(Rrno vetëm për me tregu e At Zef Pllumit dhe Jeto për ta treguar e Gabriel Garsia Markesit)
Në këtë kumtesë bëjmë një krahasim në mes të dy veprave me të njëjtin titull të të njëjtit zhanër, atë të At Zef Pllumit Rrno vetëm për me tregu dhe të Gabril Garsia Markesit Jeto për ta treguar, të cilat janë dy rrëfime dhe brenda një kodi zhanror. Nuk është vetëm titulli që i bën këto dy vepra të krahasueshme, por edhe modeli zhanror, i cili do të jetë fokusi ynë kryesor, më tej edhe shkrimi e rrëfimi autoreferencial dhe modeli i autorit. Përgjatë kësaj analize krahasuese vihen në pah shenjuesit tekstualë që e bëjnë të përafërt njërën vepër me tjetrën përbrenda një ‘diagrami’ ku shqyrtohen të përbashkëtat dhe dallimet në mes dy këtyre dy autobiografive të shkruara në një distancë të afërt kohore, por në një hapësirë (topos) të largët. Edhe pse këto dy vepra autobiografike janë të të njëjtit zhanër, autorët luajnë ndryshe me kufijtë zhanrorë, kronologjinë, modusit rrëfimorë, ndërsa emëruesit jo vetëm paratekstualë, tekstualë, por edhe ndërtekstualë janë e përbashkëta si për autorin, Zef Pllumi, ashtu dhe autoritetin letrar, G. G. Markes. Pyetja e kërkimore e cila provon të marrë përgjigje gjatë këtij krahasimi analitik është: Cila janë të përbashkëtat dhe dallimet e këtyre dy veprave të të njëjtit zhanër me të njëjtin shenjues paratekstual? Në analizë e sipër do të merren parasysh edhe modelet klasike nga Shën Augustini deri te Shatobriani, për të parë se si ka derivuar forma dhe trajta e ligjërimit nga autorët “epikë” te autorët që tutje zhvillojnë këtë ‘epizëm’ përbrenda ‘konvencave lirike’, aty ku retro dhe introspeksioni koekzistojnë njëkohshëm të cilët janë shndërruar në konstanta themelore letrare. Rrno vetëm për me tregue e At Zef Pllumit për herë të parë u botua në Tiranë në vitin 2001 nga shtëpia botuese Hylli i Dritës dhe titulli tekstualisht është pjesë e frazës sugjeruese e konvokuese e At Marin Sirdanit drejtuar autorit diku në gjysmën e dytë e të viteve ’40-të, ndërsa Jeto për ta treguar (Living To Tell the Tale) e Markesit për herë të parë është botuar në vitin 2003 në New York dhe titulli kontekstualisht është pjesë e rrëfimit dhe moto e krijimit: jeta nuk është ajo që ke jetuar, është ajo që të kujtohet, dhe ashtu siç të kujtohet për ta rrëfyer. Fjalët çelës: autor, model, zhanër, autobiografi, rrëfim, fakt, fiksion, autofiksion etj.
(Mendime përkitazi me veprën RRËFIMET E MAESTROS – Dialog me avangardistin e viteve ’70, Musa Ramadanin, botues Qendra Multimedia, Prishtinë, 2014, nga autori Agron Gashi)
Dhjetë vite njohje e afërsi miqësore, punë të disiplinuar afirmative dhe përsiatjesh inspirative të akceptuara si refleksion i kureshtjes në fushën e sentimentit historik të zhvillimit të letërsisë në përgjithësi, brenda dhe jashtë nesh, do të kapitalizohen si vlerë e shtuar me kompetencë autoriale e një realiteti të fuqishëm ekzistencial në librin Rrëfimet e Maestros, në stilin Dialog me avangardistin e viteve ’70, Musa Ramadanin–MuRai-n, njeriun e kulturës së paskajshme, të letërsisë shqiptare, të artit, gazetarisë, pikturës, muzikës, teatrit, filmit dhe mendimit filozofik. Libër i një zhanri ndryshe me një qasje të re dhe procedim real ndaj fenomeneve shoqërore politike dhe psikofilozofike, gati në detaje, me dëshmi vlerash të rralla të rrëfimit artistik objektiv, përmes teknologjisë së avancuar të pyetjeve, të hulumtuara me durim e intuitë të nivelit intelektual, duke paralajmëruar një rrëfim të shkurtër për një dialog të gjatë e të pacenueshëm nga autori AgronY.Gashi. Ndonëse, siç thotë autori, dialogu bashkë me veprën ka kohë që ka marrë udhë.
Dihet mirëfilli se arti i fjalës përherë kërkon individë të ekuilibruar profesionalisht të përgatitur me karakter të qëndrueshëm dhe orientim afirmativ në botën e letërsisë artistike. Në këtë aspekt, pikërisht Gashi është tejet i përqendruar në qëllimin e paracaktuar, i cili posedon aftësi të nevojshme për t’u ballafaquar me shumë të papritura gjatë dialogut bisedor, njeri me njohuri të mira për artin e të folurit, artin e të dëgjuarit, artin e të shkruarit dhe të gjithë këta togfjalësha sintagmatike, me shumë kujdes e sens mendimi, i vë në lëvizje gjatë dialogut kur ka përpara avangardistin MuRai-n.
Ernest Fisher shkruante: “Dhe kur artisti zbulon realitetin e ri, ai s’e bën këte për veten, ai e bën këte për të tjerët, për të gjithë ata që duan të dinë në çfarë bote jetojnë, nga vijnë dhe tek shkojnë – Ai prodhon për bashkësinë”.Dhe, këte, pa mëdyshje e gjejmë këndshëm e në mënyrë spontane të zbatuar tek Gashi, autor i këtij libri, ligjërues në UP, studiues shkencor në fushën akademike e publicistike. shkrimtar e gazetar, kryeredaktor i revistës Jeta e Re, e së fundmi edhe si udhëheqës i mrekullueshëm e modest, me një natyrë të qetë intelektuali të një bashkëbiseduesi në emisionet televizive “N’Demos”, duke nxjerrë në pah dilemat dhe paragjykimet e shumta të trajtimit artistik të krijuesve të mëdhenj të veprave letrare, si imperativ i kohës, siç është rasti me të madhin MuRai-n.
Rrëfimet e Maestros është një vepër me vlera të larta artistike, me një stil modern të qëndrueshëm që, përmes teknikës së pyetjeve të shtruara, autori përpiqet të vjelë sa më shumë fakte të argumentuara, si dhe t’ia rifreskojë kujtimet dhe ngjarjet e hershme me përjetime të thella të personazhit të vetëm të kësaj vepre MuRai-t, i cili me të brendshmen e vet origjinale, do t’i lëvizë mendimet e fjetura dhe nëpërmjet analizave të shkurtra do ta nxjerrë në skenë amën mjaltore të letërsisë evropiane, botërore dhe shqiptare.
Autori Gashi me Rrëfimet e Maestros, na sjell diçka ekskluzive, diç ka si Monografi (dhuratë për ditëlindje), mbase diçka që asnjëherë në këtë mënyrë s’është thënë e shkruar, diçka e shprehur me një stil të veçantë, të shkrirë në dialogun e pasur bibliografik me autorin avangardist MuRai-n.
Nisur nga rëndësia e sistemit të komunikimit, bashkëbisedimit, dialogimit me njerëz të kulturës së letërsisë dhe të artit në përgjithësi, por edhe me individë të nivelit më të ulët,“të pyeturit” në cilësi të artit, e orienton bashkëbiseduesin drejt burimeve të informacionit të vërtetë për të arritur me efektshmëri qëllimin e paracaktuar. Prandaj, një intervistë e tillë e qëllimshme, mbase jo e rastësishme dhe e pazakontë me karakter dialogetik, në vetvete ka një shtrirje horizontale e vertikale, karshi sentimentit të pasur letrar artistik të moderuar në veprat e MuRai-t.
Përndryshe, është një arritje mjeshtërore e ndërtuar me forcën e fjalës dhe mendimit gjuhësor, ndërsa me inventiven e artit e teknikën e pyetjeve të modeluara herë të hapura/divergjente/, herë të mbyllura /konvergjente/ e herë të kombinuara në përshtatje me veprën e MuRai-t dhe vetë lexuesin, plotësojnë vakumin krijues të deridjeshëm.
Me shumë finesë i parashtron pyetjet që nënkupton se autori Gashi, jo vetëm di të lexojë e shkruajë, por të krijon përshtypjen se është edhe studiues(hulumtues-kërkues) e njohës i njëmendt i letrave shqipe dhe jo vetëm. Pyetjet në dukje janë të thjeshta, por në esencë janë komplekse dhe shumëdimensionale. Nëpërmjet tyre/pyetjeve/ do të nxjerrë thelbin më domethënës të dialogimit me shkrimtarin avangardist MuRai-n, duke ia shtrydhë mendimin/deri në pambarim/e duke mos i lënë hapësirë asgjëje që ia prishë ekuilibrin shprehës të konceptit shkrimor.
Pra, çështja në fjalë do të përqendrohet kryekëput në kërkim të varianteve të ligjshmërisë dhe të lirisë së fjalës krijuese me fizionomi e nuancime të reja kreative stilistike dhe estetike, si realizim i një transformimi të sigurt e të pavarur, pa dyshim në aspektin e një vërtetësie të hapur artistike jashtënacionale të tipit avangardist.
