largimin e Kastratit nga stafi akademik.

Prandaj Trina Binaku nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist thotë se kundërshtojnë këtë vendim.

Sipas Binakut, për të kundërshtuar këtë vendim mund të organizohet edhe protestë para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.

Ndërsa deputeti Ardian Kastrati, gjatë së martes nuk e ka komentuar këtë vendim për televizionin T7./gazetaexpress/KultPlus.com

Protestohet për shkarkimin e Adrian Kastratit: Seksizmi nuk do të financohet nga taksat tona

“Seksizmi nuk do të financohet nga taksat tona”, “Gjuha seksiste është urrejtje”, “Seksistat jashtë”, “Universiteti për studim. Trupi im s’është turpi im”, ishin këto vetëm disa nga thirrjet që u bënë sot në protestën e mbajtur para rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku po kërkohej shkarkimi i profesorit Ardian Kastrati, shkruan KultPlus.

Ishte Liridona Sijarinës nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore që mbrëmë përmes një statusi në Facebook bëri thirrje për protestë e secilës sot ju bashkuan një numër i konsiderueshëm i njerëzve.

Përmes kësaj proteste e cila erdhi si pasojë e kundërshtimit të gjuhës së urrejtjes dhe seksizmit që profesori i UP-së përdori ndje në një status në Facebook, pa zgjedhjes së Vjosa Osmanit, presidente të Republikës së Kosovës, po kërkohej edhe përjashtimi i tij nga Universiteti i Prishtinës.

Në këtë protestë u shpalosën tri kërkesa kryesore të cilat nëse nuk do të miratohen, atëherë u paralajmërua se do të zhvillohet një protestë tjetër.

Kërkesat përfshinin: Përjashtimin e Ardian Kastratit nga stafi akademik. Një inicim të menjëhershëm rast-dhënë nga rektori i UP-së ndaj Këshillit të Etikës lidhur me deklaratën dhe kërkimin për përjashtimin e Kastratit për shkeljen e kodit të etikës dhe promovimin e gjuhës së urrejtjes. Andaj, Rektori duhet që menjëherë të themelojë një komision drejtues i cili do ta hetojë procesin e punësimit të Adrian Kastratit në stafin akademik. Kërkesa nga Ministri i Arsimit i cili duhet të shkarkojë këshillin drejtues të UP-së për zvarritjen 3 vjeçare të miratimit të rregullores dhe për parandalimin e mbrojtjes nga ngacmimet seksuale dhe Miratimin e rregullores për parandalim dhe mbrojtjen nga ngacmimet seksuale ashtu siç është dorëzuar nga grupi punues, nga Këshilli apo Rektorati deri të premten.

“Mbrëmë deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe profesori universitar Ardian Kastrati, bëri një deklaratë seksiste dhe fyese ndaj presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu. Ai e komentoi në mënyrë fyese dhe ofenduese pamjen fizike të saj. Kjo deklaratë e cila është cilësuar si satirike, assesi nuk është satirike prandaj një qasje e tillë nuk guxon assesi të lexohet si gabim, i cili mund të administrohet dhe të tejkalohet si rast i izoluar. Por duhet lexuar si një mundësi e shkarkuar e cila është krejtësisht patriarkale”, tha Liridona Sijarinës nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore.

Sipas saj, të gjithë janë dëshmitarë që kjo mundësi është dominante ndaj personave të tillë, kryesisht burrave të cilët vazhdojnë ti konsiderojnë gratë thjesht si objekte duke e cenuar kështu integritetin e tyre. Kjo gjuhë e cila prodhon gjuhë të urrejtjes është një ndër shkaktarët kryesorë të nënshtrimit të grave, dhunës dhe vrasjes së tyre. E kur kjo bëhet nga personat publikë e aq më shumë personave universitar, kjo është e patolerueshme dhe duhet të dënohet.

Duke e ndëshkuar fuqishëm këtë mendësi të shpërfaqur nga Kastrati, Sijarina së bashku me protestuesit e po ashtu edhe aktivistin Rron Gjinovci deklaruan se do të qëndrojnë pas kërkesave deri në plotësimin e tyre.

“Seksistët nuk duhet të paguhen nga taksat tona prandaj duhet tu përdorim të gjitha mjetet tona demokratike për luftimin e patriarkalit brenda institucioneve publike dhe krijimin e mjediseve të sigurta dhe të drejta për secilin nga ne”, përfundon Sijarina.

Pas kësaj deklarate u kërkua edhe shpërndarja e protestuesve për shkak të rrethanave pandemike, por që qëllimi i tyre do të vazhdojë përpara. / KultPlus.com