Sot bëhen 23 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët.
Agim Ramadani, i njohur ndryshe me nofkën KATANA, ishte njëri prej komandantëve më të shquar dhe më aktivë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si dhe komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, gjegjësisht i Koshares.
Lindi më 3 Maj 1963 në fshatin Zhegër të Komunës së Gjilanit dhe ra dëshmorë më 11 Prill 1999 në Koshare gjatë një luftimi fyt për fyt me forcat serbe. Mori pjesë në Betejën e përgjakshme të Koshares e cila u zhvillua më 9 Prill të vitit 1999, ku edhe ishte komandant i Brigadës 138 deri në ditën e rënies së tij. Pas përfundimit të Luftës, ai u shpall Hero i Kosovës.
Të parët e familjes së tij ishin me prejardhje nga Malësia e Karadakut, pikërisht nga fshati Depcë afër Preshevës. Shkollimin Fillor e kreu në vendlindje, ndërsa Shkollën e Mesme Teknike në Gjilan në vitin 1980, dhe më pas e vazhdoi Akademinë Ushtarake–Drejtimi i Komunikacionit në Zagreb të Kroacisë.
Me poezi dhe pikturë është marrë që nga shkollimi i mesëm. Përderisa poezitë e tij, sa ishte gjallë i mbetën të shpërndara nëpër revista të ndryshme e në dorëshkrim, si piktor organizoi ekspozita kolektive e personale në Kroaci, ku punoi si ushtarak dhe në Zvicër ku jetoi si emigrant politik, dhe me fillimin e luftës në Kroaci, ai braktisi ish Armatën Jugosllave ku punonte si oficer. Në vitin 1998 pranohet anëtarë nderi në Akademinë Evropiane të Arteve.
Ndonëse e kishte të rregulluar statusin e emigrantit, Agim Ramadani në vitin 1998, iu përgjigj thirrjes së atdheut dhe u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke lënë në Zvicër gruan dhe tre fëmijët e tij.
Gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët e vet. Ishte i pari që shkuli gurin-piramidën-kufitare në Koshare. Pas thyerjes së këtij kufiri, në pjesën e Kosovës, tek vendi i quajtur “Zharret”, ai ra dëshmor heroikisht për të mos vdekur kurrë. Llogaritet si një nga heronjtë më të njohur të historisë së re shqiptare. Në Gjilan para Teatrit Kombëtar i është ngritur një shtatore, në të cilën janë komponuar të gjitha elementet artistike dhe luftarake të Agim Ramadanit-Katanës. Është përfaqësuar në disa leksikone dhe antologji të shkrimtarëve shqiptarë, të botuara pas Luftës së Kosovës në vitin 2000. Agimi la pas vetes tre pasardhës, djemtë Jetonin dhe Edonin, si dhe vajzën Laurinën. / KultPlus.com