Agim Vinca: Nga Kasaj në Parnas, homazh për Hamit Aliajn

Homazh për Hamit Aliajn (1954-2023)

Nga: Agim Vinca

Hamit Aliaj lindi në Kasaj të Tropojës, fshat që gjendet në afërsi të kufirit me Kosovën. Në këtë fshat u rrit djaloshi që do të shkruante vargjet më të bukura, më tronditëse, për ndarjen tragjike të trojeve shqiptare. Kur ai erdhi në këtë botë, një ditë vjeshte të vitit 1954, shqiptarët kishin vite që nuk mund të shkonin më te njëri-tjetri për shkak të këtij kufiri absurd. As në dasmë, as në mort, as në gëzim e as në hidhërim. Vetëm zogjtë e malit guxonin ta kalonin atë vijë tragjike që ndante njerëzit e një gjaku. Kjo padrejtësi shekullore, ky absurditet i historisë, do të bëhet lajtmotiv i vargjeve të poetit, i cili, qysh në fillim, shpallte botërisht: “Bjeshkët janë mbiemri im”. (Ky është titulli i librit të parë të Hamit Aliajt, të cilin e botoi kur ishte njëzet vjeç). Edhe poetë të tjerë shqiptarë, këndej e andej kufirit, në Kosovë e në Shqipëri, në Jug e në Veri, e kanë trajtuar këtë temë: temën e ndarjes tragjike të trojeve shqiptare, por pothuajse askush si djaloshi nga Kasaj, që e kishte shtëpinë “pesëqind metra larg dhimbjes”. “Shtëpinë, mbështjellë me një re të bardhë,/ në Veri e kam,/ pesëqind metra larg dhimbjes,/ piramida 6 përballë”. Ç’figurë e gjetur e domethënëse! Këtu, në Veri, pranë gurit kufitar, lindi dhe u rrit poeti; këtu u përkund në djep dhe këtu do ta ketë edhe banesën e fundit. (Hamit Aliaj u varros këto ditë me nderime në vendlindje).
Teoria e mjedisit si koncept teorik është e kapërcyer, por as kritika moderne nuk e mohon rolin e vendlindjes dhe të fëmijërisë në formimin shpirtëror të krijuesit.
Hamiti e kaloi fëmijërinë në vendlindjen e tij, në një vend ku bashkëjetonin doke e zakone, ku këngët dhe legjendat e moçme ishin akoma rit i mbrëmjeve. Rriste shtatin në kodrat dhe livadhet e fshatit dhe mrekullohej nga tingujt e fyejve të barinjve që çdo verë ua mësynin bjeshkëve të Shkëlzenit, ndërsa tufat e deleve, formonin në imagjinatën e tij poema pa fund me vargje të bardha… Ky ishte sfondi ku poeti filloi të thurte vargjet e para në fletoret shkollore, që i fshihte nga sytë e të tjerëve… Nëna e tij, një grua e fortë, e cila shpesh dinte të ishte edhe burrë, do të ishte mbështetësja dhe frymëzuesja e tij më e madhe. Ajo i dha të birit jo vetëm dashuri prej nëne, por i mëkoi edhe shpirtin artistik…Vendosja e fshatit të tij të lindjes përballë Kosovës, e cila ishte disa minuta afër, por mijëra vjet larg, kur shikoje gardhin e përshkuar nga korenti vdekjeprurës, ka qënë një dhembje e gjatë, por edhe një burim frymëzimi për shumë poezi të poetit, që e vuante paradoksin historik të ndarjes përgjysmë të trupit të atdheut, thuhet në një shënim të shkruar me gjasë nga vetë autori ose nga ndonjëri nga miqtë e tij letrarë.
Ky është kufiri i parë nga ajo anë. Po nga kjo anë?
Në një takim letrar në Pogradec, vite më parë, pata thënë: “Tërë jetën e kemi soditur nga larg këtë qytet, jemi orvatur më kot ta rrokim me shikim, duke i marrë mëri sytë tanë që s’kishin forcë të shihnin përtej, në anën tjetër të masivit ujor të quajtur Liqeni i Ohrit. Vështrimi ynë nga brigjet e Strugës arrinte shumë-shumë deri te Lini i futur si hundë në liqen. Nga Struga Pogradeci nuk mund të shihej, por vetëm mund të merrej me mend, kurse kënaqësinë e të soditurit të konturave të tij e përjetonim kur shkonim në të rrallë në Shën Naum. Nga bedenat e manastirit të lashtë, ku murgj dhe policë rrinin bashkë, e shikonim tinëz, me mall, qytetin që ishte aq afër dhe aq larg njëkohësisht. Ky është Pogradeci i djalërisë sime. Pogradeci im i dikurshëm. I papërsëritshëm”.
Treva nga e cila vjen Hamit Aliaj dhe një varg poetësh të tjerë të talentuar (Anton /Ndoc Papleka, Besnik Mustafaj, Buçpapajt Mujo e Skënder e shumë të tjerë) quhet ndryshe “Malësi e Gjakovës”. Malësorët e fshatrave të Tropojës pazarin e bënin në Gjakovë, ku zbrisnin për të shitur e blerë, por edhe për të lidhur miqësi e krushqi, derisa ky qytet shqiptar nuk iu shkëput Shqipërisë, ashtu siç ndodhi edhe me shumë qytete e fshatra të tjera të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare. Xhevahir Spahiu e Bardhyl Londo kanë shkruar vargje pikante për “Vitin 13”, që në letërsinë shqipe ka marrë përmasat e një figure topike (toposi i ndarjes përgjysmë të trupit të atdheut), por Hamiti i ka shkuar deri në fund këtij motivi, duke e shtrydhur fjalën “derisa gjak t’pikojë”, siç do të thoshte Azem Shkreli.
Te poema e tij e jashtëzakonshme, por e pavënë re, Zeka i Zi, me të cilën mbyllet libri Lotin nuk ta fal, lexojmë vargjet: “E kemi parë Zekën e Zi,/ me kokë nën sqetull rend./ E lë kokën në një lis/ e lisi shqip flet, / e lë kokën në një gur / e guri flet si njeri, / e lë kokën në një re/ e reja vetëton,/ ia lë kokën tokës,/ toka rend, vrapon”, për ta përmbyllur frazën me një figurë shumë të përhapur në letërsinë shqipe, nga Barleti e gjer tek Kadare, atë të ndarjes së kokës nga trupi: “Koka në bjeshkë, trupi në det”.
E krijuar në një periudhë gjysmëshekullore dhe e shpërndarë në shtatë vëllime (Bjeshkët janë mbiemri im, Një vend e ruaj për ty, Lotin nuk ta fal, Mungon Viti Një, Njëqind vjet e Martë dhe E hëna e përtejbotës, ky i fundit me haiku), poezia e Hamit Aliajt është homogjene për nga përmbajtja dhe pothuajse e nivelizuar për nga vlera.
Hamit Aliaj është pa dyshim një nga krijuesit më të talentuar të brezit të vet. I veçantë me botën e interesimeve tematike, ai është i veçantë edhe me shprehjen dhe sintaksën poetike. Në poezinë e tij shkrihen natyrshëm rrëfimi dhe lirizmi, figura dhe mendimi, toni epik dhe elegjiak. Me një qartësi e thellësi të lakmueshme, që rrallë haset tek i njëjti poet, ai i flet lexuesit për të vërtetat jetësore dhe paradokset e historisë.
Rexhep Qosja, në një intervistë dhënë shtypit shqiptar, e pati quajtur Hamit Aliajn “poet që të bën mik të përjetshëm shpirtëror” dhe “që do ta nderonte çdo letërsi evropiane”. Fqinj me Hamitin për nga vendlindja, profesor Qosja shquan “mendimin subtil, pamjet krijuese dhe figurat befasuese” si veçori të stilit të tij. Këtyre karakteristikave, u duhet shtuar edhe imagjinatën e pasur, origjinalitetin e shprehjes dhe aftësinë për të depërtuar në thelbin e fenomeneve të jetës.
Subjekti lirik i kësaj poezie bredh lirshëm nëpër kohë e vende, nga Ballkani në Evropë, nga antika në kohët moderne, nga Albanopoli në Fushë Kosovë, për t’u kthyer sërish te shtëpia e tij “pesëqind metra larg dhimbjes”.
Hamit Aliaj do të mbahet mend edhe si krijues tekstesh për këngë. Shkroi shumë të tilla, por disa prej tyre janë bërë pjesë e kujtesës kolektive. Me këngën e tij “N’Dardani bjen nji tupan” studentët e Prishtinës dilnin në demonstratë. Ata ishin krushqit e lirisë së Kosovës, që do të vinte me shumë mund e sakrifica. Edhe Hamiti ka dhënë kontributin e vet për këtë ditë, sepse nuk luftohet vetëm me armë, por edhe me art. Pas çlirimit të Kosovës do t’i bëhet e mundur të vinte për herë të parë në Gjakovë, aty ku të parët e tij dikur vinin për çdo javë. “Njëqind vjet për të mbërritur tek ti…/ Jam më i pasuri mbi dhe:/ Kam timen këtë natë/ Që ndan mijëvjeçarët” – thuhet në poezinë Nata e parë në Gjakovë, shkruar në vitin 1999. Ndien gëzim për këtë takim, por edhe dhimbje e trishtim për krimet që janë bërë në Kosovë, krime para të cilave do të trishtohej edhe vetë Shekspiri: “Ju lutem, mos m’i thoni gjë Shekspirit/ se i djeg librat e tij”.
Ndryshe nga shumica e kolegëve të tij poetë, Hamit Aliaj e krijoi veprën e vet në heshtje. Ai nuk ishte poet i çmimeve e promovimeve, as i ekraneve e portaleve, por krijues vargjesh të denja për çdo antologji, që shpresojmë të mbijetojnë edhe në këtë katrahurë vlerash e kriteresh.
Hamit Aliaj e nisi udhëtimin e tij nga fshati i lindjes për t’u bërë banor i Parnasit shqiptar. Rruga drejt majave të artit nuk është e lehtë. Ajo është e gjatë dhe e vështirë edhe kur nisesh nga ndonjë metropol e botës, se jo më nga një fshat i vogël mes malesh. Shikuar nga ky aspekt Hamit Aliaj mund të quhet një sfidues i madh. Përgjithësisht i tërhequr në jetë, ai guxoi si poet. Kërkoi hapësira të reja shprehëse, duke i mbetur besnik formimit të vet shpirtëror, që i ka rrënjët te tradita e vendlindjes dhe filozofia e njerëzve të saj.
Dy-tre librat e tij të fundit (Mungon Viti Një, Njëqind vjet e Martë dhe Hëna e përtej botës), të botuar në periudhën 1997-2017, tregojnë se Hamiti i ndiqte trendet e reja të poezisë në hapësirën shqiptare dhe më gjerë, por pa rënë në grackën e snobizmit dhe të epigonizmit. Vërtet që këta libra sjellin diçka të re në konceptimin e vargut (herë-herë deri te poezia e tipit vizual), mirëpo libri i tij më i mirë, më homogjen dhe, madje, edhe më modern mbetet vëllimi Lotin nuk ta fal, i botuar në kapërcyell të dy epokave, në vitin 1990 shtëpia botuese “Naim Frashëri” (në 2000 kopje).
Në antologjinë Muza e Mëmëdheut (Njëqind poetë për Atdheun), botuar në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Hamiti prezantohet me poezinë Shtëpinë e kam pesëqind metra larg dhimbjes, vargjet e së cilës janë vënë edhe në kopertinën e mbrapme të librit.

Shtëpinë, mbështjellë me një re të bardhë,
në Veri e kam, pesëqind metra larg dhimbjes,
piramida 6 përballë.

Miqtë e mi të letrave kanë surpriza të zymta
kur më vizitojnë,
dil nga legjendat, më thonë kritikët, po ç’të bëj:
ashtu real, jashtë çdo fantazimi,
i marr për dore dhe ua prezantoj
vitin ’13, çunak të përgjakur.

Ç’të bëj. Toka ime s’ka klithur kurrë në qiell,
klithmat i ka lënë në gurë e në drurë,
në një djep klithmash jam rritur,
dhe themelet e shtëpisë klithma i kam
pesëqind metra nga piramida 6.

Gjumin s’e kam pasur kurrë të qetë:
rënkon toka pranë shtëpisë sime në Kasaj
nga prerja e madhe e vitit trembëdhjetë.

Net për net më duhet
të zgjohem nga britma fëmijësh të prapë,
të dal jashtë, t’i kap për veshi,
Bismarkun, Lord Grejin, Bikonsfildin,
kral Pjetrin, Nikollën, Çubrilloviqin
e më të rinj që emrin s’po ua them,
në gjuhë të ndryshme shahen ndyrë,
zihen si rrugaçë
aty te piramida 6.

… Shtëpinë e kam pesëqind metra larg dhimbjes
pranë një meridiani të këputur e kam,
të tjerat merren me mend.

Vargu i fundit: “të tjerat merren me mend” e lë të hapur kuptimin e tekstit, që nxit asociacione e përsiatje nga më të ndryshmet.
Dikush profetizonte se shqiptarët do të bashkoheshin në vitin 2012; të tjerë thonë se do të bëhemi bashkë në BE, por ka edhe të tillë që nuk e duan bashkimin e Kosovës me Shqipërinë! Çka s’ka ndër ne! Por, për fat, ka edhe poetë si Hamit Aliaj i Tropojës, si Agim Spahiu i Kukësit e Visar Zhiti i Lushnjës (dhe i burgut) e dhjetëra të tjerë anekënd Shqiptarisë, që kanë kënduar me frymëzim të vërtetë, bukur e dhimbshëm, për dramën e ndarjes dhe ëndrrën e bashkimit. Moikom Zeqo e quante “Ribërja e Atdheut”. Nga demiurgët De Radë e Naim e këndej, vazhdon kjo “ribërje”. Dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen. / KultPlus.com

Hamit Aliaj

E kujtoj mësuesin

Poezi e shkruar nga Agim Vinca.

Pat ikur mësuesi im në Turqi,
unë abetaren e laga me lot.
Në zemër më hyri fytyrë e tij
dhe s’më hiqet atë ditë e sot.

I vogël isha atëhere, pak dija,
jeta më dukej lojë, dëfrim.
Por ngado që shkoja, kudo që vija
shihja fytyrën e mësuesit tim.

Dëgjoja zërin e tij të dashur
kur binte zilja për në mësim,
dëgjoja zërin e tij të dridhur:
«E di ç’është mërgimi, ti Agim?»

Po unë s’e dija, s’kuptoja dot
ç’ishte mërgimi dhe Anadolli.
Sytë e mësuesit ishin me lot
atë ditë që fshati e përcolli.

Kaluan ditë, kaluan vjet,
librin nga dora s’e lëshova,
në banka të shkollës dhe në jetë
punët e kësaj toke i mësova.

Mësova unë se ç’ish mërgimi,
shtëpia pa plëng, sofra pa bukë,
mësova përse mësuesi, imi,
na la dhe mori të largëtën rrugë.

Sot kur dhe vetë me ditar
dal para nxënësve të mi,
e kujtoj mësuesin tim të parë,
arratisur larg në Turqi. /KultPlus.com

Shqiptari që nuk dinte asnjë fjalë shqip

Agim Vinca

Asnjë cigare nuk e kam pirë, cigarja më ka pirë mua”.

Në udhëtimet e mia nëpër botë, nuk ka vend ku nuk kam takuar shqiptarë. Vetëm në qytetin Sète (Setë) në jug të Francës, ku qëndrova këto ditë në festivalin poetik Zërat e Gjallë të Mesdheut, nuk po takoja dot. M’u duk pak e çuditshme kjo gjë, por thashë me vete: “Ky është një qytet i vogël, i veçuar, ku nuk paskan mbërritur ende bashkatdhetarët e mi”.

Po afrohej koha e kthimit, kur, ditën e fundit, derisa po shkoja në leximin që kisha në program atë ditë, tre vetë po vinin drejt meje dhe po më shikonin me një vëmendje disi të pazakonshme. Kur u afruan, dy prej tyre m’u drejtuan në frëngjisht: “A mund t’i flisni shqip këtij shokut tonë?”. “Po”, u thashë, “mund t’i flas atij dhe juve: Mirëdita!”. Njeriut me kapelë e me mjekër të bardhë a la Lenin, i shkëlqyen sytë. “Unë, tha, jam shqiptar, nga Kosova, por nuk di shqip!”. Gjer këtu asgjë e jashtëzakonshme: sa shqiptari i arratisur nëpër botë e ka humbur gjuhën. Disa, madje, jo vetëm atë. Njeriu që kisha përballë, rreth të gjashtëdhjetave, duket se ishte një nga ata: shqiptar që, për shkak të rrethanave në të cilat ka jetuar, e ka humbur gjuhën, por jo edhe kujtesën.

E pashë orën. Për pesë minuta fillonte takimi dhe iu drejtova tre burrave që kisha përballë, e në radhë të parë bashkatdhetarit tim shqiptar: “Mund të vini në rrugën këtu pranë, ku unë do të lexoj poezi shqip (të njëjtat aktorët i lexonin në frëngjisht) dhe, pastaj, pas takimit, mund të rrimë sa të doni e të bisedojmë bashkë”.   

Ashtu edhe u bë. Pas takimit letrar, në të cilin lexuan dy poetë francezë, dy italianë, një poet frankofon nga Haiti dhe një shqiptar (unë, A. V.), u ula me njeriun të cilit ende nuk ia dija emrin, por e dija se ishte shqiptar dhe se jetonte këtu në Setë. E filluam bisedën, natyrisht në frëngjisht, tani vetëm. Mësoj se bashkëbiseduesi im është nga Kosova, se ka lindur në Prishtinë në vitin 1955 dhe se quhet Jusuf Shahini ose Shahin, si e shkruan ai mbiemrin e vet, ngaqë një kohë të gjatë ka jetuar në Turqi. Shtëpinë e kemi pasur, thotë, jo larg nga “hoteli i madh”, në qendër të Prishtinës. Nuk e di a mendon për Grandin e ndërtuar shumë më vonë nga koha kur ka lindur ai, apo për Bozhurin e dikurshëm, por kjo s’ka rëndësi. E rëndësishme është që ai është nga Prishtina dhe se rrjedh nga ato familje prishtinase, që i kanë pasur shtëpitë në qendër të qytetit. Familja e tij është shpërngulur nga Kosova për në Turqi në vitin 1956, në kohën e aksionit famëkeq të mbledhjes së armëve, kur Jusufi ka qenë vetëm një vjeç e gjysmë.

