Një studim i rëndësishëm

Shkruan: Agim Vinca

Dr. Zahrie Kapllanaj: Hija e fjalës (Palimpsesti në poezinë e sotme shqipe, 1960-2000)

Zahrie Kapllanaj, mësimdhënëse e Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, del para lexuesve me studimin e saj Hija e fjalës (Palimpsesti në poezinë e sotme shqipe, 1960-2000),[1] që paraqet një kontribut të rëndësishëm në studimin e poezisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Siç mund të shihet qysh nga titulli, studimi i poezisë shqipe të kësaj periudhe bëhet nga një këndvështrim pak a shumë i ri në studimet tona letrare: nga aspekti intertekstual, përkatësisht nga prizmi i palimpsestit si një nga format e intertekstualitetit.

Është hera e parë që palimpsesti si formë shkrimi në letërsinë shqipe bëhet objekt i një punimi me karakter monografik. Shikuar nga ky aspekt mund të thuhet se autorja e këtij libri ka bërë një punë pothuajse fillestare.

Fjala palimpsest vjen nga greqishtja (palim-përsëri dhe psao-fshij; lat. codex rescriptus) dhe lidhet me kohën kur shkruhej në pergamenë dhe kur për mungesë materiali të shkrimit, por edhe për arsye fetare (lufta e krishterimit kundër paganizmit), gërryhej teksti i vjetër dhe mbi të shkruhej teksti i ri. Me zhvillimin e shkencës, me shpikjen e rrezeve ultravjollcë, arrin të deshifrohet edhe teksti i vjetër dhe në këtë mënyrë janë restauruar shumë vepra të periudhës antike.

Teknika e palimpsestit, pra e ndërtimit të një teksti të ri mbi shtresën e një teksti të vjetër, është e shpeshtë në letërsinë moderne dhe sidomos në atë postmoderne.

Libri i dr. Zahrie Kapllanajt Hija e fjalës (Palimpsesti në poezinë e sotme shqipe, 1960-2000) është një libër i përbërë nga tri pjesë, sa të mëvetësishme, po aq edhe të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Në pjesën e parë trajtohet palimpsesti në plan teorik, kurse në të dytën dhe të tretën analizohet prania e tij në poezinë shqipe të periudhës 1960-2000.

Me të drejtë mund të shtrohet pyetja: përse pikërisht nga viti 1960 e jo më parë, kur dihet se ajo që quajmë “Letërsi e sotme shqipe” fillon menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, që do të thotë në vitin 1945?

Do të ishte iluzore të kërkosh shfaqje të “poetikës palimpsestuale” në letërsinë shqipe të etapës së parë, që fillon menjëherë pas mbarimit të LDB-së dhe arrin deri në fund të viteve ’50, përkatësisht në fillim të viteve ’60. Poetika e kësaj letërsie, e bazuar tërësisht mbi parimet e realizmit socialist, madje jo rrallë mbi modele minore të letërsisë sovjetike, është e thjeshtë dhe e njëtrajtshme. Vetëm në fillim të viteve ’60 të shekullit të kaluar, me daljen në skenë të një brezi të ri shkrimtarësh dhe me krijimin e një klime pak më liberale, shfaqen, veçanërisht në poezi, elementet e para të një letërsie që thellon komunikim me sisteme të tjera letrare, në të vërtetë që hyn në dialog me traditën pararendëse.

Kjo është arsyeja që autorja, Zahrie Kapllanaj, e hap siparin në vitin 1960 dhe e mbyll atë me vitin 2000, kur edhe merr fund shekulli i zhvillimeve dinamike në historinë dhe kulturën shqiptare, shekulli XX. Edhe kështu punimi i saj ka një shtrirje të gjerë, madje tejet të gjerë, jo vetëm në planin kohor, por edhe në atë hapësinor: objekt trajtimi është bërë poezia shqipe e një periudhe gati gjysmëshekullore, në tërë arealin shqiptar (Shqipëri, Kosovë dhe viset e tjera ku banojnë shqiptarët në Ballkan), përfshirë edhe diasporën.

Shto këtu edhe literaturën jashtëzakonisht të gjerë, në gjuhë të ndryshme (kryesisht në anglisht dhe frëngjisht), mund të merren me mend vështirësitë me të cilat është ballafaquar autorja e këtij studimi ambivalent: teorik dhe historiko-letrar.

Edhe pse fjala është për një det të tërë literature, në të cilin nuk është lehtë të notosh, Kapllanaj ka arritur ta asimilojë në masë të madhe literaturën e konsultuar – një mori librash e autorësh – dhe të shquajë tek ata atë që është qenësore dhe që i shërben synimit të saj parësor: studimit kritik të poezisë shqipe me prirje postmoderne të periudhës 1960-2000.

Tri janë pistat kryesore të librit të saj: 1. Pjesa teorike, 2. Pjesa e rrjeteve ndërtekstuale dhe 3. Pjesa e analizës kritike të teksteve poetike.

Në pjesën e parë, që autorja e quan Palimpsesti teorik, bëhet identifikimi i termit palimpsest dhe derivatit të tij: palimpsestualitet; flitet për teorinë e intertekstualitetit si një nga metodat kryesore të studimit të letërsisë në kohën tonë dhe shpjegohen mënyrat e komunikimit intertekstual, duke u bazuar në mendimet e Bahtinit, të Liotarit, të Bartit, të Todorovit, të Kristevës, Haçionit, Rifaterit, Ekos, Igëlltonit, Hans Bertensit, Greham Alenit e studiuesve të tjerë të proviniencave të ndryshme,  për t’u ndalur posaçërisht te libri Hyrje në intertekstualitet (Paris, 1996; 2002) i Natali Pjege-Grosë, si dhe te libri i famshëm i Zherar Zhënetit: Palimpsestet. Letërsia në shkallën e dytë, botim i vitit 1982.

Dialogizmi i Bahtinit, intertekstualiteti i Kristevës, teoria e tekstit e Bartit, transtekstualiteti i Zhënetit, pikëpamja e Linda Haçionit mbi postmodernizmin, koncepti i Todorovit mbi poetikën, konsiderata e Ekos mbi referencialitetin; hipoteksti, hiperteksti, arkiteksti; “double coding”-u; citati, referenca, aluzioni; ironia ndërtekstuale dhe lexuesi model  – të gjitha janë aty, aq sa lexuesi, herë-herë, fiton përshtypjen se po lexon një traktat teorik, por ky nuk është dimensioni dhe vlera kryesore e këtij punimi.

Dialogu i vërtetë i këtij libri me lexuesin fillon atëherë kur autorja kalon nga komenti i teksteve teorike te interpretimi i teksteve poetike.

Palimpsesti dhe palimpsestualiteti janë nocionet themelore mbi të cilat e mbështet analizën e saj autorja e këtij punimi. Kjo qasje e shpie, natyrisht, te tradita dhe oraliteti si nyje të forta në rrjetën ndërtekstuale të poezisë shqipe. 

Letërsia e shkruar e ka pasur dhe vazhdon ta ketë nënshtrat letërsinë gojore, aq më shumë në letërsinë shqipe, ku poetët, sikurse edhe te popujt e tjerë të Ballkanit, gjithmonë kanë pasur “një ndërlikim organik me poezinë popullore” (Çabej). Praninë e oralitetit në poezinë e sotme, autorja e sheh te tradita gojore, te elementet etnografike, etnopsikologjike dhe mitologjike. Elemente të tilla me funksion poetik gjen te poetë si Azem Shkreli, Din Mehmeti, Ali Podrimja e të tjerë, në krijimtarinë e të cilëve elementet e huajtura nga tradita orale, sikurse edhe nga ajo biblike, rikuptimësohen. (Për raportet e Camajt me Oralitetin do të flitet gjerësisht në pjesën që autorja e quan “faza e tretë e studimit”). Vëmendje të veçantë i kushton baladës si lloj letrar në poezinë shqipe të periudhës përkatëse, duke e shikuar atë në lidhje të ngushtë me baladën popullore.

Një nga elementet e para dhe më të dukshme transtekstuale, sipas Zhënetit, është kategoria e quajtur “paratekstualitet”. Nën titullin Paratekstualiteti në poezinë shqipe, autorja merret me dy vepra poetike, të largëta në kohë: Libri i burgut (1959) i Arshi Pipës dhe Neurosis (1973) i Musa Ramadanit, në të cilat shpërfaqet në mënyrë eksplicite ky element; në rastin e parë te “Paraqitja, Shënimet dhe Fjalorthi”, ndërsa tek i dyti te kushtimi me të cilin hapet libri dhe te shëniment që shoqërojnë  poezitë e radhitura në formë “alfabetike” – nga A-ja deri te Zh-ja.

Në studimin e Zahrije Kapllanajt analizohet poezia e një varg poetësh shqiptarë të brezave të ndryshëm, në krijimtarinë e të cilëve gjejmë lidhje palimpsestuale të natyrave të ndryshme. Të tillë janë: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Din Mehmeti, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Rrahman Dedaj, Musa Ramadani, Sabri Hamiti, Moikom Zeqo, Anton Papleka, Agim Vinca e të tjerë.

Në paraqitjen e veprave me poetikë ndërtekstuale autorja ndjek kryesisht kriterin kronologjik, por varësisht nga përmbajtja që ofrojnë tekstet nuk i përmbahet gjithmonë këtij kriteri, duke e zëvendësuar atë me kriterin tipologjik.

Një autor që e krijon me sistem e vetëdije poezinë e tipit palimpsest është Anton Papleka, i njohur, pos si poet, edhe si studiues i miteve dhe përkthyes i poezisë. Vepër ekzemplare e këtij poeti nga ky aspekt është libri me titull: Proema. Në këtë vepër, të përbërë kryesisht nga proza poetike, që vetë poeti i quan ”poema në prozë”, studiuesja dallon tre lloje palimpsestesh: palimpsestin mitologjik, palimpsestin popullor dhe palimpsestin historik, që falë invencionit krijues sajojnë një tërësi koherente artistike.

Siç mund të pritej, autori me të cilin është marrë më gjerësisht autorja e këtij studimi  është Martin Camaj (1922-1991), me të cilin ajo merret me përkushtim një kohë të gjatë. Fjala është për autorin, i cili në parathënien e librit Palimpsest (1991) do të tregojë se si e ka “zbuluar” palimpsestin. Mirëpo, vepra së cilës në këtë studim i bëhet një analizë e gjithanshme dhe gati shteruese, është kryevepra e këtij autori Dranja (1981). Sikurse edhe personazhi i saj, breshka Drane, Dranja është “vepër e ndërmjeme”: poezi e prozë bashkë, më saktësisht madrigale të shkruara në prozë. Te Dranja autorja e studimit hulumton paratekstualitetin, oralitetin, lojën arkitekstuale, lidhjet me mitologjinë popullore, rikontekstualizmin e shprehjeve popullore dhe përbërësit e tjerë poetikës së kësaj vepre-palimpsestuale.

Studimi i Zahrije Kapllanajt mbi palimpsestin fillon dhe mbaron pothuajse me përuruesin e këtij termi në letërsinë shqipe dhe kultivuesin e kësaj forme në poezi, Martin Camajn. Por, shtrohet pyetja: a ka edhe autorë të tjerë pos Camajt, Pipës, Ramadanit, Paplekës dhe të tjerëve që përmendëm më sipër, që kanë mbetur jashtë kornizës së këtij punimi?

Sigurisht që po dhe jo një a dy, por shumë më tepër. Pa përmendur emra të përveçëm, le të na lejohet të shprehim bindjen se autorja do ta vazhdojë punën në hulumtimin e palimpsestit në poezinë shqipe, madje jo vetëm në periudhën 1960-2000, por edhe më vonë, pas viteve dy mijë, kur numri i krijuesve që e kultivojnë këtë formë poetike ndër ne, për shkak të hapjes së letërsisë shqipe ndaj rrjedhave të letërsisë moderne, është shtuar dukshëm.

Më i rëndësishëm se numri i poetëve dhe emrat e tyre, është, ndërkaq, koncepti dhe strategjia që ka ndjekur autorja.

Sikurse mësuesit e saj në fushën e studimit të letërsisë, Zahrije Kapllanaj i qaset letërsisë shqipe si tërësi, domethënë në mënyrë integrale, pa ndarje krahinore e regjionale, pavarësisht nga vështirësitë që mund të shkaktojë kjo qasje, ndërsa në planin strategjik zbaton parimin e hulumtimit të tekstit, të interpretimit të tij, duke treguar se ç’përmban dhe si funksionon ai.

Edhe pse relativisht e re në moshë, Zahrije Kapllanaj ka dëshmuar se ka aftësi të theksuara analitike, në ç’gjë asaj i ka ndihmuar pa dyshim edhe përvoja pedagogjike, puna me studentë në procesin mësimor në fakultet.

Studimet intertekstuale e vunë në sprovë origjinalen si kategori, aq sa mund të thuhet se nga ky aspekt teoria e intertekstualitetit paraqet një revolucion. Falë studimeve të kësaj natyre, citati, kolazhi, referenca, parodia, brikolazhi (bubërrimi) e, madje, edhe “vjedhja letrare” (sipas studiueses frënge Natali Pjege-Gro), fituan të drejtën e qytetarisë në krijimtari.

Sepse shkrimtarët janë “ruajtës të kujtesës”, kurse palimpsesti dëshmi e kujtesës së tekstit letrar, që, sipas një francezje tjetër, të natyralizuar, Julia Kristevës, është “mozaik citatesh” dhe “absorbim tekstesh”.

Është hera e parë që një problem kaq i ndjeshëm bëhet objekt i një trajtimi kaq të gjerë shkencor ndër ne. Aq më shumë që nuk ka pasur model dhe i është dashur të bëjë një punë, pak a shumë, fillestare, thënë figurativisht: të hapë një hulli që do të thellohet nga ajo vetë dhe nga studiues të tjerë në të ardhmen.

Shkrimet e Zahrie Kapllanajt në përgjithësi (ato që ka botuar deri tani) i karakterizon aftësia e gjykimit kritik dhe e analizës shkencore, si në planin teorik, ashtu edhe në atë kritik.Stili i saj është diskursiv, pra shkencor (e jo emocional); gjuha e saktë, kurse ligjërimi racional, tipar që ka marrë përmasa të reja në studimin në fjalë.

Libri i dr. Zahrie Kapllanajt është një studim monografik me koncept të qartë. Ai nuk është përmbledhje artikujsh të bërë bashkë në një libër, por studim sistematik mbi një formë letrare në një letërsi kombëtare: mbi palimpsestin në poezinë shqipe të katër dekadave të fundit të shekullit XX.

Sikurse autori inicial, Camaj, që u vu në ndjekje të palimpsesteve pas bisedës për tekstet e vjetra shqipe me atë murgun benedikt në Romë, edhe autorja e këtij punimi ka ndjekur palimpsestet në poezinë shqipe në një periudhë të gjatë kohore: 1960-2000, duke e shikuar formën palimpsestuale të shkrimit të lidhur ngushtë me intertekstin si postulat i poetikës postmoderne, por edhe me toposin, arketipet, simbolet dhe përbërësit e tjerë të strukturës së tekstit letrar.

Studimet e këtij lloji janë të reja ose relativisht të reja në kritikën tonë, por atyre u takon perspektiva.

Libri i dr. Zahrie Kapllanaj i zgjeron njohuritë tona për postmodernizmin, intertekstualitetin, palimpsestin dhe tekstin letrar në përgjithësi. Në të citohen edhe vepra e autorë, që njihen fare pak në mjedisin tonë, ndonjë prej të cilëve e ka përkthyer vetë autorja e librit.

Rëndësi të veçantë paraqet fakti që teknika palimpsestuale shihet në funksion të thellimit të kuptimit të veprës dhe të rrezatimit asociativ të saj. Vlerë tjetër e punimit është ilustrimi i tezave me shembujt më përfaqësues të këtij tipi të shkrimit, të cilët autorja, si njohëse e mirë e poezisë shqipe, arrin t’i zgjedhë me kujdes.

Si i tillë, studimi i Zahrie Kapllanajt për poetikën e palimpsestit shqiptar do t’u hyjë në punë studentëve të letërsisë, mësimdhënësve në shkolla e fakultete, të interesuarve të tjerë dhe sidomos studiuesve të letërsisë, veçanërisht atyre që merren me zhvillimet letrare në letërsinë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Zhvillimi i letërsisë shqipe në dy dekadat e para të këtij shekulli, por edhe i studimeve shqiptare në fushën e letërsisë, e rikonfirmon perspektivën e kësaj qasjeje: qasjes intertekstuale.

Prishtinë, maj 2021                                                                            Prof. Agim Vinca


[1] Në versionin e parë, atë që u mbrojt si tezë disertacioni të doktoratës në Akademinë e Studimeve Albanologjike në Tiranë, ky studim titullohej: Palimpsesti në poezinë e sotme shqipe (1960-2000).

