Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për dhënien në shfrytëzim të përkohshëm të hapësirës së ndërmarrjeve në likuidim për nevojat e projektit Manifesta.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se në mbledhjen e radhës, e cila u mbajt sot Bordi i AKP-së diskutoi lidhur me raportin e Komitetit të Auditimit dhe u informua mbi zhvillimet e fundit lidhur me aktivitetet e AKP-së për periudhën e muajit nëntor.
Bordi diskutoi lidhur me zbatimin e rekomandimeve të NJAB dhe komunikoi prioritetin për zbatimin e tyre, po ashtu shqyrtoi Raportin për mënyrat e shpalljeve publike dhe marketingut për nevojat e Agjencisë dhe kërkoi që të avancohen dhe zbatohen modelet e reja të marketingut dhe shpalljeve publike për tenderë dhe qiratë.
Më tutje Bordi u informua lidhur me draft-rregulloren për Rregullat e Përgjithshme të Tenderit dhe Procedurave të Shitjes dhe formoi komisionin, i cili do të analizojë dhe propozojë Rregulloren e plotësuar për mbledhjen e ardhshme të Bordit.
Bordi gjithashtu shqyrtoi dhe miratoi pagesën nga fondet e llogarisë në likuidim të NSH “YUMKO” me qëllim të zbatimit të Urdhrit të Dhomës së Posaçme për përfshirje në listë të një punëtori të NSH-së.
Bordi shqyrtoi dhe miratoi me disa propozime kërkesën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për dhënien në shfrytëzim të përkohshëm të hapësirës së Ndërmarrjes së Re “Grand Hotel” (në likuidim) dhe N.Sh. “Kinema ABC” (në likuidim) për nevojat e projektit “Manifesta”.
Në këtë takim Bordi i Drejtorëve aprovoi Raportet e shpërndarjes për kreditorët e NSh-ve:
1.GJI033 Zadruga Shterpcë, Shtërpcë; 2 PRN026 PLASTIKA, Prishtinë; 3 PRZ036 Printeks, Prizren;
4 PEJ040 Ag Coop “Ujmir”, Klinë; 5 PEJ154 Kombinati i Drurit, Pejë;6 PEJ139 17 Nëntori, Pejë;
7 GJI103 D.T.P. Mladost, Shtërpcë;8 PRN092 EXIMKOS, Prishtinë.
Bordi shqyrtoi propozimin e Autoritetit të Likuidimit për rritje të buxhetit të NSh Ballkan, gjithashtu shqyrtoi propozimin e Autoritetit të Likuidimit për heqje dorë të aseteve në procesin e likuidimit për këto NSH në likuidim: 1 NSH Urata, Prishtinë për parcelën që përdoret si rrugë dhe trotuar dhe 2. NSH Urata, Prishtinë për objekt të shkatërruar dhe pa vlerë monetare në tokën e një ndërmarrje tjetër. /KultPlus.com