Filmi i dëshmuar edhe në arenën ndërkombëtare, “Zana” ka fituar çmimin e publikut në festivalin “goEast Film”, shkruan KultPlus.
Filmi i metrazhit të gjatë nga regjisorja Antoneta Kastrati ka arritur të zë këtë çmim në edicionin e 20-të të organizimit të këtij festivali në Gjermani. Tanimë, ky film ka fituar një shumë prej 1,500 euro, financuar nga publiku dhe nga “kulturMut”, platformë e financimit të fondeve të Fondacionit Aventis dhe Frankfurt RheinMain Kulturfonds.
Filmi trajton një temë shumë të ndjeshme, ku personazhi kryesor i luajtur nga Adriana Matoshi, e përhumbur nga e kaluara e saj e shtypur prej kohësh dhe e trysnuar nga familja për të kërkuar trajtim nga shëruesit mistikë për infertilitetin e saj, një grua kosovare që përpiqet të pajtojë pritjet e mëmësisë me një trashëgimi të brutalitetit të kohës së luftës. / KultPlus.com
Ndonëse sukseset e saja janë panumërta, madje pikërisht në natën e tridhjet e një tetorit ajo kishte fituar çmimin e aktores më të mirë në festivalin e filmit “Mostra de Valencia” në Spanjë, Adriana Matoshi u bë cak i sulmeve e fryrjeve në rrjetet sociale, por edhe nga ana e mediave. E ky sulm shpërfaqi edhe një herë një nga anët e errëta të shoqërisë, racizmin e ndërtuar mbi baza etnie e ngjyre. Ishte pikërisht ky racizëm dhe kryqëzimi drejtuar aktores në rrjetet sociale që u diskutua natën e mbrëmshme në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, shkruan KutlPlus.
Aktorja Adriana Matoshi gjatë këtij diskutimi pohoi se e dinte se lidhja e saj do të zgjonte kureshtje, mirëpo nuk ja kishte marrë mendja që do të bënte një bujë kaq të madhe. Ajo madje përmendi edhe kohën kur lojtarët Anglez nuk u mirëpritën mirë në Ballkan, e pikërisht në atë kohë secili ndihej krenar për faktin që kosovarët nuk janë një popull racist, por nuk e mendonte që do vinte ku si pasojë e racizmit do të gjykohej për zgjedhjen e saj personale.
“Pak a shumë ma ka marr mendja që ka me zgju kureshtje, sidomos tek portalet, por nuk ma ka marr mendja që një dalje e imja publike për lidhjen time personale ka me marrë bujë kaq të madhe dhe ka me u përfolë kaq shumë tek njerëzit. Më herët kur ka luajtur Anglia me Kosovën futboll në Prishtinë e di që është bërë një hallakam e madhe sa i përket racizmit dhe se nuk janë pritur mirë në ballkan, dhe janë ndje aq mirë që ne si popull nuk jemi racista. Por, kur dola unë për një sen personal veç u ngulfata, nuk ma ka marrë mendja qaq shumë që ka me shku deri diku ku se kam pritë”, theksoi Matoshi.
Aktorja ndër të tjera theksoi edhe fjalët e mira që ka marrë gjatë kësaj kohe. Sipas saj përderisa kishte të bënte me ndjenjat e saja, miratimin e prindërve dhe fëmijëve të saj, si dhe përderisa tashmë kishte lindur një dashuri mes dy personash, atëherë nuk i bënte keq askujt.
“Kam pasur përkrahje edhe prej njerëzve të ndryshëm, prej njerëzve edhe të mëdhenjë. Mesazhet që vini gjatë kësaj kohe ishin si me ma zanë frymën, se unë nuk disha a është mirë, a është keq. Por, duke u nis prej ndjenjës tem, prej shpirtit tem dhe kur i kam analizu dhe jam ulë me mendu mirë se çka kam bërë. Unë kamë rënë dakord me familjen time, me prindërit e mij, me fëmijët e mij, me veten time, edhe kam thënë kërkujna keq nuk i kam bërë. Unë jam duke e dashtë një njeri edhe ai është duke më dasht mu dhe përderisa dy vetë duhen nuk ka asnjë të keqe”, tha Adriana Matoshi.
Përgjatë këtij debati Matoshi shpjegoj se për të nuk ka qenë e lehtë të përballet me diçka që nuk e kishte imagjinuar ndonjëherë se do ti ndodhte. Ajo foli edhe për faktin se si për një moment nëna, aktorja por edhe personi i thjeshtë në rrugë ishte shuar e shndërruar brenda një dite në një objekt bullizmi.
“Nuk ish aspak e lehtë me u përballë me diçka që nuk e kisha imagjinu, nuk është lehtë kur ti nuk i ke bo kërkujt keq, nuk e ke mendu për asnjë njeri keq diçka ose nuk e le lëndu, as nuk ju ke përzi kërkujt në familje, as nuk ke shkatërru dikë. Dhe për një moment prej të gjithë atyre lëvdatave që i kam pas si aktore, si nënë, si person i thjeshtë në rrugë, për një moment krejt qajo Adriana e mirë që jam kon për ton jetën për një ditë u shu komplet. Nuk o shu te unë absolutisht se unë e kam cekë një lidhje mu nuk më ka bo as ma te mirë as ma të keqe mu më ka bo veç ma të lumtur edhe nuk kam mendu qe ka me i pengu dikujt lumturia jeme deri në atë pikë”, vazhdoi tutja aktorja.
Ndërkaq për panelistin , si dhe psikologun Fitim Uka ishte e rëndësishme realizimi i një debati të tillë, për një ngjarje të tillë që vë në pah atë se çka ne jemi si shoqëri. Sipas tij ajo se çka ka përjetuar aktorja është reflektimi i sjelljes tonë në mjediset familjare dhe edukimin racist që ju bëjmë brezave të rijnë.
“Është mirë që është realizu një debat i tillë sepse jemi lodhë prej debateve politike që na nxjerrin të mirë para ekraneve, por mandej bie një ngjarje e tillë dhe e kuptojmë se kush jemi në realitet. Me thanë të drejtën unë kisha dasht me i kërku falje Adrianës, për shkak që mendoj se jemi bashkëfajtor për atë që ka ndodhë sepse në një mënyrë apo tjetrën në mjediset tona familjare, në mënyrën se si ne sillemi dhe i përbrendësojmë disa norma e parime të caktume ne i kemi eduku brezat e rijnë që me qenë kaq racist, aq racist sa që ndërhyjnë edhe në jetën personale të dikujt deri në masën që do të jenë kriteret tona ato që duhet të përcaktojnë se kush duhet ta takojë dikë, apo kush duhet të lidhet emocionalisht me dikë tjetër.” tha Uka.
Sipas psikologut ne si shoqëri kemi tendencën që të paragjykojmë personat e gjërat që i cilësojmë të huaja, madje edhe ti portretizojmë si inferiore. E sipas tij pikërisht ky inferioritet përbën edhe thelbin e racizmit tonë.
“Përderisa jam i bindur që ne edhe në mjediset tona familjare shpesh herë edhe në shkollë por të motivum edhe prej mediave i promovojmë disa prej roleve, modeleve të cilat janë raciste edhe ksenofobe për shkak se e kemi këtë tendencën se ajo që është e huaj, ajo që është e ndryshme prej nesh gjykohet aq vrazhdë sa të tingëllojë dhe të portretizohet si inferiore ky është thelbi i racizmi, pra ne e kemi tendencën që çfarëdo individi grupi të caktuar në momentin kur ata nuk ngjasojnë me një ‘unë nuk jam krejt identik’ ti quajnë më inferiorë”, shtoi panelisti.