Ditëlindja

Poezi nga Agim Vinca

Në Paris, rastësisht, i mbusha pesëdhjetë e sa vjet.

Tani jam një vit më i madh se Naimi,
dyfish më i moshuar se Migjeni
dhe – mjekërbardhë si Lasgushi.

Për ditëlindjen time
pimë nga një gotë verë
me Veronikën nga Kili
dhe Mihain nga Bukureshti.

Ç’rastësi!
Të tre kemi njohur nga një diktaturë

(unë dy a tri)

dhe kemi ëndërruar botën e lirë.
I cakërrojmë gotat dhe themi:

Gëzuar!

Secili në gjuhë të vet;
në Paris, në botën e lirë
(A thua, vërtet?)

Në ditëlindjen time të njëqindepesëdhjetë!

(Paris, 2002) / KultPlus.com

Kur gratë falnin gjaqe dhe i jepnin fund ligjeve të Kanunit

“Ne insistuam që edhe gratë të jenë pjesë e aksionit. Ishin ato që bartnin peshën më të rëndë të dhembjes, por edhe të barrës së punëve, të cilat nuk mund t’i kryenin burrat e hasmëruar”, tregonte Hava Shala Gërguri, një ndër aktivistet e vetme gra të aksionit për pajtimet e gjaqeve.

Në këtë fotografi shihet një grua duke falur gjakun./ KultPlus.com

E kujtoj mësuesin

Poezi nga Agim Vinca

Pat ikur mësuesi im në Turqi,
unë abetaren e laga me lot.
Në zemër më hyri fytyrë e tij
dhe s’më hiqet atë ditë e sot.

I vogël isha ahere, pak dija,
jeta më dukej lojë, dëfrim.
Por ngado që shkoja, kudo që vija
shihja fytyrën e mësuesit tim.

Dëgjoja zërin e tij të dashur
kur binte zilja për në mësim,
dëgjoja zërin e tij të dridhur:
«E di ç’është mërgimi, ti Agim?»

Po unë s’e dija, s’kuptoja dot
ç’ishte mërgimi dhe Anadolli.
Sytë e mësuesit ishin me lot
atë ditë që fshati e përcolli.

Kaluan ditë, kaluan vjet,
librin nga dora s’e lëshova,
në banka të shkollës dhe në jetë
punët e kësaj toke i mësova.

Mësova unë se ç’ish mërgimi,
shtëpia pa plëng, sofra pa bukë,
mësova përse mësuesi, imi,
na la dhe mori të largëtën rrugë.

Sot kur dhe vetë me ditar
dal para nxënësve të mi,
e kujtoj mësuesin tim të parë,
arratisur larg në Turqi. / KultPlus.com

Gazeta “Le Temps” e Gjenevës citon vargjet e Agim Vincës



Gazeta numër një e Gjenevës “Le Temps” (Koha), në numrin e së dielës
(17 janar 2021), në një artikull me titull “Poezi për të mësuar
frëngjishten”, citon vargjet e poetit Agim Vinca
.

(https://www.letemps.ch/culture/poesie-apprendre-francais)

Duke folur për punën e Teatrit “Spirale” (le Théâtre Spirale), që
vepron në kuadër të Universitetit Popullor Shqiptar (Université
populaire albanaise), të cilin e drejton Albana Krasniqi-Malaj, citon
në frëngjisht vargjet e poezisë “Zogjtë” të Vincës: “Të vetmit
udhëtarë që i kalojnë kufijtë pa pasaportë. Atyre kurrkush s’ua
kontrollon valixhet / Atyre kurrkush s’ua censuron letrat / Atyre
kurrkush s’ua konfiskon këngët / Gjuha e tyre s’njeh kufi”.

Së pari në gjuhën shqipe, pastaj në përkthim frëngjisht, thuhet në
këtë shkrim, kjo poezi e Agim Vincës hap festimet e Pritjes, e para
nga dy podkastet e arritshme lirisht në faqen e internetit të Teatrit
Spirale (https://www.theatrespirale.com/attente/). Goditjet
përkëdhelen në fluturimin e këtyre “ambasadorëve të qiellit”, ndërsa
një zë gruaje ndjek me gëzim me rimën “Tri mace të vogla, kapele
kashte, fjetje etj.”.

Universitetit Popullor Shqiptar bën një punë të mirë në afirmimin e
vlerave të letërsisë dhe kulturës shqiptare te mërgimtarët tanë, por
edhe te publiku zviceran. / KultPlus.com

Vinca: Emri i të ndjerit, që ua kishte mësuar nxënësve shkronjat shqip, shkruhet me shkronja cirilike

Agim Vinca

AS NË VDEKJE NUK JEMI TË BARABARTË!

(Dy fjalë për një vdekje në familje dhe për statusin e gjuhës shqipe)Më 11 janar, në spitalin e qytetit në Strugë, u nda nga jeta im vëlla, Selami Vinca, mësues në pension. E rrëmbeu murtaja e kohës sonë, koronavirusi, por edhe disa komplikime të tjera shëndetësore. U shtri në spital natën e Vitit të Ri, më 31 dhjetor dhe nuk doli më i gjallë, edhe pse ndërkohë, na thuhej se kishte përmirësime. Po të mos e kishte prekur virusi famëkeq, që ia mori jetën në mëngjesin e 11 janarit, im vëlla do ta vazhdonte udhëtimin e tij jetësor, sepse deri para dy-tre muajsh gëzonte shëndet të mirë. Që nga koha kur e kreu Normalen në Shkup në vitin 1962 (më vonë edhe Akademinë Pedagogjike) e deri në pension, im vëlla, Selami Vinca, ka punuar mësues në vendlindje.Tërë jetën ia kushtoi arsimit, por edhe rezistencës kundër diskriminimit, për çka edhe u përndoq dhe u burgos.Detyrën e mësuesit e ushtroi me përkushtim të veçantë, madje me pasion, gjë që e dinë më së miri ish-nxënësit e tij, kudo që janë, por edhe kolegët, ata që ua njohin vlerat të tjerëve. Jo pak nga ata që u ka dhënë mësim në shkollën fillore në Veleshtë, dekada me radhë, disa prej të cilëve sot janë personalitete publike, thonë se në klasë ai ishte jo vetëm mësues, por edhe artist. Lexonte bukur dhe edhe më bukur këndonte. Kishte dhunti të rrallë për muzikë, vokale e instrumentale, të lindur, por edhe të kultivuar në shkollën normale “Zef Lush Marku” në Shkup, të njohur për punën që bëhej atëbotë në përgatitjen komplete të mësimdhënësve të ardhshëm.Një ish-nxënës i tij që e njoha në ditën e zisë, i biri i një bariu të fshatit, babain e të cilit e mbaj mend mirë, më tha se kur kishte shkuar të regjistrohej në klasë të parë asnjëri nga mësuesit nuk kishte dashur ta merrte në klasën e tij. “Më mori msusi Selami”, tha, duke shtuar sakaq fjalën “Xhaxhi”, që ishte nofka me të cilën njihej im vëlla. Gjatë jetës, krahas ditarit, mbajti në dorë edhe mandolinën, me të cilën i shoqëronte këngët që këndonte, kryesisht këngë të vjetra qytetare dhe muzikë e lehtë. Ka qenë anëtar aktiv i disa ansambleve dhe orkestrave lokale në Veleshtë, Strugë, Pogradec etj. Edhe burgosja e tij dhe e dy kolegëve të tij në vitet ‘70 (1976) ndodhi për shkak të këngëve. U qe zënë për të madhe që kishin kënduar këngë për Bajram Currin e Mujo Ulqinakun, sepse “s’janë të këtij nënqielli”, u kishin thënë në “Organe”. U akuzuan se kishin kënduar këngë për Enver Hoxhën në programin muzikor me nxënësit, veçse emrin “Enver” e kishin zëvendësuar kinse me fjalën “pranverë”! (“Lule t’bukura plot me erë, i kam sjellë për ty Enver/ në pranverë”! ). Ishte, sigurisht, një akuzë e kurdisur dhe një proces me dëshmitarë të rrejshëm.Pas pensionimit, filloi të merrej edhe me shkrime dhe t’i frekuentonte, tok me Tixhen, manifestimet letrare në Strugë, Dibër, Shkup, Elbasan, Korçë e gjetkë. Pos aktivitetit të frytshëm në fushën e muzikës, ku i kishte shokët të rrallë, shkroi dhe dy libra për historinë e familjes dhe për telashet e tij me njerëzit e pushtetit dhe me shërbëtorët e tyre lokalë, të cilëve u këndërvihej në të gjitha mënyrat, edhe me atë “instrumentin”, që s’po ia përmendim emrin. Nuk dua të flas më shumë për tim vëlla. Nuk më takon mua. U takon atyre që e kanë njohur dhe që kanë punuar e bashkëpunuar me të, në kushte kryesisht të vështira, herë-herë edhe të rrezikshme.Është e kuptueshme që njerëzit të presin nga unë të shprehi dhimbjen për humbjen e vëllait, por ja që “ra ky mort e u pamë”: më duhet të flas, pa dashje, për një problem me interes vital për jetën e vëllezërve tanë në Maqedoni, pra për një çështje me karakter politik.Isha i interesuar të mësoja shkaqet e vdekjes së tim vëllai dhe ku më mirë se në dokumentin zyrtar të institucionit shëndetësor ku qe shtruar, Spitalit të Qytetit në Strugë, do të mund ta mësoja këtë. Bashkë me trupin e tij të pajetë, të mbështjellë me një çarshaf e jo në arkivol, siç do të duhej, morëm edhe raportin me shkrim për vdekjen dhe shkaqet e saj. Formulari, që u bë shkas i këtij shkrimi dhe që po e bashkëngjesim në formë faksimili, është vetëm në gjuhën maqedonase, edhe pse Struga është komunë me shumicë shqiptare.Në raportin e lëshuar nga JZU-ja e Strugës (Javna zdravstvena ustanova “Gradska bolnica”/ Institucioni Publik Shëndetësor “Spitali i Qytetit”) jepen të dhënat për të ndjerin: emri, mbiemri, emrat e prindërve, datëlindja, vendlindja, profesioni, gjendja civile etj. Të gjitha në maqedonisht. Vetëm në maqedonisht dhe me alfabetin cirilik! Asnjë fjalë shqip. Madje edhe emri i të ndjerit, që gjatë tërë jetës ua kishte mësuar nxënësve të vet shkronjat shqip, shkruhet me shkronja cirilike! Dhe me mbiemër përpara, si në sllavisht! Jo Selami Vinca, po Vinca Selami!Ku është barazia gjuhësore, me të cilën mburren aq shumë politikanët shqiptarë në Maqedoni? As në vdekje nuk jemi të barabartë!Nuk është faji i mjekut maqedonas, dr. M. J. Jo. Ai nuk ka faj. Njësoj do të vepronin edhe mjekët shqiptarë. Problemi nuk është individual, por institucional. Formulari i Entit Republikan të Statistikës është i shkruar ekskluzivisht në maqedonisht.E, thonë se gjuha shqipe në “Republikën e Maqedonisë Veriore” është gjuhë zyrtare! E barabartë me maqedonishten! Ose – gati e barabartë! Përrallisin pa pushim deputetë, ministra, zëvendës-ministra e zëvendëskryeministra, drejtorë agjencish e kryetarë partish, të vjetër e të rinj, “të majtë” e “të djathtë”, të tillë e të atillë: “Shqipja, gjuhë zyrtare!”. Kështu thonë, ndërsa enden me vetura zyrtare e marrin rroga e mëditje të majme dhe shesin mend e patriotizëm poshtë e lart nëpër studio televizive e portale, jo vetëm në Shkup e Tetovë, ku i kanë zyrat, por edhe në Prishtinë e në Tiranë. Por ja që “Severna Makedonija” nuk ua garanton qytetarëve shqiptarë të drejtën elementare të gjuhës amtare, madje as në çastin final të jetës, kur ikin përgjithmonë nga kjo botë. A ka fakt më domethënës se ky raport zyrtar, i lëshuar më 11 janar 2021?! As në vdekje nuk jemi të barabartë, o Zot! Zyrtarisht jo. As në komunat me shumicë shqiptare. Po të ndodhte kështu me serbin në Kosovë do të shkonte puna deri në OKB!Që në RMV nuk është zgjidhur ende problemi i statusit të gjuhës shqipe, fajin e kanë në radhë të parë partitë politike shqiptare në këtë shtet, të cilat nga zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1991 e deri më sot, pra plot tridhjetë vjet, participojnë në pushtet, por as shteti amë, Republika e Shqipërisë, nuk është pa faj, e as “shteti i dytë shqiptar në Ballkan”, Republika e Kosovës, nuk mund të amnistohet krejtësisht.Qe tridhjetë vjet Tirana zyrtare betohet për Maqedoninë. Ia njeh të tëra: gjuhë, territor, kufij, identitet. As Prishtina nuk mbetet shumë prapa. Krejt ndryshe vepron Bullgaria. Vuri veto për çeljen e negociatave të RMV-së në BE, për shkak të gjuhës, historisë dhe identitetit maqedonas, që Sofja zyrtare nuk e njeh (nuk ka ekzistuar para vitit 1945, thonë). Edhe Serbia, “motra e madhe”, ia konteston kishën autoqefale. Greqia e detyroi ta ndryshonte emrin.Vetëm shqiptarët përbehen për shtetin fqinj me ish-emrin “IRJM” dhe me emrin e ri “RMV”!Kurse njerëzit atje, as në rast vdekjeje, nuk regjistrohen në gjuhën e tyre amtare.Në fund të vitit që lamë pas, në Tetovë, në një ceremoni të paparë në kushtet e pandemisë, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, u shpall “Doktor nderi” i Universitetit të Tetovës ose, siç u pëlqen më shumë provincialëve tanë që nuk dinë asnjë fjalë latinisht (u tingëllon më bukur!): “Doctor honoris causa”.Njeriu që tash njëzet vjet i përfaqëson shqiptarët në shtetin me emrin “Maqedonia e Veriut”, duke qenë pjesë e koalicionit qeveritar, edhe me Gruevskin, edhe me Zaevin (dreqin e të birin!), shpallet “Doktor nderi” i Universitetit Shtetëror të Tetovës ”për kontributin e tij në avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni”, por shqiptarët në këtë shtet, në shtetin në të cilin ai i përfaqëson ata qe njëzet vjet, ende jetojnë dhe vdesin maqedonisht! / KultPlus.com

“Konkubina”, libri më i ri i Agim Vincës

Muajin që shkoi doli nga shtypi përmbledhja me rrëfenja e profesorit dhe shkrimtarit Agim Vinca. Përmbledhja e cila është botuar nga shtëpia botuese “Syth”, përmbanë katërmbëdhjetë tregime dhe një novelë, shkruan KultPlus.

Më poshtë mund të gjeni disa nga kritikat që janë dhënë për këtë libër.

Profesor Resmi Osmani

“Një tjetër libër në prozë i Prof. Agim Vincës, që i jepet lexuesit në këtë kohë të vështirë pandemie. Janë tregime me refleksione nga ndodhitë e jetuara, si të tilla të vërteta dhe të besueshme. Ajo që ua rrit vlerën është mjeshtëria e shkrimtarit dhe dituria e filozofia e mendimtarit në këndvështrimin e ngjarjeve dhe të dukurive jetësore, në të cilat lexuesit i duket se gjen pjesëza nga jeta e vet ose përputhshmëri mendimesh. Prozë e shkruar thjesht, por bukur, që rrjedh natyrshëm, pa ndërlikime, që lexohet me ëndje nga lexuesi, për t’i shkuar deri në fund asaj që shkrimtari synon t’i kumtojë…”

Mehmet Hajrizi

“Agim Vinca është mjeshtër i fjalës së zgjedhur dhe arkitekt i ndërtimit sintaksor të tekstit. Gjuha dhe stili nolian, rrjedha e qetë e rrëfimit, si e lumit të gjerë, figurat e shumta letrare dhe emocioni që ka vepra brenda, i japin lexuesit kënaqësi të veçantë estetike.”/ KultPlus.com

Vinca: Krijimtaria është terapi, ndoshta edhe terapia më e mirë shpirtërore

“Feniksi” ishte libri i parë i tij, ndërsa para dy muajve nga shtypi nxori “Ditari i Pandemisë: Rrëfime nga karantina”. Udhëtimin e tij letrar, intelektual dhe personal, shkrimtari Agim Vinca e shpalosi mbrëmë në Qendrën për Edukim dhe Kulturë “Libart”, për të gjithë të interesuarit, ku madje edhe recitoi vargjet e tij dhe të shkrimtarëve të tjerë shqipfolës, përcjellë KultPlus.

