Me një imazh të këndshëm (një shitës që bën pambuk sheqeri, qetësisht këndon një muzikë të lehtë turke), ka nisur mbrëmë premiera e shfaqjes “Të gjashtët kundër Turqisë”, me regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt. Shfaqja e shkruar nga Jeton Neziraj, ka prekur një temë të ndjeshme, por tejet të domosdoshme për të dalë në pah e vërteta të cilën shpesh, asnjeri nga ne nuk dëshirojmë ta shohim e as ta dëgjojmë, shkruan KultPlus.
Ora shënoi fiks 20:17, kur të pranishmit tashmë veçse kishin mbushur hapësirën e Teatrit Oda, qosh më qosh. Zhurmimet e audiencës para nisjes tregonin një faktor kyç për interesimin që kishin për të parë këtë shfaqje. Loja nisi me një muzikë të qetë turke dhe imazhi i skenës na tregonte për krijimin e pambuk sheqerit dikund në një rrugicë të vogël, me një simbol të flamurit turk mu në krye. Por, shpejtë kalon në diçka tjetër. Shfaqja krijon një shfaqje brenda saj, më saktësisht, një “skenë” të improvizuar me emrin ‘Gerçek tiyatrosu’, që nëpërmjet një flamuri me dimensione të mëdha, shfaq dy kukulla që ironizonin me degradimin e demokracisë dhe ngritjen e regjimeve populiste-nacionaliste dhe autoritarizmit në Evropë, nëpërmjet personazheve si: Hoxha efendi dhe Tayip efendi. Ato lëviznin nën hije, njëlloj sikurse edhe pushteti që është në dorë të pushtetarëve të tanishëm të botës.
Skenografia e krijuar nga Alice Vanini i ka dhënë shfaqjes një estetikë të përmbushur mirë. Reflektorët e mëdha në të dy anët ndërronin ngjyrat në secilën skenë dhe çdo herë arrinin të krijonin një intensitet të paparë për ta dramatizuar më mirë shfaqjen, kësisoj edhe dalloheshin edhe atmosferat e ndryshme të skenave të ndryshme përbrenda.
Në shfaqje luajnë: Adrian Morina, Ernest Malazogu, Shpëtim Selmani, Verona Koxha, Albina Krasniqi dhe Don Shala. Qysh në fillim ata prezantojnë personazhet e tyre dhe tregojnë se marrin përgjegjësi vetëm për talentin e derdhur mbi atë skenë. “Ne marrim përgjegjësi për mundin, djersën, talentin që e derdhim në këtë skenë, madje edhe për këtë botë që tatëpjetën e ka marr. Por, refuzojmë të asocohemi prej skenave që do i shihni në vazhdim, që kanë ndodhur në realitet, jo shumë kohë më parë në Turqi, Pensilvani e Kosovë.”
Në vitin 2018, gjashtë mësues turq u arrestuan në Kosovë dhe u deportuan në Turqi. Lejeqëndrimet e tyre të lëshuara nga shteti i Kosovës u revokuan mbi argumentin se ata gjoja përbënin rrezik për sigurinë kombëtare. Gjashtë burrat kërkoheshin në Turqi për shkak të gjoja lidhjeve të tyre me klerikun në ekzil Fetullah Gulen, lëvizja e të cilit fajësohej nga shteti turk për grusht shtetin e dështuar të vitit 2016. Dhjetëra e mijëra mbështetës të dyshuar të Gulenit janë arrestuar apo kanë humbur vendet e tyre të punës në Turqi që nga grusht shteti i dështuar. Shumica janë deklaruar të pafajshëm. Guleni e ka mohuar se ai dhe mbështetësit e tij janë prapa përpjekjes për rrëzimin e qeverisë së Erdoganit.
Ndjeshmëria e kësaj çështjeje në Turqi nënkupton se edhe rrugëtimi deri tek procesi i provave nuk ka qenë i lehtë. Këtë e tregojnë edhe vetë aktorët, të cilët shpalosën se dy aktorë turk janë përzgjedhur nga thirrja e hapur specifikisht për këtë shfaqje, mirëpo ata menjëherë hoqën dorë nga frika e pushtetit të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, për të cilin konsiderohet që ka një ideologji shtypëse.
“Të gjashtët kundër Turqisë” vazhdimisht ka shtruar pyetje për shoqëritë me pikëpamje specifike të cilat dështojnë të mbajnë premtime dhe për politikanët të cilët gjithnjë duan që të krijojnë pushtetin nën vazhdën e ideologjisë shtypëse. Por, shfaqja kalon edhe përtej kufijve, nëpërmjet skenave nga të cilat kërkohet llogari për regjimet shtypëse të pushtetarëve të tjerë të botës.
“Kushdo që flet për korrupsion, quhen/bëhen të burgosur politik”, “Në Turqi ka më shumë të burgosur politik se në Iran e Kinë”, “Turqia antidemokratike, e korrupsionit dhe e krimit”, janë disa nga mesazhet që epen në shfaqje, nëpërmjet lojës aktoreske të mrekullueshme. Në anën tjetër, “Nuk ka forcë që mund të na gjunjëzojë”, thotë personazhi i Tayip efendisë, i cili tenton të portretizojë më së miri luksin, mendësinë dhe çnjerëzimin e presidentit aktual të Turqisë.
Mes elementeve të shumta që ndonjëherë vinin jo të “ngjitura” mirë, më interesant qe ai i hologramit nga i cili fliste personazhi i Hoxha efendisë. Po ashtu, prania e bomave, armëve, koncepti i “nëntë jetëve”, moskallja e flamurit turk në skenë dhe dronit lëvizës e “mbikëqyrës”, tregonin shumë për prapaskenat e vijës së bardhë e të zezë, prapa të cilave fshihen pushtetarët e botës.
Po ashtu, koreografia nga Gjergj Prevazi dhe muzika nga Gabriele Marangoni, kanë shtuar një sharm të dukshëm në shfaqje. Vallëzimi i valles rrotulluese të figurës së dervishëve (sufistë të njohur në kulturën turke e jo vetëm), bukur ka plotësuar shfaqjen. E njëjta, ndodhi edhe në skenat e fundit ku mjegulla u bë pjesë e pandashme e hapësirës, që njëkohësisht portretizonte një mjegull që ka hyrë në mendësinë tonë, për t’i mbyllur sytë ndaj padrejtësive.
Si mace rruge janë konsideruar ata që frikën e kanë në palcë. Me këtë shfaqje, aktorët janë bërë zëri i atyre që nuk kanë zë, i atyre që janë të fshehur kudo në botë. Ata nuk mund të flasin sepse nuk kanë të drejta, mirëpo kjo shfaqje vjen si britmë për shpirtin e tyre. Pra, teatri është zhurma që këta aktorë e kanë krijuar për ta mposhtur atë frikë.
Gjithashtu, shfaqja vjen e frymëzuar nga tragjedia “Të shtatët kundër Tebës” e Eskilit, që për temë themelore ka momentin e duelit vëllavrasës mes dy djemve të Edipit, Eteoklit dhe Polinikut. Kolektivi ndërkombëtar teatror me artistë/e nga Kosova, Turqia dhe vende të tjera të BE-së, ka kapërthyer një temë të zorshme e cila zgjoi pikëpyetje të shumta përgjatë dy orëve interpretim.
Që nga ardhja në pushtet në vitin 2002, Recep Tayyip Erdogan ka mbikëqyrur një transformim radikal të Turqisë, që i ka hapur udhë një udhëheqjeje nga një njeri i vetëm. Sipas Institutit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore, numri i shteteve që po lëvizin kah autoritarizmi është më shumë se dyfishi i atyre që po lëvizin kah demokracia dhe se regjimet autoritare në botë e kanë thelluar shtypjen e tyre.
Aktori Adrian Morina për KultPlus ka folur për sfidat politike, mesazhin kyç e deri tek arritja e finalizimit të shfaqjes që ai beson se do të prezantohet edhe ndërkombëtarisht.
“”Të gjashtët kundër Turqisë”, është një vazhdimësi e shfaqjeve që i përkasin teatrit politik. Qendra Multimedia përveç pjesës së prodhimit të shfaqjeve, në vazhdimësi ka qenë e angazhuar në artikulimin e temave që njerëzit, artistët, nuk kanë guxim ose “nuk duan” të merren me to. Të vetëdijshëm për gjithë çfarë po ndodhë rreth nesh ose edhe me ne, ku çdo ditë e më tepër, liria e të drejtat elementare po na uzurpohen, nuk guxojmë të mos flasim e mos të reagojmë. Nëse jo ne? Atëherë kush?…Prandaj edhe si qytetar por edhe si aktor kam kënaqësi kur angazhohem në projekte si ky i fundit. Ka qenë një proces i gjatë, me shumë sfida edhe politike gjatë rrugës, me kolegë aktor turq që pavullnetshëm u desh të hiqnin dorë nga shfaqja për çështje sigurie, por besoj se ia kemi dalë të realizojmë një shfaqje të mirë. Besoj se shfaqja jo vetëm për shkak të temës por edhe për estetikën që ka, do të ketë jetë të gjatë dhe do të ketë mundësi të prezantohet edhe ndërkombëtarisht.”
Reprizat e radhës të shfaqjes “Të gjashtët kundër Turqisë” janë me 17 dhe 18 tetor, po në teatrin “Oda” në Prishtinë.
Akotrët si: Adrian Morina, Gresa Pallaska, Shkelzen Veseli, Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Ilire Vinca, Semira Latifi, Faris Berisha, Ermal Sadiku, Tristan Halilaj, Flaka Latifi, Fiona Abdullahu, Basri Lushtaku, Shpejtim Kastrati, Ismet Azemi dhe Yzeir Meha, mbrëmë mjeshtërisht kanë jetësuar premierën e shfaqjes “Makbethi” që erdhi nën regjinë fenomenale të Qëndrim Rijanit. Përshtypja se Shekspiri ishte ringjallë e po jepte në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, një pasqyrë moderne të veprës, ishte diçka që s’mund ta hiqje dot prej mendjes, shkruan KultPlus.
Të pranishmit me padurim po hynin brenda për të zënë vendet e tyre përkatëse në sallë. E gjitha kjo për të parë një ndër kryeveprat e letërsisë botërore, të vënë në skenë. Ajo që fillimisht zuri vëmendjen e tyre, padyshim që ishte skena e mahnitshme krijuar nga Valentin Sfetozarev që përpara syve dukej gjigante, frymëmarrëse dhe aq e bukur saqë të jepte emocionin se tashmë e gjithë salla është pjesë e shfaqjes. Ashtu edhe ishte, duke marr parasysh ndërlidhjet komunikative që aktorët bënin me publikun.
Në pozicionin e tyre përkatës, aktorët pritnin sinjalin për të vazhduar. Loja nisi fiks në orën 20:20, dhe tri magjistricat ishin të parat në qendër. Prapa tyre, pesë pasqyrat e mëdha e rritnin intensitetin e emocioneve, duke krijuar një rrebesh me drita që lëviznin pa ndalë. Ato po tregonin për një profeci. Parashikonin fatin e Makbethit (një gjeneral në ushtrinë e mbretit të Skocisë), dhe i tregojnë se një ditë ai do të bëhet mbret. Pas këtij parashikimi ai nuk resht se menduari se një ditë do të bëhet mbreti i Skocisë. “Ai humb, Makbethi fiton”, qe një ndër thëniet që përsëritej në shfaqje dhe kjo për të kuptuar botën e brendshme të rolit kryesor.
Një luftë e përgjakshme për pushtet, është krejt ajo se çfarë fshihet edhe prapa zonjës Makbeth, e cila shpërfaq një ambicie të paparë për gjak, luftë dhe ligësi. Me një gjakftohtësi që i shihej edhe në linjat e fytyrës, ajo bind Makbethin për vrasjen e mbretit. Ndjenja e fajit, është ajo që pushton zemrën e tij, por shumë shpejtë, e keqja triumfon mbi të mirën. Në një festë të organizuar në shtëpinë e Makbethit, të ftuarit (Mbreti, dy djemtë e tij, tri magjistricat, Bankoja, Makdafi, zonja Makbeth) po pinin verë, dhe kur ora shënoi 00:00, aty u dallua tensioni në atmosferë. Muzika e kompozuar nga Trimor Dhomi, si dhe prezenca në skenë e orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, ishin pjesë kyçe të shfaqjes. Drithërimat, klithmat, bisedat, pendimet, vrasjet dhe mendimet e personazheve, nuk do të kishin efektin e njëjtë pa pjesëmarrjen e tyre.
