Shpërthen “Amantia” nga Agron Peni, tetë krijime eksperimentale në stilin flamenko që ngërthejnë bukuritë e natyrës së Kosovës

Era Berisha

Meloditë e një kitare përherë dinë të vijnë si vargje të shtruara nëpër faqet e një libri. Të marrin me vete, si një valle e ashpër dhe e lehtë, duke krijuar një ndjenjë që hidhet drejtë zjarrit si një kërcitje e gishtave. Çdo akord ka një histori të vetën që nisë nga një pasion, një rrahje zemre apo thjesht nga një dhimbje. Tingujt kanë folenë e tyre dhe aty nuk mund të futesh dot po nuk pate ndonjë guxim të mprehtë për t’i shkuar pas. Nëpërmjet notave të ndryshme muzikore, gjithsecili ndjen një dridhje rrotulluese të pulsit që natyrshëm rrjedh në vena sikurse lumenjtë në shtratin e tyre. E ngrohtë, e pamëshirshme, e lirë, e veçantë dhe e rrallë është muzika që krijon kitaristi Agron Peni, i cili së fundi ka publikuar albumin më të ri “Amantia”, nëpërmjet së cilit zgjon të gjitha emocionet e lartpërmendura, shkruan KultPlus.

Emërtimi “Amantia” rrjedh nga qyteti antik ilir në Epirin e Veriut apo Ilirinë e Jugut. Sot ky vend identifikohet me fshatin Ploç, në qarkun e Vlorës në Shqipëri dhe është i njohur për pozitën, rezistencën dhe kulturën që ka. Por, emri gjithashtu vjen si frymëzim nga krijimi i instrumentalit me po të njëjtin emër që ai e pati realizuar në vitin 2020. Ky është albumi i katërt personal mirëpo vjen pak më ndryshe nga të tjerët. Krijimtaria dhe kreativiteti në muzikë, sipas Penit, është dhunti, e frymëzimi duket se i është gjendur kudo nga bota. Pra, secili krijim i tij e ka kohën e posaçme për të dalë në pah.

Dallimi i këtij albumi nga tre të tjerët qëndron tek stili i krijimtarisë dhe aranzhimi. Dy albumet e mëhershme  “Solo” me krijime origjinale dhe “Home” me përpunime të këngëve shqipe, janë albume që vijnë vetëm me solo kitarë, pra nuk ka asnjë tjetër instrument përcjellës, ndërkaq tek “Mirage” veprat janë origjinale por ka edhe përcjellje nga disa instrumentistë të tjerë. Por, tek “Amantia”, aranzhimet janë të mbushura me kitarë, me harqe, perkusione e të tjera. Përpos kësaj, tendenca këtu ka qenë që meloditë të jenë shumë më depërtuese tek publiku i gjerë, pa e ngarkuar shumë nga ana teknike (virtuoze).

Fatlind Ferati (basist) është instrumentisti me të cilin kitaristi Peni bashkëpunon vazhdimisht dhe ka shumë koncerte bashkë me të. Meriton Ferizi në fagot konsiderohet të jetë një instrumentist deficit, Gent Hoxha në fyell, konsiderohet shumë i rrallë dhe Kaltrina Berisha në violonçel e cila dallohet si shumë muzikale dhe bashkëpunuese. Këta janë artistët me të cilët ka bashkëpunuar Peni për këtë album.

Albumi më i ri ka gjithsej tetë krijime origjinale që vijnë të kompozuara nga kitaristi Agron Peni. Të titulluara si: “Many questions”, “Longing”, “Downpour”, “Passion”, “Into the fog”, “Path of nostalgjia”, “Elegia” dhe “Amantia”, veprat vijnë në një frymë më eksperimentale se zakonisht. Ky album ka pasur fillin qysh tri vite më herët dhe brenda kësaj periudhe, kanë qenë të panumërta netët që kitaristi Peni dhe producenti Shpejtim Gashi, i kanë përjetuar.

