33-vjetori i Pavarësisë së Ukrainës, AGK-ja pret gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, sot me rastin e 33 vjetorit të Pavarësisë së Ukrainës ka organizuar një pritje për gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë, në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë”.

Në njoftimin e AGK-së, është bërë e ditur se në këtë ngjarje të pranishëm ishin ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rhode, zëdhënësja e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Lindsay Jagla, si dhe bashkëpunëtorët e AGK-së, që ndihmojnë në zbatimin e këtij programi.

AGK-ja nga prilli i vitit 2022, ka zbatuar programin që u mundëson gazetarëve ukrainas që kanë ikur nga lufta, të vazhdojnë punën e tyre si gazetarë në Kosovë.

“Ata bëjnë një punë të jashtëzakonshme duke raportuar në baza ditore nga Kosova, për Kosovën e Ukrainën, atdheun e tyre”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

” Gazetarët në Rezidencë – Kosovë, është program i iniciuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, në kuadër të programit mbështetës, Voices of Ukraine, zbatohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, dhe mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe iniciativa Hannah Arendt e Qeverisë së Gjermanisë”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

AGK-ja dhe UNKT ndajnë çmimet për raportimin më të mirë kundër varfërisë 2022

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, në bashkëpunim me Agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNKT, nën koordinimin e Zyrës së Koordinatores për Zhvillim – Arnhild Spence, ka mbajtur dje edicionin e 17-të, të çmimeve vjetore të gazetarisë për raportimin më të mirë kundër varfërisë, përcjell KultPlus.

Këtë vit, në kategorinë “Video-storja e shkurtër më e mirë”, u shpërblye storja e gazetares Doruntina Bylykbashi nga RTV Dukagjini.

Çmimi për audio-storjen më të mirë iu nda gazetares nga Radio Kosova 2, Milena Todorovic.

Çmimi për storjen e shkruar më të mirë iu nda gazetares së Kosovo2.0, Dafina Halili për “Shkolla fantazmë, shkolla geto e ndërrime të segreguara”.

Teksa, në kategorinë “Dokumentari më i mirë televiziv”, çmimin e fitoi dokumentari “Asgjë për Pakicën”, i gazetarit Diamant Bajra.

Për fotografinë më të mirë u shpërblyen fotografi i pavarur, Valdrin Fetahu dhe Adnan Beqiri.

Përveç këtyre çmimeve, me çmim special u shpërblye edhe gazetarja e RTK-së, Majlinda Doda në kategorinë audio storja më e mirë.

Çmimet janë ndarë nga UNDP, UN Volunteers, UNICEF, UNOPS, OBSH dhe UNFPA. / KultPlus.com

AGK hap thirrjen për “Çmimi për raportimin më të mirë Kundër Varfërisë – 2022″

Përmes rezolutës së Kombeve të Bashkuara të miratuar më 22 dhjetor 1992, Asambleja e Përgjithshme ka shpallur datën 17 tetor si Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë.

Kjo ditë domethënëse e avokimit paraqet një mundësi që të njihet përpjekja dhe lufta e njerëzve që jetojnë në varfëri dhe është një mundësi që të dëgjohen shqetësimet e tyre.

Për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e përpjekjeve për zhdukjen e varfërisë në kontekstin e Kosovës, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në partneritet të ngushtë me UN Kosovo Team (UNKT), përmes Zyrës së Koordinatorit të Zhvillimit, organizon edicionin e 17-të të çmimit vjetor “Çmimi për raportimin më të mirë Kundër Varfërisë – 2022″. Kjo ngjarje gjithashtu përkrahet nga korniza e projektit “Promovimi i punës së denjë përmes forcimit të menaxhimit të sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe dialogut social në Kosovë”, i cili implementohet nga UNOPS dhe financohet nga Agjencia Suedeze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida) përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë”.

Qëllimi i Çmimit të Gazetarisë për Varfërinë është të promovojë dhe të rrisë debatin për çështjet dhe shkaqet e varfërisë, dhe të ndikojë në mënyrë indirekte në zvogëlimin e varfërisë duke bërë presion te vendimmarrësit për ndryshimin e politikave. Njëkohësisht, iniciativa ka për qëllim të inkurajoj zgjidhje kreative për zvogëlimin e varfërisë duke caktuara prioritete konstruktive dhe duke iu drejtuar audiencës në mënyrë efikase.