Kukuvajka, në distancë po lëshonte zë. Vrasja e mbretit u krye nga dy duart e Makbethit, i cili shumë shpejtë hyn në iluzione që i shfaqen në mendjen e tij. E lan fytyrën nga vepra e ndyrë që ka bërë, brenda një uji (gjaku) në ngjyrë të kaltër i cili vazhdon të rrjedhë në skenë, e bashkë me të edhe rrjedha e shfaqjes tutje. Qeshma, si simbol i vazhdimësisë së ngjarjeve gjakatare, qon përpara ndjenjën e pendesës. Për t’i larë duart, i ndihmon edhe zonja Makbeth, bashkëpunëtorja e tij në krim. “Fama, nderi, vdiq”, thotë Makbethi, por prapëseprapë ai vesh kostumin e mbretit dhe vendosë kurorën.
Të gjithë dyshojnë fillimisht për dy djemtë e mbretit të vdekur, por ata ikin në Angli pas vdekjes së të atit. Ikja, nënkuptonte potencialisht një krim të kryer, ashtu edhe besohej për një kohë. Ngjarja vazhdon me një festë tjetër të hedhur për mbretin e ri, Makbeth. Por kurora që ka në kokë, i duket e palavdishme, pasi që ai nuk ka trashëgimtar. Nuk arrin të jetë i lumtur sepse këtë gjë e pengon ndërgjegjja e tij e cila nuk e lë të qetë nga ndjenja e fajit. Vegimet fillojnë të hyjnë në mendjen e tij si gjarpërinjtë dinakë, por kjo nuk e ndalon që ai të kryejë edhe vrasjen e shokut të tij, Bankos, dhe gjithë familjes së tij. Etja për pushtet është aq e madhe, saqë merr formë në tërësi. Ka gjak gjithandej, gjak në tokë, në gojë, në mendime dhe në akte.
Fuqia për pushtet të gjithanshëm nuk mbaron me kaq. Ai urdhëron vrasjen e familjes së Makdafit. Vrasjet kryhen në një mënyrë mizore por vizualizisht të përgatitur mjeshtërisht për sytë e publikut. Në një xham lëvizës të mbushur me gjakun e kuq të armiqve të Makbethit, bëhet edhe vrasja e djalit të Makdafit, fryma e së cilit mbaron nën ujë, e njëkohësisht me të, vdes edhe nëna që e përjetoi vdekjen e të djalit. Tashmë, qeshma me ngjyrë (gjak) të kaltër, mbushur me ndjenjën e pendesës së parë, ka mbaruar. Tani, qeshma e dytë fillon të zbrazë gjakun e kuq dhe të njomë të vrasjeve të pamëshirshme, në skenën e TKK-së, duke simbolizuar edhe arritjen e pjesës finale të shfaqjes.
Makdafi me të kuptuar vrasjen e kryer në shtëpinë e tij, bashkë me ndihmën e të dy djemve të mbretit të vrarë nga Makbethi, nisen për hakmarrje. Kësisoj, vjen dobësimi i personazhit të zonjës Makbeth, e cila kryen vetëvrasje, e së bashku me të na shfaqet edhe dobësimi i personazhit të vetë Makbethit, i cili e kupton se është i rrethuar nga armiq të tij, ndonëse ai e di se ndërgjegjja e tij qe gjithmonë e turbulluar nga krimet e kryera. Pasqyra në mesin e katër të tjerave ngritët lartë në skenë. Mbi të është Makbethi i cili refuzon të mposhtet. Ngritja lartë e tij në ajër tregon natyrën komplekse të Makbethit, i cili në mënyrë brilante shpërfaqi ambicien e qenies njerëzore për pushtet, që përkon njëkohësisht me ambicien aktuale të pushtetarëve gjithandej në botë.
Kështu, krejt në fund, Makbethi “ulet poshtë”, dhe përjeton vdekjen e pastër por dramatike nga duart e armikut të tij, Makdafi. Jehon “Atdheu u çlirua” dhe me të vërtetë u çliruan edhe ndjenjat e të pranishmëve që kishin përjetuar tashmë një rrotullim emocionesh e mendimesh.
Regjisori Qëndrim Rijani, ka shfaqur një tragjedi me pasione të forta të lakmisë së shfrenuar. Vizioni i tij modernist shfaqi shumë, por bëri që edhe të ndjehet puna e palodhshme, afatgjate dhe mirë menduar. Në anën tjetër, aktori në rolin kryesor, Adrian Morina, si shpeshherë, qartazi ishte zhytur brenda personazhit të Makbethit. Kalimi nga një trim, në çmendi, në jo-burrëri, e deri në vdekje, dëshmoi për studimin e thellë të psikologjisë së karakterit kompleks të Makbethit. Ka kohë që në Teatrin Kombëtar të Kosovës nuk është luajtur një shfaqje e tillë, e plotësuar mrekullisht në të gjitha aspektet e mundshme. Por, tanimë keni rastin ta përjetoni për dy orë e ca, “Makbeth”-in.
Për të treguar më shumë rreth shfaqjes si dhe procesit të realizmit, për KultPlus foli regjisori Qëndrim Rijani.
“Madhështia e veprës në fakt qëndron tek autori. Shekspiri është i madh dhe energjia e tij, shpirti i tij transmetohet tek pena e tij, dhe kësisoj edhe në gjithë botën. Ai jep mundësinë që kjo vepër gjithmonë të jetë e kohës. Nuk është se qëndron tek unë si regjisor, por ai e jep këtë mundësi. Besoj që fundja, ekziston detyra e regjisorit që çdo vepër, qoftë klasike apo antike, ta bëjë sa më afër, si përrallë atraktive tek publiku. Pra, duhet të sjellën idetë e autorit tek publiku, në mënyrë që ata ta perceptojnë. Besoj që gjithçka ka qëndruar tek forca e autorit dhe mbështetja që e kemi dhënë ne, në kontekstin regjisorial dhe aktorial. Kjo ka qenë pika me të cilën publiku u lidh më së shumti me këtë shfaqje. Ne së pari kemi bërë një rikonstruktim të dramaturgjisë së kohës kur është shkruar vepra, pastaj estetikja teatrore që e kam përdorur unë, është shumë e tanishme dhe tek ne duket risi, ngaqë nuk përdoret shumë. Kjo është mishëruar mirë me aspektin politiko-filozofik që ka vepra e Shekspirit.”
Ndërsa, aktori Adrian Morina për KultPlus ka folur për hezitimin e tij fillimisht nga roli, e pastaj deri tek arritja e finalizimit të shfaqjes që për të është një nga projektet më të arrira në karrierë.
“Shekspiri i madh është aktual gjithmonë, andaj është i papërsëritshëm. Natyrisht, është një nga kryeveprat e letërsisë dhe teatrit. Është ndoshta vepra më e përgjakshme e teatrit. Fatkeqësisht, bota nuk ka qenë më e përgjakshme sesa që është sot. Ndoshta nuk kemi një luftë si e para dhe e dyta, por kemi humbjen e jetës së mijëra njerëzve nëpër botë, gjithmonë vetëm për pushtet. Makbethër-it modern sot janë edhe më të dashur, sesa këta që i shihni në teatër. Këtu janë personazhe negativë dhe paralajmërojnë për krimet, por ata të sotëm, janë më të dashur, më të afër dhe e pinë gjakun shumë më shumë se ky gjak që është derdhur në këtë skenë. Besoj kjo është një kontribuim i yni për ata që vijnë dhe e shohin shfaqjen tonë, për të kuptuar pasqyrën e qartë të asaj çfarë po ndodhë dhe që ka ndodhur gjatë gjithë civilizimeve. Njeriu nuk ka mbërri me avansu. Në anënt tjetër, dua të them se personalisht, nuk më ka pëlqyer shumë vepra, gjatë kohës së studimeve, por jo për shkak të veprës, por për shkak të pikëpyetjeve që kam pasur në kokën time rreth veprës. Por, me leximin që Qëndrimi ia ka bërë kësaj vepre, ai e ka zbërthyer veprën me një skalper të kirurgut. Aq pastër vjen zbërthimi i tij saqë më ka bindë me qenë e këtij projekti. Unë se kam pa kështu Makbethin asnjëherë. Jam jashtëzakonisht i lumtur me punën që është bërë, edhe me ekipin. Kënaqësi e veçantë me qenë në skenë me profesorët tanë: Shkumbinin, Luanin dhe Iliren, me partneren në skenë, Gresën, një aktore e shkëlqyer. Besoj që me këtë ekip, me Xenin me Shpëtimin, me Tristanin, e deri tek Yzeiri që është më i riu i ekipit tonë, e kemi dhënë krejt dashninë për me realizu një shfaqje e cila për mua është një nga punët më të mira që e kam bërë ndonjëherë në karrierën time. Besoj që edhe shfaqja është një nga shfaqjet më të mira që Teatri e ka punu.”
Ndërkaq, reprizat e shfaqjes ”Makbethi” do të vijnë me datat: 2, 3, 8 dhe 9 tetor.
Dramaturge: Zoga Çeta Çitaku
Kostumografe: Maca Papuçevska
Orkestra: Filharmonia e Kosovës
Koreograf: Artan Ibërshimi
As. Regjisor: Erleta Rexhepi
Video: Rehan Abdulovski
Operator i audios: Arben Aliu
Video operator: Bujar Bekteshi
Inspicente: Nazmije Krasniqi
Disejni i dritave: Mursel Bekteshi
Shfaqja është realizuar në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës. / KultPlus.com
Akorët si: Adrian Morina, Flaka Latifi, Ylber Bardhi, Arta Selimi, Basri Lushtaku, Edona Reshitaj, Shpejtim Kastrati, Xhejlane Godanci, me lojën e tyre të paparë, kanë jetësuar mbrëmë premierën e shfaqjes “1984” që erdhi nën regjinë e regjisorit francez Igor Mendjisky. Shfaqja vjen e bazuar në romanin ikonik të autorit George Orwell, por ajo që e ka bërë këtë shfaqje të dalë përtej imagjinatës, ka qenë trajtimi i dramaturgjisë nga Zoga Çeta Çitaku, rrezatimi depërtues i esencës së veprës si dhe aktrimi i tetë personazheve thellësisht të komplikuar por edhe të thjeshtë në vetvete, shkruan KultPlus.
Pasi të pranishmit dalëngadalë zunë vendet e tyre përbrenda hapësirës së Teatrit Kombëtar të Kosovës, mu në skenë ata u vendosën ballë me aktorët që gjendeshin nëpër pozicionet e tyre përkatëse. Loja nisi fiks në orën 20:16 e së bashku me të, si rrjedhë uji u lëshua një mjegull e lehtë që u shpërnda horizontalisht në ambient, duke paralajmëruar realitetin distopik që përmban në thelb vetë vepra letrare.
Një nga një, aktorët procesojnë të prezantojnë “veten” e tyre para publikut, por tërë këtë shtjellim e tutje do ta drejtojë si një shkop magik, O’Brien (Adrian Morina), i cili me shikimet e tij tinëzake kafshon mendimet e gjithsecilit. “1984” sjellë para nesh historinë e Uinston Smith (Ylber Bardhi), djaloshi i cili tërë kohës lufton për copëza të vogla dashurie, lirie e vërtetësie si dhe Xhulias (Flaka Latifi), vajza që ipet lehtësisht pas shikimeve të para të Smithit dhe kësisoj fillojnë të lindin ndjenjat e para mes tyre. Por kjo nuk është thjeshtë një dashuri e zakonshme. Në këtë histori i përfshirë është ‘Big Brother’ i cili mendërisht dhe fizikisht, hyn brutalisht në jetën e tyre dhe përmbys gjithçka, duke krijuar kështu botën ideale të tijën, aty ku mosbesimi dhe dhuna, shkelin këmbë mbi çdo trup.
Majat e larta të intensitetit që tronditin audiencën vijnë të shoqëruara nën melodi të qëlluara nga kompozitori Trimor Dhomi dhe së bashku me reflektorët që ndërronin ngjyrat herë pas here, krijonin një ambient ku portretizohej më së miri egërsia provokative e pushtetit. Shfaqja në Kosovë ka ardhur e adaptuar për herë të parë posaçërisht për Teatrin Kombëtar të Kosovës nga regjisori francez Mendijsky dhe një bashkëpunim i tillë ka qenë tejet i nevojshëm për të shpalosur një kryevepër të tillë të përmasave botërore.
Orwelli në vepër trajton një shoqëri të kontrolluar nga një qeveri autoritare që mbikëqyr dhe kontrollon çdo aspekt të jetës së qytetarëve. Megjithatë, në interpretimin e regjisorit Mendjisky, fokusi i shfaqjes ka qenë pikërisht historia e dashurisë së çiftit protagonist, Uinston dhe Xhulia. Pas disa situatave të ndryshme, Uinston detyrohet të rrëfejë për mendimet e tij që sipas pushtetit janë jo korrekte dhe kësisoj publiku shndërrohet në dëshmitarin e heshtur të torturave nëpër të cilat kalon ai. Refuzimi i tij për të pranuar realitetin e manipuluar të Partisë, i sjell atij fundin.
