Shkrimtari shqiptar, i cili po shkruan romanin e tij të ri në qytetin tonë, është magjepsur nga Debreceni. Ai këtu po e shkruan një përrallë për të rritur
Shkruan: Magyar Evelin
Shkrimtari erdhi në takimin tonë të mëngjesit në Nagytemplom me syze dielli dhe me humor të mirë. Ag Apolloni nga Rezidenca e Shkrimtarëve në Debrecen erdhi në bisedë nga një shtëpi borgjeze në rrugën Zöldfa. Edhe pse gjuha hungareze është shumë e vështirë për të, ai shqipton emrin e rrugës me mjeshtëri dhe kuptueshmëri, pastaj kthehet te Nagyerdő dhe artistët që kanë punuar në qytet: kuptohet se autori shqiptar, me të cilin folëm në anglisht, njeh mirë kulturën hungareze.
Shkrimtari shqiptar-kosovar aplikoi për bursë në Agjencinë Kulturore Petőfi pasi një mik i foli fjalë të mira për periudhën e tij krijuese në Pecs. Autori, i njohur si dramaturg dhe gazetar, mbërriti në qytet më 15 korrik. Për gati një muaj, ai u mbush me përvoja të shkëlqyera, duke krijuar, dhe duke u zhytur në kulturë dhe argëtim, të gjitha këto i përshtateshin kohës së tij.
– Më pëlqen të endem nëpër qytet: kam qenë më parë te statuja e Petőfit dhe më janë rikthyer shumë kujtime të vjetra. Kur isha fëmijë, lexova librin me poezi të poetit në bibliotekën e qytetit dhe kurrë s’i harrova vargjet: “Për dashuri e jap jetën,/ për liri e flijoj dashurinë,” – e kujton shkrimtari poetin tonë në qendrën e qytetit duke pirë një kafe. Apollonit i lanë përshtypje jo vetëm poezitë e poetit, por edhe rrugëtimet e tij jetësore: autori poston rregullisht për këtë dhe ditët e tij në Debrecen në faqen e tij në Facebook.
Apolloni e njeh veprën e Imre Kertész dhe Attila József, por gjithashtu i pëlqen romani “Dera” i Magda Szabo-s: ai vizitoi statujën e shkrimtares në sheshin kryesor dhe shtëpinë përkujtimore të ngritur për nder të saj, por vizitoi edhe statujat e Lőrinc Szabó dhe Endre Ady, si dhe Kopshtin Memorial, ndër të tjera. Shkrimtarit dashamirës të natyrës i pëlqen të bëjë foto dhe me kënaqësi m’i tregon fotot në tarracën e kafenesë.
Shkrimtari ka vizituar edhe performancën e “Flautit magjik” dhe i ka lënë përshtypje opera e njohur. Krijuesi, i cili është gjithashtu me përvojë teatrore, ka shijuar edhe atmosferën e Lojërave Festive në Debrecen: javën e kaluar ai pa kryeveprën e Mozart-it, “Flauti magjik”, në zemër të Pyllit të Madh.
Apollonit i bëri përshtypje performanca në gjuhën hungareze me titra në anglisht, duke vlerësuar pamjen, tingullin dhe aktorët.
– Koha e kaluar në Debrecen ka një efekt frymëzues tek unë: disa elementë të qytetit shfaqen në romanin tim të ardhshëm – zbuloi shkrimtari, i cili aktualisht po shkruan një përrallë postmoderne të destinuar për të rritur. Romani i shkurtër, rreth 140 faqe deri tani, do të jetë një version i “Kësulëkuqes”, në të cilin luan rol edhe lufta e Kosovës e përjetuar nga Apolloni, si dhe dhuna ndaj grave gjatë luftës. Autori ka ecur mirë me veprën e tij gjatë javëve të kaluara këtu. Sipas planeve, vëllimi i tij i ri do të botohet në fillim të vjeshtës.
Megjithëse veprat e tij nuk janë botuar ende në gjuhën hungareze, shpresojmë që ky roman i shkurtër të lexohet edhe në hungarisht. Iniciativa do të ishte emocionuese qoftë edhe për shkak të elementeve nga Debreceni, mendoj unë, ndërsa e aprovon edhe Apolloni.
Krahas letërsisë hungareze, shkrimtari ka shijuar edhe gatimet vendase: të preferuar e ka gullashin hungarez, por gjithashtu ka shijuar edhe birrat. Ia sugjerova edhe “kürtőskalács” dhe “lángos” të cilat tha se patjetër do t’i provojë.
Apolloni tregoi se ka në plan të vizitojë Budapestin para se të kthehet në shtëpi: kryeqyteti është një kujtim fëmijërie për të, ai kujtoi se si ishte të kalonte lumin e madh kur ishte fëmijë duke ikur ilegalisht për në Gjermani me familjen e tij. Ai gjithashtu nuk e konsideron të pamundur që në të ardhmen të kthehet në vendin tonë, pasi i ka lënë shumë përshtypje atmosfera vendase.
(Ky shkrim është marrë nga portal hungarez Dehir.hu, publikuar më 7 gusht 2022) /KultPlus.com
Në mbledhjen e fundit (maj 2022) që ka mbajtur Shoqata Ndërkombëtare “Miqtë e Nikos Kazantzakis” në Gjenevë, drejtuar nga kryetari themelues i saj, Jorgos Stasinakis, është vendosur që përgjegjës për Kosovë i shoqatës që ka për qëllim promovimin e shkrimtarit të madh grek, Nikos Kazantzakis, të jetë shkrimtari nga Kosova, Ag Apolloni.
Shoqata “Miqtë e Nikos Kazantzakis”, e cila ka degët e saj nëpër disa shtete, është themeluar me qëllim të promovimit, diskutimit, botimit dhe përkthimit të veprës së autorit grek nëpër vende të ndryshme të botës. Kazantzakis është njëri ndër shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit 20, autor i librave “Zorba”, “Tundimi i fundit”, “Letër El Grekos” etj.
Ag Apolloni, i cili ka shkruar dhe ka folur disa herë për rëndësinë e këtij shkrimtari në kuadër të letërsisë botërore, ka shprehur falënderimin e tij për këtë detyrë që i është besuar nga kjo shoqatë ndërkombëtare./ KultPlus.com
Sot me 10 maj në Pragë të Çekisë do të mbahet mbrëmja shqipe me shkrimtarinë Ag Apolloni. Kjo mbrëmje do të ketë në fokus letërsinë modern shqipe.
Njoftimi i plotë nga ambasada e Kosovës në Pragë:
Katedra e studimeve Ballkanistike e Universitetit të Karlit në Pragë do të organizoj Mbrëmjen Shqipe, të shtatën me radhë me fokus letërsinë moderne shqipe, me të ftuarin e nderit profesor Ag Apollonin, shkrimtar dhe studiues i shquar nga Kosova.
Veprat e Ag Apollonit janë përkthyer në disa gjuhë të huaja dhe janë vlerësuar dhe nderuar me disa çmime.
Mbrëmja mbahet me datë 10 maj 2022, me fillim nga ora 18:00. / KultPlus.com
Oh sa kisha dashtë t’i kujtosh Ato ditë t’bukura me dashni plot Atëherë jeta ishte ma e bukur Dhe dielli ngrohte ma shumë se sot. Gjethet e vdekuna mblidhen me lopatë, E sheh që nuk kam harru’, Gjethet e vdekuna mblidhen me lopatë, Kujtimet dhe pendimet gjithashtu. Dhe era e veriut u gjen strehëz Në natën e ftohtë të harresës. E sheh që nuk e kam harru’ Kȃngën që ma pate këndu’. Kjo kângë veç për ne ȃsht, për mu’ që t’deshta, për ty që m’deshte. Atëherë kur ishim bashkë, unë që të deshta, ti që më deshte. Por jeta ndan ata që duhen, Ngadalë dhe në heshtje. E deti fshin mbi rȃnë, Gjurmët e dashnorëve të ndamë. Gjethet e vdekuna mblidhen me lopatë, Kujtimet dhe pendimet bashkë mbetën Por dashnia ime e zjarrtë Buzëqesh dhe falënderon jetën. Ti ishe aq e bukur e unë t’deshta aq fort, Tash si mundem me t’harru’ dot? Atëherë jeta ishte ma e bukur Dhe dielli ngrohte ma shumë se sot. Ti ke qenë mikja eme ma e mirë, Unë s’e kam ndërmend me u pendu’, Dhe kangën që ma këndove Kurrë, kurrë s’kam me harru’!
Pashka e dogji veten dhe e dogji vdekjen. Guri gjigant, i vënë për kujtim të saj në vendin e ngjarjes, do të thërrmohet një ditë, do të harrohet një ditë. Por, vepra e saj do të jetojë sa të ketë qiell indiferent sipër. E, sa të kujtohet ajo, do të kujtohen edhe dy bijtë e saj
Pashka u dogj nga indiferenca. Djemtë e saj ishin më të mirët, dhe ajo donte t’i tregonte botës këtë. Armiku ia mori, ia vrau, si gjithë të tjerët, pa dallim. Ia sollën në qese si gjithë të tjerët, pa dallim. Ky mosdallim, kjo indiferencë, e sosi durimin e saj. Djemtë e mi, mendonte ajo, ishin më të mirët, ishin ndryshe për se gjalli, ndryshe duhet të jenë edhe për se vdekuri. Ajo nuk e kishte inatin vetëm me dheun indiferent që i mbulonte të gjithë njësoj. Një inat, më të madh, e kishte edhe me Hyjin. Si kishte mundur të rrinte indiferent ndaj lutjeve të saj dhe ndaj krimeve mbi bijtë e saj? Para se të vdiste, diçka brenda saj kishte vdekur. Tashmë për të, ai atje lart nuk ishte qiell, po qefin. Prandaj ajo, në mëngjes, kaloi rrugën, shkoi pranë një shkurreje dhe dogji veten. Po të ishte ndonjë Mojsi në malin përreth, do të shihte shkurren që nxirrte flakë. Një shkurre që djeg Zotin brenda saj, si një e dashuruar që vret të dashurin, për shkak se nuk mund ta durojë xhelozinë e vet, apo shpërfilljen e tij.