Dialog kreativ që vë në pah kuptimin e veprave dhe jetës se MuRai-t
Autori Gashi në tërë këtë proces, me këtë dialog me MuRai-n, nuk është vetëm një bashkëbisedues i thjeshtë apo i plogët, por është i përfshirë gjallërisht në vlerësimin e mendimit filozofik si relevancë e shprehjes dhe e realitetit kohor të estetizuar tërësisht në artin e MuRai-t. Është pjesë brenda bisedimit, hisenik i drejtpërdrejtë, duke iu adresuar, jo vetëm llojeve të ndryshme të krijimtarisë letrare, por njëkohësisht edhe problemeve të shumta që e mundojnë krijuesin, si individ dhe pjesë e shoqërisë që synon të ecë përpara. Pyetjet që i adresohen MuRai-t nuk janë drejtvizore, ato dallojnë mes veti, ndërhyrjet dhe ndërfutjet e riformuluara të pyetjeve janë me interes dhe kërkuese që përimtësojnë mendimin e pathënë më parë. Pra, ndërhyrjet e shpeshta do të kuptohen si shumë të rëndësishme, ngaqë efekti i përgjigjeve bëhet më i përplotësuar, më rezultativ, më dinamik, më konstruktiv, më domethënës për burimin e kërkuar të informacionit me shumëllojshmëri pikëpamjesh. Po ashtu, autori ka parasysh kohën, ndalesat/pauzat/dhe pritjen e përgjigjeve, elemente këto që duhet respektuar.
Pikërisht këtë po e bën autori i librit Rrëfimet e Maestros, z.Agron Y.Gashi, duke u bazuar fuqishëm në teknologjinë më mjeshtërore të drejtimit të pyetjeve në sasi e cilësi, si metodë e favorizuar autentike për të nxitë informacionin kthyes nga bashkëbiseduesi, përderisa origjinalja e kompozimit të përgjigjeve të sakta me dëshmi të një realiteti kohor, ilustron raportet tejet të përafërta me gazetarin, poetin, tregimtarin, romansierin, dramaturgun e skenaristin, eseistin dhe novelistin Musa Ramadani, avangardistin e romanit dhe megaromanit modern e postmodern të viteve ’70, i cili me përpjekjet e veta ka bërë që përgjigjet të jenë të shumanshme
3,
e gjithëpërfshirëse që rrjedhin nga bota e tij krijuese letrare artistike. Dhe, kur kësaj i shtohen fjalët e Borges-it se, dialogu qenkësh një lloj letrar”një mënyrë e tërthortë të shkruari”,
atëherë ky punim, në të cilin autori Gashi ka derdhur mendime të rrasta, mund të cilësohet letrarisht si shumë i kompletuar me të gjitha nuancat e veta përbërëse.
MuRai i ka limitet e veta, të paracaktuar qysh më parë; fanatik në mbrojtjen e fjalës së lirë dhe të vërtetës letrare, të cilat asnjëherë nuk ka lejuar t’ia mposhtin apo rrënojnë krenarinë në gjithë rrugëtimin e tij artistik bashkëkohor. Pikërisht, këtu, MuRai e gjen paqen shpirtërore, të vërtetën kuptimore dhe koloritin e përgjigjeve kreative në stilin avangardist të letërsisë së sprovuar. Ky është pushteti kreativ i tij. Artin e fjalës e të mendimit shprehës do ta gjallërojë me motivin e objektives së narratizuar dhe të abstraktes së mitizuar, të ruajtur diku në thellësi të sekreteve të tija, thotë autori Gashi.
MuRai është bashkëpunues i sinqertë, i qartë, i saktë dhe aspak shqetësues në ndërhyrjet dhe ndërfutjet e qëllimshme të kohëpaskohshme nga ana e bashkëbiseduesit autor. Aq më shumë këto ndërfutje pyetjesh të papritura, por të arrira letrarisht dhe gjuhësisht, sikur ia fuqizojnë mendimin e shpalosur. Këtë formë të dialogimit, të ilustruar me korrektësi e sinqeritet, MuRai e pranon dhe e mirëpret me besim të shtuar e dashamirësi. MuRai sjell prurje të reja, jo vetëm në sferën e letërsisë artistike, por edhe në atë filozofike moderne që i mbushë letrat shqipe në Kosovë, si shtysë i një stili ndryshe të të shkruarit. Në përgjigjet që i pretë autori Gashi sheh shpirtin e tij plot emocion të investuar brenda dhe jashtë vetvetes.
Autori Gashi, gjatë bisedës me MuRai-n, do të vërej se, ka edhe diçka më pak të shpjegueshme e të trajtuar, diçka të largët, diçka si mistike e fshehtë e kësaj bote, mbase diçka ndryshe nga ajo që e sheh dhe e ndjen lexuesi, mishërim që vjen nga e imagjinuara, si produkt i vetëdijes, e cila qëndron në afërsi të reales dhe shprehësisë me elemente të reja stilistike bashkëkohore si rrjedhojë e botës së brendshme të artistit.
Përmes mistikës, bota e tij merr drejtim tjetër, në kuptim të realizimit të ëndrrave të parashikuara. Ai është njeri i zgjuar, ai i sheh, ai i dëgjon dhe i shkruan. Gjykimet dhe mendimet befasuese qofshin ato objektive apo subjektive përkitazi me veprat e shkrimtarëve të mëdhenj siç janë: Borges-i, Hedayat-i, Markez-i, Kafka, Khajami, Rumi, Niçe, Cvajg-u, Chamis-o, Dostojevski, Sartr-i, B.Musliu, T.Dervishi e shumë të tjerë, i japin vulën një analize zinxhirore të pakufizuar filozofike me resurse përvojash dalluese të perftuara narrativës letrare e bazuar në pjekurinë shkrimore dhe jetësore të MuRai-t. Nga ky këndvështrim shkëputja dhe trajtimi analitik me shumë kujdes e korrektësi identifikimi të saktësisë krijuese, ky erudit i madh me vizion letrar artistik, sjellë pikëpamje thelbësore në dialogun e nënkuptuar.
Shifra e përmendur prej 4o2 emrave të autorëve dhe figurave të botës letrare me emër e mbiemër evropianë e botërore, që nga Lindja e Perëndimi, Amerika e Latino-amerika, pa i harruar edhe ata nga Kosova, përbëjnë një hark të madhe autoresh që i dhanë shumë njerëzimit në fushën e letërsisë klasike e bashkëkohore. Dhe, kur kësaj i shtohet edhe fakti se me qindra vepra letrare, shkencore e filozofike dhe shumë të tjera edhe nga fusha e mistiçizmës, i ka të lexuara dhe të rilexuara, atëherë çdo koment është i tepërt. Pra, MuRai është lexues i mirë, njohës i madh i rrymave letrare si, romantizmit, socrealizmit, ekspresionizmit, impresionizmit, surrealizmit, simbolizmit, dadaizmit, kubizmit etj.etj.,andaj edhe bindjet e tij për artistiken reale, janë plotësisht me rrënjë dhe të faktorizuara me argument të qëndrueshëm. Ndërkaq me shkrimet e veta qëndron në mes të ekspresionizmit dhe surrealizmit.
Aktualisht, nëpërmjet dialogut të hapur e me besim të plotë, ai po e shijonte atë që me vite ia kishin përmbysur e degraduar deri në shqetësime të thella shpirtërore e shëndetësore. Tani, po fliste gëzueshëm që shpërthimi në letërsi po ndodhë. Ishte ky kulmi i një odisejade të gjatë e të mundimshme! Po lindte një valë e re, një epokë e re e shkrimit modern, një rrymë bashkë-
kohore në letërsi, ndonëse faktorin dhimbje do ta mbajë brenda vetvetes, tani i shpërfaqur hapur. Të gjitha i kishte mbledhë e siguruar për t’i thënë si pikënisje e një qëndrimi të paprekshëm. Të gjitha i kishte mbijetuar MuRai dhe për çudi autori i kësaj vepre do ta përsëritë shumë herë këte fakt.
Arti mposhtë çdo heshtje kur plagën e shndërron në dritë
MuRai është një kërkues i mirëfilltë, është kritik dhe analist letrar, dhe jo vetëm, por edhe njohës i mendimit filozofik, i gjuhës, i historisë dhe i letërsisë në përgjithësi. Pra, ka një qasje ndryshe në trajtimin e fenomeneve jetësore, duke i konfiguruar ato intuitivisht dhe hapur përmes sendërtimit domethënës të tyre në kuptim të percepcionit artistik të zbërthyer estetikisht me karakter krijues, për ta paralajmëruar lexuesin se kemi të bëjmë me një shkrimtar të paparashikueshëm, i cili di t’i kalojë kufijtë e së mundshmes dhe të merret jo vetëm me krijime letrare artistike, por ai do të flet e shkruan për muzikë e pikturë, teatër e film, sepse kjo e vendos në të drejtën e gjithanshmërisë krijuese.
Ky dimension krijues ia forcon bindjen dhe konsensusin që ka me letërsinë, me artin që mposhtë çdo heshtje e plagën e kthen në dritë, me krijimet që e mbështesin edhe kur MuRai rehatshëm mbështetet në to. Sepse maestro posedon mjeshtërinë e shkrimit dhe të rrëfimit të një vërtete të pamohueshme në fushën e letërsisë shqiptare. E kundërta, e shtrembëron parimin e interpretimit real të fenomeneve shoqërore që ndodhin brenda saj, në kohën e interpretimeve joreale.
Ai, thënë figurativisht takohet me vetveten vetëm në art e letërsi, duke e tejkaluar tellallin që ia bëjnë të tjerët. Qëndron brenda kufijve të vetvetes, të asaj që i thuhet e brendshme shpirtërore, e cila ia zgjatë jetën ky fakt që, mbase do të konsiderohet si vlerë e saktësisë objektive të një realiteti ekzistues.
