‘Teknika e Koordinuar Pianistike’- pianisti Agron Shujaku promovon 15 video-manuale që synojnë zgjidhjen e problemeve në teknikat e pianos

Vjollca Duraku

Të mërkuren mbrëma, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery janë promovuar video manualet mbi “Teknikën e Koordinuar Pianistike” të pianistit Agron Shujaku, ku me këtë rast janë demonstruar edhe  disa prej teknikave të cilat u sollën për herë të parë në vend.

Video incizimet janë manuale të cilat janë të ndara në lëndë të caktuara ku secila video e adreson një problem të veçantë të teknikës pianistike. Në diskutimin e realizuar në mes të pianistit Agron Shujaku dhe pianistes Yllka Shyti u tha se kjo metodë e cila tashmë është plasuar në YouTube synon që të ofrojë sugjerime për zgjidhjen e problemeve përmes këshillave praktike të cilat i ka realizuar vet profesori Agron Shujaku.

Ambientet e qeta të KultPlus mundësuan një bashkëbisedim të këndshëm të realizuar gjerë e gjatë mbi praktikimin e kësaj metode si dhe për evidentimin e asaj se çka është e dobishme dhe e dëmshme për teknikën e punës me piano, të cilat profesori Shujaku i ka përvetësuar pas një pune autodidakte.

Deri te promovimi “Teknikës së Koordinuar Pianistike” solli një studim i gjatë i profesorit Shujaku, i cili pikëkthesën e madhe e pati pasi kishte hasur në një sfidë personale në punën e tij si pedagog.

“Kam pasur studentë shumë të mirë në atë kohë por në një moment, e kam pasur edhe një nxënëse që sado që ka qenë e angazhuar dhe ka pasur dëshirë të madhe të arrij më shumë, nuk kam ditur t’i ndihmoj edhe pse në të gjitha format jam munduar me atë çfarë kam ditur atëherë. Kjo më ka bërë të dyshoj në pedagogjinë time në atë se a e njoh aq mirë punën me piano dhe me studentë. Nga këtu ia kam filluar studimit në kuptimin e metodave të reja dhe metodave të vjetra”, ka thënë ai.

Profesori Shujaku ka thënë se ky projekt është vazhdimësi e diçkaje që ka qenë duke e punuar një kohë të gjatë, qysh nga koha kur ai vet është përballur me problemet me të cilat po përballeshin tash studentët e tij.

“Kam pas edhe vet probleme fizike të pianos për shkak të stërngarkimit me metoda të ndryshme, kam pasur dhimbje në trup, dhimbje në dorë, e në gishta deri në atë masë sa edhe luajtja me piano u bë e pamundur. Kam bërë një pauzë dy vjeçare. Në fillim kam menduar ta lë pianon, por dëshira e madhe për art dhe pianon në veçanti nuk më ka lënë të dorëzohem aq lehtë, nga ku edhe i kam filluar studimet e ndryshme” ka thënë profesori.

Profesori ka thënë se fillimisht ka qenë fanatik i metodës Taubman, e cila i kishte evituar problemet deri në 90%, porse kjo metodë nuk po i jepte zgjidhje disa prej problemeve të veçanta me të cilat ai ballafaqohej.

“Ato dhimbje që i kam pasur kanë filluar të largohen, jo plotësisht. Në këtë formë unë kam vazhduar të punoj për atë metodë dhe normal çdo gjë që e kam mësuar të re unë kam filluar të implementoj te nxënësit e mij, dhe ka pasur sukses.  Mirëpo deri në një nivel. Ka qenë një moment edhe pse 90%të asaj çka sugjeronte ajo metodë ishte korrekte, nuk jepte përgjigje për disa probleme të cilat nuk kam mundur t’i zgjidh. E pranoj kam qenë fanatik i asaj metode për dy apo tri vjet.”

Mirëpo nga kërkesat dhe hulumtimet e shumta të cilat i kishte bërë profesori mbi qështjet brengosëse se përse nuk i funksiononte ajo metodë për të gjitha rastet, erdhi në konkludim se nuk duhet të jesh fanatik i një metode por se ajo duhet kombinohet dhe koordinohet varësisht nga procesi dhe teknika e punës.

“Kam qenë kërkues ndaj vetes. Nuk jam ndal me aq kam kërkuar më shumë prej kësaj pune, kam kërkuar përgjigje për disa çështje të cilat kanë qenë brengosëse për mua se përse nuk po funksionojnë. Çelësi i zbulimit ka qenë mos me qenë fanatik i diçkaje. Secila metodë i ka përfitimet e saj por asnjëra nuk është e saktë 100%. “Teknika e Koordinuar Pianistike, nuk është teknikë e imja, por është përmbledhje e asaj çfarë di unë dhe si e kuptoj teknikën deri sot”, ka thënë profesori.

Profesori më tej ka thënë se metodat tjera të cilat i ka implementuar ka vërejtur se shumica janë të ngjashme me njëra-tjetrën, vetëm se janë prezantuar në mënyrë tjetër dhe shumë shpesh edhe janë keqkuptuar.