Janë vendosur në Izmir. Atje është rritur dhe shkolluar (ka kryer studimet për grafist dhe merret me zanatin e tij, si thotë, por këtu jeton nga një restorant). Me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë, që shpreh njëlloj vetironie, thotë dhe se i ka takuar lëvizjes marksiste-leniniste, e cila, në vitet ’70, ka qenë mjaft e përhapur në Turqi, veçanërisht në mesin e të rinjve. Pak më vonë, kur bisedën do ta vazhdojmë në restorantin e tij, do të thotë, me të qeshur: “Mua këtu më thërrasin Enver Hoxha!”. (Le të themi kalimthi se udhëheqësi komunist shqiptar, Enver Hoxha, ka studiuar jo larg nga këtu, në Monpelje, që është rreth njëzet minuta larg nga Seta).

Bashkëbiseduesi im, njeriu me mjekër a la Lenin e me kaçketë të bardhë, që s’e heq për asnjë çast nga koka, flet qetë, ngadalë dhe disi rëndë, ndoshta ngaqë evokon të kaluarën e vështirë (të vetën dhe të familjes së tij), ose ngaqë i vjen rëndë që nuk di asnjë fjalë shqip. Madje, as përshëndetjen time në fillim të takimit letrar, shqip: “Mirëdita të gjithëve dhe mirë se keni ardhur!”, thotë se nuk e ka kuptuar dhe se nuk do ta dinte kuptimin e atyre fjalëve, po të mos i kisha thënë të njëjtat edhe në frëngjisht.

Herë pas here buzëqeshja e tij e lehtë, në fytyrën e mprehtë, pak të kuqe, shoqërohet edhe me një ndjenjë malli e mallëngjimi, në mos edhe faji. Është e pamundur të të mos kujtohet në këtë rast poçari i Dritëro Agollit, i poezisë së famshme me të njëjtin titull, i cili, në dyqanin e tij, në Stamboll, i hidhet në qafë bashkëbiseduesit të vet, turistit shqiptar që ka hyrë në dyqan të blejë një vazo për kujtim, duke e lutur që ta shajë dhe një herë shqip! “Ngjarja” është pak a shumë e ngjashme, veçse në këtë rast nuk zhvillohet në qytetin e madh e të zhurmshëm buzë Bosforit, por në qytetin e vogël e të qetë Setë në breg të detit Mesdhe, ku janë mbledhur poetë nga 35 vende të botës, kryesisht nga vendet e Mesdheut, por edhe nga Amerika latine (Argjentinë, Meksikë etj.) e Kuebeku, që flasin e shkruajnë në 18 gjuhë të ndryshme dhe që do të qëndrojnë plot tetë ditë këtu, nga 24 korriku deri më 1 gusht.

Personazhi i këtij shkrimi, prishtinasi i vjetër Jusuf Shahini, i cili është larguar përgjithmonë nga vendlindja e tij pothuajse sapo ka ardhur në jetë, i ka parë në qytet pllakatet me emrat e poetëve dhe të vendeve nga vijnë, e ka shfletuar librin me portretet e poetëve dhe programin e Festivalit, që u është shpërndarë të gjitha bizneseve në këtë qytet, i cili një javë të plotë jeton vërtet me poezinë dhe është nisur, bashkë me dy miq të tij francezë, për në zyrën e Festivalit për të takuar dikë që vjen nga vendi i tij i lindjes dhe që flet gjuhën e të parëve të tij.

Fati i familjes së Jusufit është i ngjashëm me atë të shumë familjeve të tjera shqiptare nga Kosova e Maqedonia, të cilat, në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar, por edhe më vonë, për shkak të presionit politik dhe gjendjes së vështirë ekonomike, braktisën vendlindjet e tyre dhe morën rrugën e mërgimit.

Babai im, thotë Jusufi, ishte komunist, kurse daja ballist. Që të dy mendonin se i shërbenin Kosovës: i pari, i bindur se socializmi do t’i zgjidhte të gjitha problemet e Ballkanit, përfshirë edhe çështjen e pazgjidhur të popullit shqiptar, kurse i dyti duke pandehur se me ndihmën e forcave hitleriane, do të mund të arrihej Republika Shqiptare e Kosovës, në të vërtetë bashkimi i saj me Shqipërinë. Luftë ishte dhe në luftë jo gjithmonë njerëzit dinë të orientohen drejt e të zgjedhin anën e duhur, kurse në Luftën e Dytë Botërore, shqiptarët këndej kufirit e pësuan edhe atëherë kur zgjodhën rrugën e vërtetë: atë të luftës kundër fashizmit. Kur lufta mori fund dhe erdhi “liria”, vazhdon Jusufi, daja ra në burg, kurse babai u përjashtua nga partia, sepse nuk deshi të ndahej nga motra e “armikut të popullit”, që ishte gruaja e tij dhe nëna e Jusufit të vogël, pothuajse të posalindur në një shtëpi të vjetër prishtinase, diku në qendër të kasabasë së dikurshme.

Në fillim rrëfimi i Jusufit ishte disi i ndrojtur, i rezervuar dhe ngapak fragmentar. E kuptueshme. Sapo jemi njohur dhe kemi përjetuar që të dy nga një befasi, secili në mënyrën e vet: unë që takova, më në fund, një shqiptar në Setë, në ditën e shtatë të qëndrimit tim këtu, kurse ai që po takonte një poet dhe intelektual shqiptar, që vinte këtu jo thjesht për vizitë, por për të ligjëruar shqip si i barabartë mes të barabartëve. Flasim në një gjuhë që për të dy ne është e huaj, sado që ai jeton në vendin ku flitet kjo gjuhë gati një çerek shekulli, kurse unë kam ardhur këtu vetëm për disa ditë, për t’u bërë pjesë e një manifestimi të madh e letrar e kulturor, festivalit poetik VOIX VIVES de Méditerranée en Méditerranée (ZËRA TË GJALLË nga Mesdheu në Mesdhe) dhe për t’u kthyer sërish andej nga kam ardhur dhe tek e kanë zanafillën vargjet e mia, që këtu, për çudi, hasën në një pritje të ngrohtë të publikut dhe të kolegëve poetë, e cila më befasoi, pak a shumë, edhe mua, autorin e tyre.

Derisa po bisedoja me Jusufin në bufenë e improvizuar të Zyrës së Festivalit, ku orë e çast parakalojnë njerëz, kryesisht poetë ngjyrash, pamjesh, gjuhësh, veshjesh e shprehish të ndryshme, por edhe anëtarët e vyeshëm të ekipit që kujdeset për mirëvajtjen e Festivalit, kryesisht vajza e gra, befas ia behu kolegia ime, poetja dhe arkeologia Edi Shukriu (ish-bashkëshortja e Ukshin Hotit), po ashtu pjesëmarrëse në festival, me të cilën punojmë tash dyzet e më shumë vjet në të njëjtin universitet – në Universitetin e Prishtinës.

Edi është nga Prizreni dhe flet ngapak turqisht, kështu që biseda bartet herë-herë edhe në këtë gjuhë. Edhe unë çoç ia them ndonjë fjalë, nga ato që kam mësuar në gjimnaz, rreth pesëdhjetë vjet më parë, nga bashkënxënësit e mi të qytetit apo edhe më vonë me rastin e ndonjë vizite në Turqi a diku tjetër ku flitet turqishtja.

Jusufi insiston të shkojmë në restorantin e tij, të hamë dhe të pimë diçka. “Drekë sapo kemi ngrënë, Jusuf”, i themi gati njëzëri, “kurse për të pirë edhe mund të pimë diçka”. Nisemi ngadalë në këmbë që të tre, duke shkëmbyer rrugës ndonjë fjalë. “Qenkeni ftohur”, i thotë Jusufi zonjës që kemi në mes. Ajo nuk e merr vesh, ngaqë nuk flet frëngjisht. “Jo”, i them unë. “Pi shumë duhan”.  Dhe m’u kujtua vargu që shkroi Edi në koleksionin “Livre de pauvre” (Libri i të varfërve) të poetit dhe animatorit francez Daniel Leuwers, themelues i Shoqatës Ndërkombëtare të Kritikës Letrare, që ka degë edhe në Prishtinë:  “Asnjë cigare nuk e kam pirë, cigarja më ka pirë mua”. Danieli na luti të bëheshim pjesë e këtij koleksioni, i cili përbëhet nga gjithsej katër kopje me vargje të shkruara me dorë në karton dhe me ilustrimet e një piktori, të piktorit Thierry Lambert/ Tjeri Lamber, “artist autsajder”, siç prezantohet vetë dhe që ilustrimet i bën aty për aty, natyrisht pasi e kupton përmbajtjen e vargjeve. Unë shkrova një pjesë nga poezia lirike Kur jam me ty, kurse Edi vetëm vargun e cituar më lart.

“Asnjë cigare nuk e kam pirë, cigarja më ka pirë mua”.

Restoranti i Jusufit, Jusuf Shahinit, gjendet në rrugën Mario Roustan nr. 51 dhe e ka emrin “Ephese”, që është emri i vjetër i Izmirit, i kohës kur ky qytet ishte pjesë e Perandorisë Bizantine dhe një nga qendrat e rëndësishme të saj. Tarraca e vogël ku zëmë vend sheh nga Kanali Mbretëror (Seta ka dy kanale të lundrueshme), që lidh detin me liqenin dhe quhet kështu për shkak se është ndërtuar në kohën e dinastisë mbretërore të Luigjëve. Si meny restoranti “Ephes” ofron specialitete turke, armenase dhe greke, edhe pse pronari i tij është shqiptar i lindur në Prishtinë. Duke gjerbur kafenë që na e servir Jusufi (është pasdite vonë dhe në restorant nuk ka njeri tjetër pos nesh), vazhdojmë bisedën. I çliruar pak nga emocioni i fillimit, Jusufi vazhdon rrëfimin për veten. Thotë se nga viti 1991 jeton në Francë, fillimisht në Lion, pastaj në Strasburg, kurse në vitin 2001 është vendosur këtu në Setë, ku ka zënë vend.

Po përse shqiptari Jusuf Shahini u shpërngul nga Turqia në Francë?

Në qoftë se babai i tij, ndonëse komunist me bindje, u shpërngul nga Kosova në Turqi për shkak të presionit të regjimit jugosllav, i biri i tij, Jusufi, iku nga Turqia në Francë shkaku i trysnisë së regjimit turk. Meqenëse si student i takonte lëvizjes revolucionare të proveniencës marksiste (tradita familjare e të qenit “i majtë”, do të ishte për të, sikurse edhe për babanë e tij, fatale), Jusufi u mor disa herë në polici, ku u keqtrajtua në mënyrë brutale, por i shpëtoi burgut, si thotë vetë, sepse nuk pranoi asgjë. “Nuk di. Nuk e njoh. Nuk kam ç’të them!” – thotë  dhe shton: “Këto ishin përgjigjet e mia në zyrat e policisë turke”.

Marrjet në pyetje dhe keqtrajtimi fizik e psikik vazhduan me muaj e me vjet, derisa një ditë Jusufi mori një vendim të prerë: të ikte nga Turqia në Perëndim. Bëri ç’bëri, e kaloi Mesdheun dhe erdhi në Francë, ku jeton edhe sot me gruan e tij turke dhe dy fëmijët e rritur, djalë e vajzë. Djali student, vajza nxënëse e shkollës së mesme.

E pyes Jusufin: “A ke qenë ndonjëherë në Kosovë dhe përse nuk vjen më shpesh në vizitë në vendin e të parëve? Hijet e  tyre enden ende në sokaqet e Prishtinës, në oborret e shtëpive, nën hijet e minareve, në gurët e kalldrëmit, në Tauk bashçe, në Gërmi. Kudo”. “Po, thotë, kam qenë. Vetëm një herë. Erdha në verë të vitit 1998 në Prishtinë. Gjendja ishte shumë e rëndë. Rrugët ishin përplot policë serbë. Njerëzit frikësoheshin të flisnin me mua. Si erdha, ashtu edhe u ktheva …”.

Pastaj, shton, shpërtheu lufta që tronditi botën dhe edhe ne këtu u përpoqëm të bënim diç për vendlindjen: të mblidhnim ndihma, të strehonim dikënd, të flisnim ndonjë fjalë për Kosovën dhe vuajtjet e saj në takimet me njerëzit. Dikush edhe në shtyp dhe në mediet e tjera.

Gjatë qëndrimit prej rreth një ore, shumë-shumë një e gjysmë me të, bashkatdhetari ynë i mërguar, që e ka harruar gjuhën e të parëve, njësoj si poçari i Dritëroit, mësoi disa fjalë shqipe: ”Mirëdita. Ditën e mirë! Mirupafshim!”. Sa për fillim kjo nuk është pak. Ndoshta pas këtij takimi, tek ai do të ringjallen zërat e humbur të gjuhës amtare, të strukur thellë në ndërdijen e tij./ KultPlus.com

Jashar Kabashi për librin “Saga e shkronjave shqipe” të Vincës: Një enciklopedi për zanafillën, historinë dhe prapaskenat e Kongresit të Manastirit

Fjala e profesorit Jashar Kabashi me rastin e promovimit të librit  “Saga e shkronjave shqipe” të Agim Vincës.

Zonja e zotërinj dhe studentë të dashur, mirëdita!

Për mua është nder që më është dhënë rasti të jem me ju sot, në këtë auditor madhështor në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, ku unë përfundova semimaturën (klasën e tetë të Shkollës tetëvjeçare) në vitin 1955 dhe Shkollën Normale.

Sot na ka tubuar të gjithëve botimi i librit të profesor Agim Vincës, “SAGA E SHKRONJAVE SHQIPE (KONGRESI I MANASTIRIT: TË THËNA DHE TË PATHËNA) për Kongresin e Manastirit, që u promovua në Shkup kohë më parë, me ç‘rast qeshë edhe unë prezent.

Agim Vinca është pa dyshim njëri ndër poetët më të mirënjohur bashkëkohorë shqiptarë, dhe njëri ndër studiuesit e krijuesit më të dalluar të letërsisë shqipe, por jo vetëm, meqë ai shquhet edhe në shumë fusha të tjera: kritik letrar, teoricien i letërsisë, publicist, përkthyes nga gjuha frënge në gjuhën shqipe dhe intelektual e reagues i guximshëm ndaj fenomeneve të ndryshme shoqërore, politike dhe kombëtare në periudha të vështira për popullin shqiptar të Kosovës dhe më gjerë. 

Libri për të cilin po flasim sot, për mua është një enciklopedi e vogël për zanafillën, historinë dhe prapaskenat e Kongresit të Manastirit, me ç’rast u dha një mesazh i fortë për pajtim kombëtar, ngaqë sundimi gati 5 shekullor i Perandorisë Osmane kishte lënë gjurmë të thella në jetën dhe mendësinë shqiptare. Duke u përcaktuar për alfabetin latin, shqiptarët treguan edhe një herë se jemi popull evropian.  

Ajo çka e bën të veçantë këtë libër dhe fjalën e autorit të mbajtur në Shkup, nuk janë vetëm faktet, zanafilla dhe miratimi i alfabetit, por përshkrimi i këtyre ngjarjeve në mënyrë të paanshme dhe të mbështetura në fakte, lidhur me ndriçimin e kësaj ngjarjeje dhe për të thënat e të pathënat e delegatëve në këtë Kongres dhe miratimin e alfabetit, siç e thotë shkurt autori  “ – një komb – një gjuhë – një alfabet – një drejtshkrim”.

Ky libër është edhe një reflektim i profesorit Vinca për këtë ngjarje të rëndësishme historike dhe për aktorët e saj kryesorë. Nga këndvështrimi i tij i paanshëm, ai ka rivlerësuar disa fakte që nuk janë thënë më parë. Ai ua jep mëritën disa delegatëve që nuk janë vlerësuar si duhet deri tani; dhe trajton një çështje tjetër të rëndësishme që askush nuk e ka prek deri tani –  kompromisin që u arrit në këtë Kongres për zgjidhjen e çështjes së alfabetit.

Autori ka lexuar dhe ka analizuar me kujdes dokumente dhe studime të afro 50 autorëve për këtë Kongres, dhe ka gjetur ç‘kanë thënë dhe ç‘nuk kanë thënë të tjerët para tij. Ai është përpjekur të bëjë një sintezë të mendimit shkencor për këtë ngjarje.

Gjithashtu, ai ka vënë në dukje edhe disa çështje tejet të rëndësishme për arsyet e miratimit të alfabetit, që kishin fituar të drejtën e konkurrimit për një alfabet gjithëkombëtar: alfabeti i Stambollit, alfabeti i shoqërisë “Bashkimi’ dhe alfabeti i shoqërisë ‘Agimi’.

Prof. Vinca ndalet edhe në një pikë të cilën nuk e ka prekur pothuajse asnjë autor deri tani. Ai e  vlerëson lart rolin dhe kontributin e rilindësit tonë të madh, Ndre Mjeda, i vetmi që kishte përgatitje të mirëfilltë në gjuhësi. Për rrezikun e dështimit të Kongresit, dhe për hir të kauzës dhe çështjes kombëtare ai hoqi dorë nga alfabeti i tij dhe sakrifikoi punën e tij 20 vjeçare për hir të interesit të kombit. Me veprimin e tij (tërheqjen e alfabetit të Agimit) Mjeda i dha vetes të drejtën e negociatorit ndërmjet dy palëve të konfrontuara: toskëve dhe  gegëve, me qëllim që të ruhet balanca e marrëdhënieve jug – veri.     

Njësimi i alfabetit të gjuhës shqipe ishte një akt jo vetëm kulturor, por edhe atdhetar, kurse Kongresi një ngjarje me karakter të gjerë kombëtar, që hartoi një program me kërkesa politike, kulturore, e të tjera, që përmbanin 18 pika, ndër të cilat njohja zyrtare e gjuhës shqipe dhe e kombësisë shqiptare, përdorimi i gjuhës shqipe në shkolla fillore në Shqipëri, themelimi i Shkollës së parë të mesme në gjuhën shqipe, Normales së Elbasanit, e cila filloi punën më 1909.

 Me të drejtë thekson prof. Mahir Domi, “Kongresi i Manastirit i dha fund kaosit që zotëronte atëherë dhe prej tij u përpunua alfabeti që ne e përdorim sot, që s’ishte në atë kohë një problem i thjesht gjuhësor apo letrar, por edhe një problem i mprehtë politik.  

Për mua, ky është një libër që e tërheq lexuesin dhe s’mund e lëshon nga dora pa e lexuar deri në fund, dhe për gjithë ata që e duan gjuhën shqipe dhe duan të mësojnë për miratimin e alfabetit të gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit. Të them të drejtën, nuk më kujtohet hera e fundit kur kam lexuar një libër kaq të mirë.

Me këtë rast i uroj profesor Vincës shëndet e suksese të mëtejshme në veprimtarinë dhe krijimtarinë e tij letrare dhe shkencore!