“Fillimi ka qenë pak eksperimental rreth idesë në orkestrim. Perkusionet i kam luajtur unë tek ky album edhe ishte pikëpyetje se si kanë me tingëllu, mandej kur hyjnë disa kitare në orkestrim plus violonçela  dhe instrumente të tjera, shumë lehtë mundet me u ngarku dhe me pasë konflikt tek instrumentet mes vete. Përshtatja e orarit për instrumentistët pjesëmarrës, disponimi si dhe miksimi i instrumenteve të tyre e shumë faktorë të tjerë dinë me qenë elemente sfiduese sepse marrin shumë kohë dhe energji por dëshira ime, e Shpejtimit dhe e të gjithë instrumentistëve për me sjellë diçka të bukur ishte më e madhe sesa krejt të tjerat. Titujt e veprave janë në gjuhën angleze për shkak se edhe ky është album ndërkombëtar dhe nga përvojat e kaluara e kam kuptuar që titujt kanë shumë rëndësi nëse janë vetëm shqip apo në gjuhën angleze apo ndërkombëtare. Si gjithmonë, titujve iu kushtoj rëndësi të veçantë që të jenë poetik dhe përmes tyre të merr kuptimin krijimi”, thotë Peni për KultPlus.

Sikurse edhe në albumet e tij të mëhershme, edhe tek “Amantia” shkrihen rryma të ndryshme muzikore, duke dominuar gjithmonë flamenkoja. Nuancat etnike të pasura këtë herë vijnë me melodi melankolike që plotësohen nga një aranzhim i butë dhe modern duke e bërë lehtësisht të pranueshëm dhe të pëlqyer nga dëgjuesi. Në anën tjetër, albumi vjen me mjeshtëri i incizuar nga Shpejtim Gashi. Pas disa incizimeve të mëparshme të tij, kitaristi Peni e ka parë seriozitetin, përkushtimin dhe punën e tij, andaj dhe ka vendosur që ta realizojë një album të tillë dhe e vetmja mundësi ka qenë bashkëpunimi me Gashin.

Punën me Gashin, kitaristi Peni e vlerëson si diçka të bukur, marr parasysh faktin që derën tek producenti e ka pasur të hapur pas asnjë lloj interesi material, vazhdimisht duke i dëgjuar kërkesat e tij dhe duke e përkrahur shumë në këtë lloj muzike, në një kohë jo aq të lehtë.

Albumi është publikuar nga kompania spanjolle “Publimaster” në të gjitha adresat (dyqanet) online dhe ky fakt për kitaristin Peni është tejet i rëndësishëm.

“Është një kompani shumë serioze që ka kriter në përzgjedhjen e artistëve bashkëpunues. Përmes tyre muzika ime që 10 vite depërton jashtë shtetit, ruhet e drejta e autorit atje dhe ka mundësi të shumta për koncerte dhe përfitimi material përmes tyre është shumë më i lehtë”, tregon ai.

Në videon e publikuar në kanalin e tij në YouTube të këngës “Elegia” na shfaqet Peni duke sjellë tinguj të magjishëm me kitarën e tij, të kombinuara me pamjet mbresëlënëse të Kosovës. Bjeshkë e male shfaqen në video për të na bindur se e bukura është arti dhe e tillë është vet natyra. Gishtat i “kërcejnë” në kitarë, janë të pamëshirshëm, të lirë e të pushtuar nga lutja e flamenkos. Telat nxjerrin britmën e tyre dhe fluturojnë të kompozuara si melodi që digjen shkëlqyeshëm.

Të gjitha këngët e tjera në album, po ashtu janë të shoqëruara me video dhe kitaristi Peni për këtë pjesë ka thënë se këtë gjë e ka bërë për shkak se bukuritë natyrore të vendit tonë duhet të prezantohen sa më shumë dhe kjo për të është një akt patriotizmi.

