Skulptori Agim Çavdarbasha, lindi në Pejë, më 1944. I ati ishte mësues dhe familja ndërronte shpesh vend. Shkollën e Mesme të Artit e kreu në Pejë. U diplomua në Degën e Skulpturës në Akademinë e Arteve në Beograd, në klasën e V. Vujisiqit, në vitin 1969 dhe po këtë vit hapi ekspozitën e parë në Galerinë e Shtëpisë së Rinisë në Beograd dhe mori Çmimin “Talentët e Rinj” të gazetës Borba. Më 1970 u bë anëtar i SHAF të Kosovës dhe mori pjesë pothuaj në gjithë ekspozitat e saj. Më 1971 kreu studimet pasuniversitare në Akademinë e Arteve të Universitetit të Lubjanës, në klasën e prof. Z. Kalin dhe mori Çmimin e Preshernit.
Më 1974 u zgjodh pedagog i Akademisë së Arteve Figurative të Universitetit të Prishtinës (pasi kishte punuar një kohë në Shkollën e Lartë Pedagogjike) dhe themeloi degën e skulpturës, ku do të punojë deri në fund të jetës. Nën drejtimin e tij dolën disa gjenerata skulptorësh të rinj.
Më 1975 hapi ekspozitën personale të portreteve dhe do të realizojë një seri bustesh e shtatoresh të personaliteteve të shquara historike dhe bashkëkohore, si dhe shtatoret e Sulejman Vokshit, Abdyl Frashërit dhe Ymer Prizrenit, kjo e fundit e punuar me një metodë unike, sipas kafkës së zhvarrosur, bashkë me një antropolog hungarez.
Ka punuar në të gjitha materialet: dru, gur, mermer, metal, derdhje plastike, etj. Njihet si mjeshtër i rrallë në mellë, shkathtësi kjo që vërehet veçanërisht te skulpturat e derdhura në bronzë.
Në vitin 1978 mori Çmimin e Dhjetorit të Kuvendit të Kosovës dhe Çmimin e Sallonit Pranveror të SHAFK.
Nga viti 1985 nisin shqetësimet me shëndetin. Fillimisht qëndroi një vit në spitalin e Lublanës, për t’u kthyer sërish dhe për të realizuar pjesën më të rëndësishme të opusit të tij. Ateleja e Çavdarbashës në rrethinat e Prishtinës u shndërrua në një nga ambientet e shquara artistike, në të cilën në kohën e represionit mbi shkollat shqipe mbante dhe mësim.
Ka marrë pjesë në disa simpoziume të skulpturës bashkëkohore, si në atë të mermerit, në Arangjellovac (1969), në simpoziumin “Mozaiku në hapësirë”, në ishullin Korçulla (1980), në Koloninë e Poçitelit, etj. Është ideator i Simpoziumit të Skulpturës Bashkëkohore të Universitetit të Prishtinës, ku edhe vetë realizoi një vepër në vitin 1980. Më 1995 qëndroi katër muaj në shtëpinë e Heinrich Böll-it në Langenbroich të Gjermanisë, në kopshtin e së cilës edhe sot ndodhet një nga skulpturat e realizuara atje.
Më 1994 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa më 1996, anëtar i rregullt.
Në vitin 1995 e shpalli Galeri të Hapur atelienë e tij në fshatin Çagllavicë.
Vdiq në Prishtinë më 20 tetor 1999, pas shumë shqetësimeve me shëndetin, pa e ndërprerë punën deri në çastet e fundit të jetës.
Në vitin 2004 atelieja e Çavdarbashës pëson në flakët e ngjarjeve të marsit dhe bashkë me të u shndërruan në hi një pjesë e rëndësishme e opusit të tij, mbi të gjitha veprat kryesore të realizuara në dru dhe një koleksion i gjerë vizatimesh. / KultPlus.com