Konkursi është i hapur për të gjithë gazetarët që janë banorë të Kosovës. Fituesit, autorë të storjeve më të mira do të shpërblehen me nga një çmim prej 1.000,00 € (një mijë euro) për pesë kategoritë si në vijim:

  • Video-storja e shkurtër më e mirë
  • Dokumentari më i mirë televiziv
  • Audio-storja më e mirë
  • Storja e shkruar më e mirë
  • Fotografia më e mirë

Afati i fundit për aplikim është: 3 tetor, 2022, ora 16:00. / KultPlus.com

Kosova mirëpret gazetaret e radhës ukrainase

Kosova ka shprehur gatishmëri që të strehojë gazetarë ukrainas pas luftës që po zhvillohet në Ukrainë.

Mesditën e sotme në Kosovë, kanë mbërritur gazetaret e radhës ukrainase, Maryna Zhyvotkova dhe Viktoriia Kaidash – si pjesë e programit “Journalists in Residence – Kosovo”.

Gazetaret janë mirëpritur në aeroport nga zyrtarja ligjore e ECPMF, Flutura Kusari, Drejtorja Ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi Boja, përfaqësues të MPB-së dhe Policisë së Kosovës.

Deri më tani si pjesë e programit “Journalists in Residence – Kosovo” që financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, janë strehuar katër gazetarë ukrainas.

Në kuadër të këtij programi, gazetarët që janë detyruar të ikin nga Ukraina përfitojnë pagë mujore, pagesën e qerasë dhe sigurim shëndetësor.

European Centre for Press and Media Freedom ECPMF dhe AGK janë duke bërë përgatitje që në ditët në vijim të presë gazetarë të tjerë nga Ukraina. / KultPlus.com

Reportazh: Vlorë e Durrës, mrekullitë e qyteteve të vjetra shqiptare që të marrin me vete

Era Berisha

Vlora dhe Durrësi, dy qytetet e vjetra shqiptare të cilat me mrekullitë e tyre hyjnë thellësisht në rrënjën e qenies së njeriut, ngërthejnë në vete artin e rilindjes së antikitetit klasik dhe një histori që jo lehtë harrohet. Të ndryshme në pamje por të ngjashme në thelb, këto dy qytete shqiptare të cilat i vizituam këto ditë, të rrëmbejnë vëmendjen për të mos e lëshuar atë nga bukuritë e rralla natyrore, vlerat kulturore dhe vijat bregdetare nga më hijshmet ndonjëherë, shkruan KultPlus.

Rruga Tërthore (Kukës) dhe Kolsh (Kukës), në rrugën e gjatë që ishte planifikuar për në Vlorë, ishin vendet e para të cilat kapën vëmendjen e gjithsecilit qysh në sekondën e parë kur pamjet unike të  gjelbërimit në intensitete të ndryshme të ngjyrës së gjelbër, kapluan gjithë spektrin e syrit tonë. Malet gjigande të shtrira në dimensione të ndryshme ku disa nga to ishin të mbuluara ende me dëborë e njëkohësisht të pasura në pamje, shtriheshin në një horizont i cili nën qiellin e kaltër dukej se po hynim në një vend përrallor që zbukuronte dhe vetë qenien e njeriut.

Në një mot të nxehtë por të përballueshëm, dielli i pranishëm rrezatonte mbi tokat e punuara si dhe mbi fusha të cilat dukshëm dëshmonin për një bujqësi të rrallë e tejet të veçantë. Së bashku me natyrën e cila posedonte një pamje të pakrahasueshme më vete, shtigjet e vogla, lulet e ndryshme në dukje e ngjyrë, fshatarët në zonat malore të cilët qysh herët shiheshin të punonin në arrat apo dhe oborret e shtëpive të tyre, ishin disa nga detajet e mrekullueshme të kulturës bujqësore. Ndërkaq, shkëmbinjtë e mprehtë, liqenet dhe lumenjtë që rrjedhin përgjatë drejtimit të tyre të shumanshëm, po rrumbullakonin një peizazh që nuk do të mund të shkrihej më së miri as edhe në ngjyrat e pikturave më autentike impresioniste.

Ndalesa jonë e parë në qytetin e Vlorës na bëri që vrojtimi ynë të merr kahje në drejtime të ndryshme. Për aq sa mund të shihnim, qyteti i cili përballë bregut të detit kishte të vendosur një numër të madh të kafeneve dhe restoranteve të populluara me tarrace, pallate kryesisht të bardha e të ndritshme, shtëpi me fasada tërheqëse, hotele nga më të ndryshmet si dhe natyrisht deti i cili është shoqëruesi i përjetshëm i qytetarëve vlonjat të cilët mes palmave gjigande dhe një trotuari jashtëzakonisht të gjerë, kanë mundësinë të shijojnë një pamje, qoftë ulur apo në këmbë në një ecje që po të duash, dukej se asnjëherë nuk do të kishte një fund.