Kështu, Pashka e dogji veten dhe e dogji vdekjen. Guri gjigant, i vënë për kujtim të saj në vendin e ngjarjes, do të thërrmohet një ditë, do të harrohet një ditë. Por, vepra e saj do të jetojë sa të ketë qiell indiferent sipër. E, sa të kujtohet ajo, do të kujtohen edhe dy bijtë e saj.
Marrë nga: “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, Ag Apolloni, Bard Books, Prishtinë, 2020 /Express/ KultPlus.com
PEN Qendra, e cila së fundmi ka pruar projektin më të ri të titulluar “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”, tashmë po sjell aktivitete kulturore çdo të marte dhe të enjte në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, me ç’rast mbrëmë u zhvillua edhe një tjetër diskutim mjaft i frytshëm që rezultoi në një bashkëbisedim mes të pranishmëve dhe panelistëve të ftuar, shkruan KultPlus.
Si çdo herë, edhe kësaj radhe, ora shënoi 17:00 për të vënë në rëndësi temën e rëndësishme që do të shpalosej pas pak. Letrarë të rinj, artistë dhe jo vetëm, ishin të pranishëm për të parë e dëgjuar nga afër analizat e mendimet diversive të dy panelistëve që kanë të bëjnë me temën “Letërsia dhe teknologjia”, temë kjo që përhapi një interesim të dukshëm e mjaft interesant tek publiku.
Nata e shtatë me radhë e këtyre mbrëmjeve kulturore solli në panel profesorin e Letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Ag Apolloni si dhe profesoreshën Lindita Tahiri, të cilët nën moderimin e Binak Kelmendi, si dhe me inkuadrimin e mjeteve të tyre teknologjike dhe asaj fizike siç është letra, e bënë kështu këtë natë edhe aq më të përafërt me temën e përzgjedhur për këtë natë, “Letërsia dhe teknologjia”.
Pra, “Letërsia dhe teknologjia” titullohet tema që u shpalos para një publiku i cili qëndron gjithmonë besnik ndaj këtyre aktivitete letrare me pjesëmarrjen e tyre të përhershme, e që sonte patën rastin të dëgjonin rëndësinë dhe ndikimin që ka teknologjia në letërsi. Se a është relacioni mes letërsisë dhe teknologjisë një aspekt pozitiv apo negativ apo thjesht një aspekt që po zhvillohet me evoluimin e botës, u tregua edhe nga të pranishmit që shqyrtuan rolin e teknologjisë në letërsi, të mirat dhe pasojat që ajo sjell me vete.
Ndërkaq, kujtojmë se të gjitha punimet e pjesëmarrësve në panel do të botohen në një libër kur të përfundojë i gjithë projekti. Në këtë projekt të përfshirë janë gjithsej 22 intelektualë që do të flasin nga kontekste të ndryshme për tema të caktuara përgjatë muajit janar dhe shkurt.
Mbrëmjen e hapi moderatori Binak Kelmendi, i cili fillimisht nisi këtë mbrëmje duke përshëndetur të pranishmit për prezencën e tyre. .
“Ju dëshiroj mirëseardhjen në aktivitetin e radhës të PEN Qendrës. Para se të hyjmë në temën që do të zhvillohet sonte, do të njoftojmë se PEN Qendra e Kosovës ende nuk i ka të gjitha shënimet e pjesëmarrësve në këtë projekt, andaj do të publikohen menjëherë kur edhe do i kemi në duar shënimet. Sonte kemi temën me titull ‘Letërsia dhe teknologjia’, e cila është një temë mjaft komplekse dhe mendoj se letërsia dhe teknologjia kanë bashkëjetuar gjithmonë”, thotë Kelmendi.
Fillimisht në këtë mbrëmje për të treguar një anë më studimore për sa i përket temës, foli profesoresha Lindita Tahiri.
“Që nga zbulimi i Gutenbergut kur libri i parë që u shumëzua për publik ishte Bibla, teknologjia e re e shtypit u pa si e rrezikshme meqenëse e rrezikonte autoritetin e elitave, të cilat e humbisnin kontrollin e përhapjes të ideve. Prodhimi masiv i fjalës të shkruar, që zhvilloi shkencën dhe e përhapi arsimin, përpos në përhapjen demokratike të dijes, gjithashtu ndikoi edhe në komercializimin e librit, duke e ndryshuar përgjithmonë civilizimin. Libri filloi gradualisht të shndërrohet në medium masiv: në gjysmën e shekullit nëntëmbëdhjetë, vëllezërit Beadle në ShBA filluan të botojnë romane me çmim të lirë, dhe për pesë vite shitën më shumë se katër milionë vëllime”, thotë ajo.
Të gjithë fjalimin e saj, Tahiri e përqëndroi në ndikimin e teknologjisë për popullarizimin e letërsisë, në ndikimin e teknologjisë në raportin mes shkrimtarëve dhe lexuesve, dhe në ndikimin e teknologjisë në procesin e krijimit letrar.
“Sot, shkrimtari nuk është i vetëm në studion e vet me makinën e shtypit dhe fletët e shtypura apo të shkruara, si dikur, por e ka një botë të tërë në kompjuter, një univers në izolimin e vet, ku çdo lëvizje e jonë digjitale lë gjurmë të cilat mund të përcillien, të rruhen, e të shiten, për t’u shfrytëzuar në psikometri për profilizimin e personaliteteve tona. A paraqet kjo liri njëkohësisht edhe survejim, një sfidë për shkrimtarin dhe raportin e tij/saj me gjuhën?”, tha në fund profesoresha Tahiri.
Ndërsa, profesori i Letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Ag Apolloni foli rreth trillimeve dhe shpikjeve të ndryshme që janë zhvilluar përgjatë viteve, duke sjellë kështu në pah aspekte të reja të relacionit mes teknologjisë dhe letërsisë.
“Ideja ndryshon kur bëhet gjuhë, gjuha ndryshon kur bëhet shkrim. Ideja është imazh, gjuha është fjalë, shkrimi është varg shkronjash. Pra, kemi këtë linjë: përfytyrim, tingull, shkronjë. Edhe sot, gjatë të folurit, shpesh themi ‘më fal, se ndryshe e mendova’. Kjo do të thotë që të folurit kurrë nuk arrin ta bartë mendimin njëqind për qind të saktë. Kur nuk arrin të folurit, merreni me mend sa largohet shkrimi. Ndërsa, në anën tjetër shpikja e shkrimit e ka zbehur rëndësinë e fjalës. Pra, njeriu ka kërkuar vazhdimisht materialin më praktik për ta ruajtur shkrimin, për ta ruajtur traditën”, shpalos ai.
Sipas tij, dihet se letërsia është gjuhë, por gjuha s’është letërsi, andaj dhe gjuha ka lindur për arsye praktike, letërsia për arsye estetike. Pra, letërsia vjen pas gjuhës dhe para shkrimit. Ai tutje konsideroi se shkrimi e shtrembëron mendimin.
Për Apollonin, çdo transformim është pritur me dyshim, e kjo nuk flet për atë mosbesimin tradicional ndaj të resë, sa për nevojën për t’u siguruar në efikasitetin e materialit të ri. Tashmë mund të thuhet se çdo brez e shfrytëzon traditën nëpërmjet materialit të kohës së tij, çka do të thotë se ne nuk e lexojmë Librin e të vdekurve në papirus, as Epin e Gilgameshit në pllaka argjiri; të gjitha i lexojmë në letër dhe në gjuhët e gjalla, kryesisht në gjuhën amtare dhe në ndonjë gjuhë tjetër, kjo e shpjeguar mitologjikisht si pasojë e shembjes së Kullës së Babelit.
“Shpikja e shtypshkronjës e ka përshpejtuar përhapjen e teksteve, rrjedhimisht edhe të ideve. Me kalimin e shekujve, librat u bënë të qasshëm për të gjithë dhe ndikues te të gjithë. Shpesh nëpërmjet fletushkave dhe broshurave u përshpejtuan ndryshime politike dhe u shkaktuan revolucione. Shkrimi, apo libri, u bë mjet efektiv, ai i transformonte njerëzit nga brenda. I ndriçonte dhe i rebelonte, por nganjëherë edhe i manipulonte. Sidoqoftë, me shpikjen e shtypshkronjës një gjë ishte e sigurt: e vërteta do të ishte shumë e vështirë, ndoshta edhe e pamundur, për t’u ndaluar. Shtypshkronja ishte neutrale ndaj shkrimeve, pra shtypte art, filozofi, shkencë dhe propagandë, por ajo u pa sidomos si një armë në duart e të diturve. Mekanizmi i shtypshkronjës e përshpejtoi modernizimin e jetës. Shpikja e makinës së shkrimit, apo edhe e kompjuterit nuk e ka zëvendësuar ende shtypshkronjën”, thotë ai.