Hetuesi i tij, O’Brien ka ndarë plotësisht mendjen se populli nuk do të revoltohet dhe sipas tij, ata nuk do të shikojnë nga ekranet e tyre aq gjatë sa të vërejnë se çfarë po ndodh në të vërtetë. Andaj, kërcënimet e tij ngjallin frikë të tmerrshme brenda shpirtit luftarak të Uinstonit. Mendja e tij hyn në një vijë të paqartë, derisa arrin tek një pikë ku e pyet edhe veten se a ka ekzistuar vetja e tij. Tani për të, të gjitha momentet ku ka menduar për mikrofonat e fshehtë, teleekranët, monitorët e kudogjendur, po shndërrohen në iluzione.
Fatet personale të dy personazheve kryesorë duket se përcaktohen nga vendimi i Charrington, personazhi që spiunon takimet e tyre tek Policia e Mendimit. Ngushëllimet e Uinstonit dhe Xhulias mes tyre, tanimë nuk kanë asnjë kuptim. Ferri i ashpër i dhomës 101, po i pret të dy personazhet. Edhe pse audienca sheh pasojat e përgjakshme dhe jo aktet, masakra të bënte që të dridhesh në karrige.
Po ashtu, përdorimi i guximshëm i videove e tingujve që lëshoheshin papritmas përgjatë shfaqjes e cila zgjati plot dy orë, ishin sinjalizues për një përkushtim të lartë të gjithsecilit. Në anën tjetër, skenografia nga Mentor Berisha qe diçka që ka rrëmbyer vëmendjen që në sekondat e para. E krejt kjo për të përcjellë ndjenjën e terrorit klaustrofobik të një shteti totalitar.
“1984” është një shfaqje që akoma jehon edhe sot nëpër botë. Meritat letrare të Orwell-it janë ngjallur në secilën epokë dhe çdo herë pas tyre, njeriu përbrenda vetes ka stimuluar reflektime të shumta për të kaluarën, të tashmen e të ardhmen.
Për të treguar më shumë rreth shfaqjes si dhe procesit të realizmit, për KultPlus foli regjisori Igor Mendjisky.
“Unë mendoj se kur Orwelli ka shkruar veprën ka menduar që ajo të jetë një satirë dhe më pastaj bëhet një novelë e parashikueshme. Është një çështje më universale. Kjo është hera e parë për mua që po punoj me një trupë të një shteti tjetër dhe puna me aktorët ka qenë me të vërtetë një aventurë e paparë. Bashkëpunimi me TKK-në ka qenë fantastike. Ajo se çfarë më pëlqen shumë nga shfaqja është mënyra e adaptimit që kam bërë unë. Pra, vendosa historinë e dashurisë në qendër të vëmendjes dhe fundi i shfaqjes asisoj është bërë më i rrezikshëm dhe më i stuhishëm. Mendoj se aktorët këtu kanë diçka brenda tyre për ta luajtur këtë shfaqje. Nuk e di saktësisht se çka, apo nëse lidhet me situatën e shtetit, por e ndjej se ka diçka në trupin e tyre.”
Ndërsa, aktori Adrian Morina i cili erdhi në dy role të ndryshme në skenë, për KultPlus ka folur për hezitimin e tij fillimisht nga roli, e pastaj deri tek arritja e finalizimit të shfaqjes në një kohë prej tridhjetë ditësh.
“Në konceptin e këtij dramatizimi, personazhi im i tërheqë të gjitha levat por vjen deri tek pjesa që tregon pushtetin e tij, në një mënyrë gati të pavërejtur. Natyrisht, është një rol negativ, ndonëse mu kanë bërë të shpeshta, më pëlqejnë për shkak se të japin mundësi për kreativitet në interpretim. Jam shumë i lumtur me krejt punën që e kemi bërë. Është një kryevepër e letërsisë dhe ka marr kohë deri në kuptimin e qasjes regjisoriale. Nuk e besoj që e ka inskenu dikush në këtë mënyrë më herët. Nëpërmjet një historie dashurie, është pruar edhe diktatura, natyrisht me një intervenim të vogël artistik që e bën regjisori në fund të shfaqjes, duke i ringjallë personazhet dhe duke jep kështu një dritare shprese për të ardhmen.
Procesi ka qenë tepër i shkurtë për shkak të datave të regjisorit, duke marrë parasysh se ai është një nga regjisorët më të mirë në Francë sa i përket gjeneratës së re. Roli ka qenë sfidues e sidomos ai i narratorit, në të cilin nuk ke shumë mundësi si aktor për të luajtur dhe dialogon me vetveten dhe publikun. Ka qenë e vështirë mënyra poetike e tekstit, andaj edhe kam pasur frikë shumë. Është çmenduri për të realizuar shfaqjen në një kohë kaq të shkurtër por e kemi ndje në çka jemi futur dhe për çka po punojmë. Sonte u dëshmua ajo se kur e bën një shfaqje të mirë, vërehet edhe tek njerëzit, ndaj të cilëve shihej një mungesë për të parë diçka të gjallë, për të parë një botë magjike që po na mungon neve. Ky tekst për neve, duket më i qëlluar sepse ne kemi çka të dhurojmë nga shpirti jonë.
Pas gjithë kësaj shfaqje, unë kam dalë si një njeri më i mirë.”
Ndërkaq, reprizat e shfaqjes ”1984” do të vijnë me datat: 5, 6, 7, 24 dhe 25 tetor. / KultPlus.com
Me një ftohtësi në përzgjedhjet e tij regjisoriale, por me një ndjeshmëri në përzgjedhjen e temave të cilat prekin brengat e shumë kategorive të shoqërisë sonë, e të cilat shpesh edhe vihen dukshëm në harresë, Kushtrim Koliqi është një prej regjisorëve më aktivë në Kosovë që me një mjeshtëri të bukur i shtrinë projektet e tij në gjini të ndryshme të artit, me qëllimin e vetëm; transmetimin e plotë tek publiku.
Karriera e tij përfshin projekte të shumta që avokojnë për të drejtat e njeriut dhe të kategorive më të margjinalizuara në vend, në tentim të zhdukjes së mentalitetit patriarkal, tejet gjykues e shumë dominues në Kosovë.
Në një intervistë për KultPlus, Koliqi i cili është edhe drejtor ekzekutiv në organizatën ‘Integra’ rrëfeu gjerë e gjatë për shumë nga projektet e tij duke filluar nga shfaqja e fundit ‘Babai dhe Babai’ e cila pati hov të jashtëzakonshëm dhe vijon akoma të ketë një interesim të madh në publik.
Koliqi ndau përvojat e tij si për projektet në kuadër të ‘Integra-s’ ashtu edhe ato individuale, e të cilat nuk janë të pakta dhe krejt të veçanta në formën e tyre. Por, përpos kësaj, ai për lexuesit e KultPlus-it, tregon edhe shumë detaje që ndërlidhen me projektet e radhës që janë të shumta dhe po vijnë shumë fuqishëm.
‘Babai dhe Babai’, drama e atyre që s’duhet të harrohen
Foto: Sovran Nrecaj
Më 16 maj të vitit 2022, regjisori Koliqi bashkë me dramaturgun Jeton Nezirajn sollën shfaqjen ‘Babai dhe Babai’, për të larguar nga harresa historinë e të pagjeturve me qëllimin që publiku ta bashkëndjejnë dhimbjen e çdo dite që përjetojnë familjarët e tyre tash e sa vite.
E vendosur në një hapësirë minimaliste siç është ‘Muzeu Etnologjik’, e me një skenë krejt afër me publikun aktorët Ilire Vinca, Bujar Ahmeti e Kosovare Krasniqi arritën të përçon ndjenjën e dhimbjes e të trishtimit që i kaplon familjarët e mbi 1600 personave të pagjetur.
Ndonëse për këtë shfaqje ka punuar gjatë e intensivisht, Koliqi e përshkruan si një punë shumë të mirë dhe të mirëmenduar me detaje e finesa që nga fillimi.
“Procesi ka qenë shumë i mirë, kemi punuar shumë, kemi punuar gjatë, kemi diskutuar dhe debatuar shumë dhe prej fillimit unë si regjisor e kam pasur të qartë konceptin tim regjisorial, e kam pasur të qartë vizionin tim për atë shfaqje dhe e mira është që e gjitha ekipi i janë bashkuar këtij vizioni. Fillimisht unë me insistimin tim është dashur ti indoktrinoj ata dhe t’i fus në vizionin tim dhe më pas të gjithë në pozicionet që i kanë pasur, kanë punuar në këtë vizion”, shpjegoi ai
Po ashtu, regjisori Koliqi ka spikatur edhe në vendin në të cilin është dhënë kjo shfaqje duke e zhvendosur shfaqjen teatrale nga teatri e duke e vënë në ‘Muzeun Etnologjik’ për ta bërë atë akoma më intime, dhe me çdo intervenim në atë skenë e që bëhen ‘një’ me lojën e aktorëve të transmetojë çdo herë emocionin e njejtë.
I vendosur për qëllimet e tij, regjisori Koliqi thotë se pari ka menduar aktorët e më pas është shkruar teksti. “Teksti është shkruajtur për Iliren dhe Bujarin, sepse Kosovarja ka ardhë më vonë, pasi e kemi realizu tekstin. Në rastin e Ilires mua më është dashur një grua në mezomoshë e cila në dukje është shumë e ndjeshme por shumë e fortë brenda, ka shumë parime, ka shumë rregulla familjare dhe për këtë arsye ajo delikatesa e ndjeshmëria e Ilires është pikërisht ajo që më ka tërhequr ta përzgjedh atë. Ndërsa Bujari është një aktor i jashtëzakonshëm me potencial të jashtëzakonshëm, është aktor i karakterit, i transformueshëm, inteligjent, efikas, pra i ka të gjitha kërkesat që unë i kam pasë për një personazh të tillë”, shprehet Koliqi duke folur për aktorët kryesorë të kësaj shfaqje, e të cilët përveç tjerash edhe me lëvizjen e qerpikëve transmetuan traumën që sjell pas vetes kjo dramë.
“Ndërsa Kosovarja më ka lënë përshtypje përveç talentit dhe potencialit që ka por edhe dukja e saj e cila është pikërisht ajo modul që më është nevojitur. Më është nevojitur një vajzë që në dukje e ka vuajtjen, e ka depresionin, dëshpërimin dhe ajo i ka plotësuar të gjitha’, përfundon Koliqi.
Ndërkaq, shfaqja ‘Babai dhe Babai’ po e vazhdon rrugëtimin e saj. Ajo është paraqitur në tri festivale dhe në ato tri festivale ka marrë nëntë shpërblime në total.
‘Mirëdita, Dobar Dan’, dritarja e vetme për shkëmbimin e versioneve të së kaluarës mes Kosovës e Serbisë
Festivali ‘Mirëdita, Dobar Dan’ po vazhdon të jetë një prej festivaleve të vetme që me gjithë kundërshtitë e mëdha, në veçanti nga politikat serbe, prapë se prapë nuk po ndalet në përpjekjet e tij në integrimin e artit të Kosovës dhe Serbisë në publikun e njëra-tjetrës.
Megjithatë, Koliqi thotë se edhe pse ky festival në thelb e ka kulturën, debatin, diskutimin, ai po shndërrohet më shumë në politikë si çdo temë tjetër që ka të bëjë me raportin në mes të Kosovës e Serbisë.
“Kuptohet, përkundër misionit dhe vlerave të këtij festivali ka shumë kundërshtarë të cilët janë shumë të fuqishëm. Kur shkojmë në Serbi të gjithë strukturat, mediat, akademia janë shumë më të fuqishme se sa ‘Mirëdita Dobar Dan’. Ata e promovojnë dhe e ushqejnë një narrativë të kundërt me neve, i promovojnë disa vlera dhe parime që janë të kundërta me këtë festival dhe e njëjta është një Kosovë, megjithatë po besoj që ‘Mirëdita Dobar Dan’ ka mbetë e vetmja dritare, shumë e vogël që me pasë këtë shkëmbim mes artistëve dhe intelektualëve mes këtyre dy vendeve”, thotë Koliqi, i cili me në krye në ‘Integra’, është një prej organizatorëve të këtij festivali.
Sipas tij, Kosova në këtë festival ka pasur mision të dërgojë tek publiku serb filma dhe shfaqje që e trajtojnë luftën, të promovojë libra që trajtojnë krimet e luftës që kanë ndodhur në Kosovë, në mënyrë që ata të ballafaqohen drejtpërdrejt me të vërtetën për luftën në Kosovë.