Prof. dr. Jashar Kabashi. / KultPlus.com

Im nip dhe Marinët e historisë

Agim Vinca

(Marinit, për ditëlindje)

Historia shqiptare ka shumë Marinë,
Marin Barleti, Marin Beçikemi, Marin Sirdani…
Burra me nam. Emra që s’shuhen ndër brezni.

Sa shumë Marinë paskësh përkundur nëna Shqipëri!
Barleti, Beçikemi, Sirdani… Deri edhe ai gazetari
që sjell në ekran imazhin e një Shqipërie tjetër.
Marin e ka emrin. Marin Mema.
E ti, im nip, Marin Vinca, që linde në Bruklin,
u bëfsh i urtë e trim si Marinët e vjetër
dhe bir besnik i vendit tënd,
patjetër!

(Ulpianë, 12.12.2022) / KultPlus.com

Poezia në dorëshkrim nga Agim Vinca

Qentë e Sodomës

Agim Vinca

Së pari kafshojnë,
pastaj lehin.
Qentë e Sodomës,
racë e çuditshme!

Dhe ec e dije
kur luajnë bishtin në shenjë miqësie;
kur skërmitin dhëmbët
në shenjë kërcënimi.

Së pari kafshojnë, pastaj lehin
(Kafshojnë natën, lehin ditën) –
Shprehi e lashtë e pedigresë së tyre.

Njësoj i trajtojnë
të gjallët dhe të vdekurit:
gërmojnë eshtrat,
gërryejnë zorrët.

Gjithmonë kështu.
Gjithmonë kështu.

Qentë e Sodomës,
racë fisnike!

1985.

Ilustrimi nga piktori Anastas Kostandini-Taso (Pogradec, 2016) / KultPlus.com

inca

Viti 1908 e meriton epitetin e motit të madh

Agim Vinca

KultPlus ju sjell fjalën e mbajtur në promovimin e librit në kuadër të “Ditëve të Alfabetit”, në Shkup, më 21 nëntor 2022.

Të nderuar miq dhe kolegë,

Përfaqësues të Institucioneve,

Zonja dhe zotërinj!

Rrallë më është dhënë rasti të flas në Shkup, prandaj kërkoj ndjesë nëse e zgjas pak.

Jemi në vitin jubilar të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, që u mbajt në Tiranë në nëntor të vitit 1972. Muaji nëntor është treguar i mbrothët për gjuhën shqipe dhe shkrimin e saj. Në nëntor 1908, “Vjesht’ e tretë”, u bëmë me alfabet, kurse në nëntor ’72 me gjuhë e drejtshkrim të njësuar. Nuk do mend se këto janë dy ngjarje të mëdha në historinë e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare. Nuk mund të mos përmendet këtu edhe Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, e mbajtur në prill të vitit 1968, ku u mor vendimi që shqiptarët në ish-Jugosllavi të përdornin atë gjuhë e atë drejtshkrim që përdorej në shtetin amë, në Republikën e Shqipërisë.

Një komb – një gjuhë – një alfabet – një drejtshkrim! Mund të dukem mbase pak anakronik, por unë vazhdoj të besoj në këtë rend vlerash, ashtu siç besonin ata që më edukuan në këtë frymë. Atyre, mësuesve të mi, të vegjël e të mëdhenj, ua kam borxh dashurinë për gjuhën shqipe, të cilën do të doja t’ua lë trashëgim pasardhësve të mi, të cilëve u kushtohet ky libër dhe brezit të ri në përgjithësi.

Inteligjecia shqiptare duhet t’i kultivojë (dhe mbrojë) vlerat tona identitare, edhe ashtu të rrezikuara nga politikat e gabuara kulturore apo edhe antishqipare dhe nga proceset globale, e jo t’i mohojë e zhvleftësojë ato në emër të “rishkrimit të historisë” dhe të “ndreqjes së padrejtësive të së kaluarës”.

Por ç’ndodh? Është proverbiale sjellja jonë e papërgjegjshme ndaj vlerave dhe shpërfillja arbitrare e rregullave e ligjeve. (E kam fjalën jo vetëm për përgjegjësinë individuale, por edhe për atë institucionale, madje më shumë për këtë të dytën). Për ta konkretizuar këtë konstatim, po sjell një shembull të thjeshtë që ka të bëjë pikërisht me alfabetin. Është e vërtetë se jetojmë në kohën e komunikimit virtual, por kjo nuk na jep të drejtë ta reduktojmë alfabetin e gjuhës shqipe, siç veprojmë shpesh, duke i amputuar pa mëshirë dy shkronjat me shenja diakritike: ë-në dhe ç-në, jo vetëm në komunikimin e përditshëm, por edhe në shkrime e libra. Dhe për këtë nuk ka faj teknologjia (kompjuteri i ka të gjitha), por pakujdesia, kaprici dhe padija.[1]

Konsideroj se kultura shqiptare ka nevojë t’i afirmojë e riafirmojë frymën e Kongresit të Manastirit dhe idetë e atyre që e bënë atë, ndër të cilat, krahas idesë së lirisë kombëtare dhe të emancipimit shpirtëror, spikat edhe ideja e orientimit properëndimor të shqiptarëve si komb.

Rikonfirmimi i këtyre vlerave dhe i kësaj fryme, është një nga arsyet që më nxiti të merrem me këtë çështje.

Arsyeja e dytë është rëndësia e Kongresit për gjuhën shqipe dhe kulturën kombëtare (i dha fund anarkisë dhe hapi epokën moderne të shkrimit shqip), kurse arsyeja e tretë është, pak a shumë, intime: kam lindur në një mjedis i cili në kohën e sundimit osman i takonte Vilajetit të Manastirit dhe jam rritur në një familje që ka pasur një pjesëtar të vetin në Kongres. Ky njeri (Fejzi Vinca), edhe pse djalë i ri, kishte sjellë abetaren e parë në fshat dhe kishte bërë përpjekje të hapte shkollë shqipe në vendlindje qysh në vitin 1908. (Nuk mund të mos them në parantezë se është për të ardhur keq, që emri i tij, i hequr padrejtësisht në sistemin komunist, me dekret, nuk po i kthehet shkollës së Veleshtës as pas tridhjetë e sa vjetësh!).[2]

Të nderuar të pranishëm,

Në këtë libër nuk ka ndonjë zbulim a shpikje spektakolare. Nuk kam pretendime të tilla.

Kam lexuar dhe analizuar me kujdes dokumentet dhe studimet për Kongresin, me fjalë të tjera kam parë ç’kanë thënë dhe ç’nuk kanë thënë të tjerët para meje dhe jam përpjekur të bëj një sintezë të mendimit shkencor për këtë ngjarje të madhe historike. Kjo është, si të thuash, baza teorike e kësaj vepre. Rolan Barti thoshte: “Në margjinat e veprës së të tjerëve unë krijoj veprën time”, ndërsa një shkrimtar bashkëkohor shqiptar, që jeton në botën frankofone, deklaron: “Unë, gjëra të thëna di të them, por nganjëherë shtoj diçka të vogël”.[3] 

Për Kongresin e Manastirit kanë shkruar personalitete të mëdha të kulturës shqiptare, si: Mahir Domi, Shaban Demiraj, Jup Kastrati, Kristaq Prifti, Tomor Osmani, Xhevat Lloshi, Mentor Quku e të tjerë; nga studiuesit shqiptarë në Maqedoni ndër të parët ka shkruar Petro Janura, i cili, me sa di, është edhe autor i tekstit të pllakatit të vënë te Shtëpia e Kongresit në nëntor të vitit 1968, si dhe historiani Ali Vishko, që botoi, në fillim të viteve ’90, një libër për kongreset e alfabetit dhe të shkollës shqipe, por me çështjen e alfabetit shqip janë marrë edhe studiues të huaj si Peter Bartl, Robert Elsie e të tjerë.

Kongresi i Alfabetit u mbajt në kohën dhe vendin e duhur, por a ishte i duhur edhe vendimi që mori? Nga perspektiva e sotme mund të thuhet shkoqur se konteksti historik ishte i përshtatshëm: fillimi i Revolucionit Xhonturk dhe shpallja e Hyrietit (verë-vjeshtë 1908), sepse një vit më vonë do të ndryshonin rrethanat: xhonturqit do të fillonin fushatën kundër alfabetit latin, kurse vendi ishte po ashtu i qëlluar: Manastiri, qendër Vilajeti dhe qytet me infrastrukturë moderne për kohën (me hekurudhë, shtypshkronjë etj.), ndërsa sa i përket Vendimit, që ishte një lloj kompromisi, sepse u lanë në përdorim dy alfabete, do të mund të thuhej se nuk ishte një zgjidhje ideale, por një zgjidhje e mençur, që ruante balancat kombëtare dhe e bënte më të lehtë komunikimin mes shqiptarëve.

Koha do të bënte zgjedhjen e vet: alfabetin që kemi sot, me të cilin është shkruar një vargmal i tërë veprash letrare e shkencore, që e nderojnë kulturën shqiptare në vend dhe në botë.

Krijimi i një alfabeti të përbashkët për të gjithë shqiptarët qe bërë në fund të shek. XIX dhe sidomos në fillim të të njëzetit imperativ i kohës. Ja si e paraqet Gjergj Qiriazi në raportin e tij dërguar Shoqërisë Biblike të Londrës nevojën urgjente të krijimit të një alfabeti unik: “Le të kemi qoftë edhe alfabetin kinez ose japonez, mjaft që kjo çështje të zgjidhet, sepse po të mos e arrijmë Shqipërisë do t’i vijë një humbje e madhe”.

Në Kongres, siç dihet, konkurronin tre alfabete për alfabet kombëtar: alfabeti i Stambollit, i përfaqësuar nga Mid’hat Frashëri; alfabeti i shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës, i përfaqësuar nga Gjergj Fishta dhe alfabeti i shoqërisë “Agimi”, pas të cilit qëndronte Ndre Mjeda.

Nga të gjithë delegatët e Kongresit, Mjeda ishte më i dituri në punë të gjuhës dhe i vetmi që kishte përvojë ndërkombëtare në tribuna shkencore.[4] Mirëpo, kur pa rrezikun e dështimit të Kongresit, vendosi ta tërhiqte alfabetin e tij nga tryeza e bisedimeve, duke sakrifikuar punën e vet njëzetvjeçare për hir të interesit kombëtar. Gjesti i tij do të duhej të ishte mësim për ne sot, sepse është pikërisht kjo gjë që refuzojnë ta bëjnë shqiptarët: të heqin dorë nga “kauza” vetjake për hir të kauzës kombëtare.  

Të nderuar kolegë, studiues e të tjerë,

Për Kongresin e Manastirit, si për çdo ngjarje historike, duhet folur me fakte e të dhëna shkencore, parim që jam përpjekur t’i përmbahem edhe unë në librin tim, por pa e shndërruar atë në grumbull tabelash, grafikësh e citatesh. Kam dashur t’i qasem temës së Kongresit në mënyrën time, duke gërshetuar diakroninë me sinkroninë, analizën me sintezën, qasjen eseistike me rreptësinë shkencore. Nuk kam mundur të hesht ndaj ndonjë paragjykimi për Kongresin apo edhe ndonjë ideje “heretike” për alfabetin të shfaqur në shtypin dhe publicistikën tonë, duke i dhënë punimit, herë-herë, karakter polemik, por të një polemike shkencore e jo ad hominem.

Kongresi i Manastirit ishte mbledhje, konferencë, por edhe festë: në të u mbajtën fjalime mbresëlënëse dhe u bënë debate shkencore, por u shtruan edhe dreka e darka dhe u kënduan këngë e hodhën valle. Thuhet se në dy ditët e fundit të Kongresit, pas shpalljes së Vendimit, Çerçiz Topulli e Mihal Grameno, njëri luftëtar, tjeri poet, kurse që të dy delegatë, kënduan dhe vallëzuan një këngë kaçakësh, nga e cila na kanë mbërritur vetëm dy vargje: “Gjithë Ballkani qirilisht/ En shqiptari shqiptarisht”.

Dua t’i them dy fjalë edhe për titullin e librit: Saga e shkronjave shqipe. “Ç’kuptim ka fjala sagë dhe përse kjo fjalë”?, mund të pyesë dikush me të drejtë. Sagë është fjalë e huaj, por e ka edhe Fjalori i gjuhës shqipe: “Këngë epike popullore ose legjendë e përhapur sidomos në vendet skandinave në mesjetën e hershme”. Tek unë (në librin tim) fjala “sagë” ka kuptim simbolik: historia e alfabetit shqip është një sagë e vërtetë: shkronjat shqipe janë larë me gjak! Përderisa titulli është figurativ, nëntitulli ka funksion shpjegues, eksplikativ: Kongresi i Manastirit: të thëna dhe të pathëna.

Për Kongresin e Manastirit është folur e shkruar shumë, aq sa mund të thuhet se janë thënë pothuajse të gjitha, por kjo nuk do të thotë se nuk duhen hulumtuar edhe të pathënat e tij: aspekte që nuk janë vënë në pah mjaftueshëm dhe personazhe që nuk u është dhënë vendi i merituar apo edhe e kundërta, që mund të jenë mbivlerësuar, siç ndodh jo rrallë ndër ne.

Ky libër është edhe një homazh për gjithë atë plejadë të madhe poetësh, shkrimtarësh, gjuhëtarësh, publicistësh, intelektualësh e veprimtarësh të Rilindjes Kombëtare dhe të periudhave të mëvonshme, përfshirë edhe armatën e madhe të mësuesve të thjeshtë anembanë Shqipërisë, që mbollën te brezi i ri farën e diturisë dhe të dashurisë për atdheun, gjuhën dhe shkollën shqipe.

Para se ta mbylli fjalën time, nuk mund të mos shfaq edhe një emocion personal.

Mungon në këtë sallë një vizitore e rregullt e promovimeve të mia, motra ime, Halidja (Halide Vinca-Kastrati), e cila u nda nga jeta rreth një muaj më parë. Mungesa bëhet edhe më e ndjeshme këtu në Shkup, ku ajo e kreu Normalen, si e para vajzë e vendlindjes (më vonë edhe Akademinë Pedagogjike) dhe filloi punën si mësuese, detyrë që e ushtroi me përkushtim të madh gati gjysmë shekulli. E ndjera ishte jo vetëm mësuese, por edhe lexuese e rrallë, prandaj, më lejoni, të nderuar miq, që këtë përurim t’ia kushtoj asaj.

Dhe, krejt në fund, edhe diçka.

Një ish-student imi, mësues letërsie në një shkollë të mesme, ndërsa po ia nënshkruaja librin, më tha: “Kam dëshirë, profesor, t’i shoh librat tuaj me letër cilësore e kopertina luksoze”. “Për librat, më shumë se letra dhe kopertinat ka rëndësi përmbajtja”, i thashë ish-studentit e mikut tim të mirë dhe sakaq shtova: “Shpresoj të të plotësohet dëshira një ditë, kur të botohen veprat e mia të plota”. Deri atëherë uroj të jemi gjallë e shëndoshë dhe të shihemi edhe në takime të tjera si ky në Shkup, në Prishtinë, në Tiranë dhe kudo tjetër në hapësirën shqiptare.

Edhe një herë faleminderit dhe mirupafshim! / KultPlus.com

Doli nga shtypi libri i Agim Vincës “Saga e shkronjave shqipe (Kongresi i Manastirit: të thëna dhe të pathëna)”

Në botim të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës dhe të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, doli nga shtypi libri i Profesor Agim Vincës me titull “Saga e shkronjave shqipe (Kongresi i Manastirit: të thëna dhe të pathëna)”.

Fjala është për një studim kritik mbi këtë ngjarje të madhe të historisë dhe kulturës shqiptare, që zhvilloi punimet në qytetin e Manastirit, atëbotë qendër e Vilajetit, prej 14-22 nëntor 1908. Autori konsideron
se Kongresi i Manastirit zgjidhi një nga çështjet fundamentale të kulturës shqiptare: atë të alfabetit të njësuar të gjuhës shqipe, që i hapi rrugë edhe njësimit të drejtshkrimit të saj rreth shtatëdhjetë
vjet më vonë.

“Ky libër – thekson prof. Rami Memushaj në recensionin e tij – është një reflektim i autorit për këtë ngjarje historike dhe për aktorët e saj kryesorë. Faktet të cilave u referohet autori interpretohen me gjakftohtësi e paanësi dhe bëhen përpjekje për t’u dhënë vendin e duhur disa delegatëve të Kongresit, meritat e të cilëve nuk janë vlerësuar si duhet e sa duhet”, ndërsa recensenti tjetër, prof. Avzi Mustafa, nënvizon se studimi i prof. Agim Vincës është jo vetëm i vlefshëm e dobiprurës, por edhe i  domosdoshëm, sepse dëshmon me akribi shkencore se gjuha shqipe, me alfabetin e saj, është stabilizuar tashmë dhe ka një zhvillim të shkëlqyer, duke u përfaqësuar në mijëra botime, vepra letrare, shtyp, tekste shkollore e shkencore etj.

Ndërkaq, publicisti Mustafa Nano në fjalën e tij, pasi e vlerëson librin si një interpretim të ri të Kongresit të Alfabetit dhe të vendimeve të tij, autorin e librit e cilëson si “një nga zërat e veçantë të botës intelektuale e akademike të Kosovës” dhe shton: “Unë rrallë kam njohur në Kosovë (por edhe në Shqipëri) dikë që ta dojë, ta njohë e ta mbrojë gjuhën amtare ashtu si Vinca”.


Libri “Saga e shkronjave shqipe (Kongresi i Manastirit: të thëna dhe të pathëna)” përbëhet nga dhjetë kapituj dhe shoqërohet me rezyme në gjuhën shqipe, në anglisht e në frëngjisht, si dhe me një album të
vogël dokumentesh dhe fotografish./ KultPlus.com

Një jetë me ditar në dorë

Agim Vinca

(Motrës, Halides, në vend të lamtumirës)

Dyzet e gjashtë vjet me ditar në dorë, nga mosha 19 vjeç kur e kreu Normalen, e deri kur doli në pension. Dyzet e gjashtë vjet, një jetë e tërë, pa munguar kurrë, as edhe një ditë të vetme, pos në rast sëmundjeje a vdekjeje në familje

Ishte privilegj ta regjistroje djalin a vajzën, nipin a mbesën, në klasën e mësueses Halide. Gara ishte e fuqishme. I doje nxënësit si fëmijët e tu dhe i trajtoje të gjithë njësoj: të varfër a të pasur, bij intelektualësh apo fëmijë fshatarësh, gjithsecilit ia jepje hakun që i takonte.