Ndonëse ka kaluar dekada duke iu përkushtuar artit të të shkruarit, studiuesi letrar dhe profesori Vinca, ende mendimet e para i vendosë në letër. Njëjtë kishte vepruar edhe me librin e tij të fundit, “Ditari i Pandemisë: Rrëfime nga karantina”, i cili i shtohet bagazhit të pasur letrar të Vincës të përbërë nga 25 tituj librash, shumë përkthime, kritika e studime letrare.

Por çka e bëri Vincën që përmes një ditari t`i rikthehet prozës?

“Thashë po e lë një dëshmi, qoftë edhe 50 faqe. Ky libër nuk ishte i paplanifikuar por lindi spontanisht. Shënimet e para i  kam bërë më 14 mars por, vazhdova 80 ditë me radhë dhe secila ditë ka një titull dhe një skicë që ka të bëjë me ditët e mia, familjen, mendimet, meditimet. Libri është një prozë e dokumentuar, ndonëse unë e kam nisur fillimisht si poezi.”

Krahas kësaj, Vinca tregoi edhe për dallimet e të shkruarit para dhe gjatë karantimit, me ç’rast shtoi se kufizimi ishte më i lehtë për të, së për të tjerët, pasi i përshtatej natyrës së punës së tij. Madje ia shtoi edhe motivin që të merrej me ndonjë gjë të re çdo ditë. Ndërsa tërhoqi një paralele mes këtyre dhe statusit të të shkruarit gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar.

“Kur kam filluar të shkruaj unë kishte atmosferë, gjallëri, interesim. Por ekzistonte cenzura, detyroheshim të shkruanim ashtu siç kërkohej. Por poezia atëherë ishte i vetmi mjet ku mund të thuheshin të vërtetat e ndaluara. Nëpërmjet poezisë ne i artikulonim problemet tona shoqërore e kombëtare.”

Poezi e tij, “Qentë e Sodomës”, të cilën Vinca e interpretoi para publikut mbrëmë, i përshtatej frymës së atëhershme letrare e kombëtare.

Më tutje, profesori Vinca, foli edhe për artin e krijimtarisë, që sipas tij është terapi, ndoshta edhe terapia më e mirë shpirtërore.

“Janë disa sekrete universale që s’mund t’i shpjegoj gjithmonë, e që lidhen me qënien komplekse të njeriut. Njeriu është një mikrokozmos. Detyra e letërsisë është të hulumtojë realitetin.”

Ndërsa poezia, te ky studiues letrar, zë një vend të veçantë.

“Në fakultet lindi dashuria ime e madhe për poezinë që më ndjek pas edhe sot.  Poezia është pasion, poezia është si një këngë e bukur, e krijimtaria është kërkim, kërkim i vazhdueshëm. Sot është e vështirë të ndiqet poezia, ka shumë poetë, poetë të Facebook-ut, ndërsa gazetat nuk botojnë më poezi”.

Lëvizjet e vazhdueshme, fillimisht nga Veleshta në Strugë, më pastaj Prishtina, Shkupi, Parisi, e kanë formësuar shëmbëlltyrën e tij letrare e intelektuale. Vinca me nostalgji e kujtoi momentin kur nisi jetën në Prishtinë.

“Kam zbritur nga autobusi, viti 1966, në një natë të ftohtë tetori, para hotel “Bozhurit”. Prishtina atëherë ishte një qytet universal kombëtar, ishim të mirëpritur, kishte një dashuri, një harmoni. Shkupi për mua ishte i huaj.”

Ai rikujtoi Prishtinën, shëtitjet nëpër qytet, jetën studentore, ëndrrat dhe idhujt e brezit të tij.

Pyetur për mënyrën se si shtetit maqedonas i trajton autorët shqiptarë, Vinca u përgjigj duke thënë se atë që nuk e bëjnë institucionet po e bën interneti.

“Duhet një komunikim më i madh mes qendrave të shqiptarëve, mes Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit. Tirana ndër këto nuk e kryen siç duhet rolin e saj.”

Njëjtë siç u shpreh edhe i ftuari i parë i serisë së takimeve me shkrimtarë, Mehmet Kraja, edhe Vinca tha se standardi duhet të respektohet.

“Kombi shqiptar ka një gjuhë shqipe, kështu ka qenë gjithmonë, dhe ajo duhet të flitet dhe të respektohet në standard, kemi dialekte por kemi vetëm një gjuhë.”

Agim Vinca, po vazhdon të shkruajë e ta përmbushë përbrendësinë e tij artistike e letrare, ndërsa po pret që shumë shpejt ta botojë librin e tij të radhës “Konkubina dhe rrëfime të tjera”, i cili do ta mbajë vulën e shtëpisë botuese nga Maqedonia SYTH.

Takimi me Agim Vincën, i shtohet listës së aktiviteteve që Qendra “Libart” është duke i organizuar tash e tre muaj. Takimi i parë ishte me shkrimtarin dhe kryetarin e AShAK-ut, Mehmet Krajën, ndërsa do të pasohet me takime të tjera të shkrimtarëve elitarë shqiptarë.

Qendra “Libart”, mundësohet nga Komuna e Prishtinës, Biblioteka “Hivzi Sulejmani” dhe organizata ETEA. / KultPlus.com

Agim Vinca boton librin e ri ‘Ditari i Pandemisë, rrëfime nga karantina’

Doli nga shtypi, në botim të shtëpisë botuese “Artini” nga Prishtina, libri më i ri i Profesor Agim Vincës: “DITARI I PANDEMISË. Rrëfime nga karantina”. Libri ka rreth 300 faqe. Në parathënien me titull “Dy fjalë lexuesit”, vetë autori, ndër të tjera, shkruan:

«As në ëndërr nuk më kishte shkuar ndër mend se do të vinte dita të shkruaja një libër si ky. Kisha plane të tjera, të shumta, prej të cilave nuk kam hequr dorë, por ato mbetet të presin një kohë tjetër, më të mirë. Sepse, nuk i ngjan puna punës, thonë në vendlindjen time. Ka punë që presin dhe ka të tjera që ose bëhen sot, në këtë moment, ose nuk bëhen fare.

Më 14 mars, një ditë pas shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë, vendosa të mbaja ditar, gjë që e kam bërë, herë pas here, edhe më parë.

Thashë me vete: të lë një dëshmi, nëse jo për histori, së paku për jetën e përditshme të njerëzve të një kohe, të neve që na ra në hise ta përjetojmë pandeminë Covid-19.

Të lija një dëshmi dhe të shlyeja një borxh ndaj atyre që i vunë gjoksin kësaj sëmundjeje, duke rrezikuar veten, mjekëve në radhë të parë, por edhe infermierëve, laborantëve, ekspertëve të mikrobiologjisë, përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, në radhë të parë atyre shëndetësore, por edhe policëve që ditë e natë ishin në krye të detyrës, duke u kujdesur për rendin.

Për pandeminë do të shkruhen libra në të ardhmen (ndoshta tashmë janë shkruar ose po shkruhen). Do të shkruhen libra e do të bëhen shfaqje e filma. Dokumentarë e artistikë. Secili që e ka përjetuar mbylljen dhe izolimin e, larg qoftë, edhe sëmundjen, ka rrëfimin e vet për të.

Ky është rrëfimi im, ashtu siç e kam parë e përjetuar unë këtë situatë: situatën nëpër të cilën kaluam në muajt mars, prill, maj të këtij viti.

Këto janë shënime të mbajtura rregullisht gjatë ditëve të pandemisë, ndërsa qëndroja i mbyllur në shtëpi, në banesën time në Prishtinë. E fillova si diçka të vogël, por ditë pas dite e javë pas jave, erdhi duke u rritur, ashtu siç rritet topi i dëborës kur niset nga maja e bjeshkës për të përfunduar në fund si ortek a rrungajë.

Janë gjithsej 80 ditë: nga data 14 mars, që do të thotë një ditë pas zbulimit të rastit të parë me koronavirus në Kosovë, deri më 1 qershor, kur filloi faza e tretë dhe, le të shpresojmë, edhe e fundit e masave kufizuese dhe, deri diku, edhe normalizimi i jetës, së paku në krahasim me periudhën e mëparshme.

Dhe, ja, një rastësi e bukur: Një Qershori është Dita e Fëmijëve, e atyre që janë fëmijë sot dhe e atyre që do të vijnë paskëtaj në këtë botë dhe që këtë ditar do ta lexojnë një ditë mbase si një përrallë, të bukur, por edhe të frikshme njëkohësisht.

Jam përpjekur të vë ekuilibër mes aspektit intim, personal e familjar, që është karakteristikë e ditarit si formë e shkrimit dhe atij publik, shoqëror e kombëtar, gjë që e rrit, besoj, peshën dhe rëndësinë e këtij rrëfimi.

Kamyja thotë te Murtaja se njerëzit e mbyllur në karantinë, më shumë se në të tashmen (dhe të ardhmen), jetojnë në të kaluarën. Kështu ka ndodhur edhe me mua që në këto shënime kam evokuar shumë kujtime dhe ngjarje nga e kaluara. Ato edhe janë ndoshta pjesët më të bukura të këtij libri.

Prishtinë, 1 qershor 2020 A. V.

Ndërsa recensenti i libit, shkrimtari dhe publicisti Rushit Ramabaja, shkruan:

«Gjithkahnaja e librit më të ri të Agim Vincës DITARI I PANDEMISË, Rrëfime nga karantina mbërthen në vete 80 ditë zymtore të kësaj pranvere të sëmurë. Këtë libër (që, ndonëse i shkruar në formë ditari, ma merr mendja se më së miri mund të lexohet si prozë dokumentare) e bën të jashtëzakonshëm, jo ngjarjet e përditshme të një kohe morti me të vdekur e vaje, por ngjallja e zombive provincialë pikërisht në kohë të dergjës botërore, për të rrëzuar qeverinë legjitime dhe për të hëngër lirinë tonë. Ky është zëri i intelektualit dhe poetit, që del nga brendësia. Këta atdhengrënës, shkelën idealin dhe lirinë duke përdhosur ligjet mijëvjeçare që kishin rregulluar raportet e etnisë në kohë morti e fatkeqësie. Ky akt i lig është vënë në qendër të magjisë së rrëfimit, në dukje ndonëse duket i pasforcuar, i privuar nga hidhërimi. Por, përbrenda vlon drama e mllefi kolektiv. Kështu e pasforcuar, vëngjilla e kësaj pranvere ka dalë aq e natyrshme, aq spontane dhe aq e lexueshme. Në vetë aktin e shkrimit të këtij ditari në kohë të fatkeqësisë kolektive, mund të lexojmë shpirtin human të Profesorit tonë dhe mesazhin për metaforën e paplakur të lirisë». / KultPlus.com

Sipas Agim Vincës, dhjetë librat shqiptar që duhen lexuar

Shkrimtari dhe studiuesi i njohur Agim Vinca, propozon dhjetë libra shqiptar që duhen lexuar. Ai përmend autorë si Migjeni, Fishta, e Poradeci, shkruan KultPlus.

“E ndiej se u kam bërë padrejtësi De Radës, Serembes, Naimit, Nolit, Mjedës, Konicës, Koliqit dhe mjeshtërve të tjerë të fjalës shqipe të së kaluarës, që edhe sot lexohen me ëndje, por edhe shumë kolegëve të mi poetë, prozatorë, dramaturgë, eseistë e të tjerë, që krijojnë në mbarë hapësirën shqiptare dhe që kanë botuar vepra që vlen të lexohen e rilexohen”, thotë ai.

Vargjet e lira, Migjeni

(1936).- Vepra më avangarde e poezisë shqipe deri në atë kohë. E re në çdo pikëpamje: ideore, tematike, ritmike, figurative. Një vepër që e çliroi poezinë shqipe nga manierat klasiciste, kurse vargun shqip nga tirania e rimës dhe e metrit. Poezi e dhembjes, e vuajtjes, e mjerimit, e ankthit, e shpresës. Sinteza më e fuqishme poetike e kohës. “Kangë a vaj? Ç’je? Thuejma, zemër kombi!”.

Ylli i zemrësLasgush Poradeci

(1937). Libri ndoshta më komplet i poezisë shqipe, i ndërtuar sipas një koncepti që e hasim te poetë si Petrarka, Gileni, Bodleri etj. Libër-himn i bukurisë, i dashurisë, i përjetësisë; festë e fjalës së kulluar shqipe. “Tungjatjeta! tungjatjeta/ Vend o Vend ku çel junapi”.

Lahuta e Malsis, Gjergj Fishta

(1937).- Ep nacional. Enciklopedi e jetës shqiptare. Glorifikon luftën për liri kombëtare dhe virtytet tradicionale. Si fenomen letrar e vonuar e anakronike, por me ndikim të madh në jetën shpirtërore dhe në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve, veçanërisht jashtë kufijve të Shqipërisë shtetërore.

Psallme Murgu, Asdreni

(1937).- Vepër që e zgjeron regjistrin tematik e stilistik të poezisë shqipe të mbështetur kryesisht në modelet e poezisë popullore. Sjell përvojën e poezisë moderne evropiane. Për herë të parë në letërsinë shqipe trajtohet gjerësisht bota shpirtërore e njeriut të gjendur në vorbullën e paradokseve. Vepër me rimarium të pasur. Një kohë të gjatë e lënë në harresë nga kritika e ideologjizuar.

Net shqiptare, Mitrush Kuteli

(1938).- Ndër veprat e para të prozës moderne shqipe. Shfrytëzon në mënyrë kreative përrallën popullore shqiptare, duke i rivitalizuar strukturat e saj narrative. Vizaton figura e karaktere të gjalla njerëzish, sidomos fshatarësh. Shquhet për bukurinë e rrëfimit, të gjuhës dhe të stilit. Mostër për shumë prozatorë të mëvonshëm.

Lumi i vdekur, Jokov Xoxa

(1965).- Tablo e gjerë e jetës shqiptare. Vepër e shkruar nga një njohës i rrallë i jetës, por edhe i mjeshtërisë krijuese. Sagë e fshatarësisë shqiptare, ku jeta transponohet në totalitetin e saj, pra në mënyrë integrale. Roman që krijon disa nga personazhet më të spikatura të letërsisë shqipe, çfarë janë Vita dhe Adili, që duken si të shkëputur nga realiteti i gjallë jetësor e jo të krijuar në letër. Vepër që sjell në prozën shqipe përvojën e romanit ciklik me prosede tradicional e gjuhë jashtëzakonisht të pasur. Autori i tij është stilist i përkryer.

Kronikë në gur, Ismail Kadare

(1971). Vepra mbase më e mirë e Kadaresë dhe një nga romanet më të mira të letërsisë shqipe. Një sintezësui generis e poezisë, fiksionit dhe mitologjisë. Vepër me strukturë komplekse narrative, atipike si prosede. Një trajtim shumë origjinal i luftës dhe i psikozës kolektive në situata të skajshme ekzistenciale. Perceptimi i botës nga perspektiva e fëmijës zhduk kufijtë mes ëndrrës e realitetit. Roman që sjell një frymë të re në prozën shqipe dhe mjete e teknika të reja shprehëse.

Vdekja më vjen prej syve të tillë, Rexhep Qosja

(1974). Ndonëse autori i kësaj vepre është në radhë të parë historian i letërsisë, fushë në të cilën ka botuar një varg veprash të rëndësishme, megjithatë kjo mbetet vepra e tij me receptim më të gjerë, që i ka kaluar kufijtë gjuhësorë të shqipes. Prozë e tipit kritik, intelektual, pak e kultivuar në letërsinë shqipe, që trajton temën e dhunës së pushtetit mbi individin dhe popullin të cilit i takon ai. Duke vënë në epiqendër një personazh krijues, siç është Xhezairi i Gjikës, autori funksionalizon gjuhën kritike, erudicionin intelektual, parabolat historike etj.

Nga Bibla e heshtjes, Azem Shkreli

1975) – Poezi me një sistem të veçantë mjetesh shprehëse dhe me një filozofi të veçantë krijuese e jetësore. Libër i meditimit poetik mbi raportin e njeriut me historinë, por edhe me veten dhe fjalën e tij. Psalm mbi fatin e fjalëve. Bashkë me Din Mehmetin, Rrahman Dedajn, Ali Podrimjen e të tjerë, autori i kësaj vepre, Azem Shkreli, krijon modernitetin e poezisë shqipe në Kosovë dhe më gjerë.