Ai tutje tregon se mjafton të kujtojmë që interneti, në formën e tij të avancuar, po i sfidon dy shpikjet e mëdha: letrën dhe shtypin, ku tashmë miliona libra janë të qasshëm në formë elektronike, që mund të lexohen pa i shtypur. Ndërsa, brezat e shekullit 21, nuk e kanë të domosdoshme letrën, përveç në ato vende ku nuk lexohet. Ata lexojnë libra elektronikë, bëjnë nënvizime në tekst, shkruajnë në margjina, dhe e ruajnë tekstin me të gjitha shenjat e leximit të tyre. Leximi i tyre, por edhe shkrimi në raste të shpeshta, është konsideruar ekologjik.
“E ardhmja e librit, pavarësisht ku shkruhet e si shkruhet, nuk po rrezikohet, por po pasurohet. Dikur, Iliada dëgjohej. Ndërsa ka disa shekuj që Iliada lexohet. Nesër Iliada do të lexohet dhe dëgjohet. Pra, letërsia nuk po e humb lexuesin, por po e fiton edhe dëgjuesin”, përfundon Apolloni.
Pas përfundimit të fjalimeve nga të dyja palët, bisedua u zgjerua edhe më shumë atëherë kur publiku u ftua për t’iu bashkangjitur diskutimit, përderisa shkrimtarja Nerimane Kamberi, shkrimtari dhe publicisti, Ibrahim Berisha, profesori Sali Bashota, shkrimtari Ibrahim Kadriu si dhe Avni Spahiu zgjeruan bisedën tutje me mendime e informata të ndryshme që u shprehën e u diskutuan nën atmosferën plotësisht të qetë e të ngrohtë që u krijua mes të pranishmëve dhe panelistëve.
Ndërkaq, projekti “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” do të mbahet deri në fund të muajit shkurt, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 17:00, do të debatohet rreth temave si: Letërsia e gruas, Roli i letërsisë në periudha krizash dhe Letërsia e përkthyer.
Kujtojmë se deri më tani janë trajtuar temat si: Liria dhe e drejta e autorit dhe Botimi, Vlerësimi i letërsisë sot dhe Libri, Leximi dhe Biblioteka, Krijimtaria letrare në periudhën e pandemisë, Komunikimi ndërkulturor, Gjuha e shkrimit letrar sot dhe Letërsia dhe teknologjia.
Projektin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit së Republikës së Kosovës. / KultPlus.com
Shkruan: Jacques Prévert Përktheu nga frengjishtja: Ag Apolloni
Kur ti fle
Ti fle natën, po unë nuk muj. Të shoh si flen e kjo m’ban t’vuj.
Ti i mbyll sytë sapo bie n’shtrat e unë rri e shoh trupin tand të gjatë. Asht qesharake, po mue m’ban me qajtë kur shoh se papritun ti nis e qesh. Ti qesh ndërsa fle. A thue tash ku je? Vërtet ku ike që m’le? Në nji vend tjetër ndoshta me nji tjetër grue. Tash ti je me të dhe po qesh me mue.
Ti fle natën, po unë nuk muj. Të shoh si flen e kjo m’ban t’vuj.
Kur ti fle unë s’e di a m’do përnjimend. Të kam afër, por jo në këtë moment. Edhe pse jam zhveshë e për trupi t’u kam mbështetë, më duket sikur kemi dikend ndërmjet. E prapë unë rrahjet e zemrës muj me t’i ndëgjue, edhe pse nuk e di nëse rrahin për mue. Nuk di asgjâ, jo nuk di mâ. Uroj që zemra jote të pushojë atë ditë kur të mos më dojë.
Natën ti andërron, po unë çka me ba? Të shoh si andërron dhe m’vjen me qa’.
Kështu kalon nata e ti zgjohesh në mëngjes dhe jam unë ajo së cilës ti tash i buzëqesh. Ti i buzëqesh rrezes, ditës me diell, e unë due ta harroj atë që e mendoja n’terr. Ti më drejtohesh si përherë, duke u shtriqë n’shtrat: “A ke flejtë mirë?” E unë ta kthej pa e zgjatë: -“Po, shpirt, shumë mirë.” -“Kurse unë të kam pa andërr si çdo natë.” /KultPlus.com
Ismail Kadare është autori i romanit më të njohur shqiptar në botë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963), që e kam pasur temë doktorate, të cilën e kam botuar me titullin “Paradigma e Proteut” (2012). Me Kadarenë kam realizuar edhe dy intervista, si kryeredaktor i revistave “Jeta e Re” (2011) dhe “Symbol” (2016).
Për të flitet gjithçka, po kujt i bëhet i vonë. Njerëz të mirë ka sa të duash Shqipëria, po shkrimtarë të mirë pak më rrallë.
Ata që e shajnë, flasin sikur janë modele morali mbi tokë. Le t’i lëmë mënitë akiliane e t’i lexojmë veprat e tij (nëse ndonjëra nuk na pëlqen, mos të harrojmë atë thënien që “edhe Homeri fle nganjëherë”).
Le të jetë katekizmi i priftit arbëresh Lekë Matrënga si një ftesë për lexim, me rastin e ditëlindjes së Kadaresë:
Gjithëve u thëres, kush do ndëliesë, Të mirë të krështe, bura e gra, mbë fjalët të Tinëzot të shihi Meshë, se s’ishtë njeri nesh që mkatë s’ka. / KultPlus.com
Lahen edhe pasi në breg ndizen dritat, lahen trupat, s’ka det që i lanë shpirtat.
I bie trup ujit me barkë, gjithë kjo kaltërsi mbi e nën mu’, e unë mërzitem për dy gogla blu.
Të kërkoj si hero i marrë, D’ulqinja ime e dashur.
Emri dhe mungesa jote janë gjithkund.
Barka ban fjalë, uji mban heshtje; një ciceron më cicëron në vesh e unë hesht si peshk, dhe heshtja ka gjuhën e saj.
Një ditë si kokrra e kripës në flakë do të plasë heshtja. Ne do t’i mbyllim sytë të qetë, e bota do të vdesë nga kureshtja.
Tash ulur me sytë ujë e me gjuhë peshku i drejtohem Zotit: merre detin, merre qiellin, merre krejt këtë kaltërsi, se e gjitha të përket ty, e kthemi mua veç dy sy!
Zoti hesht, peshqit heshtin, hesht dhe unë.
Si për inat askund nuk dukesh ti.
Turistët kalojnë pranë heshtjes, dhe heshtja ishte pranë Perëndisë, dhe heshtja ishte Perëndi. / KultPlus.com
Ajo rri ulun përballë me duer të kryqëzueme, me kambën mbi kambë.
Ajo nuk ban asgja, e rreth saj lëviz gjithçka: gjethet e pemëve, mbulesat e tryezave, gotat, kamerierët, klientët, lypsat; pastaj: shitësi i farave; mandej: shitësi i cigareve; tevona: shitësi i kikirikave.
Ajo s’ban asgja.
Lokali zien, oborri ushton, trotuari vlon, rruga gumëzhin prej veturave; brenda e jashtë meje bota në lëvizje, vetëm ajo s’ban asgja.
Ajo rri si lëvizësi i palëvizshëm.
Unë nisem drejt saj për me ba diçka, për me ba gjithçka për bukurinë që s’ban asgja.
(Nga libri i ri i Ag Apollonit që këtë javë del nëpër librari)./KultPlus.com
Shkrimtari Ag Apolloni ka shpjeguar së fundmikonceptin e librit “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, i cili ka të bëjë me të pagjeturit e luftës së fundit në Kosovë, shkruan KultPlus.
Ai ishte i pranishëm së fundmi në një emision në Euronews Albania, ku tregoi se në këtë roman trajtohen tri histori të rëndësishme, dhe të tjerat që janë plotësuese.
Njëra ndër historitë kryesore është edhe fati tragjik i nënës Ferdonije, gruaja e cila humbi katër fëmijët dhe burrin e saj në luftën e Kosovës.
“Kur nisa ta shkruajë këtë, rrezikova sepse nuk kisha shkruar asnjëherë një gjë të tillë. Ky libër insiston që të kujtohet e kaluara, pjesa më tragjedike. Insiston që të nxerrim edhe mësime prej saj”, shpjegoi tutje ai.
Në rastin e Ferdonijes është një pjesë e letërsisë së absurdit dhe në anën tjetër personazhin e Nënë Pashkës që nënkupton një figurë të revoltës që nuk mund të pres e të durojë, dhe i jep fund jetës.
Apolloni në fund bëri thirrje që të kujdesemi më shumë për muzetë, institucionet të cilët na kujtojnë të kaluarën. /KultPlus.com
Flutura Açka e ka vlerësuar lart romanin e shkrimtarit Ag Apolloni, që i dedikohet gruas heroinë, Ferdonije Qerkezit. Açka këtë prurje të Apollonit e vlerëson si një roman që i bën nder letërsisë shqipe.
KultPlus e sjell të plotë vlerësimin e shkrimtares shqiptare për romanin “Një fije shprese, një fije shkrepëse”.