Një udhëtim në këmbë përgjatë bregut të detit, në zallin e ngrohtë dhe të butë është si një rrugëtim nëpër një qetësi hyjnore. Zhurma e valëve të lehta, era e ëmbël që futet këndshëm në shoqërinë tënde dhe mungesa e popullaritetit, të bënë që të ndjehesh sikur je i vetmi person që ka mundësinë e të shijuarit këtë perspektivë që rrallëherë ndodh. Një atmosferë e cila shijon ndryshe kur prezenca jote nuk ndërlidhet me asgjë tjetër përpos karakteristikave që elementet e lartpërmendura ofrojnë, do të ishte ajo e cila qetëson shpirtin dhe trazon kreativitetin e secilit njeri në cilëndo fushë të mundshme.

Bashkë me diellin i cili ngadalë po fillonte të zbriste dhe cicërimin e zogjve që krijonin një harmoni melodish, për të hapur sezonin veror për këtë vit, të pranishëm në konferencën e parë për mediat nga Kosova ishin: administratori i ‘Marina Bay’ Besmir Lula, menaxheri i ‘Barileva Turist’ Petrit Riza, kryetari i shoqatës së turizmit ‘Arta’ Ervin Sota, themeluesi i platformës “TripToAlbania” Azem Bujupi, konsulle e përgjithshme e Italisë në Vlorë, Ilva Palmieri dhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.

Ishin çështjet rreth vlerave turistike, përgatitjes më profesionale, risive e ofertave turistike, eksplorimit të botës nënujore të Vlorës, planit strategjik që diaspora të vijë në Shqipëri, rëndësisë ndaj profesionalizmit të shërbimit së porteve detare e malore, relievit fushor e malor, detit Adriatik e Jon, Karaburunit, Ishullit të Sazanit, brigjeve të pafundme të Vlorës, kulinarisë, promovimit të turizmit në nivel nacional, potencialit shumë të madh të zhvillimit të turizmit, problematikat e pandemisë dhe të turizmit në trevat jugore, lumit të Vlorës, Kalasë së Kaninës, Majës së Llogorasë si dhe Manastirit në Lagunë, ato që u shqyrtuan në mesin e tyre në mënyrë që Vlora të shndërrohet në shtëpinë e dytë të atyre që vizitojnë atë në këtë sezon.

Pas një ore, tashmë perëndimi i diellit kishte kapluar gjithë hapësirën e qiellit dhe detit për t’i bashkuar ata në një ndërlidhje të jashtëzakonshme në ngjyrë portokalli. Si një copëz magjie, dielli ngadalë u zhduk në përjetësinë e tij për të lënë gjurmë në kujtimet e secilit njeri të pranishëm, teksa meloditë e muzikës italiane vazhduan në sfond duke sjell kështu një ëmbëlsi shtesë të atyre çasteve.

Tani, nisja për në qytetin e Durrësit na zuri në një kontrast krejt ndryshe. Nën tingujt e muzikës tradicionale shqiptare, vëzhguam qytetin e vendosur në brigjet e detit Adriatik i cili përpos historisë të veçantë që posedon, imazhet e shfaqura të jo vetëm banesave që shtriheshin njëra pas tjetrës por edhe të detit i cili në kaltërsinë e tij përqafonte bregdetin në tërë portin e pasur të tij, që janë dy nga karakteristikat e këtij qyteti.

Stile të ndryshme arkitekturore që portretizojnë periudha të ndryshme të ndikimit si ato ilire, greke, romake dhe italiane janë dukshëm të dallueshme në secilin cep. Tani, qyteti ngërthen në vete një stil modernist i cili me blloqet e mëdha, ndërtesat moderne, qendrat tregtare dhe hapësirat e gjelbra të japin përshtypjen se jeta historike e Durrësit ndryshon vazhdimisht. Por veçantia e këtij qyteti është padyshim Muzeu Arkeologjik i cili është i vendosur pranë plazhit. Mure bizantine të shekullit të gjashtë, artefakte nga zona antike e Dyrrachium, koleksioni i gjerë nga periudha ilire, greke e lashtë, helenistike dhe romake, stela romake funerale, sarkofagët prej guri, mozaik eliptik shumëngjyrësh, koleksion bustesh e shumë të tjera, përshkojnë muret e pjesës më të madhe të Muzeut.