Pelegrini i vonuar, Dritëro Agolli

(1993). Libri i parë postsocrealist i poetit Dritëro Agolli dhe njëri nga librat më të mirë të tij e të poezisë shqipe në përgjithësi. Libër mbi thyerjet shpirtërore të një brezi, i cili besoi në një utopi dhe pas përmbysjes e ndien veten si pelegrin i humbur në shkretëtirën e iluzioneve të veta. Dhembja dhe trishtimi e ngjyrosin emocionalisht vargun e poetit. Ky libër e rikonfirmon faktin se autori i tij është mjeshtër i rimës dhe aliteracionit; krijues që e zotëron artin e vështirë të të bërit vargje të lehta. /KultPlus.com

E kujtoj mësuesin

Poezi nga Agim Vinca

Pat ikur mësuesi im në Turqi,
unë abetaren e laga me lot.
Në zemër më hyri fytyrë e tij
dhe s’më hiqet atë ditë e sot.

I vogël isha ahere, pak dija,
jeta më dukej lojë, dëfrim.
Por ngado që shkoja, kudo që vija
shihja fytyrën e mësuesit tim.

Dëgjoja zërin e tij të dashur
kur binte zilja për në mësim,
dëgjoja zërin e tij të dridhur:
«E di ç’është mërgimi, ti Agim?»

Po unë s’e dija, s’kuptoja dot
ç’ishte mërgimi dhe Anadolli.
Sytë e mësuesit ishin me lot
atë ditë që fshati e përcolli.

Kaluan ditë, kaluan vjet,
librin nga dora s’e lëshova,
në banka të shkollës dhe në jetë
punët e kësaj toke i mësova.

Mësova unë se ç’ish mërgimi,
shtëpia pa plëng, sofra pa bukë,
mësova përse mësuesi, imi,
na la dhe mori të largëtën rrugë.

Sot kur dhe vetë me ditar
dal para nxënësve të mi,
e kujtoj mësuesin tim të parë,
arratisur larg në Turqi. / KultPlus.com

Agim Vinca: Humbjen e pushtetit shumëvjeçar këto parti po e përjetojnë si tragjedi

Agim Vinca

Nuk e kam ditur, nuk e kam besuar, se Aleanca dhe PDK-ja e, deri diku, edhe Nisma, do ta përjetojnë aq rëndë humbjen e pushtetit! Ajo që dëgjuam sot në sallën e Kuvendit, e konfirmon katërçipërisht këtë fakt. Në vend se të kërkojnë falje për degradimin që i bënë shtetësisë së Kosovës dhe institucioneve të saj; për vjedhjet dhe mashtrimet; për nepotizmin dhe korrupsionin galopant; për arsimin dhe shëndetësinë e rrënuar; për skandalet e panumërta; për pasurimin e tyre të paskaj dhe për varfërimin e qytetarëve të Kosovës, që udhëheqja e derisotme ua nxiu jetën dhe ua vrau shpresën, deputetët e këtyre partive, të nxitur nga liderët e tyre, derdhën tirada të pafund gënjeshtrash, shpifjesh e akuzash në adresë të Albin Kurtit dhe të LVV-së e, pjesërisht, edhe ndaj partnerit të saj të koalicionit, LDK-së.
Është e qartë si drita e diellit se humbjen e pushtetit shumëvjeçar këto parti po e përjetojnë si tragjedi./KultPlus.com

“Engjëjt pëshpërisin në mëngjes” nga Agim Vinca botohet në Sarajevë

Këto ditë, në Sarajevë, në botim të shtëpisë botuese „Perfecta“, doli libri me poezi i poetit Agim Vinca me titull „Engjëjt pëshpërisin në mëngjes“. Recensent i librit është shkrimtari i njohur nga Mali i Zi, Mirash Martinoviq, kurse redaktore profesoresha e Universitetit të Sarajevës dhe studiuesja e njohur, Hasnija Muratagiq-Tuna. Poezitë në gjuhën boshnjake janë përkthyer nga përkthyesi tashmë i njohur Smajl Smaka (disa nga vetë autori). Libri përmban gjithsej 65 poezi, shënimet për autorin, si dhe një poezi të poetit të Husein Tahmishçiq kushtuar Agim Vincës.

Në parathënien e librit, të shkruar nga Mirash Martinoviqi, ndër të tjera, thuhet:

„Agim Vinca është poet i dorës së parë, epitet që u përket vetëm të rrallëve – atyre në poezinë e të cilëve artikulohet koha, historia dhe metafizika: Ajo që poetët e mëdhenj, ashtu si alkimistët, e shndërrojnë në përjetësi. Vinca është një alkimist i tillë, që përditshmërinë e shndërron në poezi të madhe. Kjo është poezi autentike, autoktone, e lidhur me truallin dhe jetën. E gjallë, si rrënjët që e thithin fuqinë nga toka. Vinca i prek telat e harfës së quajtur jetë dhe atë tingull e shndërron në fjalë, duke i dhënë kuptim çdo gjëje që prek.

Poezia e Vincës është eliptike, e pjekur deri në thelb, e ngjeshur deri në klithmë, deri në dhimbje, deri tek ai vrushkull drite që ndriçon honet e thella. Poezia e Agim Vincës, veçanërisht ajo e shkruar në kohën e luftës dhe të torturës, sikur nuk është shkruar në letër, por në lëkurë, me gjak, me lëngun më të shtrenjtë në pergamenën më të shtrenjtë, që i jep asaj forcë e qëndrueshmëri, vulë që nuk fshihet dot.

Botimi i këtij libri e nderon letërsinë boshnjake dhe ngre një hark-urë, që lidh si ylber popujt që jetojnë në Bosnjë dhe në Kosovë. Duke kaluar nëpër ferrin e luftës dhe të vuajtjeve, kjo poezi, sikurse edhe Bosnja dhe Kosova, arrin majat më të larta morale – metafora të ngritura në qiellin e njerëzisë.

Evropa dhe bota do ta njohin një ditë madhështinë e poezisë shqipe, në vetë majën e së cilës është Agim Vinca dhe poezia e tij”.

Ndërsa redaktorja e librit, profesoresha Muratagiq-Tuna, shkruan:

“Në jetën e tij, sidomos në kohën e mynxyrës së madhe, Agim Vinca nuk heshti si qyqar, por ngriti zërin dhe luftoi përmes armës së tij të vetme, këngës, ashtu siç bën tani me poezitë të cilat na i ofron. Ato në asnjë çast nuk të lënë gjakftohtë, sepse ky poet me poezitë e tij na tërheq ngadalë në greminën e tmerreve të përjetuara për çdo ditë në vendin e tij ose edhe më larg, dëshmitarë të të cilave kemi qenë edhe ne vetë. Përmbledhja e Agim Vincës është plotësisht origjinale dhe arrin të nxisë përjetim të njëmendët artistik. Tematikisht ajo është e llojllojshme, përplot të dhëna për jetën dhe reflektime të këtij autori për kohën dhe hapësirën në të cilën jeton. Temat më të shpeshta janë ato të aktualitetit. Vokacionin e tij poetik e ndërton mbi tema të ndryshme. Poeti Vinca lundron përmes qenies dhe kohës së tij, prandaj një numër i madh i poezive mund të kuptohet si dokument dhe ilustrim i një kohe të rëndë për popullin shqiptar. Çfarëdo që prek, e përpunon dhe i jep formën e perlave të vërteta artistike dhe ua dhuron lexuesve. Prandaj, këtë poezi e karakterizon shpeshherë prania e fabulës. Lënda e ashpër motivore vishet me shprehje lirike. Kjo është poezi e përvojës, e pleksur me një sensibilitet specifik. I pajisur me dhuntinë e energjisë shpirtërore, mendimore dhe ndenjore, Vinca e shndërron çastin në përjetësi. Ai është një dukuri e veçantë në poezi përgjithësisht, poet me njohje fascinuese të rrethanave dhe të njerëzve me të cilët jeton. Në mënyrë të shkëlqyeshme, në formë imazhesh impresive, ndërton diskursin e vet poetik. Këto poezi pashmangshëm e angazhojnë lexuesin në planin emocional dhe intelektual. Mendimi i tij është i thellë dhe universal. Secila poezi e tij është njësoj e bukur dhe e papërsëritshme. Në to fjalët kanë domethënie më të madhe se ç’është ajo që shenjojnë. Agim Vinca është shumë emotiv, lirik dhe refleksiv. Ka krijuar poezi me potencial të madh asociativ. Prej tyre rrezatojnë kuptime dhe domethënie të shumta. Në to derdhen vrushkuj fjalësh, figurash, sendesh. Prandaj, mund të interpretohen pakufishëm në mënyra të ndryshme. Fjala e këtij poeti duhet të dëgjohet larg, sepse ajo sjell porosi dhe mesazhe të fuqishme. Kjo poezi fisnikëron dhe u jep përgjigje pyetjeve të mëdha të përditshmërisë. Ajo ndihmon që të kuptojmë saktësisht se cilit soj njerëzor i takojmë. Poeti Agim Vinca bën thirrje për vetëdijesim dhe zhdehje, për dinjitet dhe njerëzillëk”. / KultPlus.com

Vinca: Ismail Kadare, është bërë pjesë e një “darke të gabuar”, njëzet vjet më parë, me shkrimtarin apologjet të Millosheviçit

Agim Vinca

Të gjitha gazetat dhe portalet shqiptare botuan këto ditë një tekst me titull “Çfarë ka shkruar Kadare për Peter Handken njëzet vjet më parë në ditarin e tij për Kosovën Ra ky mort e u pamë”. Fillimisht, teksti në fjalë doli në gazetën letrare “ExLibris” të botuesit të Kadaresë dhe pastaj e publikuan pothuajse të gjitha mediat në Tiranë, në Prishtinë e gjetkë.

Në këtë tekst, të cilin po e citojmë të plotë, thuhet:

“Televizioni austriak më kërkon një mendim për qëndrimin e Peter Handkes. Në Austri dhe në Gjermani ka fushatë të ashpër kundër tij. Ai qëndrim, ç’është e vërteta, më shumë se zemërim, më ka shkaktuar brengë. Siç ndodh me njerëzit që i njeh. Siç ndodh me sjelljet që ndryjnë brenda një mister.

Shkrimtari më i njohur i Austrisë. Me nënë sllovene. Frankofon. Prej vitesh, duke qenë këshilltar pranë shtëpisë botuese austriake Residennz Verlag, është ai që ka propozuar librat e mi për përkthim.

E kam njohur para ca vitesh në Paris. Ambasadorja e Austrisë në Francë na ftoi për darkë të dyve, bashkë me gratë. Gruaja e tij franceze është e admirueshme.

Nuk e gjej dot ç’grerëz e ka pickuar. Gjithë ai tërbim kundër shkrimtarëve boshnjakë, gjithë ai zell për të mbrojtur krimet serbe në Bosnjë e pastaj në Kosovë.

Një shkrimtar kroat përpiqet ta shpjegojë me zanafillë frojdiste. Nuk më besohet.

Ndërkaq, nga darka në ambasadën austriake më kujtohet një frazë e tij. Një frazë disi e veçantë, e thënë me njëfarë pikëllimi:“nuk jam më i njohur si më parë”.

A mund të jetë atje ana e së keqes? Ndoshta, pse jo”. (Shënimi mban datën: 20 prill 1999).

Puna e parë që bëra pas leximit të këtij teksti qe shfletimi i librit Ra ky mort e u pamë. E kam lexuar këtë libër qysh në kohën kur doli nga shtypi, në vjeshtë të vitit 1999 dhe i jam kthyer disa herë të tjera më vonë, por ja që ky tekst nuk më kujtohej. Dhe s’kishte si të më kujtohej, sepse ai mungon në botimin e parë. Aty ka një shënim të datës 17 prill dhe një tjetër të datës 21 prill, por 20 prilli është bosh. Nuk ka asnjë shkronjë, madje as ndonjë shenjë tjetër, fjala vjen, pikat e heshtjes (…) .

Pak është të thuash se u befasova, sepse botuesi nuk e shoqëron tekstin me kurrfarë shpjegimi, pra nuk thuhet se nga cili botim është marrë shkrimi, ndërkohë që lexuesit i referohen rëndom botimit të parë, që është edhe më i rëndësishmi. Si shpjegohet fakti që në botimin frëngjisht, botuar po atë vit (1999), ky tekst figuron, kurse në botimin shqip mungon? Gabim teknik apo shmangie e qëllimshme? Për të mos i irrituar lexuesit shqiptarë, veçanërisht ata kosovarë, në njërën anë, por edhe për të mos u hatëruar me Handken, “këshilltarin e shtëpisë botuese austriake Residennz Verlag”, në anën tjetër, ky tekst është hequr në botimin shqip, por nuk është prekur në botimin frëngjisht. Sepse, “Handke është frankofon”; gruaja e tij është franceze; jetojnë në Francë…Do të doja ta kem gabim, por kësaj i vjen, me keqardhje po e them, era kalkulim!

Përse botuesi shqiptar bën gabime teknike, kurse ai francez jo?

Është pritur gjatë këtyre ditëve nga shkrimtari ynë, kandidat shumëvjeçar për Çmimin Nobel, një reagim lidhur me vendimin e Akademisë Suedeze për t’i dhënë Handkes Nobelin për Letërsi, por ai mungoi. Kadareja u mjaftua me atë që kishte shkruar njëzet vjet më parëpër takimin me këtë shkrimtar.

Takimi, në të vërtetë darka e Kadaresë me Handken, ndodh në një kohë të papërshtatshme: më 20 prill 1999, në kulmin e terrorit serb në Kosovë. Vetë Kadareja shkruan:“në mes të prillit 1999 u krye një nga krimet më të tmerrshme që ka njohur historia e Ballkanit: zhbërja e Muçollëve. 53 vetë të masakruar, pastaj të djegur me karburant. 24 fëmijë nën moshën 14 vjeçare. 10 vajza mbi këtë moshë, 12 gra, 2 pleq, 3 burra dhe dy bujtës të panjohur (…). Ajo që mbeti nga familja e katër vëllezërve Muçolli ishin dy enë të mëdha: njëra me mbeturina eshtrash të karbonizuara, tjetra me stolitë e grave e lodrat e fëmijëve, të ngjitura njëra me tjetrën nga zjarri”.

Në qoftë se kjo masakër, “një nga krimet më të tmerrshme që ka njohur historia e Ballkanit”, paskësh ndodhur “në mes  të prillit”, siç thotë vetë Kadareja, atëherë përse pranon të darkojë me njeriun i cili jo vetëm që s’i ka gjykuar këto krime me asnjë fjalë, por ka bërë krejt të kundërtën: e ka mbështetur pa rezervë agresorin?

Handke shkruan me simpati për fshatarët serbë, që punojnë tokën e pinë raki, por nuk ndien kurrfarë dhimbjeje për fshatarët shqiptarë, qëgrihen nga “idhulli” i tij, Sllobodan Millosheviç.

Si mund të hahet darkë me një njeri, qoftëky edhe shkrimtar gjenial, që ka gjithë atë zell për të mbrojtur krimet serbe në Bosnjë dhe në Kosovë?

“Shkrimtari më i njohur shqiptar” Ismail Kadare pranon të hajë darkë me “shkrimtarin më të njohur austriak” Peter Handke në ambasadën e Austrisë në Paris si të mos kishte ndodhur asgjë, ndërkohë qënë Kosovë, pikërisht në kohën kur darkëtarët (fjalë e krijuar nga Kadareja) shijojnë pijet dhe ushqimin e shijshëm, është në vlugun e tij krimi gjakatar për spastrimin e territorit të “krahinës jugore serbe” nga shqiptarët.

Shumë pikëpyetje e dilema nxjerr në pah teksti i shkurtër i Kadaresë! Të fillojmë nga fjalia e parë: “Televizioni austriak më kërkon një mendim për qëndrimin e Peter Handkes”. Nuk kuptohet a i është përgjigjur kësaj kërkese apo jo shkrimtari ynë. Si duket jo. Ka dashur ta kursejë apo nuk ka dashur të bëhet pjesë e “fushatës”, që zhvillohej ndaj tij në Austri dhe në Gjermani.

Nëse rreth tryezës, në prani të gruas dhe ambasadores, për hir të mirësjelljes, nuk mund t’ia thotë troç mendimin,përse nuk e bën këtë në ditar?

Tepër dashamirës tregohet Kadareja ndaj Handkes! Përse? Ngaqë e paska rekomanduar për botim te botuesi austriak? Ngaqë sjellja e tij ndryn në vete një “mister”? Ç’mister, vallë? Në qoftë se është fjala për kompleksin edipian (babai i Handkes, një ushtar nazist gjerman, pasi e lë nënën e tij shtatzënë, vazhdon marshin luftarak), atëherë ka të drejtë shkrimtari kroat që ka dashur ta shpjegojë sjelljen e Handkes me zanafillë frojdiste.