“Megjithatë, ky festival e ka një mision shumë fisnik sepse qytetarët e të dyja vendeve kanë mundësi ta dëgjojnë një version tjetër të së kaluarës dhe një version tjetër për njëri – tjetrin ngaqë ne akoma, dy shoqëritë i kemi të polarizuara dhe kanë shumë urrejtje mes vete”, shprehet Koliqi, duke thënë më tutje se për shkak të kapjes së çdo pore të shoqërisë nga pushteti serb, edhe ky festival gjithmonë përcillet me kundërshti dhe protesta.
Mirëpo, përkundër vështirësive, gjithë këto kundërshti vetëm sa i motivojnë organizatorët të vazhdojnë edhe më shumë misionin e tyre. Ndërkaq, edhe pse nuk janë finalizuar datat, ky festival këtë vit do të mbahet në Kosovë.
Filmi dokumentar i Ferdonije Qerkezit, e vërteta më ‘goditëse’ që u shfaq para publikut të Beogradit
Përveç cilësisë, Koliqi shprehet se në këtë festival ai gjithmonë ka insistuar të dërgojë tema të cilat ai beson se qytetarët e Beogradit dhe të Serbisë nuk kanë shancë t’i shohin, për shkak të një ambienti të kontaminuar politik e historik atje.
“Kemi dërguar shumicën e filmave që kanë trajtuar gratë e dhunuara, luftën, të gjithë filmat më të mirë që janë bërë këtu. kemi promovuar libra me rrëfime të grave të dhunuara, me rrëfime të familjarëve të të pagjeturve, rrëfime të burgosurve politikë, koncerte të ndryshme e të tjera”, rrëfen Koliqi.
Por, me gjithë vlerësimin e tij për të gjitha projektet që janë prezantuar para publikut të Beogradit, Koliqi tregon se është filmi dokumentar i Ferdonije Qerkezit që është i realizuar nga Gazmend Bajri për të cilin ai shprehet shumë i lumtur që është paraqitur para publikut në Beograd.
“Për rastin e Ferdonijes, në atë vend ku e kemi shfaqur filmin, shumica e audiencës kanë dalë të shokuar me historinë që është individuale por përfaqëson shumë viktima civile në Kosovë. Mesazhi përbrenda ka transmetu shumë emocion, dhimbje, empati, iluminim e edukim. Por të njëjtën kohë jashtë ka pasur protesta të jashtëzakonshme dhe është një prej rasteve më të rralla kur neve na kanë izoluar dhe nuk kemi pasë mundësi të dalim për një kohë të gjatë nga salla”, përfundon Koliqi.
‘Unë dua të dëgjohem’, zëri i grave për të cilat ‘lufta’ s’ka përfunduar akoma
Në mesin e shumë projekteve që trajtojnë rastet e kategorive të prekura nga lufta në Kosovë, Koliqi bashkë me ‘Integra-n’ kanë botuar edhe librin për gratë e dhunuara seksualisht gjatë luftës.
Siç e dimë kjo është një prej grupeve më të ndjeshme të shoqërisë, duke qenë se ambienti në të cilin janë në shumicën e rasteve nuk i mirëpret, nuk i bashkëndjen vuajtjet, por i gjykon, kryqëzon e paragjykon ato gra.
E duke qenë në një ambient të tillë, ato edhe e kanë të vështirë të flasin për brengën që vazhdon t’u qëndrojë para syve edhe tani, 23 vjet pas përfundimit të luftës.
Libri ‘Unë dua të dëgjohem’ sjell histori të vërteta tmerri e frike të rrëfyera nga vetë këto gra, histori të ndodhura gjatë luftës në Kosovë, e që atëherë të freskëta në memorien e atyre që e përjetuan.
“Ne me shumë rigorizitet edhe me shumë xhelozi e kemi ruajtur identitetin e këtyre grave që na kanë besuar dhe na i kanë dhënë rrëfimet e tyre për me qenë pjesë e librit. Meqë ‘Integra’ punon shumë me grupet e viktimave duke e përfshirë edhe këtë grup që është një grup që them për të cilat lufta akoma nuk ka përfunduar dhe që vazhdojnë të jetojnë me atë tmerr”, deklaroi Koliqi.
Ndërkaq, ky libër është transmetuar në formë të audio-dramës, ku Koliqi si regjisor kishte përzgjedhur aktoret gra që do të transmetonin në mënyrën me emocionuese dhe të dhimbshme këtë dramë që paraqesin në vete këto histori.
“Ka pasë momente kur është dashur ta ndërprejmë sepse aktorja është emocionuar apo ka pasë nevojë për pauzë sepse ngarkesa është akoma më e madhe kur e di që dikush tjetër e ka përjetuar atë rast. Rrëfimet që janë realizuar si audio-drama janë të tmerrshme dhe si të tilla kanë qenë traumatike edhe në realizim “, shtoi Koliqi.
Dokumentimi i masakrave në Kosovë, libri që i duhet Kosovës në pasqyrimin e realitetit të vitit 1998-1999
Në mesin e shumë projekteve të radhës, Koliqi thotë se momentalisht ajo që është duke e bërë ‘Intergra’ në bashkëpunim me Admovere ku hulumtues është Shkëlzen Gashi, është një libër i cili ka për qëllim të dokumentojë çdo masakër që ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës.
Sipas Koliqit, ky libër do të jetë një ndihmë e madhe për Kosovën sepse është një prej botimeve të rralla që do të trajtojë të gjitha masakrat, sepse në aspektin e dokumentimit të luftës, Kosova ka mangësi të shumta
“Qëllimi ka qenë me i përfshi të gjitha masakrat sepse që të konsiderohet një ngjarje masakër duhet të plotësohen disa kritere e kështu Shkëlzen Gashi kur e ka bërë hulumtimin i ka përfshi ato që i kanë plotësuar të gjitha ato kritere. Tendenca jonë është që të përfshihen të gjitha masakrat. Produkti që do të dalë në fund do të jetë i jashtëzakonshëm në elementin e dokumentimit të masakrave. Do të përmbajë emra, ngjarje, fotografi, rrethana”, tha Koliqi për librin i cili pritet të
Monografia e Muharrem Qenës dhe shfaqja ‘La Rrem’, dy vepra që përthekojnë një karakter
“Monografia e Muharrem Qenës është e jashtëzakonshme”, nis kështu Koliqi rrëfimin e tij për monografinë e Muharrem Qenës, duke shpjeguar se specifikat e tij si një figurë shumëdimensionale kanë qenë shtysë për realizimin e këtij libri.
Përveç se ky libër ka marrë kohë e energji deri në realizimin e tij duke e marrë parasysh shtrirjen e gjerë të artit të Qenës, Kushtrim Koliqi thotë se kjo monografi është një libër shumë voluminoz.
“Muharrem Qena ishte regjisor, aktor, kantautor, poet, këngëtar, e të tjera. Meqë ai ka qenë me shumë ngjyra si personazh, ne jemi munduar që ato ngjyra me ja dokemtu dhe me i pasë pjesë të monografisë”, shprehet më tutje ai.
Por, me këtë libër, Koliqi nuk e përmbylli kontributin e tij në paraqitjen e kësaj figure ikonë të artit shqiptar në të gjitha dimensionet. Ai realizoi edhe shfaqjen ‘La Rrem’, ku përveç si një dedikim për figurën e Muharrem Qenës, kjo shfaqje flet më shumë për jetesën e tij, për mprehtësinë, dashurinë ndaj teatrit, artit dhe artistëve dhe për shpirtin e tij rebel e revolucionar për kohën që i takonte.
“Ne i kemi marrë disa elemente që janë identifikuese për karakterin e Muharrem Qenës dhe mbi atë e kemi ndërtuar dhe besoj që shfaqja më shumë se një dedikim është një falënderim për të dhe një festë sepse njerëzit kur kanë ardhur dhe e kanë parë shfaqjen, përveç se kanë parë disa aspekte të tij sidomos në raport me artin dhe shoqërinë, në të njëjtën kohë i kanë përjetuar edhe krijimet e tij muzikore”, thotë regjisori Koliqi.
botohet në marsin e këtij viti dhe do të vijë për lexuesit në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe.
‘Unë jam vetë grua’ dhe ‘Stiffler’, shfaqjet që sjellin dramën e jetës së dy kategorive më të gjykuara në shoqëri
Kushtrim Koliqi, jo rrallë prek tema të cilat përfshijnë kategori të ndryshme në shoqëri që shpesh edhe janë të margjinalizuara dhe gjykohen nga vetë shoqëria jonë sidomos duke u vënë hijen e aspektit moral. E tillë është shfaqja ‘Unë jam vetë grua’, e adaptuar nga regjisori Koliqi për të sjellë një realitet të ballafaqimit me fatin e një transgjinori.
Kjo shfaqje bazohet në një shfaqje amerikane, e cila po ashtu bazohet në një ngjarje të vërtetë dhe sjell jetën dhe sfidat e një pjesëtari të këtij komuniteti, të ndarë në 30 personazhe që u luajtën nga vetëm një person, e rolin e të cilit Koliqi ia ka besuar aktorit Adrian Morina.
“Kuptohet që sfidë në vete ka qenë edhe kurimi i atyre personazheve edhe pse disa prej tyre kanë pasë më pak hapësirë dhe janë kuruar si tipe të personazheve, e pjesa tjetër ka pasë hapësirë më shumë dhe është dashur t’i krijojmë karakteret e atyre personazheve, shtuar këtu konceptin regjisorial, investimi tjetër në muzikë, në drita e të tjera”, thotë Koliqi, duke folur edhe për vështirësitë regjisoriale që ka hasur gjatë realizimit të kësaj shfaqje, e të cilën ai e konsideron tejet të veçantë sidomos për temën që trajton.
Po ashtu, në kuadër të ‘Integra-s’ ai ka realizuar shfaqjen ‘Stiffler’, shfaqje kjo që trajton jetën dhe fatin e një punëtoreje të seksit, e cila gjykuar nga konstrukti patriarkal e moral të shoqërisë sonë, ballafaqohet me drama të shumta dhe në fund, e mbetur nën mëshirën e askujt, ajo humb edhe jetën.
“’Stiffler’ trajton jetën e Havës e cila përveç që është grua dhe në Kosovë shkelen të drejtat e grave në mënyrë të vazhdueshme, Hava, personazhi kryesor e që luhet nga Rebeka Qena ka vendosë me u marr me shërbime seksuale. Ajo e përjeton një dramë sepse njëri nga klientët e saj e therr. E krejt drama ka të bëjë se si një grua trajtohet në mënyrë të tmerrshme, kur ajo është në sfidën për mbijetesë. Për shkak të joprofesionalizmit, kartës së moralit, ajo në fund e humbë jetën”, shton Koliqi, i cili mes tjerash thotë se kjo shfaqje është shumë e rëndë por nga një kënd tjetër është dashur të trajtohet kjo temë për të sjellë një realitet të trajtimit të grave në Kosovë.
‘Gay Movement’, promovimi i të drejtave të komunitetit homoseksual në Kosovë përmes monografisë
Kushtrim Koliqi, në mesin e shumë projekteve të radhës, për KultPlus e ka përmendur edhe monografinë që ‘Integra’ së bashku me CSGD-në është në përpunim e sipër e që dokumenton të gjithë ‘Lëvizjen Homoseksuale’ në Kosovë.
Ai thotë se kjo monografi e cila do të paraqes një historik të një lëvizje që ka ekzistuar gjithmonë, edhe para luftës, por që është bërë më e zëshme pas luftës do të publikohet deri në fund të vitit 2023.
“Kjo monografi i ka dy qëllime, e para me dokumentu një proces dhe e dyta me i tregu të gjithëve se ‘Gay people’ kanë ekzistuar gjithmonë. Kuptohet se në rrethana të ndryshme socio-politike e patriarkale e panë pasur më të vështirë të shprehen edhe të deklarohen. E qëllimi madhor është promovimi i të drejtat e tyre e që janë të drejta themelore e të pakontestueshme, sepse është e vështirë t’i promovosh këto të drejta në një mentalitet jashtëzakonisht patriarkal”, thotë më tutje Koliqi./ KultPlus.com
Ndonjëherë, bota reale ofron narrativat më bindëse. “E vërteta është më e çuditshme se trillimi”, dhe skena mund të jetë vendi i përsosur për të treguar këto histori, pasi gjallëria shpesh shton një legjitimitet dhe element personal në shfaqje. Vitet e fundit, një numër i konsiderueshëm i historive të vërteta kanë hyrë në botën e teatrit, si dhe histori që pyesin se çfarë do të thotë të imagjinosh të vërtetën. Shfaqja “Ora e vdekjes” i ofroi publikut të mbledhur në Burgun Muze të Prishtinës një realitet të trishtë të të burgosurve politikë nga Shqipëria dhe Kosova nga vitet e 70-ta, deri në kohën e burgut të Dubravës, nga torturat e përditshme deri në vrasjet masive të njerëzve, shkruan KultPlus.