Po ashtu, shijimi i ushqimit tradicional, atij detar dhe italian në restorantet me pamje brilante, ecjet nëpër bregun detar mbi rërë, dashamirësia e durrsakëve, plazhet e shumta dhe imazhet piktoreske të cilat të shfaqen papritmas që nga mëngjesi e deri në mesnatë, përthekojnë disa nga veçoritë e përsosura dhe tiparet dalluese të këtij destinacioni bregdetar dhe kulturor.

Për shkak të historisë së tij të gjatë, Durrësi konsiderohet të jetë natyrshëm i mbushur me vende dhe gjetje arkeologjike të lashta, duke përfshirë amfiteatrin e famshëm të perandorit romak Hadrian, kapaciteti prej 15,000 vendesh e bënë atë amfiteatrin e dytë më të madh në Ballkan. Po ashtu, është një vend fantastik për adhuruesit e historisë dhe artit ku përtej Muzeut Arkeologjik, vizitorët mund të eksplorojnë Muzeun Etnografik, i cili ishte shtëpia e aktorit të famshëm Aleksandër Moisiu si dhe Galerinë e Arteve në qendër.

Kudo që sheh përreth është thjeshtë mahnitëse. Ky vend gjithandej është një mrekulli më vete.    

Ishte spektakli i shiut ai i cili vulosi fundin e këtij udhëtimi teksa prekëm kufirin në Shqipëri. Nën piklat e shpeshta që binin në xhama, reflektuam mbi gjithsej dy netët e kaluara në dy vendet më të bukura shqiptare dhe jo vetëm.

Ky udhëtim që i bashkoi gazetarët e Kosovës për një eksplorim të mirë, na dërgoi për qëndrim dhe vizitë në hotelet si: Kraal Hotel (Vlorë) dhe Adriatik Hotel (Durrës). Ndërsa, i pranishëm me ne gjatë gjithë udhëtimit ishte edhe drejtori Azem Bujupi nga platforma ”Trip to Albania”.

Aktivitetet e ndërmarra nga ky udhëtim janë mundësuar nga “Trip to Albania” dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. / KultPlus.com

AGK: Qëndrojmë për respektim të Kodit Etik të Mediave

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një komunikate për media ka deklaruar se qëndrojnë për respektim të Kodit Etik të Mediave, duke bërë thirrje që gazetarët ta respektojnë Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Kodin Etik për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Kosovë.

Ky reagim i AGK-së,vjen pasi një media online ka publikuar sot një audio-incizim, ku pretendohet se gazetari i portalit ‘Insajderi’ Visar Duriqi bisedon me një person të quajtur Halit Sahitaj i cili pyet gazetarin lidhur me shumën që duhet paguar në këmbim të publikimit të artikujve për persona të caktuar në këtë portal.

“Në dritë të zhvillimeve të fundit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dëshiron të ritheksojë se qëndron prapa thirrjes që gazetarët të respektojnë Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Kodin Etik për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës, gjatë zhvillimit të punës së tyre.AGK-ja e ka parasysh se kredibiliteti i mediave është ngushtë i lidhur me zbatimin e standardeve etike dhe ligjore nga ana e gazetarëve.  AGK-ja inkurajon zhvillimin e gazetarisë profesioniste, e cila është shtyllë e rëndësishme në funksionimin e demokracisë të një vendi”, thuhet në reagimin e AGK-së. / KultPlus.com

AGK-ja reagon për rënien e Kosovës për 8 vende më poshtë në raportin e “Reporterëve pa Kufij”

Kosova ka rënë sivjet për tetë pozita më poshtë sesa vitin e kaluar, sipas raportit të “Reporterëve pa Kufij”, sa i takon lirisë së mediave në botë. Kosova hyn në grupin e vendeve me situatë problematike të lirisë së shtypit.

E për këtë ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve i Kosovës.

AGK-ja thotë se renditja e Kosovës në vendin e 78-të në botë sa i përket lirisë së shtypit qëndron më mirë, duke e krahasuar me disa vende të rajonit.

