Konica përmes shiritit filmik

Agron Alibali

Pamje të rralla filmike të Faik Konicës në një regjistrim të panjohur në Nju Jork,  shkurt 1938.

Rilindasit apo themeluesit e shtetit shqiptar, si imazh figurash historike, na vijnë sot kryesisht përmes riprodhimeve të rralla në pikturë ose fotografi. Imazhe filmike për ta kemi pak ose aspak.

Për fat, sot njihen mjaft foto të Faik Konicës, dhe të reja zbulohen vazhdimisht. Mirëpo fakti që Konica arriti ta jetojë shkapërcimin teknologjik të imazhit të zëshëm dhe lëvizës, me fjalë të tjera, zbulimin e radios dhe kinemasë, sugjeronte që zëri dhe figura e gjallë e autorit dhe diplomatit të shquar do të mund të pluskonin diku, dikur.

Zëri i Konicës

Zëri i Konicës u zbuluar për herë të parë në gusht 2004 në koleksionin e pasistemuar të Bibliotekës së Kongresit Amerikan në Uashington. Merita u takon dy ekspertëve të bibliotekonomisë, përkatësisht Dr. Etleva Domi të BKSH-së, dhe Z. Grant Harris të Bibliotekës së Kongresit. Bëhej fjalë për intervistën e Konicës të nesërmen e pushtimit fashist të Shqipërisë, dhënë gazetarit Hilmar Robert Baukhage [1889v- 1976], në zyrat e NBC-së [National Broadcasting Corporation], Red Network, në kryeqytetin amerikan.

Duke cituar studiuesin prof. Aurel Plasari, Grant Harris do të më shkruante se kjo besohej të ishte e para dëshmi e njohur e regjistrimit të zërit të Konicës.

E dhënë në rrethana tragjike për kombin shqiptar, intervista e Konicës e 8 prillit 1939 është model i ligjërimit publik nga një diplomat i sprovuar, para opinionit të vendit pritës.

Sipas z. Harris, në 9 dhjetor 2004 dy kopje të regjistrimit të intervistës së plotë të NBC-së me zërin origjinal të Konicës iu dhuruan përkatësisht Ministrit të Kulturës së Shqipërisë dhe Drejtorit të BKSH-së të asaj kohe në një aktivitet të posaçëm të organizuar në Bibliotekën e Kongresit.

Mirëpo, sikurse ka përmendur me mprehtësi prof. Nasho Jorgaqi, Konica do të vijojë të na befasojë me gjetje të ndryshme të pranisë dhe veprës së tij në vendet e ndryshme ku ka jetuar.

Një foto e panjohur

Dhe vërtet, një foto të rrallë të Faik Konicës e hasëm vetëm para disa javësh. Fotoja ishte marrë me rastin e vizitës së tre motrave të Mbretit Zog në Sh.B.A. në shkurt – mars 1938.

Foto 1 – Princeshat Myzejen, Ruhije dhe Maxhide, në hollin e vaporit italian që i barti në portin e Nju Jorkut, 28 shkurt 1938. Në sfond, Faik Konica; burimi ACME, Hoff Jackson [Arkiva personale, A.A.].

Vizitën e tre princeshave shqiptare e kemi mbuluar tjetërkund. Këtu mund të përmbledhim vetëm kaq: vizita e Princeshave Ruhije, Sanije dhe Mexhide u përdor me zgjuarësi nga Mbreti Zog për të forcuar marrëdhëniet dy-shtetërore në një periudhë tejet delikate të gjendjes ndërkombëtare, si dhe për të arritur pajtimin e madh me Nolin.

Mirëpo vizita e grave të hirshme nga Shqipëria u prit me interes të pazakontë edhe nga shtypi amerikan. Kurse shtypi sensacional deklaroi se princeshat shqiptare vinin në Amerikë për të gjetur burrë, çka e kishte irrituar pa masë Konicën.

Në fund gjithçka shkoi më së miri. Princeshat u pritën për çaj në Shtëpinë e Bardhë nga Zonja e Parë, Eleanor Roosevelt. Kurse komuniteti shqiptaro-amerikan i Bostonit, si dhe vetë Fan S. Noli Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, dhe dikur kundërshtar i ashpër politik i Zogut, u rezervuan atyre një pritje vërtetë të ngrohtë.