Tutje Fitim Uka ka thënë se janë pikërisht personat që i kanë ofruar Adriana Matoshit mbështetje ata që duhet të promovohen në media. Sipas tij ne si shoqëri kemi tendencën që të qeshim me shakatë raciste e t’ju japi edhe hapësire në televizion duke mos menduar pasojat.
“Dua të besoj që të gjithë ata njerëz që i kanë ofru ndihmë dhe mbështetje Adrianës janë ata që duhet të promovohen në media, janë ata që duhet të promovohen në kuadër të shoqërisë sepse ndonjëherë ne kemi tendencën që të qeshim me këto shakatë që janë raciste, si dhe kemi tendencën që t’ju japim hapësirë në televizion duke i promovuar në kuadër të shoqërisë dhe nuk e kuptojmë se si shpërndahen këto paragjykime kështu që është mirë me ju thonë mjaft qysh tash në mënyrë që mos me e pagu ma shrejntë në të ardhmen”, pohoi Uka.
Udhëheqësja e këtij debati aktorja Aurita Agushi përgjatë këtij diskutimi përmendi edhe faktin që pikërisht në natën kur Adrana Matoshi ishte bërë cak i sulmeve dhe i fyerjeve në rrjetet sociale, por edhe kryeqendra e artikujve të mediave, ajo kishte fituar edhe çmimin aktores më të mirë në festivalin e filmit “Mostra de Valencia” në Spanjë.
E për Matoshin marrja e këtij çmimi, ndryshe prej çmimeve tjera nuk i kishte bërë aq shumë përshtypje pikërisht për faktin që ndonëse puna e saj profesionale po ecte si mos më mirë, ishin pikërisht njerëzit që dikur i thurnin lavde, tashmë i ishin kthyer kundër dhe përqonin mesazhe negative për aktoren. Sipas saj është fatmirësi prezenca e njerëzve të mirë, të cilët kanë parë e kanë jetuar mjaftueshëm që të mos bëjnë paragjykime të tilla.
Përgjatë këtij debati u zhvillua edhe një diskutim me të pranishmit në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, ku dhe u morën perspektiva të ndryshme rreth kësaj çështjeje. Debati “Racizmi dhe rrjetet sociale” është mbështetur nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës./ KultPlus.com
Në KultPlus Caffe Gallery organizohet sot një debat mbi racizmin dhe kryqëzimin e figurave publike në rrjete sociale.
Në këtë debat, panelistë do të jetë aktorja e njohur kosovare Adriana Matoshi dhe psikologu i njohur Fitim Uka.
Kjo mbrëmje do të moderohet nga aktorja e njohur Aurita Agushi.
Për shkak të zhvillimeve të fundit si pasojë e pandemisë dhe masave që priten të merren nga Qeveria e Kosovës, debati do të mbahet në ora 15:00 në KultPlus Caffe Gallery.
Ky event është mbështetur nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës.
Për shkak të Pandemisë, ata që do të vijnë të parët do të kenë mundësi të ndjekin nga afër këtë debat. / KultPlus.com
Për shkak të zhvillimeve të fundit si pasojë e pandemisë dhe masave që priten të merren nga Qeveria e Kosovës, ndryshon ora e debatit “Racizmi dhe rrjetet sociale”, shkruan KultPlus.
Në KultPlus Caffe Gallery organizohet një debat mbi racizmin dhe kryqëzimin e figurave publike në rrjete sociale. Ky debat fillon nesër në orën 15:00.
Në këtë debat, panelistë do të jetë aktorja e njohur kosovare Adriana Matoshi dhe psikologu i njohur Fitim Uka.
Kjo mbrëmje do të moderohet nga aktorja e njohur Aurita Agushi. Debati nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës.
Për shkak të Pandemisë, ata që do të vijnë të parët do të kenë mundësi të ndjekin nga afër këtë debat./ KultPlus.com
Adriana Matoshi u shpall fituese e çmimit ‘Aktorja më e mirë femër’, në Festivalin e Filmit Mostra de València, shkruan KultPlus.
Matoshi këtë çmim e mori për rolin e saj në filmin ‘Zana’.
Filmi trajton një temë shumë të ndjeshme, ku personazhi kryesor i luajtur nga Adriana Matoshi, e përhumbur nga e kaluara e saj e shtypur prej kohësh dhe e trysnuar nga familja për të kërkuar trajtim nga shëruesit mistikë për infertilitetin e saj, një grua kosovare që përpiqet të pajtojë pritjet e mëmësisë me një trashëgimi të brutalitetit të kohës së luftës. / Kultplus.com
Filmi i gjatë artistik me regji të Antoneta Kastratit, i cili tashmë ka dëshmuar një sukses të madh në arenën ndërkombëtare, është bërë pjesë e Haifa International Film Festival, festival ky që mbahet në Izrael, shkruan KultPlus.
Filmi trajton një temë shumë të ndjeshme, ku personazhi kryesor i luajtur nga Adriana Matoshi, e përhumbur nga e kaluara e saj e shtypur prej kohësh dhe e trysnuar nga familja për të kërkuar trajtim nga shëruesit mistikë për infertilitetin e saj, një grua kosovare që përpiqet të pajtojë pritjet e mëmësisë me një trashëgimi të brutalitetit të kohës së luftës.
‘Suksesi i filmit është kënaqësi, është shpërblim për punën dhe kontributin e krejt personelit që ka punu drejt realizmit të filmit’, ka potencuar Sevdije Kastrati për KultPlus.
Më poshtë gjeni linkun me informata më të detajuara rreth festivalit. / KultPlus.com
Rreth filmit “Nëntori i ftohtë” në regji të Ismet Sijarinës, me aktorët kryesor Kushtrim Hoxha dhe Adriana Matoshi.
Ballsor Hoxha
Filmi kosovar, me filmin “Nëntori i ftohtë”, është film që ka gjetur mënyrën e trajtimit, kinematografizimit dhe të rrëfimit të dhembjes së shoqërisë sonë. Në të vërtetë ka një dilemë dhe një tragjedi në shoqërinë tonë, nëse e kemi gjetur mënyrën apo edhe rrëfimin tonë për veten tonë dhe dhembjen tonë përbrenda shoqërisë sonë dhe drejt të tjerëve. Nëse kemi bërë aq sa duhet për të rrëfyer, për të hapur plagët dhe për t’i bashkëbiseduar ato, dhe nëse kemi mundur të kalojmë megalomaninë e patriotizmit tonë të paktë për të gjetur realen e rrëfimit tonë, qoftë në perspektivë të dhembjes dhe qoftë në perspektivë të përpjekjes sonë.
Dilema është nëse rrëfimi ynë, i kinematografizuar deri më tani, ka gjetur shprehjen dhe narrativin e besueshëm, jo vetëm nga sistemi i vlerësimit të filmit ndërkombëtarisht, jo vetëm të trendit të filmit, por edhe për vetë shoqërinë tonë. Nëse vetë kinematografizimi i rrëfimit tonë i flet shoqërisë sonë? Nëse jemi ende në kërkim të një narrativi, të një rrëfimi, të një përmbajtjeje që na hapë plagët që kemi përjetuar vetëm dhe vetëm për t’i komunikuar ato. Derisa komunikimi i plagës/traumës është i vetmi mjekim i tyre.
Si duket, duhet kohë, edhe për të trajtuar e edhe për të rrëfyer realen, dhe jetën në përgjithësi në raport me tërë atë që kemi përjetuar, gjigantësinë e tragjedisë dhe vuajtjes si shoqëri. Filmi “Nëntori i ftohtë” i regjisorit Ismet Sijarina, ka gjetur një perspektivë krejtësisht origjinale, kosovare dhe krejtësisht reale të të rrëfyerit të kësaj.
