Dy romane të Ahmet Prençit do të promovohen në KultPlus Caffe Gallery

“Anja” dhe “Brenga e Prokurorit” janë dy romane të autorit Ahmet Prençi që kanë shënjuar një udhë të qartë për te lexuesi. Në Tiranë dhe në Shqipëri romanet, si rrallë kohëve të fundit, kanë tejkaluar autorin, aq sa shpesh ai thërritet në emrat e dy personazheve kryesor që mbajnë gjallë linjat e subjekteve, Anton Hilës dhe Martin Gurit. Pas pritjes jo me pak interes në qarqet letrare dhe më tej të veprave të tij, Ahmet Prençi vjen edhe në Prishtinë.

Më 3 shkurt, në KultPlus Caffe Gallery dashamirësit e letërsisë në përgjithësi dhe të romanit në veçanti do të njihen me një shkrimtar të rrallë.

Të rrallë për vetë faktin që ai vjen nga radhët e sistemit të drejtësisë dhe në fakt në të dy romanet që do të paraqiten për lexuesin fin të Kosovës, kanë në qendër të drejtën, betejën për të dhe fitoren nëpërmjet saj.

Nëse Anja është romani i dashurisë, Brenga është romani i dilemës së madhe ekzistenciale, është një manual të të bërit drejtësi, aq sa çdo punonjës i këtij sistemi, ndër ne, duhet ta ketë udhërrëfyes në çdo çastshmërinë e punës së tij. Ju ftojmë të ndajmë bashkë mendime mbi këto dy romane, që na diktojnë një autor të veçantë që duhet patur në vëmendje, jo vetëm nga lexuesi…

Promovimi i dy romaneve të Ahmet Prençit do të bëhet më 3 shkurt, në ora 11:00./ KultPlus.com