“Megjithatë, rënia që ka pësuar Kosova për 8 vende në Indeks dëshmon gjendjen reale, jo të kënaqshme, të lirisë së medieve në Kosovë. Njëjtë si vitin e kaluar, raporti evidenton paqëndrueshmërinë e vazhdueshme të mediave, ku pothuajse si gjithçka tjetër në vend, mbetet e ndarë në vija etnike. Aty theksohet se qasja në informacion shpesh është e kufizuar në një grup etnik ose politik, me shumicën e mediave që raportojnë kryesisht për çështje që kanë të bëjnë me kombësinë e tyre. Disa nga shqetësimet e përbashkëta, sipas raportit, janë sulmet fizike dhe verbale ndaj gazetarëve, sulmet kibernetike ndaj mediave online, si dhe mungesa e transparencës sa i përket pronësisë së mediave”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK-ja thekson se “Sipas indeksit të ‘Reporterëve pa Kufij’, shumë media në Kosovë nuk kanë qëndrueshmëri financiare, gjë që i bën ato të ndjeshme ndaj ndikimeve politike. Shumë gazeta u ndaluan së botuari si pasojë e pandemisë COVID-19. Fati i shumë gazetarëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë konfliktit të fundit të vitit 1999 mbetet ende i panjohur, gjithashtu përmendet në raport”

Nga vendet e rajonit, sipas Indeksit, Kroacia e ka renditjen më të ulët, në vendin e 56-të. Vendet e tjera e kanë këtë renditje: Mali i Zi 104, Serbia 93, Shqipëria 83, Bosnjë dhe Hercegovina 58.

“AGK-ja vlerëson se gjetjet e këtij raporti duhet të jenë alarm për institucionet e vendit në funksion të krijimit të një ambienti më të mirë dhe të sigurt të të bërit gazetari”. / KultPlus.com

AGK: Intervistimi i Ollurit nga Policia, shkelje e skajshme e ligjeve që mbrojnë gazetarët dhe mediet

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, që mbrëmë është duke i përcjellë me shqetësim ngjarjet e zhvilluara pas publikimeve të Gazetës Insajderi.

Për AGK-në është tërësisht i papranueshëm intervistimi i Parim Ollurit, Drejtor i Gazetës Insajderi me qëllim të zbulimit të burimit të tyre, pasi që kjo në thelb është shkelje flagrante e Ligjit për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarëve dhe të drejtës së lirisë së medieve.

AGK-ja u bën thirrje organeve kompetente që të fillojnë procedura disiplinore ndaj policëve dhe prokurorëve, të cilët kanë keqpërdorur autorizimet e tyre, si dhe u bën thirrje të gjithë akterëve relevantë që të ndalin presionin dhe pengimin e ushtrimit të profesionit ndaj gazetarëve.

Njëherësh, AGK-ja inkurajon të gjithë gazetarët që të mos dorëzohen përballë pengimeve të tilla dhe të punojnë me përkushtim që ta informojnë publikun. / KultPlus.com

AGK bën thirrje për zbardhjen e rasteve të gazetarëve të vdekur dhe të pagjetur

Në Ditën Ndërkombëtare për Përfundimin e Mosndëshkimit të Krimeve ndaj Gazetarëve, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës bënë thirrje për zbardhjen e rasteve që gazetarëve ia kanë marrë jetën, duke i lënë ata të vdekur ose të pagjetur, shkruan KultPlus.

Përderisa Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka shpallur 2 nëntorin si Ditën Ndërkombëtare për Përfundimin e Mosndëshkimit të Krimeve ndaj Gazetarëve, AGK ka kërkuar drejtësi nëpërmjet një reagimi për 12 gazetarë të vrarë gjatë dhe pas luftës në Kosovë dhe 4 të tjerë që mbeten të pagjetur.

“Mosndëshkimi i krimeve të kryera ndaj gazetarëve është sinjal i keq për sundimin e rendit dhe të ligjit në Kosovë dhe barrë që rëndon në vazhdimësi mbi familjet e viktimave dhe komunitetin e gazetarëve që prej vitesh kërkojnë drejtësi”, thuhet në postimin e AGK-së.

Tutje theksohet se mos sjellja e drejtësisë ndikon në lirinë e raportimit dhe inkurajon që në të ardhmen të ndodhin sulme e kërcënime të tjera.

Në anën tjetër, ky Asociacion i cili punon për interesa të gazetarëve ka bërë thirrje ndaj organizatave ndërkombëtare në krijimin e një fondi të veçantë, në të cilën do të angazhohen gazetarët me hulumtimet e tyre në përpjekje të ndriçimit të rasteve të kolegëve të tyre.

Kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli Pustina është shprehur se për të është tejet e rëndësishme përballja e të përfshirëve në këto raste me drejtësinë.

