Agron Blakçori, sjellë ekspozitën e radhës në GKK

Artisti Agron Blakçori, këtë të enjte sjellë ekspozitën “A mund ta imagjinosh këtë si diçka të bukur”, me kurator Mehmet Behlulin, shkruan KultPlus.

“A mund ta imagjinosh këtë si diçka të bukur”, ka filluar me një imazh të një peizazhi urban, një fotografi e cila është shkrepur nga artisti afër shtëpisë së tij në Podujevë, Kosovë. Fotografia është prekëse; ajo paraqet një “intervenim” të rëndomtë të mbeturinave të njerëzve dhe natyrës. Një strukturë delikate dhe e brishtë e ndërtuar nga plastika dhe degë të thata duke kaluar nëpër hapësirë, duke krijuar një ndjenjë të perspektivës. Prapa, në plan të tretë, shtëpi të reja të cilat sapo janë ndërtuar nga një ekonomi artificiale paraqiten të ndara dhe të mbrojtura nga një muri brenda hapësirës kolektive të mbyllur.

I diplomuar nga Fakulteti i Arteve të Universitetit të Prishtinës me master në skulpturë, kryesisht punët e Blakçorit janë të inspiruar nga objektet dhe situatat në rrugë, përballja në të cilin artisti i jep kuptim asaj e cila ka mbetur e fshehur nga njerëzit e tjerë të cilët e kanë injoruar. Agron Blakçori është po ashtu fitues i edicionit të pare të Artistëve të rijnë në Galerinë Kombëtare të Kosovës në vitin 2016.

Kjo ekspozitë hapet këtë të enjte në Galerinë Kombëtare të Kosovës, duke filluar nga ora 19:00 ndërsa ekspozita do të qëndroj e hapur deri më 1 prill./ KultPlus.com

Agron Blakçori reflekton “ndotjen estetike” në Kosovën e pasluftës

Artisti Agron Blakçori mbrëmë solli ekspozitën e tij personale në Galerinë e Fakultetit te Arteve te Bukura, në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Kjo ekspozitë që përmes formave të ndryshme kishte zënë vend në këtë galeri përmbante gjithsej shtatë monumente të njëpasnjëshme, me anë të së cilave artisti kishte reflektuan kaosin e vendit ku ai është zhvilluar si artist. Në mesin e tyre ai paraqet edhe një statujë, fytyrën e të cilit qëllimisht e fsheh. Kjo për vetëm një arsye, për të treguar se si janë ngritur statujat në këtë vend, pa plotësuar kriteret e duhura, e që bën që ato shtatore shpesh të jenë shumë larg personalitetin të cilit i dedikohet.

Profesori dhe kuratori i kësaj ekspozite, Mehmet Behluli, thotë se autori përmes veprave të tij mundohet ta ngrit ndërgjegjen kolektive dhe si individ të mendojmë më shumë për “ndotjen estetike”, që po ndodh kudo në rrethin tonë.

“Ai e ka pasionin pa të cilin nuk mund të punohet në asnjë fushë të artit. Ai e kupton mirë rrethin ku funksionon. I kupton proceset të cilat ndodhin në botën e artit”, kështu shprehet profesori Behluli.

Ai për KultPlus tregoi se kjo ekspozitë vije me emrin “Monumentet”, pasi që pasluftës monumentet janë të orientuara më shumë në aspektin ideologjik se sa në krijimin e një monumenti të mirëfilltë. Lidhur me këtë ai thotë se më shumë i kemi krijuar monumente vetvetes se sa heronjve e dëshmorëve.

“Qytetarët e Kosovës, e kanë të vështirë ta kuptojnë se si një monument që i kushtohet diçkaje shumë madhore, është i nivelit ma të ulët artistik e ideor. Kosova është mbushur me monumente jo të këndshme, dhe përmes këtyre veprave autori hap një dialog me publikun se mos monumentet mund të jenë edhe ndryshe”, u shpreh profesori Behluli derisa kujton një rast në vitin 2004, se si dy parti gati erdhën në një konflikt fizik për shkak se kërkonin që secili ta vendos heroin e tij në një hapësirë publike.

Skulptori Agron Blakçori, thotë se kjo është një temë që e ka preokupuar atë që nga paslufta, kur monumentet edhe kanë filluar të ndërtohen në mënyrën jo të duhur, kjo shpesh edhe si pasojë e konkurseve, të pafokusuara në kritere profesionale.

“I kam përcjellë edhe konkurset e shtatoreve se si janë bërë, dhe kjo ka qenë si pikënisje për të punuar më shumë lidhur me monumentet. Unë jam lidhur tek kjo dhe tek ndërtimi i objekteve sepse në çdo vend ne e kemi një lloj kaosi”, shprehet skulptori Blakçori për KultPlus.

Artisti përmes punimeve të tij nxjerrë zërin artistik lidhur me gjithçka që e rrethon. Përpjekjet e tij nuk reshtin as për ta kthyer trishtimin e disa vendeve, në një ndjesi pozitive për qytetarët. Ai në këtë ekspozitë e paraqet edhe një silos të grurit i cili ndodhej shumë pranë shtëpisë së tij, dhe nga kulmi i atij vendi, gjatë kohës së luftës qytetarët kanë përjetuar trishtimin më të madh pasi që aty kanë qëndruar trupat paramilitare serbe me çerdhe të snajperëve. Ideja e skulptorit kishte qenë që ky vend të zëvendësohet me një galeri arti, apo një restorant ku njerëzit mund të argëtohen. Pra, synimi i autorit është që qytetarëve të atij vendi përmes këtij objekti t’ua shëroi traumat me momente kënaqësie. Kështu artisti, me ndryshimin e imazhit, përpiqet t’i ndryshoi edhe ndjesitë e qytetarëve lidhur me objektin.

“Unë mendoja si artist si me të ja ndryshoj imazhin këtij objekti, unë kam dhënë dy ide të bëhet galeri arti apo restorant por edhe nëse e bën kërkesën ky objekt është i privatizuar”, tregon skulptori për KultPlus.

Ai po ashtu në këtë ekspozitë sjellë edhe kabinën e postës, të cilët rëndom qëndrojnë të dëmtuara dhe të papërdorura nga qytetarët, që dikur u hynin në shërbim. Ato të lëna në harresë nga të gjithë, artisti i ka shndërruar në vepër të tijën.

“Sot për to nuk po interesohen as njerëzit kompetent që janë, as posta që e ka lënë në hapësirë publike, dhe unë kam shkuar e kam nënshkruar dhe e kam bërë si vepër timen, pra në mendjen time kam thënë ma mirë është të shihet si një skulpturë, pra monument se sa si një gërmadhë që ka mbetur midis qytetit”, tregoi Blakçori.

Të gjithë ata që duan të shijojnë këto shtatë monumente, kjo ekspozitë do të qëndroi e hapur për dy javë në Galerinë e Fakulteteve të Arteve të bukura./ KultPlus.com