Kjo është arsyeja që ky tekst mungon në botimin e parë të librit Ra ky mort e u pamë, që doli në kohën kur drama e Kosovës ishte ende e freskët. Gabimi teknik është një justifikim. Në nëntor të’99-s Kadareja erdhi në Prishtinë për të marrë pjesë në Panairin e Librit: të parin panair libri në Kosovën e lirë! Në mjediset e panairit, para një publiku të gjerë, u përurua edhe libri i tij, ditari për Kosovën, ndërsa ndër njerëzit që folën me atë rast isha edhe unë.

Kadareja ka bërë shumë për Kosovën, jo vetëm në kulmin e krizës së saj, në vitin 1999, por edhe më parë e më vonë dhe këtë nuk mund ta mohojë askush (unë jo se jo), por takimi i tij me Peter Handken në kulmin e terrorit serb në Kosovë, është një veprim jo i duhur ose, po të shprehemi me fjalët e tij,“një darkë e gabuar”.

Ftesën e ambasadores austriake shkrimtari ynë është dashur ta refuzonte, për të mbajtur qëndrim ndaj njeriut që mbështeste gjenocidin serb. “Do të ma zënë për të madhe bashkatdhetarët e mi”.

Por nëse nuk e ka bërë këtë, për aksh arsye, nuk e kuptoj përse përpiqet ta arsyetojë Handken dhe sjelljen e tij. “…nga darka në ambasadën austriake më kujtohet një frazë e tij. Një frazë disi e veçantë, e thënë me njëfarë pikëllimi: “nuk jam më i njohur si më parë”. A mund të jetë atje ana e së keqes? Ndoshta, pse jo”.

Të qenët “më pak i njohur se më parë” (do të duhej: “më pak i vlerësuar” se i njohur mund të bëhesh edhe për keq!) nuk mund ta arsyetojë sjelljen e tij skandaloze. Pastaj, të qenët “më pak i njohur”, në të vërtetë “më pak i vlerësuar”, në rastin e Handkes është pasojë e jo shkak.

Përse gjithë kjo keqardhje për Handken, gjithë ky mirëkuptim, kur ai e ka zgjedhur vetë, pa asnjë imponim, rrugën që ka zgjedhur?! Askush nuk e ka detyruar. Nuk është në natyrën e Kadaresë të jetë kaq i butë e i kujdesshëm. Në kohën kur Kadareja takohet me Handken, qoftë edhe me ndërmjetësimin e ambasadës së Austrisë në Paris, ai kishte botuar librinUdhëtim dimërornë lumenjtë Danub, Savë dhe Drinë: Drejtësi për Serbinë, në të cilin, siç e thotë vetë titulli, kërkon “drejtësi për Serbinë”. Verbëria tij etike është, siç u shpreh këto ditë një kritik nga Londra, “tronditëse”. Lemeritëse është, ndërkaq, po aq sa edhe qesharake, ideja e tij se do të donte të ishte “murg serb” “për të luftuar për Kosovën”, duke shpallur vend pelegrinazhi personal fshatin serb Hoçë e Madhe të Rahovecit,të rrethuar nga “ekstremistët shqiptarë”.

Ne nuk dimë ç’ka thënë Kadareja në darkën me Handken. Nuk kemi si ta dimë. Ne lexojmë atë që ka shkruar për këtë darkë në ditarin e tij. Dhe ajo që ka shkruar është shumë pak, në kuptimin: lë shumë për të dëshiruar.

Tepër dashamirës tregohet Kadareja ndaj kolegut të tij austriak. Fjalia e tij më e ashpër për të është: “Nuk e gjej dot ç’grerëz e ka pickuar”.

Te ditari i tij për Kosovën, Kadareja tregohet shumë i rreptë me shkrimtarin hungarez Gjergj Konrad, të cilin e kritikon me të drejtë për një paraqitje pro serbe në një forum ndërkombëtar. Akoma më i rreptë tregohet ndaj akademikut francez Marc Fumaroli për shkak të një artikulli të botuar në shtypin frëng: “Marc Fumaroli, akademik i Francës, përse jeni me vrasësit?”. Kurse për Handken mjaftohet vetëm me një fjali, që shpreh habi e keqardhje: “Nuk e gjej dot ç’grerëz e ka pickuar”.Në vend se të kërkonte mizën që e paskësh pickuar kolegun e tij austriak, Kadareja do të duhej t’i drejtohej atij me fjalët: “Zoti Handke, përse jeni me vrasësit?!”.

Autori i romanit Darka e gabuar shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, është bërë edhe vetë, me a pa dashje, pjesë e një “darke të gabuar” njëzet vjet më parë: darkës me shkrimtarin austriak apologjet të Millosheviçit, Peter Handke, të cilën tani, njëzet vjet pas, naivët tanë përpiqen ta paraqesin si një veprim largpamës!/KultPlus.com

Quo Vadis, Akademi Suedeze?! Handke Nobelist. Turp!

Shkruan: Agim Vinca

Juria e Akademisë Suedeze i akordoi Çmimin Nobel për letërsi për vitin 2019 shkrimtarit austriak Peter Handke.

Nuk dimë ç’thuhet në arsyetimin e saj, por është e qartë se ky është një vendim i turpshëm! Madje më shumë se kaq!

Fashisti Handke nderohet me çmimin më të lartë letrar në botë, ndërkohë që bota ka dhjetëra shkrimtarë më të mëdhenj se ai!

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur trupat hitleriane marshonin Evropës, nuk u dha Çmimi Nobel, për arsye morale, kurse tani i jepet një shkrimtari që ka përkrahur krimet fashiste në Ballkan!

Me këtë vendim skandaloz, Komiteti i Nobelit ua ka lëkundur eshtrat në varr Tomas Manit, Andre Zhidit, Alber Kamysë, Herman Heses,Visllava Shimborskës dhe sa e sa laureatëve të tjerë të këtij çmimi, që kanë qenë jo vetëm shkrimtarë të mëdhenj, por edhe humanistë të mëdhenj.

Njeriut që mori në mbrojtje shkaktarin e luftërave në ish-Jugollavi, diktatorin serb Sllobodan Millosheviq; që e vizitoi atë në burg në kohën kur gjykohej për krime të luftës në Hagë; që mori pjesë në varrimin e tij, i jepet çmimi më i lartë letrar në botë: Çmimi Nobel!

Kjo është fiasko morale e këtij çmimi dhe e institucionit që e jep atë.

Në vitin 2007, teatri më me renome në Francë, Comédie-Française, kishte marrë vendim për heqjen nga repertoari të një drame të Handkes, pasi drejtori i tij kishte lexuar në shtyp një artikull në të cilin flitej për pjesëmarrjen e shkrimtarit austriak në varrimin e Millosheviqit.

»Unë jam i gëzuar të jem pranë Sllobodan Millosheviqit, i cili e mbrojti popullin e tij», pati deklaruar Handke me atë rast, duke valëvitur flamurin serb.

Kaq mjaftoi që kryeadministratori i teatrit francez, Marcel Bozonnet, pas bisedës me aktorët dhe regjisorin, të merrte vendimin për ndalimin e shfaqjes së Handkes me arsyetimin se autori i saj: “ka fyer viktimat”.

Akademia Suedeze thuajse nuk ka dëgjuar për këtë.

Amoraliteti i saj ka arritur kulmin. / KultPlus.com

Agim Vinca shkruan për Androkli Kostallarin, figurën e shquar të gjuhësisë shqiptare

Agim Vinca / 2015

(Grimca kujtimesh dhe mendimesh për profesor Androkli Kostallarin, 1922-1992)

Profesor Androkli Kostallarin e kam takuar për herë të parë në fillim të viteve ’70, kur fillova punën si asistent në Fakultetin Filozofik (sot: Fakulteti i Filologjisë) të Universitetit të Prishtinës. Ishte koha kur, si rezultat i nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës, ardhja e profesorëve nga Tirana për të mbajtur ligjërata në Prishtinë ishte bërë pothuajse dukuri e përditshme. Patën ardhur profesorët e shquar Eqrem Çabej, Aleks Buda, Dhimitër Shuteriqi, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Vehbi Bala, Myzafer Xhaxhiu, Qemal Haxhihasani, Jup Kastrati, Alfred Uçi, Dalan Shapllo e të tjerë, nga “të vjetrit” dhe Nasho Jorgaqi, Jorgji Gjinari, Anastas Dodi, Jorgo Bulo, Jani Thomai, Xhevat Lloshi, Remzi Përnaska e të tjerë, nga ata që në atë kohë ishin si të thuash “të rinj” ose, së paku, pak më të rinj se plejada e profesorëve veteranë të gardës së vjetër.

Në mesin e atyre që do të gjendeshin shpesh në auditorët e Universitetit të Prishtinës, në mesin e studentëve dhe kolegëve të tyre pedagogë, i gjallë e dinamik dhe plot sharm, ishte pa dyshim edhe drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë dhe profesor i Universitetit të Tiranës, albanologu i shquar, Androkli Kostallari.

Pas atij takimit të parë më duket të vitit 1972, kur unë isha djalë i ri, një student i posadiplomuar i zgjedhur asistent i Letërsisë Shqipe, që kishte filluar të merrej edhe me shkrime dhe të botonte në shtypin dhe periodikun letrar të Shkupit dhe të Prishtinës (më vonë edhe në atë të Tiranës), më befasoi me pohimin e tij se më kishte përfytyruar ndryshe nga shkrimet që kishte lexuar dhe sidomos nga një polemikë e zhvilluar me një kolegun tim të studimeve qysh gjatë kohës kur ishim studentë lidhur me krijimtarinë letrare të Kadaresë dhe disa probleme të tjera të letërsisë.  “A ti je Agim Vinca? – më pat thënë në takimin e parë Profesor Kostallari. – Të kam përfytyruar më të madh, gati gjigant… Gjithë atë polemikë që bëtë me atë Ibrahim Rugovën!”.

Unë u skuqa në fytyrë, sepse nuk e prisja një gjë të tillë. Ishte befasi për mua që shkrimet e mia polemike (dhe të tjera), të botuara në revistën “Fjala”, ishin lexuar edhe në Tiranë, madje edhe nga njerëz të rryer të shkencës, çfarë ishte Profesor Kostallari.

Në Tiranë atëbotë, për arsyet që dihen, polemika si lloj letrar pothuajse nuk ekzistonte, por kjo s’do të thoshte se shkrimet e tilla nuk lexoheshin dhe nuk pëlqeheshin.

Nga takimi i parë me Profesor Kostallarin, ai i vitit 1972, mbaj mend edhe një detaj, që e ruaj të freskët në kujtesë edhe pas gati gjysmë shekulli.

Profesori pat mbajtur një ligjëratë me studentët e Shkallës III të Gjuhësisë, në orët e pasdites, sepse të gjithë ata që ndiqnin këtë nivel të studimeve ishin në marrëdhënie pune. Unë atëbotë, si beqar që isha, pjesën më të madhe të ditës e kaloja në Fakultet, ku përgatisja provimet e Shkallës III dhe bëja edhe punën e sekretarit të Degës së Letërsisë, shef i së cilës ishte Profesor Rexhep Qosja, njëri nga miqtë e ngushtë të Profesor Kostallarit, i cili një vit a dy më herët kishte qenë anëtar i komisionit para të cilit Qosja e pat mbrojtur temën e doktoratës. Është vendi të thuhet këtu diçka që nuk është thënë ndonjëherë publikisht dhe që dihet nga fare pak njerëz, kurse unë vetë e kam dëgjuar nga Profesor Qosja. Teksti që ne lexojmë edhe sot e kësaj dite në përfundim të mbrojtjes së temave të doktoratës, ajo formula e famshme “e pagëzimit”, me të cilën mbyllet akti solemn i mbrojtjes së temave dhe i marrjes së titujve nga kandidatët, është formuluar nga dora e Androkli Kostallarit. Dhe kjo ka ndodhur pikërisht në vitin 1971, kur Rexhep Qosja mbrojti disertacionin e tij “Asdreni, jeta dhe vepra e tij”, që ishte tema e parë e doktoratës e mbrojtur në gjuhën shqipe në këtë institucion. Kur merr fund mbrojtja publike në Amfiteatrin e Madh të Fakultetit, para një auditori jashtëzakonisht të gjerë dhe kur komisioni pesanëtarësh i përbërë nga Aleks Buda, Idriz Ajeti, Ali Hadri, Jashar Rexhepagiqi dhe Androkli Kostallari tërhiqet për të marrë vendim, papritmas shfaqet problemi i formulimit të tekstit të vendimit. Është Profesor Kostallari ai që ulet dhe e shkruan atë, tekstin të cilin ne në Universitetin e prishtinës e lexojmë edhe sot e kësaj dite pikë për pikë pa asnjë ndryshim.

Por të kthehemi te ai takimi i ’72-shit, kur Profesori pat ardhur për të mbajtur një cikël ligjëratash për studentët pasuniversitarë. Ishte e udhës që atë ta shoqëronte shefi i Degës së Gjuhës Shqipe dhe kolegu i tij gjuhëtar, Profesor Idriz Ajeti. Pas ligjëratës gati dyorëshe, që u ndoq me interesim të madh nga të pranishmit, studentë e të tjerë, pushuam pak në kabinetin e profesor Idrizit dhe pastaj ata të dy – dhe unë bashkë me ta, dolëm nga Fakulteti dhe u nisëm në drejtim të hotelit “Bozhur” (si quhej atëherë hoteli kryesor i Prishtinës, që pas luftës do të marrë emrin “Iliria”), ku ishte vendosur Profesori. Kur dolëm te shkallët e Fakultetit dielli ishte në perëndim e sipër, horizonti kishte marrë një ngjyrë të kuqërremtë si zjarr (ishte fillimi i vjeshtës) dhe nga shkallët e Fakultetit krijohej një pamje mbresëlënëse, që nxiste emocione. Atëbotë në oborrin e Fakultetit kishte shumë pak vetura, kurse ndërtesat e larta ishin edhe më të pakta, kështu që nga pozita tek gjendeshim ne të dilte përpara një pamje e gjerë e madhështore: sikur ta kishe në pëllëmbë të dorës krejt Kosovën.

Në atë çast, Profesor Kostallari, me gjallërinë që e karakterizonte, shqiptoi fjalët:

“Eh, Rrafshi i Kosovës! Tërë Jugosllavinë e mban me bukë!”.

Nuk e di në e bëri këtë ngaqë vërtet u entuziazmua nga pamja që kishim para sysh, apo edhe si një “provokim” të vogël politik ndaj shoqëruesit të tij kosovar, Profesor Ajetit, i cili, i zënë në “befasi” nga kjo deklaratë e papritur, u përgjigj në mënyrën e vet:

“Jo, jo, krejt Jugosllavinë!… Kosovën po”.

Unë që ndodhesha krejt rastësisht në shoqërinë e këtyre dy kolosëve, natyrisht heshta. Nuk thashë gjë. Por intimisht isha me Profesor Kostallarin, fjalët e të cilit kishin një mesazh të fuqishëm politik e kombëtar dhe si të tilla do të më nguliten përgjithmonë në kujtesë.

Momenti i dytë që dua të evokoj me këtë rast është një takim i mëvonshëm. Me Bajram Krasniqin e ndjerë ishim në bufenë e Institutit Albanologjik, kur papritmas në derë u shfaq figura e Profesor Kostallarit. Kthehej nga Beogradi, ku kishte marrë pjesë në një konferencë shkencore me karakter ballkanik dhe evropian. Pas përfundimit të konferencës, me disa kolegë të tjerë pjesëmarrës në konferencë, kishin ardhur në Prishtinë të na takonin ne që nuk mund të shkonim më në Tiranë si dikur, para vitit 1981. Në bisedë e sipër, duke dashur të na inkurajonte mua dhe Bajramin, që na donte si njerëz dhe si studiues, na tha: “Hajt se do të rregullohen punët. As djalli nuk është aq i zi sa duket!”. “Nuk duket sa është i zi, Profesor!” – iu përgjigjëm pothuajse njëzëri unë dhe Bajrami. Ashtu edhe doli. Situata në Kosovë erdhi duke u përkeqësuar nga viti në vit e nga dita në ditë, gjersa mori përmasat e një apartheidi të vërtetë. “Djalli” po tregonte orë e çast se s’kish ndërmend të ndalej pa e bërë të vetën: mbylljen e institucioneve tona arsimore, shkencore, kulturore, informative e të tjera, që kishte si synim final heqjen e autonomisë së Kosovës dhe dobësimin e faktorit shqiptar në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi.