Ishe e para vajzë veleshtare që shkoi në Shkollën Normale në Shkup, në vitin e largët 1960. Normalja “Zef Lush Marku” ishte shkollë dhe konvikt, me profesorë e edukatorë, me orar mësimi e studimi, me restorant (mensë) e mbrëmje vallëzimi. Një çerdhe e vërtetë dijeje e mësimi, por edhe kulture e formimi, ku vijonin mësimet të rinj e të reja nga të gjitha viset shqiptare në Maqedoni e më gjerë… Më kujtohet kur erdhe në gjysmëvjetor, kishe ndryshuar shumë, fytyra të qe pastruar nga njollat e diellit (“leçe” u thonë në Veleshtë), ishe rritur e zbukuruar. Kushtet e jetës në fshat atëbotë ishin të vështira, kurse atje në kyeqytet, sado-kudo, ushqimi ishte më i rregullt dhe kushtet e banimit pak më të mira.

Në udhëtimin tënd drejt dijes kishe shumë shokë e shoqe, por shoqe jote e jetës mbeti ladorishtarja Naze, që u nda nga ti e fundit në varrezat e Prishtinës në Dragodan (Arbëri).

Nuk ishte e lehtë “të thyhej akulli” rreth shtatëdhjetë vjet më parë, kur prapambeturia qëndronte këmbëkryq në vatrat tona. E kush do t’ia bënte fora pos familjes Vinca, një pinjoll i së cilës e kishte sjellë i pari Abetaren në fshat? “Si, or Nexhat, e çove cucën n’shkollë, n’Shkup?”, e kishin ngacmuar babën tonë të urtë e besimtar ca fshatarë zevzekë e fanatikë, kurse hoxha i fshatit nuk i kishte folur një kohë të gjatë. Ishte herezi t’i prisje flokët e të dilje zbuluar në kohën kur edhe ngarja e biçikletës quhej mëkat, sepse “toçaku” ishte vegël e shejtanit!

Në Normale këndoje në korin e shkollës, por shquheshe edhe si soliste. Repertori yt ishte i gjerë, por këngë jotja e preferuar ishte “Si m’ke sytë, m’i ke vetullat”, që e këndoje shpesh në ndeja e gazmende familjare me sy gjysmë të mbyllur. (Si refleks i largët i kësaj kënge të moçme, m’u fiksuan në kujtesë sytë dhe vetullat e tua në çastet e fundit në spital!). Këndoje bukur, sikurse edhe Shpresa, kurse vajtimin, ndryshe nga ajo, nuk e kishe zanat. Ndoshta ngaqë duke qenë më e vogla, këtë “barrë” në familje e kishin mbajtur nëna dhe motrat e mëdha.

Karrierën si mësuese e fillove në vendlindje, për ta vazhduar, pas martesës, në Shkup, kurse nga viti 1973, në Prishtinë, ku fillimisht punove në shkollën speciale për të verbër, duke e mësuar edhe alfabetin e Brajit.

Punove gati një çerek shekulli në “Hasan Prishtinë”, pastaj në shkollën “Gjergj Fishta”.

Nuk pushove për asnjë çast as në kohën e aparteidit, kur ti dhe kolegët e tu mbanit mësim në bodrum, kurse ata të tjerët në katet e sipërme. Pas çlirimit të Kosovës, kur erdhi liria e fituar me aq mund e sakrifica, Dositeji shkoi nga kishte ardhur dhe shkollës iu kthye sërish emri i mëparshëm (“Hasan Prishtina”), tok me bustin e Heroit në oborrin e saj. Kalove në shkollën tjetër me emër të madh, “Gjergj Fishta”, duke u shkëmbyer me një kolege për arsye praktike, për ta vazhduar punën si gjithnjë me zell e përkushtim të madh.  

Edhe pse vetëm me Normale e Akademi Pedagogjike, kishe njohuri më shumë se shumë njerëz me tituj shkencorë. Lexoje vazhdimisht, përveç shtypit, edhe vepra letrare: romane, poezi, libra publicistikë etj. Me libër bije e ngriheshe. Gjuhën e flisje bukur, pastër, shqip; edhe e shkruaje pa gabime. E, megjithatë, gjithë jetën emri të mbeti me dy trajta: Alide në vendlindje, në Veleshtë e në Strugë; Halide në Prishtinë e në Shkup.

Me punën dhe sjelljen tënde nderove veten e familjen, por edhe rrethin ku jetove e veprove. Fitove respektin e kolegëve dhe dashurinë e nxënësve, që në punën tënde zinin vendin kryesor, ashtu sikurse edhe ata e kishin në zemër mësuesen e tyre të dashur.

Ish-nxënësit e tu të vizitonin; të shkruanin e të telefononin; të dhuronin lule e libra; të ftonin për kafe a edhe për drekë a darkë në ndonjërin nga restorantet e Prishtinës, ku ktheje shpesh me shoqet e tua pas shëtitjeve të mëngjesit në Gërmi e Taukbahçe.

Ishe e urtë e paqësore dhe u qëndroje larg sherreve, por nuk lëshoje pe kur duhej mbrojtur shkolla shqipe dhe gjuha amtare. Nuk po përdori fjalë të mëdha si “çështja kombëtare” dhe “interesi kombëtar”, që kanë nisur të na i neveritin zhurmaxhinjtë e pasluftës, ata që gjatë tërë jetës kanë kënduar ashtu siç u diktonte pushteti i kohës. (Të kujtohet peticioni i vitit 1989 me 1200 nënshkrime në mbrojtje të emrit të shkollës sate, tekstin e të cilit e shkrova unë, kurse ti me nxënësit e tu u kujdesët që t’i mblidhnit nënshkrimet e prindërve, disa prej të cilëve, nga frika, nënshkruanin në mënyrë krejt të palexueshme?).

E doje shumë natyrën… Në pushimet e verës shkoje me dëshirë në vendlindje për t’i vizituar të gjithë me radhë, familje e farefis, por edhe për të pushuar pak buzë Drinit a në plazh nën rrezet e diellit…

Ndejën e fundit e patëm në ditëlindjen time, më 22 maj të këtij viti, në Prizrenin e bukur. Ishte dreka jonë e fundit e përbashkët, thellë në grykën e Lumëbardhit. Sapo ishin shfaqur shenjat e sëmundjes, që do të të shtronin në spital dhe në shtrat pas operacionit.

Nuk më heq zemra të shënoj përvjetor a të bëj promovim libri pa ty, që ishe vizitore aq e rregullt e tyre, tok me shoqe, edhe pse e di, jam plotësisht i sigurt, se ti nuk do ta doje këtë.

Dëgjimi i rënduar në vitet e fundit, që ishte pasojë e “muzikës” gjysmëshekullore të “kosheres së bletëve”, klasës përplot me nxënës, ishte burim humori për ne. Një ditë në mëngjes, në ditët e mbylljes në karantinë, zhvilluam këtë dialog me telefon: “A e ke dëgjuar Këngën e mjekut?” – të pyeta unë, ndërsa ti m’u përgjigje: “Vetëm unë jam zgjuar. Të tjerët janë në gjumë”. Ishte koha kur u mbyllën rrugët dhe sheshet e Prishtinës, por jo edhe dyert e zemrës.

Jeta jote nuk qe pa sfida, por të gjitha i përballove me durim e qetësi.

Nënë, motër, gjyshe, teze e hallë, ti ishe edhe lexuese e rrallë. Ndër librat e fundit që lexove qenë Ditari im i pandemisë, ku je edhe personazh dhe libri bestseler i Lea Ypit “Të lirë, të jetosh në fund të historisë”, që flet për Shqipërinë e diktaturës dhe të tranzicionit, parë me sytë e një vajze të zgjuar shqiptare, që po bën emër në botë. Në “muajin e librit”, si quhej dikur tetori, unë humba motrën, por edhe lexuesen time të rregullt. (Ky është shkrimi im i parë që ti nuk do ta lexosh si zakonisht, fizikisht, por besoj se do ta ndjesh edhe atje tek je, çuditërisht!). Në kohën kur lexuesit si ti janë specie në zhdukje kanë arsye të pikëllohen edhe miqtë e mi shkrimtarë.

Nuk kanë të sosur kujtimet, motër dhe unë s’di nga t’ia nisi e ku të bitisi.

Kur rashë në spital tre-katër vjet më parë, më the: “Dua të vdes para teje, jo vetëm pse jam më e madhe, por edhe që të më kushtosh poezi si Vaes e Zinijes”. (Nuk e përmende dhimbjen tonë të madhe, Shpresën). “Ty do të të kushtoj për së gjalli dhe jo poezi, por tregim” – të thashë.

Nuk e mbajta premtimin, sepse nuk e prisja që ti, motra ime e vogël, e vetmja që më kishte mbetur, të ikje kaq shpejt.

I deshe shumë “loçkat e tua”: Vjolën e Tanën, Borën e Lean, Marinin e Lirin (ah!), por nuk arrite ta njihje anëtarin më të ri të familjes, Nolin e vogël. Do t’i flasim për Ty kur të rritet dhe urojmë që të ketë një mësuese si ti kur të shkojë në shkollë.

Ike pa e thënë fjalën e fundit, pa na thënë “lamtumirë”, sepse në muajt e fundit të jetës ishe në komë. Nuk di në ishte komë a diçka tjetër, por di se na brengosi pa masë gjendja jote. Merrje frymë dhe i pranoje ushqimin e ilaçet, por nuk flisje. Gojë kishe, gojë s’kishe! Shpresoj t’i kesh dëgjuar dhe t’i kesh marrë me vete, si peng dashurie, fjalët që t’i thoshin të dashurit e tu që të rrinim mbi krye ditë e natë dhe në mënyrë të veçantë mbesa Vlerë, që tregoi një kujdes të pashembullt dhe një dashuri të paparë prej bije, por edhe familjarët e tjerë, që u kujdesën për ty deri në fund, ashtu siç u kujdesën edhe për përcjelljen tënde në banesën e fundit dhe për pritjen e njerëzve që hynë e dolën varg në shtëpinë tënde në Taslixhe në ditët e “të pames” tradicionale.

Tri ditë rresht si në ekran e kam parë motrën time me sytë e të tjerëve: miqve, kolegëve, prindërve, ish-nxënësve. Gjithë ai respekt e dashuri e paparë, që jo vetëm të mallëngjen, por edhe të bën krenar. Dhe nuk e kam për turp të them me keqardhje dhe ndoshta edhe me një dozë kritike se nuk e kisha njohur sa duhet motrën time!

Lamtumirë, motërmira ime! U prehsh në paqe!

Prishtinë (Ulpianë), 25 tetor 2022/ KultPlus.com

Vinca: Libri është baza e qytetërimit

Është mbajtur Panairi i 2-të i Librit “Diaspora 2022” në qytetin Uster të Zvicrës. Në hapje të Panairit, një fjalë rasti e mbajti edhe profesori Agim Vinca e të cilën KultPlus ju sjell të plotë.

Të dashur bashkatdhetarë,
Vëllezër dhe motra,
Zonja dhe zotërinj!

Ka njëzet vjet e më shumë që në Tiranë e Prishtinë, por edhe në qendra të tjera shqiptare, mbahen për çdo vit panaire të librit, por është hera e dytë që një veprimtari e tillë, pra një panair libri, organizohet në diasporë.

Përgëzimet tona shkojnë në adresë të organizatorit, shoqatës “Bashkimi” dhe drejtuesve të saj me kryetar bashkëvendësin tim, Guximtar Alushin nga Kalishti i Strugës, një fshat i bukur buzë Liqenit, i njohur si fshat peshkatarësh dhe poetësh. Nuk mund të mos e përshëndes me këtë rast ish-studentin dhe mikun tim, dr. Vaxhid Sejdiun, frymëzuesin e veprimtarive kulturore në diasporë dhe misionarin e shkollës shqipe në këtë qytet dhe më gjerë.

Në qershor të këtij viti në Prishtinë qe hapur Panairi tradicional i Librit, i 22-ti me radhë. Kam qenë njëri nga ata që folën në hapje të këtij eventi, krahas Kryetarit të Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Ministrit të Kulturës, Kryetarit të Komunës dhe mysafirit nga Franca, shkrimtarit Claude Arnaud. Me atë rast, në fjalën time, ndër të tjera pata thënë:

“Pas një pauze të imponuar dyvjeçare, Prishtina po i hap përsëri dyert e Panairit të Librit, dyert e artit dhe të letërsisë, të dijes dhe kulturës, ato dyer që s’ka mundur t’i mbyllë kurrë asnjë epidemi, asnjë pushtet dhe asnjë pushtues.

Fjala shqipe është treguar më e fuqishme se pengesat me të cilat është ndeshur në shekuj; i ka mposhtur ato dhe ka ardhur edhe më e gjallë e më e bukur, sikurse gjuha me të cilën shkruhet. Fjala në përgjithësi, kurse fjala e shkruar në veçanti, i ka hapur gjithmonë dyert e shpirtit dhe të mendjes, të lirisë dhe paqes, dyert e Jetës, që askund tjetër nuk frymojnë si në Libër.

Librat shkruhen në heshtje e vetmi, por libri nuk ka kuptim pa atë që i dedikohet, Lexuesin. Dikur ndër ne ka ndodhur që janë djegur librat si në mesjetë. Djegia e librit është krim, por shpërfillja e librit krim edhe më i madh. Kur vlerën e librit e shpërfill një person pëson kultura e tij, ndërsa kur këtë e bën një shoqëri vihet në pyetje ardhmëria e saj”.

Pesëdhjetë vjet më parë, kur panairet mbarëkombëtare të librit nuk mund të imagjinoheshin, unë pata botuar librin tim të parë me poezi, Feniksi (1972). Ishte kohë e trysnisë dhe censurës ajo e para gjysmë shekulli, kur letërsia shqipe krijohej e ndarë dhe e izoluar.

Sot, natyrisht, kanë ndryshuar rrethanat. Harta e letërsisë shqipe nuk është më ajo e dikurshmja. Tani ajo krijohet në Shqipëri e në Kosovë, në Maqedoni e Mal të Zi, tek arbëreshët e Italisë dhe në diasporën e gjerë shqiptare në botë, ku Zvicra zë pa dyshim vend parësor. Ju shkruani, botoni, përktheni, promovoni… Krijoni vlera dhe i konsumoni ato. Zhvillimi teknologjik ka bërë revolucion në komunikimin mes njerëzve. Falë internetit dhe mjeteve të komunikimit digjital, Shqiptarët që jetojnë në gjashtë shtete të Ballkanit dhe të shpërndarë pothuajse në të gjitha kontinentet e botës, komunikojnë më lirë e më shpejt se kurdoherë më parë.

Të dashur miq dhe kolegë,
Lexues, botues, krijues!

Ju jetoni në një vend që ofron shumë vlera e mundësi dhe duhet të përfitoni nga ato, duke u integruar në shoqërinë zvicerane, duke u bërë pjesë e saj, por duke ruajtur identitetin kombëtar dhe në radhë të parë gjuhën shqipe, që është tipari i parë dhe kryesor i identitetit tonë, ADN-ja jonë.

Ju jetoni në vend të huaj, të rrethuar nga gjuhë e kultura të tjera, por lidhjet tuaja me vendlindjen janë të forta. E di se nuk e keni lehtë, sepse rrethanat e bëjnë të vetën, por para jush shtrohet një problem, që do të mund të përmblidhej në dy fjalë: integrim po, asimilim jo!

Kjo vlen posaçërisht për brezin e ri, për ata që kanë lindur e janë rritur këtu dhe shkollohen në gjuhë të huaj. Shumë të rinj e të reja kanë arritur sukses të madh në fusha të ndryshme të jetës dhe të dijes, nga ekonomia e biznesi gjer tek arsimi, shkenca, arti e sporti. Bijtë dhe bijat tuaja me punën dhe talentin e tyre nderojnë veten, familjet e tyre dhe mbarë kombin.

Diaspora jonë i ka dhënë kontribut të madh çështjes sonë kombëtare, luftës për liri në Kosovë dhe për të drejta kombëtare e njerëzore në viset e tjera shqiptare. Shkolla shqipe këtu, më shumë se kudo, ka rol specifik: ruajtjen e lidhjeve me vendlindjen dhe traditën e të parëve, nëpërmjet njohjes së gjuhës, historisë dhe kulturës. Ky synim nuk mund të arrihet kurrsesi pa Librin, që është baza e qytetërimit njerëzor.

Dita e sotme në qytetin Uster, të dashur bashkatdhetarë, është ditë feste. Festë e librit shqip! Usteri sot – dhe i gjithë kantoni i Cyrihut – flet shqip, që është tashmë gjuha e tretë në tokën helvetike. Uroj që ta kaloni sa më mirë këtë ditë në kontakt me librin, me krijuesit, botuesit e librarët, por edhe me njëri-tjetrin.

Ju përshëndes duke ju uruar gjithë të mirat, me dëshirë që të takohemi sa më shpesh në manifestime të tilla! / KultPlus.com

Poeti me kone

Nga Agim Vinca

(Për Lasgushin dhe qenin e tij)

Mesditë gushti. Verë. Vapë e zagushi…
Te café-bar Relax me veten time rri.
Rrufis kafenë ekspres e cigaren thith
Në ajrin e vakët një pulëbardhë klith.

Bën vapë, Lasgush, vapë e zagushi
Te café-bar Relax kuvendoj me ty…

Dhe ti si unë dikur andej matanë,
Veç kones sate – askënd pranë.
Më të flisje, me të qeshje e qaje…
Thonë se dhe shtratin me të e ndaje.

Përballë kam Eseninin, kaçurrelin bjond,
Që qenin e Kaçallovit e qau me lot…

Janë të marrë poetët dëgjon të thonë shpesh
E ndodh dhe t’i gërgasin ca laro e syleshë…
Po mua sakaq ndër mend një mendim më vjen:
«Më mirë një qen mik sesa një mik qen!»

