Festivali i Këngës në RTSH i cili këtë vit do të mbahet në datat 19, 20, 21 dhe 22 dhjetor, dje mbajti edhe konferencën e parë për media, ku ndër të tjera zbuloi një ndër prezantueset e këtij edicioni.
Një ndër prezantueset këtë vit në Festivalin e Këngës në RTSH, do të jetë aktorja e njohur kosovare, Adriana Matoshi.
“Do të jem një prezantuese e re, që për herë të parë në jetën time marr pjesë në këtë event. Është një sfidë e madhe për mua, por si person mua më pëlqejnë sfidat. Mezi po pres që të fillojë festivali dhe të kënaqemi me këngët që i keni përzgjedhur. Suksese të gjithëve dhe uroj që të kënaqemi bashkë,” u shpreh Matoshi.
Ekipi që do të realizojë festivalin e këtij viti përbëhet nga Bojken Lako, drejtori artistik, Enkel Demi si skenarist, kantautori Elton Deda, regjisori Pali Kuke si dhe deri më tani e vetmja prezantuese e zbuluar deri më tani, Adriana Matoshi. / KultPlus.com
Filmi “Luna Park” me regji të Florenc Papas dhe skenar të Florenc Papas & Glykeria Patramani ka filluar të xhirohet para pak ditësh, shkruan KultPlus.
Ky film është prodhim i shtëpisë kinematografike On Film me producent Dritan Huqi, derisa në rol kryesor do të jetë edhe aktorja nga Kosova Adriana Matoshi së bashku me Orion Jolldashin.
Filmi po realizohet në bashkëprodhim me kompanitë filmike: Atalante Productions (Gr), producente Ioanna Bolomyti, Lupin Film(It), producent Riccardo Neri & Vicenzo Filippo, corvus.studio(Cro), producent Zvonimir Munivrana , “Buka”(Ks), producent Fatmir Spahiu Bufi.
Ky film është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Greek Film Centre, Greek National TV ERT, Croatian Audiovisual Center (HAVC), Qendra Kinematografike e Kosovës. /KultPlus.com
Gjithçka zë vend në fshatin fiktiv të titulluar “Sllupkove”, ku së fundmi ka ndodhur një ikje masive e të rinjve dhe punëtorëve nga ky vend. Në këtë hapësirë ka mbetur tash veç një person, një punëtor që mban emrin Rexhep Nushi. Nën mungesën e madhe e tejet të shprehur të punëtorëve të tjerë, të gjithë banorët e fshatit nisin dhe e kërkojnë tashmë veç Rexhon, djaloshi i cili kryen nevojat dhe punët e ndryshme dhe llojllojshme që secili banor ka nëpër shtëpitë e tyre, ngaqë askush tjetër nuk është në dispozicion. Bëhet fjalë për filmin “Everybody Calls Redjo” me regji të Ibër Dearit, film ky që pas një rrugëtimi të gjatë e të mundimshëm ia ka arritur që të jetësohet, shkruan KultPlus.
“Everybody Calls Redjo” është film debutues për regjisorin Ibër Deari si skenarist në filmat e metrazhit të gjatë, derisa edhe Artin Selmani është pjesë e këtij filmi sa i përket pjesës së skenarit. Bashkëpunimi i Dearit me Selmanin ka rrjedhë nga bashkëpunimet e tyre të mëhershme në shumë skenarë, por që për këtë skenar të këtij filmi, ata kanë vendosur që e gjitha puna e tyre të shndërrohet në një projekt filmik. Për ta, ka qenë një proces tejet interesant dhe kanë qenë pikërisht ato orët e shumta nëpërmjet të cilave ata kanë debatuar, qeshur e janë nervozuar, por që kanë përfunduar në vazhdimin e jetësimit të karaktereve dhe situatave. Kanë shkruar e rishkruar dialogë të shumtë edhe deri në ditën e fundit të xhirimeve. Ndërkaq, ekzistojnë shpresat se edhe në të ardhmen, të dytë të shkruajnë skenarë, bashkërisht.
Në një intervistë për KultPlus, regjisori Deari ka shpalosur ende më shumë detaje në lidhje me rrugëtimin, procesin e punës dhe të ardhmen e këtij filmi të përfolur.
Realiteti që na rrethon, në të cilin jetojmë dhe të cilin e shohim çdo ditë, qoftë në rrugë, në lajme apo edhe nga bisedat në kafene me miq, është pika kryesore nga ku edhe ka ardhur ideja për të krijuar filmin. Personazhi kryesor, Rexho cilësohet si personi që regjisori Deari ka pasur më së shumti nevojë, dhe të cilin ai çdo herë e ka kërkuar. Përveç Rexhos si personazh, ka pasur edhe personazhe të tjerë në fokus, por që në fund së bashku me skenaristin Selmanin, ata kanë vendosur të shikohet i gjithë filmi nga vetëm perspektiva e Rexhos.
Filmi “Everybody Calls Redjo” i përket metrazhit të gjatë. Se si ka nisur ky rrugëtim për regjisorin dhe si ka shkuar deri më tani, e tregon edhe vetë ai.
“Është me të vërtetë një rrugë shumë e gjatë. Unë me filmin merrem që në moshën e re dhe vazhdimisht jam munduar të punoj. Edhe kur nuk ka pasur buxhete, unë kam krijuar filma me vetëfinancim sepse e dua filmbërjen, mirëpo për të arritur që ta realizoj një film të gjatë, më janë dashur më shumë se katër vite, vetëm përgatitje. Secili film, kudo që realizohet, i ka sfidat dhe vështirësitë e tij. Nuk ka film të lehtë. Gjithë filmat e mirë apo filmat ku autorët mundohen për të bërë diçka të mirë, cilësohet si shumë e lodhshme dhe e vështirë. Në rastin tim, kemi pasur probleme të zakonshme si gjithë filmbërësit e tjerë, duke nisur nga buxheti, koha e shkurtër e xhirimeve, moti që ndryshonte vazhdimisht dhe shumë probleme të tjera normale që kanë të bëjnë me autorët, gjendjen shpirtërore dhe emocionale të artistëve, por kjo është sfidë që të ndihmon të rritesh dhe të jesh më i pjekur si artist”, shpalos regjisori Deari.
Ndërsa, procesi i përzgjedhjes së kastës së aktorëve, konsiderohet si procesi që ka zgjatur më së shumti në këtë film. Por, energjia ndërmjet tyre, qe pika kryesore nga e cila është jetësuar filmi dhe tani pas shumë problemeve të hasura, regjisori Deari ndjehet i kënaqur me përzgjedhjen që është bërë.
“Kur punon me aktorë të mirë, është shumë më lehtë të realizosh një film. E unë mendoj që e pata fatin e mirë për të punuar me gjithë këta aktorë. Do i veçoj rolet kryesore pasi që ata e kanë pasur barrën më të madhe, duke nisur nga Afrim Muçaj dhe Adriana Matoshi. Pa këta të dy, vështirë që do e kisha realizuar vizionin e saktë që e kisha në kokë. Por gjithsesi, një duartrokitje e madhe shkon për aktorin e ri, Ledion Muljaku, një djalë shumë i ri e shumë i talentuar dhe besoj se kur të shikoni filmin do të bindeni në këtë që po e them. Gjithashtu jam shumë mirënjohës dhe falënderues për gjithë aktorët e tjerë që erdhën për të qenë pjesë e filmit tim”, thotë ai.
“Everybody Calls Redjo” ka realizuar xhirimet në gjithsej 20 ditë. I gjithë procesi ka shkuar shumë mirë dhe për sa i përket organizimit ekipor, regjisori Deari ka pohuar që ka qenë jashtëzakonisht profesional. Por, armiku i vetëm i këtij procesi konsiderohet të jetë moti që vazhdimisht ndryshonte, me ç’rast ka krijuar edhe probleme në sheshxhirim, por që sipas regjisorit, filmi kështu bëhet; duke zgjedhur probleme. Ndërkohë, në sheshxhirim ka pasur momente të ndryshme e interesante por që as vetë regjisori nuk mundet t’i veçoj, ngaqë ato janë në masë të madhe.