Filmi “Nëntori i ftohtë” ka dy pikënisje tejet interesante: fazën e para-luftës në Kosovë, fillimet e rezistencës shqiptare në ish Jugosllavi; dhe në anën tjetër, zbritjen e perspektivës kinemtografike nga niveli gjithëkombëtar, tragjedisë kolektive, dhe megalomanisë së patriotizimit, në nivelin e një familjeje kosovare në jetët e tyre të zakonshme, në zakonshmërinë e një tragjedie të pazakonshme.
Në zanafillën e parë, faza e para-luftës, apo thënë më saktë të fillimit të luftës shqiptare jugosllave dhe serbe, në filmin e Ismet Sijarinës “Nëntori i ftohtë” është kinematografizuar në tërësinë e saj një periudhë në historinë tonë, pra të të gjithë të përfshirëve – qoftë edhe trupave serbe të ardhura në Kosovë të vrara për shkak të luftës në Kroaci dhe Bosnjë – në tërësinë e kësaj periudhe shpërfaqen prej qirinjëve dhe kusive të rebelimit dhe rezistencës paqësore tanimë të harruar në historinë tonë megalomane, e deri tek përjashtimi nga puna i shqiptarëve dhe fillimi i solidaritetit të pashembullt ndër shqiptarët e Kosovës etj.
Në anën tjetër, në zanafillën e dytë të regjisë së Ismet SIjarinës së filmit “Nëntori i ftohtë” vëzhgohet kalimi i një familjeje nga viti 1991 e deri në krisjen e kratereve të luftës nëpër tërë shoqërinë dhe strukturat e saj. Kjo familje në zakonshmërinë e saj përballet me një fat krejtësisht të pazakonshëm , dhe më të madh se vetë jeta e tyre. Derisa çdo gjë krisë dhe shndërrohet në armiqësi në shoqërinë tonë, regjisori Sijarina e vazhdon jetën e familjes së protagonistëve burrë e grua, Fadilit (Kushtrim Hoxha) dhe Hanës (Adriana Matoshi) me të gjitha përballjet ekszitenciale të tyre; me masturbimin e adoleshentit të
familjes për një serbe; me festimin e ditëlindjes së vajzës së tyre; me përpilimin e këngëve me kitarë të kryefamiljarit; me vazhdimin e marrëdhënieve serbo-shqiptare (ndërmjet të papërfshirëve në krimet serbe) e më tutje. Është jetë, që nuk ndalet dhe që ndodh pavarësisht tragjedisë dhe katastrofës kudo përreth.
Këto dy zanafilla të filmit “Nëntori i ftohtë” qysh në titull e tutje paralajmërojnë një tragjedi, në fakt, në histori, dhe në imtësitë e jetës së zakonshme. Ndërtojnë një botë, apo thënë më saktë një ndërmjet-botë, që ishte mu pak para krisjes së kraterit të luftës/luftërave jugosllave, dhe pak para krisjes së luftës së vërtetë të viteve nëntëdhjetë në Kosovë. Në të vërtetë regjisori Ismet Sijarina kujdeset që të zbulojë këtë botë, këtë kalim, këtë çarje të shoqërisë kosovare, dhe me këtë të ritheksojë të dy anët e luftës, kalimin e njeriut në pandjeshmëri absurde dhe në anën tjetër, pamundësinë e pastërtisë apo thënë ndryshe gjithëpërfshirjen e njeriut dhe shoqërisë në ëuftë, pa një mundësi veçimi, distancimi apo edhe refuzimi përfshirjeje.
Në këtë, kjo botë shpërfaq, konfliktin e njeriut përbrenda luftës, konfliktin e tij ballë përballë pandjeshmërisë së luftës, konfliktin e tij me të përbindshmen e saj, dhe me brishtësinë individuale. Protagonisti i filmit Fadili, në këtë botë e cila është duke u mbyllur brenda pandjeshmërisë së luftës, kalon nga një qytetar i zakonshëm, që shndërrohet në tradhtar dhe më tutje një prej informatorëve të krimeve serbo-jugosllave në tërë Jugosllavinë. Ky kalim i tij, dhe konflikti i tërë familjes, që vuan ndërmjet ekzistencës dhe patriotizmit; që vuan të ndodhurit në luftë dhe të domosdoshmërisë së vazhdimit të jetës; të shndërrimit të vlerës dhe izolimit të kolektiveve të armiqësuara, janë një realitet i cili krijon një botë të pandjehme, të rrezikshme, e shndërron atë në diçka që është afër vdekjes dhe ku vdekja është në ardhje e sipër. Kjo në të vërtetë është një botë e panjohur, e harruar, dhe e vuajtur nga vetë ne, por që nuk pati një refleksion rrëfimi dhe trajtimi kinematografik dhe më tutje, në tërë kulturën tonë, megjithëse është shumë me rëndësi dhe periudhë rrënjësisht e rëndësishme në qeniesimin tonë qoftë si kolektiv kosovar dhe qoftë si kolektiv shqiptarë.
Ngjarja e filmit është ngjarje e cila është trajtuar me regji të kombinuar, masive, intime, detaijste dhe të realizmit. Është ngjarje e cila përcjellë detaje si milionat e inflacionit jugosllav, “dokumentet blu” të përjashtimit të shqiptarëve nga puna, dhe kusitë dhe cingërimat me to të fillimit të rezistencës shqiptare në ish Jugosllavi. Është ngjarje e cila përvijon këtë botë përmes të ndodhurit e një familje në tërë zakonshmërinë e jetës së saj, nëpër tragjedi të përmasave të paimagjinueshme. Kjo familje “vuan” domosdonë e të jetuarit qoftë në luftë. Është kohë lufte dhe qoftë edhe patatet e lëna pranë derës së kësaj familje si shenjë e damkosjes si familje tradhtare, duhet zier për t’i ngrënë, për të mbetur mbijetuar.
Familja e protagonistit Fadili i cili duhet të vendos ndërmjet mbijetesës së fëmijëve dhe familjes, për shkak të vendit të tij të punës, me gruan Hana e cila dyshohet për kancer megjithëse lufta ndodh, me dy fëmijët e tyre me gjithë ditëlindjet e tyre dhe dashuritë dhe masturbimet qoftë edhe ndaj një serbeje, dhe babain e tij Muhamed si person me aftësi të kufizuara, personifikon dhe jep të zhveshur jetën e luftës dhe para luftës, pa megalomaninë e patriotizmit dhe pa narcisizmin e viktimës së luftës. Është të qenit ballë përballë me ekzistencën dhe rrezikun e vdekjes nga të gjitha anët, dhe jetës së rrezikuar nga të gjitha burimet e jetës.
Jeta në filmin “Nëntori i ftohtë” të regjisorit Ismet Sijarina është dhënë si brishtësi e njeriut, si konflikt i njeriut me të keqen e tij apo kolektivit, i cili shndërrohet në masë të pakokë, dhe revoltë e njeriut ndaj luftës, dhunës dhe të keqes ndaj njëri tjetrit. Në të vërtetë, duke veçuar tri skena; 1. Derisa protagonisti
pastron babain e tij me aftësi të kufizuara, dhe qanë e rrëfehet për “qyqarllëkun” e tij; 2. Derisa protagonisti Fadili i këndon gruas Hana (ADriana Matoshi) e cila fsheh nga ai dyshimin për të pasurit kancer apo tumor në gji; dhe skena derisa protagonisti Fadili jep intervistë në televizionin e Serbisë për shfrytëzimin e shërbimeve serbe si shqiptarë që është, i detyruar dhe i manipuluar dhe i abuzuar për këtë; janë skena që e krijojnë shtresën më të thellë të kësaj jete në luftë. Pamundësisë së ikjes nga lufta dhe dhuna, pamundësisë së njeriut përballë dhunës dhe luftës, dhe pamundësisë së vetë njeriut përballë të ligës së njeriut ndaj njeriut.