Takimi i parë me shtypin amerikan i princeshave të shoqëruara nga Konica u krye në hollin e klasit të parë të vaporit transoqeanik italian Conte di Savoia, pasi të gjithë udhëtarët e tjerë ishin larguar.

Foto 2:  Holli Gran Colonna, i klasit të parë të vaporit Italian Conte di Savoia, ku u filmuan tri motrat e Zogut bashkë me Konicën.

Sikurse shihet në foton e rrallë historike, të sjellë më sipër, tri motrat e Zogut, princeshat Maxhide, Ruhije dhe Myzejen, paraqiten të ulura në poltronë dhe të veshura plot shije. Në krah të tyre, në qendër të fotos, shpaloset Faik Konicës, në një nga daljet më të gjalla të tij. I veshur si përherë, plot sqimë, Faiku mban një pallto ngjyrë të errët, me shallin e çelët dhe me kapelën e mbajtur me dorën e djathtë. Rreth 70 gazetarë dhe fotoreporterë amerikanë e britanikë bombardojnë vizitoret e shquara nga vendi i vogël dhe ekzotik ballkanas me pyetje dhe me shkrepje fotosh e kërcëllitje flashesh.

Mirëpo pritësi i princeshave, Ministri shqiptar Faik Konica, dhe shoqëruesi i tyre, Asim Jakova, nuk iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve. Ata lexuan vetëm një deklaratë të shkurtër për shtypin, duke u justifikuar se princeshat ishin të lodhura nga udhëtimi i gjatë. “Myzejeni, Ruhija dhe Maxhidja buzëqeshin para kamerave, por diplomati-përkthyes as që e vuri ujët në zjarr të pyeste nëse ato kanë ardhur këtu për të gjetur burrë”, shkruante më shpoti gazeta New York Herald Tribune.

Konica me zë dhe figurë

Fotoja e panjohur e princeshave me Konicën shërbeu si udhërrëfyes për hulumtim të mëtejshëm. Po të vërejmë me kujdes, ajo na sjell në plan të parë, me shpinë, edhe disa kameramenë. Çka do të thotë se, për ngjarjen, duhet të kenë ekzistuar edhe kronika filmike.

Në fakt, regjistrimin e parë e kemi si pjesë të një kronike të Pathé News, shërbim lajmesh filmike dhe dokumentarësh, i ofruar në Britaninë e Madhe dhe SHBA nga vitet 1910 deri më 1970. Kronika e shkurtër prej 24 sekondash e Pathe Gazette fillon me mbërritjen e princeshave në Nju Jork me transoqeanikun italian Conte di Savoia.

Kronikë filmike 1 – Albanian Princesses Visit New York, British Pathé, 1 mars 1938

Më tej, gazetari amerikan hamendëson nëse qëllimi i vizitës së princeshave është për pushime apo për motive politike? Kronika përfundon me supozimin e një komentatori amerikan, së cilës Konica i trëmbej më shumë se gjithshka: “Flitet se ato janë në kërkim të ethshëm [sharp lookout] për një burrë të pasur amerikan…” Edhe pse Konica këtu nuk na shfaqet, zemërimin e tij mund ta parafytyrojmë lehtazi.

Sikurse u përmend më lart, Konica kreu rolin e përkthyesit dhe kontrolloi me kujdes të gjithë ceremoninë. Ai nuk ngurroi aspak që të ndërhynte kur vërente se gazetarët amerikanë bënin pyetje që, sipas tij, ishin të papërshtatshme.

Disa nga batutat e Konicës ndaj gazetarëve ishin:

“I thought you were going to ask decent questions”, [“Mendova se do të bënit pyetje të përshtatshme…”]…Dhe kur një gazetar këmbënguli, Konica nuk përtoi t’ia përplaste: “Why don’t you grow up”? [“Sa i papjekur që jeni, xhanëm?”].

Ndërsa këto shkëmbime të Konicës me gazetarët amerikanë ende nuk i kemi të përcjella në kronikat filmike të kohës [në foto shfaqen jo pak por pesë kameramenë], gjithsesi kërkimi këmbëngulës rezultoi në gjetjen e imazhit filmik të këtij takimi, ku Konicën më në fund e shohim të gjallë, me zë dhe figurë, bash me temperamentin e tij të shpenguar dhe sfidues.