Padyshim që krijimi i një filmi që i përket metrazhit të gjatë është një ndjenjë krejtësisht tjetër. Regjisori Deari këtë ndjenjë e përshkruan si tepër të rëndë.
“Është një emocion tepër i rëndë. Nuk ia ndjen kënaqësinë gjatë të bërit film. Në procesin e krijimit më shumë ke stres, ankth dhe në shumë raste edhe dilema. Më duket si një emocion tronditës sepse merresh me realizimin e një ëndrre por është një ëndërr që të shfaqet si një makth.”
Po ashtu, ai ka treguar edhe se çfarë ka mësuar personalisht si regjisor dhe skenarist, përgjatë këtij rrugëtimi të krijimit të filmit. E kjo për shumë kë, del të jetë shpeshherë ndryshe.
“Besoj se kam mësuar shumë, mjaftueshëm për ta kuptuar se të bërit një film nuk është ashtu si e lexon në libër apo në shkollë, e as ashtu si e komenton dhe diskuton nëpër tavolina e kafene. Të bërit film është një luftë që duhet të përjetohet drejtpërdrejt vetëm në fushëbetejë, ndërsa me njohuritë e librit dhe të shkollës, mbetesh vetëm një njohës i filmit por jo edhe i krijimit të tij”, thotë regjisori Deari për KultPlus.
Sipas tij, suksesi i filmave kosovarë është tejet i lartë, pasi që çdo vit nëpërmjet filmave, krijuesit kosovarë e dëshmojnë vetën duke shkuar në festivalet më të mira në botë. Ai shprehet se në Kosovë punohet shumë, sidomos duke marr parasysh se filmbërësit punojnë me aq buxhete të vogla, e që në fund arrijnë sukses të madh.
“Në Kosovë ka shumë konkurrencë dhe filmbërësit janë në luftë për të dëshmuar veten e tyre. Ata janë të uritur për të bërë punë të mirë. Ka shumë regjisorë guximtar që rrezikojnë, por gjithashtu Kosova ka edhe shumë aktorë të mirë që ia mundësojnë e ia lehtësojnë punën secilit regjisor, që ata të arrijnë të bëjnë filmat e tyre të veçantë dhe komunikues me publikun”, përfundon ai.
Ndërkaq, premiera e filmit “Everybody Calls Redjo” ende nuk dihet saktë se kur do të shpaloset, për arsye të postproduksionit, që zgjatë tejet shumë.
Në filmin “Everybody Calls Redjo” luajnë: Afrim Muçaj, Adriana Matoshi, Adem Karaga, Mirsad Abazi, Adrian Aziri, Daniela Markaj, Bujar Ahmeti, Labinot Raçi, Bereda Reshit, Ledion Mulaki, Blerim Ismani, Muzafer Etemi, Valdeta Ismajli, Blerim Dardhishta, Sara Bajrami etj. / KultPlus.com
KultPlus ju sjell 25 vajzat dhe gratë e Kosovës që u shndërruan në zërin e vajzave, djemve, grave dhe burrave të Kosovës.
Vajzat dhe gratë e Kosovës po vazhdojnë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme, duke shndritë nëpër botë.
Me rastin e 8 Marsit, KultPlus ka përzgjedhë 25 vajza e gra që nëpërmjet fjalimeve, performancës, muzikës, sportit, filmit e biznesit kanë ngritë dhe kanë përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze, e duke shndërruar Kosovën në një Kosovë të artë, në një Kosovë që synon Oscar, në një Kosovë që me rrëfimet e nxjerra po nga ky vend, i ka treguar botës po për dhimbjen, kurajën dhe guximin e vajzave dhe grave të vendit më të ri në kontinentin e vjetër.
Po këto vajza dhe gra u shndërruan në inspirimin e shumë vajzave, djemve, grave e burrave, të cilët kuptuan se ëndrrat nuk duhet dhe nuk mbeten vetëm ëndrra.
Në vazhdim, KultPlus ua sjell aktoren e njohur Adriana Matoshi e cila ka marrë dritën e gjelbër të jetë deputete e Kuvendit të Kosovës.
Adriana Matoshi, e cila është e njohur edhe për rolet e saj të shumta në teatër e film, pati njoftuar se sërish është diagnostifikuar me sëmundjen e tumorit në tru.
Së fundmi, duke marrë parasysh rolin e saj në filmin e suksesshëm “Zgjoi”, aktorja pati kërkuar mbështetje të filmit me regji të Blerta Bashollit, ngase filmi ishte përfshirë në listën e ngushtë të çmimeve Oscars në kategorinë e filmave ndërkombëtar. / KultPlus.com
8 Marsi shënon ditën e grave dhe thirrjen që fuqizimi i tyre të jetë më i madh dhe rrjedhimisht të ketë më shumë barazi gjinore nëpër botë, shkruan KultPlus.
Aktorja e njohur, Adriana Matoshi, u ka bërë thirrje grave në këtë ditë që të jenë sa më të lira, të pavarura dhe të suksesshme.
Ky është postimi i plotë në “Facebook” (pa ndërhyrje):
“GRA, duheni me kuptu e me ia shti vetit n’kry qe LUMTUNIA osht me kon e lire, e pavarun, e suksesshme! Ni BURR i dhunshem e tradhtare nuk te duhet sen. JETA osht shume ma e mire se sa dhuna psiqike e fizike. Mos duroni,po punoni e gjallnoni, keshni, veshnu e ndreqnu. Jo veç per 8 mars, po per dite t’lume qe na ka fale e na fale i lumi Zot. Gezuar per ton jeten zemrat e mia!”, shkroi Matoshi.
Dita Ndërkombëtare e Grave i ka fillesat e saj qysh në fillim të viteve 1900, nga aktivitetet e lëvizjeve të punës në Amerikën e Veriut dhe në të gjithë Evropën. /KultPlus.com
Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit, është përfshirë në listën e ngushtë të çmimeve Oscars në kategorinë e filmave ndërkombëtar, derisa po shpreson që të nominohet më 8 shkurt, atëherë kur edhe do të bëhen të ditur emrat që do të marrin pjesë në galanë e 27 marsit, shkruan KultPlus.
Njëra prej aktoreve në këtë film, Adriana Matoshi, përmes një postimi në “Facebook”, ka kërkuar mbështetje në mënyrë që të Kosova të shkruajë histori.
“ZGJOI osht shembulli ma i mirë i suksesit, çmimeve, vlerave dhe ma e rëndësishmja, pasqyrimi ma i drejtë i realitetit tonë. Nuk e di pse disa njerëz ngurrojnë e nuk e përkrahin artin para se me arritë suksese të mëdha, po në fund krejt kanë qef me u identifiku edhe me u krenu me ato suksese.Hajde bashkë t’a shkrujmë historinë, tu e shpërnda e tu e bo ZGJOIN me qarkullu në krejt platformat sociale e mediale.Suksesi nisi në #Sundance, vazhdoi në shumë e shumë festivale prestigjioze, tash e kemi radhën me e shkrujt emrin e Kosovës edhe në #Oscars. Kosova meriton t’a ketë vulën e saj në kinematografinë BOTËRORE. Historia e zonjës Fahrie dhe grave të Krushës e meriton këtë sukses”, ka shkruar ajo.
Zgjoi tregon historinë e Fahrije Hotit, e cila duke shpresuar të sigurojë familjën e saj, së bashku me të vejat në vështirësi nisin një biznes për të shitur një produkt ushqimor vendas. Ato gjejnë shërim dhe ngushëllim në sipërmarrjen e re, por vullneti i tyre për të jetuar të pavarur së shpejti përballet me armiqësi.
Regjisorja e filmit, Blerta Basholli dhe protagonistja Yllka Gashi kanë hapur një kampanjë, përmes së cilës kanë kërkuar që posteri i filmit të shpërndahet sa më shumë në rrjete sociale. /KultPlus.com
Gjithmonë e kom ditë që jemi popull i bashkum, popull që e zgjasim dorën kur duhet, po asniher nuk kisha besu sa shumë ndikojnë psiqikisht edhe shpirtnisht krejt ato thirrje, mesazhe, komente e dedikime pafund që i lexojsha gjithandej.