Mesditë gushti. Verë. Zhurmë e vetmi.
Te café-bar Relax me veten time rri …

(Strugë, gusht 2015) / KultPlus.com

Lasgushi në takim me poetët nga Kosova

   Në fillim të viteve 70, kur u vendosën kontaktet e para me Kosovën, erdhi në Tiranë një grup poetësh e studiuesish nga Prishtina. Një ditë, duke shëtitur me disa prej tyre, u ndalëm në kafe “Tirana”. Sapo hymë, vura re në një cep të lokalit Lasgushin dhe ua tregova miqve. Ata shtangën menjëherë dhe pastaj më pyetën nëse kish mundësi ta takonin. Pa e zgjatur, iu afrova Lasgushit dhe ia thashë dëshirën e poetëve kosovarë. Ai reagoi me mënyrën e tij, lëvizi buzët pa thënë asnjë fjalë, por sytë ndërkaq i shkëlqyen dhe ktheu kokën nga ata. Ata, pa pritur përgjigje, qenë afruar dhe i kishin zgjatur dorën. Ishin të emocionuar dhe pak të hutuar. Si zunë vend, u bë një pauzë deri sa e mori fjalën Lasgushi.
   Domethënë qenkëshit poetë!? Të gjithë, ë? Dhe nga Kosova? Nga Shqipëria e jashtme, ë? Se e brendshmja është kjo që gjendemi ne, kurse e jashtmja është ajo që e lanë jashtë kufijve të 13-s…
   Sytë plot dritë të Lasgushit lëviznin sa te njëri te tjetri. Ishte vërtetë i gëzuar, por brenda natyrës së tij të përmbajtur.
   Sepse, ta dini ju, – vazhdoi poeti duke e ngritur zërin, – një kritik më kritikoi njëherë, se kritikët këtë punë kanë. Tha se unë nuk e njohkam gjeografinë e Shqipërisë. Bobo, ç’më dëgjuan veshët! Sepse ne vjersha “Poradeci” kam shkruar vargjet: “Duke nisur udhëtimin mespërmes nër Shqipëri, Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shendaumi…” More, i paditur, t’i thuash, Lasgushi e di gjeografinë, ti nuk e di. Ti nuk e di se gjysma e Shqipërisë është përtej dhe Drini është kufiri i përrallshëm i dy pjesëve të trojeve tona stërgjyshore. Apo s’është kështu?
   Të gjithë e miratuan me gaz, ndërsa poeti mbante kokën lart. Si u bë një heshtje, Lasgushi, që në kësi rastesh fliste pak, i prekur nga takimi jo i zakontë, mori të fliste prapë i gjallëruar e i gëzuar:
   Domethënë, – pyeti rishtazi Lasgushi me një ton që s’merrej vesh mirë, qenkëshit të gjithë poetë? Shumë poet paska Kosova! Ah, Kosovë, Kosovë, ti që ke nxjerrë njëherë trima, tashti nxjerr poetë!
   Dhe me kokën ngritur lart zuri përsëri t’i vështrojë të ardhurit një nga një, me dashamirësi dhe kureshtje si prej fëmije. Askush nuk fliste. Vetëm dëgjonin. Në një çast poeti iu drejtua njërit prej tyre:
   -Po mirë, ti që je poet, ke tentuar ndonjëherë të vrasësh veten?
Plasi gazi, ndërsa Lasgushi u bë serioz dhe nuk i hiqte sytë nga poeti Latif Berisha, që papritur u ndje ngushtë. Askush nuk dinte t’i përgjigjej kësaj pyetjeje.
   – Epo, – vazhdoi thuajse qortueshëm Lasgushi, po nuk provuar këtë, ta dish se nuk je poet!
   U krijua një situatë e çuditshme, sa serioze aq dhe komike.
Qeshnim, shikonim njëri-tjetrin me sy, po s’dinim ç’të thoshim.
   – Lasgushi, – mori fjalën prapë ai, po kësaj here me një seriozitet sugjestionues, – e ka provuar. Ka zbritur me revolver në bodrum, është ulur atje në cep, ka rënë në mendime, siç bie poeti, ka vënë plumbin në gojën e revoles dhe e ka drejtuar nga koka me gishtin në këmbëz. Është çasti kur Lasgushi dhe vdekja qëndrojnë ballë për ballë. Shihen sy në sy. Poeti i thotë vdekjes: “Ja ku jam. Nuk ta kam frikën”. Të gjitha këto, kur i bën Lasgushi, i bën me të vërtetë. E mbulojnë djersët, zemra i rreh me vërtik dhe, vetëm si kalon këtë kalvar, ngjitet lart. Ngjitet i sigurt, me kokë përpjetë. Domethënë, është poet. Prandaj ju pyeta, a jeni poetë?
   Pyetja mbeti pa përgjigje. Asnjë nuk foli, vetëm buzëqeshën. Buzëqeshi edhe Lasgushi, gjithë triumf e me kokën lart.
   – Jo, jo, – ndërroi bisedën Lasgushi, – më vjen mirë që Kosova ka sot poetë. Një herë e një kohë kish vetëm trima, që mbushnin me zulmë jo vetëm Kosovën, por gjithë Shqipërinë. Hajde, hajde, gjeneral Isa Boletini, trimi me fletë Idriz Seferi… Kur suleshin ata mbi armiqtë, ndizej qielli dhe toka. Po Azem Galica? Nuk gjej fjalë ta tregoj. Ai binte si rrufe atje ku serbit s’ia priste mendja. S’ia priste mendja, sepse Azemi jo vetëm që ishte i mençur sa s’ka, po luftonte dhe në tokë të tij e për tokë të tij, luftonte tok me kaçakët dhe s’i linte naçallnikët e Beogradit t’i merrnin “Arbaninë e vogël”. Hajde, hajde, Azem Galica, kur ia donte puna, një tren të tërë ndalonte. E kam parë vetë me sytë e mi. Ka qenë behari i 1921-shit, kur shkoja për të parën herë në Rumani. Vajta me kalë deri në Ohër dhe pastajzaj me tren mespërmes Kosovës. Atij trenit kokën ia shihja, po bishtin jo, aq i gjatë ishte. Me të udhëtonte Lasgushi, kur papritur ai, fap, ndaloi dhe u dëgjuan të shtëna. Sapo dolëm në penxhere, kur ç’të shihje, nga të dy krahët plisbardhët mizëri, me pushkë në krah. Ishin trimat e Azemit. Erdhën dhe në vagonin tonë. Ca burra si të përrallave, të gjatë e të pashëm, gjallë Gjergj Elez Alia. Isha gati t’u hidhesha në qafë. Kur më pyetën se ç’je e u thashë gjithë mburrje se jam shqiptar, u ndritën sytë e mustaqet. E gjitha kjo zgjati sa një ëndërr. Erdhën e ikën si era. Kapet era? Po për Lasgushin kjo erë mbeti një ëndërr skënderbejane. Këta trima s’donin t’ia dinin se ç’kish vendosur Evropa, donin Kosovën e lirë dhe s’e kishin për gjë vdekjen. Lasgushi shkonte në bankat e Universitetit, me një mësim të madh që ia jepte Azem Galica me kaçakët e tij. Kështu jeni ju, kosovarët, trima përmi trima… Tani shoh që jeni dhe poetë e profesorë, po Azema, jeni ndopak?
  Miqtë sa u ngazëlluan nga këto fjalë, aq dhe u vunë në pozitë të vështirë. Nuk shikonin njëri-tjetrin në sy. Poeti thoshte me zë të lartë gjëra që ata i kishin për zemër, por për kushtet në të cilat gjendeshin s’i shprehnin dot qoftë dhe në një bisedë.
   Poeti u ngrit në këmbë pa marrë përgjigje dhe u zgjati dorën me një përzemërsi që s’ishte e zakontë për të. Asnjëherë s’e kisha parë të bisedonte aq gjatë me njerëz të porsanjohur. Por në këtë rast ishte në mes Kosova.
   Dhe Kosova, vite më vonë, i dha gëzime e ndere, që në Shqipëri ia jepnin me kursim dhe me një protokoll zyrtar. Atje iu botuan për herë të parë veprat e plota, u bënë studime të zgjeruara, vlerësime nga më të lartat, tepër entuziaste. Bile dhe e ftuan. Ai e priti gjithë qejf, bleu dhe një kapele të re republikë dhe ishte gati të nisej, por demonstratat e 81-shit bënë që vizita të anulohej. Megjithatë, Kosova e bëri poetin të përjetonte në pleqëri të thellë lavdinë e klasikut të gjallë përpara se kjo të ndodhte në Shqipëri.

(Pjesë nga libri “Koha e kujtimeve” e autorit Nasho Jorgaqi. OMBRA GVG, Tiranë, 2011.)
Zgjodhi për botim, profesori Agim Vinca. / KultPlus.com

Lasgush Poradeci dhe Nasho Jorgaqi

Jeta e Nolit në plotëninë e saj


(Botohet me rastin e ndarjes nga jeta të autorit, Profesor Nasho Jorgaqit (1931-2022)

Agim Vinca

Një vepër që i ka munguar kulturës shqiptare, e shkruar me dashuri e përkushtim; që hedh
dritë të plotë mbi jetën dhe veprën e njërit nga personalitetet më të mëdha të kulturës dhe të historisë
shqiptare, Fan S. Nolit (1882-1965) – kështu do të mund të cilësohej vepra më e re e profesor Nasho
Jorgaqit (1931), “Jeta e Fan S. Nolit” (botues OMBRA GVG, Tiranë 2005). Në dy vëllime dhe në
mbi një mijë faqe, ky shkrimtar dhe studiues i njohur, njohës i thellë i jetës dhe veprës së Nolit, i
ofron lexuesit jetëshkrimin e plotë – nga lindja deri në vdekje – të shkrimtarit, intelektualit, klerikut,
politikanit, shkencëtarit e diplomatit të madh, Fan S. Nolit, por edhe kënaqësinë e leximit të një
vepre, e cila, ndonëse tejet e vëllimshme, falë paraqitjes sugjestive të lëndës, gjuhës së rrjedhshme
dhe stilit të kultivuar, lexohet me ëndje. Njëzet e pesë vjet autori ka jetuar shpirtërisht e mendërisht
me këtë vepër, e cila i takon llojit të letërsisë dokumentare.
I sprovuar edhe më parë në këtë lloj letrar, autori i kësaj vepre, Nasho Jorgaqi, thekson se
ekzistojnë dy modele kryesore biografish: biografitë e tipit shkencor kritik a la Andre Morua e Emil
Ludvig dhe biografitë e mirëfillta letrare të tipit të Stefan Cvajgut. Të parët i japin përparësi
faktografisë shkencore, kurse të dytët, edhe pse mbështeten mbi fakte, i japin përparësi fantazisë. I
ndodhur përpara kësaj dileme që në fillim të punës së tij, Nasho Jorgaqi ka zgjedhur një rrugë të
ndërmjetme: vepra e tij e gjerë jetëshkrimore mbështetet mbi fakte burimore të jetës së Nolit, të
cilën e ndjek në mënyrë kronologjike, por trajtohet në formë të lirë e inventive, ashtu siç i ka hije një
shkrimtari e jo historiani. Rindërtimi i jetës së Nolit, duke u mbështetur te faktet dhe dokumentet,
por duke qëmtuar edhe hollësi nga përditshmëria jetësore dhe tipare nga karakteri i tij, duket të ketë
qenë parim bazë i punës së autorit. “T’i jepja jetë jetës së Nolit”, si thotë vetë autori, ky ka qenë
synim i studiuesit Nasho Jorgaqi. Mund të konstatojmë me kënaqësi se këtij synimi ky studiues i
rryer i ka dalë në krye me sukses.
Vepra “Jeta e Fan S. Nolit” e Nasho Jorgaqit, siç mund të shihet nga vetë titulli, i takon llojit
të literaturës dokumentare. Ajo është biografia më e plotë e shkruar deri më sot për Nolin dhe jo
vetëm për Nolin, por edhe për cilindo krijues tjetër të letërsisë dhe të kulturës shqiptare. Duke qenë
një vepër me karakter gjithëpërfshirës, vepra në fjalë sjell fakte e të dhëna të shumta, herë-herë edhe
të panjohura më parë për Nolin, por edhe interpretime të reja e origjinale, që figurës së Nolit ia japin
përmasat e saj të vërteta, me vlerat e mëdha e të paçmuara, që realisht ajo i ka, por edhe me
mistifikimet eventuale që e kanë përcjellë në rrjedhë të viteve këtë kolos të letërsisë dhe kulturës
shqiptare.
Falë punës së tij të madhe hulumtuese e krijuese dhe qasjes objektive temës së zgjedhur për
trajtim, autori i kësaj vepre ka arritur të ndriçojë shumë rrethana nga jeta e gjatë e Nolit dhe shumë
aspekte të veprimtarisë së tij të gjerë e komplekse politike, shoqërore, letrare, artistike, diplomatike,
shkencore, kulturore, kishtare etj., të cilat, deri tani, në literaturën noliane, letrare dhe shkencore,
janë trajtuar në mënyrë jo të plotë e të njëanshme, qoftë për shkak të të dhënave jo të plota e të

paverifikuara, qoftë si pasojë e pasioneve a paragjykimeve politike, ideologjike, fetare, krahinore e
të tjera.
Nasho Jorgaqi ka pasur në dispozicion shumë materiale (letra, dokumente, dëshmi, kujtime
etj.); ka bërë shumë vizita e udhëtime (nga Ibrik-Tepeja, Greqia, Egjypti, Vjena, Gjeneva, Berlini,
Nju-Jorku, Uashingtoni e deri në Boston e tutje), duke ndjekur hap pas hapi itinerarin jetësor të
Nolit; ka kontaktuar me shumë njerëz, që nga të afërmit e familjarët e gjer te miqtë e
bashkëpunëtorët e tij të ngushtë; ka konsultuar pothuajse tërë literaturën për Nolin, në gjuhën shqipe
dhe në gjuhë të tjera; është zotuar të ngrihet mbi simpatinë e dashurinë e tij për të dhe mbi bindjet e
preferencat e vetjake politike e ideologjike, pra të jetë objektiv; ka punuar një kohë të gjatë me
përkushtim të veçantë mbi këtë vepër, prandaj ka arritur ta japë në mënyrë të plotë jetën e Nolit dhe
t’u përgjigjet në mënyrë të saktë shumë çështjeve që kanë të bëjnë me veprën dhe figurën e tij, duke
e shikuar atë gjithmonë në kontektin shoqëror, politik, kulturor dhe shpirtëror të kohës dhe “duke u
mbajtur fort pas sensit të historisë dhe të dialektikës njerëzore”.
Në monografinë e N. Jorgaqit ndriçohen për herë të parë në mënyrë të plotë e të
gjithanshme marrëdhëniet e Nolit me Tiranën zyrtare; pozita e tij mes dy zjarreve – mes
emigracionit antikomunist shqiptar dhe diplomacisë intolerante të Shqipërisë, por edhe ruajtja e
“ekuilibrit të admirueshëm” nga ana e tij, duke qëndruar gjithmonë në pozita atdhetare e
demokrate. Dashuria për atdheun e të parëve dhe mbështetja e të gjitha përparimeve të bëra në
Shqipëri, në cilindo sektor të jetës, por edhe respektimi i ligjeve të atdheut të tij të dytë, SHBA-
ve dhe rregullave të jetës amerikane, si edhe respekti e dashuria për mërgatën shqiptare të
Amerikës dhe organizatën e saj emblematike, “Vatrën”, pa harruar të mirat që ata kishin bërë për
të, do ta stolisin personalitetin e Nolit deri në vdekje.
Në këtë vepër gjen përgjigje edhe një pyetje, që i ka intriguar në vazhdimësi lexuesit e
veprës së Nolit dhe adhuruesit e figurës së tij, shqiptarët në përgjithësi, kudo që janë: përse Noli
nuk e vizitoi asnjëherë Shqipërinë në të gjallë të tij, edhe pse jetoi, siç dihet, deri në vitin 1965?
Nga vepra e Nasho Jorgaqit, e cila mbështetet mbi dokumente e dëshmi autentike, del se
Noli iu shmang ofertave të lidershipit të Shqipërisë për ta vizituar atë në vitet ’40-’50 për të mos
rënë në sy të keq te autoritetet amerikane, sidomos në kohën e makartizmit, por edhe më herët e
më vonë, aq më shumë që ai akuzohej vazhdimisht nga kundërshtarët e tij të shumtë si “i kuq” e
“bolshevik”, kurse në në vitin 1962, me rastin e 50-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, kur qenë
krijuar kushtet për këtë vizitë, kur Noli, sado në moshë, ishte i gatshëm të merrte rrugën për në
mëmëdhe dhe kur me këtë udhëtim kishin rënë dakord edhe autoritetet amerikane, qeveria
shqiptare refuzoi t’i ofronte atij mikpritje, me pretekstin se nuk ishte distancuar nga qarqet
ekstreme (antikomuniste) të mërgatës shqiptare të Amerikës, që mbanin qëndrim të hapur kritik
ndaj regjimit të Tiranës. N. Jorgaqi citon telegramin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë të dt.
28 korrik 1962 drejtuar Misionit Shqiptar në Nju-Jork (OKB), në të cilin thuhet tekstualisht:
“Mos tregoni asnjë interesim për ardhjen e Fan Nolit dhe mos e inkurajoni atë”. Pra porosia nga
Tirana ishte e qartë. Nolit i refuzohej mikpritja! Ky ishte shansi i fundit që Marathonomaku i
madh, njeriu që kishte bërë aq shumë për këtë vend; që e kishte shpëtuar atë dy herë nga
copëtimi (herën e parë, pas Luftës së Parë Botërore, më 1918, kurse herën e dytë gjatë dhe pas