Videoklipi historik është regjistruar nga British Movietone News, një shërbim dokumentar lajmesh që veproi nga vitet 1929  deri më 1979, dhe mban gabimisht datën 8 mars 1938.

Foto 3 – Paraqitje e titullit dhe numrit rendor të videoklipit të British Movietone.

Merita për gjetjen e rrallë vjen edhe falë bashkëpunimit me studiuesen e re dhe të pasionuar të Konicës, Dr. Loreta Loli, autore e një disertacioni shterues për prozën e Faik Konicës. Me të vërtetë, duke kërkuar një inçizim tjetër zanor të intervistës së Konicës të shtatorit 1930 për rrjetin CBS [Columbia Broadcasting Corporation], që Dr. Loli e përcjell si përshkrim në disertacionin e saj , dhe duke vijuar hulumtimin tonë në linjën e vizitës së motrave të Zogut, mbështetur në foton e mësipërme, befas hasëm në imazhet e gjalla filmike të Faik Konicës, të shkurtit 1938.

Foto 4 – Pamje e videoklipit të British Movietone.[11]

Movietone dhe arkiva përkatëse u blenë më pas nga Associated Press [AP]. Regjistrimi filmik i kësaj të fundit është paksa më i gjatë dhe i ndryshëm nga Movietone, pasi në fillim ka material të tepërt. Rrjedhimisht, imazhet tona nisin pak më vonë, dhe Faik Konicën e shquajmë – të gjallë më në fund – në sekondat 5 – 8.

Përherë perfeksionist, xhentëllmen dhe “kujdestar” i rreptë i princeshave përballë ndërhyrjeve shpotitëse të reporterëve vendas e të huaj, Konica shfaqet aty duke iu vikatur gazetarëve në anglisht: “Wait a minute!”[Prisni një minutë!]. Pastaj Konica tund kokën me mosbesim të dukshëm, por të përmbajtur, dhe qetazi tërhiqet, pasi vëren se kameramenët tashmë kishin filluar regjistrimin. Mund të konkludojmë me saktësi se batutat e përcjella më sipër do të kenë qenë vijuese të këtij shkëmbimi hyrës.

Me sa kemi dijeni, ky është imazhi i vetëm filmik, me zë dhe figurë, i njohur deri tani, i Faik Konicës, autorit dhe diplomatit të shquar shqiptar.

Viedoklipi historik i Faik Konicës dhe princeshave shqiptare, me gjatësi prej 29 sekondash, mund të shikohet i plotë këtu poshtë, i bërë tashmë publik drejtpërdrejt nga arkiva e AP-së dhe British Movietone.

Kronikë filmike 2 – Imazhi, me zë dhe figure, i Faik Konicës me tri princeshat shqiptare, Nju Jork 28 shkurt 1938, [Arkiva AP].

Tragjikisht, vetëm 11 muaj më vonë, me 8 prill 1939, Faik Konica do të mbetej pa atdhe dhe pa punë, dhe do të protestonte fuqishëm kundër pushtimit fashist të vendit të tij në intervistën me z. Baukhage të përcjellë në krye.

Kurse të tri motrat, princesha të pafata, do të nisnin kalvarin e gjatë dhe tronditës të mërgimit të detyruar, ku kujtimet e vizitës në SHBA do të mbeteshin tashmë veç një vegim i largët, i bukur por i hidhur, dhe si mirazh që kurrë nuk kishte qenë i vërtetë.

Publikuar te Peizazhe të Fjalës 

Figura shqiptare më e shquar në Uashington “Faik Konica – Dritëhijet e një Diplomati” u promovua në Prishtinë (FOTO)

Autori Agron Alibali sot ka promovuar librin e tij “Faik Konica – Dritëhijet e një Diplomati” në Amfiteatrin e Madh të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, shkruan KultPlus.

Ky libër është nderuar me çmim nga Federata Panshqiptare Vatra – The Hearth ndërsa është mirëpritur edhe përuruar më parë edhe në Bibliotekën e Kongresit në SHBA dhe në Bibliotekën Kombëtare në Shqipëri.