Forca nuk u reflektu veç te unë, po te krejt njerzt me t’cilët jom e lidhun shpirtnisht. Ju i keni bo edhe ata me besu n’lutjet tuaja.
Gjithmonë problemet kom dashtë me i majt mrena vetës mos me shqetsu asni person, e nuk e kisha ditë sa e nevojshme osht dashnia e përkrahja n’ditë qaq t’fshtira.
Ecja/marshimi n’sheshin e Prishtinës u kon për mu e papritshme. Jo pse kom dyshu n’dashninë e njerzve t’mi, po n’temperatura qaq t’ulëta, i pashë të mbledhun shoqni, kolegë e qytetarë të cilët ma dhan forcën ma t’madhe ndërkohë që unë isha duke i’u nënshtru krejt analizave e kontrollave para operimit.
Marshet e tilla duhet me u organizu e me ju dediku krejt atyne fmive, grave e burrave që luftojnë e na nuk e dijmë nëpër çka po kalojnë. Besomni nuk ja u njihni as dhimtën, as stresin, e as ngarkesën e kostos që e ka mjekimi për kto smundje kaq t’rona.
Mos pritni veç ditëlindje,Bajram, Vit t’Ri, Kërshëndella e Pashkë për me u dashtë. Gzojeni jetën edhe ditve t’rëndomta. Gjejeni motivin e pozitivitetin çdo ditë që e gzoni shëndetin.
Rrini afër atyne qe kanë nevojë, motivoni për jetë, kujtojani arsyjet pse i duhen botës, pse duhen me luftu fort. Tregoni që jeta gjithmonë i sprovon ushtarët ma t’fortë.
Dr. Mentor Petrela njihet n’botë si doktor i mrekullive. Unë pata fatin me u operu prej tij, bashkë me stafin e tij fantastik, me infermieret ma t’mira të mundshme.
Gjeneratat e reja të doktorve e infermierve nuk duhemi me i lon me ik prej ktu. Nuk i kanë njerëzit krejt kushtet me u mjeku jashtë vendit, e na duhemi me investu n’kto gjeneratat e reja, se besoj që edhe për ta ma i vlefshëm osht kontributi i tyne n’vend t’vetin.
Largojeni urrejtjen.
Ushqejeni shpirtin me dashni
Reflektoni pozitivitet.
Nisjani ditës tu e dashtë vetën se veç qashtu jeta juj ka me pas kuptim.
Kush mbjellë urrejtje, mos t’pret me korrë dashni.
Duajeni FAMILJEN por kurrë anash mos e leni SHOQNINË, se shoqnia osht njo prej pasunive ma t’mdhaja që Zoti ju bekon, qashtu si mu.
Shoqnia në krejt rastet e f’shtira osht aty për ty, saher doni me i mshefë problemet e mdhaja prej shpisë, shoqnia osht aty me t’ngu e kshillu çka me bo, qysh me ja dalë…
Fuqia e Zotit , lutjet e juja, përkushtimi i mjekve, m’rikthyn prap n’jetë.
Kurrë ma e përmbushun shpirtnisht nuk jom kon.
Po ju falenderoj shumë krejt juve që m’keni shkrujt prej momentit që e kom publiku lajmin. Ma boni hallall që nuk kom mrri as me i lexu ato mija mesazhe që hala nuk po ndalen. Për momentin jom tu qëndru larg telefonit si rekomandim i mjekut për pushim dhe qetësi apsolute.
Në nder të aktorës së mirënjohur dhe shumë të dashur për gjithë publikun shqipëfoles, Adriana Matoshi e cila përsëri u diagnostifikua me tumor në tru, nesër organizohet ecja nga Sheshi Zahir Pajaziti deri te Teatri Kombëtar në Prishtinë, duke filluar nga ora 12:00.
Me anë të kësaj ecje, të solidarizoheni me sfidën e Adrianës, për të cilën po luten të gjithë që ta fitoj si çdo peripeti që ajo e ka kaluar në jetë.
Ftohen të gjithë miqtë, artdashësit, dhe familjarët të cilët kanë dëshirë ta përkrahin Adrianën në këtë luftë dhe ti tregojnë që jemi të gjithë bashkë me të. / KultPlus.com
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Adriana Matoshi, e cila është e njohur edhe për rolet e saj të shumta në teatër e film, ka njoftuar se sërish është diagnostifikuar me sëmundjen e tumorit në tru. Ajo ka shkruar në rrjetin social Facebook se të mërkurën do të përballet sërish “mes jetës dhe vdekjes”, derisa ka falënderuar doktorët dhe profesionistët “me të cilët bashkë kemi me luftu edhe kësaj here”.
KultPlus ju sjell të plotë reagimin e saj mbi ketë përballje.
Jetes pas sfidave besoj qe veç i shtohet vlera, se tek at’her fillojme me e pa te bukuren ndryshe, me vlersu te drejten, me e njofte forcen e brendshme edhe me e pa dashnine e sinqeritetin e njerzve rreth vetes.
Nje nder sfidat qe mu ka dashte me kalu para 9 vjetve kur u pata diagnostifiku me tumor ne hipofize, ate kohe isha shtatzane pritsha me sjelle ni mrekulli n’kete jete. Komplikim i dyfisht shkaku edhe i shtatzanise, po efekti te une nuk u vrejke aspak. Asni moment te vetem nuk jom dorzu e as nuk kom besu qe munet me m’ndodhe diçka, se dashnine per jeten e kisha shume ma t’madhe sesa friken prej vdekjes. Nuk kisha as kohe me menu asi sene se n’shpi m’pritshin fmite, prind, m’pritke puna, projektet…
Tash 9 vite ma vone, tu mos pushu kurre sa duhet, m’kapi lodhje prej angazhimeve te mija te shumta, stresi i akumulum mrena, mbingarkesat, krejt kto m’bonen me menu qe e kom tepru. Ja kom thy limitet vetes.
Po aty e kuptova qe tumori ne tru ish rikthy prap.
Me misionin e njejt prap po m’doket, me m’tregu qe koha osht teper e vlefshme edhe duhna me kalu ma shume kohe me prind e mi, fmite e mi, te dashurin tem, me krejt shoqnine, koleget e njerzt qe duhemi pa kushte. Gjithçka po du ma shume.
Te merkuren duhna prap me u perballe mes jetes edhe vdekjes, ama e di qe rrugetimi jem ka me vazhdu se osht shume i gjate. Kom shume qytete t’botes pa i pa, shume skena te filmit pa shkele, shume role pa lujt, i kom fmite qe duhna me i bo t’zot e vetes…
I falenderoj nga zemra krejt doktoret profesionist me te cilet bashke kemi me luftu edhe ksaj here.
E falenderoj Zotin qe n’krejt kto sfida po m’jep force e vullnet. Une e kom besimin e plot te fuqia e tij edhe lutjet tuaja.
Besoj qe ne fund t’javes kom me u çu me sukses edhe kom me ju kthy komente pozitive krejt lutjeve t’juja edhe komenteve plot dashni.
JU DUA FORT
Mos harroni me e dashte VETEN edhe JETEN.
Mos lakmoni shume se as pasunia e botes, as fama, e asni sukses e arritje n’jete nuk vijne para SHENDETIT e asnjona prej tyne nuk po mujshin me e ble ilaqin ose me ta zgjate jeten.
N’situatat e tilla qysh jom une per momentin, po u dashke mi lon krejt edhe me menu per veten.
Une e pasun jom veç n’shpirte, se puna jem m’ka bo me njofte njerz, me ngu histori e rrefime, me perjetu gzim e lot bashke me juve.
N’fund te javes qe e kemi fatin e degjohemi prap, mos harroni qe ajo ka me ndodhe me vullnetin e Zotit edhe perkushtimit t’mjekve, nuk ka me m’pshtu as fama e as parja./ KultPlus.com
Sukseset e filmave nga Kosova po vazhdojnë edhe më tej, duke u selektuar në shumë festivale prestigjioze, shkruan KultPlus.
Filmi artistik i metrazhit të shkurtë “”Koagulim” me skenar dhe regji të Noar Sahitit është përzgjedhë në programin zyrtar të Festival Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtët “Leuven”, një ndër festivalet më prestigjioze të filmave të shkurtër, festival që është edhe i kualifikuar për çmimet Oscar, Bafta e Efa.