Janë skena të filmit “Nëntori i ftohtë” të cilat krijojnë një narrativ krejtësisht origjinal dhe origjinal kosovar, mbi brishtësinë e njeriut dhe mbi pamundësinë e jetës në luftë. Krijojnë një film mjeshtëror i cili del përballë tërë cirkut të megalomanisë së nacionalizmit dhe patriotizmit dhe krijon një përvijim i cili e zhvesh dhunën dhe e humanizon njeriun në luftë, në konflikt me ekzistencën e rrezikuar në njërën anë dhe në anën tjetër me domosdonë për të mbijetuar.
Mjeshtëria regjisoriale e Ismet Sijarinës dhe filmi në tërësi, me lojën e shkëlqyeshme të Kushtrim Hoxhës dhe të Adriana Matoshit, është zhveshja e filtrit dhe motivit të patriotizmit, dhe shprehja e etheve të luftës pa sensacionin e vrasjes vdekjes dhe tragjedisë.
Është psikologji e cila krijon një herë veçimin e kontekstit dhe kolektivit në tërësi ndaj individit, dhe më tutje e vëzhgon krisjen e po të njëjtit individ nën trysninë e kontekstit dhe kolektivit të armiqësuar, të nisur për luftë. Individi, qoftë si kryefamiljar dhe qoftë si person në vete, thyhet gjatë tërë kohës sa zgjatë filmi, është vëzhgim i thyerjes së njeriut në luftë në të vërtetë. Në dramë dhe vëzhgim tejet intim dhe real, deri në krisje të tërës. Është psikologji e ndërtuar me kujdes dhe dorë mjeshtërore origjinale kosovare që duke bartur rrëfimin në perspektivat e jetës kolektive përmes detajeve, hapë tërë humnerën e luftës dhe e shpërfaq njeriun brenda saj. Të pamundshëm, të thyeshëm, dhe të paaftë në njerëzinë e tij përballë luftës. Kjo psikologji e këtij filmi e hapë këtë botë, tanimë të harruar nën dramën permanente të kolektivit kosovar, të para-luftës së Kosovës, dhe vëzhgon njeriun në fatkeqësinë e tij, si p.sh. në skenën e përpilimit të një kënge të re të protagonistit derisa gruaja është nën dyshimin për sëmundjen e kancerit, skenë e cila hapë tutje tërë njerëzinë që ndodh brenda luftës, qoftë në të vazhduarit të njeriut të sëmuret, dhe qoftë në përpilimin e këngëve; qoftë në degradimin e tij shëndetësor, qoftë në shpresën dhe entuziazmin e tij, të pandalshëm dhe të paikshëm, qoftë edhe në luftë.
Duke iu kthyer fillimit, filmi kosovar me filmin “Nëntori i ftohtë” është film i cili flet ballë për ballë me luftën. Jo më si heroizëm dhe ngadhënjim, jo më si narcisizëm viktime, por si reale e cila përpinë një botë të tërë, një shoqëri të tërë, dhe hapë një dilemë të njeriut në universale: cilët ishim ne? Luftëtarët, apo viktimat e njëri tjetrit! / KultPlus.com
Filmi debutues i Antoneta Kastratit, ‘Zana’, që pati premierën e tij botërore në festivalin e madh të Torontos në Kanadë dhe njëherit propozimi i Kosovës për kategorinë Best International Feature të ‘Oscars’, deri më sot ka qenë pjesë e shumë festivaleve e çmimeve ndërkombëtare, shkruan KultPlus.
Filmi ‘Zana’ është një dramë tronditëse dhe emocionuese që përcjellë një grua të re kosovare që përpiqet të bëhet nënë përderisa ballafaqohet me tmerret nga e kaluara e saj e errët e kohës së luftës. Ditën e djeshme u bë e ditur se filmi është bërë pjesë e programit ‘In Focus’ në Festivalin e Sarajevës.
Ndërsa sot, “Zana” rendit suksesin e radhës. Është aktorja Adriana Matoshi e cila ka fituar çmimin e aktores më të mirë në konkursin zyrtar Ndërkombëtar në Festivalin e Filmit “Fantaspoa” në Brazil. Me rolin e saj në filmin “Zana”, Matoshi ka dëshmuar edhe njëherë fuqinë e saj si aktore dhe shumë nga kritikët e kanë konsideruar si rolin e saj më të mirë. Njëjtë ka menduar edhe juria e festivalit në Brazil duke i ndarë këtë çmim aktores kosovare në mesin e shumë aktorëve të njohur.
Lajmin e ka bërë të ditur edhe vetë regjisorja Kastrati e cila e ka uruar Matoshin për çmimin dhe është shprehur e lumtur që ka pasur fatin të punoj me të.
“Shume urime Adriana për çmimin “Aktorja me e mire” ne Festivalin e filmit fantastik ‘Fantaspoa’ ne Brazil!!! Ju jeni aktore e mahnitshme, ndihem me fat që pata rastin të punoj me ty”, ka shkruar regjisorja.
I krijuar në vitin 2005, Festivali Ndërkombëtar i Filmave Fantastik të Porto Alegre, “Fantasopa”, është festivali nismëtar i sjelljes së filmave të zhanrit fantazi në Brazil. Fantasopa është një festival 18 ditor, që ka në dispozicion vetëm dy dhoma për shfaqje dhe ekspozon mbi 100 filma në vit.
Në çdo edicion të këtij festivali ndahen 20 çmime të ndryshme në kategori të ndryshme të këtij festivali si dhe çmimin e “arritjes në jetë”, që tashmë është ndarë për disa nga autorët më të mëdhenj të zhanrit fantastik.
Çdo vit ky festival është shtëpia e më shumë se 50 të ftuarve. Gjatë 15 viteve të saj, Fantaspoa u bë festivali më i madh i zhanrit në Amerikën Latine dhe ngjarja kryesore e filmit në qytetin e Porto Alegre dhe tani është një referencë për disa artistë si dhe një dritare e shkëlqyer e ekspozitës për filma fantastikë në Brazil. Festivali është anëtar i Federatës Evropiane të Filmit Fantastik që është “një rrjet i thurur nga 22 festivale filmash nga 16 vende, me një pjesëmarrje globale prej mbi 450 000 vizitorësh, duke e bërë atë një lojtar jetik ekonomik dhe kulturor në skenën e filmit fantastik ”. / KultPlus.com
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 21 vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, takoi aktoren Adriana Matoshi, e cila së fundi është shpërblyer me çmim si aktorja më e mirë në Festivalin e Francës “See A Paris”, për rolin e saj në filmin “Nëntori i Ftohtë”.
Ministrja Dumoshi tha se është krenari dhe lajm i mirë që kemi aktore kaq të talentuara si Adriana. Ajo i shprehu mirënjohjen për kontributin që aktorja po jep në promovimin e kulturës tonë dhe në shenjë falënderimi ministrja i ndau si dhuratë një okarinë.
“Dua t’i përkrah maksimalisht aktorët dhe ata që realizojnë dhe promovojnë vlerat tona të mirëfillta kulturore. Tashmë është një fakt i ditur se filmi po tregon sukses në arenën ndërkombëtare krahas sportit. Kësisoj, në nivel shtetëror nëse e vlerësojmë, pa dyshim se prezantimi i kulturës tonë po realizohet nëpërmjet filmit”, tha mes tjerash ministrja.
Ndërkaq aktorja Matoshi e falënderoi ministren për takimin dhe vlerësimin e bërë. Ajo tha se Kosova ka kuadro dhe di të bëj filma të mirë. Ajo foli për përvojat e veta, për filmat në të cilët është angazhuar dhe se po punon maksimalisht të përçojë mesazhe që edhe ne si vend kemi talente e profesionistë edhe në kinematografi.