“Bukuritë natyrore të vendit tonë sa ma shumë duhet të ruhen dhe të prezantohen. Me e prezentu bukurinë, muzikën dhe kulturën e vendit tënd është një formë e mirë e patriotizmit. Kjo më së miri mund të bëhet përmes videove të bashkuara me muzikë instrumentale e që në këtë rast unë e kisha këtë mundësi. Në këtë rast, jam shumë falënderues ndaj Elbasan Kryeziut i cili më ka përkrahë në realizimin e shtatë videove dhe Blerdi Malushit në realizimin e instrumentalit Amantia.”

Teksa arrijmë tek fundi i kësaj interviste për KultPlus, kitaristi Peni na thotë se ka marr komente nga më të bukurat e që kanë qenë shumë motivuese. Ai beson se publiku që dëgjon muzikë instrumentale nuk është i madh në numër, por shija e tyre është shumë e rafinuar.

“Nuk është e lehtë me e impresionu një publik të tillë. Ata që e kanë pasë mundësinë deri tash me e dëgju të gjithë albumin edhe pse është shumë herët, duket që janë impresionu, të paktën kështu shprehen dhe unë shpresoj që ashtu është. Gjithmonë mendoj që diçka që rrjedh natyrshëm dhe paraqitet si e tillë, është shumë më e afërt tek ta dhe është shumë origjinale, e njerëzit gjithmonë e duan origjinalitetin e një artisti. Nëse ky origjinalitet është i mbështjellë me profesionalizëm atëherë edhe arrin deri te impresionizmi”, përfundon Peni.

Më poshtë KultPlus ua sjell videon e këngës “Elegia” të albumit më të ri “Amantia”, të cilën e keni rastin ta shijoni e ta përjetoni./ KultPlus.com

Agron Peni publikon albumin e ri, “Amantia”

Agron Peni, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se ka publikuar albumin e tij më të ri. Ky album është i katërti me radhë nga artisti, të cilin vetë ai e ka cilësuar më ndryshe se të tjerët.

“Ky është albumi im i katërt personal, pak më ndryshe nga të tjerët ,përmban 8 krijime të mia origjinale të incizuara me shumë kujdes dhe pasion nga miku im Shpejtim Gashi”, ka shkruar ai.

Ky album mban emrin “Amantia” nisur nga krijimi i instrumentalit me po të njejtin emër që ka realizuar në vitin 2020.

“Sikurse ky instrumental edhe të tjerët do të publikohen bashk me video të cilat i ka realizu me shumë shije miku im Elbasan Kryeziu ,në këtë mënyrë duke e perkrahë muzikën time e gjithashtu përmes tyre duke prezantu edhe bukuritë natyrore të vendit tone”, ka shkruar tutje ai.

Realizimi i këtij projekti është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./KultPlus.com

“Amantia”, krijimi artistik i Agron Penit mes tingujve të kitarës dhe bukurive natryrore

Krijimtaria më e re artistike e Agron Penit mban emrin “Amantia”, shkruan KultPlus.

Në videon e publikuar në kanalin e tij në YouTube, na shfaqet Peni duke sjellur tinguj të magjishëm me kitarën e tij, të kombinuara me pamjet mbreslënëse të Kosovës. Ujëvara, gurë, kala, bjeshkë e male shfaqen në video për të na bindur përmes “Amantia” se e bukura është arti dhe e tillë është vet natyra.

Ky emërtim rrjedh nga qyteti antik ilir në Epirin e Veriut apo Ilirinë e Jugut. Sot ky vend identifikohet me fshatin Ploç, në qarkun e Vlorës në Shqipëri.

Krijimi i fundit artistik i Agron Penit është realizuar në studion e Shpetasound, teksa xhirimet janë kryer nga Bleri Malushi dhe Komuna e Prishtinës ka qenë mbështetëse. / KultPlus.com

Agron Peni publikon albumin “Home”

Agron Peni sapo ka publikuar në të gjitha adresa online albumin e tij “Home”, ka thënë këngëtari për KultPlus.

[Përmes një statusi në Facebook, Agron Peni, ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar për realizmimin e këtij albumi.