MuRai shquhet edhe si njeri me kujtesë të habitshme, tepër të ruajtur në sirtarin e mendjes, njeri me memorie të papërsëritshme, sepse ato që lexova nuk ishin as të rastit, as të lexuara në dialog me autorin. Preftimet e Maestros, janë të atypëratyshme të çastit. Një histori e gjallë e një njeriu të gjallë të kohës! Të shpalos emra autorësh e vepra të lexuara pa numër është diçka e rrallë! E habitshme! Befasi çasti! Ndonëse për autorin Gashi këto kthesa nuk janë të pa pritshme, sepse tendenca që letërsinë si art, muzikën, pikturën, teatrin, filmin e shumëçka tjetër mund ta bëjnë vetëm shkrimtarët e vërtetë…
Komunikimi dialogetik si aftësi krijuese në artin shkrimor modern
Jam i prirur ta kuptoj, qysh autorit Gashi, i është dashur kohë për të kultivuar guxim e disiplinë pune mendore të pandërprerë, për t’i hyrë një sajese letrare kaq voluminoze, kur kihet parasysh se, para vetes ka një kolos të letërsisë, një encikolpedist erudit e avangardist shqiptar me emër e mbiemër dhe, jo vetëm si shkrues i letrave shqipe, apo si njohës i shkencës së gjuhësisë, por edhe i botës letrare në kuadrin e shkrimtarëve evropianë e botëror, ku, pa dyshim, edhe MuRai me veprat e veta mund të meritohet në mesin e më të mëdhenjve. Ndaj, kjo aftësi krijuese e Gashit për të komunikuar edhe nëpërmjet kësaj forme shkrimore e bën goxha të guximshëm e të pazëndësueshën në letërsinë tonë bashkëkohore.
Opinionet analitike e konceptuale, që MuRai i sjell me veprat e veta, por edhe të autorëve të tjerë, spikasin komparacionet e mendimeve që shpalosen në to, dhe paraqesin diagramin hapësinor të mendimit filozofik të tij. Janë këto raporte të vonuara për shkak të konfliktit letrar që kanë nxitë disharmoni/çrregullime/midis shkrimtarëve që kanë synuar progresivitet në artin e fjalës së shkruar dhe atyre me retorik të gabuar. Kjo kërkon çkapje nga një koncept i hidhur e dekadent. Andaj edhe perceptimet për jetën, çastet e përjetuara me emocione e ndjesi shpirtërore, bashkë me ca kriza shëndetësore, me të gjitha ngritjet dhe tatëpjetat e fatit të tij, përbëjnë një vargore të pandërprerë dëshpërimesh, rrebeshesh dhe mospajtimesh me pushtetin e shtëpive
botuese të kohës. Me këtë mendësi shoqërore MuRai s’u pajtua kurrë. Me botuesit, redaktorët dhe recensentet MuRai është i zhgënjyer tej mase. Hipokritet dhe hipokrizinë kurrë s’e deshti, ndaj ishte gati krejtësisht i anatemuar nga farsa e puthadorëve,moralistëve e aminaxhinjve të paskrupullt. Kjo e digjte përbrenda! E Kallte deri në palc!…S’e duronte dot një hermetizim letrar e burokratik. Të gjitha këto Gashi i kupton me bindje dhe i vendos në librin e tij si të zotuara për të vërtetën artistike objektive brendapërbrenda logjikës së komunikimit me Murai-n.
Ky dialog bisedor spontan i substancionalizuar konceptutalisht shpreh në vetvete një punë sizifiale, të palodhshme e me durim, një veprim intelektual, një artikulim vlerësues me bindje të thellë se, të vërtetat, kriteret dhe opinionet, gjykimet dhe përfundimet në fushën e letërsisë, do të thuhen e shkruhen mbi bazë të argumentimit të arsyetuar. Burimet argumentuese i ka të forta, të spikatura nga vet gjuha e angazhuar, duke e favorizuar me kuptimin e theksuar lëvizjen personale të mendimit me ide e stil të arsyetuar. Tek e fundit një perceptim i tillë është sfidues, kërkues dhe përpjekje për zbardhjen e ngjarjeve historike, politike, ekonomike, sociokulturore krijuese me theks të veçantë në vështirësitë, pengesat, mjegullimet dhe hipokrizitë në lëmin e krijimtarisë letrare nga individë të caktuar.
E vërteta si koncept i vetëkuptueshëm i vlerave avangarde në letërsi
Libri RrëfimeteMaestros shkruar nga Agron Y.Gashi, materializohet me 14 kapituj të artikuluar përmes intervistimit të hapur e miqësor, serioz, të sinqertë e të qartësuar me të vërteta të qëndrueshme deri në pambarim.
Në krye të çdo fillimkapitulli, autori Gashi qëllimshëm na paraqet portretin e avangardistit MuRai, mbase si një artikulim i “vetmisë sëjetës së tij…”
Po ashtu, në nismë të çdo kapitulli, përmes një teksti përmbledhës, e orienton lexuesin për atë që do të flitet a dialogohet, në mënyrë që ai/lexuesi/të mos bredhë poshtë e lartë duke kërkuar të zbulojë të vërtetën a thelbin e fjalës e të mendimit që është dhënë në përshkrim.
Pra, Gashi përpiqet të ndihmojë e lehtësojë qasjen për t’u futur e ambientuar më lehtë me esencën e substancës së materializuar në veprat e MuRai-t. Thënë shkurtë, një qasje e tillë as shihet, as shkruhet dhe as që marrin mundin të bëjnë një gjë të tillë autorët e tjerë. Me një fjalë, autori sikur i nxjerrë mesazhet nga heshtja, nga errësira, nga e padukshmja, nga fluiditeti, nga thirrja me jehonë shpirtërore, gjithnjë bën përpjekje për ta zbuluar vërtetësinë argumentuese të botës së MuRai-t, në të cilën jeton e për t’i dhënë vulë fjalës së shkruar ashtu si është, duke i hapur rrugë avangardizmit letrar artistik.
Përsiatja e MuRai-t, lidhur me atë se ”Çka thotë kush” e përgënjeshtron mendimi se “Kush e thotë”. Pra, thelbësore është përmbajtja në fakte e vepra të autoriteteve respektive, në fakte reale e jo në ndjenja emocionale, në interesa e përfitime, në kuptim të ”mirësisë” apo të “dobisë” së individëve të caktuar të kohës.
Shpeshherë përgjigjet e MuRai-t duken të pazakonta e të papritura, megjithatë me elokuencë e mendim të përzgjedhur, cilësor e gjuhësisht të ndërtuar, përcjell kuptimin e asaj që e flet, duke u zgjeruar dhe thelluar në brendi të substancës së trajtuar.
Jeta me zigzaget e saja, të cilat përpiqet t’i shpalos MuRai, gjatë dialogut bisedor, nuk kanë qenë mbresuese, as të lehta, sepse kërkesa e tij për një mendim të drejtë dhe të vërtetën si koncept i vetëkuptueshëm i vlerave avangarde në letërsi, mbase joabsolute, shpeshherë u është kanosur e pavërteta e favorizuar, rrena, gjykimet e gabuara dhe absurditeti nga qarqe të ndryshme madje intelektuale shqiptare.
MuRai është i guximshëm në trajtimin e temave më të ndjeshme për kohën, në veçanti kur bëhej fjalë për shpërnguljet e mëdha për Turqi, pastaj aksionin famëkeq të mbledhjes së armëve dhe ndëshkimet e rënda që ushtroheshin mbi popullatën e pambrojtur shqiptare gjatë viteve 1955/56 e tutje. E gjërat mund të harrohen nëse nuk vihen në letër, nëse nuk përjetësohen…
Veprat e MuRai-t nuk bën vetëm të lexohen, ato kërkojnë të rilexohen me pasion e kuptim, thotë autori Gashi.
Ato/veprat/ janë shumëdimensionale, të shkruara me theks të veçantë në vertikalen dhe horizontalen e mëtimit filozofik, me shumë brumë të shëndetshëm e shtrirje të gjithanshme e kuptimplote. Ndonëse lexuesit i duhet kohë për ta zbërthyer esencën domethënëse të tekstzimit avangardist të MuRai-t.
Gashi, me qëndrimin e tij të fortë, kuptohet në suaza shoqërore, kërkon detale në rrëfimet që i bënte MuRai në veprat e veta si në, Zezona, Fluroma, Eugjenika, Thirravaje, Vrapuesja e Prizrenit, Ligatina, Neurosis, Moisiu, Satana, Antiprocesionie ndonjë tjetër, që përbëjnë Librin bibliografik- opusin e tij letrar. Në gjithë substancën e krijimtarisë së MuRai-t, mbizotëron letërsia dhe shkenca gjuhësore.
Gashido të vërejë qysh kritiku letrar Mensur Raifi do të thotë: ”MuRai është individualitet me çdo kusht” dheshton: këtë e kam vërejtur qysh në librin e parë se je një individualitet, mirëpoekamshtuar atë “me çdo kusht”, sepsefillimi yt dallon nga të tjerët, “një fillim krejt i veçantë”.
Njëherit të habit fakti se MuRai e njeh shumë mirë sintaksën e fjalisë dhe, kur kësaj i shtohet morfosintaksa, fonosintaksa, leksikosintaksa, stili dhe estetika shprehëse, atëherë MuRai na del një orator e retor i rrallë, tërësisht i kompletuar, kurse letërsinë shqipe me vlerat e saja, e bën më të begatë kombtarisht e më të lexuar pakrahasimisht.