Njerëzit po pritnin që për herë të parë të vizitonin e të shihnin nga afër një shfaqje në Burgun Muze të Prishtinës, për të cilin para dy viteve ishte marrë vendimi që të shndërrohet në një muze.
Errësira, rikthimi në kohë dhe emocionet e frikës, si të ngulitura në kokën e shqiptarëve pushtuan të gjithë të pranishmit në muze, kur edhe nga hyrja e burgut u dëgjuan zërat e aktorëve të vendosur në qeli që po kërkonin ujë, njëri kërkonte bukë dhe madje kishte nga ata që donin të goditeshin me grusht, sepse kishte mall të rrihej dhe i dukej e çuditshme të kalonte një kohë të gjatë pa u rrahur.
Dy botë, shumë burgje e akoma më shumë shqiptarë të vrarë.
Gjatë diktaturës në Shqipëri, burgjet janë cilësuar pa dyshim si “hyrje në portat e ferrit”, një realitet i trishtë, rrëqethës dhe plot tragjedi mizore që paraqet edhe krimet e mëdha të asaj kohe kundër njerëzimit. E këto histori, aktorët Adrian Morina, Albulena Bokshi, Arben Derhemi dhe Kushtrim Sheremeti nën regjin e Ilir Bokshit dhe dramaturgët Ulpianë Maloku dhe Agnesa Mehanolli i prezantuan në mënyrë brilante me humor që në brendësi prezantonte torturat më të çuditshme, por që në realitet ato ndodhën, tortura që në rend të parë lanë pasoja të pariparueshme, dhe plagë që dhembin edhe kur qëllimi juaj i vetëm është përkëdhelja e tyre.
Edhe në Kosovë, gjatë kohës së pushtimit serb, në burgun e Dubravës vazhdimisht ideja parësore ishte transferimi i të burgosurve në burgjet e Serbisë, me arsyetimin se nuk kishte siguri tashmë në Kosovë (rreth viteve 1998, atëherë kur edhe NATO po bombardonte çarqet serbe). E gjitha kjo ndodhi pasi Serbia planifikonte gjithnjë që të burgoste sa më shumë të rinj shqiptarë nëpër burgje dhe të gjithë ata që ishin kundër regjimit, të vdisnin me pretekstin se nuk ishin të sjellshëm në burg, thyen rregullat ose edhe u lanë aty përgjithmonë, pasi ideali i tyre e lufta për liri përkonte në kundërshtim me atë që Serbia kishte në plan, e që ishte pikërisht pushtimi i Kosovës.
Pamja nga jashtë, e rrejshme nga brenda
Gjatë shfaqjes, Fatmiri nga Kosova (Adrian Morina) dhe Fatmiri nga Shqipëria (Arben Derhemi) gjenden në një situatë jetë a vdekje, në një urë që po gjuhej me armë nga pushtuesi serb, e Fatmiri nga Shqipëria kërkonte që të gjuhej në urë, ndërsa Fatmiri nga Kosova, i cili nuk dinte notë, i siguronte “homologut” të tij që kërcimi është ide e gabuar dhe në ujë është më lehtë të vdesësh.
Fatmiri nga Kosova dhe dashuria e pashtershme dhe shpesh herë e lindur natyrshëm për liderin e asaj kohe, Enver Hoxhën, e kishte detyruar atë që të vinte në Shqipëri vetëm e vetëm për të plotësuar ëndrrën e tij më të madhe, ta shihte nga afër dhe të besonte se figura e “ndritshme” e kombit shqiptar, Enver Hoxha ekziston në të vërtet.
Këtu fillon edhe polemika e madhe, kjo pasi Fatmiri nga Shqipëria ishte larguar nga ai vend, pasi aty po ndodhnin krime kundër njerëzimit për të gjithë ata që ishin kundër partisë së punës, madje edhe për ata që princip të jetës kishin punët e veta. Me shumë të shara, me shumë polemika, të dy u kapën nga regjimi serb, për të përfunduar në burg.
“Molla e ndaluar”
Një tjetër rast i pashpjegueshëm dhe ideja se ka ndodhur në të vërtet, të bën të çmendësh me atë se çfarë kanë kaluar shqiptarët nëpër kohë, e sidomos torturat që kanë kaluar të burgosurit nëpër burgje të regjimit.
Tefta Tasi e luajtur mjeshtërisht nga Albulena Bokshi, paraqet historinë e vërtet të një mësuese shqiptare, e cila ishte dënuar për arsye se kishte sharë mollat e “shtetit”, mollat e “Enverit”, e ky paraqet një krim, që sipas trupit gjykues, duhet të dënohet me 45 vjet, 35 në qoftë se pranon “fajësinë”.
“Fakti që kemi ardhur në burg e ka bërë shumë të veçantë shfaqjen. Fillimisht ka qenë e vështirë për tu ambientuar, për shkak të ndjenjës që ta jepte burgu, teatri është i vështirë por kjo është tjetër nivel”, thotë aktorja Albulena Bokshi në një intervistë për KultPlus, derisa rrëfen edhe gjithë procesin e provave, kalimit nga “kutia e teatrit” te realiteti i burgut.
“Këtu të kap një far tmerri. Ditën e parë kur kemi ardhë ka qenë edhe z. Emin, i cili ishte gjithashtu një ish i burgosur politik dhe na tregonte rrëfimet që kishte përjetuar, jo vetëm ai, por edhe shokët. E kam pasur problem ta kapërcej këtë tmerr për të ardhur deri te loja që e kemi sjell sonte. Ndjenjë me të vërtet e veçantë të performosh e të merresh me tema tona që shumë shpesh i kemi lënë pas dore. Nuk mund të them që nuk janë bërë shfaqje, por është bërë pak në drejtimin e tmerreve e historive të shqiptarëve”, thotë ajo.
Tutje, Bokshi foli edhe për rolin e saj, atë të Tefta Sasit.
“Personazhi im është një mësuese në Shqipëri, e cila është dënuar për një mollë. Ky është një rol që e veçojë shumë, sepse është barrë e madhe kur e ke historinë e vërtetë. Ne, artistët, bëhemi zëra të atyre që kanë kaluar këto përjetime. Gjatë procesit të provave, kur flitej edhe për Dubravën, personalisht e kam humbur axhën atje, dhe ka qenë shumë e vështirë ta kaloj këtë gjë. Ka momente kur kam qarë, në një far forme, plaga hapej përsëri. Gjithçka për rreth këtij burgu, të krijonte idenë se ka shumë histori brenda, ka shumë shpirt brenda këtij burgu dhe po shpresoj që shumë shpejt të hapet për vizitorët, dhe ata të vijnë e të kuptojnë se çfarë tmerre kanë ndodhur në qendër të Prishtinës”, shprehet ajo.
Bokshi thotë se ishte e kënaqur me audiencën, edhe pse ishin disa ndërhyrje nga lartë, ku u shpërthyen disa fishekzjarre nga stadiumi, të cilat nuk ishin të planifikuar. “Po besoj që edhe publiku e kuptoj këtë gjë, edhe pse disa në fillim kishin menduar se janë pjesë e shfaqjes, ajo zgjati bukur shumë, por prap publiku nuk e humbi durimin. Po besoj që është bërë një punë e mirë ekipore, është bërë një dramë e re që ndoshta i ka munguar dramaturgjisë kombëtare”, përfundon ajo.
Në anën tjetër, regjisori Ilir Bokshi tha se vështirësitë nëpër të cilat kanë kaluar, kanë qenë të mëdha, por dëshira për të sjellë te publiku këto histori të cilat kanë ndodhur, ishte gjithashtu shumë e madhe.
“Burgu i Prishtinës akoma nuk është akomoduar si muze, të gjitha këto që i shihni, nga pastërtia e burgut e deri te sjellja e ulëseve për t’u ulur sonte është dashur t’i bëjmë vetë, sigurisht me ndihmën e institucioneve në anën materiale. Gjërat në teatër bëhen më lehtë, sepse jemi të thirrur për ta bërë këtë punë. Tema e luftës dhe të burgosurve shqiptarë në periudha prej 1970 e tutje, e deri te burgu i Dubravës”, thotë ai, duke treguar se teksti është punuar me dy dramaturge të reja, me të cilat ai është shumë i kënaqur.
I pyetur nga KultPlus për vështirësitë dhe jetën jashtë habitatit normal, Bokshi tregon se profesionistët janë për këtë punë, duke shtuar se kishte shumë vështirësi nëpër të cilat kaluan.
“Jemi profesionistë dhe e përballojmë vështirësinë, por neve na ka ra shi çdo natë dhe e kemi pasur të vështirë këtë. Kemi qëndruar deri në 3 të mëngjesit dhe më të vërtet kishim frikë në qoftë se edhe mund të dështojë e gjithë shfaqja, kemi pritur edhe sot që të bie shi. Më (24 qershor) është premiera jonë, e sot e kemi quajtur si lloj para-premierë. Të gjitha ankesat që po i them, ose ato që munden me qenë vështirësi për ne, janë për faktin që kemi hyrë në një ambient të ri për ne. Kemi bërë punë fizike për tela, e shumë gjëra të tjera. Ka një kohë të gjatë që nuk kam qenë më i lumtur, kjo për shkak të stresit që kemi pasur si ekip. Gjithashtu, me këtë kastë të aktorëve kam punuar edhe më herët, por për herë të parë jam duke punuar me kompozitorin Memli Kelmendi dhe është një ndjenjë shumë e veçantë, ka bërë punë të jashtëzakonshme”, thotë regjisori i shfaqjes “Ora e Vdekjes”.
Aktori tjetër, Adrian Morina, i cili vazhdon të jetë në skenë për një kohë të gjatë, rrëfen për KultPlus se emocionet janë gjithnjë të pranishme përkundër viteve që kalojnë.
“Përpara, kur më thoshin se Istref Begolli ka shumë tremë në premierë, thosha si student se është e pamundur, ai ka më shumë se 40 vite në skenë, hala me emocione! Tani pas sa kohe që merrem me këtë punë, e shoh që për shkak të përgjegjësisë e punës që e ke bërë, është rrezik i madh që me punën e ardhshme mundesh me i rrëzu gjitha ato se çfarë i ke ndërtuar deri tani. Gjithmonë rritet përgjegjësia, emocionet, e gjithashtu gjithmonë edhe eksperienca e bën të vetën. Ti duhet të mundohesh që t’i kanalizosh të gjitha këto dhe t’i rikthesh në favor të shfaqjes. Unë provoj që të kryej detyrën time, si aktor, me përgjegjësi dhe të prezantoj punën e gjithë ekipit në formën më të mirë të mundshme. Emocionet janë të njëjta si në premierë, si në reprizën e 100-të”, thotë Morina.
Ambienti ndryshe dhe kalimi nga teatri në një vend tjetër, nuk është punë të cilën Morina nuk e kishte bërë më herët.
“Ishim të vetëdijshëm për ambientin ku kemi dalë. Kemi punuar deri vonë gati për çdo natë dhe për pjesën e ambientit kemi qenë të vetëdijshëm. Teatri nuk ka lind, në teatrin kuti qysh e shohim. Teatër bëhet kudo, në rrugë, në sofër, e gjithçka që të duhet është ekipa e mirë. Jam jashtëzakonisht i lumtur që e kemi bërë këtë shfaqje. Gjithashtu, ne jemi aktiviteti i parë që është bërë në këtë ambient, e për këtë gjë jam shumë i gëzuar. Në Prishtinë e Kosovë ka shumë hapësira të cilat mund të kthehen në të mirë të kulturës. Ministria dhe Komunat duhet të jenë më zemërgjerë, dhe t’i ofrojnë aktorëve hapësira të tilla”, thotë Morina, duke shpresuar se në të ardhmen ambienti i Burgut Muze të ofrojë edhe ekspozita e shfaqje të ndryshme për gjithë vizitorët.
Puna me njerëzit që i njeh për një kohë të gjatë, sipas Morinës, është një gjë e mirë pasi mund të komunikosh me vetëm një shikim.
“Ka qenë kënaqësi e madhe që të punojmë me Benin për herë të parë, bashkëpunimet tona mes Kosovës dhe Shqipërisë po mungojnë shumë në aspektin e teatrit. Unë preferoj të punoj me regjisorë të cilët ndjehem, pasi ata tentojnë që të shtyjnë më përpara rolin tënd dhe nuk të lënë të mërzitesh. Puna me dramaturget ka qenë kënaqësi e madhe, kjo pasi ne vazhdimisht kemi pasur ankesa për dramën shqipe dhe mungesën e teksteve. Sot, përpos kësaj shfaqje ne sot e kemi të shkruar një dramë të re shqipe që mund të inskenohet nga të tjerët. Nëse ankohemi vazhdimisht, edhe nuk investojmë absolutisht në dramën tonë shqipe, atëherë e ardhmja e teatrit do të jetë mjaft e varfër”, thotë Morina, duke lavdëruar edhe ai punën e Memli Kelmendit, që solli një muzikë të jashtëzakonshme.