Ky film është i nominuar në katër kategori, kurse përgjatë festivalit do të prezantohet në tri termine.
Me rolet e tyre në këtë film luajnë: Yll Bytyci, Adriana Matoshi e Dukagjin Podrimaj./ KultPlus.com
Aktorja e njohur Adriana Matoshi, njëherit edhe deputetja e Parlamentit të Kosovës në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka potencuar përmes një statusi në rrjetin social Facebook se është bërë cak i kërcënimeve të ndryshme, përcjell KultPlus.
Ajo ndër të tjera ka pohuar se këto kërcënime po i vijnë asaj për shkak të angazhimeve në mbrojtjen e të drejtave të grave.
”Ditëve të fundit jam bërë cak i kërcënimeve të ndryshme për shkak të angazhimit tim në mbrojtje të drejtave të grave, sidomos ndihmës që po ju jap grave të cilat me vite kanë pësuar dhunë psiqike e fizike nga burrat e tyre.
Gabon rëndë ai që mendon që më frikëson, sepse hyrja ime në politikë dhe paralment ka një mision, i cili nuk do të pushojë para se çdo nënë, motër e grua ta fitojë lirinë dhe të drejtën e vet elementare njerëzore për të jetuar e lirë dhe e pacënuar nga askush”, ka shkruar Matoshi. / KultPlus.com
Tuti Sjediu, 19 vjeçarja nga Komuna e Gjilanit e cila së fundmi ka fituar titullin “Miss Universe Albania & Kosova”, pas shpalosjes se ajo në moshën 13-vjeçare është përdhunuar e trafikuar nga disa persona, ka reaguar aktorja dhe deputetja Adriana Matoshi duke theksuar se drejtësia do të vihet në vend, ndërsa ajo ka premtuar mbrojtje institucionale, përcjellë KultPlus.
Matoshi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka shpërndarë një foto me Sejdiun dhe një mbishkrim ku përshkruhet historia e saj e dhimbshme.
”Një vajzë si Tuti i duhet Kosovës. E guximshme, e fortë, e dashur dhe shumë motivuese”, thotë ajo.
KultPlus ju sjell postimin e saj të plotë:
Një çikë e fortë, e cila në momentin që e fitoi titullin e më të bukurës në “Miss Univers Kosova” vendosi me e shpalosë historinë e saj te trishtë personale dhe familjare.
Qëllimi i saj nuk ishte titulli i më të bukurës, por sjellja e drejtësisë në vend!
Qysh si e mitur ajo ishte objekt i dhunës seksuale, por tani është në duar të sigurta. Duke iu falenderuar Ministrisë së Drejtësisë dhe njerëzëve të mirë që punojnë aty, drejtësia për Tutin do të arrihet.
Një vajzë si Tuti i duhet Kosovës. E guximshme, e fortë, e dashur dhe shumë motivuese. Vajzat e Kosovës do të kenë mbrojtje institucionale. Ato janë baza e një familje të shëndosh, rrjedhimisht edhe e një kombi të shëndosh. Ato do të jenë të sigurta. Ju premtoj! / KultPlus.com
Aktorja e njohur dhe deputetja e Parlamentit të Kosovës Adriana Matoshi ka njoftuar për një angazhim dy mujor që ka rezultuar të jetë i suksesshëm, shkruan KultPus.
Bëhet fjalë për një grua që ka përjetuar dhunë fizike nga bashkëshorti i saj, e cila është edhe shtetase e huaj, e cila për 16 vjet ka kërkuar ndihmën e institucioneve, por si pasojë e mos përgjigjes, ajo që 16 vjet është sorollatur nëpër dyer të institucioneve.
Matoshi ka shpjeguar se vetëm dy muaj u janë dashur për të mbështetur këtë grua, e cila bashkë me vajzat e saj do të kthehet në shtetin edhe prej nga ka ardhur në Kosovë.
KultPlus ju sjell të plotë postimin e Matoshit.
Mission completed!
M.T, së bashku me dy vajzat e saja (6 dhe 10 vjeç) sot e rifituan lirinë, e drejtë kjo elementare njerzore që do të duhej të i takonte çdo njeriu në botë.
Kjo nënë, shtetase e huaj, para 16 viteve u martua në Kosovë, me shpresën që do të nisë një jetë të re të lumtur e plot dashuri, por në vend të saj ajo për 16 vite përjetoi dhe mori nga bashkshorti vetëm maltretim fizik e psiqik.
Që nga viti 2014 nuk la derë pa trokitur që të ankohet për problemet e saja, po të gjitha dyertë i kishte të mbyllura, duke mos gjetë mbështetje as nga të afërmit e burrit, e as nga institucionet përkatëse. Nga frika se nuk do t’i shihte më vajzat, ajo refuzoi të largohej pa vajzat nga Kosova, duke qëndruar kështu plot 16 vite me mall e dhimbje larg familjes e vendlindjes së saj.
E gjitha do të qëndronte ashtu, sikur jo rastësisht shokut tim, A.I. i bie në dorë një video, ku shihet dhuna e shfrenuar e bashkshortit të saj ndaj njërës prej vajzave të tyre, i cili më lajmëron mua për rastin. Me urgjencë interesohem për këtë familje dhe arrijë të siguroj kontakt. Pas pak edhe takohemi me M.T., ku nën ethe e trauma më rrëfehet për tmerrin të cilin e kishte përjetuar nga bashkshorti gjatë gjithë këtyre viteve.
I premtoj ndihmë të parezervë dhe instikti i parë më dërgon në komisionin për të drejtat e njeriut, ku deputetja Duda Balje e cila është edhe kryetare e komisionit, njoftohet detajisht me gjithë historinë e kësaj nëne.
Pastaj e njoftojmë edhe Ministrinë e Drejtësisë, ku udhëzohemi prej Nazlie Bala për procedurat e mëtutjeshme.
Në ndërkohë deputetja Balje arriti ta caktoi një takim me ambasadën e shtetit të saj, nga të cilët morëm mirëkuptim dhe mbështetje të plotë për zgjidhjen e këtij problemi. Meqenëse vajzat nuk kishin dokumente të shtetit shtetase e të cilit ishte nëna e tyre, në fillim e pamë të pamundshme largimin e tyre nga Kosova, aty ku ishte vullneti i tyre të shkojnë, por ambasada përkatëse u tregua shumë mirëkuptuese dhe gjithëçka përfundoi mirë.
Pas 16 viteve dhunë fizike e psiqike, pas 8 viteve sorollatje nëpër institucione duke kërkuar dëshprimisht ndihmë, ne na u deshtën vetëm 2 muaj përkushtim që kjo katrahurë të përfundojë.
Si nënë që jam, dua ta falenderoj Ministrinë e Drejtësisë, kolegen Duda Balje, ambasadën e shtetit të saj dhe Edita Dula që gjithmonë i qendroi afër kësaj nëne në hall.
Një falenderim i veçnatë ua dedikoj deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që gjithmonë ndihmojnë me të holla kur është nevoja, sikur edhe në rastin e M.T., që mundësuan blerjën e biletave për udhëtim jashtë vendit.
E për ju që e keni pritë me skepticizëm angazhimin tim në politikë dhe keni pyet se çka lypë një aktore në Parlament, ju them që ky është veç fillimi. Nuk do të ndalem derisa në vendin tim secili të jetojë i lirë, dhe me të drejta të barabarta si çdo njeri tjetër në botën e civilizuar!/ KultPlus.com
Fëmijëve të Kosovës ju dha mundësia që t’i drejtohen me një letër presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanit, përmes një konkursi të hapur nga KultPlus.
Pas mbylljes së aplikimeve ku kanë arritur mbi 100 letra në adresën e KultPlus, juria profesionale e përbërë nga shkrimtari Ibrahim Kadriu, aktorja Adriana Matoshi dhe përfaqësuesja e KultPlus, redaktorja Jeta Zymberi, janë zgjedhur edhe dhjetë letrat më të mira drejtuar presidentes përmes sëcilave fëmijët e moshave prej 10 deri 15 vjet i drejtohen presidentes duke shprehur kërkesat dhe dëshirat e tyre.