“Edhe më herët e kam thënë se mua si përfaqësuese e gazetarëve nuk më intereson as edhe një moment se çfarë etnie ka vrasësi, çfarë religjioni mund të ketë, çfarë funksioni mund të kenë urdhërdhënësit e vrasjeve, për mua e rëndësishme është t’i shoh aty ku e kanë vendin, bashkë me kriminelët e tjerë. Këtë e presim të gjithë, sikurse familjarët ashtu edhe ne gazetarët dhe të gjithë ata që po punojnë çdo ditë, për një shtet të së drejtës ku mbizotëron rendi dhe ligji”, ka thënë Begolli Pustina.

Kujtojmë që hetimi i rasteve të drejtësive në Kosovë ka qenë përgjegjësi e UNMIK-ut, pastaj EULEX-it dhe që nga marsi i vitit 2017 kjo i takon institucioneve vendore, gjegjësisht Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumnezi, ka caktuar një prokuror-koordinator për rastet e kanosjeve apo veprave të tjera penale në drejtim të gazetarëve. /KultPlus.com

AGK publikon hulumtimin “Ndikimi i Pandemisë COVID 19 në gjendjen ekonomike të gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) me mbështetje të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), sot publikoi hulumtimin “Ndikimi i Pandemisë Covid-19 në gjendjen ekonomike të gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve”.

Hulumtimi është realizuar nga hulumtuesja Lirika Demiri dhe fokusohet në largimet nga puna dhe zvogëlimi i pagave të gazetarëve, ndikimin e Pakos Emergjente në sektorin e medieve, si dhe mirëqenien fizike e mendore të punëtorëve medialë gjatë periudhës së pandemisë COVID 19.

Drejtoresha Ekzekutive e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Getoarbë Mulliqi Bojaj, shprehu falënderimin në emër të AGK-së për pjesëmarrjen e panelistëve, medieve, si dhe për përkrahjen e dhënë nga KFOS-i gjatë kohës së pandemisë, gjë që ka qenë shumë e rëndësishme për komunitetin e gazetarëve, fillimisht në sigurimin e mjeteve mbrojtëse e më pastaj edhe me përkrahjen e këtij hulumtimi, i cili vë në pah gjendjen e gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve në kohë të pandemisë.

“Ky raport ka për qëllim të shpalosë gjendjen ekonomike apo ndikimin të cilin e ka pasur pandemia Covid 19 në gjendjen ekonomike të gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve. Me KFOS-in ka qenë bashkëpunimi i parë fare në fillim të pandemisë kur kemi kërkuar ndihmë nga ta që të sigurojnë mjete mbrojtëse për anëtarët tanë, gjegjësisht gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët, të cilët kanë qenë në vijën e parë të frontit duke u përballur me një të panjohur”, tha Mulliqi Bojaj.

Ndërsa, hulumtuesja e raportit, Lirika Demiri, shpalosi para të pranishmëve të gjeturat e raportit.

“Raporti është rezultat i një hulumtimi që është zhvilluar prej muajit qershor të këtij viti deri në fund të muajit shtator. Kemi realizuar një anketë online me rreth 120 punonjës medialë – gazetarë, kameramanë dhe fotoreporterë, dhe kemi marrë përgjigjet e tyre që kanë të bëjnë kryesisht me ndikimin e pandemisë në gjendjen ekonomike të punonjësve medialë, si dhe me ndryshimin e dinamikës dhe vështirësitë e hasura gjatë raportimit në pandemi. Përveç anketës, ne kemi zhvilluar edhe intervista me gazetarë të ndryshëm dhe me profesionistë të fushës së medias”, ka thënë Demiri.

Pjesë e panelit të diskutimit ishin edhe gazetarët Jehona Zhitia dhe Bujar Vitija.

Gazetarja Zhitia tregoi disa nga sfidat me të cilat janë përballur gazetarët gjatë raportimit për pandeminë Covid 19.

“E kemi nisur këtë sfidë pa ditur se çfarë na pret gjatë rrugës. Pavarësisht përvojës së gjatë që mund të kesh në medie, ne jemi më të rinj në moshë dhe nuk na ka rastisur që të raportojmë në ndonjë situatë të ngjashme shëndetësore. Ndonëse edhe vetë mjekët e kishin shumë të panjohur atë se çfarë do të ndodhë në ditët në vazhdim, kjo bëhej edhe më e vështirë ndoshta për neve si gazetarë, për formën tonë të raportimit se çfarë do të themi në fillim…Konsideroj që ishte sfidë edhe për gazetarët, megjithatë ne ia dolëm që ta bënim punën më së miri”, ka thënë ndër të tjera ajo.