Luftës së Dytë Botërore) dhe që ia kishte ngritur namin lart e më lart, të vizitonte atdheun, të
cilin nuk e kishte parë plot 38 vjet, nga dhjetori i vitit 1924, kur kishte qenë i detyruar ta braktiste
atë.
Tre vjet më vonë, më 13 mars 1965, ai do të mbyllte sytë përgjithmonë me këtë peng, pra
pa e parë edhe një herë Shqipërinë të cilën e deshi aq shumë dhe për të cilën punoi pa u lodhur
gjatë tërë jetës.
Harku kohor i jetës së Nolit është tejet i gjatë dhe i gjerë, si në kohë, ashtu edhe në
hapësirë. Noli jetoi, siç dihet, 83 vjet, prej të cilave 18 vjet i kaloi në Trakë, kryesisht në
vendlindjen e tij, Ibrik-Tepe ose Qytezë; 6 në Greqi dhe Egjypt, 2-3 nëpër Evropë, 50 në SHBA
dhe vetëm 4-5 në Shqipëri. Gjatë jetës së tij ai pati të bënte me shumë njerëz, politikanë,
diplomatë, shkrimtarë, intelektualë, klerikë, njerëz të thjeshtë, shqiptarë e të huaj. Për jetën dhe
veprën e tij kanë shkruar shumë pena të njohura të shkencës, letërsisë dhe historiografisë
shqiptare. Pati korrespondencë me shumë personalitete të shquara të kohës së tij. Njohu e takoi
në jetë shumë njerëz, në mesin e të cilëve edhe burrështetas e intelektualë nga më të mëdhenjtë.
Vetë u mor me shumë personalitete e krijues të mëdhenj si Krishti, Muhameti, Skënderbeu,
Napoleoni, Shekspiri, Servantesi, Khajami, Poja, Ibseni, Tolstoji, Stendali, Bethoveni etj.
Përktheu vepra të tyre ose shkroi artikuj, introdukta e monografi mbi ta. Për të gjitha këto flitet
gjerë e gjatë dhe me shumë kompetencë në librin “Jeta e Fan S. Nolit”.
Ajo që i mungon këtij libri është një tregues emrash të vendeve e personave të shumtë që
përmenden në të, i cili do t’i ndihmonte lexuesit që të orientohej më mirë në materialin e gjerë të
veprës dhe në morinë e fakteve që sjell ajo, si edhe një bibliografi e plotë e shkrimeve për Nolin,
një bibliografi e shteruese e jo selektive, siç është dhënë në këtë rast. Mendimi ynë është se
treguesi i emrave dhe bibliografia e shkrimeve në një libër siç është ky kanë qenë më të
nevojshme se albumi i fotografive, me të cilat është i pajisur libri (të dy vëllimet), të cilat, sado
me interes që janë, tashmë janë publikuar nga autori në një libër të veçantë (në librin “Fan S.
Noli: antologji fotografike”, Tiranë 2002).
Duke u nisur nga përvoja e Nolit si biograf i Skënderbeut dhe Bethovenit, Jorgaqi ka bërë
përpjekje të çlirohet nga mitizimi, që i kanoset çdo biografi, veçanërisht kur shkruan për njerëz që i
do dhe i çmon shumë, çfarë është për të dhe për të gjithë ne Noli i madh dhe ka bërë përpjekje që ta
paraqesë figurën e Nolit me dritat dhe hijet e saj, aq më shumë që disa nga miqtë dhe
bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, që e kanë njohur atë për së afërmi, pohojnë se si individ Noli “nuk
ishte imun ndaj dobësive njerëzore” (Qerim Panariti) dhe se shpesh ai ishte “një kombinim
paradoksesh” (At Artur Liolini). Çlirimi nga “kuçedra me shtatë krerë”, si i quante Noli mitet, është
sfidë e çdo biografi, që nga Plutarku e këndej. Falë përvojës së tij të gjatë si krijues dhe në mënyrë
të veçantë si hartues biografish, Nasho Jorgaqi ka arritur t’i shmanget me sukses kësaj sfide dhe ta
japë figurën e Nolit në mënyrë të plotë e objektive, gjithnjë në kontekst të kohës dhe rrethanave
historike.
Noli ynë, ky demiurg i fjalës shqipe, kampion i lirisë e pavarësisë kombëtare dhe pionier i
qytetërimit dhe demokracisë së vërtetë, në penën e biografit të tij të pasionuar, Nasho Jorgaqit, është
njeri i gjallë e jo figurë skematike. / KultPlus.com

Reka e Epërme – trevë autoktone shqiptare me traditë të lashtë e të pasur kulturore

Nga Agim Vinca

Më 7 gusht të këtij viti mora pjesë në Takimin tradicional të banorëve të Rekës së Epërme, të shtatin me radhë, organizuar nga Shoqata Kulturore “Reka e Epërme” nga Gostivari. Deri tani Rekën e kam parë kryesisht nga larg, duke kaluar me makinë rrugës Mavrovë-Dibër (dikur me autobus në xhadenë e vjetër gjarpërore) dhe nga librat, kurse atë të diel gushti e preka si të thuash me dorë dhe e pashë në dritë më të plotë. Tubimi, që u mbajt në fshatin Rimnicë, në një lëndinë të rrethuar me pyje dhe pranë një përroi të kthjellët, degë e Radikës, ishte organizuar jashtëzakonisht mirë dhe kishte një program të pasur artistik me këngë e valle popullore të kësaj treve, me improvizimin e dasmës rekase (marrja e nuses me kalë) dhe pika të tjera artistike, që tregojnë rrënjët shqiptare të Rekës së Epërme me 24 katunde me popullsi autoktone shqiptare, ortodokse dhe myslimane, por sot, mjerisht, kryesisht të pabanuar. Nga kjo trevë ishte edhe poeti dhe publicisti rilindës Josif Bageri, një atdhetar i flaktë, dishepull i Naimit, që vdiq në Prishtinë në vitin 1915, për të cilin kam shkruar një ese qysh në fillim të viteve nëntëdhjetë. Në tubimin e Rekës së Epërme me një pjesëmarrje masive, krahas të tjerëve, fola edhe unë dhe u lexua poezia ime “E prapë ai lumë…”, kushtuar Rekës dhe qëndresës shqiptare në shekuj. Me kërkesën time këtë poezi e recitoi aktori i Teatrit të Tetovës, Muzafer Etemi, me të cilin dolëm bashkë në skenë.

Pas një nate të kaluar në fshatin Lemnovë, si mysafir në familjen Halimi dhe pas pjesëmarrjes në Takim, u ktheva i mbushur me mbresa grykës së Radikës dhe të Drinit, duke kaluar Dibrën, Koxhoxhikun, vendlindjen time, Veleshtën, për të arritur në mbrëmje në Strugë, në një gazmend familjar, aty ku “Drini plak e i përrallshëm, që mburon prej Shëndaumi, nis udhëtimin me ngadalë mes-për-mes nër Shqipëri…”.

Më poshtë po japim një fotografi që flet për pasurinë dhe bukurinë e kostumeve popullore të Rekës së Epërme, të vajzave e djemve, si dhe poezinë e lexuar, e cila, ndonëse flet me gjuhën e simboleve, zgjoi interesimin e publikut dhe u mirëprit nga të pranishmit…

Prishtinë, 14 gusht 2022

E PRAPË AI LUMË…

Rrjedh Radika mes maleve –
lot i ngrirë në qepallë.
Përpëlitet me shpirt ndër dhëmbë
Reka, vendi im.
Bageri vdes sërish në Prishtinën e okupuar.
E askund varri. As kortezhi.
Askund gjëmë as vajtim.
Një plak i thinjur mbëlton pemë
e i lutet zotit për një pikë shi.
Një re e zezë harbon qiellit
me breshër e mëri.
Thyen filiza, faron farë
një larash i marrë.
Rivdes Bageri në Prishtinë,
Bogdani meshon për shpirtin e tij.
Gjëmon Radika e Drini plak. Korabi kreshtëbardhë.
E prapë ai plak e ai kopsht magjik e ajo re idhnake.

Kot e ke mike
Jam rrap jo shkurre!

1995. / KultPlus.com






Vjersha “E kujtoj mësuesin” merr tjetër kuptim, shkrimtari Agim Vinca e siguron fotografinë e mësuesit pas kaq shumë vitesh

Jeta Zymberi

“E kujtoj mësuesin”, një ndër vjershat më të njohura të letërsisë shqipe, ka marrë jehonë për shkak të vargjeve të fuqishme që i përçon, ku drama e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi, dashuria e nxënësit për mësuesin dhe figura e mësuesit, janë thurur aq bukur bashkë saqë kjo vjershë vazhdon të emocionojë gjeneratë pas gjenerate, por ditëve të fundit ajo ka arritur në një adresë interesante dhe aspak të pritshme nga shkrimtari, shkruan KultPlus.

Autori Agim Vinca i cili këto vargje i shkroi në vitin 1971, tek tash, pas 50 viteve është kontaktuar nga Mustafa Akgöl, i biri i mësuesit Sadik Mehmeti për të cilin rast KultPlus ju informoi para pak ditësh (LINKU).

Mustafa Akgöl përmes KultPlus arriti të kontaktojë me shkrimtarin Vinca ku pas disa emailave të shkëmbyera, Vinca arriti të sigurojë edhe një fotografi të mësuesit të cilën aq shumë e donte e në këtë formë të rifreskojë figurën e tij e ta ruaj përgjithmonë edhe në formë fizike.

Në intervistën, Vinca ishte shprehur: KultPlus e ka shpërndarë poezinë dhe një ditë Ardianë Pajaziti, (drejtoresha e KultPlus) më merr në telefon dhe më tha që kam një lajm interesant. Më tregoi që djali i mësuesit e ka parë poezinë në KultPlus dhe ka kërkuar një kontakt timin. Pastaj më ka dërguar email. Kur pranova emailin ishte vërtetë interesant! Edhe unë i kam shkruar, i dërgova letrën edhe në shqip sepse ai shqiptar është edhe pse sigurisht gjuhën e ka humbur. Gjithashtu ja dërgova edhe poezinë prej tekstit shkollorë me komente dhe fotografinë time, dhe do t’i kërkoj një fotografi të mësuesit sepse nuk kam. Kam të klasave tjera por jo të klasës së parë. Imazhin e tij e kam, e ruaj, ishte i pashëm dhe sillej mirë, por e dua ta kem edhe një fotografi”,  dhe nuk vonoi më shumë se dy ditë që Vincës t’i arrij fotografia në email.

KultPlus ju sjell letrën tjetër që Vinca ka pranuar nga i biri i mësuesit bashkë me fotografitë e bashkangjitura.

I nderuar Prof. Vinca,

Faleminderit për përgjigjen tuaj. Unë me të vërtetë u përpoqa të arrij të dhënat tuaja të kontaktit dhe dërgova shumë emaile për t’ju kontaktuar. Faleminderit KultPlus që më dhanë adresën tuaj të emailit.

Kur isha në Strugë dhe kuptova se i kishe shkruar një poezi babait tim, më la shumë përshtypje. Po ju dërgoj të bashkangjitura fotot e babait tim (foto familjare në 1978 – foto në 1957 dhe Dosja e Shkollës sime të Babait). Unë do të ndaj edhe disa foto të tjera. Fatkeqësisht, pas shkollës ju nuk e takuat më babanë tim, sepse babai im vdiq në vitin 2010, për shkak të kancerit. Ai ishte 75 vjeç.

Shpresoj t’ju shoh këtu ose në një vend tjetër dhe për të dëgjuar më shumë nga ju. Nëse vini në Stamboll, do të jem i nderuar të ju kem mysafir.

Do të jem mirënjohës nëse më dërgoni 1 ose 2 copë libra me firmë (mund t’i marr përmes internetit, por është e rëndësishme të jenë të nënshkruara nga ju.) / KultPlus.com

“E kujtoj mësuesin”, KultPlus bën bashkë Agim Vincën dhe djalin e mësuesit Sadik nga Turqia

Jeta Zymberi

I nderuar zoti Vinca,

Unë quhem Mustafa Akgöl dhe jetoj në Stamboll. Prindërit e mi janë shpërngulur nga ish-Jugosllavia në mesin e viteve 1950 (Babai im ishte nga Struga, nëna ime nga Ohri). Isha në Strugë dhe Ohër javën e kaluar, pas 45 vjetësh nga vizita ime e parë. Gjatë kësaj vizite jam informuar se keni shkruar një libër ku përmendni babain tim Sadikun, i cili ishte mësuesi juaj i parë në Veleshte. Gjithashtu ju keni shkruar një poezi për babain tim. E përktheva në turqisht (Nëpërmjet Google). Më la shumë përshtypje. Unë u përpoqa t’ju kontaktoj përmes adresës suaj të emailit që sot KultPlus.com më ka dhënë.

Mund të mbajmë kontakte dhe të ndajmë disa informacione.

Mustafa Akgöl

E shkruar në vitin 1971, vjersha “E kujtoj mësuesin” u bë shkak që poeti i saj Agim Vinca të pranoj në adresën e tij këtë letër shumë domethënëse nga Mustafa Akgöl, i biri i mësuesit të tij të parë, Sadik Mehmeti.

Një histori e tillë, sa emocionuese aq edhe domethënëse, ndodhe jo shpesh. Madje shkrimtari Agim Vinca, jam e bindur që nuk e ka menduar asnjëherë.

Kur mori emailin, padyshim që ju rikthyen kujtimet për mësuesin e tij të parë, por edhe kujtimet se qysh lindi kjo poezi e cila po vazhdon të emocionoj, kësaj radhe të birin e mësuesit i cili krejt rastësisht, pas kaq shumë vitesh kupton që dikur nga një ish nxënës, sot një prej poetët më të njohur bashkëkohorë shqiptarë, babait të tij i janë thurur disa vargje që kanë marr jehonë për gjenerata me radhë.

“Vjershën “E kujtoj mësuesin” e kam shkruar 51 vjet më parë në vitin 1971. Në 70’tën unë diplomova, i përfundova studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës dhe fillova punën në Gjimnazin e Gllogocit që ishte paralele e Gjimnazit të Prishtinës dhe unë banoja në konviktin numër 1 sepse vetëm ai ishte në atë kohë. Kam banuar me një Xhem… nga Istogu ai ishte burrë në atë kohë dhe studionte matematikën dhe me një tjetër që nuk më kujtohet, dhe kur nisa punën si mësues e ndjeva më shumë të qenit mësues dhe aty lindi poezia”, nis rrëfimin e tij për KultPlus shkrimtari Agim Vinca.

Letra dërguar nga Mustafa Akgol

Fakt është që mësuesit bëjnë një ndryshim në jetën tonë. Disa nga mësuesit na shtynë të bëjmë më të mirën dhe disa prej tyre janë mjaft të fuqishëm për të na bërë të besojmë se ne mund të bëjmë gjithçka. Mësuesi shpesh ka aftësi të bëjë të gjithë ndryshimin si në jetën tënde personale ashtu edhe në karrierën tënde në të ardhmen.  

Kur mësuesi arrin të shikojë nxënësin si një individ dhe jo si një numër, atëherë ai është në rrugën e duhur drejt misionit të tij/saj. Thuhet që në të kaluarën mësuesit e kryenin misionin e tyre me shumë më shumë përgjegjësi dhe dukja e tyre e identifikonte me kilometra larg.

I tillë ishte mësuesi i klasës së parë të shkrimtarit Agim Vinca, i cili iku me familje në Turqi në kohën e shpërnguljeve masive.

“Mësuesi im i parë të cilit i kam kushtuar poezinë, më ka dhënë mësim vetëm në klasën e parë në vendlindjen time në Veleshtë, Strugë, duhet të jetë viti shkollor 1954-1955, pastaj ai me familje iku në Turqi, ishte koha e shpërnguljeve masive. Mësuesi im e kishte emrin Sadik Mehmeti, sepse kur kanë shkuar shqiptarët në Turqi më së pari ju kanë ndërruar mbiemrin, kusht ka qenë. Ai ishte nga Struga por me origjinë nga një fshat buzë liqenit – Kalishtë”, rrëfen tutje Vinca i cili edhe sot e ka ruajtur të freskët figurën e mësuesit të cilin nuk e takoi kurrë më.

“Ishte një mësues shumë i mirë, e kam të freskët në kujtesë, i pashëm, vishej bukur me kostum me jaka të gjata, me krevat. Neve na dukej bukur atëherë, ne ishim fëmijë fshati, me kushte të vështira, mund ta imagjinoni. Mbi të gjitha ai sillej mirë me nxënësit, unë nuk kam pasur problem sepse isha nxënës i mirë, por në përgjithësi ai nuk i ndëshkonte nxënësit fizikisht, sepse atëherë arsimtarët ushtronin dhunë ndaj nxënësve, thuprën, vizoren e kishin gjithmonë në dorë. Dajaku ishte pjesë e procesit edukativ, fatkeqësisht. Ky jo, mësuesi Sadik ishte shumë i mirë, i pashëm, me tipare të rregullta, një ble flokësh e kishte…”, flet profesor Vinca plot mallëngjim për figurën e dashur të mësuesit e dukej sikur ai admirimi që kishte për të si fëmijë, kishte qëndruar diku i strukur brenda tij e sot vendosi të nxjerr kokën e të flasë.

Ikja e profesorit për Turqi e la një klasë të tërë, por ata ishin fëmijë dhe sigurisht ende nuk dinin t’i përkthenin ndjenjat e tyre në fjalë. Por kur diçka e tillë përjetohet pas disa vitesh, kur piqesh emocionalisht e mendërisht, atëherë fjalët gjejnë vendin e vet e përkthehen në një vjershë që lirisht mund të themi që ka mbetur himn për dashurinë e nxënësit për mësuesin.

“Kur iku, isha fëmijë unë. Mandej e përfundova 8 vjeçaren, pastaj gjimnazin në Strugë dhe erdha për studime. Kur e përfundova fakultetin, unë banoja në konvikt dhe aty më lindi ideja për këtë poezi, edhe sot e di dhomën, sa herë kaloj shikoj nga ajo dritare. Pasi e kam shkruar poezinë, ja dhashë ta lexonte për herë të parë arsimtarit të matematikës me të cilin banoja në konvikt, ai ishte burrë serioz, atëherë i kishte rreth 40 vjeç, ndërsa unë 23. Ai e lexoi dhe më tha shumë mirë. Në vitin 1972, 50 vjet më parë, unë e botova librin tim të parë, përmbledhjen me poezi “Feniksi” në Shkup atje edhe ku punoja në gjimnaz dhe aty është edhe vjersha “E kujtoj mësuesin” e cila u pëlqye shumë”, tregon Vinca.

Kjo poezi, është lexuar, komentuar e pëlqyer dhe është poezia më e popullarizuar e Vincës. Ajo është bërë pjesë e teksteve shkollore e revistave të ndryshme letrare e kulturore. Këtë poezi e dinë përmendësh shumë fëmijë në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.

Poezia e shpreh dramën e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi, por edhe dashurinë e nxënësit për mësuesin dhe figurën e mësuesit.

Se si djali i mësuesit arriti të gjejë kontaktin e shkrimtarit, tregon vetë Vinca.

“KultPlus e ka shpërndarë poezinë dhe një ditë Ardianë Pajaziti, (drejtoresha e KultPlus) më merr në telefon dhe më tha që kam një lajm interesant. Më tregoi që djali i mësuesit e ka parë poezinë në KultPlus dhe ka kërkuar një kontakt timin. Pastaj më ka dërguar email. Kur pranova emailin ishte vërtetë interesant! Edhe unë i kam shkruar, i dërgova letrën edhe në shqip sepse ai shqiptar është edhe pse sigurisht gjuhën e ka humbur. Gjithashtu ja dërgova edhe poezinë prej tekstit shkollorë me komente dhe fotografinë time, dhe do t’i kërkoj një fotografi të mësuesit sepse nuk kam. Kam të klasave tjera por jo të klasës së parë. Imazhin e tij e kam, e ruaj, ishte i pashëm dhe sillej mirë, por e dua ta kem edhe një fotografi”, thotë Vinca teksa unë prekem nga këto fjalë e nis e kujtoj mësuesen time të cilën dua të nisem e ta takoj qysh sot, ta përqafoj e të ndihem me fat që e kam këtë mundësi.

Krejt për fund, profesori Vinca tregon edhe pengun e tij.

“Unë u interesova edhe për mësuesin para disa viteve por nuk arrita ta takoj, kishte vdekur kur gjeta unë adresën klasike. Ai duhet të ketë qenë i lindur në vitin 1932-33”, përfundon kështu rrëfimi për të na rikthyer në një kohë të artë për të cilën të gjithë kanë nostalgji.

