“Kënga e turpshme” e Azem Shkrelit është një nga poezitë e tij më të shkurtra por më kuptimplota, ku vargu të merr me dhimbjen e njeriut që bart në vete borxhin ndaj atdheut, shkruan KultPlus.
Kur këto vargje të një poeti të rrallë siç ishte Shkreli, bashkohen me zërin brilant të aktorit Afrim Muçaj që dëgjohet çdo ditë e më shumë, bëjnë që vargjet të përjetohen në shumë dimensione artistike e të prekin shpirtin e brendshëm, duke përcjellur shumë emocione.
KultPlus sot ju përcjellë interpretimin e aktorit Afrim Muçaj.
Shfaqja “Molly” dha premierën e saj para dy ditësh, në Amfiteatrin e Ri të Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.
Molly është një shfaqje me dy akte e cila tregon historinë e personazhit të titullit, Molly, një grua e verbër që në foshnjëri, e cila i nënshtrohet një operacioni për të rikthyer shikimin. Shfaqja tregon historinë e Molly-t përmes monologjeve të tre personazheve: Molly, burri i saj Frank dhe kirurgu i saj, zoti Rice. Historia e nënkuptuar interpretohet rrallë dhe na mbetet neve, audiencës, ta bashkojmë atë. Është sikur hyjmë në botën e Molly-t dhe rikrijojmë një realitet që është produkt i imagjinatës sonë. Është një realitet kaq i mbushur me dashuri dhe besim, saqë do të duam ta mbajmë atë kur të dalim nga teatri. Në këtë shfaqje simpatizojmë Molly-n dhe dëshirën e saj për një botë përtej realitetit, të zbukuruar nga iluzion.
Ministria e Kulturës njofton se në këtë premierë ishte i pranishëm edhe Ministri Hajrulla Çeku.
Postimi i plotë:
“Teatri Kombëtar i Kosovës dha premierën e dytë brenda dy javësh.
Për publikun u dha shfaqja “MOLLY” e regjisores Sibel Abdiu, shfaqje kjo që trajton përjetime të personave me aftësi të kufizuara, e cila luhet me dy akte dhe tregon historinë e personazhit Molly.
Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Verona Koxha, Afrim Muçaj, Bujar Ahmeti, me kompozitor Albin Sopa, artist vizual Lulzim Luigji Bejta dhe inspiciente Nazmije Krasniqi.
Në premierë i pranishëm ishte edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Qeveria e Kosovës ka shpallur vitin 2022 vit të personave me aftësi të kufizuara”, thuhet në postimin e tyre. /KultPlus.com
Gjithçka zë vend në fshatin fiktiv të titulluar “Sllupkove”, ku së fundmi ka ndodhur një ikje masive e të rinjve dhe punëtorëve nga ky vend. Në këtë hapësirë ka mbetur tash veç një person, një punëtor që mban emrin Rexhep Nushi. Nën mungesën e madhe e tejet të shprehur të punëtorëve të tjerë, të gjithë banorët e fshatit nisin dhe e kërkojnë tashmë veç Rexhon, djaloshi i cili kryen nevojat dhe punët e ndryshme dhe llojllojshme që secili banor ka nëpër shtëpitë e tyre, ngaqë askush tjetër nuk është në dispozicion. Bëhet fjalë për filmin “Everybody Calls Redjo” me regji të Ibër Dearit, film ky që pas një rrugëtimi të gjatë e të mundimshëm ia ka arritur që të jetësohet, shkruan KultPlus.
“Everybody Calls Redjo” është film debutues për regjisorin Ibër Deari si skenarist në filmat e metrazhit të gjatë, derisa edhe Artin Selmani është pjesë e këtij filmi sa i përket pjesës së skenarit. Bashkëpunimi i Dearit me Selmanin ka rrjedhë nga bashkëpunimet e tyre të mëhershme në shumë skenarë, por që për këtë skenar të këtij filmi, ata kanë vendosur që e gjitha puna e tyre të shndërrohet në një projekt filmik. Për ta, ka qenë një proces tejet interesant dhe kanë qenë pikërisht ato orët e shumta nëpërmjet të cilave ata kanë debatuar, qeshur e janë nervozuar, por që kanë përfunduar në vazhdimin e jetësimit të karaktereve dhe situatave. Kanë shkruar e rishkruar dialogë të shumtë edhe deri në ditën e fundit të xhirimeve. Ndërkaq, ekzistojnë shpresat se edhe në të ardhmen, të dytë të shkruajnë skenarë, bashkërisht.