E bartja e fjalëve të MuRai-t ka qenë një punë e madhe, sepse jo vetëm njëherë por edhe dora e dytë apo e tretë kërkonte që shkrimi të jetë origjinalja e shpirtit të tij, mirë e strukturuar sintaktikisht dhe me të gjitha nuancat e një shkrimi artistik, pa ia shmangë as gjenë më të vogël.
Përndryshe, shkrimi dialogetik do të dilte vetëm një fasadë e gjithë asaj që nuk do ta dëshironte vet MuRai. Më tutje do të shprehet: “Për të shkruar për diçka a për dikend të nevojitet vetëm një fjalë që ngërthen, që ndryn në vete shumëçka, jo gjithçka, ama që mund të jetë fjala çelës, fjala enigmë, fjala guacë që mbanë përherë diçka brenda vetes”
E gjithë kjo mbanë në vetvete historinë e pasur letrare dhe biografemat e tij, si copëza të heshtura e të pathëna, duke e disejnuar mrekullisht e mjeshtërisht biografinë e “dëshpërimit” prej nga fillon edhe gjeneza e shumë veprave të tij me të njëjtin ton e ritëm modern avangardist.
Asnjëherë më parë nuk është portretizuar me aq madhështi, me aq frymëzim estetik e me kaq shumë dëshirë figura e MuRai-n, herë sipas veprave të shkruara, herë sipas fjalës së gjallë dialoguese, me përshtypjen se edhe kjo sajesë letrare do ta kompletojë fizionominë arkitekturale të një shkrimtari të madh avangardist postmodern, siç është MuRai.
Gashi, po ashtu nuk harron të përmend një plejadë të tërë shkrimtarësh shqiptarë, por edhe të huaj që kanë folur e shkruar për MuRai-n dhe krijimtarinë e tij letrare, në veçanti kritikët letrar si Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti, Mensur Raifi, e shumë të tjerë që kanë bërë emër në kritikën tonë letrare..
MuRai thoshte: “Këto që po i rrëfej, do të doja që t’i botoni pas humbjes sime. Atëherë kanë peshë e rëndësi. Pra, kur të kaloj në botën tjetër, të shpërndërrohem…”. Është ky amaneti i MuRai-t që do ta përsiatë autori Gashi me ndjenjën e përjetimit. Kjo nuk është lutje por kërkesë reale, të cilën duhet plotësuar. “Me vdek me kokë mbi dorëshkrimin. Kjo kishte me qenë fotografia ime e përjetshme”, e përfundon mendimin e vet MuRai, sakaq filozofik.
Refleksionet, mendimet, filozofinë dhe botën e brendshme të MuRai-t, autori Gashi sikur e ka peshuar dhe zbërthyer mirë e me shumë kujdes përmes dialogimit të çastit, pa imponim dhe krejtësisht spontanisht. Njëherit e kultivon dhe respekton fjalën, mendimin dhe shkrimin mbi bazën e normave unike standarde të gjuhësisë; i matur në qasje dhe i zhdërvjelltë në drejtimin e pyetjeve, prandaj ky dimension i të folurit apo të shkruarit vetvetiu ia imponon formën dhe stilin e ndërtimit të saktë të informacionit, strukturën sintaksore, stilistike dhe estetike të fjalisë se shprehur përmes teknikës së përmendur më sipër.
E gjithë kjo fal mjeshtërisë së formulimit të tekstëzimit shprehës të autorit Gashi, që, pa dyshim përkon me aftësitë, kulturën gjuhësore, përgatitjen profesionale në letërsi e art dhe në përgjithësi në shkencat stilistike, estetike, semiologjike dhe linguistiko-dialektiko-filozofike. Dhe, duke e parë këtë tek Gashi, lirisht mund të konkludojmë se, kjo inventivë ia përforcon edhe më tutje aftësinë e tij shkrimore.
MuRai thotë:“Jam në mes dy skejeve të jetës sime, reale dhe ireale, abstrakte dhe fiktive, irracionale dhe metafizike”. Ky diskurs retorik do të shpreh refleksione psikologjike, qëndrimin ekspresionist abstrakt, modernen e mendimit të papërfunduar dhe shpirtëroren e një intelektuali avangadist, i cili edhe më përtej të njohurës, në momente të caktuara duket sikur fillon komunikimin me të padukshmen, me hyjnoren qiellore, me fenomene të thella që, pak kush posedon aftësi shpjeguese, sikur MuRai..Të gjitha këto mendime spirituale të fshehura në librat e tij, Gashi i ka të harmonizuara bukur e me përmbajtje në librin e prezantuar, asgjë jashtë qëllimit, asgjë të rastësishmes…
MuRaiu shquhet edhe si njeri me kujtesë të habitshme, tepër të ruajtur në sirtarin e mendjes, njeri me memorie të papërsëritshme, sepse ato që lexova nuk ishin as të rastit, as të lexuara në dialog me autorin. Preftimet e Maestros, janë të atypëratyshme të çastit. Një histori e gjallë e një njeriu të gjallë të kohës! Të shpalos emra autorësh e vepra të lexuara pa numër është diçka e rrallë! E habitshme! Befasi çasti! Ndonëse për autorin Gashi këto kthesa nuk janë të papritshme, sepse tendenca që letërsinë si art, muzikën, pikturën, teatrin, filmin e shumëçka tjetër mund ta bëjnë vetëm shkrimtarët e vërtetë…
MuRai ka qenë i ndikuar nga teatri e filmi. Ka shkruar për historinë e teatrit, për dramaturgët, për regjisorët, për aktorët e mëdhenj si, Aleksandër Moisiun, Bekim Fehmiun e shumë të tjerë, për skenën e skenografinë, garderobën e ndriçimin, për të gjitha elementet e rëndësishme që e bëjnë teatrin teatër. Sepse siç thotë MuRai”Në teatër e kam parë jetën” Ai e do teatrin me shpirt e zemër! I do dërrasat ku shkelin me kujdes aktorët!..Të gjitha këto i ka aktualizuar përmes shkrimeve të shumta recensionale apo kritikës së qëlluar. Ai është kompozitor i shkëlqyer, një admirues i madh i muzikës dhe klasikëve të saj si: Bachu, Vivaldi, kurse Adagji-o është”himni i jetës sime”, do të shprehet MuRai. Edhe pikturën, të bukurën e saj e ka për zemër. Në veçanti i ndikuar nga i madhi Pikas-o e të tjerë.
Në faqen pa numër, Intermediale nis me fjalët: Duke pritë avangardistin Musa de Ramadani dhe shkronjën M të ndërtuar me fjalët domethënëse – hyjnore, pastaj me radhë: Labirinti numër 17(Testamenti i avangardistit të 70-ave), që enigmatizohet me tekstin mistik të padëshifruar për shumë lexues, e ku fshihet emri dhe mbiemri i MuRai-t. Prandaj, nëse lexohen
me kujdes fjalët: Më – rr.3., hapUr-rr.6, gjySmëkryq-rr.7, gjAshtë –rr. 8, ndëRmjet –rr.9, jAm-rr.1o, gjithëMonë-rr.11, dAl-rr.12, Diellit-rr.13, ngAdalë-rr.14, ShkronjëN-rr.15, I-rr.16.,(me shkronjë të madhe të shtypit), pastaj vizatimet (10 faqe) te stilit abstrakt/kubizmi/ me ngjasim të
Pikaso-s, viti 2 zero-zero 5./5-imisti dhe Zeroptimisti, 1hilisti dhe… numri magjik 7, katrori magjik 2205 v.p.e.s. 40 zogj-lufta – Liria –2 K-ja, shkronjat enigmatike. Rozeta dardane, Libri piktografik, si dhe fotografitë që portretizojnë MuRai-n me shikim të largët, të pafund e të mendueshëm!
Libri Rrëfimet e Maestros është i pasuruar edhe me shenja grafike me karakter simbolik që shpërfaqin diçka pa folur, në distancë të ndryshme kohore e hapësinore. MuRai përdor vizatimin si shkrim piktografik apo ideografik përmes të cilave tërthorazi shpreh idetë që trajtohen në shkallë të lartë abstrakcioni për objektin e paramenduar, duke i shoqëruar gjithnjë me shkrimin fonetik, ku numrat dhe tingujt fonemë me vlerë gjuhësore i përgjigjen simboleve piktografike dhe ideografike të caktuara. P.sh. Soditja e femrës nga ana e dy miqve:
Ky njeri soditë SYTH…KAT dhe KËMBËTHAT, tjetri THITH…KAT dhe VITHKAT!
Në gjithë materien lëndore të artikuluar në librin e Gashit, është i ngjizur kreativiteti, mjeshtëria e bërjes, stil të përzgjedhur, leksiku i pasur, sintaksa e fjalisë e qëlluar, por edhe vështirësitë e caktuara të cilat e arsyetojnë kuptimin domethënës të aktit bisedor.
Kjo shpjegon edhe artin që posedon autori. mbase arsyeja e vërtetë qëndron në leximin e drejtë të mendjes e të mendimit të MuRai-t.
Gashi, përmes Maestros flet për ndryshimet e mëdha që ndodhin apo duhet të ndodhin në letërsi, si theksim i domosdoshëm që kërkon letërsia shqiptare. Gjatë bisedës shihet qartë analiza e shkurtë e veprave të autorëve të mëdhenj evropianë e botëror, por që i mungojnë letërsisë sonë. Krahasimet, për të cilat flet MuRai gjatë dialogut, vë në pah të gjitha ngecjet dhe përparimet në krijimtarinë tonë letrare.