“Uroj t’ju pëlqej albumi duke dëshiruar për Ju shëndet të mirë dhe tejkalim të lehtë të kësaj situate”, ka shkruar ndër të tjera Agron Peni.

Këtu keni statusin e tij të plotë:

“Albumi “ Home” sapo u publikua në të gjitha adresat online fale kompanisë Spanjolle “Publimaster” e cila promovon muzikën time ndërkombetarisht. “Home” është një album solo gitarë i sapo realizuar në këtë periudhë izolimi që përmban 10 pjesë instrumentale, përpunime dhe krijime origjinale.

Për të qene sa më afër jush, sidomos në këtë periudhë, albumi është realizuar bashkë me video në shtëpinë time të cilat do të shpërndahen ditëve në vijim në kanalin tim “Youtube” si dhe në rrjetet sociale, ndërsa blerja e tij njëher për njëher mund të bëhet vetem online në adresat e shitjes.

Falenderoj shumë; Pëllumb Ballata për audio inçezimin Ertan Iliyaz për videot e realizuara në bashkëpunim me montazherin e videove Ersin Samli si dhe dizajneren e kopertines së albumit, Arlinda Morina. Uroj t’ju pëlqej albumi duke dëshiruar për Ju shëndet të mirë dhe tejkalim të lehtë të kësaj situate”.

Agron Peni po prezantohet me koncert në Poloni

Kitaristi i njohur kosovar është duke qëndruar në Poloni, ku po prezanton muzikën e tij bashkë me Endrit Xërxa, kitarë, Adorel Haxhiaj, violonçelë dhe Tomorr Shkoza, bateri, shkruan KultPlus.

Peni ka njoftuar për KultPlus se është duke u prezantuar në Poloni në Festivalin e Kitarës Klasike, përkatësisht në edicionin e dymbëdhjetë, ku Peni bashkë me bashkëpunëtorët e tij po merr pjesë në dy koncerte të mëdha.

“Ftesa më ka ardhë nga kitaristi me famë botërore Lukasz Kuropaczeëski. Jam paraqitë si gjithmonë me muzikën (krijimtarinë) time si Duo dhe mandej Quartet bashkë me grupin tim Endrit Xërxa, kitarë, Adorel Haxhiaj, violonçelë dhe Tomorr Shkoza, bateri”, ka thëë Peni.

Ai ka shtuar se në mbrëmjen e së premtes ka prezantuar koncertin e parë i cili u mbajt në Jarocin të Polonisë dhe pati një sukses të jashtëzakonshëm ku e gjithë salla, sipas tij ishte ngritur në këmbë. “Na kanë kthyer në skenë për tre herë me radhë, ishte një mbrëmje shumë e mirë”, ka thënë Peni, i cili ka shtuar se koncerti i radhës do të mbahet në mbrëmjen e së dielës në Poznan.  “Jam i lumtur tej mase që muzika ime dëgjohet me kaq pasion edhe jashtë shtetit, ajo gjithmonë po e arrin kulmin e saj”, ka përfunduar Peni./KultPlus.com

Agron Peni sonte me koncert në Norvegji

Sonte në Drammen të Norvegjisë, kitaristi kosovar Agron Peni mbanë koncert bashkë me Lindita Otarsson, shkruan KultPlus.

Në këtë koncert Peni fillimisht do të prezantohet si solist me pesë vepra ndërsa pastaj do të bashkohet edhe Lindita Otarssonme të cilën do të promovojnë albumin “Udhë”, album ky i realizuar nga dyshja vitin e kaluar.

“I gjithë koncerti do të përmbajë vepra shqipe, një rast shumë i mirë ky për ta promovuar në mënyrë shumë profesionale muzikën shqipe te publiku norvegjez”, tha për KultPlus, Agron Peni.

Koncerti mbahet sonte më 20 qershor me fillim nga ora 19:00 dhe është mbështetur nga Komuna e Drammenit./ KultPlus.com

Agron Peni u prezantua edhe me vepra shqiptare në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës Klasike në Bullgari

Në edicionin e 22-të të Festivalit Ndërkombëtar të Kitarës Klasike që po mbahet në Bullgari është prezantuar edhe kitaristi kosovar Agron Peni, shkruan KultPlus.