Në një intervistë për KultPlus, regjisori Deari ka shpalosur ende më shumë detaje në lidhje me rrugëtimin, procesin e punës dhe të ardhmen e këtij filmi të përfolur.
Realiteti që na rrethon, në të cilin jetojmë dhe të cilin e shohim çdo ditë, qoftë në rrugë, në lajme apo edhe nga bisedat në kafene me miq, është pika kryesore nga ku edhe ka ardhur ideja për të krijuar filmin. Personazhi kryesor, Rexho cilësohet si personi që regjisori Deari ka pasur më së shumti nevojë, dhe të cilin ai çdo herë e ka kërkuar. Përveç Rexhos si personazh, ka pasur edhe personazhe të tjerë në fokus, por që në fund së bashku me skenaristin Selmanin, ata kanë vendosur të shikohet i gjithë filmi nga vetëm perspektiva e Rexhos.
Filmi “Everybody Calls Redjo” i përket metrazhit të gjatë. Se si ka nisur ky rrugëtim për regjisorin dhe si ka shkuar deri më tani, e tregon edhe vetë ai.
“Është me të vërtetë një rrugë shumë e gjatë. Unë me filmin merrem që në moshën e re dhe vazhdimisht jam munduar të punoj. Edhe kur nuk ka pasur buxhete, unë kam krijuar filma me vetëfinancim sepse e dua filmbërjen, mirëpo për të arritur që ta realizoj një film të gjatë, më janë dashur më shumë se katër vite, vetëm përgatitje. Secili film, kudo që realizohet, i ka sfidat dhe vështirësitë e tij. Nuk ka film të lehtë. Gjithë filmat e mirë apo filmat ku autorët mundohen për të bërë diçka të mirë, cilësohet si shumë e lodhshme dhe e vështirë. Në rastin tim, kemi pasur probleme të zakonshme si gjithë filmbërësit e tjerë, duke nisur nga buxheti, koha e shkurtër e xhirimeve, moti që ndryshonte vazhdimisht dhe shumë probleme të tjera normale që kanë të bëjnë me autorët, gjendjen shpirtërore dhe emocionale të artistëve, por kjo është sfidë që të ndihmon të rritesh dhe të jesh më i pjekur si artist”, shpalos regjisori Deari.
Ndërsa, procesi i përzgjedhjes së kastës së aktorëve, konsiderohet si procesi që ka zgjatur më së shumti në këtë film. Por, energjia ndërmjet tyre, qe pika kryesore nga e cila është jetësuar filmi dhe tani pas shumë problemeve të hasura, regjisori Deari ndjehet i kënaqur me përzgjedhjen që është bërë.
“Kur punon me aktorë të mirë, është shumë më lehtë të realizosh një film. E unë mendoj që e pata fatin e mirë për të punuar me gjithë këta aktorë. Do i veçoj rolet kryesore pasi që ata e kanë pasur barrën më të madhe, duke nisur nga Afrim Muçaj dhe Adriana Matoshi. Pa këta të dy, vështirë që do e kisha realizuar vizionin e saktë që e kisha në kokë. Por gjithsesi, një duartrokitje e madhe shkon për aktorin e ri, Ledion Muljaku, një djalë shumë i ri e shumë i talentuar dhe besoj se kur të shikoni filmin do të bindeni në këtë që po e them. Gjithashtu jam shumë mirënjohës dhe falënderues për gjithë aktorët e tjerë që erdhën për të qenë pjesë e filmit tim”, thotë ai.
“Everybody Calls Redjo” ka realizuar xhirimet në gjithsej 20 ditë. I gjithë procesi ka shkuar shumë mirë dhe për sa i përket organizimit ekipor, regjisori Deari ka pohuar që ka qenë jashtëzakonisht profesional. Por, armiku i vetëm i këtij procesi konsiderohet të jetë moti që vazhdimisht ndryshonte, me ç’rast ka krijuar edhe probleme në sheshxhirim, por që sipas regjisorit, filmi kështu bëhet; duke zgjedhur probleme. Ndërkohë, në sheshxhirim ka pasur momente të ndryshme e interesante por që as vetë regjisori nuk mundet t’i veçoj, ngaqë ato janë në masë të madhe.
Padyshim që krijimi i një filmi që i përket metrazhit të gjatë është një ndjenjë krejtësisht tjetër. Regjisori Deari këtë ndjenjë e përshkruan si tepër të rëndë.