Ky libër i zhanrit bisedor dialogues është me interes të veçantë për letërsinë tonë artistike dhe në vetvete ushqen frymën e sinqertë të autorit Agron Y.Gashi, në raport me letërsinë avangardiste të MuRai-t, si ngjarje që tejkalon konceptin kohë – hapësirë me dëshmi mendimi të përligjur në estetikën letrare artistike, e zbërthyer me substancë të artikuluar përmes diskursit modern bashkëkohor dhe për të mbetur vepër me limite gjithëkohore në bibliotekën tonë dhe atë kombëtare.
“Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”, projekti më i ri i cili tanimë është bërë i njohur për artdashësit e sidomos për letrarët e rinj dhe që vjen nën organizimin e PEN Qendrës së Kosovës, tashmë ka shënuar natën e gjashtë me radhë, me ç’rast sonte u zhvillua edhe një bisedë e diskutim tjetër i rëndësishëm kulturor në hapësirën e KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.
Ky projekt origjinal gjithmonë sjell afër vetes një numër të pranishmëve të cilët çdo herë janë të interesuar rreth temave diversive që i përkasin fushës së letërsisë. Kësaj here ishte debati rreth temës “Gjuha e shkrimit letrar sot”, që zuri vend nën diskutimin e panelistëve dhe të pranishmëve.
Kur ora shënoi 17:00, për të diskutuar më gjerë rreth temës “Gjuha e shkrimit letrar sot”, në panel të ftuar ishin: profesori i Letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Anton Berishaj dhe shkrimtari Agron Gashi, të cilët nën moderimin e Avni Spahiut, në tavolinë shtruan analiza e shembuj mjaft të rëndësishëm në kuadër të kësaj mbrëmje letrare.
“Gjuha e shkrimit letrar sot”, është tema e radhës që vjen jo vetëm në interes të publikut por edhe të shkrimtarëve të rinj dhe jo vetëm. Të pasionuarit pas letërsisë patën rastin që të dëgjojnë nga afër rëndësinë e gjuhës letrare që shpeshherë vjen në forma të ndryshme dhe realisht mban një rëndësi kyçe në vetë ekzistencën e letërsisë, kjo për arsye se gjuha është vetë elementi që shërben për një komunikim të nevojshëm me lexuesin. Andaj, edhe sonte, roli i gjuhës në shkrimet letrare u shqyrtua tutje nga të ftuarit në panel.
Ndërkaq, kujtojmë se të gjitha punimet e pjesëmarrësve në panel do të botohen në një libër kur të përfundojë i gjithë projekti. Në këtë projekt të përfshirë janë gjithsej 22 intelektualë që do të flasin nga kontekste të ndryshme për tema të caktuara përgjatë muajit janar dhe shkurt.
Mbrëmjen e hapi moderatori Avni Spahiu, i cili fillimisht nisi këtë mbrëmje duke përshëndetur të pranishmit për prezencën e tyre dhe duke folur pak për temën që ai e cilëson si një nga më aktualet.
“Ju përshëndes të gjithëve në këtë ligjëratë të fundit të këtij cikli të ligjëratave në kuadër të temës bazë, që është Kultura dhe Letërsia në kohë pandemie. Ndërsa, sot kemi për temë çështjen e gjuhës së shkrimit letrar. Për mua është një temë mjaft aktuale jo vetëm në aspektin e përshkrimit të rëndësisë së gjuhës që një autor përdor për të krijuar veprën e tij letrare, por dhe në rastin konkret, edhe me çështje të tjera siç është kontestimi i standardeve dhe vlerësimet e tjera të përgjithshme”, thotë Spahiu.
Fillimisht në këtë mbrëmje për të treguar një anë më studimore për sa i përket gjuhës dhe shkrimit të letërsisë, definicioneve të saj dhe eksperimenteve të ndryshme, foli profesori i Letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Anton Berishaj.
“Korrelacioni i gjuhës dhe i letërsisë është i një rëndësie tepër të veçantë dhe fundamentale për vetë ekzistencën e letërsisë. Është qëndrim pothuaj konsensual në komunitetin e teoricienëve të letërsisë se nuk ka letërsi pa gjuhë, që këndej edhe definicionet: 1. Letërsia si art gjuhësor, respektivisht art i realizuar me gjuhë, por edhe 2. Letërsia si art i fjalës, respektivisht art që e formëson/modelon gjuhën, ku fjala nuk është vetëm një mjet i shprehjes dhe i komunikimit (të ideve, ndjenjave, botëkuptimeve etj.), por edhe mjet i formësimit/modelimit të gjuhës, kulturës dhe të botës”, thotë Berisha.
Sipas tij, me shfaqjen e poetikave moderniste dhe posaçërisht me shfaqjen e paradigmave teorike moderniste (formalizmi rus, kritika e re anglo-amerikane, fenomenologjia letrare dhe hermeneutika fenomenologjike), të cilat gjuhën – eksperimentin me gjuhën – e vendosin në qendër të vëmendjes, si në aspektin praktik, kreativ letrar, ashtu edhe në planin e spekulimit teorik dhe qasjes metodologjike në studimin e letërsisë, funksioni i gjuhës dhe relacioni i saj me letërsinë është trajtuar në dimensione shumë më komplekse, përtej funksionit të saj instrumental ose thjesht komunikues.
“Në paradigmën semiotike letërsia konsiderohet si një sistem modelues i shkallës së dytë, ku gjuha natyrore (me strukturën e saj komplekse) luan rolin e sistemit modelues të shkallës së pare, i cili strukturohet në dimensione shtesë nëpërmjet kodesh, procedimesh dhe konvencash (stilistike, zhanrore, metrike etj.) Prandaj, te ky tip i modelimit gjuhësor redundanca reduktohet në minimum, por po ashtu edhe entropia (zhurma në procesin e komunikimit). Letërsia e kuptuar kështu hyn në relacione dinamike me semiosferën, kulturën, të kuptuar si një shumësi tekstesh në relacione dinamike të ndërsjella”, përfundon Berisha.
Ndërsa, shkrimtari Agron Gashi foli rreth identifikimit të gjuhës së shkrimit letrar, nënkuptimit të gjuhës së letërsisë, teorisë së gjuhësisë si dhe koherencës e kohezionit, të cilat ai i konsideron si karakteristika të gramatikës së tekstit e që janë të kushtëzuara.
“Gjuha e shkrimit letrar është gjuha letërsisë, sintagmë që jo rrallë identifikohet me togfjalëshin gjuhë letrare. E para, gjuha e letërsisë është gjuhë e fiksionit, gjuhë e rrëfimit. E dyta, gjuha e letërsisë mund të jetë gjuhë standarde, por edhe dialektore. E treta, gjuha e letërsisë, në kuptimin klasik, nënkupton gjuhën e poezisë (Poetika e vjetër), të trillimit, dhe kjo e fundit zhvillohet duke i thyer rregullat drejtshkrimore. Ndërsa, gjuha letrare është kanon, rregull, është normë: qëndron mbi lirinë poetike e prozaike. Sidoqoftë, togfjalëshi gjuhë e letërsisë më së miri sqarohet përmes teorisë së gjuhësisë”, thotë Gashi.
Sipas tij, te format letrare të përbëra, gjuha narrative është më e ndërlikuar dhe më shpërndarë, sepse ka fraza më deduktive, strukturë më të zgjeruar të fjalive, por më pak koherencë dhe kohezion. Pra, përderisa, gjuha e formave të thjeshta letrare është më koherente dhe më kohezive, sidomos kur flitet për forma letrare më të shkurtra.
Ai tutje konsideroi se koherencën dhe kohezionin, karakteristika këto të gramatikës së tekstit, i kushtëzon zgjedhja e fragmenteve, prandaj shpesh ato e humbin karakterin e lidhjes së fortë të njësive tekstore. Pra, aty ku teksti narrativ ka koherencë dhe kohezion tematik e motivor, edhe gjuha është më konsistente, më e larmishme, njësitë gjuhësore janë më konstante. Gjithashtu, ai tregon se në tekstet e tilla narrative më lehtë identifikohet edhe gjuha e autorit, prej gjuhës së narratorit dhe asaj të personazhit.
“Shkrimi letrar sot, parë si vazhdimësi e shekullit të kaluar, pra nga vitet ’70-të, ’80-të dhe në shekullin e ri, nuk ka ndryshuar shumë në gjuhën e shkrimit letrar, sa në frymë dhe teknika narrative. Mirëpo, fryma dhe teknika narrative definitivisht ndikon në përthyerjen e gjuhës, ndërsa autorët që pas luftës së fundit kanë dalë në skenë, nuk kanë bërë ndonjë shpërthim të madh në gjuhë, por më shumë lojë frazash e figurash, por që përmes tyre i kanë dërguar shumë më lart idetë universale, temat e vogla dhe kultivuar teknikat narrative. Pa u ndalur në problemin e standardizimit, ajo që vërehet është prirja për të shkruar në variant dhe nënvariant, sidomos variantet dhe nënvariantet veriore, dhe kjo më shumë theksohet në poezi e më pak në prozë”, thotë Gashi.