Do ta takoja edhe shumë herë të tjera, në Prishtinë dhe në Tiranë, ku ai na priste në zyrën e tij në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë kur shkonim për kërkime shkencore ne pedagogët e Universitetit të Prishtinës, që na hapeshin dyert e institucioneve dhe na ruheshin vendet në sallën shkencore të Bibliotekës Kombëtare, ku, falë angazhimit të tij dhe të të tjerëve, trajtoheshim si “vëllezër”; edhe në hotel “Dajti”, ku vinte të darkonte me ne, tok me zëvendësin e tij, Koço Bihikun e ndonjë tjetër, sidomos në fillim dhe në përfundim të qëndrimit tonë në Tiranë, por edhe në raste të tjera. Bisedat silleshin kryesisht rreth punës sonë kërkimore, rreth temave në të cilat punonim, rreth sigurimit të literaturës, por flisnim (ose më drejt: fliste ai, kurse ne të tjerët dëgjonim) edhe për probleme të tjera të jetës shkencore, ku mbizotëronin, sigurisht, temat nga gjuhësia dhe letërsia.

Vetëm për një gjë nuk u “pajtuam” me Profesor Kostallarin: për Mitrush Kutelin. Kur unë, që sapo hyja në botën e shkencës, mendoja të merrja për punim të magjistraturës prozën e Kutelit, ai më sugjeroi të mos e bëja këtë me pretekstin se Kuteli kishte qenë “anëtar i Gardës së Hekurt të Antoneskut!”. Me njohuritë që kisha atëbotë, as nuk e dija se ç’ishte “Garda e hekurt”, e as kush ishte gjeneral Antonesku (kryeministër i Rumanisë në vitet 1940-1944 dhe aleat i Hitlerit, i ekzekutuar pas luftës). Më vonë do ta mësoja. Por intuita më thoshte se s’duhej të ishte e vërtetë akuza për Kutelin dhe, me gjithë respektin që kisha për Profesor Kostallarin, përsëri zgjodha Kutelin për temë magjistrature. (Vite më vonë, kur unë mendoja se kjo gjë ishte harruar, ai gjeti një rast të ma ndërmendte me fjalët: “Ti, nuk më dëgjove!”).

Nuk e di përse ndaj një shkrimtari si Mitrush Kuteli, që shquhej veç të tjerash edhe për gjuhën e tij të pasur, si në planin leksikor, ashtu edhe në atë frazeologjik e stilistikor, kishte këtë qëndrim Androkli Kostallari? A ishte refleks i qëndrimit zyrtar ndaj Kutelit apo ndonjë hatërmbetje personale (se, helbete, njerëz jemi!), nuk mund ta them me siguri, por mund të pohoj me gojë plot, madje edhe me mburrje, se bëra mirë që nuk e dëgjova Prof. Kostallarin në këtë pikë.

Mitrush Kuteli, sikurse edhe Lasgush Poradeci, me të cilët na ndante ose, më mirë, na bashkonte, liqeni fantastik, “gjoli”, si i themi ne andej, që lag brigjet e Ohrit, të Strugës dhe të Pogradecit bashkë me Shën Naumin pranë, qenë dhe mbetën dy nga shkrimtarët e mi të adhuruar.

Sidoqoftë, Profesor Kostallari, sa arrita ta njoh unë, ishte një njeri me inteligjencë të rrallë dhe me një logjikë të hekurt, që mbështeste me shpinë për muri këdo që mund ta kontestonte mendimin e tij shkencor, veçanërisht për çështje të gjuhës letrare, term që përdorej atëherë në vend të termit të sotëm “gjuhë standarde”. Inteligjenca e tij e lindur shoqërohej edhe me një elokuencë të rrallë, të lindur e të kultivuar, që spikaste veçanërisht kur ai mbante ligjërata para studentëve, kur kumtonte në tubime shkencore, por edhe në jetën e përditshme. Ishte më elokuenti ndër gjuhëtarët tanë, ndoshta ngaqë ishte marrë ngapak edhe me letërsi. Nuk do ta harroj kurrë një ligjëratë të tij për Bogdanin, mbajtur në Amfiteatrin e Vogël të Fakultetit Filologjik në Prishtinë, të cilën, po qe se do ta karakterizoja me një fjalë të vetme, atëherë do të më hynte në punë fjala: brilante! Të gjithë ata që i kam dëgjuar të flasin e të shkruajnë për Bogdanin, më parë dhe më pas, më janë dukur të zbehtë e minorë karshi asaj ligjërate të shkëlqyer të Kostallarit, e cila në të vërtetë ishte një studim shkencor për kontributin e Bogdanit në konsolidimin e shkrimit shqip dhe sidomos në fushën e fjalëformimit, që ishte fushë e specializimit të Profesorit.

Pasioni i tij për gjuhën shqipe dhe pasurinë e saj leksikore ishte i paparë. Në biseda me njerëz të zonave të ndryshme, veçanërisht nga viset këndej kufirit, shfrytëzonte rastin të pyeste për emrat e vendbanimeve, për emërtimet e bimëve, të kafshëve, të veglave të punës etj. Posa dëgjonte ndonjë fjalë të re, të panjohur, të rrallë, nga brumi popullor, nxirrte skedën dhe e shënonte. Kështu pat vepruar edhe me mua kur i thashë se në vendlindjen time, në Veleshtë, për shtëpinë përdhese përdoret fjala “përtrollzë”, të cilën unë e kisha futur edhe në poezi; me fjalën “bërrole” për kallirin e misrit të zhvoshkur nga kokrrat, e ndonjë tjetër që nuk më kujtohet tani.

Pas rënies së sistemit komunist në Shqipëri në fund të viteve ’90 dhe sidomos pas vitit 1992, kur vdes, Androkli Kostallari do të sulmohet shumë dhe shpesh, si rrallë ndonjë personalitet tjetër nga fusha e shkencës, herë-herë edhe nga ndonjë nga ish-bashkëpunëtorët e tij. Askush ose pothuajse askush nuk e mori në mbrojtje. Kurse ai vetë nuk kishte si të mbrohej.

Opinionet për Androkli Kostallarin si njeri e shkencëtar dhe vlerësimet për të janë kundërthënëse, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Në Kosovë, madje, edhe më shumë. Por të gjithë studiuesit objektivë thuajse pajtohen në një pikë. Profesor Androkli Kostallari është posaçërisht i merituar për hartimin e Rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe(Projekt, 1967) (më vonë edhe të librit Drejtshkrimi i gjuhës shqipe – 1973), ku ai ishte kryetar i komisionit, kurse anëtarë: Prof. Mahir Domi, Prof. Eqrem Çabej dhe B. shk. Emil Lafe, si dhe i Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe (1980), me 40 mijë fjalë, vepër e një ekipi të gjerë gjuhëtarësh, leksikografë e të tjerë, në krye të të cilit qëndronte po ashtu Prof. Kostallari.

Por merita e tij më e madhe, që mund të konsiderohet kurora e punës së tij jo vetëm shkencore, por edhe kombëtare, është përgatitja dhe organizimi i Kongresit të Drejshkrimit, që u mbajt në Tiranë në nëntor të vitit 1972, në të cilin u kurorëzuan përpjekjet shekullore të kombit shqiptar për të pasur një gjuhë të përbashkët letrare. Aq i madh ka qenë roli i Androkli Kostallarit për organizimin dhe rezultatin e këtij Kongresi, sa ai, siç theksonte Jorgo Bulo, “u identifikua me emrin e tij, për të mirë me gjallje të tij dhe për të keq sidomos pas vdekjes së tij, nga kundërshtarët provincialë të vendimeve të atij Kongresi”.

Agim Vinca: Kurrë s’kisha parë njeri të veshur më bukur se mësuesi im

Po sjellim një fragment nga libri “Magjia e ligjërimit”, ku profesor Vinca flet për ditën e parë të shkollës dhe mësuesin e tij të parë.

Kur i mbusha shtatë vjet nisa të shkoj në shkollë, në klasë të parë. Më kujtohet si sot dita e parë e shkollës: ke “domi” (shtëpia e kulturës), në qendër të fshatit. Grumbullimi në oborr, rreshtimi, hyrja në klasë. Në korridor, një mësues i rreptë që na bërtiste fort. Dikë e kapte për jake, dikë për veshi, ndonjërit ia kriste edhe ndonjë shpullë. Përse? Nuk e di. Ndoshta që të na fuste frikën në palcë.

Për fat ai nuk ishte mësuesi im i parë.

Mësuesi im i parë, ai që do të më jepte mësim, ndryshe nga ai i korridorit, që pa kaluar shumë kohë do të bëhej funksionar politik, në komunë e më lart, ishte i mirë dhe i dashur. Edhe i pashëm. Nuk na ndëshkonte fizikisht, madje as nuk bërtiste me zë të lartë. Na dha mësim vetëm një vit, në klasë të parë, pastaj iku me familje në Turqi. Ishte mesi i viteve ’50 të shekullit të kaluar, kulmi i shpërnguljes së shqiptarëve nga vatrat e tyre në shkretëtirat e Anadollit…

Vetëm një kohë të shkurtër shkuam aty ke “domi”. Pastaj kaluam ke “stanica” (ish-stacioni i policisë, që kishte qenë stacion xhandarmërie qysh në kohë të Serbisë). Në atë godinë para se të bëhej shkollë, ishin rrahur burrat e fshatit nga xhandarët e pushtetit popullor, ndër të cilët më i tmerrshmi kishte qenë njëfarë Gjushoja.

“Mos hifsh n’dor’ t’tij!”. Aty, në atë godinë, ku një vit a dy më parë baballarët tanë ishin ftuar për armë, unë dhe moshatarët e mi tani shkonim në shkollë me çantë e laps në dorë. Çanta ime ishte prej basme, kurse në të një libër (Abetarja), dy fletore, një me vija e një me katrorë dhe një laps i thjeshtë, asgjë më shumë, ndërsa unë i veshur me një palë pantallona të shkurtra dhe një këmishë bezi.

Këmbëzbathur. Pas tërsëllëmit të ditës së parë, piskamës dhe dajakut të atij mësuesit-funksionar, nisa ta doja shkollën, mësuesit,

librat. Nga klasa e tretë nis shoqërimi im me librin; shoqëri që nuk do të ndërpritet kurrë, që do të zgjasë një jetë të tërë.

Për mësuesin tim të parë, që më ka dhënë mësim në klasë të parë, unë kam bërë një vjershë, vjershën E kujtoj mësuesin, e cila është pa dyshim poezia ime më e njohur dhe më e popullarizuar: e dinë përmendsh të gjithë fëmijët e moshës shkollore: në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni dhe në diasporë. Ka ndodhur ndonjëherë, madje, ta recitojnë në praninë time, pa e ditur se unë jam autori! Nga këto ndodhi, rasti i Shëngjinit është më interesanti, por nuk po i hyj tash rrëfimit të tij, sepse do të na largonte nga tema.

Mësuesi im i parë, ai që më ka dhënë mësim në klasën e parë, që m’i ka mësuar shkronjat e gjuhës amtare, e kishte emrin Sadik. Mbiemrin Mehmeti, nëse nuk gaboj. Pra, Sadik Mehmeti. Ishte nga Struga, nga qyteti, por familja e tij, siç kam marrë vesh më vonë, kishte ardhur në Strugë nga Kalishta, një fshat i bukur, pitoresk, buzë liqenit, jo më larg se dy-tre kilometra nga qyteti. Ishte i ri, i pashëm, elegant. Vishej bukur. Me kostum e kravatë. Kurrë s’kisha parë njeri të veshur më bukur se mësuesi im: me këpucë të zeza, me pantollona të hekurosura, me një xhaketë me jakë të gjerë, klasike, me këmishë të bardhë me vija dhe një kravatë të lidhur bukur e të shtrënguar fort për jakën e këmishës. Nuk e di a i ndërronte rrobat mësuesi im ndonjëherë (sigurisht që po), por unë kështu e mbaj mend. Ndoshta ashtu siç e kam parë herën e parë. Përveç që vishej bukur, ishte, si thashë, edhe i pashëm. Fytyrën e kishte të plotë, pak të hequr, sytë e larmë, vetullat të harkuara, hundën e drejtë, kurse flokët kaçurrel. Një ble flokësh i binte shpesh mbi ballë. Ende e ruaj të gjallë në kujtesë fytyrën e tij, me atë ble flokësh në ballë. Na dha mësim vetëm një vit, pastaj iku. U shpërngul në Turqi me gjithë familje si shumë të tjerë. Dihet përse!

Kam dëgjuar se ka jetuar deri vonë në Stamboll dhe se ka ardhur edhe në Strugë, në vizitë, në verë, vite më parë, por unë s’e kam parë. Kam marrë vesh vonë për ardhjen e tij, pasi është kthyer.

Dhe tani që po i shkruaj këto fjalë nuk e di a është gjallë, a rron më. Më duket se jo./KultPlus.com

Romancë vere

Agim Vinca

Te ura e Drinit piskasin fëmijët
Tek hidhen nga parmakët.
Një djalosh me mjekër si saudit
Shet libra për profetët.

Dielli ngjitet thik përpjetë
Asfalti i nxehtë valë.
Te tavolina lart në breg
Mevludë, ilmihalë.

Si peshq pllaq e plluq fëmijët
Çapkënët struganë.
Bekuar uji që i rrit!
Pa lutje e temjan.

Në Bluesky bosët pinë koktej.
Cicërojnë celularët.
Alo, zemra!… Ku je?… Okej!
Tolloviten shqiptarët.

Te ura e Drinit, mes qytetit.
Stërkala uji e gazi.
O Zot, ç’njerëz! Mjek’r e poetit
Trandet nga marazi.

(Strugë, verë 2008)

Ditëlindja

Poezi nga Agim Vinca

Në Paris, rastësisht, i mbusha pesëdhjetë e sa vjet.

Tani jam një vit më i madh se Naimi,

dyfish më i moshuar se Migjeni

dhe – mjekërbardhë si Lasgushi.

Për ditëlindjen time

pimë nga një gotë verë

me Veronikën nga Kili

dhe Mihain nga Bukureshti.

Ç’rastësi !

Të tre kemi njohur nga një diktaturë

(unë dy a tri)

dhe kemi ëndërruar botën e lirë.

I cakërrojmë gotat dhe themi:

Gëzuar!

Secili në gjuhë të vet;

në Paris, në botën e lirë

(A thua, vërtet?)

Në ditëlindjen time të njëqindepesëdhjetë !

(Paris, 22 maj 2002)

ANNIVERSAIRE

C’est à Paris, curieux hasard, que j’ai atteint la cinquantaine.

Cela me fait, à présent, un an de plus que Naïm,

le double de l’âge de Migjeni, quand ils moururent,

et déjà la barbe blanche de Lasgush.

J’ai fêté cet anniversaire en buvant un verre de vin

avec Véronique, la chilienne,

et Mihai, venu de Bucarest.

Curieux hasard, en effet!

Nous avons vécu, tous trois, sous une dictature,

(plus d’une même, pour ma part),

et rêvé d’un monde libre.

Nous trinquons donc, en lançant le mot

«santé»,

chacun dans sa propre langue.

Et cela au coeur du monde libre

(libre, dis-tu, pour de bon ?)

Le jour, en somme, de mon cent-cinquantième anniversaire !

(Përktheu: Aleksander Zoto) / KultPlus.com

Agim Vinca: Kur u mbyll kufiri në ’48-n,tota Mije mbeti përgjithmonë në Tiranë

Në Tiranë jetonte një kushërirë e tim eti, Nazmija, të cilën e gjithë familja e thërriste “tota Mije”. Tota Mije, e bija e Sef Vojncës, ishte e martuar te Sojlitë e Strugës, një pjesë e të cilëve gjatë Luftës së Dytë Botërore u vendosën në Tiranë dhe mbetën atje edhe pas luftës.

Kur u mbyll kufiri në ’48-n, pas prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, tota Mije mbeti përgjithmonë në Tiranë, larg vendlindjes dhe njerëzve të saj.

“Mbet n’Tironë”, thoshin burrat dhe gratë e familjes. Dhe, fjalët “mbet n’Tironë” ose “mbet matonë” tingëllonin njësoj si “mbet në Mars” ose “mbet në Hënë”!

Sepse, as nuk mund të vihej nga Tirana e as nuk mund të shkohej në Tiranë, pos në ëndërr ose duke kaluar ilegalisht kufirin. Atë kufi, që mund ta kalonin vetëm zogjtë e malit.

Unë isha njeriu i parë dhe i vetëm i familjes, që “tota Mije” do të mund ta shihte me sy për të gjallë të saj.

Edhe kjo falë një rastësie: që isha pedagog i Universitetit të Prishtinës dhe si i tillë m’u dha rasti të shkoja në Shqipëri në vitet ’70.

Para se të nisesha im atë më porositi: “Mos u kthe pa e pa totën Mije!”.

Nuk mund të kthehesha pa e çuar në vend këtë porosi: pa e marrë ngryk plakën me të cilën im atë e kishte kaluar fëmijërinë!