Ndërkaq, vetë kompozitori Memli Kelmendi për KultPlus tha se ishte ndjenjë shumë e mirë pjesëmarrja në këtë shfaqje, ku edhe na njoftoi me disa prej prapaskenave të shfaqjes.
“Puna që unë po e zhvilloj aktualisht sigurisht që ka ndikuar pozitivisht në suksesin dhe zhvillimin e rrugëtimin tij profesional. Mbi të gjitha unë kam shkruar shumë muzika për teatër, janë mbi 30 shfaqje teatrale. Kam shkruar gjithashtu muzika për film të metrazhit të shkurtër dhe atij të gjatë. Fillimisht kur më ka ftuar ekipi, kemi dalur e kemi diskutuar me Ilirin. E kam parë që është një shfaqje delikate dhe për këtë gjë duhet të mendoj, pasi është një gjë që nuk e kam bërë deri tani. Natyrisht që në fillim kam shkruar muzikën, pastaj disa skica të tjera, por në momenti kur kam ardhur këtu te Burgu Muze, e kam parë që duhet të shkruhet krejt diçka tjetër, atmosfera këtu ka ndikuar që të vihet deri te ky rezultat e kjo muzikë, që nuk ka qenë e lehtë. Jam munduar që si kompozitor t’i plotësoj siç duhet detyrat e mija, e bashkërisht e kemi ndërtuar gjithë shfaqjen”, thotë Kelmendi.
Ai gjithashtu pati një falënderim të veçantë për Donika Rushitin dhe gjithashtu njoftoi se do të vazhdojë të shkruaj muzikë, atë që realisht di ta bëjë më së miri.
“Dua ta falënderoj një person që më ka ndihmuar shumë, janë vokalet e Donika Rushitit, të cilës i falënderohem përzemërsisht që brenda një periudhe të shkurtër ka ndikuar që ato të jenë kryesoret brenda shfaqjes. Unë do të vazhdoj që të punoj, detyra ime si kompozitor i pavarur është që të shkruaj muzikë. Jam tepër i lumtur që më është besuar puna ime si kompozitor në këtë shfaqje dhe gjithashtu më është lejuar përdorimi dhe veprimi i elementeve kompozicionle që unë kam dashtë e i ndërtu në bashkëpunim me regjisorin, e besoj që audienca sonte e ata që do të vijnë më pas po besoj që do ta shohin punën tonë që kemi ndërtuar”.
Shumësia e këndvështrimeve në këtë shfaqje u trajtua me rëndësinë që kërkohet, ku të gjithë aktorët u bënë bashkë për skenën e fundit të mbrëmjes dhe sollën me delikatesën më të madhe të mundshme, realitetin e hidhur të shqiptarëve nëpër burgjet e ndryshme ku kanë qenë, përfshirë këtu edhe Shqipërinë dhe Kosovën. /KultPlus.com
Akorët si: Arben Bajraktaraj, Ejla Bavćić, Adrian Morina, Klaus Martini, Verona Koxha dhe Anja Drljević, me lojën e tyre madhështore, mbrëmë sollën premierën e një performance teatrore për shkrimtarin Peter Handke, i cili konsiderohet se me librat dhe qëndrimet e tij ka fabrikuar e ka përmbysur faktet e luftërave në ish-Jugosllavi; ka nxitur dhe përkrahur ideologjinë e ‘tokës së djegur’, si dhe u ka thurur elozhe poetëve e filmbërësve militantë, të konvertuar në ‘inxhinierë të projekteve gjenocidale’, shkruan KultPlus.
Çdo gjë gjeti fillimin kur dhe të pranishmit dalëngadalë po zinin vendin e tyre përbrenda hapësirës në Teatrin ‘Oda’ që mu në mes kishte të vendosur skenën e cila mund të shijohej nga të pranishmit në gjithsej tri anë të mundshme. Kur ora shënoi fiks 20:15, terri kaploi vendin përnjëherë. Ndërkaq, aktorët nisën lojën e tyre me një vështrim të thellë drejt publikut, me ç’rast të pranishmëve iu drejtohen disa kërkesa radhazi por më e rëndësishmja do të ishte: “Nëse keni lexuar librat e Peter Handke, largohuni nga teatri.”. Pasi që askush prezent nuk del jashtë, pritja e tyre përfundoi.
Shfaqja e cila po luhej në gjuhën angleze trajtoi baraspeshën delikate ndërmjet lirisë së shprehjes dhe përgjegjësisë shoqërore në teatër. Dhe ishte pikërisht dizajni i dritave nga Yann Perregau, që dukshëm të bënte që të përhumbeshe pas atmosferës së ftohtë që po portretizohej në skenë. Me një reflektor në ngjyrë të kaltër, shfaqja vazhdoi me dialogun ndërmjet Peter Handke dhe babit të tij, në lidhje me pyetjet e shumta të gazetarëve rreth Millosheviqit dhe se si Handke do të duhej të përgjigjej, e në këtë rast ai këshillohet që të thotë: “Preferoj letrën higjienike, një letër anonime me letër higjienike brenda, kundrejt pyetjeve tuaja boshe injorante.”
Përgjatë gjithë shfaqjes, tregohet thellësisht një injorim total ndaj gjenocidit në Srebrenicë. Pra, ndaj vrasjes gjenocidale të korrikut 1995 të më shumë se 8,000 burrave dhe djemve myslimanë boshnjakë në dhe rreth qytetit të Srebrenicës, gjatë Luftës së Bosnjës.
Duke marrë parasysh faktet të cilat shfaqeshin nëpërmjet titrave shqip, ku njëra ndër to thotë se në varrimin e kriminelit Millosheviq, Handke i thoshte masës së njerëzve të etur për gjak, se ai “nuk e di të vërtetën” dhe se prandaj është “këtu afër Millosheviqit, afër Serbisë”, kemi ndërlidhjen e tekstit të mrekullueshëm të shfaqjes nga Jeton Neziraj që kundërpërgjigjet me: “Peter Handke ka status shenjtori. Ai është orbita e Serbisë. Handke është Zot në Serbi, është Jezu Krisht…”. Pas përplasjes së disa fakteve para audiencës rreth ndodhive me Handken, shfaqja filloi me të vërtetë.
“The Handke Project”, hyri në thelbin e detajeve nga më të ndryshmet. Përmendet se si Peter Handke fitoi 50,000 euro nga çmimi “Ibsen Award” në Norvegji dhe se si ai me ato para deshi të ndërtojë një pishinë në Hoçën e Madhe që ndodhet 10 kilometra larg nga Krusha e Madhe, duke anashkaluar mundësinë për t’i ndihmuar refugjatët sirian në Austri, për të ndërtuar memorialin e gjenocidit në Srebrenicë, për t’i ndihmuar të uriturit në Burundi e Somali dhe për t’i ndihmuar romëve të varfër në paralegjet e Beogradit. Por, në vend të tyre, në një vend të banuar me shqiptarë ku gjatë luftës së vitit 1999 forcat serbe të Millosheviqit vranë 205 fshatarë të pafajshëm, ai deshi të ndërtojë një pishinë.
Situata dhe atmosfera të ndryshme përshkojnë shfaqjen që vjen nën regjinë e Blerta Nezirajt. Ndërlidhja e humorit, ironisë dhe të vërtetës po krijonte edhe të qeshura në publik, siç ndodhi edhe me monologun: “Ju njoftojmë se përpos producentëve dhe aktorëve e të tjerëve të përfshirë në këtë projekt të teatrit evropian (a është evropian?), ne do të ndërmarrim hapa ligjor edhe ndaj personazheve fiktiv të shfaqjes (a janë fiktiv?), gazetarëve që shkruajnë pozitivisht për shfaqjen, por edhe ndaj publikut që vjen dhe e sheh këtë shfaqje. Me këtë rast, megjithatë, ju njoftojmë se nuk do të paditen këto kategori njerëzish: Veteranët serbë të luftërave në Bosnjë dhe Kosovë; Publiku evropian që Peter Handken e do me gjithë zemër; 8 mijë të vdekurit e Srebrenicës (a janë 8 mijë?). Nga padia do të lirohen edhe ata të cilët gjatë shfaqjes i kanë mbyllur veshët. Dhe ndërkohë që ju ca injorantë po pështyni mbi veprën e Handkes, njoftojmë botën se një grup intelektualësh e politikanësh evropian, kanë kërkuar nga UNESCO ta merr nën mbrojtje trashëgiminë letrare të Peter Handkes, që nënkupton marrjen nën mbrojtje të vlerave civilizuese, ezoterike, mbrojtje e botës idilike, mbrojtje e pikëpyetjes, mbrojtje e mbrojtjes, e kështu me radhë.”
Ndërsa, ato që vëreheshin në masë dhe po i jepnin një hijeshi unike lojës së aktorëve në skenë ishin edhe kostumet e tyre të krijuara nga Blagoj Micevski. Në pjesën kur performanca teatrore arrin tek historia e një fotografi i quajtur Jean, që qëllon të jetë burri i kryetares së Komitetit të çmimit Nobel, nëpërmjet veshjeve precize portretizohej një atmosferë e ngjashme me atë se çfarë konsiderohet të ketë ndodhur. “Jean” hyn me aparatin e tij fotografik dhe në studion e tij e fotografon një vajzë të re e cila është shkrimtare. Fillimisht ai e prek atë për qëllime artistike por tutje vazhdon t’i premtojë asaj famë e pse jo edhe çmimin Nobel dhe nëse jo kjo, atëherë një lexim në Forumin që financohet nga Fondacioni Nobel. Ky skandal konsiderohet të jetë përmbysur me një tjetër skandal siç është kur Peter Handke ka fituar çmimin Nobel për letërsi.
Tutje, shfaqet edhe krahasimi se si Handke ka përshkruar një ngjarje specifike dhe se si në të vërtetë ka ndodhur. Diku jo larg Srebrenicës, një grup paramilitarësh serb kanë zënë rob Ramo Osmanoviq, një burrë rreth të 40-tave. Djali i Ramës, Nermini së bashku me qindra boshnjak të tjerë, është duke u fshehur në pyll. Paramilitarët e nxisin Ramën ta thërret të birin që të zbres nga pylli sepse, siç i thonë, do të jetë i sigurt me serbët. Trupat e Ramës dhe të birit të tij, Nerminit, janë gjetur shumë vite pas luftës në varre masive. Ndërkaq, Handke këtë ngjarje e ka përshkruar në një mënyrë krejtësisht ndryshe duke potencuar se serbët me dashamirësi e kanë thirrur djalin e Ramës të zbresë nga mali për shkak të rrezikut nga kafshët e egra.
Kjo shfaqje është një fjalim. Është zëri i ngritur i viktimave në mënyrë që të kuptohet se ku është kufiri i letërsisë, ku është kufiri i lirisë krijuese dhe kur do të mund të kalohej ai kufi. Shkrimtari Peter Handke, me letërsinë e tij, aftësitë e tija letraro-stilistike për propagandë dhe për mohim si dhe vetë qëndrimeve të tij në një kohë të cilën po e jetojmë, i ka kaluar këto kufij qysh moti.
Atdhe Mulla
Shfaqja përmbyllet mahnitshëm me thirrjen si: “Fuck you Peter Handke, për marrëzinë, për padijen, për arrogancën, për mohimin e së vërtetës, e për mohimin e gjenocidit. Dhënia e çmimit Nobel është akt barbarie sepse para se të shpërblej një letërsi të mirë, ai çmim për Handken legjitimon vazhdimin e gjenocidit me mjete tjera.”
Po ashtu, krejt në fund kasta e aktorëve së bashku me të pranishmit, njëzëri përsëritin së bashku: “Fuck you Sllobodan Millosheviq, Fuck you Peter Handke, Fuck you Swedish Academy. Dhe të gjithë fashistët e tjerë si ju…fuck you.”
Ndërkaq, pa skenografinë nga Marija Kalabic, kompozitorin Gabirele Marangoni si dhe koreografinë nga Gjergj Prevazi, kjo shfaqje nuk do të kishte frymën reale që e pati mbrëmë. Duke nis qysh nga fillimi e deri në fund, ky gërshetim i këtyre tri elementeve kyçe solli një afërsi të pakrahasueshme mes publikut dhe të vërtetës që erdhi nëpërmjet “The Handke Project”.
Atdhe Mulla
Për të treguar më shumë rreth shfaqjes si dhe procesit të realizmit, për KultPlus foli dramaturgu Jeton Neziraj.