Ministrja Dumoshi në fund vlerësoi se pjesëmarrja dhe prezantimi i artistëve tanë në festivale ndërkombëtare, në rastin konkret në Francë, tregon për bashkëpunimin që kanë dy vendet në kulturë.
“Dua të falënderoj Ambasadën e Francës në Kosovë dhe përmes saj qeverinë dhe popullin francez për tërë kontributin e tyre ndaj vendit tonë, sidomos në fushat që ka në përgjegjësi MKRS-ja në shumë projekte konkrete që kanë qenë në interesin e përbashkët”, tha ministrja. / KultPlus.com
Një ndër aktoret më të mira shqiptare, Adriana Matoshi po vazhdon ta mbajë frontin. Një çmim tjetër është shtuar karrierës së saj. Matoshi është shpërblyer me çmim si aktorja më e mirë në Festivalin e Francës “See A Paris”, për rolin e saj në filmin “Nëntori i Ftohtë” me regji të Ismet Sijarinës, shkruan KultPlus,
Lajmin e ka ndarë për publikun edhe këtë aktorja ku përvec regjisorit, ajo uron edhe vetën e saj.
“Urime Ismet, Fatmir edhe urime vetes që jemi shpërbly me cmime!”, ka shkruar aktorja.
Ky është edicioni i 5-të i këtij festivali që shfaq filmat e shteteve si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia dhe Turqia.
Në maj të vitit 2018, Matoshi ishte shpërblyer me çmimin aktorja më e mirë në “South East European Film Festival”, që është mbajtur në Berlin të Gjermanisë. Këtë çmim e fitoi me rolin e saj në filmin “Unwanted” me regji të Edon Rizvanollit. /KultPlus.com
Financimi i disa aktiviteteve të artistëve në kohë pandemie ka ngjallur shumë reagime në vend, shkruan KultPlus.
Ndër shumë personalitete nga fusha e artit që ka reaguar është edhe aktorja e njohur Adriana Matoshi.
“Komuniteti artistik osht shume i madh edhe nuk jon t’vetmit ata qe i keni subvencionu qe jetojne prej artit. Shumica prej neve artin e kemi buke te fmive e familjeve tona”, ka shkruar ndër të tjera Matoshi në Facebook.
Këtu keni statusin e plotë:
“Sa vlersohemi na artistat, e dini secili s’ka nevoje me ju shite moral as me ju shti n’gjynah hiq.
Po kur po doni me dheze diqka, na thirrni neve se e dini qe na don publiku edhe kemi ndikim ma ndryshe te popullata. Ni shumice e madhe kqyrin me t’marr pa pare se thojne “5 minuta pune i ki krejt”. Une shpesh nihna keq kur kom oferta t’shumta per role ose reklama, se m’doket qe jom kon shume aktive, e dikush prej kolegve t’mi nuk ka pas hapsire t’mjaftushme kete kohe. Po tani m’kujtohet qe ata nuk pranojne pagese aq t’ult se jon artista. Shpesh kolegt/et m’kan kesh neper reklama demek “Edhe mu m’thirren po nuk mi dhan sa i lypa, ti ashiqare paske pranu per pak pare”.
Tash koka bo e madhe qe artistat jon pagu prej komunes, po shume mire qe u bo e madhe. Komuniteti artistik osht shume i madh edhe nuk jon t’vetmit ata qe i keni subvencionu qe jetojne prej artit. Shumica prej neve artin e kemi buke te fmive e familjeve tona. Nese pernime kishit dashte, ishit ule bashke me Ministrine e Kultures edhe e kishit nda ni buxhet shume simbolik per artistat n’shenje respekti per perkushtimin e perjetshem per kete popull, per skene, e per imazh t’vendit neper bote. Sikur na si sportistat, kur fitojme çmime nderkombetare ose medalje, i theni komt me ardh me na pa sa me bo ni foto per rrjete sociale. Keni qef me ju perfaqsu krejtve, a neve kurr nuk ditet me na perfaqsu.
Ni Kolege i jemi shume i respektum e kallxon ni storje kur ka shku n’deti me gru, tha nuk na lejshin as me pushu tu ardh me bo foto e tu e tepru prej respektit. Tha vendosem me shku dikun ku ka ma pak njerz, ni burre me fmi tu e thirre e tu e njek me shku me bo foto. N’fund tha i nxerri 5€ mi dha e m’tha “une u myta tu ju pagu fmive foto me majmunin n’pllazhe, maj paret se po kom qef”.
Deri n’qit pike kemi mrri na mu vlersu sa fotografia me ni majmun.
Une per veti isha gzu edhe i kisha vlersu edhe 200€ me mi pas dhon komuna, ministria ja shteti. Disa prej kolegve ishin ni t’nenqmum edhe me 1.000€.
Po kom thon edhe para do ditve qe neve na hyp vlera veq kur t’vdesim. Qat’her asni cent nuk keni nevoje me hargju per mu per lule, akademi perkujtimore t’rrejshme e ksi ceremoni qe une nuk kom me i pa e as s’kom me ja u ni ato fjale fallc”.
Aktorja Adriana Matoshi ka reaguar mbi fenomenin e reagimeve të masës, vetëm atëherë kur vdesin artistët. Ajo nëpërmjet një postimi ka kujtuar për sfidat e këtij profesioni, por edhe presionin e publikut. KultPlus ju sjell origjinal reagimin e aktores Matoshi.
Tan jeten ja kushtojme artit, skenes, publikut. N’rruge duhemi me kon gjithmone tu buzqeshe me argetu secilin qytetar edhe jashte orarit t’punes. Se me bo pak me kon n’mendime ta veshin ni artikull qe ki probleme, nuk je e lumtur, shpikin naj titull. Nese jo portalet, kane me fillu me t’perqeshe ata t’cileve dje ja u ke ndreq diten BASH TI.
E jetojme 1 jete t’harrum, e kur vdesim kthehemi n’legjenda t’paharrushem me mbishkrimin “do t’kujtojme cdo dite”.
Dashnine qe nuk ma falni sa jom gjalle, haram ju koft krejtve qe e rujne per diten kur kom me vdeke./KultPlus.com
Filmi ‘’Zana’’, me regji të Antoneta Kastratit, trajton një temë delikatë përmes personazhit të një gruaje e cila ka humbur një pjesë të madhe të vetes gjatë luftës në Kosovë, për të mos thënë krejtësisht vetveten.
Pasojat e luftës së fundit në Kosovë, vërehen edhe sot e kësaj dite, vikimat e saj, disa të fshehura e për të mos u shpalosur kurrë e disa prej tyre të shpalosura për të mos u trajtuar kurrë në mënyrën e duhur, shkruan KultPlus.
Lufta ka përfunduar, një përfundim sipërfaqësor që
luftën e vërtetë vetëm e ka filluar dhe e ka lënë në mesin më të keq të mundshëm.
‘’Zana’’, trajton fatin e disa personazheve që edhe pse të lidhur ngusht me njëri tjetrin, funksionojnë ndaras në dhimbjen e përbashkët.
Një burrë, fëmija i të cilit është mbytur në luftë, personazhi i të cilit ka ngecur në mes dhimbjes për fëminë e humbur, nënës si autoritet dhe gruas që e dashuron aq shumë. Në anën tjetër një grua e cila ka harruar të jetë njeri ose të paktën të funksionoj si e tillë. Dhe vjehrra e saj, e cila sikur të mos ishte në dijeni për përjetimet e nuses së djalit të saj, merr të gjitha vendimet për fatet e jetën e këtyre dy të fundit.
Kur dhimbja, trauma, mendësia patriarkate, vuajtjet e sakrificat bien të tëra mbi kokën e dikujt që ka përjetuar humbjen më të madhe që një njeri mund të përjetojë, atë të fëmijës, dhe edhe pse në film personazh kryesor, fati i saj brenda familjes trajtohet si dytësor.