“Një fije shprese, një fije shkrepëse”, romani ose dokuromani , siç parapëlqen ta quajë autori i tij, Ag Apolloni, është ndër veprat e fundit, në mos e fundit, që kam përgatitur si botuese e “Skanderbeg Books”. Nga tani e tutje, kolanat, veprat dhe autorët e tij, do t’i drejtojë dikush tjetër. Nga fati a nga valë që nuk e dimë se si na e drejtojnë fatin, jam e lumtur ta mbyll këtë ndërkohë të jetës sime me një autor kaq të talentuar sa Ag Apolloni.
“Një fije shprese, një fije shkrepëse”, i sapobotuar nga Skanderbeg Books, është botimi për Shqipëri i një prej romaneve më të bukur të shkruar për luftën e fundit në Kosovë. Ag Apolloni do të jetë përgjatë shtatorit në një takim me lexuesit në Shqipëri në një mbrëmje kushtuar letërsisë, kujtimeve, forcës së nënave që kanë humbur djemtë në luftë. Në sfondin e debateve të mëdha politike të kohës, romani merr një peshë edhe më të madhe, duke na kujtuar se çfarë na ka kushtuar Liria.
“Një fije shprese, nje fije shkrepëse”, tani në të gjitha libraritë e Shqipërisë. Çmimi 700 lekë.
Mos e lini pa lexuar, Miqtë e mi, nuk do të pendoheni!
Nga ballina e pasme:
[Nuk ndodh shpesh, por, ja, ndodh, që studiuesi i shquar i letërsisë të bëhet edhe krijues i shquar i letërsisë. Studiues i risive të letërsisë shqipe, Ag Apolloni, në romanin e tij të ri “Një fije shprese, një fije shkrepëse” u dëshmua krijues i shquar i letërsisë shqipe, u dëshmua shkrimtar i risive.]
REXHEP QOSJA
[Tani shtëpia e saj, nënë Ferdonijes, është një nga muzetë më të çuditshëm në botë, pasi është muzeu i mungesës. Të tjera nëna në Kosovën e pasluftës, të cilat kanë humbur të bijtë në beteja, mu si nëna Ferdonija, i kanë kthyer jetët e tyre në muze. Ecja e Pashkës si ecja e Demetrës dhe endja e Ferdonijes si endja e Niobës, në të martat dhe të shtunat e tyre epike tek përsëriten në pendulin tragjik të kohës, janë dëshmi të një fati që bota risjell tragjikisht. Ky tekst i Ag Apollonit, i shenjur si dokuroman, është ndër librat më të bukur të shkruar në shqip për luftën e fundit në Kosovë. Përtej dëshmisë dhe prapakthimeve që vijnë prej kujtimeve, është një rrëfim me intensitet të lartë shkrimor dhe estetikë të tillë që e bën tmerrin shtangës.]
FLUTURA AÇKA
[Romani i Ag Apollonit është njëkohësisht muze i të gjithë neve, ekspozitë artistike me tablo tmerri, dramë në vete, arkiv historik. Mbi të gjitha, është një vepër e jashtëzakonshme artistike.]
Sot shkrimtari Rexhep Qosja i bën 85 vjet. Sa mirë që Kolegji AAB u kujtua t’ia festonte ditëlindjen. Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës nuk ka organizuar ndonjë gjë, edhe pse ai është akademiku më i njohur i saj.
Viteve të fundit shpesh kam dëgjuar se Rexhep Qosja nuk e meriton rrogën nga Akademia, sepse nuk shkon aty prej vitesh. Është e vërtetë që ai nuk shkon aty, dhe dihet pse. Akademia është e mbushur me njerëz të partisë që vazhdojnë ta sulmojnë në mënyrat më të ulëta për dekada me radhë. Ata kanë aktivizuar gazeta, revista, televizione, portale kundër tij. Kanë shkruar libra kundër tij. Kanë shpifur në mënyrat më të ulëta kundër tij. Si mund të shkojë Qosja në Akademi, kur atje edhe mund ta kërcënojnë, siç pati ndodh në Fakultetin e Filologjisë para disa vitesh nga një (tash) poet-deputet i LDK-së, të cilin, derisa e drejtonte seancën e Seminarit, Qosja e pati falënderuar për (tekstualisht) “këtë kumtesë për letërsinë e mahallës”. Pak vite para atij “incidenti”, një haxhi-drejtor Institutit që vinte po nga kjo parti, ia pati thyer zyrën profesor Qosjes, librat, dorëshkrimet ia pati futur në thasë bërllogu dhe vetë profesorin e pati nxjerrë jashtë, ndërsa një punonjës shkencor i po kësaj partie, po në këtë Institut, endej nga kafja në kafe duke thënë “u kon tu m’rreh Rexhep Qosja, ke tu ma hi flakareshë”. Besoj që e kujtoni mirë, se kjo ka ndodhë pas luftës dhe pas vdekjes së Rugovës. Po të mos alarmonin mediat e Shqipërisë dhe po të mos ndërhynte kryeministri i atëhershëm, Agim Çeku, Rexhep Qosja kurrë s’do të mund të kthehej në Institut.
Duke pranuar në Akademi vetëm njerëz të kësaj partie, që në kampanja politike të mund të quhen “parti akademikësh”, e kanë kthyer Akademinë në çerdhe politike. Në Rusinë e Putinit, kur disa intelektualë të kabinetit të tij kanë dashur të bëhen akademikë, ai i ka thirrur dhe u ka thënë: “ja do të jeni pjesë e Kabinetit, ja e Akademisë, në të dyja s’mund të jeni.” Mirëpo, në Kosovë mund të jesh në të dyja e në të trija, veç bëhu servil.
Mos harroni se në Akademi janë plot njerëz që s’e meritojnë, e nuk janë plot të tjerë që e meritojnë. Është duke ndodhur si në Akademinë e Athinës në shekullin e kaluar, kur artistët, shkrimtarët dhe intelektualët më të njohur nuk ishin pjesë e saj. Kur u kujtuan ta thërrisnin poetin Odysseas Elytis të anëtarësohej, ai i injoroi dhe, pak vite më vonë, u nderua nga Akademia e Stokholmit.
Rexhep Qosja nuk mund të shkojë në Akademi, sepse është njësoj sikur të shkojë në zyre të LDK-së. E kuptoni sa i mirëpritur do të ishte. Pse e merr rrogën e Akademisë? Akademia është institucion nderues, që ti edhe nëse nuk shkon, ose s’mund të shkosh (p.sh. paralizohesh), e ka për borxh të ta jap rrogën, nëse je anëtar i saj. A duhet të japë dorëheqje Rexhep Qosja prej Akademisë? Mendoj se kohëve të fundit ai e ka denoncuar mjaftueshëm partiakizimin e Akademisë, kështu që dorëheqja e tij është krejt e natyrshme. Pse të mos largohet nga një institucion ku s’e lënë të afrohet?
Qosja nuk shkon në Akademi, sepse ai është Akademi. E kuptoj Qosjen pa Akademinë, s’e kuptoj Akademinë pa Qosjen.
Më poshtë një pjesë nga libri im “Parabola postmoderne”:
Rexhep Qosja si studiues i letërsisë, që i njeh të gjitha metodat letrare që janë aplikuar në letërsinë shqipe dhe, i cili, sipas Sabri Hamitit, ka meritën për përmbysjen e metodës së realizmit socialist në letërsinë shqipe (2003: 7) ndërsa, sipas Ibrahim Rugovës, shpesh ka zgjidhur probleme vitale në letërsi (1974: 1102) – aplikon metodën integrale në studimet dhe në romanet e tij, të cilat, në raport me prozën shqipe, duhen parë si një paradigmë, që nuk i ngjajnë askujt.
Për praktikën e parë postmoderne në letërsinë shqipe, sado që nuk permendet termi postmodern, flet edhe një shkrim i Ali Aliut, i cili qysh në vitin 1974 e vlerësonte prozën e Rexhep Qosjes si një fenomen të ri dhe në vete, duke shtuar se ajo bën trajtimin më të thellë dhe më kompleks deri më sot në prozën tonë (1974: 1904). Sipas këtij kritiku, Rexhep Qosja me romanin e tij të parë ishte bërë i pari i letërsisë shqipe. Aliu e kishte hetuar edhe poetikën e kombinimit, por pa mundur ta tipologjizojë.
Vdekja më vjen prej syve të tillë, duke qenë një model i ri i shkrimit letrar shqip, është mirëpritur edhe nga komuniteti artistik frëng. “Ky libër na ra nga qielli si një meteor. Një objekt letrar jo i zakonshëm,” shkruan gazeta Le Monde (Zand 1994), kurse në Le Journal de Seine et Loire thuhet se Rexhep Qosja është një shkrimtar i jashtëzakonshëm, kurse romani i tij – një kryevepër (1994). Frédéric Vitoux shprehet: Romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, i botuar më 1974, ka ngjallur urrejtjen e zyrtarëve serbë. Fatmirësisht (ose fatkeqësisht) në Shqipërinë staliniste, maoiste apo hoxhiste të kohës, ai qe rreptësisht i ndaluar. Shkurt, askush nuk mund ta lexonte Rexhep Qosjen. Prapëseprapë, ky shkrimtar është i madh. I pari që u bind për këtë ishte padyshim vetë Kadare (Vitoux 1994). Vetë Ismail Kadare shkruan: Rexhep Qosja është shkrimtari më i madh ndër shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të vendit, të cilët përbëjnë më shumë se gjysmën e kombit shqiptar (1994: 7), ndërsa Vdekja më vjen prej syve të tillë është një vepër me inspirim kafkian (1994: 10); një roman që prish qetësinë (1994: 8); një vepër që profetizon apokalipsin (1994: 21); dhe një nga veprat më të mëdha të letërsisë shqiptare.
