‘Arratiset’ ariu nga avioni në aeroportin e Dubait, kryeministri i Irakut po e merrte në Bagdad

Tentativa e autoriteteve irakiane për të kënaqur egon e kryeministrit të tyre Mohammed Shayya’ Sabbar al Sudani, duke i sjellë një ari për ta mbajtur në pallatin e tij në Bagdad, ka dështuar.

Ariu që ndodhej brenda një kafazi në një avion që fluturonte nga Dubai për në kryeqytetin irakian me një avion të “Iraqi Airways”, çuditërisht është “arratisur”.

Kompania ajrore pretendon se nuk janë ata fajtorë për arratisjen e ariut nga kafazi i tij teksa avioni priste të ngrihej nga Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait të premten.

Por, raportimet e mediave sqarojnë se kryeministri i Irakut është “tërbuar” pasi mori vesh lajmin duke urdhëruar një hetim mbi mënyrën se si ariu iku nga kafazi.

Lideri irakian tani kërkon të dijë se kush është përgjegjës për nxjerrjen e ariut të tij nga vendi ku imbarkohen bagazhet në avion.

Sa i përket fluturimit në fjalë, ai u vonua pasi autoritetet dërguan specialistë për të qetësuar kafshën dhe për ta hequr atë nga avioni.

Një videoklip që qarkullon në mediat sociale tregoi kapitenin e avionit duke u kërkuar falje pasagjerëve për vonesën e ngritjes të së premtes për shkak të çështjes së ariut.

Linja ajrore tha se ariu po transportohej nga Bagdadi në Dubai, por një zyrtar i Iraqi Airways, duke folur në mënyrë anonime, konfirmoi se ariu po transportohej në drejtimin e kundërt, pra drejt kryeqytetit irakian.

Mbajtja e kafshëve grabitqare si kafshë shtëpiake në Irak – veçanërisht në Bagdad – është bërë e njohur në mesin e të pasurve dhe autoritetet kanë luftuar për të zbatuar dispozitat ligjore për të mbrojtur kafshët e egra.

Sakaq, aeroporti Ndërkombëtar i Dubait, më i ngarkuari në botë për udhëtime ndërkombëtare, nuk pranoi të komentojë rastin. /A2CNN

Alarm për mjete shpërthyese në Aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot në orët e pasdites përmes zyrës së mediave të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” ka pranuar një informacion për kërcënim me mjete shpërthyese në aeroport.

Bazuar në informacionet e pranuara, Policia e Kosovës menjëherë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme policore në funksion të trajtimit dhe hetimit të këtij rasti, duke angazhuar njësitet relevante policore, përfshirë ato për trajtimin e materieve shpërthyese dhe njësitin me qenë (K-9), thuhet në njoftim. /KultPlus.com

Mban “fronin” prej 18 vitesh, shpallet aeroporti më i mirë në Europë

Aeroporti i Zyrihut është vlerësuar si aeroporti më i mirë në Europë, nga The World Travel Awards, programi që konsiderohet si organizmi ndërkombëtar kryesor për vlerësimin e sektorit të udhëtimeve dhe turizmit global.

Aeroporti më i madh i Zvicrës mban këtë titull për të 18-in vit radhazi, që prej vitit 2004. Ai ka një infrastrukture moderne dhe është vetëm 11 minuta me tren larg nga qendra e qytetit.

Programi prestigjioz që vlerëson industrinë e turizmit, linjat ajrore dhe hotelerinë thotë se aeroporti u vlerësua edhe këtë vit për shkak të zbatimit të një game të gjerë të protokolleve të shëndetit dhe sigurisë së qytetarëve dhe punonjësve gjatë pandemisë së Covid.

Masat për mbrojtjen e udhëtarëve dhe stafit përfshinin ndër të tjera sigurimin e paneleve ndarëse në sportelet e kontrollit dhe mbi 200 stacione higjienike me maska dhe dezinfektues.

Aeroporti i Zyrihut është gjithashtu një nga liderët në fushën e mbrojtjes së klimës. Duke filluar që nga viti 1991 për të vlerësuar konsumin e energjisë dhe emetimet klimatike, deri më sot aeroporti ka reduktuar emetimet e karbonit me pothuajse 50%. / KultPlus.com

Aeroporti mbushet me mërgimtarë, 50-të aeroplanë vetëm sot drejt Prishtinës

Ardhjet e diasporës shqiptare në Kosovë përmes aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari” tashmë kanë filluar.

Vetëm gjatë ditës së sotme është bërë e ditur se do të aterojnë rreth 50 aeroplanë nga vende të ndryshme të botës me mërgimtarë tanë, ndërsa 20 fluturime të tjera planifikohen të zbresin deri të shtunën në ora 09:00

Muajt e verës tashmë po sjellin mërgimtarët në vendlindje. Mijëra udhëtarë kanë ardhur vetëm këto ditë e para të muajit korrik.

Nga ana tjetër, ardhjet e shumta janë edhe me automjete, por këtë vit, shumë prej tyre po e shfrytëzojnë Aeroportin e Prishtinës, “Adem Jashari”, shkruan tutje albinfo.ch, transmeton KultPlus.

Kompania e njohur e fluturime, Chair, ka fluturime çdo ditë drejt Prishtinës.

Aeroplanët e kësaj kompanie po zbarkojnë mërgimtarë të shumtë nga shteti i Zvicrës në Kosovë. Vlen të theksohet se shteti zviceran dhe ai gjerman prijnë me ardhjet e mërgimtarëve.

Pothujase të gjitha kompanitë kanë shtuar dukshëm linjat ajrore për shkak të kërkesës së jashtëzakonshme për të udhëtuar drejt Kosovës.

Kujtojmë se në vitin e kaluar pandemik shumë mërgimtarë hezituan të vijnë në Kosovë për shkak të Covid. /albinfo/ KultPlus.com

Shndërrimi i aeroportit të Shanghait në një park përrallor


Ka gati pesë vjet që autoritetet kanë hequr dorë nga aeroporti Longhua në Shanghai, por jo edhe ka hapësira.

Pista 1.800 metërshe tash është një park përrallor, me mbi 2.200 pemë, 82 lloje bimësh dhe një kopsht fantastik për të kaluar momente të qeta.

Projekti është realizuar nga kompania Sasaki, e cila ka transformuar tërësisht një sipërfaqe betoni, siç ishte pista e aeroportit Longhua, e hapur për fluturime për 80 vjet, deri në vitin 2011, transmeton KultPlus.

Puna për shndërrimin e pistës në park nisi në vitin 2016 dhe përfundoi në prill 2020. / KultPlus.com

Nga sot nuk lejohet hyrja e pasagjerëve në Kosovë

Aeroporti Ndërkombëtar i Kosovës njoftoi sot se “në bazë të vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës nga sot më nuk do të ketë hyrje të udhëtarëve përmes aeroportit “Adem Jashari”.

Megjithatë, aeroplanët lejohen të aterojnë pa udhëtarë (ferry) dhe ju mund të ktheheni në shtetet ku jetoni me kompanitë ajrore që kanë mundësi për të operuar në këtë mënyrë.

Nesër në nisje do të realizohen fluturimet si vijon:

Prishtinë – Zurich, 6 fluturime
Prishtinë – Stuttgart, 2 fluturime
Prishtinë – Munich, 1 fluturim
Prishtinë – Stamboll, 1 fluturim

Ju lusim qe te kontaktoni kompanitë ajrore për informacione shtesë. Për çdo pakënaqësi ju lusim të na shkruani në adresen tonë elektronike: [email protected]. /KultPlus.com