Për të, nëse analizohet gjuha e shkrimit letrar sot, evidentohet dhe ilustrohet si në vijim: 1. Shkrimi letrar me gjuhë metonimike e diskurs anekdotik. Ky është modeli i Pashkut, model i ndjekur sidomos nga dy tre autorë vitet ’90-të (Kujtim Rrahmani “Taksa e Gjumi”). 2. Shkrimi letrar me gjuhë e diskurs historik, të cilën e vazhdon edhe sot (Ibrahim Kadriu, Zejnullah Rrahmani, Jusuf Buxhovi etj.) 3. Shkrimi letrar me gjuhë e diskurs eseistik me (Rexhep Qosja, Mehmet Kraja etj.) 4. Shkrimi letrar me gjuhë e diskurs filozofik (Zejnullah Rrahmani, Gëzim Aliu, Eqrem Basha) 5. Shkrimi letrar me gjuhë e diskurs simbolik (Sali Bashota me prozat poetike, Zejnullah Rrahmani me fragmente të shkurtra prozaike, Ibrahim Berisha me tregime) 6. Shkrimi letrar me gjuhë e diskurs imazhist, një realizëm i ri metamodernist (Binak Kelmendi, Ardian Haxhaj, Adil Olluri, po edhe Mehmet Kraja, Rexhep Qosja) 7. Shkrimi letrar me gjuhë e diskurs me gjuhë e diskurs sintetizues, herë në dialekt, e herë në idiolekt (Ag Apolloni, Ballsor Hoxha, Halil Matoshi) 8. Shkrimi letrar me gjuhë e diskurs dokumentues (Ibrahim Kadriu, Jusuf Buxhovi, Mehmet Kraja, Ag Apolloni) 9. Shkrimi letrar me gjuhë e diskurs politik (Rexhep Qosja, Jusuf Buxhovi, Mehmet Kraja).
“Gjuha e poezisë kushtëzohet nga liria poetike. Mirëpo, këtë e përcakton edhe koha e shkrimit. Pra, e përgjithshmja është gjuha figurative. E veçanta është dialekti e sidomos idiolekti. Megjithatë, përfaqësimi i varianteve gjuhësore zakonisht bëhet me autorë të periudhave më të hershme letrare. Gjuha e poezisë sot, është më deklarative, është edhe metonimike. Evokon, por ajo edhe rrëfen, jo si te poemat e mëdha romantike. Poezia e viteve të fundit është stisur edhe me një narracion diku më shumë e diku më pak, për të mos thënë kah një tis të lehtë fabulativ. Dikur në poezi ka qenë gjuha dhe diskursi mitik, po aq edhe nacional. Sot kjo gjuhë a diskurs është më i vogël, por më i madh narracioni”, përfundon Gashi.
Pas përfundimit të fjalimeve nga të dyja palët, bisedua u zgjerua edhe më shumë atëherë kur publiku u ftua për t’iu bashkangjitur diskutimit, përderisa shkrimtari dhe publicisti, Ibrahim Berisha, prozatori, përkthyesi dhe publicisti, Binak Kelmendi dhe shkrimtari Ibrahim Kadriu, zgjeruan bisedën tutje me mendime individuale të tyre të shprehura lehtësisht nën atmosferën e ngrohtë të krijuar mes publikut dhe panelistëve.
Ndërkaq, projekti “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” do të mbahet deri në fund të muajit shkurt, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 17:00, do të debatohet rreth temave si: Letërsia dhe teknologjia, Letërsia e gruas, Roli i letërsisë në periudha krizash dhe Letërsia e përkthyer.
Kujtojmë se deri më tani janë trajtuar temat si: Liria dhe e drejta e autorit dhe Botimi, Vlerësimi i letërsisë sot dhe Libri, Leximi dhe Biblioteka, Krijimtaria letrare në periudhën e pandemisë, Komunikimi ndërkulturor dhe Gjuha e shkrimit letrar sot.
Projektin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit së Republikës së Kosovës. / KultPlus.com
Mbrëmë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery u përkujtua figura e Musa Ramadanit, një krijues i veçantë i letërsisë bashkëkohore shqipe që la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e çdo njeriu të pranishëm në mbrëmjen letrare që i dedikohej këtij poeti, dramaturgu, përkthyesi e shkrimtari unik, siç ishte vetë ai. Për publikun, ky përkujtim erdhi në kuadër të aktiviteteve letrare të organizuara nga PEN Qendra e Kosovës, e që shënon edhe fundin e këtij edicioni, shkruan KultPlus.
Për të nderuar Ramadanin, në panel të ftuar ishin të ftuar: profesori i Letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Osman Gashi dhe shkrimtari Agron Gashi, nën moderimin e Ibrahim Berishës, të cilët diskutuan e shpalosën para publikut me një nostalgji të madhe se çfarë vlerash të mëdha kishte dhe vazhdon t’i ketë Ramadani dhe vepra e tij.
Mbrëmjen e hapi moderatori Ibrahim Berisha, i cili Ramadanin e konsideronte si një shkrimtar i cili ishte i përkushtuar vazhdimisht në fushën e kulturës. Ai identifikohej me përzgjedhjen e vazhdueshme të teatrit e ishte i spikatur për lidhjet e tij me atë se çfarë ka ndodhur me fushën e dramës. Ndërkohë, poezia e proza cilësohen si fokuset kryesore të krijimtarisë së Ramadanit.
“Me cigaren në dorën e majtë e kapelën që e mbante çdo herë, përherë me një libër në dorë, Ramadani ishte i vetmuar por shumë miqësor, i dashur vazhdimisht, krenar dhe gjithmonë i gatshëm të bisedojë për letërsi e çështje kulturore”, kujton Berisha Berisha para se t’iu ipte fjalën dy panelistëve.
Pastaj, duke e cilësuar Musa Ramadanin si ‘Avangardisti i Kosovës’, shkrimtari Agron Gashi e lartëson figurën e autorit i cili për të duket se ka sjellur një frymë të re në të gjitha zhanret letrare.
“Musa Ramadani, aristokrat në jetë e në letra, rreth pesë dekada më parë solli një frymë të re në të gjitha zhanret letrare: poezi, prozë, dramë, kritikë teatri dhe gazetari. Ai përherë ishte dhe mbeti konsistent në veprime e brilant në shkrime. Musa Ramadani jetën e bëri art, dashurinë, dhimbjen-letërsi. Dhe s’kishte se si të ishte ndryshe: Mik i Pashkut e i Teki Dervishit, i Beqir Musliut dhe i Jusuf Gërvallës, i Bekim Fehmiut, i Rugovës, dhe i shumë të tjerëve, që janë në amshim, por edhe në mesin tonë, e që ngushëllohen me librin e tij të gjallë. Musa Ramadani ishte sharmi dhe eleganca e këtij brezi. Ndaj, jeta dhe vepra e tij është një simbioze identitetesh e personalitetesh letrare, për të qenë vetë krejt unik, në kulturë e komunikim, kërkues dhe eksperimentues i madh, përgjithmonë i hapur ndaj frymës letrare evropiane”, thotë Gashi.
Sipas tij, Musa Ramadani ka lënë një bibliografi të pasur që kap mbi gjysmë shekulli krijimtari letrare, nga viti 1969 e deri më sot. Fitues i shumë çmimeve, vepra e Musa Ramadanit është cilësuar si e gjerë dhe e shumanshme, në prozë, poezi, pikturë, kritikë teatri, muzikë dhe gazetari.
“Shkrimtari Musa Ramadani ka motivuar që letërsia bashkëkohore shqipe të pasurohet me laramani formash, teknikash të rrëfimit e të shkrimit poetik. Kështu, vepra e tij paraqet një enciklopedi formash letrare, duke lëvizur nga dokumentariteti te fiksionaliteti i thellë. Ajo është e hapur ndaj teksteve dhe mediumeve të ndryshme, si: muzikës, pikturës, kinematografisë. Mirëpo, kur kritika dhe lexuesit menduan se Ramadani i kreu të gjitha provat e eksperimentimit në të gjitha zhanret, ashtu si sivëllezërit e tij letrarë, pikërisht kur në Kosovë u riaktualizua zezona si fatum, Ramadani shpërtheu me një tjetër model romani, roman sintezë siç është Antiprocesioni (1997), të cilin edhe vetë autori e ka cilësuar si roman metafizik, sintetik dhe mistik”, thotë ai.
Për Gashin, autori me poezinë e tij personale e mitike, herë me shenja autobiografike, herë me finesa filozofike, shënjon një hap me tutje drejt një avancimi të gjuhës poetike. Kësisoj, Ramadani është nismëtar dhe përfaqësues i poetikes voko vizuale, sinjalistike dhe intermediale në letrat shqipe.
“Shkrimtari Musa Ramadani me prozën e tij, qoftë ajo sipas skemës klasike, moderne e postmoderne, letërsisë shqipe i ka dhënë modele të veçanta dhe krejtësisht autentike. Ajo është letërsi e erudicionit të thellë me elemente të theksuara moderne dhe postmoderne. Proza e tij, përveç tjerash, përfaqëson më së miri golgotën shqiptare, siç është romani Zezona, e cila trandi pushtetin politik dhe për katër vjet mbeti e mbyllur nëpër sirtarë të zyrave të ish sistemit”, përfundon Gashi.
Ndërsa, për të treguar më thellësisht për prozën e shkurtër të Musa Ramadanit, foli profesori i Letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Osman Gashi.