Profili i Rexhep Qosjes është poliedrik. Gjatë karrierës së tij ai është marrë me: studime letrare, prozë, dramë, ese, publicistikë, politikë etj. Meqenëse fama, sipas Rilkes, është shuma e keqkuptimeve që mbështillen rreth një emri, Qosja si personalitet i famshëm është nderuar dhe është kritikuar. Pavarësisht kësaj, ai nuk ka rënë viktimë e komplimenteve, as e kritikave. I cilësuar nga kritika e huaj si Havel i Kosovës, Voltaire i Ballkanit, Kafka i Lindjes, Rexhep Qosja, me jetën dhe veprën e tij, ka ditur të mbetet i veçantë, origjinal. / KultPlus.com
Romani i autorit kosovar Ag Apolloni, “Ulurima e ujkut”, jo vetëm që sjell një depërtim të rrufeshëm mbi situatën ende problematike të Ballkanit, por i vendos përpara pasqyrën letërsisë çeke dhe (mos)interesimit për të nëpër botë, domethënë (jo)zotësisë së saj për t’u bërë tërheqëse jashtë shtetit
Shkruan: Ondřej Horák
Për çfarëmund të na shërbejë përkthimi i mirë i romanit të një autori kosovar? Për shembull, për të marrë ndonjë informacion mbi Kosovën bashkëkohore. Në radhë të parë që njerëzit aty jetojnë pak më keq se ne dhe për më tepër, aty bëhen edhe gjithë ato intriga. P.sh. një deputet te “Ulurima e ujkut” thotë: “Boll jena tu punu, e kemi bâ Kosovën Paris, po ky popull u mësu m’u anku”. Ndërsa, kur pastaj kamerieri mundohet t’i shpjegojë që nuk mund të paguajë me kartelë, sepse në atë lokal ende nuk i kanë pajisjet për kartelë, deputeti reagon: “Ah, harrova qi Kosova â’ Afganistan”.
Kjo gjë tek ne nuk ndodh, tek ne deputetët e mbingarkuar me punë mund të paguajnë me kartelë kudo, madje edhe në tramvaj – megjithëse as nuk kanë nevojë, sepse biletën kuptohet që e kanë falas. Megjithatë, ata tramvajin as nuk e përdorin si mjet transporti. Kështu që, duhet të jemi të lumtur që jetojmë këtu dhe jo në Kosovë, ku shoferi i taksisë mund të mbajë këtë dialog me narratorin e romanit:
“-Dukesh njeri i mirë. Pse s’bâhesh politikan?
– Se jam njeri i mirë.”
A e ndjeni distancën dhe ndryshimin në kulturën politike? Në vendin tonë që sa vjen e më shumë po thahet, politikanët janë vetëm njerëz të mirë – madje kemi aq shumë njerëz të këtillë saqë disa prej tyre ende nuk e kanë gjetur rrugën drejt politikës.
Ag Apolloni (1982) në romanin e tij të shkruar në gjuhën shqipe, të cilin e botoi Kniha Zlín (shtëpia botuese “Albatros”), me përkthim të Orkida Backus Borshit, na ofron njëfarë imazhi të Kosovës aktuale, që me siguri ka specifikën e vet. Megjithatë, këtu hasim një mashtrim optik, sepse sado kritik të jetë syri i Ag Apollonit – dhe është pa masë – ai duket sikur e karakterizon mjaft mirë edhe ambientin ku jetojmë ne. Ky është edhe motivi themelor i këtij romani, tensioni midis veçorive lokale dhe gjithçkaje universale, domethënë gjërave që janë të njëjta kudo.
As ndërgjegje e kombit
Ag Apolloni është nga Kosova, por është shumë kritik ndaj saj. Ag Apolloni është shkrimtar, por është shumë kritik ndaj letërsisë së vendit të tij: “Letërsia jonë, që më duket aq e huaj, mund të përdoret si mjet torture nëpër burgje. Ajo vërtet ka dhënë shkrimtarë të mëdhenj kombëtarë, por s’ka dhënë asnjë shkrimtar botëror. Në letërsinë pa identitet kombëtar, çfarë e sugjeronte Hesse, shkrimtarët tanë nuk kanë shpresë të mbijetojnë. Ata madje nuk arritën të bëhen as ndërgjegje e kombit, pasi gjatë diktaturës, ose heshtën, ose u përshtatën”.
Këtu prapë shikojmë shumë ngjashmëri me ne, megjithëse mund të themi se nga ky aspekt ne jemi pak më mirë se Kosova, sepse kemi Hashekun, Çapekun, Hrabalin, Kunderën.
Sidoqoftë, letërsia bashkëkohore është mjaft e trishtueshme. Megjithatë, zbulimi kryesor për ambientin çek nuk qëndron te fakti qetësues që jemi mirë në krahasim me Kosovën. “Ulurima e ujkut” më tepër se gjithçkana tremb, duke na kujtuar se, krahas botës perëndimore, jemi pothuajse njëlloj me Kosovën. Ajo që mbase mund të quhej një njohje me letërsinë kosovare, në të vërtetë u shndërrua në një lajm të dhimbshëm – një pasqyrim – për letërsinë çeke.
Në fakt, duhet të kemi parasysh që romanet nga aspekti primar nuk i lexojmë në mënyrë që të njihemi me ndonjë shtet ose me kulturën e tij, nuk kemi të bëjmë me sondazh, ose me ndonjë analizë politologjike, ose sociologjike. Megjithatë, “Ulurima e ujkut” e skicon kontekstin aktual të Kosovës në një mënyrë mjaft domethënëse. Kosova ndodhet e rrethuar me “Maqedoninë e vogël që kapet fort për bolet e Aleksandrit të Madh; Serbinë e marrë që është dashuruar në Kosovën e shëmtuar; Shqipërinë e shkretë që s’po e gjen udhën as për inat të shqiptarëve”.
Për veten e tij pastaj Apolloni shkruan: “mendoj që jam vetëm një personazh në librin e quajtur jetë, ku shoqëria ma shpif”.
Ekonomia turke
Prozatori kosovar është mjaft kritik ndaj vendit të tij dhe në përgjithësi edhe ndaj gjithë regjionit ballkanik, megjithatë ai nuk përpiqet ta tregojë Kosovën si një vend të largët ose ekzotik – nuk është njëfarë narratori mistik si p.sh. Gabriel Garcia Marquez, apo Salman Rushdie. Natyrisht që toka në Kosovë është e ngjyer në gjak dhe kuptohet që çështja e kombësisë aty është ende e hapur. Natyrisht që në “Ulurimën e ujkut” mund të gjejmë dëshmi nga më të ndryshmet për nivelin e avancuar të ekonomisë turke në vend, megjithatë nga asnjëra prej këtyre Ag Apolloni nuk mundohet të nxjerrë në pah ekzotikën ballkanike, pasqyrimi i së cilës mund t’i interesojë një lexuesi të ndrojtur perëndimor.
Mënyra që ka zgjedhur shkrimtari kosovar është krejt e ndryshme. Ai është kritik ndaj vendit dhe kulturës së vendit të tij dhe mundohet ta rrahë me dru gjithë mediokritetin dhe vogëlsinë e njeriut, sidomos në pasazhet ku citon veprat kanonike – duke filluar nga “Komedia hyjnore” – dhe kulturën e famshme. Dikush mund të shohë edhe në këtë hap përpjekje të Apollonit për ta përqafuar botën perëndimore, për të treguar se ai vetë nuk i përket Kosovës, por botës moderne dhe dashamirëse të kulturës – me fjalë të tjera është “më turkse turku vetë”. Duket sikur prozatori kërkon ta adoptojnë, kur në fakt ndërkohë e ka riedukuar vetveten.
Megjithatë duhet nënvizuar që në rastin e autorit kosovar lexuesi nuk ka nevojë të luftojë me asnjë lloj pretendimi fals – dhe citimet që përmban libri nuk janë përpjekje për të treguar se sa horizont të gjerë ka vetë Apolloni. Për më tepër, kemi të bëjmë me një thikë me dy tehe: nga njëra anë, aluzionet dhe citimet e shpeshta mund t’i lënë lexuesit përshtypje të mirë, por, nga ana tjetër, romanin mund ta dëmtojnë, sepse lexuesi në çdo faqe i ekspozohet një konteksti me kualitet shumë të lartë, ku fillon ta ndiejë veten si një pisanjos i vogël.
S’ke sesi të mos e kujtosh Aushvicin
Në fillim të këngës nr. 18 të “Komedisë hyjnore” të Dante Alighierit lexojmë: “Është një vend në ferr që quhet Malebolge/ krejt prej guri me ngjyrë hekuri”. Ashtu siç është e qartë nga rreshtat e mësipërm, në romanin “Ulurima e ujkut” ka aluzione të shumta nga Dante, gjë që të bën të kuptosh se nëse në Evropë ekziston ezofagu i djallit, ky vend është pikërisht në Kosovë. Përveç kësaj autori përmend emrin e Primo Levit, në librin e të cilit “A është vallë njeri…?” gjejmë edhe kapitullin “Kënga e Odisesë”. Në këtë të fundit Primo Levi, në disa momente të rralla kur sorollaten duke shkuar për të ngrënë supë, i citon drejtpërdrejt një bashkë të burgosuri të tij “Komedinë” e Dantes.