“Është një emocion tepër i rëndë. Nuk ia ndjen kënaqësinë gjatë të bërit film. Në procesin e krijimit më shumë ke stres, ankth dhe në shumë raste edhe dilema. Më duket si një emocion tronditës sepse merresh me realizimin e një ëndrre por është një ëndërr që të shfaqet si një makth.”
Po ashtu, ai ka treguar edhe se çfarë ka mësuar personalisht si regjisor dhe skenarist, përgjatë këtij rrugëtimi të krijimit të filmit. E kjo për shumë kë, del të jetë shpeshherë ndryshe.
“Besoj se kam mësuar shumë, mjaftueshëm për ta kuptuar se të bërit një film nuk është ashtu si e lexon në libër apo në shkollë, e as ashtu si e komenton dhe diskuton nëpër tavolina e kafene. Të bërit film është një luftë që duhet të përjetohet drejtpërdrejt vetëm në fushëbetejë, ndërsa me njohuritë e librit dhe të shkollës, mbetesh vetëm një njohës i filmit por jo edhe i krijimit të tij”, thotë regjisori Deari për KultPlus.
Sipas tij, suksesi i filmave kosovarë është tejet i lartë, pasi që çdo vit nëpërmjet filmave, krijuesit kosovarë e dëshmojnë vetën duke shkuar në festivalet më të mira në botë. Ai shprehet se në Kosovë punohet shumë, sidomos duke marr parasysh se filmbërësit punojnë me aq buxhete të vogla, e që në fund arrijnë sukses të madh.
“Në Kosovë ka shumë konkurrencë dhe filmbërësit janë në luftë për të dëshmuar veten e tyre. Ata janë të uritur për të bërë punë të mirë. Ka shumë regjisorë guximtar që rrezikojnë, por gjithashtu Kosova ka edhe shumë aktorë të mirë që ia mundësojnë e ia lehtësojnë punën secilit regjisor, që ata të arrijnë të bëjnë filmat e tyre të veçantë dhe komunikues me publikun”, përfundon ai.
Ndërkaq, premiera e filmit “Everybody Calls Redjo” ende nuk dihet saktë se kur do të shpaloset, për arsye të postproduksionit, që zgjatë tejet shumë.
Në filmin “Everybody Calls Redjo” luajnë: Afrim Muçaj, Adriana Matoshi, Adem Karaga, Mirsad Abazi, Adrian Aziri, Daniela Markaj, Bujar Ahmeti, Labinot Raçi, Bereda Reshit, Ledion Mulaki, Blerim Ismani, Muzafer Etemi, Valdeta Ismajli, Blerim Dardhishta, Sara Bajrami etj. / KultPlus.com
Aktori Afrim Muçaj bën të ditur se pas një rrugëtimi të gjatë e të mundimshëm ia kanë dalur ta jetësojnë filmin “Everybody Calls Redjo” të Ibër Dearit, shkruan KultPlus.
Muçaj, i cili ka rolin kryesor në këtë film, ka falënderuar regjisorin që ia ka besuar rolin e Rexhos.
Ky film do të jetë debutues për Ibër Dearin si skenarist në filmat e metrazhit të gjatë, derisa edhe Artin Selmani është pjesë e këtij filmi sa i përket pjesës së skenarit.
Adem Karaga, Adrian Aziri, Bereda Reshit, Mirsad Abazi, Labinot Raçi, Ledion Mulaki, Bujar Ahmeti dhe Daniela Markaj, të gjithë do të jenë pjesë e këtij filmi. /KultPlus.com
Të gjithë, përfshirë këtu edhe njerëzit, përfundimisht një ditë duhet të vdesin. Të gjitha gjallesat largohen nga ky planet dhe pranojnë vdekjen, por ata që krijojnë art lënë një trashëgimi që ruhet dhe kujtohet nga brezat e ardhshëm, duke i bërë ata të pavdekshëm. Vetëm arti dhe veprat njerëzore që i veçojnë individët si të lartë apo të ulët në jetën e tyre janë të përjetshme në këtë vend. I tillë është edhe rasti i regjisorit, profesorit dhe artistit, Bekim Lumi, i cili u përkujtua në katër vjetorin e vdekjes së tij me ekspozitën “U artësofshi”, e cila në koncept ka artin unik teatror të Lumit. Ekspozita u hap mbrëmë në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, ku miq, familjarë e artdashës u bënë bashkë që të kujtojnë, siç e bëjnë tradicionalisht, edhe një herë tjetër Lumin, shkruan KultPlus.