“Kam qenë i ftuar në këtë festival dhe jam prezantuar me një koncert recital që ka zgjatë për 40 minuta” ka thënë Agron Peni për KultPlus.

Ai ka thënë se performanca e tij është pritur jashtëzakonisht mirë, dhe ai në këtë koncert është prezantuar edhe me këngë shqipe.

“Jam prezantuar edhe me këngë shqipe të aranzhuara për kitarë klasike, sikurse që kam prezantuar dy komponime për herë të parë, vepra këto që u pritën mirë edhe nga kritika por edhe nga publiku” ka thënë Peni, i cili ka bërë të ditur se ky koncert është mbajtur në mbëmjen e së enjetes./KultPlus.com

“Kur më vjen burri nga stani” shkrihet mrekullueshëm në zërin e Lindita Ottarson dhe kitarën e Agron Penit (VIDEO)

Sopranoja Lindita Ottarson dhe kitaristi Agron Peni para disa ditësh kanë publikuar albumin “Udhë”, album që përfshinë gjashtë këngë, shkruan KultPlus.

Peni pati njoftuar për KultPlus se albumi është lansuar në formë virtuale në shumë linçe, duke shpjeguar që tash mund të dëgjohet në iTunes, Spotify, Amazon.com, Google Play, Microsoft.com. Peni poashtu pati treguar se albumi do të dali edhe në kanalin zyrtar të tij në YouTube, dhe kjo ka ndodhur, duke publikuar këngën e parë të këtij albumi.

“Kur më vjen burri nga stani”, është kënga që është publikuar në Yotube, e që vjen nga sopranoja Lindita Ottarson dhe kitaristi Agron Peni. Një interpretim i mrekullueshëm vjen përmes dy artistëve, ndërsa albumi “Udhë”, përfshinë edhe këngë të tjera të vjetra shqipe si: Asaman trëndafili çelës, O kujt ti qahem (Pranvera filloj me ardhë, Kur më vjen burri nga stani, Lulio luleza ime dhe Fluturës./ KultPlus.com

Publikohet albumi “Udhë” nga Lindita Ottarson dhe Agron Peni (VIDEO)

Sopranoja Lindita Ottarson dhe kitaristi Agron Peni sot kanë publikuar albumin “Udhë”, album që përfshinë gjashtë këngë, shkruan KultPlus.

Peni ka njoftuar për KultPlus se ky album sot është lansuar në formë virtuale në shumë linçe, duke shpjeguar se ky album tash mund të dëgjohet në iTunes, Spotify, Amazon.com, Google Play, Microsoft.com, dhe sipas Penit, së shpejti do të hapet edhe kanali zyrtar në YouTube, po për këtë album.

Ky album përfshinë këngë të vjetra shqipe si: Asaman trëndafili çelës, O kujt ti qahem (Pranvera filloj me ardhë, Kur më vjen burri nga stani, Lulio luleza ime dhe Fluturës.

Peni ka njoftuar se këtë album fillimisht e kanë lansuar në këtë formë, kurse kopjet fizike do ti shpërndajnë për adhuruesit, përgjatë koncerteve që do ti mbajnë bashkë më Lindita Ottarson. Më poshtë i keni linqet ku edhe mund të dëgjoni këtë album/KultPlus.com

https://www.microsoft.com/en-gb/store/music/album/lindita-ottarsson-agron-peni/udh%C3%AB/8d6kgwxlgjbw