Megjithatë duhet theksuar edhe një herë që aluzionet e këtilla nuk përpiqen të krijojnë përshtypje megalomane, përkundrazi. Fjalia kryesore në librin e Primo Levit “A është vallë njeri…?”, e cila më tepër se një kujtim përfytyron një analizë të thellë të tmerreve të kaluara, është: “Nuk jam më aq i gjallë satë jem në gjendje të vetëvritem”. Për fat të mirë, jo çdo njeri mund të kalojë në këtë gjendje dhe për më tepër jo çdo njeri mund ta mbijetojë një gjendje të tillë dhe të jetë i zoti ta formulojë dhe ta përshkruajë atë me saktësinë e Primo Levit.
Romani “Ulurima e ujkut” flet gjithashtu edhe për një sërë njerëzish të vrarë gjatë luftës dhe konflikteve të tjera në Kosovë. Megjithatë fjalitë e Ag Apollonit nuk kanë të njëjtën urgjencë dhe detyrim si ato të Primo Levit. “Po ta shohësh trenin nëpër Kosovë, s’ke sesi të mos e kujtosh Aushvicin”. Kjo është më e se kuptueshme, autori kosovar nuk është i vetmuar në këtë perceptim, këtu kemi të bëjmë me një simptomë prezente në të gjithë kulturën bashkëkohore.
Thrilleri me Michaelin
Po të qëndrojmë edhe pak më gjatë në regjimin e drojës vigjilente dhe ta ndryshojmë pak këndvështrimin, citimi i këtyre veprave të rëndësishme letrare mund të na duket si i motivuar jo vetëm nga mundi i autorit për të treguar nivelin e tij të lartë, por më tepër për t’i krijuar lexuesit vjedhurazi përshtypjen që edhe ky roman bën pjesë në veprat madhore të lartpërmendura. Megjithatë, “Ulurima e ujkut” në asnjë drejtim nuk ta lë përshtypjen e një mashtrimi të ulët letrar. Gjë që rrjedh nga fakti se romani vetë e hedh poshtë këtë pretendim patetik. Ag Apolloni në fjalë të tjera nuk bën dallim midis citimeve nga Goethe dhe teksteve të këngëve të Justin Timberlakut. Bile në disa momente gjendemi në kufi me çfarëkonsiderohet ende e akceptueshme, si p.sh. pasazhi i fotografive të njerëzve të humbur të vendosura përreth parlamentit, të cilin autori e përcjell me vargje nga kënga e James Bluntit. Mirëpo autori i “Ulurimës së ujkut” mund të jetë ekzibicionist, por në asnjë mënyrë nuk pozon. Ai është në gjendje të trazojë gjërat efemere me ato të pavdekshmet. Sot mbase ka më shumë kuptim të citosh në roman popkulturën sesa vepra letrare madhështore – megjithatë as në rastin e aluzioneve të këngëve të njohura, ose të filmave, nuk është me vend që autori të akuzohet nëse e ka bërë mirë llogarinë. Ag Apolloni ka dhuntinë të krijojë përshtypjen se është i besueshëm.
Romani “Ulurima e ujkut” përbëhet nga një sërë pjesësh pak a shumë autonome – kompozicioni i tij është nën kontroll, megjithatë përmbajtja e kapitujve individualë përcjell një përshtypje spontane. Dëshmia më e fortë për faktin e trazimit të gjithçkajepavarësisht se nga vjen ose se sa larg gjendet, shfaqet te rreshtat e mëposhtëm: “Viti 1982 është datë historike, sepse atë vit Michael Jackson kishte edituar albumin më të mirë në histori, Thriller. Në anën tjetër të botës, në një skutë të Evropës, po në këtë vit kisha lindur unë që gjithmonë do ta shihja Michael Jackson-in si një thriller. Shtatëmbëdhjetë vjet më vonë, më 1999, kur Kosova po digjej dhe banorët e saj po vriteshin e dëboheshin, tamam si në Earth song dhe kishin mbetur pa kurrfarë kujdesi, tamam si në They don’t care about us, Mbreti kishte dhënë një milion dollarë për refugjatët kosovarë”.
Romani i autorit kosovar Ag Apolloni, “Ulurima e ujkut”, jo vetëm që sjell një depërtim të rrufeshëm mbi situatën ende problematike të Ballkanit, por i vendos përpara pasqyrën letërsisë çekedhe (mos)interesimit për të nëpër botë, domethënë (jo)zotësisë së saj për t’u bërë tërheqëse jashtë shtetit.
I ngjaj babait
Çfarë do të thonë të gjitha këto? Që Ag Apolloni me gjithë mend qëndron me këmbët mbi tokë në atdheun kosovar, por mendja e tij gjendet me qindra kilometra larg? Që kuadri kulturor brenda të cilit ai krijon është i zhvendosur? Shumë gjëra do të flisnin pro. Si p.sh. kombinimi i jetës së tij intime dhe pozitës së tij publike, shumë herë të përziera.
Në aspekt më të gjerë pastaj kemi të bëjmë me konfliktin e një djali të zakonshëm me artistin, para të cilit vendosen gjithë ato sfida të mëdha. Kështu, në një pasazh citohet filmi i Guiseppe Tornatores, “Nuovo Cinema Paradiso”, në të cilin Alfredo që e luan Philippe Noiret këmbëngul që Totoja i ri të shkojë në Romë dhe që të mos kthehet më asnjë herë, sepse ajo është mënyra e vetme për të arritur diçkanë jetë – nëse qëndron, nuk do të arrijë asgjë asnjëherë; këtu hasim dëbimin e shpeshtë të artistëve nga vendet e mëdha ose të vogla, pak rëndësi ka – nguti që të ikin, që të ndërrojnë ambientin, shpesh herë edhe gjuhën, sepse përndryshe nuk do të arrijnë asgjë, talenti i tyre nuk do të evoluojë në mënyrë të favorshme, për shkak se u mungojnë kushtet.
Megjithatë, Ag Apolloni në romanin e tij është tepër i sinqertë për t’ia mbushur mendjen vetes së tij që njeriu mund të zhvendosë rrënjë nga një vend në tjetrin e që po ta parafrazojmë lirshëm dalim te rezultati që djalin mund ta transferosh nga Kosova, por Kosovën nuk mund t’ia shkulësh atij nga shpirti. Prandaj, tek “Ulurima e ujkut” gjejmë pasazhin e mëposhtëm: “Dhe që, pos pamjes, kisha trashëguar dhe tabiatet e tij, e kuptova befas një natë: derisa po kërkoja ca libra në dhomë këtu në Prishtinë, më erdhi shurra dhe në vend se të shkoja në banjo, dola në ballkon dhe pshurra nga kati i pestë. Derisa po lirohesha nga uji i tepërt, m’u kujtua që babai shpesh pshurrte nga dritarja e shtëpisë, derisa nëna i bërtiste dhe e pyeste mos ishte trenuar”. Gjenet nuk gënjejnë.
Nëse qëndrojmë edhe pak në këtë atmosferë të sinqertë, atëherë mund ta pyesim veten pse pikërisht të zgjedhim për ta lexuar “Ulurimën e ujkut”, për shembull, në vend të librave të rinj të autorëve çekë–midis të cilëve është e mundur të hasim vepra jo dhe aq interesante sa ajo e shkrimtarit kosovar, por në të njëjtën kohë mund të gjejmë edhe shkrime më interesante. Këtu mjafton të shtojmë se njeriu i shikon me lehtë të metat te një i huaj se te vetja e tij. Gjë që narratori në romanin e Ag Apollonit e konfirmon edhe vetë kur thotë: “Prandaj, të lutem mos i lexo tanët, të cilët do t’i kontribuonin letërsisë vetëm duke hequr dorë prej saj. Zoti, ata që i do, i ruan nga leximet e kota! Ti lexo shkrimtarë të huaj! Po pse them të huaj, kur në fakt, të huaj për mua janë shkrimtarët tanë?”
(Ky recension i shkrimtarit dhe kritikut çek, Ondřej Horák, është botuar së pari në “Lidové noviny”, më 29 qershor 2019. Recensionin e përktheu në gjuhën shqipe Orkida Backus Borshi, përkthyese dhe profesoreshë në Universitetin e Pragës) / KultPlus.com
Në kuadër të aktiviteteve të organizuara për nder të 13-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kishte ndarë çmimet vjetore për letërsi, shkruan KultPlus.
Këto çmime u ndanë nga ish-Ministrja në detyrë, Vlora Dumoshi.
Në ndarjen e këtyre çmimeve, shkrimtarit Ag Apollonit i ishte ndarë Çmimin për Prozë “Anton Pashku”, për veprën e tij ”Një fije shprese, një fije shkrepëse”. Një vepër kjo ku njëra ndër protagonistet është edhe Ferdonije Qerkezi.
