Artisti bën mozaik për Agim Ramadanin (FOTO)

Një i ri nga Drenasi është duke punuar një mozaik prej shtatë metra.

Në 20 vjetorin e rënies së tij, me 260 mijë gëzhoja të fishekëve, Besart Gashi po punon portretin e heroit Agim Ramadanit.

Ky mozaik do ti dhurohet familjes së heroit në ditëlindjen e tij më 3 maj, dhe më pas mozaiku do  të vendoset në Komunën e Gjilanit.

Gashi është shprehur se për të është kënaqësi dhe nderë të punojë një figurë të tillë si e Agim Ramadanit, një atdhetarë që jetën ja fali atdheut.

Gashi një dashuri të madhe ka edhe për poezitë që Ramadani i shkroi sa ishte gjallë, shumë prej tyre ai i reciton me shumë dashuri. / KlanKosova / KultPlus.com

Kantatë për dy zana dhe Agim Ramadani

Nga Halil Matoshi

Si sot, 20-vjet përpara, Agimi i ra gurit t’kufinit,
E ka me qindrue aty deri në fundin e kohës…

Stinët. Fundi

(Kantatë për dy zana dhe Agim Ramadani)

Zani –I-

Poeti sapo e kish gjetë lirinë artistike
Dhe po përballej me dimensionet e saj
Kur muzat i thanë: Po t’ish qielli kopsht
E retë gjethe…
Yjet kishin me kenë portokalle
Me i kputë për qef…

Zani –II-

Luftëtari sapo e gjeti arsyen e t’jetuemit 
Flamur mjesesh t’bardha me u ba…
Mija shigjeta mesjetare u nisën kah ai ditën me ia vërbue
E natës tina me zjarr me i vù!

Zani –I-

E shpirti i lirë i poetit po bridhte si hije e bardhë 
nëpër fushat e atdheut të sheklun nga qizmja e zezë.
I vetëdijshëm për estetikën e pranisë së mungesës 
se qielli s’â kopsht
retë s’janë gjethe 
e yjet s’janë portokalle
dhe s’ka me i k’putë kurrë njeriu qefli
Me i pa janë bâ
jo me i prekë

Zani –II-

Luftëtari për inat tha: Kam me e ndjek yllin tim të fatit
Dhe u nis në rrugëtimin e tij të fundit që plak shekujt

Se yjet kur të piqen e të bien
S’âsht stinë portokallesh
Âsht fundi i kohës…

Nga atdheu s’lypi asgjâ pos me iu bâ plaf dhe me luejt
me ato portokallet estetike qe me i pa janë bâ…
pa t’papamuna thjesht njerëz të mundun me trishtim në sy 
flakëve të luftës u përballi heshta fjale
anmikut zemërimin e shekujve
pak çaste para se me flatrue nalt’ 
ai pa thjesht njerëz të lirë
dhe buza i shkoi n’gaz e tha: Këtë andërr e kam pa ni jetë njeriu!

Të dy zanat bashkue në duet:

Liria âsht vepër arti që ngjizet në dejet e gufueme t’gjakut
Pa tundim ia falim kësaj toke si me mbjellë e ujit lule…

Agim Ramadani tha:
Poet jam e s’munem me pa lisa të perkulun tuj gjemue përball veriut…
Luftëtar jam dhe due me ia fal emnin ditëve të mbështjelluna me zi.
Përballja jeme epike ka me ia pëlcit damarët Fatherlandit 
Dhe stërkalat me qiellin kanë me u bashkue …
E terri ka me u tërhjekë
Siç terheq anmiku kufomat…

Nga rrashta jeme flaut kam me bâ
Në simfoninë e Shtatë të Bethovenit
Dhe në Oden e gëzimit kam me qenë ni zâ!
Himn i të munduarve që ka me jehue përtej historisë së botës
Me jehun e ernave e zukatjen e bletëve, 
me ciërrima trumcakësh e vaje bylbylash 
ka me u bashkëdyzue 
ni fëmijë kam me marrë përdore me e ngjit tek yjet përmi Kosovë
e kam me u dhanë emën tana ditëve prej këtu e deri në fundin e kohës…

Albin Kurti: I përkujtojmë sot Asdrenin dhe Agim Ramadanin

Politikani Albin Kurti, pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje ka përkujtuar në Facebookun e tij dy figura të shquara, në përvjetore të ndryshme.