Për të shënuar këtë organizim përmes një ceremonie, KultPlus ka organizuar eventin “Letër Presidentes” ku do të jetë e pranishme edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ku me këtë rast fëmijët e përzgjedhur nga kjo garë do të jenë të pranishëm e do ti lexojnë letrat e tyre para presidentes.
Krejt në fund fëmijët do të certifikohen, kurse tri letrat më të mira edhe do të shpërblehen.
Eventi mbahet ditën e mërkurë, më datë 30 qershor, në ora 13:00 në KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com
Sot në seancën e Kuvendin të Kosovës që po vazhdon ende të mbahet, ndër të tjerë, fjalën e ka marrë edhe deputetja Adriana Matoshi e cila ka folur për kinematografinë e Kosovës, shkruan KultPlus.
Në fjalimin e saj të fuqishëm, Matoshi ka potencuar suksesin që filmat kosovar kanë pasur viteve të fundit në festivalet më prestigjioze të botës dhe njëkohësisht ka kërkuar që kinematografia të përkrahet në nivel vendi.
“Viteve të fundit, vajza dhe djemtë e kinematografisë, aktorë dhe regjisorë nga Kosova kanë shënuar rritje të suksesit në arenën ndërkombëtare të filmit. Edhe pse me buxhet të vogël, falë talentëve të shumtë, kemi filma në të gjitha festivalet më të mëdha të botës si në: Sundance, Rotterdam e Kanes”, thotë Matoshi.
Sipas saj, përfaqësimi në Kanes me dy filma nga një shtet i vogël si Kosova dhe në konkurrencë me shtetet nga e gjithë bota, është një e arritur e rrallë sepse ata po shkëlqejnë me filma të shkurtë, të gjatë dhe me dokumentarë.
“Ky talent duhet të përkrahet në nivel vendi, fillimisht duke plotësuar ligjin për kinematografi, të harmonizojnë ligjet, të cilat mundësojnë që Kosova të përfitojë fonde evropiane të filmit. Duhet të rregullohet ligji për sponsorizime, për lehtësira financiare për kompanitë e huaja që xhirojnë në Kosovë”, ka thënë Matoshi.
Për Matoshin, përmes filmit paraqitet historia jonë e vërtetë dhe promovohet një imazh më i mirë për vendin dhe arenën ndërkombëtare. Andaj, duhet të sensibilizohemi dhe tregojmë vëmendje në krijimin e kushteve dhe ofrimin e përkrahjes për ushtrimin dhe zhvillimin e veprimtarisë së tyre, coftë edhe vetëm duke ia njohur kontributin e tyre të deritashëm.
Krejt në fund, aktroja dhe deputetja Adriana Matoshi ka kërkuar që të bëhet thirrje për një seancë të jashtëzakonshme për kinematografi. / KultPlus.com
Në një zhanër krejtësisht ndryshe nga e zakonshmja, nën zgavrën sfiduese e ambicioze të dramës dhe krimit, shpaloset një histori me plot të papritura që do i dhurojnë një kahje tjetër zhvillimit të ngjarjes duke e vendosur kështu kastën e aktorëve të jashtëzakonshëm në një rrugëtim sa argëtues po aq edhe drithërues, me rastin e nisjes së serialit më të ri vendor të titulluar ”Rrushe”, shkruan KultPlus.
Emri i serialit “Rrushe”, vjen nga vetë fakti që është shumë i kapshëm nga publiku ku edhe shumica e njerëzve të paktën një herë gjatë jetës së tyre e kanë thirrur një person të dashur në atë pseudonim. Ndërsa, emri i personazhit kryesor siç është Vesa, e që emrin e saj përkëdhelës ia ka vendosur gjyshi i saj, Faruk Pirulli, i cili njëkohësisht është personi i saj më i dashur, befas do të ndodhi një e papritur që do të ndërrojë kahjen e ngjarjes e për çka edhe do të zbulohet se jo rastësisht emri i serialit ka këtë titull.
Seriali “Rrushe”, është i vendosur në dy periudha kohore që ndërlidhen mes vete, të tashmen dhe fundin e viteve ’90 dhe përfshin familjen Pirulli si protagonistë kryesorë, një familje e zakonshme prishtinase, apo së paku kështu duken në sytë e të tjerëve. Vesa, vajza e familjes, punon si gazetare hulumtuese. Por, një e kaluar e errët, e mistershme dhe brutale, që gjenezën e kishte në bujari e mirësi, rikthehet që t’ua ndryshojë jetërat atyre që më së paku e meritojnë. E në udhëkryq të kësaj ngjarje gjendet Vesa, për të cilën koncepti i drejtësisë dhe dashurisë do të ndryshojë përgjithmonë.
Puna në serialin “Rrushe” kishte filluar para një viti, në kohën kur të gjithë ndodheshim në karantinë dhe ideja për realizimin ka lindur nga ekipi i ‘Gjirafa Studios’, ku pavarësisht situatës pandemike, produksioni ka ndikuar pozitivisht në mobilizimin, vullnetin dhe dëshirën që stafi të krijojë diçka. Kështu, ata çdo ditë kanë mbajtur mbledhje online duke diskutuar rreth historive së gjithë secilit që i kanë ndodhur përgjatë jetës së tyre.
Përmes këtyre historive të lexuara në njërën nga mbledhjet ku nuk ka munguar humori dhe emocionet që nuk njihnin fund, aktorët kanë njohur njëri-tjetrin më mirë dhe kështu ata kanë vendosur që të takoheshin me novelistin Jeton Kulinxha, të cilit i kishte pëlqyer energjia e ekipit dhe ka filluar të shkruante skenarin së bashku me Patrik Lekaj për realizimin e një projekti të tillë që besohet se do të lë gjurmë në vend. Pas shumë diskutimeve dhe takimeve që kanë ndodhur me Kulinxhin, skenari i episodit të parë ka gjetur vend në një periudhë kohore qysh nga muaji qershor e deri në tetor.
Seriali deri më tani përmban gjithsej dy sezone me nga 10 episode, ku deri më tani janë shkruar rreth 17 episode dhe ekipi gjendet në përfundim të xhirimeve për episodet 6-10. Ndërsa, për ekzistencën e sezoneve të radhës do të vendos publiku i cili mbetet të vulos jetëgjatësinë e këtij seriali.
Për herë të parë në vend ‘Gjirafa’, sjell një veçanti të bukur ku grumbullon një kast të mrekullueshëm, mbi 80 aktorë të cilët përmes serialit do të trajtojnë tema si: krimi, korrupsioni, ndikimi i familjes tek fëmijët, roli i gruas në shoqëri, zhvillimi i karrierës, bullizmi në shkolla dhe më gjerë, tradhtia, çrregullimet mendore e shumë tema tjera për të cilat besohet se do të kenë një ndikim tek audienca.
Ky serial përfshin aktorët si: Doresa Rexha, Shkumbin Istrefi, Aurita Agushi, Andi Bajgora, Lum Veseli, Ema Koxha, Xhevat Qorraj, Armend Smajli, Eshref Durmishi, Qëndresa Jashari, Bislim Muçaj, Arta Muçaj, Agron Shala, Labinot Raci, Enver Petrovci, Ernest Malazogu, Adriana Matoshi, Çun Lajçi, Ermal Sadiku, Adrian Morina, Basri Lushtaku, Semira Latifi, Afrim Muçaj, Bujar Ahmeti, Allmir Suhodolli, Adelina Halitjaha, Eden Kastrati, Lurni Krasniqi, Donikë Ahmeti, Berat Pllana, Xhelal Haliti, Artiola Hamdia, Erta Leci, Vjosa Abazi, Shkëlqim Islami, Nexhat Xhokli, Mikel Markaj, Kastriot Saqipi, Gojrat Kqiku dhe Dashuri Rexhepi.
Prodhimi nga Gjirafa Studios sjell këtë serial me regji nga Valter Lucaj, me skenar nga Jeton Kulinxha dhe Patrik Lekaj, producente Doresa Rexha, menaxhere e produksionit Adele Gjoka, skenografia nga Enes Sahiti, drejtor i fotografisë Burim Tufa, inxhiner i zërit Gëzim Berisha, muzika nga Samer Agolli, kostumografia nga Bahtije Krasniqi, montazhi dhe ngjyrat nga Kreshnik Shala.