Sot, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Ben Apolloni ka njoftuar se ka vizituar Ferdonije Qerkezin, me ç’rast edhe ia ka dorëzuar çmimin e pranuar në shkurt nga MKRS. / KultPlus.com
Viti 2021 është shpallur si ‘’Viti i Dantes’’ nga Ministria e Artit dhe Kulturës në Itali, me ç’rast sot në 700 vjetorin e vdekjes dhe 765 vjetorin e lindjes së Dante Alighierit, u diskutua për poemën ‘’Komedia hyjnore’’ nga përkthyesi Meritan Spahija në katedralen ‘Shën Nënë Tereza’, shkruan KultPlus.
Diskutimi rreth poemës epike nisi me disa informacione rreth veprës dhe përkthimeve në gjithsej 58 gjuhë të botës. Janë bërë të ditura faktet si: Në vitin 2016, në Komunën e Ravenna ku edhe gjendet varri i Dantes, janë gjendur përkthimet e plota të veprave të Dante Alighierit. Kurse, shqiptarët për herë të parë janë njoftuar me Danten në vitin 1895 ku një ish nxënës i Jeronim De Radës, përkthen disa këngë nga pjesa e ‘Ferri’ në gjuhën arbëreshe. Pesë vite më vonë në vitin 1900, një shqiptar i Shqipërisë i cili sipas Ernest Koliqit, është djali i bajraktarit të Sokol Bacit, ka përkthyer disa këngë të tjera të Dantes në dialektin gegë.
Ndërsa, në vitin 1937 është shfaqur përkthimi i parë në dialektin toskë nga Kristo Floqi, i cili e solli këngën XXXIII, në shqip tek revista kulturore Leka, të Ugolinit. Pastaj, që nga viti 1937 e deri në vitin 1960 shfaqet një heshtje totale ku Dante nuk përmendet dhe nuk studiohet në shkolla, derisa dy shkodran në mënyrë paralele por të pa vetëdijshme për procesin e tyre, sjellin përkthimin e plotë të poemës nga Pashko Gjeçi dhe Mark Ndoja. Të dy këta ngërthejnë në vete një histori të mrekullueshme, një përpjekje për të përkthyer një autor jashtëzakonisht të talentuar dhe mirënjohur.
Botimi i parë zyrtar i plotë i ‘Komedisë hyjnore’ vjen nga Pashko Gjeçi dhe pastaj është botuar një variant integral i Mark Ndojës. Botimi tjetër vjen edhe nga një figurë interesante si Hektor Shënepremte, i cili përkthen fjalë për fjalë poemën duke mos e respektuar metrikën sepse ai ka menduar që së pari të përkthehet vetëm kuptimi. Kurse, përkthimi i para fundit është bërë nga Çezar Kurti, një përkthyes profesionist i letërsisë angleze dhe nga momenti që ai migron nga Shqipëria në Amerikë, ai merret me ‘Ferrin’ dhe përfundon një botim integral.
Po ashtu, poeti shkodran, Meritan Spahija, ka përfunduar përkthimin e tij të ‘Ferrit’ në vitin 2016 dhe sot ai shpalosi rrugëtimin e tij dhe arsyen se pse ai botoi një përkthim të tillë.
“Bota ka ndryshuar shumë, Italia ka ndryshuar shumë, distanca është evokale dhe personalet që Dante ka futur, nuk janë vetëm mitologjike por janë edhe historike, bashkëkohore dhe në qoftë se nuk kemi një informacion të rëndësishëm, ne nuk mund ta kuptojmë dhe shijojmë ‘Komedinë hyjnore’ dhe vargun e mrekullueshëm të Dantes”, thotë ai.
Sipas tij, sa më shumë të kuptohet poema, aq më shumë do të vlerësohet ajo. Ky përkthim konsiderohet ‘ferri’ i tij për të gjetur një kuptim dhe arsye sepse ai fut komente dhe ilustrime sa më të detajuara në mënyrë që lexuesi ta kuptojë dhe shijojë plotësisht.
“Ajo që më ka shtyrë është dashuria e madhe për këtë lloj të poezisë dhe unë jam joshur e dashuruar shumë herë me Dante Alighierin dhe poezinë e tij. Por asnjëherë nuk e kam menduar që do të vijë një ditë e tillë. Prandaj, jam i lumtur që jam këtu dhe po diskutojmë një përkthim tjetër shqip”, thotë Spahija.
Për Spahijen, sjellja e një komenti të ri në një gjuhë nuk do të thotë domosdoshmërisht përmirësim por do të thotë që gjuha për 60 vjet, nga momenti i parë që jemi ndeshur me përkthimin e plotë në 1960, gjuha shqipe ka ndryshuar duke u pasuruar dhe zhvilluar. Leximi sot është më i lehtë dhe komunikimi është më i imët dhe ardhja me një gjuhë të freskuar ka shumë gjasa që të vijë më afër lexuesit të sotëm.
Gjithashtu, ai ka shpalosur disa nga motivet e tij që e kanë shtyrë ta botojë një përkthim të tillë.
“Motivi tjetër është se kur një poet apo një shkrimtar vjen në një gjuhë tjetër, ai nuk vjen vetëm por i shoqëruar me përkthyesin. Pra, pa Danten, është e pamundur të vijë në shqip një përkthim i tillë. Prandaj, sa më shumë përkthime të ekzistojnë, aq më shumë vizion të qartë do të kemi për poezinë e tij”, tregon Spahija.
Ai tutje ka folur edhe për 162 përkthimet e tjera që vijnë në gjuhën gjermane ku ai e ka cilësuar popullin gjerman si një popull të lumtur me Danten sepse ai sot shihet nga 162 këndvështrime të ndryshme kurse shqiptarët sot mund ta shohin vetëm në 5 këndvështrime.
“Ia vlen të investosh në një poet i cili është njëri ndër poetët që i ka hapur rrugë rinisë evropiane dhe jo vetëm italiane”, potencon ai.
Spahija bëri të ditur edhe arsyen se pse ai ka zgjedhur që ta përkthejë veprën në dialektin gegë ku kjo zgjedhje konsiderohet vetëm si një zgjedhje teknike dhe jo preferenciale.
“Jemi përpara një poezie epike, ka nevojë për shumë fjalë për të treguar ngjarjet dhe fatmirësisht kemi dy dialekte, por karakteristikë e toskërishtes është numri i shumtë i rrokjeve. Kurse, për të njëjtën fjalë në gegnisht është më e shkurtër. Unë nuk them se gegnishtja apo toskërishtja kanë avantazhe, por në poezinë epike, gegnishtja ka avantazhe sepse në 11 rrokje ke mundësi të futësh më shumë fjalë duke e bërë tregimin më përfshirës”, thotë ai.
Tutje ai ka folur rreth arsyes se pse nuk duhet që përkthimet të shihen si gabime në momentin kur ato bazohen vetëm në zhvillime apo diçkaje të re sepse Spahija mendon se është e mjaftueshme këndvështrimi i përkthyesit i cili duhet të jetë njohës i poezisë dhe kohës.
Kështu krejt në fund, shkrimtari Ag Apolloni la një mesazh mjaft interesant që formoi edhe një moment humoristik në atmosferën dominuese të seriozitetit.
“Është interesant sepse shumica e studiuesve e vlerësojnë më së shumti ‘Ferrin’, kurse vetëm autori si Humberto me sa e di unë, thotë që më e mirë është ‘Parajsa’, ku sipas autorit, më mirë është që të lexohet Parajsa sesa të merrni një ekstazi”, përfundon Apolloni.
Pas këtyre diskutimeve, të pranishmit patën rastin të formulojnë pyetje rreth jetës, veprës dhe krijimtarisë së Dante Aligierit dhe njëkohësisht edhe përkthyesit të veprës së tij, Meritan Spahija. / KultPlus.com
Rolan Barti (Roland Barthes) njihet si kritik, por më 26 tetor 1977, një ditë pas vdekjes së nënës së tij, nisi ta shkruajë një ditar për zinë dhe pikëllimin. Ky ditar (Journal de deuil – Ditari i zisë) që zgjati deri më 15 shtator 1979, dëshmon lidhjen e fortë që kishte Barti me nënën e vet, pa të cilën nuk e imagjinonte jetën. Ai pikëllohet, qan, ngashërehet, nuk mund të jetojë pa të, prandaj vendos të jetojë për të, duke shkruar këtë ditar.
“Kam nevojë ta shkruaj këtë libër për mamin. Më duhet ta bëj të njohur”. Ai e pranon se ka ende njerëz në këtë botë që mund ta duan, por vdekja e tij tashmë s’do ta lëndonte askënd, thotë, pos vëllait, ndoshta. Për Bartin, ajo ishte gjithçka: “Ç’të humbas tjetër tashmë kur kam humbur kuptimin e jetës sime?” Ai e sheh gjithkund mungesën e saj, e kujton fytyrën e saj, e sheh në ëndrra shpesh, dhe qan. Ai bëhet nervoz kur njerëzit i thonë: jeta vazhdon. “Mami nuk është më këtu dhe kjo jetë budallaqe vazhdon”. Ai nuk e shmang dot neverinë për të pakthyeshmen. Shkon në vendet ku ka qenë me mamin, pastaj ka neveri edhe për shtëpinë: “Si mund të kthehem aty ku ajo nuk është më?” Kur ishte gjallë, “ajo bëhej e padukshme që të mund të shkruaja”. Pastaj kur u sëmurë, “gjatë disa muajve kam qenë nëna e saj”. Tash kur ajo nuk është më, ai shikon borën për dritare dhe qan: “bie borë, por ajo nuk do të jetë kurrë këtu për ta parë”. Qan sa herë i kujtohen fjalët e saj të fundit: “Rolani im, Rolani im!”