Përgatitjet për hapjen e ekspozitës kishin nisur prej kohësh, por planet nuk po shkonin ashtu siç duhej, për shkak të motit, i cili në bipolaritet ekstrem ndryshonte nga minuta në minutë. Në momentin që njerëzit po përgatiteshin të uleshin jashtë në amfiteatrin e Lapidariumit, filloi të bjerë shi. Mirëpo, shiu i verës, i cili mbi të gjitha na freskon të gjithëve, u ndal dhe ekspozita nisi siç ishte planifikuar që në fillim.
Ndihmës-kuratori dhe aktori i njohur, Afrim Muçaj, bëri hapjen e kësaj ekspozite, me ç’rast edhe pati një fjalë hyrëse.
“U Artësofshi, ishte shprehja më e dashur e Lumit, prandaj me këtë titull në shënimin e përvjetorit të vdekjes së tij po e hapim edhe këtë ekspozitë të kuruar nga artisti Mentor Berisha”, thotë Muçaj, i cili ftoi dramaturgun dhe kritikun e artit, Arian Krasniqi për një fjalë rasti.
“Vdekja e hershme e regjisorit të teatrit, profesorit dhe artistit, Bekim Lumi (1966-2018), para katër vjetësh, nuk ishte fundi i lojës me jetën dhe teatrin e tij. Siç do ta thoshte shumëkush, vdekja fizike e një artisti është përjetësi dhe shenjtëri, njëkohësisht. Prandaj, që nga ndarja fizike e tij nga kjo botë, kujtimi dhe malli për të nuk zvetënohen. Përkundrazi! Çdo përvjetor i vdekjes së tij është më i veçantë se tjetri, sepse, testamenti krijues artistik i Bekim Lumit është i disallojshëm: shfaqje të jashtëzakonshme teatrore, poezi, shkrime e botime diskursive, e deri te këngët e tij. Për këtë dhe shumë arsye të tjera, jeta dhe vepra e këtij artisti nuk mund të përthekohet me vetëm një ngjarje përkujtimore. Kujtesa për të dhe veprën e tij meriton të jetë e vazhdueshme, sepse ai me artin e tij foli gjithëkohshëm, edhe për brezat, që do të vijnë pas nesh”, thotë Krasniqi.
Ai tregon se në vargun e përkujtimeve për Lumin, ky vit shënon një veçanti të theksueshme.
“Kjo ekspozitë përmban fotografi të përzgjedhura me kujdes dhe kreativitet nga ana e kuratorit. Në thelb të ekspozitës qëndron koncepti për artin unik teatror të Lumit. Fotografitë nuk janë kronologji e jetës dhe veprës së Bekimit, përkundrazi, konceptualisht qëndrojnë mbi idenë e përshfaqjes vizuale, jo vetëm të shfaqjeve teatrore, por edhe të procesit krijues laboratorik, që Lumi e kultivoi, ndër vite, me aq pasion”.
Krasniqi shton se imazhet e sjella këtu reflektojnë një pasqyrim më besnik të krijmatrisë unike dhe të botës artistike të Bekim Lumit.
“Fotografitë e shfaqjeve kapin momentet më të veçanta dhe më kulmore të situatave dramatike, të ekspresivitetit aktorial dhe gjetjeve kreative regjisoriale. Po ashtu, fotografitë e procesit krijues përjetohen si gërmim në thellësinë laboratorike të krijimtarisë së Lumit. Ngjajshëm si në hulumtimet arkeologjike, sa më thellë të gërmohet aq më shumë do të mahnitemi me thesarin artistik e krijues të tij. Këto fotografi dhe shumë të tjera, të pa ekspozuara, e përafrojnë imazhin për profilin krijues të Bekim Lumit si regjisor teatri”.
“U artësofshi!”, është thirrja e kumbueshme e Lumit artist. Këtë thirrje, në formë klithjeje e urate, njëkohësisht, e ndjejmë edhe ne sot! Po, sepse është testamenti i Lumit qiellor”, përfundon dramaturgu.
Liburn Jupolli në kuadër të Ministrisë së Kulturës, adresoi disa fjalë rreth krijmtarisë dhe punës së Bekim Lumit ndër vite.