Lindita Ottarson: Albumi “Udhë”, një album me plot dashni

Lindita Ottarson, një soprano shqiptare që jeton në Norvegji kishte dëgjuar rastësisht tingujt e Agron Penit, dhe loja e tij në kitarë ka reflektuar si një thirrje që Lindita duhet të bashkëpunoj me artistin kosovar. Dhe tashmë një album i titulluar “Udhë”, është bashkëpunim i këtyre dy artistëve, album që tashmë është incizuar në Prishtinë. Në një intervistë për KultPlus, ajo ka thënë se arsyeja se pse ka vendosur që të bëjë një album me këngë shqipe është një thirrje për kthimin e saj tek rrënjët. Ajo poashtu ka thënë se kur dëgjon këngët popullore shqipe, e ndjen vetën nën këmbët e tyre.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Një bashkëpunim që ka nisë nga një artiste shqiptare që jeton në Norvegji dhe të një artisti që jeton në Kosovë, tashmë ka filluar të merr formë. Bëhet fjalë për albumin “Udhë”, që tashmë edhe i keni regjistruar këngët për këtë album, si erdhët deri te bashkëpunimi, duke pasë parasysh se njëri jeton në Norvegji e tjetri në Kosovë?
Lindita Ottarson:
Po, ne kemi incizuar 6 këngë shqiptare, disa popullore e disa të përpunuara. Ideja ishte e imja pasi dëgjova albumet e Agron Penit në spotify. Mu duk një kitarist i mrekullueshëm. U lidha me të përgjatë muajit maj, dhe është ndërtuar programi me arritjen time në Prishtinë, program që u realizua bashkë me Penin.

KultPlus: Tashmë është realizuar incizimi i këngëve?
Lindita Ottarson:
Po, dhe jemi në fazën e shtypjes së albumit?

KultPlus: Ndërkohë, ju e thatë se në albumin “Udhë”, përfshihen këngë shqipe, më saktë, për cilat këngë bëhet fjalë?
Lindita Ottarson:
Po në këtë album kemi përfshirë këngë të vjetra shqipe, sikurse janë: Asaman trëndafili çelës, (Heaven’s rose of watersprings), O kujt ti qahem (Whom should I complain to) Pranvera filloj me ardhë (Spring is about to come) Kur më vjen burri nga stani, (When my man comes from the hut) Lulio luleza ime (arbëreshe) (Flower my little bud” Fluturës (To the butterfly). Dhe nga këto gjashtë këngë, tre këngët e para janë popullore (qytetare), kurse kënga e katërt e kënduar nga T. T. Koço (e përpunuar), kënga arbëreshe e njohur dhe Fluturës është këngë e kënduar nga Rudolf Stambolla dhe Anita Take.

KultPlus: Pse vendosët që të realizoni vetëm gjashtë këngë?
Lindita Ottarson:
Bëmë vetëm gjashtë këngë, për shkak të punës së madhe për ti përgatitur. Pak dhe saktë.

KultPlus: Keni menduar se kur do të bëni promovimin e këtij albumi?
Lindita Ottarson:
Njëherë presim të dalin nga shtypi. Unë nuk mund të rrija më gjatë në Prishtinë, kështu që promovimi do bëhet më vonë. Ideja e parë është një koncert në Berat, besoj që një të njëjtë do ta realizojmë edhe në Prishtinë. Kurse sa i përket albumit, do të provoj që albumi të prezantohet në Kosovë e në diasporë.

KultPlus: Megjithatë do të duhej të ishte një pikënisje për nxjerrjen e këtij albumi, si ndodhi?
Lindita Ottarson:
Është një kthimi im tek rrënjët. Ka patur një thirrje të fortë brenda vetes përsa i përket vlerave të muzikës shqiptare dhe sidomos asaj popullore. Kur isha e re nuk i duroja dot. Më pëlqente vetëm muzika klasike. Por ka disa vjet që kur dëgjoj këngë popullore nga ato të bukurat, të kënduara nga burime të pastra e ndjej veten nën këmbët e tyre. Dhe diçka tjetër. Mua kënga popullore më bën të dal jashtë zonës së komfortit, më bën të ndjehem lakuriq. Mua më pëlqen ta sfidoj veten në të gjitha mënyrat. Kur dëgjova tingullin e Agronit duke luajtur këngë popullore mendova se nuk jam vetëm. Ka dhe të tjerë që ndjejnë si unë. Ky album është dashni./KultPlus.com