“Aventura e kësaj shfaqje filloi sonte por që pati një punë të gjatë gati dy vjeçare të përgatitjeve, inicimit të bashkëpunimeve, kontakteve me teatrot si dhe një pune gati dy mujore me prova intensive. Kam përshtypjen që këtu kemi luajtur para një publiku të konvertuar i cili e njeh temën dhe e ka parasysh edhe qasjen kritike, duke e pranuar atë. Është me rëndësi që kjo shfaqje do të luhet edhe përtej rajonit tonë. Pra, e fillojmë këtë aventurë me një temë që ka qenë aktuale por vazhdon me qenë edhe më aktuale tash në një kohë kur shumica e institucioneve evropiane të kulturës kanë vu linja të qarta të ndalesës për shumë artistë rus”, thotë Neziraj.
Sipas tij, personalitetet si Handke janë toleruar. Edhe pse ka pasur debate në kohën kur Handke është shpërblyer me çmimin “Nobel”, ai debat është humbur në atë mjegullën e madhe që është prodhuar gjatë asaj kohe.
“Qëndrimi jonë është i qartë, pra jemi kundër literaturës që është helmuese, kundër shkrimtarëve të cilët e përdorin autoritetin për të përçuar mesazhe helmuese dhe për të mohuar gjenocidin, si në rastin e Peter Handkes. Ne thjesht eksplorojmë temën dhe përpiqemi që të kuptojmë se ku është kufiri i letërsisë, ku është kufiri i asaj që quhet liri krijuese dhe kur mundet që ai kufi të kalohet. Handke me letërsinë e tij dhe qëndrimet e tij, i ka kaluar këto kufij dhe i ka shndërruar në njëfarë lloj makinerie të propagandës”, përfundon ai.
Atdhe Mulla
Ndërsa, aktori i mirënjohur shqiptar nga Parisi, Arben Bajraktaraj për KultPlus ka folur rreth dhimbjes së viktimave, që sipas tij nuk mund ta bart askush tjetër.
“Pikërisht ky Peter ka qenë në 95-tën, këtu në rrugë të Nënës Terezë, afër Ministrisë së Kulturës. Ka bërë promovim të librave në kohën kur neve na kanë shtypur, na kanë rrahur kur kemi kaluar një trotuar si dhe na kanë dënuar me nga dhjetë marka. Ky tipi tash jeton shumë larg meje në Paris, nuk është shumë larg. Nuk dua të gjykoj asgjë realisht, por negacionizmi që shfaqet është sikur të na thotë neve, shqiptarëve dhe boshnjakëve, viktima të vërteta të luftës, se si: “S’ka dert se ai është artist”. Ai nuk është artist. Unë ia kam nis t’i lexoj tri herë librat e tij dhe tri herë jam ndalur, jo për diçka, por ia kam nisur para se ai të bëhej anti-shqiptar dhe më është dukur shumë i mërzitshëm, i lodhshëm, i bezdisshëm. Handke është bërë i njohur duke i nënçmuar dhe duke i fyer shikuesit dhe kjo është konsideruar ‘art’. Por ne nuk jemi duke folur për artin. Jemi duke folur për dhimbjen e viktimave dhe dhimbja e viktimave është dhimbja e viktimave”, thotë Bajraktaraj.
“Dhimbja natyrisht i përket vetëm viktimave dhe dhimbjen e tjetrit nuk mund ta bart askush. Ne e dimë dhimbjen, e kemi dhimbjen tonë dhe kjo shfaqje është krijuar që të shkoj në Evropë për të thënë: “A mundeni që t’i hapni sytë pak?”.
Gjithashtu, aktori Adrian Morina në një prononcim për KultPlus ka thënë se s’ka pasur mundësi që të mos jetë në një projekt që dekonstrukton Peter Handken.
“Ka mbi një vit që jam në dijeni për “Hande Project” ndërsa për të bëmat e Handkes tash e sa vite. Ftesën e kam pranuar me shumë kënaqësi sepse më pëlqen teatri i angazhuar, teatri politik. Teatri ka lindur për të na i hap sytë. Në rastin e Handkes dhe “Handkëve të tjerë”, ngase çdo ditë e më tepër po rritet numri i tyre, kemi pasur nevojë që si artistë, jo vetëm të ia hapim sytë opinionit por kësaj radhe edhe “të ia nxjerrim sytë” publikut për rritjen e përditshme te fashistëve, ksenofobëve, neonazistëve, neofashistëve dhe te gjithë ‘Handkëve’ të tjerë.”
Sipas tij, ai nuk ka pasur si të mos jetë pjesë e këtij projekti që dekonstrukton një përbindësh ideologjik si Peter Handke.
“Një proces shumë i vështirë, me një tekst jo të zakonshëm për skenë, me një ‘regji-m’ me shumë kërkesa aktoreske. Procesi i hulumtimit ka qenë tepër i veçantë me një numër të madh bashkëpunëtorësh ndërkombëtarë të cilët e përcjellin, e kanë studiuar, kanë shkruar e paralajmëruar për Handken që 20-30 vite. Kjo e ka lehtësuar punën tonë si aktorë”, thotë ai.
Për të, është një kënaqësi e madhe që të punohet me Blertën dhe Jetonin, për shkak se ai ndjehet i përmbushur si aktor, pas çdo procesi.
“Guximi, energjia, besimi për të bërë teatër të vërtetë, më shtyn gjithmonë që të mos refuzoj ftesat për shfaqjet që i realizojnë”, thotë Morina.
“Sfidë e madhe ka qenë për të gjithë edhe gjuha angleze ngase për asnjërin prej nesh në ekip nuk është amtare. Por sfidat të ndihmojnë t’i shtysh kufijtë. Puna e palodhshme dhe përkushtimi i gjithë ekipit si edhe përgjegjësia për t’i dhënë një “flakaresh” Handkes, na ka mobilizuar edhe më shumë. Gjithë procesin e ka bërë edhe më të lehtë bashkëpunimi, dashuria dhe profesionalizmi i një kaste të jashtëzakonshme të aktorëve si: Beni, Ejla, Anja, Verona e Klaus, të cilët i falënderoj përzemërsisht”, përfundon ai.
Atdhe Mulla
Po ashtu, kritiku i artit Shkëlzen Maliqi për KultPlus tregoi rreth përshtypjeve të tij për këtë shfaqje.
“Më duket se teatri bashkëkohor gjithnjë e më shumë po bëhet i drejtpërdrejt dhe po flet për aktualitetet. Shfaqja është shumë e angazhuar dhe nuk është vetëm Handke në pyetje por edhe krejt proceset që po ndodhin tash viteve të fundit në botë. Shfaqja ka edhe vlera tjera që duhet të shquhen si: aktrimi dhe regjia. Ndërsa, Jeton Neziraj e ka përsosur këtë lloj të teatrit. Unë mund të them se kjo ekipë meriton ta ketë edhe një hapësirë të vetën pak më dinjitoze, sepse për gjërat e tjera gjinden edhe vetë, por vetëm duhet të ketë më shumë mirëkuptim nga qyteti i Prishtinës. Është kultura e pavarur në këto njëzet vite, ajo që na ka zbardhur neve fytyrën”, thotë Maliqi.
Shfaqja do të pasohet me një reprizë të radhës me 4 qershor, po në Teatrin Oda. Reprizat e radhës do të jenë me 6 qershor, në Teatrin Shqiptar në Shkup, me 7 qershor në Teatrin Adriana në Ferizaj, me 9 dhe 10 qershor në Teatrin Bitef në Beograd. Shfaqjet në Itali, Bosnjë e Hercegovinë, Gjermani dhe në vende tjera evropiane janë planifikuar nga korriku I këtij viti. Shfaqja do të luhet në gjuhën angleze.
The Handke Project është produksion teatror i Qendrës Multimedia nga Prishtina, në bashkëpunim me Mittelfest & Teatro della Pergola (Itali), Teatrin e Dortmundit (Gjermani), Teatrin Kombëtar të Sarajevës & Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit –MESS (Bosnjë dhe Hercegovinë).
Adrian Morina, aktori i cili sot është shpërblyer me çmimin për aktorin më të mirë, çmim ky që është ndarë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte, nuk ishte i pranishëm në ceremoni, por një letër falënderimi ka vendosë ta përçojë te njerëzit që e kanë mbështetë gjatë këtij rrugëtimi, shkruan KultPlus.
Gazeta e jonë e sjell të plotë këtë letër që ia ka drejtuar ministres së Ministrisë së Kulturës Vlora Dumoshi, e që nëpërmjet kësaj letre falënderon tre persona të veçantë.
E nderuara Ministre znj.Vlora Dumoshi,
Të dashur,
Në këtë ditë të veçantë për teatrin dhe për mua, unë nuk do ta keqpërdorë rastin e të bëjë falënderime siç e do zakoni.
Unë, sot, nuk do të falënderoj profesorin Faruk, profesorin Enver, profesoreshën Ilire dhe të gjithë profesorët të cilëve do ju jem mirënjohës përgjithmonë; Sot nuk do të falënderoj as regjisorin Kushtrimi Koliqi me të cilin realizuam shfaqjen e jashtëzakonshme “Unë jam vet grua”, për të cilën u shpërbleva sot ; por nuk do ti falënderoj as regjisorët tjerë si Ilirin, Blertën, Urbanin, Dinon, Unkovskin e Altin Bashën që më besuan disa nga kryeveprat e dramaturgjisë botërore; nuk do ta keqpërdorë këtë rast e të falënderoj as Lirakun, Florentin e Kushtrimin e Jetonin që më hapën dyert e Teatrit Oda dhe të Multimedias; madje s’do të falënderoj as Rebeken, Armendin e Besnikun me të cilët përmes teatrit “La Rremë”, pamë botën; dhe kam vendosur që sot të mos i falënderoj as kolegët dhe punëtorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës të cilët janë familja dhe jeta ime.
Sot, në këtë ditë të veçantë, për mua dhe teatrin, duke e ditur se teatri është nëna e të gjitha arteve, unë dua ta falënderoj institucionin më të shenjtë të të gjitha civilizimeve dua të falënderoj NËNËN. Po, NËNËN!
Të parën, dhe jo vetëm për kah rëndësia, të cilën dua ta falënderoj sot, është nëna ime e cila besoi pafundësisht në mua duke u bëre dielli që më udhëhiqte përgjatë gjithë udhëtimit tim jetësor e artistik.
Të dytën, jo për kah rëndësia, të cilën dua ta falënderoj, është nëna e gruas sime, vjehrra ime, e cila pavarësisht se nuk e donte dhëndrin aktor, ajo e pranoi dashurinë e vajzës së saj dhe u bë erë që i dha krah velave të dashurisë sonë.
E treta, prap jo për kah rëndësia, është nëna e fëmijëve të mi e cila, krejt natyrshëm, me rolin e bekuar nga zoti, më fali teatrin e ëndrrave me dy aktorë të jashtëzakonshëm Orikun dhe Hanën. Ajo u bë një grua dhe nënë e jashtëzakonshme, ndërsa unë, i dhënë pas teatrit, mbeta vetëm burrë dhe baba në tentativë. Sot dua ta falënderoj atë për mbështetjen, durimin, përkushtimin dhe dashurinë e pafund.
Virusi Covid-19 doli të jetë një dry i fuqishëm. Izolimi që solli ky virus pati pasoja të mëdha. Por, tash ka ardhur koha që këto pasoja të kthehen në ide, fuqi e punë për të përmirësuar situatën. Ndonëse rreziku është ende prezent mes nesh, mund të themi lirisht që pjesa më e keqe ka mbetur pas krahëve, shkruan KultPlus.
Institucionet kulturore ju bashkuan valles së izolimit. Teatri Kombëtar i Kosovës, me repertorin e pezulluar, premierat e shtyera, provat e anuluara dhe mbylljen e teatrit për afro 2 muaj, u mundua që gjatë kësaj kohe të mos largohet nga publiku. Në pamundësi për t’i dhuruar publikut shfaqje në sallë, teatri erdhi në shtëpitë e tyre përmes shfaqjeve online.
Por, me lehtësimin e masave nga Ministrisë së Shëndetësisë, TKK ka menduar për disa alternativa që të jetë sa më afër publikut.
Ardian Morina, ushtruesi i detyrës së udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, në një intervistë për KultPlus ka folur më gjerësisht rreth planeve që po synojnë t’i realizojnë gjatë kësaj situate. Ai ka treguar që data 19 mars ishte rezervuar për shfaqjen “Zgjimi i Pranverës”, 3 prilli për “Rinocerontin”, 28 prilli për “Lear”, ndërsa në maj ka qenë e planifikuar premiera në Ëolksbuhne, Berlin, e shfaqjes “Udhëtimet e Karl May”, si dhe në fillim të qershorit premiera e shfaqjes “Pamje revolucioni”.