Pastaj shton se ajo kurrë nuk e qortonte, nuk i bënte vërejtje, “prandaj nuk i duroj vërejtjet”. Ai bie në një dëshpërim të madh, saqë s’i intereson më të jetë i lexuar nga pasardhësit. Shkon në dyqan për të blerë fruta, dhe një fjalë e shitëses ia kujton mamin që e përdorte aq shpesh atë fjalë, dhe qan. Duke reflektuar mbi pikëllimin e vet, konstaton: ashtu siç e do besimtari Zotin, unë e doja mamin tim. Ndërkohë shfleton albumin, sheh fotografitë me mamin dhe qan (për këto foto, derisa shkruante ditarin, ka shkruar edhe librin-fotografik “Camera lucida”, ku flet gjithashtu për mamin e vet). Pikëllohet në vetmi, e cila, sipas tij, domethënë: “të mos kesh askënd në shtëpi kujt mund t’i thuash: do të vij në filan orë, apo që të mund t’i telefonosh (për t’i thënë): ja, erdha”.
Ditari i Bartit është një libër intim dhe emocional. Ai nuk e botoi sa ishte gjallë. Në fakt, pak muaj pasi e mbaroi, u godit nga një makinë dhe vdiq në spital.
Ky ditar më kujtoi një libër tjetër po kaq emocionues: “Levels of Life” të Julian Barnes, i cili në pjesën e tretë të librit flet për zinë dhe pikëllimin pas vdekjes së gruas së tij. Barthes dhe Barnes nuk duhen lexuar brenda të njëjtit muaj, se mund të pësoni infarkt. / KultPlus.com
“Të vërtetën mund ta fsheh gjuha, por jo sytë”, kishe thënë dikur Mihail Bulgakov. Dimensioni i përçimit të mesazheve prej syve varion sipas gjendjes reale. Në rastin e paqes, ato shpërfaqin shpirtin njerëzor, në mesin e luftës ato dëshmojnë frikën e njeriut, shkruan KultPlus.
Premiera e shfaqjes “Koleksionisti i syve” në Teatrin Kombëtar të Kosovës dje shpalosi kujtesën kolektive të frikës të viktimave të Ballkanit, gjegjësisht të Kosovës dhe Bosnjes.
Skenari i shkruar nga Ag Apolloni dhe me regjinë e Ben Apollonit mjaftoi të jetësohej vetëm me një aktor, i cili nëpërmjet interpretimeve artistike të tij shpalosi monologjet e një agresori me viktimat e tij.
Pavarësisht pse ishte i vetëm, aktori Agron Shala në skenën e vogël të Teatrit duke hyrë në botën e Stefanit, dëshmoi se barra e veprimeve të së kaluarës më së shumti paguhet dhe ndjehet vetëm.
Në mes të një jete që kishte lënë trauma te këta dy popuj, dëshirave të papërmbushura seksuale dhe vetmisë së thellë shpirtërore, Stefani ishte kthyer në një ‘tranzit’ mes të shkuarës dhe të tashmes.
Në muret e dhomës së tij dhe vjerrun në tavan, qëndronin sytë e 4998 viktimave që ai ua kishte marrë jetën, teksa mungonin edhe dy prej tyre. Në mes të çnjerëzores për të shfarosur një popull vetëm për shkak të etnisë dhe traumave që kanë lënë veprimet barbare në brendinë e tij, ai mbetet një ‘viktimë’ e viktimave të tij.
Nga të gjithë të pafajshmit që ua kishte marrë jetën, më e veçanta mbetet Mira, e dashura e tij që kurrë nuk e kishte arritur plotësisht. Dashuria në versionin e Stefanit shkon deri te vetmohimi i tjetrës, vetëm pse nuk është në krahët e tij. Madje, kur nuk mund të arrihet ‘rrëmbimi’ i shpirtit të saj, ai e mashtron veten se kafka, sytë e mbetjet e tjera kockore kanë më shumë vlerë se kjo e para.
Aktori Shala arriti të interpretoj fuqishëm shpirtëroren njerëzore, duke e jetësuar Stefanin me përplot të qeshura ironike, teksa zemra në brendi i qante.
Për regjisorin Ben Apolloni, përveç rrëfimit emocional që kjo shfaqje ka, “Koleksionisti i syve” mbetet i veçantë për shkak që skenari është i shkruar nga vëllai i tij, profesori Ag Apolloni.
“Pas 17 vitesh, prej se e kam lexu për herë të parë, pata mundësinë sonte që leximin tim të “Koleksionisti i syve” ta ndaj edhe me publikun”, tregon regjisori me nostalgji.
Në anën tjetër, Ag Apolloni e kishte shkruar këtë skenar përgjatë kohës së studimeve, teksa njeriu i parë që e kishte lexuar rrëfimin kishte qenë pikërisht Ben Apolloni, i cili e solli një premierë të re në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
“Shfaqja shkoi mirë, shpresoj që idetë tona, të autorit e të miat, të kenë qenë të qarta për publikun”, uron Ben Apolloni.
“Koleksionisti i syve” mbetet një shfaqje, rrëfimi i së cilës ka nevojë të ndërkombëtarizohet për shkak të shpalosjes artistike të të kaluarës së dhimbshme. / KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Kosovës do të mirëpres sonte premierën e shfaqjes “Koleksionisti i syve” nga Ag Apolloni dhe me regji nga Ben Apolloni, shkruan KultPlus.
Shfaqja vjen në kuadër të repertorit të rregullt të skenës së vogël.
“Koleksionisti i syve” e cila interpretohet nga aktori Agron Shala, është një histori tronditëse e një krimineli që jeton në qilarin e tij, i rrethuar me sytë e viktimave të tij të mbledhur gjatë luftës në Bosnjë dhe Kosovë. Kjo monodramë trajton dashurinë dhe krimin, jetën dhe vdekjen.
Shfaqjen premierë mund ta ndiqni sonte më 29 janar 2021, në ora 19:00, dhe do të përcjellët me reprizën e para më datë 30 janar 2021 ora 19:00. / KultPlus.com
Shkrimtari dhe profesori universitar, Ag Apolloni ka shpalosur detaje për vëmendjen institucionale ndaj personazheve të librit “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, shkruan KultPlus.
Përderisa Ferdonije Qerkezi dhe Pashkë Marku janë protagonistet, mbi historitë e të cilave shtrihet rrëfimi në romanin dokumentar të Apollonit, ai ka përmendur se Qerkezi ka përmendur Mimoza Kusarin për mbështetje, ndërkaq Arbërie Nagavci ka propozuar që një rrugë të merr emrin e Pashkë Markut.
Në anën tjetër, Ag Apolloni ka theksuar se pala kosovar ishte viktima në luftën me Serbinë dhe se duhej të kishim një diskurs lirik ndaj tradegjisë së vendit tonë.
KultPlus ua sjell të plotë statusin e Ag Apollonit:
NE ISHIM VIKTIMA
Derisa shkruaja romanin antiepik, “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, kam lexuar, shfletuar e shikuar shumë materiale që lidheshin me temën e të pagjeturve dhe me pasojat e luftës. Nuk do të flas për këtë. Por, dua të them që nga fotografitë dhe fjalët e Ferdonijes (që ka humbur katër djemtë dhe burrin), më së shpeshti ma ka zënë syri dhe veshi Mimoza Kusarin, për të cilën zonja që është simbol i tragjedisë flet gjithmonë me fjalë falënderuese. Ndërsa, për rastin e zonjës Pashkë (e cila dogji veten, pasi ia kthyen mbetjet e dy djemve të vrarë), sipas fjalëve të familjarëve të këtij simboli të sakrificës, është interesuar vetëm Arbërie Nagavci, e cila ka propozuar që edhe një rruge t’i lihet emri “Pashkë Marku”.
Nuk do të doja që përmendja e këtyre dy grave politikane të shihet si anim politik (sepse, më falni për injorancën, por nuk e di nëse ato i përkasin së njëjtës parti, apo nëse partitë e tyre janë në të njëjtën vijë), por si një thirrje për një involvim më të madh të grave në vendimmarrje, sepse kështu do të shtohej ndjeshmëria ndaj tragjedisë sonë të përbashkët, ndërsa diskursi lirik (që tek ne është karakteristik për gratë) do ta zëvendësonte diskursin epik (që tek ne është karakteristik për burrat), që po na e zë frymën prej më shumë se njëzet vjetësh. Sikur nga viti 1999 të ishim shprehur me fjalë lirike për ndodhitë tragjike, siç bënë hebrenjtë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, sot Haga do t’i gjykonte vetëm serbët. Por, kemi folur në mënyrë epike, duke u mburrur se “çka iu kena bo shkive”, e Beogradit zyrtar i konvenuan këto rrena, dhe kështu i ndërruan rolet: xhelatët u kthyen në viktima, viktimat në xhelatë.
Me këtë desha të them që duhet patjetër të pozicionohemi aty ku e kemi vendin, pra si viktima, jo aty ku kemi qejf, si heronj. Se heronjtë e rremë kthehen lehtë në xhelatë. Uroj të shtohen zërat lirikë, për ta ngritur zërin në mbrojtje të viktimave të vërteta, pra në mbrojtje të së drejtës. / KultPlus.com