Letra nga shkrimtari Vinca dërguar djalit të mësuesit.

Prishtinë, 29 korrik 2022

I dashur Mustafa,

Isha në Strugë kur kryeredaktorja e portalit KultPlus më telefonoi dhe më pyeti se a mund t’jua jepte adresën time. I thashë, natyrisht, që po dhe pastaj erdhi letra jote. Unë jam profesor universiteti dhe shkrimtar. Jetoj në Prishtinë.  Poezinë për mësuesin e kam shkruar para pesëdhjetë vjetësh dhe e kam përfshirë në librin tim të parë me poezi, botuar në vitin 1972. Kjo vjershë është përfshirë edhe në tekstet shkollore në gjuhën shqipe dhe e dinë përmendsh pothuajse të gjithë fëmijët shqiptarë në Kosovë, në Shqipëri dhe në diasporë. Ajo flet për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, por edhe për figurën e mësuesit në përgjithësi.

Edhe pse më ka dhënë mësim vetëm një vit, në klasë të parë fillore, mësuesin Sadik e ruaj në kujtesë për të mirë. Sillej shumë mirë me ne nxënësit e tij, që ishim fëmijë të varfër fshati.  Më vjen keq që nuk arrita ta takoj sa ishte gjallë, edhe pse qeshë interesuar, por më vjen mirë që po kontaktoj me të birin e tij.

Do të shikoj mundësinë e një përkthimi më të mirë në turqisht  të kësaj vjershe.

Ju uroj shëndet dhe gjithë të mirat, familjarisht!

Nga Prishtina – Prof. A. Vinca

Më poshtë po ju sjellim edhe poezinë.

E kujtoj mësuesin

Pat ikur mësuesi im në Turqi,
unë abetaren e laga me lot.
Në zemër më hyri fytyrë e tij
dhe s’më hiqet atë ditë e sot.

I vogël isha ahere, pak dija,
jeta më dukej lojë, dëfrim.
Por ngado që shkoja, kudo që vija
shihja fytyrën e mësuesit tim.

Dëgjoja zërin e tij të dashur
kur binte zilja për në mësim,
dëgjoja zërin e tij të dridhur:
E di ç’është mërgimi, ti Agim?

Po unë s’e dija, s’kuptoja dot
ç’ishte mërgimi dhe Anadolli.
Sytë e mësuesit ishin me lot
atë ditë që fshati e përcolli.

Kaluan ditë, kaluan vjet,
librin nga dora s’e lëshova,
në banka të shkollës dhe në jetë
punët e kësaj toke i mësova.

Mësova unë se ç’ish mërgimi,
shtëpia pa plëng, sofra pa bukë,
mësova përse mësuesi, imi,
na la dhe mori të largëtën rrugë.

Sot kur dhe vetë me ditar
dal para nxënësve të mi,
e kujtoj mësuesin tim të parë,
arratisur larg në Turqi.
/ KultPlus.com

U hap Panairi i Librit në Prishtinë, mbi 100 botues prezantojnë rreth dy mijë tituj të rinj

Panairi i librit në Prishtinë u rikthye pas dy vitesh mungesë. Me moton “Libri mbron mendjen” edicioni i 22-të i panairit mirëpret mbi 100 botues ndërsa do të shënohet edhe me aktivitete të shumta, shkruan KultPlus.

Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, në hapje të këtij panairi tha se ky edicion duhej të mbahej para dy vitesh por për shkak të pandemisë ishte shtyrë. Megjithatë, kujtoi se në ditët e vështira të COVID libri shoqëroi njerëzit dhe shërbente si një dritare për ta shijuar lirinë.

Ai ka shtuar se mbi 100 botues do të prezantojnë mijëra tituj të rinj, libra për çdo moshë, për çdo temë apo interes.

“Për gjashtë ditë, sa zgjatë panairi, Prishtina është kryeqendër mbarëkombëtare e librit shqip. Mbi 100 botues prezantojnë mijëra tituj të rinj të botuar në qarkun kohor mes panairit të vitit 2019 dhe këtij panairi të sivjetmë. Libri është mjet e medium përmes së cilës, mendjet e ndritura komunikojnë me secilin prej nesh. Përmes leximit, ne kuptojmë dhe ne mësojmë, andaj për gjatë këto ditë Pallati i Rinisë bëhet edhe pallati i dijes, sepse këtu grumbullohen të gjitha mendjet më të mëdha të botës”, thotë Zeneli.

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka thënë se kjo ngjarje tashmë e ka marrë epitetin të caktuar të ngjarjes të rëndësishme kulturore ku gjithë së bashku mblidhemi për ta kremtuar ditën e librit.

“Ne si Ministri e Kulturës jemi shumë të lumtur që jemi mbështetës të aktiviteteve të këtilla, megjithatë ne gjithë tashmë jemi të pajtimit që mbështetja për librin duhet të kalojë në një nivel tjetër dhe në këtë kuadër, ne po punojmë për një politikë të re të kulturës, për një reformë të re ligjore dhe institucionale ku bënë pjesë edhe veprimtaria botuese. Uroj që ta shijojmë këtë Panair”, thotë Çeku.

Ndërsa, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, tha se përgjatë viteve panairi i librit në Prishtinë ka qenë një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore.

“Jam shumë i lumtur që jam sot me ju në hapjen e Panairit të Librit në Prishtinë. Përgjatë viteve, Panairi i Librit në Prishtinë ka qenë një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore për të pasionuarit pas librit por edhe botuesit. Panairi për mua personalisht është më shumë se sa një ngjarje ku shitet libri dhe ku takohen autorët e publikuesit. Pra, është një ngjarje ku ndahen idetë e reja dhe ku shihet perspektiva e re. Unë kam pas fatin të rritem me libra e mes tyre, kam punuar edhe në Panair për arsye se e kam përkrah babin tim i cili ka qenë pjesë e Panaireve për një kohë të gjatë dhe tek libri kam gjetur magjinë e tij. Libri është një dritare e jashtëzakonshme që na jep mundësinë për të parë e kuptuar botën. Libri na jep mundësi të mendojmë dhe të hapim horizontin tonë”, thotë Zogaj.

Tutje, shkrimtari francez, Claude Arnaud është shprehur i lumtur që ndodhet në Panairin e Librit në Prishtinë.

“Jam shumë i lumtur dhe i nderuar që ndodhem sot këtu mes botuesve, autorëve, përkthyesve dhe gazetarëve në hapjen e Panairit të 22-të të Librit në Prishtinë. Aktualisht në Francë shteti e ndihmon shumë botimin, tek ne ka më shumë shkrimtarë sesa lexues. Zhvillohen kushte të perfeksionimit të shkrimit, por unë besoj se do të ishte mirë të ofrohen kurse leximi, sepse leximi është gjithashtu një art i llojit të vet”, tha ai.

Ndërkaq, drejtorja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit Alda Bardhyli ka thënë se ky Panair është një ngjarje tejet e rëndësishme ngase neve na lidh me prekjen e bukur të universit njerëzor.

“Rikthimi i Panairit të Librit pas gati dy vitesh mungesë është një ngjarje e rëndësishme që na lidh me prekjen më të bukur të universit njerëzor. E shkuara jonë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë është një pengesë e vazhdueshme me historinë. Sot, tre dekada nga rënia e komunizmit dhe gati 22 vite nga përfundimi i luftës në Kosovë, mund të shohim dritën që shoqëroi dy vendet tona drejt një çlirimi shpirtëror. Poetët dhe shkrimtarët ishin ata që na orientuan drejt këtij çlirimi”, thotë Bardhyli.

Gjithashtu, shkrimtari dhe poeti Agim Vinca përveçse e vlerësoi lartë këtë edicion të Panairit, ai edhe recitoi një poezi nga libri i tij i parë me poezi që mban emrin “Feniksi”.

“Pas një pauze të imponuar dy vjeçare, Prishtina po i hap sot përsëri dyert e Panairit, dyert e artit dhe të letërsisë, të dijes dhe të kulturës apo dyer që s’kanë mundur t’i mbyllin kurrë asnjë pandemi, asnjë pushtet dhe asnjë pushtues. Fjala shqipe është treguar më e fuqishme se pengesat me të cilat është ndeshur në shekuj, duke i mposhtur ato dhe duke ardhur edhe më e gjallë e më e bukur, sikurse edhe gjuha me të cilën shkruhet”, thotë Vinca.

Krejt në fund, ai interpretoi aq bukur poezinë e tij “E urrej heshtjen” nga libri i tij i parë me poezi “Feniksi”. Kështu, jehona e vargjeve i përcolli tutje të gjithë artdashësit që dalëngadalë po hynin në botën e librit, për t’u përhumbur pas tij me orë të tëra.

Panairi do të mbahet nga 7-12 qershor, në ambientet e Pallatit të Rinisë. Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40.000 vizitorë, ndërsa aty do të jenë të pranishëm shkrimtarë ndërkombëtarë e kombëtarë, profesionistë të librit, botues, përkthyes e librarë. / KultPlus.com

Natë në Prishtinë

Poezi nga Agim Vinca

Natë në Prishtinë
(Para bustit të Pjetër Bogdanit e Hasan Prishtinës)

Kur bie nata në Prishtinë
E dimri derdh shi e borë
Mblidhen kokë më kokë të dy
E kuvendojnë deri vonë

Kur bie nata në Prishtinë
E merr ngricë e bën acar
Pip mbi gur në çdo stinë
Ata – kryesogjetarë

Kur bie nata në Prishtinë
Qyteti ka ethe, e zë kolla
Ata s’shtinë gjumë në sy
Njëri te Kisha, tjetri te Shkolla

Kur bie nata në Prishtinë
E zjarri shuhet, bëhet hi
Ata na ngrohin shpirt e frymë
Tash treqind vjet a tre mijë

Rrafsh treqind a tre mijë
Të dy bashkë ata rrinë
Err e terr pa gjumë në sy:
Sa zgjat nata në Prishtinë?

1987 /KultPlus.com

E kujtoj mësuesin

Poezi e shkruar nga Agim Vinca.

Pat ikur mësuesi im në Turqi,
unë abetaren e laga me lot.
Në zemër më hyri fytyrë e tij
dhe s’më hiqet atë ditë e sot.

I vogël isha atëhere, pak dija,
jeta më dukej lojë, dëfrim.
Por ngado që shkoja, kudo që vija
shihja fytyrën e mësuesit tim.

Dëgjoja zërin e tij të dashur
kur binte zilja për në mësim,
dëgjoja zërin e tij të dridhur:
«E di ç’është mërgimi, ti Agim?»

Po unë s’e dija, s’kuptoja dot
ç’ishte mërgimi dhe Anadolli.
Sytë e mësuesit ishin me lot
atë ditë që fshati e përcolli.

Kaluan ditë, kaluan vjet,
librin nga dora s’e lëshova,
në banka të shkollës dhe në jetë
punët e kësaj toke i mësova.

Mësova unë se ç’ish mërgimi,
shtëpia pa plëng, sofra pa bukë,
mësova përse mësuesi, imi,
na la dhe mori të largëtën rrugë.

Sot kur dhe vetë me ditar
dal para nxënësve të mi,
e kujtoj mësuesin tim të parë,
arratisur larg në Turqi. /KultPlus.com

‘Euologji për Abuçen’

Agim Vinca

Profesor Abdullah Karjagdiut (24 dhjetor 1936-28 gusht 2021), në vend të përshëndetjes

Në këto ditë fundgushti, kur pandemia e rikthyer po bën kërdi në Kosovë, u nda nga ne, në moshën 84 vjeç, mësimdhënësi shumëvjeçar i Universitetit të Prishtinës, studiuesi dhe përkthyesi i mirënjohur prof. dr. Abdullah Karjagdiu.

Ishte ligjërues i Letërsisë anglo-amerikane në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Angleze në Fakultetin Filozofik/ Filologjik në Prishtinë (dhe jo vetëm); studiues i Bajronit (doktoroi me temën “Bajroni te shqiptarët”); përkthyes i parë në shqip i “Autobiografisë” së Nolit, të cilën Noli e shkroi në anglisht; përkthyes i veprës së mirënjohur të historianit anglez Noel Malcolm (Kosova. Një histori e shkurtër); i romanit të famshëm të Foknerit “Këlthitja dhe mllefi” dhe i sa e sa veprave të tjera nga letërsia botërore; autor i shumë artikujve për letërsinë shqipe e botërore; një kohë edhe gazetar i kulturës në “Rilindje”; përkthyes i dhjetëra filmave të shfaqur ndër vite në programin e Televizionit të Prishtinës (RTP), që nga themelimi, më vonë edhe në RTK; përkthyes simultan (interpret) në takimet e funksionarëve të Kosovës me delegacionet që vinin për vizitë në Prishtinë, si në kohën e autonomisë, ashtu edhe më vonë; në vitet ’90 aktiv edhe në jetën politike, në Partinë Shqiptare Demokristiane (PShDK); njeri i dashur e komunikativ, xhymert si ai (nuk kishe shans të paguaje as edhe një kafe kur ishe në shoqëri me të); njeri me kulturë të gjerë; njohës i mirë i traditës shqiptare, por me formim e kulturë evropian i vërtetë; njeri që udhëtoi shumë nëpër botë, por nuk ia ktheu kurrë shpinën vendit të vet.

E them me përgjegjësi të plotë se Abdullah Karjagdiu ishte poliglot! Në ka pasur poliglot Kosova (e dihet si qëndrojmë ne me gjuhët e huaja, në mos edhe me gjuhën tonë amtare!), ai është Abdullah Karjagdiu. Pos shqipes, që e kishte gjuhë amtare dhe turqishtes, që e kishte mësuar në Prizrenin e tij lindor, si dhe serbokroatishtes, që e zotëronin, kush më shumë e kush më pak, të gjithë intelektualët tanë të brezit të tij dhe posaçërisht lingua franca-s së kohës sonë, anglishtes, që e kishte gjuhë të profesionit dhe të bukës, ai e zotëronte edhe frëngjishten, italishten, spanjishten, deri diku edhe rusishten dhe ndonjë gjuhë tjetër. (Ishte në gjendje të fliste e, madje, edhe të shkruante në shumicën e këtyre gjuhëve).

Nga ky aspekt, ai mund të quhet nxënës i Nolit dhe Konicës, kurse për nga kultura dhe formimi intelektual e shpirtëror: shqiptar i qytetëruar dhe qytetar i botës.

Kur unë kam qenë gjimnazist, në gjysmën e parë të viteve ’60, Abdullah Karjagdiu, atëbotë bashkëpunëtor i rregullt i revistës “Përparimi”, në të cilën botonte shkrime për letërsinë pothuajse në çdo numër, “hahej” me Rexhep Qosjen, me të cilin ishin edhe moshatarë, të lindur që të dy në të njëjtin vit, 1936. (Më vonë ndryshuan punët).

I hapur për nga natyra dhe paksa i shkapërderdhur, Abdullah Karjagdiu nuk u kujdes t’i mblidhte e botonte shkrimet e veta në ndonjë a disa libra. (Nuk pati mirësinë ta bënte këtë as dikush tjetër në vend të tij).

Botoi, me sa dimë, vetëm një libër me ese për integrimin e shqiptarëve në Evropë, titullin e të cilit s’po e gjejmë askund.

Në kohën tonë është bërë problem edhe të vdesësh. Pas luftës në Kosovë, që rrëmbeu dhjetëra mijëra njerëz dhe, së fundi, edhe pas pandemisë Covid-19, që po ashtu rrëmbeu dhe po rrëmben jo pak jetë njerëzish, vdekja sikur nuk përjetohet si dikur. Sidomos kur ikin nga kjo botë krijues e intelektualë, që nuk lënë pas vetes parti, shoqatë, klan apo edhe familje “të fuqishme”. Pak, shumë pak, u fol dhe u shkrua për “Abuçen”; pakrahasimisht më pak se për ndonjë person shumë më pak të rëndësishëm që gjatë jetës së tij ka ushtruar farë funksioni politik a ka mbështetur me fanatizëm ndonjë subjekt të fuqishëm a ndonjë lider “historik”.

​Nuk mund të mos e kujtojmë me këtë rast, rrjedhimisht, thënien e Hana Arendt-it se në shoqëritë e paemancipuara një gram pushtet peshon më shumë se një tonelatë mend!

Lavdi jetës dhe veprës së mikut dhe kolegut tonë të nderuar, profesor Abdullah Karjagdiut!

Ngushëllime familjes, miqve, shokëve dhe ish-studentëve të tij të shumtë kudo tek janë!

Prishtinë, 29 gusht 2021./KultPlus.com

Doli nga shtypi libri “Palestina në tri pamje” i autorit Agim Vinca

Në botim të shtëpisë botuese SYTH nga Tetova, doli nga shtypi libri i prof. Agim Vincës me titull “Palestina në tri pamje”.

Në këtë libër janë përfshirë tri shkrime që flasin për Palestinën, historinë dhe aktualitetin e saj, parë nga një këndvështrim personal. I pari është një udhëpërshkrim i autorit për vizitën e tij në Palestinë (qëndrimin në Ramallah e Jerusalem) në vitin 2018; i dyti është një parathënie e librit me poezi të poetit palestinez Najwan Darwish “Vendi që quhet këngë”, botimit shqip, që po ashtu ka elemente të udhëpërshkrimit, kurse në shkrimin e tretë autori analizon situatën në Palestinë, flet për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Izraelit si shtet dhe shqyrton mundësinë e zgjidhjes paqësore të konfliktit arabo-izraelit, duke marrë në konsideratë pikëpamjet e intelektualëve të shquar izraelitë dhe palestinezë.

Në pasthënien me titull “Ç’bën intelektuali nuk bën politikani”, recensenti i librit, prof. Muhamed Mufaku, specialist i Lindjes së Mesme, ndër të tjera thotë: “Një intelektual, që gjithnjë shpreh me guxim atë që hezitojnë të tjerët ta thonë, Agim Vinca është intelektuali i parë shqiptar që i ka parë Tri Palestinat gjatë vizitës së tij më 2018 prej Tel-Avivi deri në Ramallah, duke kaluar edhe në Jerusalem dhe ia ka transmetuar ato publikut shqiptar. Me këtë libër Agim Vinca si intelektual i vërtetë na tregon se gjendet një dritë në fund të tunelit, për çka vlen të dëgjohet zëri i shqiptarëve me përvojën e tyre të hidhur, si dhe me lidhjet e tyre historike me hebrenjtë dhe arabët”.