Një film plot emocion, që pa doreza tregon mendësinë patriarkate që akoma mbizotëron në vendin tonë. Ku fati i gruas është në dorën e të gjithëve, përvecse në duart e saj, ku vlera e saj si njeri matet me faktin e të qenurit apo të mos qenurit nënë.
Antoneta Kastrati, në raport me personazhin kryesor, të
realizuar aq mirë nga Adriana Matoshi, për KultPlus potencoi se Adriana ka një
fytyrë paqësore të butë, por që aty fshehet një agresivitet që nuk vihet shumë
re.
‘’E kam hetuar në fillim, kur Adriana e ka lexuar
skenarin, se kjo është e duhura për këtë personazh, deklaroi më pas Kastrati.
Kastrati gjatë konferencës për media, u shfaq e kënaqur për punën e realizuar nga aktorët dhe i gjithe stafi. ‘’Kam dashur të tregoj atë pjesën e pasluftës që nuk shihet. Në kulturën tonë, e humb vlerën si grua, nëse nuk bën fëmijië, ka shumë presion për të qenë nënë’’, pohoi ajo.
Adriana Matoshi, që në këtë rol erdhi më ndryshe nga ajo që jemi mësuar ta shohim, një grua me një hije melankolike mbi fytyrën e saj, gjatë gjithë kohës.
Ajo tregoi për vështirësitë e realizimit të rolit të saj, mirëpo pohoi të jetë ndarë e kënaqur me realizimin e tij. ‘’Është njëri prej roleve më të vështira që kam realizuar deri tani, mirëpo, edhe më i dashuri. Parase të fillojmë me xhirime, unë bashkë më Antonetën kemi shkuar të varrezat dhe ajo ma ka treguar të gjithë ngjarjen e familjes së saj.’’, deklaroi ajo.
Sevdije Kastrati, producentja e filmit, u shpreh se, në momentin që e kishte lexuar skenarin, e kishte parë edhe filmin.
‘’Ky film ka një rëndësi të madhe, është I inspirruar nga një ngjarje e vërtetë, prej jetës tonë private. Ajo cka trajtohet në film është shumë me rëndësi, sepse fakti që ke humbur, është në dorën e gruas se a dëshiron të ketë fëmijë prapë apo jo’’, vazhdoi më pas ajo.
Filmi ‘Zana’ do të filloj të shfaqet nga data 20 shtator në
Cineplexx.
Mbështetësit kryesorë
financiarë të filmit janë Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare e
Kinematografisë (Shqipëri), Panavision New Fimmaker Grant, SFFILM Rainin Grant,
Light Iron dhe komuna e Pejës.
Producent i filmit ZANA është Casey Cooper Johnson dhe bashkëproducentē Sevdije Kastrati me Crossing Bridges Films (Kosovë), Dritan Huqi me On Film Production (Shqipëri), dhe Miguel Govea dhe Brett Walker nga Alief. Në rrolet kryesore luajnë Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Fatmire Sahiti, Mensur Safqiu, Vedat Bajrami, Irena Cahani, Shengyl Ismajli, Çun Lajçi, Ilire Vinca etj./KultPlus.com
Nëntë çmime janë ndarë nëpër kategori të ndryshme në kuadër të The International Filmmaker Festival në New York, dhe njëri nga çmimet është ndarë për aktoren kosovare Adriana Matoshi, shkruan KultPlus.
Për rolin në filmin Unwanted, Adriana Matoshi është shpërblyer me çmimin për aktoren më të mirë, film i cili ishte i nominuar edhe në kategorinë për filmin më të mirë, film që është realizuar me regji të Edon Rizvanollit.
Në këtë festival janë ndarë çmimet për filmin më të mirë të gjatë, atë të shkurtë, dokumentari më i mirë i gjatë, ai i shkurtë, aktorja më e mirë, aktori më i mirë, produksioni më i mirë…
Ky festival udhëhiqet nga Mrika Krasniqi, kurse në këtë edicion janë përfshirë filma nga shumë shtete të botës./KultPlus.com
Aktorja kosovare Adriana Matoshi është shpërblyer me çmimin aktorja më e mirë në “South East European Film Festival, që është mbajtur së fundi në Berlin të Gjermanisë, shkruan KultPlus.
Në këtë festival ku janë prezantuar filma nga shtete të ndryshme, Adriana Matoshi është shpërblyer me këtë çmim, nga Juria Ndërkombëtare e të Rinjve, për rolin e saj në filmin “Unwanted” me regji të Edon Rizvanollit, film i cili tashmë është prezantuar në shumë festivale, duke përfshirë edhe disa çmime ndërkombëtare.
Adriana Matoshi është një ndër aktoret më të kërkuara në Kosovë, dhe ajo është aktorja me më së shumti role kryesore në filmat e xhiruar në vitet e fundit, duke përfshirë edhe shumë filma që janë në proces e sipër./KultPlus.com
Filmi artistik i metrazhit të gjatë “Martesa” me regji të Blerta Zeqirit tashmë ka shijuar suksesin e premierës botërore, film i cili në festivalin “Tallin Black Nighs Film Festival” ka marë çmimin e kritikës dhe atë të ansamblit të aktorëve, shkruan KultPlus.
Dhe pas këtij suksesi, ky film është duke shqyrtuar rrugëtimin e mëtejmë të prezantimit të këtij filmi edhe nëpër festivale të tjera, por edhe të prezantimit të filmit nëpër kinema.
Blerta Zeqiri, regjisorja e filmit ka thënë për KultPlus se filmi “Martesa” do të prezantohet edhe në Kosovë, dhe mbrëmja e parë kur do të prezantohet ky film është një shkurti. Ajo ka treguar se filmi do të prezantohet në Cineplexx.
‘Martesa’ flet për një trekëndësh dashurie pranë dhe gjatë një martese, trekëndësh ky problematik dhe një diskutim më i thellë i tabuve të pranishme në plot shoqëri, ku rolet kryesore interpretohen nga: Alban Ukaj, Adriana Matoshi dhe Genc Salihu./KultPlus.com
Filmi ‘T’padashtun’ nga Edon Rizvanolli është shfaqur në LA Screenings me datë 3 nëntor nën ombrellën e European Film Promotion (EFP), e cila çdo vit fokusohet në shfaqjen dhe promovimin e filmave evropian të propozuar për Akademinë Oscar, shkruan KultPlus.
Ky film do të shfaqet edhe sot në Chapman University ku do të jetë prezent edhe regjisori Edon Rizvanolli. ‘T’padashtun’ është dramë e cila merret me pasojat dhe traumat e shkaktuara nga lufta e vitit 1999 në Kosovë. Filmi trajton ngjarjen e një adoleshenti i cili jeton me nënën e tij kosovare në Amsterdam dhe që rikthimi i traumave të nënës së tij ia rrotullojnë botën. Në rolet kryesore janë Adriana Matoshi dhe Jason de Ridder.
Nga 92 filmave që garojnë për kategorinë ‘Filmi më i mirë i huaj’, 28 prej tyre do të shfaqen në kuadër të LA Screening të organizuar nga European Film Promotion. Prej këtij numri rekord të propozimeve, vetëm 9 nga 92 do të kalojnë në rrethin e ngushtë dhe në fund të janarit 2018 do të publikohen 5 filmat që do të nominohen për këtë kategori.
European Film Promotion është e mbështetur nga Creative Europe – Media Program e Bashkimit Evropian dhe nga organizatat anëtare të EFP-së, ku bënë pjesë edhe QKK-ja./KultPlus.com
Bashkë me shoqatën “Dardania” në Suedi, aktorja kosovare Adriana Matoshi dhe dj Pm, janë duke zhvilluar takime me fëmijët shqiptarë në Suedi, ku Adriana nëpërmjet një punëtorie ka njoftuar të vegjlit për përvojën personale në fushën e aktrimit, por edhe të angazhimeve të tjera në Kosovë, shkruan KultPlus.
