MKRS ndan 330,000 euro për trajnimin e 400 nxënësve në sportin e skijimit

Sot ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, Dafina Gexha, Zëvendësministre e Shëndetësisë, rektorin e UP Naser Sahiti, dekanin e FEFS, Musa Selimi dhe Kryetarin e Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës, Adrian Telaku nënshkruan memorandum bashkëpunimi që parasheh përfshirjen e rreth 400 nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme në projekt të edukimit jo-formal në sportet malore, specifikisht skijimit.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë 330,000.00 Euro për trajnimin e 400 nxënësve në sportin e skijimit. Për realizimin e aktiviteteve sportivo-edukative, përmes së cilave promovohen benefitet e aktivitetit fizik dhe kapacitetet e  Republikës së Kosovës për zhvillimin e sporteve malore.

Obligim i MASHTI-t do të jetë përzgjedhja e nxënësve dhe stafit përcjellës të tyre. Ministria e Shëndetësisë sipas memorandumit do të sigurojë stafin mjekësor dhe mjetet përcjellëse. Universiteti i Prishtinës, respektivisht FEFS, do të bëjë trajnimin e nxënësve në sportin e skijimit nëpërmjet stafit profesional, të cilin do ta sigurojë. Ndërsa FSSHK-ja obligohet për mbarëvajtjen e organizimit dhe kryerjen e shpenzimeve të realizimit të këtij projekti.

Memorandumi përfshin mbështetjen e aktiviteteve në harkun kohor një vjeçar, përkatësisht në vitet 2021 dhe 2022, ndërsa qëllimi është zhvillimi, avancimi dhe masovizimi i sportit në vendin tonë. / KultPlus.com