“Musa Ramadani është pa dyshim një nga krijuesit më të veçantë të letërsisë bashkëkohore shqipe të këtij krahu, një nga shkrimtarët më produktivë – romancier, dramaturg, poet, tregimtar, kritik teatri, publicist e përkthyes. Është i veçantë për shkak të vëllimit të veprave letrare, por para së gjithash, për shkak të risive që ka sjellë në të gjitha veprat e tij e që përgjithësisht janë në linjë me zhvillimet në letërsinë evropiane e më gjerë. Në fushë të poezisë, përveç tjerash ai e çon deri në skajshmëri tipin e poezisë associative, eliptike si dhe fut ndër të parët të ashtuquajturën poezi vokovizuale e kaligramin. Në prozë shquhet për asimilimin e teknikave moderne e postmoderne të shkrimit, monologun e brendshëm, kodimin e dyfishtë, asociacionin e introspeksionin, pastishin etj. Me disa tipare që e karakterizojnë, proza e shkurtër e Ramadanit na e kujton prozën e Borhesit e të Dino Buxatit, duke pasur parasysh elementet esesistike, përzierjen e mitit, historisë e letërsisë, misterin, fantastiken etj”, thotë Gashi.
Sipas tij, Musa Ramadani ka qenë përkthyes i çmuar duke pasur parasysh prurjen e veprave të shkrimtarëve të njohur në gjuhën shqipe, si: Per Lagerkuist, Jezhi Andzhejevski, Dino Buxati dhe disa shkrimtarë të Lindjes ndër të cilët duhet veçuar romanin “Legjenda mbi Araratin” të autorit turk Jashar Qemal dhe “Bufi i verbër” të Sadek Hedajat, I cili është quajtur edhe Kafka I Lindjes. Nuk duket të jetë e rastësishme përzgjedhja e veprave nga këto letërsi, madje raporti i tij me Letërsitë e Lindjes shpesh sikur shndërrohet në një preokupim të përhershëm a obsesion.
“Temat e motivet kryesore që trajtohen në tregimet e tij janë: jeta e preokupimet e njeriut nga ambienti urban, njerëzit e margjinave, të braktisurit, pleqtë, gratë, kotësia, dilemat e njeriut të thjeshtë, përpjekja për shkëputje e distancim nga jeta publike si dhe a ajo politike. Që nga viti 1969, kur botoi veprën e parë, vëllimin me poezi “Mëkatet e Adamit”, Musa Ramadani u shqua si një individualitet krijues karakteristik me një botë të veçantë preokupimesh e observimesh artistike. Libri me tregime “Satana ma vodhi gurin e urtisë”, i botuar më 1987 shpreh një avancim të dukshëm në planin përmbajtësor, tematik e stilistik të krijimtarisë së deriatëhershme të M. Ramadanit. Gama e interesimeve tematike të autorit është mjaft e gjere. Të tetëmbëdhjetë tregimet e këtij vëllimi na e shpalojnë një botë specifike, në dukje të parë të përshkruara me gjuhën e përditshmërisë, por ku fshihet tendenca për alegorizim e aluzione të mirëfillta”, thotë ai.
Për Osmanin, Musa Ramadani me sukses ka risemantizuar dhe riformësuar motivet e letërsisë sonë popullore, veçanërisht në tregimet: “Tri dritaret” dhe “Pogaçja e gurtë”.
“Në tregimin e fundit të përmbledhjes “Satana ma vodhi gurin e urtisë”, autori ka vënë në spikamë dukurinë e shpërnguljes, jo duke e përshkruar atë, por përmes pasojave të mëvonshme që lë kjo dukuri në psikën e njerëzve. Takimet pas një kohe shumë të gjatë gjithsesi janë të dhembshme. Ato kurrsesi të vihen në raporte afrie e të natyrshme. Studiuesi amerikan i letërsisë Harold Blum i kishte identifikuar dy lloje tregimesh: ato që rrjedhin nga Çehovi dhe ato që rrjedhin nga Borhesi. Cili lloj dominon deri sot në letërsinë shqipe, nuk mund ta them tash me siguri, por jam i bindur se në thelbin e tregimit të Musa Ramadanit nuk qëndron trashëgimia e Çehovit”, përfundon Osmani.
Ndërkaq, në një mbrëmje letrare si kjo, përveç mendimeve të artikuluara dhe analizave letrare të shpalosura me radhë nga paneli, tutje nga të pranishmit u treguan histori të veçanta e kujtime të cilat vështirë se harrohen ndonjëherë.
Në anën tjetër, kësaj mbrëmjeje nuk i mungoi as fryma poetike e që mbrëmë erdhi pikërisht nga dy studente të Degës së Letërsisë si: Edlira Musliu dhe Festina Krasniqi, të cilat në një kontrast të dallueshëm nga njëra-tjera, po aq edhe të veçantë, para publikut recituan poezitë: ‘Manët nuk harrojnë’, ‘Miqtë e mi memecë’, ‘Një mëkat pranvere’ si dhe ‘Molla e Eridës’, duke bërë kështu që jehona poetike e autorit të dhurojë shkëndija frymëzimi tek të pranishmit.
Ky ishte aktiviteti i shtatë me radhë dhe njëkohësisht i fundit në kuadër të projektit të sivjetmë “Ora e Shkrimtarit2” e PEN Qendrës së Kosovës.
Më parë janë përkujtuar shkrimtarët si: Latif Berisha, Enver Gjerqeku, Azem Shkreli, Rrahman Dedaj, Din Mehmeti dhe Ramiz Kelmendi. / KultPlus.com
Jusufi i këngës, i lapsit e letrës, shkrimtari e poeti, zëri i këngës shqipe, por edhe veprimtari i çështjes kombëtare, për disa minuta që ishin pak, u bë i gjallë në mesin e të pranishmëve që kishin zënë karriget për të marr pak nga ajo që Jusufi la pas. Dikur fëmija i një fshati të vogël, kurse sot një ndër krenaritë më të mëdha, Jusuf Gërvalla, shënoi një tjetër përkujtim, natën e dytë të nëntorit, në ambientet e ngrohta të KultPlus Caffe Gallery, në kuadër të Orës së Shkrimtarit të organizuar nga PEN Qendra e Kosovës, shkruan KultPlus.
“Lajmin për vrasjen e Jusufit e mora në Algjer ku gazetarët shqiptarë të Kosovës me gazetarë jugosllav qëndronin për një vizitë. Dhe lajmi më shokoi shumë. Por më shumë se lajmi më pati shokuar gëzimi i gazetarëve të Beogrdit tek flisnin me britma ngazëllimi rreth vrasjes së tij”, tha kështu Binak Kelmendi, teksa bëri hapjen e ‘Orës së Shkrimtarit’, natës së Jusufit e veprës së tij.
Ndonëse me një fat tragjik, Jusuf Gërvalla i fali letërsisë shqipe poezi, përkthime e romane që i qëndruan kohës, po njëlloj si vetë figura e Jusufit. Por, për poeten Naime Beqiraj, Jusufi, sikur të mos kishte një fat të tillë, Jusufi krahas letërsisë, do t’i dhuronte artit edhe vetë kombit shqiptar një shije ndryshe për muzikën, zëri tij do t’na bënte të dashuronim rishtas.
“Por, u këputën krahët e poetit për tu kthyer në një marathonomak, një luftëtar që nuk u harrua asnjëherë. Brezat u ndërruan, emrat u harruan, edhe mbiemrat, por letërsia mbet. Ashtu siç mbeti i ri, vetëm 36 vjeçar – Jusuf Gërvalla”, tha me zërin përplot emocione poetja.
Beqiraj theksoi faktin se poezia e Jusufit, e rikthen lexuesin në fëmijërinë e vet autorit. Sipas saj, sikur Jusufi t’i përkushtohej më shumë poezisë, sot nën emrin e tij do të ishin të jetësuara poezi edhe më të arrira.
“Mjeshtër i përzgjedhjes së fjalëve, i ndërtimit të togfjalëshave, Gërvalla, po t’i ishte përkushtuar poezisë, sot do të kishim nën emrin e tij krijimtari të bollshme e poezi edhe më të arrira. Fëmijëria, herë e nxjerrur jashtë hullinave, herë e thelluar në hullinat e saj bashkë me hithërat që ia djegin këmbët fëmijës ëndërrimtar, e risjellin në një ditë kur do ta ndiqte rrugën e dëshirave të veta, do të bëhej poet plot muzikalitet kur do të shkruante për fëmijërinë”, shtoi ajo.
Jusuf Gërvalla nuk shkroi vetëm për fëmijërinë, fjalët që hidhte në letër nuk i dhanë jetë vetëm fshatit ku ai jetoj jetën. Fëmijës të kullës së Dubovikut, të pashlyer në kujtesë, e mbi të gjitha kujtimet e veprimtaritë e tija, qëndronte Nëna Ajshe.
E për poeten Beqiraj, pikërisht nëna e Jusufit ishte ajo që u kthye në simbol të qëndresës, Ajshen që lexuesi para se ta njihte si qënderstari, u njoftua me Nënë Ajshe, personazhin poetik, të letrave, poezive e këngëve të Gërvallës.
“Ajo grua e cila u kthye shënjesë e qëndrestarisë, ishte person i gjallë, i prekshëm, ajo grua e cila pas vrasjes së të bijëve, e dyfishoi ashtin e qëndresës e të kujtesës dhe u bë ngushllimtare e qindra nënave shqiptare që i humbën bijat e bijtë për ta luftuar armikun. Nënën Ajshe, lexuesi, më parë e njohu si personazh poetik, pastaj si qëndrestari”, theksoi Beqiraj.
Naime Beqiraj shtoi se Jusuf Gërvalla mbetet poet, shkronjës e artist. Ai arriti që ti shoqëronte vargjet e tij me atmosferë muzikore, përshkrimi i të cilave krijoj në mënyrë vizuale katër dimensione. Ai ishte autori modern i kohës, por edhe një këngëtar modern i tingujve.