Tota Mije kishte tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Jetonte me të bijën, së cilës i kishte vdekur burri i ri dhe e kishte lënë me tre fëmijë të vegjël. Tre fëmijë nëna, tre bija, si ta kishin bërë me fjalë ose si t’ua kishte diktuar providenca, Perëndia, që atëbotë në Shqipëri ishte i ndaluar!

Djemtë e totës Mije quheshin Irfan e Fatmir, kurse e bija kishte një emër turk me tre “y”: Ymygjyl! “Gjyli” e thërrisnin shkurt. Njëri nga djemtë ishte rrobaqepës, tjetri mekanik, kurse motra e tyre e vetme, punëtore në fabrikë.

Pas disa vizitash do të kuptoja se tota Mije e agjëronte fshehtas ramazanin, kurse të nipin, Luanin, do ta bënte synet në “ilegalitet”.

Te “pallati” i tyre, në të njëjtën hyrje, jetonte familja e njërës nga rejat e Enver Hoxhës, familje punëtore. Dhe kur “shoku Enver” me “shoqen Nexhmije” kishin ardhur për vizitë te krushku për Një Maj a për Vit të Ri, “udhëheqësi i dashur i partisë dhe i shtetit” e kishte marrë në krah dhe e kishte përkëdhelur djalin e Ymygjylit, Luanin, që ishte një çun i bukur e simpatik.

“Mos m’i laj faqet”, i thoshte djali të ëmës ditë me radhë, “se m’i ka puthur xhaxhi Enver!”.

Ymygjyli banonte në rrugën “Emin Duraku”, afër stadiumit të “Dinamos”. Rasti kishte dashur që kushërira ime të banonte në rrugën që mbante emrin e një kosovari, të dëshmorit gjakovar Emin Duraku, që nderohej edhe në Shqipëri. Në shesh kishte një bust të tij.

Kur unë shkova për herë të parë në Tiranë, në vitin 1974, tota Mije me të bijën, Ymygjylin dhe fëmijët, gjithsej pesë veta, jetonin në një dhomë. Dy familje e ndanin një apartament të vetëm, banjën e kishin të përbashkët.

Ymygjyli dhe nëna e saj, tota Mije, nuk e dinin që unë do të shkoja në Tiranë. As ndër mend nuk u shkonte.

Kur më pyetën shoqëruesit në kisha njeri timin në Shqipëri, u thashë: “Po. Kam një kushërirë, gocë halle. Banon në Tiranë dhe do të doja ta vizitoj, nëse ka mundësi”.

Kërkesa ime u miratua. Dhe mua, disa ditë pasi u vendosëm në hotel dhe filluam punën në Bibliotekë, m’u bë e mundur të shkoja në rrugën “Emin Duraku” për vizitë.

Herën e parë, nëse nuk gaboj, bashkë me njërin nga shoqëruesit, edhe për shkak se nuk e kisha të lehtë ta gjeja banesën. Por më vonë kam shkuar edhe vetëm. Dhe jo vetëm një herë.

Nuk më hiqej mendsh porosia e tim eti: “Mos u kthe pa e pa totën Mije!”.

Secilën herë kur shkoja më qerasnin me llokume, me një gotë raki e meze, mish pule dhe sidomos fruta e perime: ullinj, portokaj, mandarina.

Unë isha deri në fyt, si thuhet, sepse në “Dajti” s’kishte gjë që s’kishte dhe i qortoja që bënin shpenzime për mua e nuk i ruanin ato gjëra për fëmijët, por, natyrisht, nuk ua prishja, për të mos i fyer dhe merrja ngapak nga ato që më servirnin.

Tota Mije më shihte në sy. S’ngopej duke më parë. S’kishte faj! Unë isha njeriu i parë i familjes, që ajo shihte me sy pas gati tridhjetë vjetësh.

Edhe sot më rri para sysh imazhi i saj: me fytyrë të gjatë e tipare të mprehta, pak hundëshkabë, si Date Biti, me flokët e bardha e zylyfet që i vareshin në të dy anët e fytyrës; me një shami në maje të kokës. Qau kur më pa. Nuk më lëshonte nga përqafimi. “I Nexhatit je?” “I Nexhatit”. “Kur ke le ti?” “Kur u mbyll kufiri, Tota Mije!…”. “Eh kufiri, virani!… Na e hëngri shpirtin si gjarpri!…”.

Fliste tironçe, por, herë-herë, përdorte edhe trajta veleshtare; “Sot, m’kanë ardhë krejt Vojncallar’t. Ene Nexhati, ene Sabiti, ene Qemali, ene Vehapi… Krejt Veleshta!”.

Nexhati ishte im atë; Sabiti – i vëllai, i vetmi që nuk rronte më; Qemali, kushëri i parë, sikurse edhe im atë, kurse Vehapi, më i riu në mesin e tyre, ishte mixha im.

Kur shkova herën e parë në Shqipëri, unë isha ende djalë i ri, 27 vjeç pa pak, beqar.

– I martu’m je, me totën? – më pyeti pa humbur kohë “tota Mije”.

– Jo. I fercu’m, fola me qëllim veleshtarçe, për ta “përkthyer” sakaq veten: i fejuar.

– Po nusen nga e ke? Kosovare?

– Jo. Është e anës sonë: nga katundet matanë Drinit, por jeton në Ohër. Familja e saj është shpërngulur nga fshati në qytet kur ajo ka qenë dhjetë vjeç.

– Nga ç’familje është?

– Nga Dokollarët.

– Aha! Familje e mirë.

– Si e ka emrin?

– Flut’ra.

– E gëzoftë! Emër i bukur!

– Është e bardhë? E zezë?

– Ezmere. “Ezmer gjyzel!” – thashë, duke përdorur një shprehje turqisht, të cilën tota Mije e kuptoi, kurse Ymygjyli jo. – Zeshkane e bukur! – shtova pa dashje.- E gjatë sa unë.

Plaka dhe e bija më vështronin në sy. Fëmijët, sidomos vajzat, gjithashtu.

Ke fotografi?
Të kujt?
Të nuses.
Nuk kam.
Si ashtu? Pse?
Nuk mbaj fotografi në kuletë.
Kur të vish herën tjetër t’na sjellësh një fotografi. Tënden dhe të nuses – më thanë të dyja njëzëri, tota Mije dhe Ymygjyli.
Pas pyetjeve që shërbyen si hyrje për t’u njohur bashkë, pasuan pyetjet për vendlindjen.

A ka ndryshu’ Veleshta?
Ka ndryshu’ shumë.
Sa sh’pi o bo?
Pesëqind, gjashtëqind. Ndoshta shtatëqind.
Uaaa! Ia bënë Ymygjyli dhe vajza e madhe, Violeta.
… Por një pjesë e tyre janë bosh, sepse njerëzit janë në kurbet.
Në kurbet, ku?
Në Gjermani, në Zvicër, në Austri, në Suedi… Edhe në Amerikë!
Pasoi një heshtje e shkurtër. Askush nuk fliste. Mendja e etur si duket bridhte nëpër botë. Pastaj u dëgjua prapë zëri i Totës Mije.

Po rrapat aty janë, ke Vakufet?
Aty, tota Mije. S’kanë luj’t vendit.
Plakës i shkëlqyen sytë. Nga ngazëllimi dhe nga malli.

Po në Strugë a shkoni?
Shkojmë, si jo.
Me se?
Me autobus, me biçikletë, në këmbë…, me veturë, ata që kanë.
Tota Mije bënte pyetje të lehta, pa zarar. Herë pas here i puliste sytë si të donte t’i mbulonte me kapakët e tyre pyetjet që s’guxonte t’i bënte.

Të vish përsëri – më tha kur po largohesha.
Do të vij, tota Mije, do të vij… Unë për ty kam ardhur! – i thashë duke dashur t’ia bëj qejfin, sado që e vërteta ishte krejt ndryshe: kisha ardhur në Tiranë si kuadër i Universitetit të Prishtinës për kërkime shkencore.
Kur shkova herën e dytë në Shqipëri, dy vjet pas, Tota Mije nuk rronte më. Ishte ndarë nga jeta më pak se një vit pasi u takuam bashkë. Edhe vdekjen e saj e mësuam me vonesë, nëpërmjet ndonjë letre të ardhur nga Tirana pas njëqind kontrollesh.

Tani Ymygjyli jetonte vetëm me fëmijët dhe kishte marrë apartament më vete. U pikëllova për mungesën e plakës, por u gëzova për përmirësimin e kushteve të banimit të së bijës me fëmijët.

Më erdhi mirë që vizita ime nuk i kishte dëmtuar si familje. Në mos ndoshta edhe i kishte ndihmuar ndopak.

Te Ymygjyli e njoha edhe Evën, një vllahinkë e bukur nga Struga, pak më e madhe se Gjyli, e martuar në Tiranë. Eva ishte e bija e Spirovicës, që shiste gjilpëra e karfica nëpër fshatrat tona dhe e motra e Jakovçes (Jakovçe Poposkit), sekretarit të partisë për Strugën, njeri që tërë jetën e kaloi nëpër funksione: herë sekretar partie e herë kryetar komune. Për të thuhej se fëmijërinë e kishte kaluar në Veleshtë dhe shqipen e dinte fars, por si njeri i regjimit, ishte antishqiptar. Nuk kishte bërë vaki të shtinte në punë ndonjë shqiptar a t’ia zgjaste dorën dikujt nga tanët në rast rreziku. Përkundrazi. Shquhej në luftën kundër “rrezikut shqiptar”.

E ç’mund të presësh nga një njeri që s’e do nënën e vet, që e ka përzënë nga shtëpia atë që ia ka bë kryet?! – thuhej shpesh në Strugë. Me të drejtë. E ëma e Jakovçes, Spirovojca, si e quanin i madh e i vogël, e ngrysi jetën me një shportë me xhingërrima fshatrave të Strugës, kryesisht te ato shqiptare. Nuk kishte grua në Veleshtë, duke filluar nga nëna ime dhe mixhovica, Bulja, që nuk e njihte Spirovojcën dhe që nuk kishte blerë diçka te ajo.

Edhe Eva qe martuar “n’kohë t’Shqipnisë” me një djalë nga familja Sojli, me Mentorin, i cili ishte edhe poet. Kishte botuar një libër me vjersha me titull Nisje në vitet ’40, të cilin Mitrush Kuteli, shumë aktiv si kritik letrar në ato vite, nuk e kishte pritur mirë. “Nisu, por aman mos u kthe!”, kishte thënë në recensionin e tij kritiku i rreptë pogradecar.

Eva ishte grua e bukur, e zeshkët, vetullkaleshe. Ishte syçelë dhe trime. Burrneshë e vërtetë! Dhe i mbante mend njerëzit dhe ngjarjet e vendlindjes më mirë edhe se tota Mije.

Kishte një djalë të rritur, moshatar me mua, i cili mendjen e kishte jashtë. Më kujtohet se një nga pyetjet e para që më pat bërë djali i Evës (Astrit më duket se e kishte emrin), qe: “Sa palë këpucë ke?” Dhe kur unë i thashë se kisha veç një palë, shumë-shumë dy, ai qeshi me ironi. Nuk besonte.

Do të ketë qenë ndër të parët që ua mësynë ambasadave më 2 korrik 1990, me siguri, ditën që në Kosovë u shpall Deklarata Kushtetuese për Kosovën Republikë. Pikërisht atë ditë, as më herët as më vonë. Një enigmë e madhe, që s’ka gjetur zgjidhje as sot e kësaj dite!

Tota Mije, e bija e “Aga Axhes”, si e thërriste babën e saj, Sefën, e gjithë familja Vinca, nuk arriti të vinte edhe një herë në vendlindje, por e bija, Ymygjyli, po.

Vdiq dhe u varros në Tiranë pa pasur pranë askënd nga njerëzit e fisit të saj, e përmalluar për gjithçka: edhe për gurët e sokakut! Vajti në varr pa ardhur edhe një herë aty ku qe përkundur në djep: në Veleshtë!

Ymygjyli erdhi në vitin 1990 dhe u prit si mbretëreshë. U kthye në Tiranë me kamion. Aq shumë plaçka e gjësende që i dhanë. Nuk mbet njeri i familjes, të afërm e më pak të afërm, që nuk e mori për drekë a darkë. Në Veleshtë dhe në Strugë. Madje edhe në Prishtinë.

Pas një qëndrimi prej rreth një muaji në Veleshtë, unë i hipa makinës, “101”-shit tim të kuq dhe shkova ta merrja në Prishtinë. Që të rrinte edhe këtu së paku një javë, në mos më shumë. E mora me vete edhe vajzën, Doruntinën, e cila e kishte me shumë qejf mysafiren.

Ymygjyli ishte e çelur për nga natyra, si shumica e Vincallarëve dhe posaçërisht ata të Date Bitit, por nuk fliste shumë. Rezervohej. Ndoshta ashtu e kishin porositur. Madje, jo ndoshta, por me siguri, sado që regjimi qe zbutur pas vdekjes së Enverit pak vjet më parë. Ky që kishte ardhur në krye të partisë dhe të shtetit, Ramiz Alia, nga të rrallët që kishte mbijetuar, nuk ishte si pararendësi i tij. Ishte më i butë. Kadareja thotë diku, më duket te libri Pesha e kryqit, njëri nga librat e tij publicistikë, që botoi menjëherë pas largimit në Paris: “Ky nuk vret! Ai tjetri po!”.

Nuk kisha qenë në Shqipëri nga viti 1979. Televizionin na e mbyllën pas ’81-shit, për ta penguar propagandën e “Parties Punës Shqipnies”, si thoshte “shoku Sinan”, Sinan Hasani, funksionar i lartë politik dhe shkrimtar. Romancier. Autori i romanit të parë në Kosovë Rrushi ka nisë me u pjekë, të botuar një vit para Gjarpijve të gjakut, në vitin 1957. Kishte mbetur vetëm radioja, të cilën e mbaja te kryet. Por a mjaftonte? Jo. Sigurisht që jo. Prandaj shfrytëzova rastin e ardhjes në vizitë të kushërirës që ta pyesja për punët e Shqipërisë: nga ekonomia e ushtria e deri te arti e letërsia. Thuase ajo ishte ndonjë ministreshë e jo një punëtore e thjeshtë.

“Filloi intervista tani!”, thoshte mbrëmjeve kur mbeteshim vetëm, kur unë “e gërryeja” për gjendjen në Shqipëri.

Nuk e dija, nuk mund ta merrja me mend, se punët në Shqipëri ishin keq, shumë më keq se në vitet ‘70, sidomos në planin ekonomik.

Atëherë unë e kisha lëshuar mjekrën. Kishte dy vjet. Në verë të vitit 1988. Së bashku me kolegun tim të fakultetit, Agim Devën. Me marrëveshje. “A i lëshojmë mjekrat, bacëlok?” “I lëshojmë!”. Përtonim të rruheshim. Por edhe krijues ishim: poetë, shkrimtarë, studiues të letërsisë…

Kur lodhej nga “intervista”, duke dashur të më ndërpriste, kushërira Ymygjyl më pyeste: “Kur do ta heqësh mjekrën?”.

“Kur të bëhet Kosova Republikë!” – i thosha.

“Po u bë”, ma kthente ajo, duke aluduar te Deklarata e 2 Korrikut.

“Jo, ende jo! Është shpallur, po nuk është bërë! Duhet edhe shumë punë për t’u bërë!”.

Atëherë Doruntina ishte në klasë të parë, shumë-shumë në të dytën, por si dreq që ishte, ishte në gjendje t’i dallonte shkronjat e alfabetit shqip prej atij latin, me të cilin unë i shtypja në makinë shkrimet kundër diskriminimit të shqiptarëve në Maqedoni, që botoja në të përjavshmen e famshme të Zagrebit “Danas” dhe më “denonconte” tek e ëma. Tetën nga Tirana e donte shumë dhe nuk i shqitej. E ndiqte pas ngado që shkonte. Por edhe ajo e donte shumë, pa masë, vajzën e gjallë me emrin Doruntinë, emër që ia kishte lënë babai i saj profesor, sipas baladës së lashtë të Konstantinit dhe Doruntinës, por edhe romanit Kush e solli Doruntinën të Ismail Kadaresë, lindur e rritur në Gjirokastër, në Sokakun e të Marrëve, jo larg nga shtëpia e Hoxhatëve.

Tani ime bijë, Doruntina, bijë Vincallarësh nga Prishtina, jeton në Tiranë, ku është martuar me një djalë me origjinë nga Gjirokastra le e rritur në Tiranë. Florian quhet dhëndri, shkurt Flori. Avokat me profesion, që ka mbrojtur Kadarenë në kontestin për dorëshkrimin origjinal të romanit Dimri i vetmisë së madhe, të cilin autori ia kishte falur Nexhmije Hoxhës në shenjë falënderimi, kurse tani kërkonte t’ia kthente.