Valter Lucaj, regjisori i këtij serali, ka treguar për KultPlus se para pranimit të skenarit të parë për serialin ”Rrushe”, për shkak të pandemisë ai ndodhej në një periudhë të vështirë me ‘GjirafaStudios’, ku ekipit i ka ndryshuar tërësisht mënyra e të menduarit dhe punuarit.
“Gjatë gjithë procesit për projektet që ishim duke i zhvilluar në përputhje me rrethanat e reja, në të njëjtën kohë ishim duke u munduar që të vinim deri tek ideja për të sjell diçka më ndryshe, më sfiduese dhe ambicioze. Kur e kemi lexuar dhe diskutuar rrjedhën e historisë së Rrushe-s, së bashku me vizualizim në kokën time, më ka dhuruar emocione por edhe një ndjenjë që seriali do të jetë njëri ndër projektet më të veçanta për mua dhe ashtu po del të jetë”, tha Lucaj.
Regjisori po ashtu ka theksuar se që nga fillimi i prodhimit të serialit, ata kanë pasur qëllime të sakta që të tejkalohet kualiteti ku edhe Kosova si vend të radhitet për prodhime me kualitet të lartë duke u krahasuar jo vetëm me Ballkan por edhe tutje.
“Mesazhin të cilin e përçojmë me temat e trajtuara në këtë projekt, është që t’i mbledhim aktorët e mirënjohur në një vend duke i dhuruar kështu vlerë audiencës”, thotë Lucaj.
Sipas tij, bashkëpunimi i jashtëm me Gjirafën dhe puna në këtë kompani e ka intriguar regjisorin mjaft shumë duke pasur parasysh risitë që kanë sjell në treg dhe përkushtimin e tyre në fusha të caktuara. Prandaj, duke u bazuar në atë eksperiencë, para dy vjetëve Lucaj i është bashkangjitur ekipit të Gjirafës si producent ekzekutiv dhe regjisor duke realizuar kështu qëllimin e tij për prodhimin e një seriali me këto përmasa.
Regjisori tutje ka theksuar se vështirësitë gjatë procesit kanë qenë të shumta për shkak të projektit sfidues. Ndërkaq, për procesin e punës në tërësi ka thënë se deri tani është shumë i kënaqur me komplet punën ekipore e sidomos për dashurinë dhe vullnetin e tyre, me ç’rast puna është duke shkuar për mrekulli dhe për regjisorin konsiderohet një privilegj që po punon me secilin nga ata.
“Vështirësi ka pasur duke pasur parasysh situatën pandemike, pastaj projekti është sfidues dhe si ekip na ka frikësuar dhe shpesh herë i kemi krijuar vështirësi vetes sepse projekti është ambicioz. Por, vështirësi ka qenë edhe besimi në një projekt të tillë, menaxhimi i një ekipi kaq të madh por gjithsesi ekipi, dashuria dhe vullneti për të krijuar këtë projekt i kanë lehtësuar të gjitha punët”, shpalos regjisori.
Për Lucaj, përzgjedhja e aktorëve nuk ka qenë proces i lehtë sepse seriali ka personazhe të shumta prandaj edhe për disa role të caktuara janë mbajtur audicionet dhe për disa të tjerë janë ftuar aktorët pasi që Kosova nuk është vend i madh dhe nga puna e tij disa vjeçare, ai ka punuar edhe më herët me shumicën prej tyre.
Gjithashtu, ai ka folur edhe rreth provave për këtë serial që trajton tema dhe ngjarje të ndryshme prandaj edhe kasta e aktorëve janë të ndarë në bazë të ngjarjeve dhe provat mbahen në grupe të caktuara, gjithmonë duke pasur parasysh masat e shtruara.
”Veçantia më e madhe e ‘Rrushe’, është trajtimi, xhirimi dhe mënyra se si është duke u krijuar seriali me një ekip i cili mundohet të dhuroj gjithçka nga vetja, vetëm e vetëm që ky serial të realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Performanca dhe përkushtimi i aktorëve janë një tjetër veçanti sepse është projekti i parë ku këta aktorë janë në një vend”, përfundon Lucaj për KultPlus.
Ndërsa, Doresa Rexha, producentja e këtij seriali dhe njëkohësisht edhe aktore, ka treguar për KultPlus se ‘Rrushe’ është projekti që e ka sfiduar atë më së shumti deri më tani e edhe nga i cili ka mësuar më së shumti.
“Sinqerisht, kur lexova titullin “Rrushe”, e paragjykova paksa, por pasi që e lexova u binda për të 500 herë që libri nuk gjykohet nga kopertina. Më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë dhe frikësuar deri në palcë”, thotë Rexha.
Sipas saj, duke pasur parasysh përgjegjësinë e madhe brenda ekipit të Gjirafa Video, së bashku me themeluesin e kompanisë Gjirafa, Mërgim Cahani është vendosur kërkimi për profesionistë të duhur për pozita të caktuara ku kështu janë takuar edhe me regjisorin Lucaj.
“Duke e njohur punën e Valterit, përkushtimin dhe pasionin për profesion sigurisht që ai e kishte vendin në ‘Gjirafë’. Pa Valterin si regjisor dhe pa ekipin si Adele, Kiqa, Fisi, Giza, Trashegimi, Patriku, Bled, Edon, Frasher, Bahtie, Driton, Atdhe, Besnik, Leona dhe Jeton nuk do të mundësohej ky serial”, tregon ajo.
Për Rexhën, ka qenë e vështirë menxhaimi si producente dhe aktrimi në xhirime por që dashuria, pasioni, përkushtimi dhe ndihma e regjisorit dhe ekipit, e ka bërë të mundur këtë arritje. Por edhe pse e vështirë, ajo këtë proces e ka cilësuar si njëri ndër më të bukurit që ka përjetuar ndonjëherë.
“Ekipi i GjirafaStudios jo që nuk kanë kursyer asgjë nga vetja e tyre por i kanë tejkaluar edhe limitet e tyre. Prandaj, ndjehem e nderuar dhe e privilegjuar që po bashkëpunoj më të gjithë aktorët e sidomos me: Xhevat Qorraj, Çun Lajçi, Enver Petrovci dhe Bislim Muçaj”, tregon Rexha për KultPlus.
Krejt në fund, ajo është shprehur se dashuria për profesionin dhe profesionalizmi i tyre janë shkollë për aktorë dhe të gjithë këta aktorë janë vlerë e serialit prandaj ajo ndjehet me fat që i kanë besuar këtij projekti.
Sa i përket aktorëve, dy nga ata si: Afrim Muçaj dhe Aurita Agushi, tashmë janë pjesë e serialit dhe aktualisht ndodhen në përfundim të xhirimeve.
“Ishte ftesa e producentes Doresë Rexha, e cila me prezantimin e projektit “Rrushe” në formën më të mirë të mundshme, nuk më la zgjidhje tjetër pos ti bashkohem këtij produkti ambicioz dhe shumë interesant. Pastaj, pa dyshim që ishte nder për mua ti bashkohem regjisorit Valter Lucaj dhe gjithë kastës fantastike që ka përzgjedhur ai”, thotë Mucaj.
Sipas tij, tema e serialit është njëra ndër pikat më të forta. Trajtimi dhe guximi i një teme të tillë konsiderohet maja e arsyejës që mblodhi këta aktorë ku së bashku me skenarin e mirë, regjisorin dhe produksionin profesional është menduar se ”Rrushe” do të jetë shumë e bukur për publikun.
Roli i aktorit Muçaj është menduar të jetë mjaft interesant dhe atraktiv për publikun duke pasur parasysh që nuk është i lehtë për tu interpretuar.
“Bashkim Pirulli, vëllai i vogël i familjes së madhe Pirulli, të cilin e luaj, është një personazh atdhetari i cili bashkë me “Lëvizjen Qëndresa” në krye me Mixhen Zekë (të cilin e qëndisë aktori Çun Lajçi), mundohemi për disa episode ti ofrojmë publikut pamje të atdhedashurisë dhe kontributit të shumë brezave të viteve të 90-ta, që kontribuuan në mundësinë qe ne sot të xhirojmë të lirë ‘Rrushen”’, tregon ai për KultPlus.