“Nuk mund të flas vetëm në cilësinë e këshilltarit për të ndjerin Bekim Lumi, për arsye se edhe vetë kam pasur rastin që të jem bashkëpuntor i tij i afërt dhe të ndjej atë energjinë “solare” që e ka pasur për gjithë artin. Fillimisht do të doja që të adresoja si fakt veprimtarinë e tij që është shumë me rëndësi edhe në nivel shtetëror por edhe gjithë trashëgimisë tonë kulturore. Veprimtaria e tij jo vetëm shfaqet, por edhe gjithë procesi i tij, ku kemi rastin ta shohim në këtë ekspozitë, është një shembull vetë figura e Bekim Lumit se si dokumentohet edhe procesi i punës. Në njërën prej shfaqjeve më shumë se gjashtë muaj më ka rastësis që të jem si bashkëpunëtor në kompozim dhe e kam parë se sa shumë i ndjeri e ka dashtë procesin. Ministria e Kulturës do të vazhdojë që të mbështesë të gjitha organizimet e tilla që e shtyjnë përpara dokumentimin e figurave tona artistike, specifikisht Bekim Lumin me tërë pasionin e tij për artin dhe për trashëgiminë tonë shpirtërore”, përfundon ai.
Ndërkaq, kuratori Mentor Berisha, me emocione në fytyrë falënderoi të gjithë të pranishmit për prezencën e tyre.
“Faleminderit që jeni të pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite në nderim të Bekim Lumit. Unë vërtet jam shumë i gëzuar që jam kurator i kësaj ekspozite. Kemi përzgjedhur 10 shfaqje të tij e materiale të tjera të veçanta. Kur ke parasysh edhe kur ke pranë vetes një art shumë dimensional si të Bekim Lumit, vërtetë është vështirë që të bësh përzgjedhjen e tyre, sepse secila shfaqje meriton që të ketë një ekspozim në vete. Por në anën tjetër, të gjitha këto që ne i kemi përzgjedhur për shkak të një arti kaq unik të Lumit, funksionojnë si tërësi. Puna ime duhet të prezantohet në ekspozitë”, thotë ai mes tjerash, duke kujtuar edhe një herë krijmtarinë e jashtëzakonshme të Lumit.
Në një prononcim për KultPlus, e mbushur me emocione dhe me lot në sy, Drita Lumi, kujton kohën e momente të ndryshme që ka kaluar së bashku me Bekimin nëpër vite, përfshirë këtu edhe shfaqjen e saj më të preferuar.
Dashuria për teatrin, e pranishme çdo herë
“Bekimi qysh në fëmijërine e hershme ka tregu shumë talent për teatrin. Ai edhe në jetën e përditshme ka qenë gjithmonë artist. Bekimi ka qenë një djalë i saktë, i zellshëm e punëtor qysh si fëmijë, ka qenë shumë preciz. Nuk mendoj që ai ka qenë ndryshe në jetën artistike dhe ndryshe në familje. Mund të them padyshim që Bekimi ndoshta edhe ka lindur artist”.
Shfaqja e preferuar e Dritës sipërfaq talentin e madh të artistit
“Shfaqja më e preferuar. Kur unë e kom vetë se cila shfaqje është e preferuar, ai ka thënë sikur gishtat e dorës. Por për mua më së shumti më pëlqen shfaqja “Nëna dhe fëmija”, kur e kam parë atë shfaqje kam mbetur shumë e impresionume, e prekur, pasi në thelb ka qenë një shfaqje që prek abortin, fëmijët jetim dhe në përgjithësi i ka dhënë kuptim asaj që artistët klithin dhe çojn procese sociale e politike, gjë që Bekimi e ka bërë në çdo shfaqje të tij”.
Msheftësia e “poemës” së Lumit
“Bekimi ka shkruar poezi si i vogël. Ndoshta ka qenë 10-12 vjeç kur vendosëm që të shkruajmë një poemë, ne po prisnim që ai ta shkruante dhe në atë kohë ne lexonim gjëra të ndryshme sikurse milingonat, shpezët e ndryshëm e gjëra të tjera. Unë i thash atij, Bekë boll e zgjate”, ai mu përgjigj “Jo jo, deri sa ta mbyti milingonën, nuk e përfundoj këtë poemë”. Bekimi ka qenë krijues, ka shkruar si fëmijë, ka bërë regji të ndryshme në klasë. Ai çdo gjë që gjente në shtëpi, mbulesë, kapare ose kapela të ndryshme, ato i ka bërë rekuizita dhe ia ka dhënë shokëve e shoqeve për të bërë shfaqje. Ka bërë shfaqje në klasë, prandaj Bekimi jo rastësisht ky që është, me të vërtet ai ka treguar talent gjithnjë, kjo është e vërteta për Bekimin”.