Pianisti Shujaku ka thënë se pajtohet me teorinë që një person nuk mund ta bësh më shumë artist se sa është, porse disa teknika të duhura do ta rrisnin dukshëm performancën e tij përmes aparatit pianistik se si secila pjesë e trupit koordinohet me tjetrën.

“Ai që është artist e ndien muzikën. Nëse e shoh veten në vitin 2000 unë e kam ndier muzikën shumë më shumë se sot, kam pasur shumë më shumë pasion se sa sot, por nuk kam pasur teknikë për të realizuar atë çka e kam ndier. Tash është e kundërta. Tash nuk kam ndoshta aq shumë pasion sa kam pasur atëherë por e kam teknikën më të mirë për të realizuar atë çka dua të realizoj” ka thënë profesori Shujaku.

Në këtë diskutim u tha se me video- materialet e publikuara në Youtube nxënësit do të kenë mundësi të arrijnë njohuri të reja rreth teknikës pianistike. Përveç studentëve të pianos po ashtu mësimdhënësit dhe të gjithë entuziastët do të përfitojnë nga mësimet e pianos në aspektet si ergonometria e qëndrimit në piano,  përdorimi i gishtërinjve, parakrahut, nyjës dhe pjesëve tejra të aparatit pianistik me qëllim të integrimit të lëvizjeve lehtësuese.

Në fund u zhvillua edhe një bashkëbisedim me të pranishmit mbi këtë metodë e cila mundësua me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe mbi qështje të cilat u interesonin lidhur me teknikat e mësimit të pianos./KultPlus.com

Agron Polovina lë detyrën si drejtor i Qendrës Muzeore në Berat

 Pas 9 vitesh në krye të Qendrës Muzeore në Berat, piktori i njohur Agron Polovina lë detyrën për të vijuar me të tjera projekte.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti në një postim në rrjetet sociale.

Margariti shprehu mirënjohjen për punën e Polovinës në krye të Qendrës Muzeore të Beratit duke e cilësuar si bashkëpunëtor të vyer.

“Mirënjohje për punën në qytetin e mrekullueshëm të Beratit, për nismat që kemi çuar bashkë përpara dhe suksese në rrugën e artit dhe trashëgimisë kulturore”, tha Margariti.

Polovina më parë ka drejtuar edhe Galerinë e Arteve, Edward Lear, Departamentin e Grafikës së Liceut Artistik dhe Drejtorinë Rinore të Bashkisë, të gjitha në Berat. Ka studiuar në Liceun Artistik “Jordan Misja” të Tiranës. Është diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve të Tiranës, Dega Pikturë dhe Grafikë, në vitin 1993. Ka marrë pjesë në projektet për restaurimin dhe katalogimin e trashëgimisë kulturore./atsh/KultPlus.com

“Çakajtë komunistë përballë shkrimtarit Agron Tufa”

Askush s’do të mund ta imagjinonte se në Shqipërinë postkomuniste, pas tri dekadash lirie, çakajtë komunistë do të çoheshin peshë dhe do të kërkonin burgimin e ndërgjegjes së lirë të njerëzve që kërkojnë drejtësi.

Më së paku dikush do të mund ta imagjinonte se çakajtë do t’i vërsuleshin një shkrimtari.

Këtyre çakajve komunistë duhet t’u përsëritet vazhdimisht se tmerret që kanë shkaktuar ata mbi kombin shqiptar s’ka forcë në botë që mund t’i pastrojë. Sepse, ato janë të shkruara me gjak e vuajtje në vepra kapitale, të cilat janë ndërgjegjja e Shqipërisë së vërtetë përballë Shqipërisë së një grusht shkretanësh komunistë.

Komunizmi në historinë njerëzore mbetet njëra nga ideologjitë totalitare më të tmerrshme dhe njerëzimit i ka shkaktuar të këqija të panumërta, kurse popullin shqiptar për pak sa nuk e gllabëroi në humnerë. Ky pohim i imi nuk përbën kurrfarë risie, por është në pajtueshmëri të plotë me mendimin e shumicës së vendeve të Evropës. Madje, në shumicën e vendeve ish-komuniste janë ngritur gjyqe dhe krimet e këtij sistemi janë dënuar në forma të ndryshme.

Në Evropë, aty ku synojmë të integrohemi, njihet “Deklarata e Pragës për Ndërgjegjen e Evropës dhe Komunizmin”. Kjo deklaratë, që u nënshkrua më 3 qershor 2008, ishte iniciuar nga ana e Qeverisë çeke, dhe u nënshkrua nga politikanë të shquar evropianë, ish-të burgosur politikë dhe historianë, në mesin e të cilëve Václav Havel dhe Joachim Gauck, presidenti i Gjermanisë. Kjo deklaratë bëri thirrje që “Evropa e gjerë t’i dënojë krimet e komunizmit dhe dënimi ndaj tyre të edukohet” dhe kështu popujt të ndërgjegjësohen përballë kësaj murtaje ideologjike. Por kështu nuk mendojnë disa harbutë e shkretanë të mjerë komunistë shqiptarë, që kombit shqiptar i kanë shkaktuar veç vuajte, dhimbje e lot dhe e kanë më të varfrin në Evropë. /Koha.net /KultPlus.com