Për Muçaj, si çdo punë serioze dhe profesionale siç është edhe ky produkt, do të haset në pengesa gjatë rrugës por që gjithsesi ata po punojnë me një qejf të madh duke arritur synimin që ky produksion ka.
“Jam shumë i lumtur që po punoj me regjisorin Lucaj sepse energjia e tij e madhe pozitive dhe profesionalizmi ekstre, të fut në përgjegjësi të mëdha”, përfundon Muçaj për KultPlus.
Kurse, për aktoren Aurita Agushi, ftesa për të qenë pjesë e serialit ka ardhur nga vetë regjisori i cili ka punuar edhe më herët me aktoren e për çka ajo nuk ka hezituar as edhe një sekondë që të bëhet pjesë e serialit.
“Që në bisedën e parë shihej qartë se bëhej fjalë për një projekt shumë premtues që do të na bëjë krenarë të gjithëve dhe jo vetëm neve por edhe ata që do e shikojnë serialin”, tregon Agushi.
Sipas saj, kur bëhet fjala për një projekt kaq të madh, vështirësitë nuk mungojnë. Pandemia konsiderohet si vështirësia më e madhe por që me një organizim dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm nga ‘Gjirafa’, çdo gjë ka qenë më e lehtë për të.
Agushi do të luaj rolin e Merita Pirullit, bashkëshorte dhe nëna e tre fëmijëve. Merita është një profesoreshë arti e cila përballet me shumë sfida si në jetën personale ashtu edhe ne atë profesionale.
“Seriali është përditshmëria jonë ku secili prej nesh do ta gjejë veten në personazhet dhe skenat e Rrushe-s. Mesazhi është që secili prej nesh duhet të bëjë pjesën e tij që Kosova të jetë vendi për të cilin të gjithë ëndërrojmë dhe duam ta shohim ashtu siç e ëndërrojmë”, përfundon Agushi për KultPlus.
”Rrushe” është seriali më i ri vendor i cili vjen premierë sonte dhe mund të ndiçet çdo të diel nga ora 20:00 në T7 si dhe online në GjirafaVideo.
Ndërkaq, disa nga pritshmëritë e ekipit janë që ky projekt të mirëpritet nga publiku as më shumë e as më pak nga sa kanë punuar e munduar ata, fillimi dhe krijimi i një projekti ku çdo anëtar të jetë krenar për punën e tij si dhe është cilësuar se ”Rrushe”, është projekti më serioz dhe më i madhi ndonjëherë në të gjitha trevat ku flitet shqip. Prandaj, për “Rrushe“ do të flitet gjithandej./ KultPlus.com
Aktroja e mirënjohur Adriana Matoshi, njëherit edhe deputete në Parlamentin e Kosovës është takuar sot me Drejtorin e Teatrit Kombëtar, Naser Shatrollin, ku ështe diskutuar pëe rideminsionimin e teatrit, përcjell KultPlus.
“Sot e kishim në vizitë aktoren e teatrit dhe filmit artistik – deputeten e Parlamentit të Kosovës znj. Adriana Matoshi, e cila ishte e interesuar që të bashkrendoj me ne konkretisht për të ridimensionuar teatrin në të gjitha dimensionet.
E falenderuam për mbështetjen konkrete që me këmbëngulje shprehu para nesh, në relacion me dëshirën e madhe të saj që teatri të rritet!”, ka shkruar Shatrolli ne postimin e tij në rrjetin social Facebook./ KultPlus.com
Adriana Matoshi është regjistruar për herë të parë si deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan KultPlus.
Këtë e ka bërë të ditur Matoshi nëpërmjet një postimi në Facebook ku ka falënderuar gjithsecilin për besimin e dhënë, duke shpresuar në të njëjtën kohë për një të ardhme më të mirë për vendin.
Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:
Për herë të parë u regjistrova si deputete e kuvendit te Kosovës!
Faleminderit për besimin e juaj,shpresoj për një të ardhme të ndritur pë t’gjithë qytetarët e vendit!
Kofshim e dalshim faqebardhë me punë të mbara e suksese në të gjitha iniciativat!/ KultPlus.com
Gazeta franceze “Le Croix” i ka kushtuar aktores dhe tashmë deputetes kosovare, Adriana Matoshi, një portret interesant që vë në fokus jetën dhe artin e saj.
Kjo aktore, fituese e shumë çmimeve po fillon një jetë të re si deputete në gjirin e partisë reformiste Vetëvendosje. Fituese në zgjedhjet parlamentare të këtij 14 shkurti, Vetëvendosje është thirrur ta udhëheqë Kosovën, pas 20 vjet dorëvënie nga partitë e dala nga lufta.
“Kosova është një vend i vogël me shumë paragjykime”. Patriarkati, Adriana Matoshit, ja ka nxirë jetën ashtu si të gjitha kosovareve. Aktore dhe e shkurorëzuar, ajo shpejt u shënjua si “femër e lehtë”. Një etiketë që në rastin më të mirë, mundëson përqeshje, e në më të keqin, shantazh. Por Adrianën, asgjë nuk e ka larguar nga drejtimi i saj. Dhe, në moshën 41 vjeçare, është pak për të thënë që aktorja e sapo zgjedhur ka përjetuar shumë gjëra.
“Kur kishte ikur nga lufta në fillim të vitit 1999, Adriana gjeti strehim në kampin Stenkovac në Maqedoninë Veriore. Atëherë ishte 19 vjeçe dhe shpejtoi të martohej me të dashurin e saj, me shpresë për të shkuar në Shtetet e Bashkuara. “Lufta përfundoi dhe s’arritëm të shkonim”. Çifti kthehet në Kosovë dhe Adriana lind të parin nga katër fëmijët e saj, të cilët tani janë 20, 16, 11 dhe 9 vjeç. “Doja të kem shumë fëmijë, në mënyrë që ata të mos ndjenin mungesën nga e cila unë kam vuajtur, si fëmijë i vetëm, nga mos pasja vëllezër apo motra”.
Prindërit e saj shitën fabrikën e tyre të vogël të këpucëve në Gjilan, në juglindje të vendit, për t’u kujdesur për pasardhësit në Prishtinë, ndërsa Adriana ndiqte ligjëratat në Fakultetin e artit dramatik. “Kur isha fëmijë në Gjilan, shkoja në bibliotekë, në teatër, në kinema. Isha e magjepsur nga ekrani i madh. Kisha 8 apo 9 vjet kur i premtova vetes se një ditë do të isha në këtë ekran të madh. Kurrë nuk e kam ndryshuar këtë mendim. Gjyshja më thoshte: “Ti je artistja ime”, por ajo vdiq para se ta pyesja – përse ?
Gjatë shtatzënësisë së katërt, Adriana humbi shikimin në njërin sy. Diagnoza: tumor në tru. “Më është dashur të lindja me operacion cezarian dhe pastaj, jam operuar. Ishte situatë shumë e vështirë, të cilën mendoja ta tejkaloja, duke menduar për filmin tim të ardhshëm. Adrianës i rikthehet shikimi. “Një rilindje e vërtetë”. Veçse jeta bashkëshortore po i dëmtohej, për të përfunduar me ndarje. “Në momentin kur karriera ime ngjitet, jeta ime private bie”, thotë ajo.
Një film homazh femrave të përdhunuara gjatë luftës
Këto vitet e fundit, filmat kosovarë po marrin famë. Edhe Adriana Matoshi bashkë me ta! Ajo ndërlidhë xhirimet dhe grumbullon çmimet e aktores më të mirë, në Festivalin e filmit të Evropës Juglindore në Paris, Mostra në Valencia (Spanjë) dhe në Festivalin e filmit të pavarur Sundance, në (SHBA). Sidomos për filmin “Nëntori i Ftohtë” mbi shpërbërjen e Jugosllavisë, ose së fundmi në filmin “Zana”, për gratë e përdhunuara gjatë luftës, në respekt të nënës dhe motrës së regjisores, të vrara gjatë konfliktit në Kosovë. “Ky film më ka shqetësuar shumë dhe e kisha të vështirë të kthehesha në vetvete”, thotë ajo.