Teksa, Vitija foli për rolin e medieve dhe gazetarëve në menaxhimin e pandemisë.

“Roli i medieve ka qenë mjaft i rëndësishëm. Gazetarët asnjëherë nuk kanë hezituar që ta kryejnë punën e tyre më përgjegjësi në luftimin e lajmeve të rrejshme. Rreth 30% e kosovarëve nuk kanë besuar në eksiztencën e Covid 19 dhe kjo e ka vështirësuar në masë të madhe menaxhimin e pandemisë nga institucionet. Rol të rëndësishëm për ta përmbysur këtë sondazh, kanë luajtur mediet dhe gazetarët”, ka thënë ndër të tjera Vitija.

Raportin e plotë në Gjuhën Shqipe dhe Gjuhën Angleze e gjeni në këtë link: https://rb.gy/efzdso / KultPlus.com

Reagon AGK: Mungesa e zëdhënësit të qeverisë po e vështirëson punën e gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar nëpërmjet një postimi për shfaqjen e vështirësive në punën e gazetarëve si shkak i mungesës së zëdhënësit të qeverisë Hoti, duke bërë thirrje që të emërohet një person në këtë post, shkruan KultPlus.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës njoftuan se kanë pranuar shqetësime të shumta nga kolegët gazetarë dhe se mos emërimi i një zëdhënësi pas pesë muaj të formimit të Qeverisë është një praktikë e gabuar që duhet të ndërpritet.

“Sipas tyre po mungon komunikimi i duhur në mes të qeverisë dhe mediave për shkak se nuk po e kanë një adresë zyrtare politike se ku t’i drejtojnë pyetjet e tyre”, thuhet në postimin e AGK-së, që shpreh ankesat e gazetarëve.

Tutje Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka kërkuar Qeverisë Hoti që sa më parë ta emërojë një zëdhënës për hir të transparencës ndaj gazetarëve dhe qytetarëve të Kosovës./KultPlus.com

AGK: Sulmi ndaj veturës së gazetarit është sulm ndaj interesit publik dhe demokracisë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka dënuar ashpër sulmin me armë zjarri ndaj veturës së gazetarit të gazetës Reporteri, Shkumbin Kajtazit.

AGK vlerëson se ky sulm rëndon jo vetëm klimën e të bërit gazetari, por edhe jetën e gazetarëve, ndërsa fton organet kompetente që ta hetojnë sa më shpejt këtë rast.

“Për AGK-në, sulmi me armë zjarri në veturën e gazetarit Kajtazi është tejet shqetësues dhe rëndon jo vetëm klimën e të bërit gazetari, por rrezikon edhe jetën e kolegëve tanë. AGK fton organet kompetente që ta hetojnë sa më shpejtë këtë rast, në mënyrë që personat që kanë kryer këtë akt të dalin para drejtësisë.  Është shqetësues fakti se si brenda një periudhe prej katër muajsh kanë ndodhur dy sulme në drejtim të gazetarit, Shkumbin Kajtazi.   Secili sulm në drejtim të gazetarëve është sulm ndaj interesit publik dhe demokracisë në vend”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Asociacioni i Gazetarëve thotë se e ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës që ka konfirmuar se janë duke e hetuar ngjarjen.

Mbrëmjen e së shtunës, vetura e gazetarit Shkumbin Kajtazi është bërë cak i një sulmi me armë zjarri.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti ka thënë për Express se në vendngjarje janë gjetur gëzhoja plumbash.

Zahiti tha se prokurori ka iniciuar rastin si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe se po punohet për zbardhjen e rastit./ KultPlus.com

AGK shpreh ngushëllime për vdekjen e gazetarit Llukman Halili

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka ngushëlluar për ndarjen nga jeta të gazetarit Llukman Halili.

“Halili pati një karrierë shumëvjeçare në gazetarinë politike, si dhe ka qenë korrespodenti i parë i Radio Televizionit të Prishtinës nga Palestina. Ai ka dhënë kontribut në fushën e gazetarisë dhe informimit për ngjarjet që kanë ndodhur në vend. I ndjeri para luftës ka punuar si gazetar në Radio Zagreb, në gazetën “Bota Sot”, ndërsa së fundi ishte profesor në Universitetin e Varshavës”, shkruan AGK.

“AGK, u shpreh ngushëllime familjarëve, miqve dhe kolegëve të gazetarit Llukman Halili”.