“Sigurisht që pandemia ka çrregulluar oraret e të gjitha institucioneve të kulturës, por fatkeqësisht ka çrregulluar edhe jetërat e njerëzve si edhe funksionimin normal të gjithë globit. Fatkeqësisht TKK nuk i ka shpëtuar kësaj situate. Natyrisht që tani, të gjendur para një akti të kryer, ne pothuajse kemi humbur pjesën e parë të stinorit artistik”, ka thënë Morina për KultPlus.
Hapja e teatrove dhe kinemave, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, pritet të ndodhë në bazë të fazës së tretë të masave ndaj koronavirusit, muajin që vjen. Ky lajm për Morinën është shumë i mirë dhe tashmë ai ka kërkuar informata shtesë nga MKRS.
“Sapo e kemi parë publikimin e këtij lajmi kemi kërkuar nga MKRS informata shtesë. A do të hapet teatri për administratën? Për aktorët…për prova? Apo edhe për publikun dhe për shfaqjet në skenën e mbrëmjes? Pra jemi në pritje të një përgjigje nga institucionet përgjegjëse. Natyrisht e gjithë kjo do të varet edhe prej situatës në terren. Mirëpo për të filluar punën me datë 2 Qershor, teatrit i duhet parapërgatitje 2 javore për të nisur me repriza dhe premiera ashtu si duhet.”
Duke dashur që teatri t’i kthehet jetës “normale”, Morina ka treguar që është hartuar një plan B. Kështu, po synohet që premiera e parë e këtij viti, “Zgjimi i pranverës”, një bashkëprodhim me Artpolis, me regji të Zana Hoxhës, të inskenohet në amfiteatrin e Gërmisë, në muajin qershor.
“Duke e ditur mundësinë e moslejimit të grumbullimeve në hapësira të mbyllura, ne planifikojmë që të realizojmë në ambient të hapur premierën e shfaqjes “Zgjimi i pranverës”. Besojmë se amfiteatri i Gërmisë plotëson disa kritere për realizimin e kësaj premiere, aq më tepër kur shfaqja është tip mjuzikli. Kjo do të ishte edhe një sakrificë e gjithë ekipit të shfaqjes por është sakrificë që ia vlen. Por, po e përsëris, vetëm po planifikojmë! Sepse pa lejen e organeve përkatëse do të jetë e vështirë. Nëse na lejojnë të fillojmë me prova në fillim të fazës së tretë, atëherë ne do të kishim premierën në fillim të Qershorit”, thotë tutje Morina.
Nëse mundësohet realizimi i kësaj premiere, Morina zotohet që do të nisë punë edhe më fuqishëm.
“Me realizimin e mundshëm të kësaj premiere ne do t’i rindiznim motorët e kulturës duke sjellë një energji te komuniteti dhe të gjithë shoqëria. Shpresojmë se kjo pandemi do të kalojë dhe ne të gjithë ti kthehemi punëve, jetëve tona, gjithnjë duke u kujdesur për njëri tjetrin. Ky është mësimi që kemi marrë gjatë kësaj kohe. Dhe le ta dijë virusi dhe të gjithë virusët e tjerë, se teatri ka ekzistuar para nesh dhe do të ekzistojë përjetësisht. S’ka gjë që e ndalë forcën e teatrit!” – përmbyllë me këtë fjali të fuqishme intervistën për KultPlus, Adrian Morina.
Ndërsa regjisorja e shfaqjes “Zgjimi i Pranverës”, Zana Hoxha ka thënë për KultPlus se e ka mirëpritur këtë iniciativë e cila beson që mund të shndërrohet në një festë kulturore.
“Kur Adriani e ndau me mua idenë dhe iniciativën për mbajtjen e shfaqjes në Amfiteatrin e Gërmisë u gëzova dhe e pranova me kënaqësi idenë sepse i përshtatet shumë shfaqjes sime dhe besoj që do të shndërrohet në një festë kulturore. Me përkrahjen e duhur teknike ne do të arrijmë që të kemi një premierë unike”, është shprehur Zana. / KultPlus.com
Me tekstin “Unë jam vetë grua” nga Doug Wright, me regjisorin Kushtrim Koliqi dhe me aktorin Adrian Morina, Integra në bashkëpunim me Miza në skenë ka realizuar projektin teatror që përqendrohet në jetën e jashtëzakonshme dhe me shumë dritëhije të Charlotte von Mahlsdorf, transgjinores nga Gjermania që i ka mbijetuar sistemit Nazist dhe Stasit.
Shfaqja fituese e
çmimit “Pulitzer” dhe e çmimit “Toni” është shfaqje që bazohet në bisedat dhe
intervistat e Doug Wright me transgjinoren gjermane, njëherit tregtaren e
antikuareve Charlotte von Mahlsdorf, si dhe në autobiografinë e Charlotte të
vitit 1992, të titulluar ‘I am my own wife’.
Për portretizimin
plotë të Charlotte, gjatë periudhës naziste dhe regjimit komunist pasues,
ndërsa jetonte haptazi si transgjinore, shfaqja kërkon që aktori i saj i vetëm
të luajë rreth tridhjetë role të ndryshme.
Titulli i shfaqjes
ka dalur nga një anekdotë që Charlotte e tregon: kur ajo ishte dyzet vjeç, nëna
e saj duke mos pasur asnjë ide, i tha “Boll luajte dhe u pispillose. Je bërë
burrë tani. Kur ke ndër mend të martohesh?” së cilës pyetje Charlotte iu
përgjigj “Kurrë, mamaka. Unë jam martuar me veten”.
Sipas Wright, në
fillim Charlotte paraqitet si një heroinë e vërtetë – një e mbijetuar nga
nazistët dhe komunistët në Gjermaninë Lindore. Sidoqoftë, po ashtu bëhet e
qartë se mbijetesa e saj në atë klimë të pasigurtë kërkonte bërjen e shumë
zgjedhjeve të dyshimta morale. Për të kontekstualizuar këtë aftësi për të
mbijetuar, shfaqja “Unë jam vetë grua” jo vetëm që kronikon jetën e
Charlottes, por sipas Hedy Weiss të Chicago Sun-Times, ajo gjithashtu krijon
“një portret të qartë të Gjermanisë në gjysmën e dytë të shekullit njëzet,
një përrallë morale komplekse për atë që i duhet bërë një njeriu për të mbijetuar
dhe një meditim intrigues për gjithçka.
Ky tekst është
shqipëruar nga Artur Lena, skenografe dhe kostumografe e këtij prodhimi është
Njomëza Luci, kompozitor Trimor Dhomi, asistent regjisor Bashkim Ramadani,
video realizator Lum Çitaku dhe dizajner i dritave Skender Latifi.
Premiera e
shfaqjes “Unë jam vetë grua” është me 4 dhjetor, prej orës 19:30 dhe repriza e
parë me 5 dhjetor, prej orës 19:30 në Teatrin Dodona në Prishtinë.
Bashkangjitur me
këtë komunikatë ju lutem gjeni posterin e shfaqjes.
Kjo shfaqje realizohet në bashkëpunim me CDF, The Global Fund, Rockefeller Brother Funds, Teatrin Dodona dhe Kumunën e Prishtinës. Ky projekt është mbështetur nga programi ‘Kultura për ndryshim’ që financohet e menaxhohet nga Bashkimi Evropian ndërsa implementohet nga Qendra Multimedia e Goethe Institute. / KultPlus.com
“Vetëm me këta dy aktorë mund të bëhet një tekst i tillë për shkak të eksperiencës dhe talentit që e kanë. Unë mendoj që janë aktorët më të mirët në shqiptari”, ka thënë regjisori Ilir Bokshi për KultPlus.
Gili Hoxhaj
Mbrëmë erdhi premiera e tragjikomedisë “Hollyshit” me regji të regjisorit Ilir Bokshi e producente Albulena Kryeziu Bokshi, shkruan KultPlus. Kjo shfaqje e bazuar në “Gurë në xhepat e tij” nga autorja Marie Jones, mbrëmë u jetësua përmes lojës së aktorëve tashmë të dëshmuar në fushën e aktrimit: Adrian Morina dhe Ylber Bardhi. Shfaqja përmbante edhe një ekip prapa skenës i cili përbehej nga dramaturgu- Shkëlzen Berisha, asistent regjie-Butrint Pasha, muzika-Art Lokaj dhe kostumografe-Albulena Borovci.
“Hollyshit” përmes personazheve të ndryshme në mënyrë shumë të saktë ironizon dhe nxjerrë në pah një situatë e cila në realitetin e përditshëm kalon pa u theksuar. Shfaqja është e zhvendosur në një pjesë të Irlandës, ndërsa flet për një qytezë-provincë e cila “pushtohet” nga një produksion hollivudian të cilët vijnë për të xhiruar një film. Statistët hollivudian duke qenë shfrytëzues, në anën tjetër dalin edhe si përçmues të statistëve irlandez.
Në qendër të storjes janë Çarlli Konllon dhe Xhejk Kuin, të cilët, sikurse shumica e banorëve të qytezës, janë punësuar si statistë filmi. Komedia rrjedhë nga përpjekjet e produksionit që të krijojnë një “ndjesi provinciale” -një nocion romantik, i cili shpesh bie ndesh me realitetin jetësor. Kur flitet për bashkëpunimin në aktrim, këtu regjisori me mjeshtëri ka futur edhe një element mjaft të rëndësishëm me përdorimin e theksit, që shpesh kalon në imitim të dobët. Po ashtu, regjisori brenda shfaqjes godet me mesazhe të fuqishme që nga mospërfillja,përçmimi duke prekur në përdorimin e substancave narkotike, e që përfundon me një vetëvrasje, që i nxjerrë në pah nuancat e tragjedisë së kësaj shfaqje.
Regjisori Ilir Bokshi tha për KultPlus se ndryshe nga që jemi mësuar të shohim shfaqje komike të cilat të dërgojnë shumë lehtë te estrada, në këtë shfaqje ai qëllimisht ka përzgjedhur një përzierje zhanresh.
“Kjo shfaqje e cila ka nuance komike, ka edhe pjesë të tragjedisë edhe dramës, qëllimisht e kemi përzgjedhur këtë tekst që në pjesën e dytë kalon në dramë, për shkak se prej estradës kthehet në një dramë të mirëfilltë dhe gati te tragjedia”, tha regjisori Bokshi. Përmes kësaj shfaqje mesazhi i një regjisori si Ilir Bokshi, nuk kishte si të mos depërtonte pa u bazuar në realitetin e vendit ku ai jeton.
“Po ndihem pak provincional në këtë vend ku jetoj në krahasim me mungesën e vizave dhe me tendencën e të tjerëve që të na quajnë provincial. Titulli kryesor është provinca, krahasuar me yjet e tjerë që po na vijnë dhe mënyrën se si po na cilësojnë”, pohoi Bokshi për KultPlus. Dy aktorë të vetëm arrijnë që skenës së Teatrit Dodona t’i sjellin një mori personazhesh, ata pa u larguar asnjë moment në prapaskenë arrijnë që në mënyrë shumë të natyrshme të shfaqen në role të ndryshme, duke sjellë situata sa komike, aq edhe ironizuese.
Regjisori Bokshi tha për KultPlus se ky kalim zhanresh, nuk mund të jetësohej më mirë nga dikush tjetër pos këtyre dy aktorëve, të cilët ai i quan si aktorët më të mirë në shqiptari.“Vetëm me këta dy aktorë mund të bëhet një tekst i tillë për shkak të eksperiencës dhe talentit që e kanë. Unë mendoj që janë aktorët më të mirët në shqiptari”, tha regjisori Bokshi. Vet aktori Ylber Bardhi tha për KultPlus se kanë hasur në shumë vështirësi në realizimin e kësaj shfaqje dinamike, megjithatë ky rezultat i suksesshëm ai e quan edhe meritë të bashkëpunimit me ekipin të kësaj shfaqje.
“Ne gjatë shfaqjes kalojmë në rreth dhjetë, dymbëdhjetë personazhe. Ka qenë pak e vështirë që nga fillimi i provave dhe nuk e dinim nëse do të mund t’ia arrinim për shkak se është një shfaqje e komplikuar sa i përket personazheve dhe skenave. Megjithatë me prova të vazhdueshme dhe me ndihmën e gjithë ekipit e veçmas regjisorit dhe mikut tim, kemi ardhur te kjo që e kemi sjellë sonte, duke bartur mesazhe të ndryshme”, tha aktori Bardhi. Kjo shfaqje është mbështetur nga Ministria e Kulturës së Kosovës, Drejtoria për Kulturë e K.K. Prishtinës dhe Teatri AAB “Faruk Begolli”/KultPlus.com