Shumë artistë kërkojnë të krijojnë diçka që i lëviz emocionalisht njerëzit e tjerë, dhe kështu arti është (për ta) një formë bisede në të cilën ata bëjnë një propozim ose bëjnë një pyetje dhe i takon shikuesit të përgjigjet.
Të punosh me “Lumin”
Në një prononcim të shkurtër për KultPlus, Muçaj shpjegoi se si është eksperienca e punës me Lumin.
“Unë kam punuar dy shfaqje me Bekën, “Këmishën e Gjakut” në 2010 dhe shfaqjen e fundit të tij, “arturo ui” në vitin 2018-të. Padyshim që për mua është kënaqësi e madhe dhe jam i lumtur që sot i kemi ekspozuar, fotografitë e rekuizitat që unë personalisht i kam pasur në dorë në vitin 2010. Janë emocionuese kur i shoh e kur i preki këto rekuizita. Më rikthen në kohë dhe më kujton gjithçka, mënyrën se si i kemi përdor e shumë të tjera”.
Ikja e Lumit, varfëroi gjithë Ballkanin
“Në përvjetorin e tij të vdekjes po shoh shumë zbrazëti dhe jam i mërzitur që nuk e kemi në mesin tonë dhe nuk i kemi këto lloj shfaqjes që i shohim në fotografi sonte. Jam i mërzitur që nuk i kemi aktive nëpër teatrot e Kosovës. Unë mendoj që Ballkani në përgjithësi është shumë i varfër prej artistëve, sidomos prej nivelit të Bekimit, e ka varfëru shumë skenën kulturore e teatrore ikja e tij. Ai ka punuar në Kosovë kryesisht, por edhe në Gjermani një kohë. Shfaqjet e tij kanë udhëtuar në Ballkan e në Evropë. Unë personalisht mendoj që jemi të varfur edhe si shtet kulturalisht me mos-prezencën e shfaqjeve të Lumit në arenën ndërkombëtare”.
Bekim Lumi, i njohur zakonisht si “Lumi”, la një numër të madh shfaqjesh pas tij, por më së shumti do të mbahet mend për punën e tij mjeshtërore teatrale, e cila e ngriti në pavdekësi. Artistët dhe puna e tyre janë pjesë e përhershme e njerëzimit. /KultPlus.com
Me skenar të Ibër Dearit e Artin Selmanit e me regji të Ibër Dearit janë duke u bërë përgatitjet e fundit që ky film tashmë të zbresë në shesh xhirim, e që është filmi debutues i Ibër Dearit, sa i përket filmave të metrazhit të gjatë, shkruan KultPlus.
Ky film që kishte marrë dritën jeshile nga Agjensioni Shtetëror i Maqedonisë së Veriut, tashmë ka edhe aktorin kryesor që do të luaj rolin e Rexhës, e që ekipi i këtij filmi ka konfirmuar se ky rol do të luhet nga aktori kosovar Afrim Muçaj.
Se janë drejt rrugëtimit për fillimin e xhirimeve, ekipi i filmit tashmë ka publikuar edhe posterin e filmit, kurse Afrim Muçaj, në një prononcim për KultPlus ka thënë se ndihet shumë i lumtur për besimin që i është dhënë nga ana e regjisorit.
“Por gjithsesi jam i vetëdijshëm që më pret një punë dhe përgjegjësi shumë e madhe”, ka thënë Muçaj për KultPlus, i cili ka shpjeguar se ai edhe më herët ka bashkëpunuar me Ibër Dearin, por që, sipas tij, kësaj here që të dy i pret një punë shumë e madhe.
“Kemi të bëjmë me një film të metrazhit të gjatë, dhe që në muajin gusht do të nisim me xhirime, dhe jemi duke punuar me një intensitet të madh, qysh tani”, ka thënë Muçaj.
Duke uruar që do t’ia dalin me këtë projekt të madh, Muçaj ka thënë se “Every body calls Redjo” do të jetë sfida e tij e radhës. “Dhe besoj se nuk do i zhgënjej ata që do të më thërrasin Rexho’, ka përfunduar Muçaj./ KultPlus.com