Adriana Matoshi ka njoftuar për KultPlus, se po shqyrtohen mundësitë që të lidhet një bashkëpunim me shoqatën “Dardania”, në mënyrë që prezantime të tilla të bëhen më shpesh në Suedi, të cilat kanë për qëllim ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqipe.
“Hans Johansson, zyrtar në Komunën e Boras të Suedisë, ka parë prezantimin tonë, dhe pikërisht kjo paraqitje e jona ka bërë që të rezultojë me themelimin e javës kulturore në Boras të Suedisë”, ka thënë Matoshi, e cila është shprehur shumë optimiste për aktivitetet e përbashkëta me Shoqatën “Dardania”, në Suedi./KultPlus.com
Filmi artistik i metrazhit të gjatë “Martesa” me regji të Blerta Zeqirit tashmë ka publikuar trailerin zyrtar, shkruan KultPlus.
Në këtë film që shtjellohet dashuria nëpërmjet një trekëndëshi, me rolet e tyre luajnë aktorët: Adriana Matoshi, Alban Ukaj e Genc Salihu.
Bekimi dhe Anita gjenden në një ngjarje të dhimbshme ku janë gjetur mbetje nga varrezat masive. Prindërit e Anitës janë të zhdukur, dhe çifti është gati për martesë. Çifti, i kthyer në Prishtinë, e takon Nolin, muzikantin që jeton në Francë. Ai ka qenë shoku i ngushtë i Bekimit, ndërsa ata nuk e kanë parë njëri-tjetrin për dy vite” shkruhet mes tjerash në kritikën e Vassilis Economou.
Ndërkaq, ky film ka premierën botërore më 28 nëntor në Estoni, në festival të kategorisë A.
Përndryshe, ky është filmi i parë i metrazhit të gjatë për regjisoren Blerta Zeqiri./KultPlus.com
Propozimi i Kosovës për Oscars – ‘T’padashtun’ nga Edon Rizvanolli do të shfaqet në dy festivale të kategorisë ‘A’ në nëntor të këtij viti, përcjellë KultPlus.
Filmi do të jetë pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Indi, Goa, dhe në Festivalin Ndërkombëtar në Kairo të Egjiptit.
Ky është edicioni i 48-të i festivalit ndërkombëtar të filmit në Indi, Goa dhe konsiderohet si një ndër festivalet më të rëndësishme në Azi ndërsa Festivali Ndërkombëtar në Kairo mbanë edicionin e 39-të sivjet dhe është festivali më i vjetër në Arabi, Afrikë dhe Lindjen e Mesme.
‘T’padashtun’ është dramë e cila merret me pasojat dhe traumat e shkaktuar nga lufta e vitit 1999 në Kosovë. Filmi trajton ngjarjen e një adoleshenti i cili jeton me nënën e tij kosovare në Amsterdam dhe që rikthimi i traumave të nënës së tij ia rrotullojnë botën. Në rolet kryesore janë Adriana Matoshi dhe Jason de Ridder.
Filmi do të shfaqet edhe në edicionin e 66-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Mannheim-Heidelberg në Gjermani, festival ky i njohur për prezantimin e regjisorëve debutant përpara publikut gjerman ku do të jetë në konkurrencë ndërkombëtare pastaj në festivalin Cinedays në Maqedoni në konkurrencën Cinebalkan dhe në TIFF të Shqipërisë në konkurrencën ndërkombëtare. / KultPlus.com
Është film me metrazh të gjatë, dhe në thelb të rrëfimit ka luftën e fundit në Kosovë, shkruan KultPlus.
Ky projekt filmik i Shtëpisë filmike “Crossing Bridges Films, me skenar dhe regji të Antoneta Kastratit dhe producent Casey Cooper Johnosn, që tashmë ka thirrur edhe audicion për aktorët, ka gjetë mbështetje edhe në Shqipëri.
Vetë Antoneta Kastrati ka njoftuar se projekti i saj tashmë është mbëshetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri.
“Me kenaqesi ju njoftojme se Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka mbeshtetur projektin filmik “Zana” me Co-producent DriTan HuqiFalenderojme QKK-ne dhe Bordin Drejtues te miratimit te Projekteve per mbeshtetjen dhe besimin”, ka shkruar Kastrati./KultPlus.com
Me 6 dhe 8 tetor, prej ora 19:00, në Kinemanë Jusuf Gervalla në Pejë, vjen filmi T’padashtun” me regji të Edon Rizvanollit. Filmi “T’padashtun” gjatë muajit shtator është zgjedhur si propozimi zyrtar i Kosovës për çmimet Oskar, në kategorinë e filmit më të mirë të huaj, shkruan KultPlus.
Ky film është dramë e cila merret me pasojat dhe traumat e shkaktuara nga lufta e vitit 1999 në Kosovë. Filmi flet për një djalë të vetmuar adoleshent që jeton me nënën e tij kosovare në Amsterdam dhe që vazhdimisht hyn në telashe, ndërsa e kërkon pranimin e saj. Rikthimi i traumave të nënës së tij të shkaktuara nga lufta, të cilat ajo i’a mban të fshehura, ia rrotullojnë botën e tij përmbys.
Në rolet kryesore janë Adriana Matoshi dhe Jason de Ridder./KultPlus.com
Adriana Matoshi është një prej aktoreve që është duke u piketuar më së shumti prej regjisorëve kosovarë, dhe gjithnjë duke ia besuar rolet kryesore. Filmat “T’padashtun”, me regji të Edon Rizvanollit dhe “Martesa”, me regji të Blerta Zeqirit janë dy filmat e fundit që do të rrugëtojnë nëpër botë, që imazhi kryesor i këtyre filmave është vetë Matoshi. Në një intervistë për KultPlus, vetë Adriana Matoshi ka treguar për ndjesinë e lajmeve të fundit, ku “T’padashtun”, tashmë është propozuar nga Kosova për çmimin prestigjioz Oscar, sikurse “Martesa”, që do të ketë premierën botërore në festivalin e kategorisë A, në Estoni. Ajo ka treguar se për realizim të roleve jep shpirtin, sikurse që është shprehur të jetë e kënaqur pasi që, deri më tashti ka punuar më regjisorët më të njohur të vendit. Poashtu, Adriana Matoshi ka folur edhe për filmin e radhës që do të xhirohet në pranverë, sipas të cilës, do të jetë një film gjigant.
Ardianë Pajaziti
KultPlus: “T’padashtun”, është filmi që po synon Oscarin për këtë vit, dhe pikërisht në këtë film luani rolin kryesor, si e pritët lajmin?
Adriana Matoshi: Si proces i punës nuk ka qenë i gjatë, as një muaj xhirim. Ka qenë një proces mjaftë i vështirë, por që kemi dhënë maksimumin. Po është e çuditshme që gjatë procesit të punës nuk mendoj gjëra të mëdha, ajo çfarë mendoj përgjatë xhirimeve është si të realizohen skenat, si të jenë të besueshme, por asnjëherë për suksesin. Në realizim të rolit të “T’padashtun”, sfidë ka qenë si me i dhënë shpirtë karakterit tim, dhe mendoj që ia kam dalë. Kur e mora lajmin që Kosova e ka selektuar po këtë film për Oscar, natyrisht është një ndjenjë që të bën të ndihesh krenare, por që jep edhe motiv për punën e së ardhmes. Unë mendoj që është shumë e rëndësishme që filmi ka me u pa prej shumë profesionistëve, dhe me prezantimin e këtij filmi, producentë, regjisorë, njerëz të filmit do të njoftohen për së afërmi edhe me vuajtjet e popullit shqiptar, me dhunimet që kanë bërë serbët në gratë e Kosovës dhe me shumë ndjesi të tjera. Po uroj që ky film të kthej vëmendjen ka Kosova, e sa i përket asaj se a do të nominohemi apo jo, është herët të paragjykojmë.