Ai ka kujtuar Asdrenin në datëlindjen e tij dhe Agim Ramadanin i cili me 11 prill 1999 ra dëshmor në Betejë e Koshares.

Ky është statusi i plotë i Kurtit:

Në 11 prill 1872 ka lindur Asdreni, poeti e pedagogu, veprimtari e Rilindësi ynë, fjalëve të të cilit u rrimë në këmbë kur këndohet Himni Kombëtar. Në vjershën e tij “Lulëkuqja” ai e poetizon një imazh të cilin edhe sot e kemi para syve tanë, brutal posi atëherë. Imazhi i atdheut të pambrojtur, të parritur, imazhi i një kombi për të cilin s’përkujdeset askush, imazhi i një populli të pastrehë, të mjerë, imazhi i një kulture të pakultivuar, pa stoli. Si lulëkuqja e mbirë anash rrugës. Megjithatë, kjo është lulëkuqja jonë, e cila kur valon ndez shumë zemra. E njëra nga zemrat e mëdha që i ka ndezur kjo lulëkuqja jonë në historinë e saj, është zemra e heroit, Agim Ramadanit, komandantit të Brigadës 138 të UÇK-së, i cili në 11 prill 1999 ra dëshmor në Betejën e Koshares, në luftën tonë për çlirim.

I përkujtojmë sot të dy, si dy nga kulmet e panteonit tonë kombëtar.

Agim Ramadani: Unë po e shoh lirinë, tash edhe me vdekë s’më mbetet peng asgjë

Sot janë bërë 19 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët.

KultPlus sot ju sjellë një pjesë të bisedës mes heroit Agim Ramadani drejtuar bashkëshortes së tij Shukrije Ramadanit, vetëm pak ditë para rënies së tij, më 24 mars 1999.

“Unë po e shoh lirinë dhe po ta uroj që tani! Tash edhe me vdekë, s’më mbetet peng asgjë, ngaqë po e ndjej zërin e lirisë. Më dhimbsesh që s’je këtu ta shohësh qiellin e përflakur dhe të kuptosh sa ngjyra të bukura ka liria”, i kishte thënë Agim Ramadani gruas. / KultPlus.com

Bëhen 19 vjet nga rënia e Agim Ramadanit

Sot bëhen 19 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët.

Ai ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët e vet.


Historik i shkurtër rreth Betejës së Koshares dhe rënies së Agim Ramadanit.

“M’u shtershin sytë nëse pushoj; lirinë tënde me ëndërrue; mallkue qoftë gjaku im, nëse m’vrasin pa luftue”. Këto janë vargjet e poezisë “Liria”, që Agim Ramadani pat shkruar në ditët e tij të fundit, para se të vdiste.

Palët në këtë betejë kanë qenë të pabarabarta, por UÇK-ja ka pasur përparësi strategjike, pasi beteja është zhvilluar në kufirin me Shqipërinë.

Beteja ka thyer kufirin Kosovë-Shqipëri, gjë që sipas ish-luftëtarëve ishte një korridor i rëndësishëm për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës./ KultPlus.com

Ahmet Selmani fitues i orës letrare ‘Agim Ramadani’ në ‘Takimet e Dom Mikelit’

Manifestimi tradicional kulturor, letrar e shkencor “Takimet e Dom Mikelit”, u mbajt dje, më 23 shtator, në Stubëll të Epërme të Vitisë, shkruan KultPlus.

Ky manifestim i cili tashmë është bërë tradicional sjellë për audiencën e tij shumë aktivitete kulturore e poashtu mbahet edhe ora e madhe letrare, ku ndahet çmimi “Agim Ramadani” për tri poezitë më të mira, si dhe një program argëtues për të pranishmit.

Sivjet Poeti Ahmet Selmani u vlerësua për poezinë më të mirë.

Çmimet tjera ishin: Irena Gjoni dhe Rozafa Shpuza, poetet që fituan vendin e tretë me poezitë e tyre.
Ndërsa, vendin e dytë zunë Zana Pira, poete nga Pozharani dhe Zade Kuqi, poete.

Në kuadër të këtij manifestimi referuan shumë profesorë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia./ KultPlus.com