Poetja vuri në pah faktin që ndonëse për vrasjen e Jusufit është shkruar shumë, madje janë krijuar edhe dokumentar, këngë e intervista, fati i krijimtarisë së tij poetike ishte ndryshe. Kompleti i librave të tij që u botua një herë të vetme, sot nuk arrin të gjej vend në librari, e të rralla janë rastet kur ato i gjen në bibliotekat publike.
“Veprimtaria ta quajmë atdhetare, jetën e Jusufit e ndau në dysh. Përgjatë këtyre gati katër dekadave është shkruar aq shumë për aktin e vrasjes së Jusufit me vëlla e me shok, janë punuar dokumentarë, janë bërë këngë e intervista, akademi e komemoracione, tubime e përvjetorë, janë shkruar libra: romane, novela, drama e mijëra poezi, por është botuar vetëm një herë kompleti i librave të tij. Librat e Jusufit nuk gjenden as në librari, e rrallë në biblioteka publike”, përfundoi poetja, Naime Beqiraj.
Ndërkaq Agron Gashi tha se Gërvalla më mirë se kudo tjetër, la gjurmë në poezi. Sipas tij poezia e Jusuf Gërvallës vie me e pasur me figura, por edhe më e pasur për nga ana stilistike.
“Jusuf Gërvalla më mirë se ku tjetër la gjurmë në poezi. Poezia e Jusuf Gërvallës parë në kontekstin kohor a hapsinorë, përgjithnjë vjen më e ardhun si nga figuratika në t’menduem, ashtu edhe për nga stilistika në të shprehun, gjithnjë duke latue vargun e shkri fjalën”, pohoi Gashi.
Tutje ai shtoi se Gërvalla ishte edhe erudit, veprat e të cilit vënë në pah figurën shumëdimensionale të tij. Sipas tij vepra letrare e Jusuf Gërvallës është shpirti i tij që ka mbetur gjallë në jetë, zëri prej këngëtari, poeti, prozatori, kitaristi e piktori.
“Jusuf Gërvalla ishte erudit. Vepra e tij, duke qenë e gjerë dhe e larmishme, vë në pah figurën shumëdimensionale të tij, si publicistin e regjur e këngëtarin e ndejës së hollë. Në tanësi, vepra letrare e Jusuf Gërvallës është shpirti i tij i mbetur gjallë në jetë, është zani i tij prej këngëtari, poeti e prozatori, kitaristi e piktori, është zani i thelllë i medituesit të madh”, përfundoi Agron Gashi.
Përkujtimi për Jusuf Gërvallën ishte mbrëmja e gjashtë e PEN Qendrës së Kosovës që mbahet në kuadrin e projektit “Ora e Shkrimtarit” që përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Një mbrëmje që ngërtheu shumë emocion e nostalgji.
PEN Qendra ka paraparë edhe katër mbrëmje përkujtimore për shkrimtarët e ndjerë që do të mbahen gjatë javëve në vijim./ KultPlus.com
Nesër, duke filluar nga ora 17:00 në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, PEN Qendra e Kosovës organizon një mbrëmje kulturore në kujtim të shkrimtarit, poetit, këngëtarit e veprimtarit Jusuf Gërvalla.
Për veprën e gjithanshme të Gërvallës, do të flasin Naime Beqiraj dhe Agron Gashi, ndërkaq mbrëmja do të udhëhiqet nga Binak Kelmendi.
Përkujtimi për Gërvallën është mbrëmja e gjashtë e PEN Qendrës së Kosovës që mbahet në kuadrin e projektit “Ora e Shkrimtarit” që përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
PEN Qendra ka paraparë edhe katër mbrëmje përkujtimore për shkrimtarët e ndjerë që do të mbahen gjatë javëve në vijim. / KultPlus.com
Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Paqes, KultPlus, mbështetur nga UN Women ka shpallur të hapur konkursin “Poezi për Paqe” ku në adresën e KultPlusi-it çdo ditë kanë ardhur një numër i madh i poezive.
Konkursi
ishte i hapur për të gjitha poetet gra dhe vajza të të gjitha moshave, dhe
komuniteteve në Kosovë.
Aplikimet janë vlerësuar nga juria profesionale e përbërë nga profesori dhe poeti i njohur Sali Bashota, studiuesi dhe shkrimtari Agron Gashi dhe studiuesja dhe gazetarja Jeta Zymberi, të cilët edhe kanë zgjedhë 20 poezitë më të mira.
Autoret e
këtyre 20 poezive ditën e martë janë bërë pjesë e një takimi të përbashkët dhe
punëtorisë për të elaboruar më shumë mbi poezinë, por edhe për të lexuar
poezitë e tyre të cilat janë përzgjedhur si më të mirat e këtij edicioni.
Selektimi i
këtyre poezive tashmë ka kaluar në dhjetë prej tyre. Në këtë dhjetëshe janë përzgjedhur:
Albina Rushiti, Kaltrina Pacolli, Albana Muja, Vlora Konushevci, Fjolla Avdylaj,
Alketa Spahiu, Festinë Avdiu, Tinka Kurti, Diana Basholli, Burbuqe Latifi.
(Renditja e emrave është rastësore).
Më datë 6 nëntor,
në ora 19:00, në KultPlus Caffe Gallery do të mbahet edhe nata finale e
konkursit “Poezi për Paqe” ku do të jenë të pranishme autoret e 10 poezive të përzgjedhura.
Në këtë mbrëmje poetike, autoret do ti lexojnë poezitë e tyre para të pranishmëve
dhe krejt në fund juria do të shpallë vlerësimin për tre poezitë më të mira të
këtij konkursit cilat edhe do të shpërblehen nga organizatorët.
Ky aktivitet është pjesë e projektit “Youth for Kosovo” mbështetur nga UN Peacebuilding Fund, dhe zbatuar nga UN Women, UNDP-UNV dhe UNICEF. /KultPlus.com
Sot, në ditën e lindjes së Franc Kafkës, ju kujtoj këtë roman të Musa Ramadanit, i cili ishte fitues i Çmimit “Kadare” për vitin 2017.
Musa Ramadani, çmimin e mori të plotë, pra nuk iu nda. Ndërsa, paratë, vetëm një pjesë, edhe pse ky çmim (me kontratë) êshtë 10 mijë euro. Pra, shkrimtari ynë, i sëmurë, vetëm ata që e njohin e dinë, shkoi për t’u nderuar, por edhe për t’i nderuar, në Tiranë, çmimin e mori, iu dha edhe kontrata, por “pjesa tjetër e çmimit”, u avullua. Vërtet kjo është e padrejtë, aq sa e padrejtë të luhet me çmimin dhe emrin Kadare!!! P.s. mediet mund ta verifikojnë. Plotësim: Ky status u bë pas rikonfirmimit për të satën herë nga vetë Musa Ramadani.
****
“Romani i Musa Ramadanit i titulluar “Profeti nga
Praga” është roman për fatin e artistit në përgjithësi dhe shkrimtarit Franc
Kafka në veçanti.
Shkrimtari hebre-gjerman-çek, Franz Kafka, pas 41 vitesh nga humbja, në 82-
vjetorin e ngjizjes, krejt befas rishfaqet në vendlindjen e tij. Vizione krejt
të vonuara, copëza reminishencash nga takimet me mikun e humbur, kthimi në
shtëpinë e lindjes, fanitjet, kujtimet fëmijërore etj. bëhen objekt trajtimi të
këtij romani.
“Profeti nga Praga” ka elemente dokumentare, i ndërtuar pjesërisht mbi shenjat
biografike të Kafka-s, por edhe metafizike dhe mistike. Mbi të gjitha,
procedimi i romanit në fjalë është realizuar sipas strukturës së skenarit të
një filmi të metrazhit të gjatë, ku Ramadani shtrin vokacionin e tij narrativ
prej pikëvështrimesh të ndryshme narratologjike.
Krejt narracioni ndodh në kohën e tashme, përmes së cilit Kafka si njeri, si
shkrimtar dhe si personazh rikthehet në moshën që ka vdekur, duke kërkuar
vendet që i ka dashur, një rinjohje kjo me miqtë, librat, të dashurat dhe
familjarët. Ai herë del në rolin e narratorit, herë në rolin personazhit, duke
e veshur romanin kështu me një tis të madh fiksional, por gjithnjë duke i
ruajtur të sakta referencat kontesktuale, si: emrat e njerëzve, rrugëve,
lokaleve, librarive, muzeumeve dhe toposeve të tjera, një empiri kjo autoriale
e Ramadanit alla Umberto Eco, e provuar me kërkimet e tij për “Lavjerrësin
e Fukosë”.
“Profeti nga Praga”, edhe pse në dukje fokusohet te një
personazh, rreth tij sillen shumë storje për artin, kulturën dhe letërsinë
evropiane. Autori, me erudicionin e tij na ofron një prozë që i ngjan një
enciklopedie letrare me referenca të llojllojshme nga Talmudi, Zohari e Tora e
deri te librat në gjuhën çeke, gjermane dhe hebraike. Duke qenë i tillë, në të
gëlojnë format dramatike, muzikore, letërsia epistorale, imazhet
kinomatografike për t’i dhënë konturat e një romani sintezë të kulturës dhe
letërsisë së përbotshme, e që figurativisht ka intencë të paraqesë edhe fatin e
artistit në botën shqiptare. Strukturalisht, romani kapërthen tri plane: Kafka
si rrëfimtar i jetës së tij, Kafka në relacion me qarqet letrare e kulturore të
Pragës dhe Kafka në relacion me familjen.”