Kur e bënë dasmën, buzë detit, te Currilat në Durrës, shokët dhe shoqet e tyre kishin shkruar në hyrje të kompleksit turistik “Charlie Max” të djaloshit çam Bledi Shuaipi me lule në formë harku: ”FLORUNTINA”, duke bërë bashkë dy emrat e tyre. Ideja ishte e “regjisores” së ceremonisë, mbesës së shokut tim të vjetër Pandeli Koçi, Erit.

Floriani dhe Doruntina, ose thjesht: Flori dhe Dori, vijnë gati për çdo javë nga Tirana në Prishtinë. Me makinë për tri orë nga “Myslym Shyri” në Ulpianë nëpër “Rrugën e Kombit”. Ndonjëherë, kur Flori është i zënë me punë, vjen vetëm Doruntina me autobus.

Kur e çel derën dhe hedh nga shpina torbën me plaçka, unë i them: ”Mis’erdhe, tota Mije!”.

(Nga libri më i ri i Prof. A. Vincës, “Dritë dhe mjegull”, që këto ditë pritet të dalë nga shtypi në botim të shtëpisë botuese “SYTH” në Tetovë)/KultPlus.com

Poeti


Poezi e shkruar nga Agim Vinca

Mjellmë e pikëlluar në ujërat kristalore të liqenit

A rosak i shëmtuar i Hans Kristian Andersenit?

Trumcak i gjorë shkurresh a shqiponjë majë mali

Zgalem mes stuhish a bretkosë moçali?

Brenda një çasti vjen e shkon e shkon e vjen sërish

Në ferr e parajsë; në Parnas e Paris;

Në Tomorr e Korab; në Drin e në Bunë

“Veshunë me diell, mbathunë me hënë”.

Sa çel e mëshel sytë hyn e del në burg e në bordel

Zbret në horizontin e nëntë a ngjitesh në Kullën Eifel!

Bilbil parëverak me këngë e vaj në buzë

Qiellin ke jatak e liqenin – muzë.

Përherë i dashuruar marrëzisht gjer në pleqëri

Ishnje a s’ishnje, vallë, grua a shajni?

Azilkërkues plak në kantonin e shpresëkotës

A Arlekin i përlotur në cirkun e fundbotës?

Është i marrë poeti e i urtë në marrëzinë e vet

Nuk i bën ballë lotit, pret me dorë rrufetë!

1998

Letërsia shqipe e Kosovës: Pavarësia dhe shtetndërtimi

Agim Vinca

Kohë më parë, një mikja ime nga Tirana, përkthyese, botuese, studiuese (përkthyesja e Emrit të trëndafilit në gjuhën shqipe), më shkroi një imejll, në të cilin, ndër të tjera, më thoshte: “Dua ta di, i dashur Agim, nëse është ende në Prishtinë ajo shtatorja aq e shëmtuar e Klintonit”.

Kosova ka shumë probleme: ekonomike, sociale, politike e të tjera, por ja që mikja nga Tirana, në letrën e saj, shpreh shqetësimin që ka të bëjë me një vepër artistike: shtatoren e ish-presidentit amerikan Bill Klinton, të vënë në sheshin me të njëjtin emër, në sheshin “Bill Klinton” në Prishtinë, në vitin 2009. (Të themi, a propos, se shtatorja në fjalë, e ngritur për nder të presidentit amerikan dhe ndihmën e dhënë popullit të Kosovës në luftën e tij për liri, gjendet në lagjen Dardania, që është emri antik i Kosovës, krahinë e Ilirisë në të cilën ka jetuar fisi i dardanëve, që përmenden dendur te Iliada e Homerit).

Për hir të së vërtetës duhet thënë se shqetësimi i zonjës nga Tirana, grua me kulturë e shije të kultivuar, është i drejtë: shtatorja për të cilën ajo m’u drejtua mua, mikut dhe kolegut të saj, është një vepër e dobët, e parealizuar artistikisht, me një fjalë e shëmtuar dhe si e tillë nuk i bën nder jo vetëm njeriut që i kushtohet, por as qytetit dhe vendit që e ka ngritur atë.

Përse e nisa fjalën time me këtë ndodhi dhe ç’dua të them me të?

Identiteti i një shteti, i një vendi, i një qyteti, sikurse edhe i një njeriu, më në fund, nuk përfaqësohet nga pamja që ka, as nga veshja që mban a ushqimi që ha, nga orenditë e shtëpisë dhe as nga makina që nget, sado që të gjitha këto janë pjesë e jetës, por nga kultura që posedon. Sepse, kultura, gjuha, tradita, historia, letërsia dhe artet e tjera, përbëjnë veçantinë e një populli, të një vendi, shteti a qyteti.

Kosova është shtet i ri, më i riu në Evropë, në mos edhe në botë. Sapo ka hyrë në vitin e vet të njëmbëdhjetë të ekzistencës. Dhjetë vjet nuk janë pak për një individ, por janë shumë pak për historinë. Dhe historia e Kosovës, kultura e saj, gjuha që flet populli i saj, gjuha shqipe, janë të lashta, ndër më të lashtat në Ballkan dhe në Evropë, çka do të thotë se ky popull nuk është pa rrënjë; se historia e tij nuk fillon as në vitin 1945, siç tentohej të paraqitej në sistemin komunist jugosllav, e as në vitin 1999, kur pas çlirimit të saj nga sundimi serb, në Kosovë erdhi administrata e Kombeve të Bashkuara e njohur me akronimin UNMIK. Kam qenë në strukturat drejtuese të arsimit të Kosovës në atë kohë (në vitet 1999-2000) dhe mund të them se kam një përvojë personale jo të mirë. Kuadro të UNMIK-ut, të niveleve të ndryshme, silleshin ndonjëherë sikur kishin ardhur në shkretëtirë, duke harruar se ne kishim një përvojë edhe në sistemin arsimor, nga shkolla fillore deri në universitet; edhe në organizimin e jetës kulturore dhe të manifestimeve të ndryshme; edhe në botimin e librit dhe përhapjen e tij, se kishim personalitetetë shquara në fushën e dijes, të artit dhe të shkencës, por na kishte munguar liria në periudhën që lamë pas (para dhe pas Luftës së Dytë Botërore), kurse në dekadën e fundit të shekullit XX, në kohën e regjimit të diktatorit serb Millosheviq, mbi ne shqiptarët e Kosovës qe ushtruar një apartheid i vërtetë, që ndryshe nga ai i Afrikës së Jugut, do të mund të quhej apartheid i bardhë.

Kjo periudhë në Kosovë u quajt kohë e mbijetesës. Edhe në kushtet e dhunës dhe të terrorit të përditshëm ne mbijetuam: ruajtëm shkollat dhe fakultetet, qoftë edhe nëpër shtëpi private, jetën kulturore, veprimtarinë botuese dhe format e tjera të jetës shpirtërore të një kombi.

Tani jemi vend i lirë, demokratik, me shumë probleme të natyrave të ndryshme, me një jetë krijuese relativisht të gjallë, në krye të së cilës mund të thuhet lirisht se qëndron fjala e shkruar, letërsia, fushë kjo në të cilën ne kemi edhe rezultatet më të mira. Në poezi, në prozë, në studimin e letërsisë, deri diku, edhe në fushën e dramaturgjisë dhe të teatrit.

Çka e karakterizon aktualisht letërsinë që krijohet në Kosovë?

Letërsia shqipe që krijohet në Kosovë nuk ka asnjë kufizim tematik në krahasim me pjesën tjetër të letërsisë shqipe, veçanërisht atë që krijohet në Shqipëri, por edhe me letërsitë e tjera ballkanike dhe, pse jo, edhe evropiane. Nuk ka kufizime as në planin e poetikës dhe të teknikës së shkrimit. Në Kosovë krijohet letërsi moderne, postmoderne, ekzistencialiste, surrealiste, neorealiste, me një fjalë një krijimtari e lirë, që përmban në vete secilin nga këto elemente. Botohet shumë, por lexohet pak. Tirazhet janë të vogla. Mjetet e sofistikuara teknike, që janë shumë të pranishme në jetën e njerëzve, sa e kanë lehtësuar komunikimin, po aq edhe e kanë larguar njeriun, të rinjtë sidomos, nga vlerat e përhershme shpirtërore, nga ato që mund të quhen vlera tejkohore.

Letërsia, Pavarësia, Shteti janë tri fjalët kyçe të kësaj tribune publike, që mbahet këtu në Paris, në këtë manifestim të madh me emrin “Salloni i Librit”. Më pëlqeu fjalia me të cilën hapet programi i Sallonit: ”Në Paris pranvera nuk vjen me dallëndyshet, por me librat”. Dallëndyshet dhe lejlekët, imazhe të gjalla të fëmijërisë së brezit tim, janë rralluar shumë, aq sa janë bërë pothuajse të padukshëm, kurse librat janë këtu, në ne dhe mes nesh, qoftë në formën klasike si libër fizik, i pazëvendësueshëm për mua, qoftë edhe në formë virtuale, elektronike, që është bërë natyrë e dytë e qenies sonë.

Letërsia nuk mund ta ndryshojë botën. Kjo dihet. Mund të jetohet edhe pa poezi, por nuk është mirë. Jeta jonë do të ishte tejet e varfër pa art, muzikë, poezi, pikturë, sepse, siç thoshte Gëtja i madh: “çdo ditë duhet të lexosh një poezi të mirë, të dëgjosh një këngë dhe të shikosh një pikturë të bukur”. Letërsia, pra nuk mund ta ndryshojë botën, as ta krijojë shtetin, por ata që janë të detyruar ta bëjnë këtë duhet t’i kenë parasysh vizionet e poetëve. Sepse poetët janë “ligjvënësit e papranuar të botës” (poets are the unacknoëledged legislators of the world), thoshte poeti i madh romantik anglez Persi Bish Sheli (Percy Bysshe Shelley, 1792-1822). Eseja e tij e famshme Mbrojtja e poezisë (Defence of Poetry) mbyllet pikërisht me këtë fjali.

Arti si çdo gjë tjetër evoluon, por thelbi i tij, që ka të bëjë me shpirtin njerëzor, me dhembjen, dashurinë, pikëllimin, vetminë, frikën nga vdekja, por edhe dashurinë për jetën, mbetet i njëjtë. Letërsia më e mirë që krijohet sot në Kosovë i artikulon shqetësimet e njeriut kosovar, shqiptar,por edhe të njeriut në përgjithësi, pavarësisht se ku jeton dhe nga vjen, pra ka një tharm universal. Sepse, siç thoshte i madhi Viktor Ygo (Victor Hugo), regjimet ndryshojnë, ideologjitë, shtetet, kufijtë, por zemra njerëzore mbetet po ajo: e pandryshuar.

Unë jam, zonja dhe zotërinj, edhe vetë poet e jo vetëm profesor dhe studiues i letërsisë. Prandaj preferoj ta mbylli këtë fjalë timen me një poezi të shkruar vite më parë, në të cilën artikuloj trazimet shpirtërore të njeriut në Kosovën e pasluftës, paradokset që e përshkojnë shpirtin e tij, zhgënjimin përballë lirisë, që në realitet nuk del aq e bukur sa në kohën kur e kemi ëndërruar dhe kemi luftuar për të.

Poezia titullohet Nostalgji për kohërat e rrezikshme dhe unë do ta lexoj në origjinal shqip, kurse moderatorja në përkthim frëngjisht të Aleksandër Zotos.

Fjalë e përgatitur për “Sallonin e Librit” në Paris (Salon du livre Paris, 2019), ku autori nuk mundi të shkonte për arsye objektive.

NOSTALGJI PËR KOHËRAT E RREZIKSHME

Çdo ditë në mëngjes posa hapi sytë
Te dera e shtëpisë sime në katin e dytë
dhe poshtë në parking te makina
Gjej reklama shumëngjyrëshe me siglën “Top oferta”.
Ne kujdesemi për ju! – thonë plot finesë firma turlifare.
Më ofrojnë artikuj ushqimorë: mish, supë, kos, banane
Veshmbathje për dimër e për verë, enë kuzhine mobilie
Atlete për burra, këmisha nate për gra,
bluza, dekolte dhe mbathje të holla fare
(tanga më duket se u thonë)
Çdo ditë në mëngjes te dera e shtëpisë
Pije alkoolike afrodiziakë kontraceptivë
Kompjuterë laptopë celularë
Lojëra shpërblyese…
Të gjitha me çmime speciale
Në Kosovën tonë të lirë
Ku jetojnë europianë të rinj të papunë,
Pleq pa pension
Amvisa pa shportë
Tregtarë, hajdutë, lypës, lavire…
Dhe njerëz misteriozë që enden me xhipa të zinj
Si të ardhur nga ndonjë planet tjetër…
Gjithçka 1 euro!
Të gjitha me zbritje.
Në Kosovën tonë të lirë e demokratike!
Eci rrugës fillikat
Mjekërbardhë si Babadimri
Dhe befas më merr malli për kohërat e rrezikshme
Kur në mëngjes te dera e shtëpisë
Gjeja fletushkën ilegale “Çlirimi”!

Prishtinë, 11. 6. 2011

LA NOSTALGIE DES TEMPS DANGEREUX

Chaque jour, au réveil,
je trouve sous ma porte,
au second étage de l’immeuble où j’habite,
puis tout en bas, sur le pare-brise de ma voiture,
des publicités multicolores portant le sigle « Top-Service »,
Des agences de toutes sortes et fort habiles s’y disent
dévouées pleinement à mon service, proposant de me fournir
de multiples denrées – viandes, soupes, yaourt, bananes –
des vêtements de saison, des ustensiles de cuisine, du petit mobilier,
des chaussures de sport pour hommes, des chemises de nuit,
des tabliers, des corsages, de menues culottes
(des « strings », comme on dit, je crois), pour les dames.
Chaque matin, je trouve devant ma porte,
des boissons alcolisées, des aphrodisiaques, des contraceptifs,
des ordinateurs et téléphones portatifs,
des jeux à loterie,
tout cela à des prix exceptionnels.
En notre Kosova indépendante
que peuplent de jeunes chômeurs,
des retraités sans retraite,
des ménagères sans panier à provision,
des trafiquants, des voleurs, des mendiants, des putains…
Et aussi de mystérieux personnages qui circulent en 4×4 noirs,
comme débarqués d’une autre planète…
Tout à un euro !
Tous les produits à prix cassé !
Et cela en notre Kosova libre et démocratique !
Flanant seul, de par les rues,
sous ma barbe de père Janvier, je me sens pris,
soudain, d’un accès de nostalgie pour les temps dangereux,
quand je trouvais sous ma porte, au petit matin,
la feuille clandestine, Çlirimi

Prishtina, le 11 – 06 – 2011

Agim Vinca: Poezia “Kosova” nuk është e Ali Podrimjes, por e imja

Poezia “Kosovë ti je djep i shqiptarisë, ata thonë, se ti je djep i serbisë”, është publikuar shpesh nëpër media, por gjithmonë me gabimin e njëjtë. Kjo poezi, titulli i së cilës është “Kosova” është shkruar nga autori Agim Vinca dhe jo nga Ali Podrimja siç është raportuar në media.

Gabimi ka ndodhur fillimisht në një prej mediave në Shqipëri, për tu shpërndarë kështu edhe në mediat tjera.

Por, vetë autori Vinca ka treguar për KultPlus se kjo poezi është e tij dhe jo e autorit Ali Podrimja.

Vjersha me titull: “Kosovë ti je djep i shqiptarisë, ata thonë, se ti je djep i serbisë”, e botuar në media me emrin e Ali Podrimjes, është një shtrembërim i poezisë sime “Kosova” , i bërë nga dikush tjetër e jo nga vetë Aliu. Unë kam një letër të shkruar me dorë nga Ali Podrimja drejtuar vite më parë revistës “Ars” të Tiranës, e cila e pat bërë të njëjtin gabim, ku ai pohon me gojën e tij se kjo është poezi e mikut tim, Agim Vinca dhe se atij “duhet t’ia dërgoni honorarin”.”, ka sqaruar Vinca për KultPlus.

Poezia “Kosova” nga Agim Vinca është shkruar në vitin 1997 ashtu siç ka dalë te libri “Kohë e keqe për lirikën” (“Rilindja”, Prishtinë 1997, f.120), redaktor i të cilit është pikërisht Ali Podrimja.

KOSOVA

Poezi nga Agim Vinca.

Kosova: djep i Shqipërisë!
Kosova: djep i Serbisë!
Kosova: djep që rrit binjakë!

Njëri kërkon të thithë qumësht në gji;
Tjetri të pijë gjak!

Janar 1997