Agron Kuka anëtar i bordit të Federatës Evropiane të Xhudos

Trajneri i xhudos, Driton Kuka ka bërë të ditur se zyrtarisht Agron Kuka është bërë anëtar i bordit ekzekutiv të Federatës Evropiane të Xhudos, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook, ai ka shkruar se Agron Kuka do të ketë detyrën specifike të drejtorit sportiv.

“Xhudo e Kosovës ka vlera që i njeh Evropa. Ngjarje me rëndësi për sportin e vendit tonë. Urime kryetarit të federatës tonë për postin, post ky i ofruar nga tashmë presidenti i EJU, Laszlo Thot marrë parasysh vlerësimin që ata bajnë për xhudon e Kosovës”, ka shkruar ai. /KultPlus.com

Kryetari Hyseni pret në takim drejtues së Federatës së Xhudos: Tashmë e kemi identifikuar vendin për ndërtimin e palestrës së xhudos

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me përfaqësuesit e klubit të xhudos – Gjilani, ka pritur sot në takim një delegacion të Federatës së Xhudos së Kosovës në përbërje, Agron Kuka – kryetar, trajnerin e njohur Driton Kuka dhe kampionen olimpike dhe krenarinë e sportit kosovar, Majlinda Kelmendi.

Kryetari Hyseni tha se temë kryesore në takim ka qenë mundësia e bashkëpunimit dhe ndërtimi i palestrës së xhudos në Gjilan.

“Unë e njoftova kryetarin e Federatës për gatishmërinë e Komunës për bashkëpunim, ndërkaq ne veç e kemi identifikuar vendin ku mund të bëhet ndërtimi i palestrës së xhudos. Na mbetet që bashkë me MKRS-në të dakordohemi edhe për pjesën e ndërtimit dhe finalizimit të projektit. Me vullnetin që e kemi për ta përfunduar këtë punë, besojmë që Gjilani do të jetë njëra prej komunave ku do të bëhet ndërtimi i kësaj palestre e shpresojmë që do të nxjerrim edhe ne kampionë olimpikë”, ka thënë kryetari Alban Hyseni.

Në emër të Federatës së Xhudës ka folur kryetari i saj, Agron Kuka, i cili e ka falënderuar kryetarin Hyseni për pritjen dhe për lajmin e mirë për gjetjen e parcelës për ndërtimin e palestrës së xhudos.

“Duke e ditur faktin që jemi për një qëllim të mirë, për promovimin dhe zhvillimin e sportit të xhudos, e falënderojmë kryetarin për gatishmërinë e tij dhe të Komunës së Gjilanit për ndarjen e një parcele për ndërtimin e një palestre specifike për sportin e xhudos. Uroj që ky projekt të realizohet sa më shpejt dhe klubi i xhudos Gjilani të ketë një hapësirë adekuate për zhvillimin dhe avancimin e sportit të xhudos”, ka thënë Kuka. / KultPlus.com

Vlora Dumoshi pret ekipën e xhudistëve të Kosovës që fituan normën olimpike për në ‘Tokyo 2020’

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur sot në takim kryetarin e Federatës së Xhudos të Kosovës, Agron Kuka, përzgjedhësin e Kosovës në xhudo, Driton Kuka si dhe xhudistët që kanë fituar normën olimpike për Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

Ministrja Dumoshi fillimisht ka uruar Distria Krasniqi për medaljen e artë dhe Nora Gjakova për medaljen e bronztë në Grand Slam-in e xhudos që u mbajtën më 8 e 9 shkurt në Paris të Francës. Po ashtu ajo u shpreh e lumtur për punën dhe suksesin që po e tregojnë xhudistët në gara të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.

“Vajzat dhe djemtë tanë po na bëjnë krenarë me punën luftarake të tyre, në lojërat të ndryshme ndërkombëtare dhe ky suksese nuk do të ishte po të mos kishin mbështetjen dhe përkushtimin tuaj si tuaj si trajner”, tha ministrja Dumoshi, duke theksuar faktin se me sukseset e arritura, xhudistët e Kosovës po i bëjnë nder vendit dhe po e promovojnë e forcojnë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Unë si ministre mbetem e përkushtuar që të jem gjithmonë mbështetëse e fuqishme e sportit. Duke pasur parasysh që këtë vit i kemi edhe lojërat olimpike, është e rëndësisë së veçantë që vendi ynë do të përfaqësohet sa më suksesshëm me garuesit e saj në Tokyo të Japonisë duke e dëshmuar edhe njëherë që kemi talente në sport”, u shpreh tutje ministrja duke u zotuar se MKRS-ja do të mbështesë sportistët për faktin se po i sjellin vendit medalje e suksese.

Ndërkaq kryetari Agron Kuka falënderoi ministren për pritjen dhe e uroi për marrjen e detyrës. Ai kërkoi nga ministrja Dumoshi që edhe në të ardhmen të vazhdojë bashkëpunimi i MKRS-së me Federatën e Xhudos ashtu që bashkërisht të arrihen sukseset e synuara.

Ministrja e drejtuesit e xhudos diskutuan edhe për çështjen e Qendrës Kombëtare të Xhudos e cila së shpejti do të fillojë së ndërtuar në qytetin e Pejës dhe ku ministria do të japë kontributin e saj në këtë drejtim.

Ministrja Dumoshi, gjithashtu, tha se shumë shpejt do t’i bëhet edhe zgjidhja e përcaktimit të lokacionit për vendosjen e shtatores së Majlinda Kelmendit, të cilën Federata Ndërkombëtare e Xhudos e ka sjellë në Kosovë për nder të xhudistes tonë me renome ndërkombëtare. / KultPlus.com