MKRS investon 12 milionë euro në Stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka vizituar sot komunën e Mitrovicës, ku është pritur nga kryetari i kësaj komune, Agim Bahtiri.

Gjatë këtij takimi  u diskutua për projektet kapitale në të cilat Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të investojë në këtë komunë.

Në fjalën e saj ministrja Dumoshi tha se së bashku me kryetarin Agim Bahtiri biseduam për projektet kapitale të cilat janë investime të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Stadiumi “Adem Jashari” i cili ka një kosto rreth 12 milionë e gjysmë euro është projekt kapital, i cili pritet të përfundojë deri në fund të vitit të ardhshëm.

“Në komunën e Mitrovicës ia vlen të investohet sepse një është stadium i kategorisë së katërt, i cili i plotëson të gjitha kriteret e UEFA-s dhe do të jetë një ndër stadiumet më të bukura, për shkak të kapaciteteve që ka. Ky stadium brenda do t’i ketë edhe shtigjet e atletikës dhe jashtë do të pasurohet edhe me një teatër veror” tha ministrja Dumoshi.

Tutje, ajo tha se  “Gjithashtu ne do të investojmë dhe në projekte të tjera kapitale siç janë Stadiumi “Riza Lushta” në të cilin do të investojmë për tribuna si dhe tetë projekte për restaurim, duke filluar nga kulla e Isa Boletinit, shtëpia e familjes së Xhafer Devës dhe shumë projekte të tjera të rëndësishme.”

Duhet të veçohet edhe pjesa e kulturës, ku Mitrovica njihet për kulturë, dhe përmes projekteve të dhëna nga MKRS-ja komuna e Mitrovicës ka kanë qenë përfituese e 24 projekteve kulturore, kurse nga Departamenti i Rinisë kanë përfituar 12 OJQ.

Ndërkaq, kryetari  i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha që me ministren Dumoshi kemi një bashkëpunim të mirë. Deri më tani i kemi 36 projekte të cilat i ka mbështetur Ministria e Kulturës dhe së bashku me ministren biseduam edhe për gjëra të tjera të cilat janë më interes të përgjithshëm, siç është Stadiumi “Adem Jashari”, i cili besoj që do të përfundojë shumë shpejt dhe ne e falënderojmë ministren Dumoshi për punën dhe përkrahjen që po e jep për komunën tonë.

Gjatë kësaj ngjarjeje kryetari Bahtiri shpalosi projektin për Stadiumin “Adem Jashari”./ KultPlus.com

Më në fund Komuna e Mitrovicës vendos emrin e Elizabetës në pllakën përkujtimore

Pas shumë reagimesh, në pllakën përkujtimore është vendosur emri i Elizabeta Hasanit, 5-vjeçares rome që u vra bashkë me disa shqiptarë në masakrën e tregut të Mitrovicës, në vitin 1999.  

Lajmin e bëri të ditur vetë Komuna e Mitrovicës.

Më poshtë mund të lexoni njoftimin e plotë.

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga nënkryetari Faruk Mujka, së bashku me deputetin e Kuvendit të Kosovës, Albert Kinolli nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, sot kanë bërë zbulimin e emrit të vogëlushes së ndjerë, Elizabeta Hasani nga komuniteti rom, emri i të cilës është vendosur në pllakën përkujtimore kushtuar viktimave të masakrës së 13 marsit 1999 në tregun e Mitrovicës.

Pas vendosjes së luleve të freskëta nga kryetari Bahtiri, në shenjë nderimi për viktimat e rëna në atë masakër, ai tha se mos përfshirja e vogëlushes së ndjerë Elizabeta ka ndodh pa dashje dhe pa asnjë qëllim të keq, por vetëm si pasojë e mungesës së informacioneve.

Po ashtu kryetari Bahtiri theksoi se ka mbajtur premtimin e dhënë ndaj deputetit Kinolli për hulumtimin e duhur të këtij rasti, dhe pas marrjes së informacioneve të sakta, komuna ka vendosur emrin e Elizabetës në pllakën përkujtimore kushtuar viktimave të masakrës së tregut, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht nga kriminelët serbë.

Ndërkaq deputeti Albert Kinolli, tha se ndihet i kënaqur që bashkë me kryetarin Bahtiri dhe nënkryetarin Mujka, kanë mbajtur premtimin e dhënë për vendosjen e emrit të Elizabeta Hasanit, duke falënderuar për kontributin dhe angazhimin e dhënë nga ana e drejtuesve të Komunës së Mitrovicës.

“Kjo gjë dëshmon që shoqëria kosovare është e hapur dhe demokratike, nuk bën dallime as në viktima, sepse viktimat duhet të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, për shkak se viktima nuk njeh racë, as ngjyrë, komunitet, e as parti politike. Dhe këtë sot e kemi dëshmuar së bashku me kryetarin Bahtiri, ku jam i lumtur që drejtësia ka ardhur në vendin e vet, shpresoj që edhe dorasin herë do kurdo të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”, tha ndër të tjerash deputeti Kinolli. / KultPlus.com

Nuk ia ka konfirmuar ardhjen, Bahtiri bënë plane si ta sjellë Shakirën në Kosovë

I pari i Mitrovicës, Agim Bahtiri foli për performancën e këngëtares me renome botërore, Shakira për të cilën tha se bina ku do të performojë ajo do të ngritet 3 metra e gjysmë.

Ai tha se ka paraparë që Shakira bashkë me të do të shëtitet prej anës së jugut në anën e veriut, në rreth rrotullim dhe do të kthehet bashkë me të. Megjithatë tha se nuk dihet me çfarë makine dhe se ende po negociojnë me të.

Bahtiri tha se do të kërkojë nga institucionet e sigurisë të marrin masa për një ambient të qetë.

Kryetari Bahtiri tha se po dëshiron që hapja të bëhet në mënyrë paqësore dhe kjo është arsyeja pse u zgjodh performanca e saj në Kosovë. “Unë mendoj që është një gjë jashtëzakonisht e vlefshme edhe për të, sepse kajhere parja nuk do të thotë gjithçka, është emri shume ma i madh se parja, dhe unë mendoj se në një qytet të ndarë qe 20 vite, të bashkohen është jashtëzakonisht një çmim i madh për të, për arsye se do të merr edhe emrin e urës. Emri i saj do të pagëzohet në Urën e Ibrit dhe që munen gjeneratat e ardhmshme me lexu emrin e saj aty, dhe të krijohet një përshtypje se vetëm ajo e ka bashkuar qytetin dhe kjo nuk është pak”, tha Bahtiri. Kryetari i Mitrovicës, tutje tha se i dëgjon të gjitha këngët e saj./ insajderi