KultPlus: Përpos filmit “T’padashtun”, që po synon Oscarin, këto ditë sa është bërë e ditur se edhe filmi “Martesa”, do të ketë premierën botërore në një prej festivaleve të rëndësishme në botë, poashtu keni rol kryesor në këtë film, e pritje edhe këtë lajm kaq të rëndësishëm për karrierën tuja?
Adriana Matoshi: E sa i përket filmit “Martesa”, është një proces shumë i gjatë, ndoshta pesë vjet. Bëhet fjalë për një trekëndësh dashurie, por që prekë edhe temën e luftës. Kemi bërë një punë shumë të mirë. Është temë pak tabu sa i përket asaj që e kemi trajtuar në film, por e di që është një film jashtëzakonisht i mirë. Premierën botërore e kemi në një festival të kategorisë A, pikërisht më 28 nëntor, në festën e flamurit ne do të jemi në Estoni, do të shohim më pas se çfarë po na pret. E më pas, ky film do të jepet edhe Cineplexx në Prishtinë, përgjatë muajit dhjetor.
KultPlus: Filmat mund të jenë edhe të suksesshëm, por ndodhë që aktori të mos jetë i kënaqur me rolet, me temën, personalisht sa je e plotësuar me këto dy role?
Adriana Matoshi: Jam shumë e kënaqur, në të dy filmat rolet e mia flasin shumë, kam pas hapësirë të mjaftueshme që të tregoj veten në anën dramatike, dhe mendoj se dallojnë goxha prej filmave të tjerë. Jam e kënaqur me punën që e bëj, falë talentit por edhe punës, sepse nuk e kursej veten në asnjë moment. Kam pas fatin të bashkëpunoj me regjisorët më të mirë të vendit edhe ata më ngritën në nivelin më të lartë.
KultPlus: Pasi jemi te këta dy filmat e fundit, do të veçoje ndonjërin rol pak më shumë?
Adriana Matoshi: Kur kemi xhiruar filmin “Martesa”, kjo ka ndodhë para dy viteve, pas tre dite menjëherë kanë filluar xhirimet te “T’padashtun”, më është dashur që nga një rol të kaloj në rolin tjetër dhe kjo ka qenë shumë sfiduese për mua. Prej një karakteri shumë të dashur që e kam pas te filmi “Martesa”, me një temë të dashurisë, më është dashtë të kaloj në një dramë të thellë psikologjike, në një grua që e rritë një djalë që e ka lindë si pasojë e dhunimit nga ana e serbëve. Por të dy rolet kanë specifikat e veta, dhe për të dy rolet kam dhënë shpirtin tim, kështu është e vështirë ti ndaj.
KultPlus: Të dy filmat kanë temë të ndjeshme, sa hezitoni për role të tilla?
Adriana Matoshi: Fillimisht kur unë e lexoj skenarin e shoh nëse mundem të jap apo prej vetës. Ka pas rast kur një regjisor më ka ofruar një rol për një film, pasi regjisori më ka parë për atë rol, por pasi kam lexuar skenarin unë e kam parë vetën që nuk jam për atë rol dhe e kam refuzuar. Sepse, kam parë që nuk më ka shkuar ai rol, nuk kam qejf të realizoj një rol që nuk ma do shpirti.
KultPlus: Ju jeni një ndër aktoret që keni marrë shumë role kryesore në filmat e fundit që janë realizuar në Kosovë, qoftë këta që tashmë po prezantohen, por edhe filma që janë në proces e sipër, si po arrin ti bindësh regjisorët se ju jeni e duhura?
Adriana Matoshi: Fillimisht unë kam luajtur në një film të shkurtë te Blerta Zeqiri, dhe ai film ka qenë një vulë që kam arritë të japë më të mirën në atë film. Pastaj edhe më thonë që jam tepër e natyrshme, nuk aktroj, që kjo është shumë e rëndësishme për një aktor të filmit. Nuk rrej për atë çfarë bëj. Nëse ndalemi në jetën tonë, ne si njerëz çdo ditë e bëjmë nga një film, si persona që jetojmë përditshmërinë, dhe pikërisht ky film i duhet vetë filmit. Mua më kanë thënë shumë se më do kamera dhe nuk rrej në kamerë. Por unë jam edhe prej atyre aktoreve që nuk hezitoj të shkoj në audicione.
Kam dëgjuar shumë shpesh që disa aktorë që e vlerësojnë vetën nuk dëshirojnë të jenë pjesë e audicioneve, me idenë e tyre se janë të famshëm, unë nuk mendoj ashtu, audicionet bëhen për aktorë dhe duhet të respektohen nga aktorët.
Pastaj, unë mendoj që kam të gjitha predispozitat që janë favor për një aktore, unë jam nënë, i di ndjenjat e një fëmiu, dhe përvoja e të qenit nënë natyrisht është edhe një pasuri që mund të gërshetohet për mrekulli me profesionin e një aktoreje, por është edhe tjetra se mua jeta më ka sprovuar shumë, dhe krejt këto përvoja natyrisht që mund të ndikojnë edhe në pjesën emotive, kjo përvojë jetësore më ka shërbyer që karakteret e mia të ndërtohen natyrshëm, si në lot, por edhe në gëzime. Dhe pikërisht si rezultat i punës sime, unë në pranverën e vitit të ardhshëm do të jem pjesë e një filmi gjigant, lirisht mund ta quaj ashtu.
KultPlus: Në anën tjetër, gjithë ky sukses nëpër filma të ndryshëm ju i shtuat angazhimeve tuaja edhe me rolin tuaj në serialin “O sa mirë”, pse tu desht seriali?
Adriana Matoshi: Isha në një periudhë kur kisha nevojë të bëj dicka tjetër, të dalë pak prej roleve të rënda. Seriali më ka ndihmuar që të më njeh edhe një pjesë tjetër e popullit që nuk kanë mundësi me i pa filmat e mi, sepse ata filma jepen kryesisht nëpër festivale. Shfaqjet që i kam pas për dhjetë vjet nëpër teatro, është një pjesë shumë e vogël që i përcjellë, dhe pikërisht ky serial më ka bërë që të prekë një pjesë tjetër të audiencës. Në serial jam tepër e kënaqur, sepse audienca po ma kthen punën time me dashuri, e për me të dashtë sot dikush është goxha problem, dhe jam shumë e lumtur kur shoh reagimin e tyre kur më takojnë.
KultPlus: Dhe për fund, duke pasë parasysh se filmat në të cilët keni luajtur do të prezantohen në shumë shtete, sa beson që po këto role mund të sjellin ndonjë rol të madh në ndonjë projekt të huaj?
Adriana Matoshi: Jetës kurrë nuk i dihet, pas filmit Babai kam pasë raste që të huajt veç më kanë piketuar, kurse në filmat e ardhshëm jam fytyrë kyçe dhe kam pas hapësirë që të tregoj vetën.
Unë nuk e parashoh të ardhmen time, por unë besoj në punën time, por nëse ndodhë ndonjë mrekulli me qenë pjesë e një filmit huaj, unë e di sigurt që nuk kam me i zhgënjyer. Unë kur jam në rol, harroj që jam edhe nënë, definitivisht harroj, falë mamit tim që është kujdes për fëmijët e mi. Nëse luaj në një film të huaj nuk kam me zhgënjyer as vetën, as familjen e as popullin e Kosovës./KultPlus.com