Ekspozita “Plein air” është çelur në Muzeun Historik Kombëtar. 12 piktorë janë bërë bashkë për të sjell përmes tablove të tyre peizazhin e Shqipërisë nga Jugu në Veri. Piktori Agron Polovina rrëfen përpjekjet e artistëve për të promovuar natyrën shqiptare përmes artit figurativ.
“Rrugëtimi i artistëve të Plein air ka qenë në të gjithë Shqipërinë, por unë do të veçojë krijimet e realizuara në Veri të vendit, në Liqenin e Prespës dhe në bregdet. Kjo ekspozitë është një ftesë për njerëzit për të udhëtuar, për të njohur vendin, por përse jo edhe për ta zbukuruar jetën e tyre”, shprehet piktori Agron Polovina.
Piktorët Buron Kaceli, Kujtim Buza, Nikolin Ivanaj, Pashk Përvathi, Xheneta Kadillari edhe të tjerë artistë, prezantojnë veprat e krijuara në këtë periudhë të vështirë pandemie, si një ushqim shpirtëror për artdashësit
“Unë personalisht kam shëtitur, si asnjëherë tjetër. Kam plotësuar boshllëqet që ka krijuar ambienti gjatë pandemisë. Mendoj se kjo ekspozitë është një ftesë për publikun, sepse të parët direkt një vepër arti nga afër është e pakrahasueshme me çdo mënyrë tjetër”, thotë Xheneta Kadillari.
Ekspozita vazhdon të qëndrojë hapur në Muzeun Historik Kombëtar./Shqiptarja.com/ KultPlus.com