Edhe pse ajo është një yll i vërtetë në vendin e saj, në Kosovë nuk jetohet nga arti i shtatë. “Në Kosovë ka mjaft talente, por jo kushte për t’u shprehur, dhe as buxhet”. Ajo u bë menaxhere e “Dar Tea Room”, një kafene e stilit maroken.
Aty Adriana pret shoqërinë e saj. “Në jetën time kam vuajtur prej urisë. Shqetësimi për të qenë në gjendje t’i ushqej të gjithë, më ka ndjekur me vite. Vuajtje kam pasur plot, por asnjëherë s’i kam shprehur përmes pamjes, me fytyrë të trishtuar”. Dhe kurrë ajo nuk ka menduar të heqë dorë nga filmi.
Të dëgjohet zëri i grave në parlament
Pikërisht këtë aktore të fortë, këtë grua të vendosur e të hapur që tani jeton me një futbollist të ri afrikan – mjaftueshëm për t’u ndeshur sërish me paragjykimet – Albin Kurti, lideri i ri kosovar i partisë reformiste Vetëvendosje, e ka kërkuar të bëhet deputete. Ashtu sikurse dhe Vasfije Krasniqi -Goodman, një e zgjedhur tjetër e kësaj partie, e përdhunuar gjatë luftës në moshën 16 vjeçare, e cila u bë zëri i grave që kishin përjetuar të njëjtin fat, dhe ndaj të cilave drejtësia nuk u përmbush kurrë.
Partia, e cila duhet të marrë drejtimin e vendit për herë të parë, pas triumfit të saj në zgjedhjet parlamentare të këtij 14 shkurti, ka premtuar një epokë të re për Kosovën. Një ndjekje të pamëshirshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që kanë lulëzuar mbështetur nga partitë të krijuara nga ish-guerilasit, që kanë kapur vendin qysh nga lufta. Adriana Matoshi dhe Vasfije Krasniqi-Goodman, mishërojnë fytyrat e reja të vendit të ri i cili dëshiron të marrë një nisje të re.
“Unë kurrë s’ kisha menduar të hy në këtë botë të panjohur të politikës. Më kanë kritikuar shumë në rrjetet sociale. Por pasi ishte menduar mirë, Adriana Matoshi kishte thënë se, duke pasur parasysh rolet që kishte luajtur dhe historinë e saj personale, ajo mund të bënte që zërat e grave të dëgjoheshin në Parlament. “Dua të jem në gjendje t’i mbroj të gjitha gratë që nuk mund të jetojnë ashtu siç ato do të donin”, thotë ajo. Ka shumë për të bërë për gratë që janë viktima të dhunës. Mbi të gjitha, ajo do të besojë se “është koha për t’u dhënë buzëqeshje kosovarëve”.
Frymëzimi i saj, fryma e familjes së saj
Pa familjen e saj, Adriana Matoshi kurrë s’do të kishte mundur t’i kapërcente të gjitha pengesat e jetës për t’u bërë aktore. Prindërit braktisën jetën e tyre në Gjilan, në juglindje të vendit, për të ardhur në Prishtinë, kryeqytet, dhe për ta ndihmuar atë. “Unë dhe fëmijët e mi jemi gjithçka për ta” thotë ajo. Edhe sot, ata kujdesen për katër fëmijët e aktores.
Nga gjyshja e saj e adhuruar, Adriana thotë se mësoi durimin dhe qëndrueshmërinë që i mundësuan, të mos dorëzohej kurrë. Dhe nga nëna e saj, ajo mban këtë forcë të brendshme, që e bëri të patundshme: “Nëna ime kishte gjithnjë besim të plotë tek unë, e bindur që unë, vet, isha aq e fortë sa të ngrija një kamion. Babai im, i shqetësuar për të ardhmen e fabrikës së tij dhe dyqanit të këpucëve, më shihte të bëhesha ekonomiste. Por nëna ime më thoshte: “Vazhdo, ec, jetoje jetën tënde!”. /albinfo/ KultPlus.com
Adriana Matoshi tashmë ka marrë dritën e gjelbër të jetë deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, e cila në total ka grumbulluar 10 mijë e 403 vota, shkruan KultPlus.
Adriana Matoshi e cila njihet si një ndër aktoret më të suksesshme të kinematografisë së Kosovës, e cila numëron edhe shumë çmime nga festivale prestigjioze, tashmë do të jetë edhe përfaqësuese e qytetarëve, e me fokus të veçantë për gratë dhe artistët.
“Jam shumë e lumtur, por në të njëjtën kohë kam edhe një përgjegjësi të madhe”, ka thënë Matoshi për KultPlus, e cila ka spikatë se është e vetëdijshme për punët e mëdha që e presin, por, sipas saj, duke e njohur përkushtimin e saj në çdo angazhim të deritanishëm, edhe angazhimi i saj si deputete do të jetë 100%.
“Çka punoj, e punoj me shpirt”, ka thënë Matoshi, e cila për lexuesit e KultPlus ka thënë se ka shumë gjëra që do të fokusohet e që e kanë preokupuar tash e shumë vite duke përfshirë edhe dhunën ndaj grave, për luftën ndaj parregullsive të shumta që janë bërë nga njerëzit kompetent, dhe shumë pika të tjera.
“Do të fokusohem edhe në drejtësi, në mënyrë që ta qojmë përpara, për aktivitete të shumta të Rinisë së Kosovës, fëmijët pa përkujdesje dhe në shumë fusha të tjera që kanë nevojë emergjente për ndryshim”, ka thënë Matoshi.
Por Matoshi e cila vjen nga bota e artit ka thënë se një fokus të madh do të ketë për zhvillimin e kulturës në vend, që sipas saj, deri tash sa i përket mbështetjes ka qenë si pika e fundit në Qeverinë e Kosovës.
“Ne jemi dëshmitarë të asaj se kultura ka qenë e para me arritje, dhe e fundit me përkrahje institucionale”, ka thënë Matoshi.
Matoshi krejt në fund ka apeluar te të gjithë qytetarët që mos të hezitojë që të kërkojnë mbështetje për të gjitha kërkesat e tyre, pasi që, sipas saj do të jetë në shërbim të popullit të saj.
“I lus që të më lodhin me kërkesa, sepse unë kam me qenë e drejtë dhe njësoj për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Matoshi.
Adriana Matoshi përpos që është e njohur në kinematografi, ajo është e njohur edhe për rolet e shumta në teatër dhe seriale./KultPlus.com
Para pak ditësh u bë e ditur se aktorja e mirënjohur Adriana Matoshi, është kandidate për deputete në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan KultPlus.
Ka pasur shumë komente dhe kritika, disa që e përkrahnin e disa që edhe nuk pajtoheshin me vendimin e aktores. Duke bërë që kjo e fundit të reagoj përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ku është shprehur se aktrimin do ta vazhdoj në teatër e në filma dhe jo si disa të tjerë na parlament.
‘Në parlament kam me qenë zëri i popullit e do të flas për ato gjëra që i di më së miri‘, ka shkruar Matoshi. / KultPlus.com
Sot u bë e ditur se në listën e kandidatëve për deputetë në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje do të jetë edhe aktorja e njohur, Adriana Matoshi.
Ajo ka reagur përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ku ka treguar se kësaj radhe me ftesën e Kurtit, do të kandidojë edhe ajo për deputete.
Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Matoshit.
Zgjedhjet e 14 shkurtit nuk janë zgjedhje të zakonshme. Ato tashmë janë referendum. Zakonisht, deri tani, kontributi im nëpër zgjedhje ka qenë vetëm nëpërmjet votimit. Këtë herë, me ftesën e kryeministrit Albin Kurti do të garoj edhe unë. Në këto zgjedhje, në listën fituese të Lëvizjes VETËVENDOSJE! do ta kem numrin 60. Nëse e lexoni mbrasht numrin 60, pra 06 është numri i Gjilanit tim. Falemnderit që më keni qëndruar afër e uroj që të ua zbardhi fytyrën përherë. E juaja, Adriana. /KultPlus.com