Libri “Faik Konica – Dritëhijet e një Diplomati” bazohet në arkivën e legatës shqiptare në SHBA, në tërë praktikën diplomatike dhe konsullore të legatës së Konicës. Ky libër voluminoz i përberë nga hedh dritë të veçantë mbi veprimtarinë diplomatike dhe juridike të Konicës. Kjo vepër u cilësua si rezultat i një punë shumë të gjatë, në konsultim me arkivat e Shqipërisë, SHBA-së dhe në disa vende të tjera të Evropës.

Profesori dhe publicisti, Rrahman Paçarizi u shpreh se të flasësh për këtë vepër përveç së është nder dhe kënaqësi është edhe një përgjegjësi edhe një mision gati i pamundur për shkak të fakteve të reja që sjellë autori.

“Është vështirë të shkruash për këtë libër për shkak se është tepër voluminoz dhe kërkon mjeshtëri shkrimi për ta trajtuar në pak faqe dhe pak minuta, 640 faqe tekst, shumë fotografi domethënëse dhe treguesi të emrave dhe një parathënie substanciale si në abstrakt janë ilustrim i përgjithshëm I një punë gjigante dhe fasionante që ka bërë studiuesi Alibali duke gjurmuar në jetën dhe veprën e Faik Koncës”, ka thënë Paçarizi.

Ai po ashtu shtoi se ky libër krahas shumë të dhënave që sjellë përmban edhe disa aspekte të tjera të anës njerëzore të jetës së Faik Koncës.

“Faik Konica gjatë kohës sa udhëhoqi misionin e tij diplomatik në Shtetet e Bashkuara nuk përtonte të merret edhe me hallet e emigrantëve atje”, theksoi Paçarizi.

Kurse studiuesi shqiptaro-britanik, Bejtullah Destani, tha se autori me këtë libër ka bërë shumë për Faik Konicën dhe punën e tij si diplomat.

“Agroni ka bërë një libër të jashtëzakonshëm, nuk kam parë që një person të merret aq gjatë me një libër dhe ta bëjë në mënyrë aq pedante dhe sekrete, pa njoftuar asnjë person. Një prej punëve të jashtëzakonshme që ka bërë autori është se ka zbuluar dy gjëra të mëdha siç është zbulimi i një biblioteke të Konicës dhe arkivi i legatës së Uashingtonit”, tha Destani.

Kurse vet autori Agron Alibali pas falënderimit të Biblitokës Kombëtare të Kosovës dhe të pranishmit, ai para tyre shpalosi edhe shumë detaje të rëndësishme lidhur me librin dhe figurën e Konicës. Ai tregoi fotografi të Konicës i rrethuar nga biblioteka e tij e famshme në Uashington nga prilli i vitit 1993, për mënyrën se si ai përfaqësoi vendin e tij të vogël me elegancë dhe dinjitet në një kryeqytet të sofistikuar, për mënyrën se si ai fuqizoi marrëdhëniet SHBA- Shqipëri, duke theksuar se ai ka qenë negociues i 4 traktateve dy paleshe. Ai po ashtu tregoi edhe për punën e tij si ambasador kulturor i Shqipërisë në SHBA duke shtuar se Konica mund të konsiderohet si i dërguari i parë diplomatik i Kosovës në vitin 1911. Si një student i Harvardit dhe njohës i 12 gjuhës, ai u shpreh se Konica shquhej si një ndër figurat më të nderuara në Uashington, si mendjehollë dhe xixëllues. Ai nxjerri në pah kontributin e Konicës në dhënien e mendime të vyera në lëmin kushtetuese për shtetin e ri shqiptar./ KultPlus.com

Nesër promovohet libri “Faik Konica – Dritëhijet e një Diplomati” i Agron Alibalit

Autori Agron Alibali nesër do të promovoj librin e tij “Faik Konica – Dritëhijet e një Diplomati” në Amfiteatrin e Madh të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, me fillim nga ora 11:00, shkruan KultPlus.

Libri “Faik Konica – Dritëhijet e një Diplomati” bazohet në arkivën e legatës shqiptare në SHBA, në tërë praktikën diplomatike dhe konsullore të legatës së Konicës dhe konsullit Prifti në Boston dhe në arkiva të tjera në SHBA.

Libri është nderuar me çmim nga Federata Panshqiptare Vatra – The Hearth dhe është përuruar më parë në Bibliotekën e Kongresit në SHBA dhe në Bibliotekën Kombëtare në Shqipëri./KultPlus.com