Kurse botuesja Vjollcë Berisha në një letër që i drejton autorit shkruan: “Nuk besoj se ndonjë ‘smartfon’ që ka udhëtuar në ato dhera ka pasur mundësinë të grumbullojë dhe pastaj të derdhë më shumë përjetime se ky udhëpërshkrim…Tani njerëzit përtojnë (ose u duket dalëmode) të nisin një kartolinë me përshëndetje nga një vend ku shkojnë për vizitë, e jo më të mbajnë shënim emra, vende, ngjarje, mbresa për t’i skalitur përgjithmonë në një udhëpërshkrim fin, sa nga informacioni që jep e sa nga mënyra e të shkruarit… Më mbeti në mendje fjalia e një mikut tim: ‘E kujtoja të lënë këtë lloj shkrimi. Mendoja që njerëzit bëjnë vetëm ‘selfi’ nga vendet që vizitojnë. Nuk duhet shumë zgjuarsi për të kuptuar se profesori ka farkëtim klasik të fjalës, nga ai i madhi, I pushtetshmi’”.

Libri mund të gjendet në libraritë “Artini” dhe “Dukagjini” në Prishtinë, në librarinë “Altera” në Prizren, në libraritë “Albas” dhe “Nobel” në Tetovë e Shkup, te Bezistani në Strugë, si dhe së shpejti në Tiranë. / epokaere.com / KultPlus.com

Një studim i rëndësishëm

Shkruan: Agim Vinca

Dr. Zahrie Kapllanaj: Hija e fjalës (Palimpsesti në poezinë e sotme shqipe, 1960-2000)

Zahrie Kapllanaj, mësimdhënëse e Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, del para lexuesve me studimin e saj Hija e fjalës (Palimpsesti në poezinë e sotme shqipe, 1960-2000),[1] që paraqet një kontribut të rëndësishëm në studimin e poezisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Siç mund të shihet qysh nga titulli, studimi i poezisë shqipe të kësaj periudhe bëhet nga një këndvështrim pak a shumë i ri në studimet tona letrare: nga aspekti intertekstual, përkatësisht nga prizmi i palimpsestit si një nga format e intertekstualitetit.

Është hera e parë që palimpsesti si formë shkrimi në letërsinë shqipe bëhet objekt i një punimi me karakter monografik. Shikuar nga ky aspekt mund të thuhet se autorja e këtij libri ka bërë një punë pothuajse fillestare.

Fjala palimpsest vjen nga greqishtja (palim-përsëri dhe psao-fshij; lat. codex rescriptus) dhe lidhet me kohën kur shkruhej në pergamenë dhe kur për mungesë materiali të shkrimit, por edhe për arsye fetare (lufta e krishterimit kundër paganizmit), gërryhej teksti i vjetër dhe mbi të shkruhej teksti i ri. Me zhvillimin e shkencës, me shpikjen e rrezeve ultravjollcë, arrin të deshifrohet edhe teksti i vjetër dhe në këtë mënyrë janë restauruar shumë vepra të periudhës antike.

Teknika e palimpsestit, pra e ndërtimit të një teksti të ri mbi shtresën e një teksti të vjetër, është e shpeshtë në letërsinë moderne dhe sidomos në atë postmoderne.

Libri i dr. Zahrie Kapllanajt Hija e fjalës (Palimpsesti në poezinë e sotme shqipe, 1960-2000) është një libër i përbërë nga tri pjesë, sa të mëvetësishme, po aq edhe të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Në pjesën e parë trajtohet palimpsesti në plan teorik, kurse në të dytën dhe të tretën analizohet prania e tij në poezinë shqipe të periudhës 1960-2000.

Me të drejtë mund të shtrohet pyetja: përse pikërisht nga viti 1960 e jo më parë, kur dihet se ajo që quajmë “Letërsi e sotme shqipe” fillon menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, që do të thotë në vitin 1945?

Do të ishte iluzore të kërkosh shfaqje të “poetikës palimpsestuale” në letërsinë shqipe të etapës së parë, që fillon menjëherë pas mbarimit të LDB-së dhe arrin deri në fund të viteve ’50, përkatësisht në fillim të viteve ’60. Poetika e kësaj letërsie, e bazuar tërësisht mbi parimet e realizmit socialist, madje jo rrallë mbi modele minore të letërsisë sovjetike, është e thjeshtë dhe e njëtrajtshme. Vetëm në fillim të viteve ’60 të shekullit të kaluar, me daljen në skenë të një brezi të ri shkrimtarësh dhe me krijimin e një klime pak më liberale, shfaqen, veçanërisht në poezi, elementet e para të një letërsie që thellon komunikim me sisteme të tjera letrare, në të vërtetë që hyn në dialog me traditën pararendëse.

Kjo është arsyeja që autorja, Zahrie Kapllanaj, e hap siparin në vitin 1960 dhe e mbyll atë me vitin 2000, kur edhe merr fund shekulli i zhvillimeve dinamike në historinë dhe kulturën shqiptare, shekulli XX. Edhe kështu punimi i saj ka një shtrirje të gjerë, madje tejet të gjerë, jo vetëm në planin kohor, por edhe në atë hapësinor: objekt trajtimi është bërë poezia shqipe e një periudhe gati gjysmëshekullore, në tërë arealin shqiptar (Shqipëri, Kosovë dhe viset e tjera ku banojnë shqiptarët në Ballkan), përfshirë edhe diasporën.

Shto këtu edhe literaturën jashtëzakonisht të gjerë, në gjuhë të ndryshme (kryesisht në anglisht dhe frëngjisht), mund të merren me mend vështirësitë me të cilat është ballafaquar autorja e këtij studimi ambivalent: teorik dhe historiko-letrar.

Edhe pse fjala është për një det të tërë literature, në të cilin nuk është lehtë të notosh, Kapllanaj ka arritur ta asimilojë në masë të madhe literaturën e konsultuar – një mori librash e autorësh – dhe të shquajë tek ata atë që është qenësore dhe që i shërben synimit të saj parësor: studimit kritik të poezisë shqipe me prirje postmoderne të periudhës 1960-2000.

Tri janë pistat kryesore të librit të saj: 1. Pjesa teorike, 2. Pjesa e rrjeteve ndërtekstuale dhe 3. Pjesa e analizës kritike të teksteve poetike.

Në pjesën e parë, që autorja e quan Palimpsesti teorik, bëhet identifikimi i termit palimpsest dhe derivatit të tij: palimpsestualitet; flitet për teorinë e intertekstualitetit si një nga metodat kryesore të studimit të letërsisë në kohën tonë dhe shpjegohen mënyrat e komunikimit intertekstual, duke u bazuar në mendimet e Bahtinit, të Liotarit, të Bartit, të Todorovit, të Kristevës, Haçionit, Rifaterit, Ekos, Igëlltonit, Hans Bertensit, Greham Alenit e studiuesve të tjerë të proviniencave të ndryshme,  për t’u ndalur posaçërisht te libri Hyrje në intertekstualitet (Paris, 1996; 2002) i Natali Pjege-Grosë, si dhe te libri i famshëm i Zherar Zhënetit: Palimpsestet. Letërsia në shkallën e dytë, botim i vitit 1982.

Dialogizmi i Bahtinit, intertekstualiteti i Kristevës, teoria e tekstit e Bartit, transtekstualiteti i Zhënetit, pikëpamja e Linda Haçionit mbi postmodernizmin, koncepti i Todorovit mbi poetikën, konsiderata e Ekos mbi referencialitetin; hipoteksti, hiperteksti, arkiteksti; “double coding”-u; citati, referenca, aluzioni; ironia ndërtekstuale dhe lexuesi model  – të gjitha janë aty, aq sa lexuesi, herë-herë, fiton përshtypjen se po lexon një traktat teorik, por ky nuk është dimensioni dhe vlera kryesore e këtij punimi.

Dialogu i vërtetë i këtij libri me lexuesin fillon atëherë kur autorja kalon nga komenti i teksteve teorike te interpretimi i teksteve poetike.

Palimpsesti dhe palimpsestualiteti janë nocionet themelore mbi të cilat e mbështet analizën e saj autorja e këtij punimi. Kjo qasje e shpie, natyrisht, te tradita dhe oraliteti si nyje të forta në rrjetën ndërtekstuale të poezisë shqipe. 

Letërsia e shkruar e ka pasur dhe vazhdon ta ketë nënshtrat letërsinë gojore, aq më shumë në letërsinë shqipe, ku poetët, sikurse edhe te popujt e tjerë të Ballkanit, gjithmonë kanë pasur “një ndërlikim organik me poezinë popullore” (Çabej). Praninë e oralitetit në poezinë e sotme, autorja e sheh te tradita gojore, te elementet etnografike, etnopsikologjike dhe mitologjike. Elemente të tilla me funksion poetik gjen te poetë si Azem Shkreli, Din Mehmeti, Ali Podrimja e të tjerë, në krijimtarinë e të cilëve elementet e huajtura nga tradita orale, sikurse edhe nga ajo biblike, rikuptimësohen. (Për raportet e Camajt me Oralitetin do të flitet gjerësisht në pjesën që autorja e quan “faza e tretë e studimit”). Vëmendje të veçantë i kushton baladës si lloj letrar në poezinë shqipe të periudhës përkatëse, duke e shikuar atë në lidhje të ngushtë me baladën popullore.

Një nga elementet e para dhe më të dukshme transtekstuale, sipas Zhënetit, është kategoria e quajtur “paratekstualitet”. Nën titullin Paratekstualiteti në poezinë shqipe, autorja merret me dy vepra poetike, të largëta në kohë: Libri i burgut (1959) i Arshi Pipës dhe Neurosis (1973) i Musa Ramadanit, në të cilat shpërfaqet në mënyrë eksplicite ky element; në rastin e parë te “Paraqitja, Shënimet dhe Fjalorthi”, ndërsa tek i dyti te kushtimi me të cilin hapet libri dhe te shëniment që shoqërojnë  poezitë e radhitura në formë “alfabetike” – nga A-ja deri te Zh-ja.

Në studimin e Zahrije Kapllanajt analizohet poezia e një varg poetësh shqiptarë të brezave të ndryshëm, në krijimtarinë e të cilëve gjejmë lidhje palimpsestuale të natyrave të ndryshme. Të tillë janë: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Din Mehmeti, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Rrahman Dedaj, Musa Ramadani, Sabri Hamiti, Moikom Zeqo, Anton Papleka, Agim Vinca e të tjerë.

Në paraqitjen e veprave me poetikë ndërtekstuale autorja ndjek kryesisht kriterin kronologjik, por varësisht nga përmbajtja që ofrojnë tekstet nuk i përmbahet gjithmonë këtij kriteri, duke e zëvendësuar atë me kriterin tipologjik.

Një autor që e krijon me sistem e vetëdije poezinë e tipit palimpsest është Anton Papleka, i njohur, pos si poet, edhe si studiues i miteve dhe përkthyes i poezisë. Vepër ekzemplare e këtij poeti nga ky aspekt është libri me titull: Proema. Në këtë vepër, të përbërë kryesisht nga proza poetike, që vetë poeti i quan ”poema në prozë”, studiuesja dallon tre lloje palimpsestesh: palimpsestin mitologjik, palimpsestin popullor dhe palimpsestin historik, që falë invencionit krijues sajojnë një tërësi koherente artistike.

Siç mund të pritej, autori me të cilin është marrë më gjerësisht autorja e këtij studimi  është Martin Camaj (1922-1991), me të cilin ajo merret me përkushtim një kohë të gjatë. Fjala është për autorin, i cili në parathënien e librit Palimpsest (1991) do të tregojë se si e ka “zbuluar” palimpsestin. Mirëpo, vepra së cilës në këtë studim i bëhet një analizë e gjithanshme dhe gati shteruese, është kryevepra e këtij autori Dranja (1981). Sikurse edhe personazhi i saj, breshka Drane, Dranja është “vepër e ndërmjeme”: poezi e prozë bashkë, më saktësisht madrigale të shkruara në prozë. Te Dranja autorja e studimit hulumton paratekstualitetin, oralitetin, lojën arkitekstuale, lidhjet me mitologjinë popullore, rikontekstualizmin e shprehjeve popullore dhe përbërësit e tjerë poetikës së kësaj vepre-palimpsestuale.

Studimi i Zahrije Kapllanajt mbi palimpsestin fillon dhe mbaron pothuajse me përuruesin e këtij termi në letërsinë shqipe dhe kultivuesin e kësaj forme në poezi, Martin Camajn. Por, shtrohet pyetja: a ka edhe autorë të tjerë pos Camajt, Pipës, Ramadanit, Paplekës dhe të tjerëve që përmendëm më sipër, që kanë mbetur jashtë kornizës së këtij punimi?

Sigurisht që po dhe jo një a dy, por shumë më tepër. Pa përmendur emra të përveçëm, le të na lejohet të shprehim bindjen se autorja do ta vazhdojë punën në hulumtimin e palimpsestit në poezinë shqipe, madje jo vetëm në periudhën 1960-2000, por edhe më vonë, pas viteve dy mijë, kur numri i krijuesve që e kultivojnë këtë formë poetike ndër ne, për shkak të hapjes së letërsisë shqipe ndaj rrjedhave të letërsisë moderne, është shtuar dukshëm.

Më i rëndësishëm se numri i poetëve dhe emrat e tyre, është, ndërkaq, koncepti dhe strategjia që ka ndjekur autorja.

Sikurse mësuesit e saj në fushën e studimit të letërsisë, Zahrije Kapllanaj i qaset letërsisë shqipe si tërësi, domethënë në mënyrë integrale, pa ndarje krahinore e regjionale, pavarësisht nga vështirësitë që mund të shkaktojë kjo qasje, ndërsa në planin strategjik zbaton parimin e hulumtimit të tekstit, të interpretimit të tij, duke treguar se ç’përmban dhe si funksionon ai.

Edhe pse relativisht e re në moshë, Zahrije Kapllanaj ka dëshmuar se ka aftësi të theksuara analitike, në ç’gjë asaj i ka ndihmuar pa dyshim edhe përvoja pedagogjike, puna me studentë në procesin mësimor në fakultet.

Studimet intertekstuale e vunë në sprovë origjinalen si kategori, aq sa mund të thuhet se nga ky aspekt teoria e intertekstualitetit paraqet një revolucion. Falë studimeve të kësaj natyre, citati, kolazhi, referenca, parodia, brikolazhi (bubërrimi) e, madje, edhe “vjedhja letrare” (sipas studiueses frënge Natali Pjege-Gro), fituan të drejtën e qytetarisë në krijimtari.

Sepse shkrimtarët janë “ruajtës të kujtesës”, kurse palimpsesti dëshmi e kujtesës së tekstit letrar, që, sipas një francezje tjetër, të natyralizuar, Julia Kristevës, është “mozaik citatesh” dhe “absorbim tekstesh”.

Është hera e parë që një problem kaq i ndjeshëm bëhet objekt i një trajtimi kaq të gjerë shkencor ndër ne. Aq më shumë që nuk ka pasur model dhe i është dashur të bëjë një punë, pak a shumë, fillestare, thënë figurativisht: të hapë një hulli që do të thellohet nga ajo vetë dhe nga studiues të tjerë në të ardhmen.

Shkrimet e Zahrie Kapllanajt në përgjithësi (ato që ka botuar deri tani) i karakterizon aftësia e gjykimit kritik dhe e analizës shkencore, si në planin teorik, ashtu edhe në atë kritik.Stili i saj është diskursiv, pra shkencor (e jo emocional); gjuha e saktë, kurse ligjërimi racional, tipar që ka marrë përmasa të reja në studimin në fjalë.

Libri i dr. Zahrie Kapllanajt është një studim monografik me koncept të qartë. Ai nuk është përmbledhje artikujsh të bërë bashkë në një libër, por studim sistematik mbi një formë letrare në një letërsi kombëtare: mbi palimpsestin në poezinë shqipe të katër dekadave të fundit të shekullit XX.

Sikurse autori inicial, Camaj, që u vu në ndjekje të palimpsesteve pas bisedës për tekstet e vjetra shqipe me atë murgun benedikt në Romë, edhe autorja e këtij punimi ka ndjekur palimpsestet në poezinë shqipe në një periudhë të gjatë kohore: 1960-2000, duke e shikuar formën palimpsestuale të shkrimit të lidhur ngushtë me intertekstin si postulat i poetikës postmoderne, por edhe me toposin, arketipet, simbolet dhe përbërësit e tjerë të strukturës së tekstit letrar.

Studimet e këtij lloji janë të reja ose relativisht të reja në kritikën tonë, por atyre u takon perspektiva.

Libri i dr. Zahrie Kapllanaj i zgjeron njohuritë tona për postmodernizmin, intertekstualitetin, palimpsestin dhe tekstin letrar në përgjithësi. Në të citohen edhe vepra e autorë, që njihen fare pak në mjedisin tonë, ndonjë prej të cilëve e ka përkthyer vetë autorja e librit.

Rëndësi të veçantë paraqet fakti që teknika palimpsestuale shihet në funksion të thellimit të kuptimit të veprës dhe të rrezatimit asociativ të saj. Vlerë tjetër e punimit është ilustrimi i tezave me shembujt më përfaqësues të këtij tipi të shkrimit, të cilët autorja, si njohëse e mirë e poezisë shqipe, arrin t’i zgjedhë me kujdes.

Si i tillë, studimi i Zahrie Kapllanajt për poetikën e palimpsestit shqiptar do t’u hyjë në punë studentëve të letërsisë, mësimdhënësve në shkolla e fakultete, të interesuarve të tjerë dhe sidomos studiuesve të letërsisë, veçanërisht atyre që merren me zhvillimet letrare në letërsinë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Zhvillimi i letërsisë shqipe në dy dekadat e para të këtij shekulli, por edhe i studimeve shqiptare në fushën e letërsisë, e rikonfirmon perspektivën e kësaj qasjeje: qasjes intertekstuale.

Prishtinë, maj 2021                                                                            Prof. Agim Vinca


[1] Në versionin e parë, atë që u mbrojt si tezë disertacioni të doktoratës në Akademinë e Studimeve Albanologjike në Tiranë, ky studim titullohej: Palimpsesti në poezinë e sotme shqipe (1960-2000).

Ditëlindja

Poezi nga Agim Vinca

Në Paris, rastësisht, i mbusha pesëdhjetë e sa vjet.

Tani jam një vit më i madh se Naimi,
dyfish më i moshuar se Migjeni
dhe – mjekërbardhë si Lasgushi.

Për ditëlindjen time
pimë nga një gotë verë
me Veronikën nga Kili
dhe Mihain nga Bukureshti.

Ç’rastësi!
Të tre kemi njohur nga një diktaturë

(unë dy a tri)

dhe kemi ëndërruar botën e lirë.
I cakërrojmë gotat dhe themi:

Gëzuar!

Secili në gjuhë të vet;
në Paris, në botën e lirë
(A thua, vërtet?)

Në ditëlindjen time të njëqindepesëdhjetë!

(Paris, 2002) / KultPlus.com