Poezi nga Primo Levi
Përktheu Aida Baro
Ju që jetoni të sigurt
Në shtëpitë tuaja të vakëta,
Ju, që kur ktheheni në shtëpi mbrëmjeve
Gjeni ushqim të ngrohtë e fytyra miqësore:
Shqyrtoni në qoftë burrë ky
Që punon në baltë
Që nuk njeh prehje
Që lufton për gjysm’ buke
Që vdes nga një “po” a një “jo”.
Shqyrtoni në qoftë grua kjo,
Pa flokë e pa emër
Pa fije force për të kujtuar
Të zbrazur sytë e bosh prehri
Si një bretkosë dimrit.
Vritni mendjen se kështu ka ndodhur:
Ju urdhëroj me këto fjalë.
Gdhendini në zemrat tuaja
kur rrini në shtëpi kur shkoni udhës,
kur shtriheni kur ngriheni;
Përsërituani fëmijëve tuaj.
O ju shoft’ vatra,
ju zëntë sëmundja,
bijtë tuaj mos ju pafshin me sy. / KultPlus.com