Halili me prejardhje ishte nga Tërnoci i Bujanocit. / KultPlus.com

AGK: Punojësit e mediave gjithsesi të përfshihen në Pakon Emergjente të Qeverisë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës janë shprehur të shqetësuar për mospërfshirjen e punonjësve medial në Pakon Emergjente Fiskale, të miratuar nga Qeveria në detyrë.

“Përballë një pandemie globale, vlerësojmë se punonjësit medial duhet të mbështeten nga shteti, pasi gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët, janë pothuajse në vijën e parë të frontit në këtë betejë”, thuhet në reagim.

AGK kërkon nga Qeveria në detyrë të marrë masa urgjente për të lehtësuar punën e kolegëve tanë në këtë periudhë jashtëzakonisht të vështirë dhe mendojmë se këto masa mund të shkojnë në dy drejtime.

“Të alokohen fonde për çdo gazetar, kameraman, fotoreporter dhe punonjës tjetër medialë në vlerë të pagës minimale, dhe mediet apo kompanitë mediatike të lirohen nga pagesa e kontributeve në dy muajt e ardhshëm. Кërkojmë që parakushti kryesor për përdorimin e përfitimeve të jetë moslargimi i gazetarëve dhe punonjësve tjerë medialë nga puna, përderisa zgjasin këto masa. AGK-ja kujton se në vendet e rajonit, Maqedonia ka aprovuar pagën minimale nga shteti (afro 250 euro) përveç pagës tjetër për gazetarët dhe punonjësit medialë, ndërkaq të gjitha mediet janë liruar nga pagesa e taksave për mediet për muajin prill dhe maj. Në anën tjetër, Mali i Zi do të sigurojë ndihmë financiare në vlerë prej afro 265 mijë euro për median malazeze.

“AGK, që nga 28 marsi, ka provuar të kontaktoj me zyrtarët e Ministrisë së Financave dhe Transfereve për të pyetur se si është paraparë çështja e gazetarëve dhe punonjësve medialë në Kosovë, por ende nuk kemi pranuar asnjë përgjigje. AGK është në dispozicion gjatë kësaj periudhe me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve të përbashkëta për të lehtësuar punën e kolegëve tanë.

Po ashtu AGK apelon tek pronarët e medieve që të tregojnë korrektësi në trajtimin e kolegëve tanë, ndërkaq u bënë thirrje gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve që ta lajmërojnë në AGK çdo padrejtësi që mund të iu bëhet atyre”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK-ja shkarkon drejtorin për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Bordi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës ka shkarkuar nga detyra drejtorin ekzekutiv të AGK-së, Arben Salihu nën dyshimin e bazuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, konflikt interesi, falsifikim dokumentesh, raportim të rrejshëm para Bordit dhe lidhje të kontratave të dëmshme pa dijeninë paraprake të Bordit, duke bërë shkelje të statutit të organizatës, kontratës së punës dhe legjislacionit në fuqi.

Bazuar në dyshimet fillestare, sipas AGK-së, Salihu prej datës 13 mars 2018 ka qenë i suspenduar nga detyra me qëllim që t’i hapej rrugë një auditimi gjeneral dhe të pavarur të organizatës për periudhën dyvjeçare. Pas pranimit të Raportit të Auditimit ku janë konstatuar shumë shkelje, Bordi i AGK-së, ka marr vendim të prerë që Salihu me automatizëm t’ia shkëpus kontratën.

AGK poashtu ka miratuar dorëheqjen e financieres Florina Desku, e cila është ofruar pas prezantimit të draft dokumentit të auditimit të pavarur, ku evidentohen shkelje dhe lëshime në fushën e menaxhimit të financave si dhe pasi është zënë duke raportuar rrejshëm lidhur me raportet financiare të dorëzuara tek donatorët.

“Bordi i AGK-së është thellë i zhgënjyer me situatën e krijuar dhe shpreh vendosmëri për bashkëpunim me organet e drejtësisë me qëllim të hetimit të plotë të të gjitha dyshimeve. Njëkohësisht Bordi siguron komunitetin e gazetarëve se situata e krijuar nuk do të ndikojë në punën dhe përformancën e organizatës. Bashkëpunimi me organet e drejtësisë dhe luftimi i dukurive negative brenda organizatës është e vetmja rrugë , me qëllim të ruajtjes së reputacionit dhe imazhit të oranizatës të ndërtuar me shumë mund prej vitesh”, thuhet në njoftim.

Bordi i AGK-së, të gjitha dosjet dhe materialin në dispozicion do t’i procedojë tek organet e drejtësisë.