AIDSSH dhe Qendra e Librit, aktivitet në Porto Palermo për viktimat e regjimit totalitar

Autoriteti i Dosjeve (AIDSSH) në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit e Leximit dhe Bashkinë Himarë do të organizojnë një aktivitet në kuadër të 23 Gushtit, Ditës Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, të përcaktuar nga Parlamenti Evropian, KE dhe Këshilli i Evropës, për të nderuar dinjitetin njerëzor të viktimave të totalitarizmit. Aktiviteti titullohet “Porto Palermo tjetër – nga kamp në përkujtim – dëshmi dhe poezi” dhe do të zhvillohet në kalanë e Porto Palermos, një monument i trashëgimisë kulturore.

Autoriteti zbret në kalanë historike për të sjellë në vëmendje të shoqërisë, permes dëshmive, dokumenteve arkivore, dhe ekspozitës me portrete njerëzore, vizatuar nga Lek Pervizi, historinë e pathënë të saj, si vendvuajtje për familjet e kundërshtarëve politikë të regjimit komunist.

Për një periudhë të shkurtër, 1949-1950, kalaja u përdor si vend internimi i burrave, grave e fëmijëve, familjarë të kundërshtarëve politikë, të cilët mbaheshin të izoluar, në kushte të vështira në mjediset e saj të errëta e pa dritë. Shumë të dënuar të kampit të Tepelenës ndaluan për disa kohë në Porto Palermo.

Qendra Kombëtare të Librit dhe Leximit do të sjellë gjithashtu edicionin e saj të “Varg Festival”, me poezi mbi historinë e Porto Palermos gjatë ekzistencës së saj si kamp-burg, për familjet e kundërshtarëve politikë të regjimit komunist.

Kalaja e Porto Palermos ka ekzistuar kohë më parë se Ali Pashë Tepelena ta rindërtonte atë në shek. XVIII. Sipas disa shkrimeve të vitit 1912, kjo kështjellë ishte venedikase, megjithatë studiuesit kanë teori të ndryshme rreth kohës së ndërtimit të kësaj kalaje.
Pas restaurimit Ali Pasha e ka pasur nën kontrollin e tij këtë pikë, duke e përdorur atë vetëm si vizitor dhe e ka përshtatur për sfida luftarake.

AIDSSH: Censura ra më 5 janar 1991, pas dekadash shtypjeje

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit risolli sot në kujtesë 5 janarin 1991, ditën e botimit të gazetës “Rilindja Demokratike”.

Më 5 janar 1991, pas rreth pesë dekadash shtypjeje dhe censure të ashpër komuniste, mungesës së të drejtës për të folur, shkruar, ndarë idetë dhe opinionet pa u përballur me ndëshkimin, u botua numri i parë i gazetës “Rilindja Demokratike”, e cila u kthye në një tribunë refleksionesh mbi regjimin komunist e të shkuarës dhe mbi demokracinë e shumëpritur të së ardhmes.

Që në fillimet e instalimit të diktaturës, qeveria e re, u kujdes që të shtrinte kontrollin e saj mbi të gjithë institucionet e kulturës, gazetat dhe transmetimet në radio. Mediet ishin të kontrolluara nga pushteti i kohës. Për përmbajtjen ideologjike të tyre kujdesej Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë për propagandën, shefi i sektorit të shtypit apo Drejtoria e agjitacion-propagandës.

Shtypi i shkruar dhe mediet, Televizioni dhe Radio ishin në shërbim të propagandës së shtetit.

Shtëpitë botuese, gazetat dhe revistat që botoheshin para ardhjes së komunistëve në pushtet u mbyllën. Revistat me emër si “Hylli i Dritës”, “Përndjekja Shqiptare”, jo vetëm u ndaluan, por u hoqën nga qarkullimi të gjitha kopjet ekzistuese.

Një komision letrar në Lidhjen e Shkrimtarëve, hartoi listën e veprave të ndaluara prej autorëve shqiptarë të paraluftës. Në listën e të librave që u hoqën nga qarkullimi dhe autorët e ndaluan, u përfshinë dhe emrat më të njohur të kulturës shqiptare, si Ndoc Nikaj, At Gjergj Fishta, Faik Konica, Ernest Koliqi, At Anton Harapi, Musine Kokalari, Ali Asllani etj.

Organet e shtypit u vunë në kontroll të Partisë Komuniste, më vonë Partia e Punës. Shtypi qendror përfshinte organin zyrtar të shtypit të Partisë,  “Zëri i Popullit”, si dhe gazeta të tjera “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë”, “Mësuesi”, “Drita”, “Luftëtari” dhe “Sporti Popullor”. Shtypi lokal përfshinte 27 gazeta. “Zëri i Popullit”, si organ qendror, si dhe gazetat lokale në dispozicion të komiteteve të Partisë së rretheve, ishin një element i rëndësishëm në propagandën e regjimin totalitar shqiptar.

Censura u shtri në të gjithë fushat e artit dhe jetës publike, me kontroll të rreptë mbi median, artin, letërsinë, kulturën dhe muzikën. Artistët dhe gazetarët u bënë objekt i përndjekjes dhe persekutimeve, si në rastin e Festivalit të 11-të të Këngës në Radio Televizion, kur udhëheqja e kohës dënoi festivalin dhe trupën artistike si një festival që përhapte kulturë borgjeze, duke dënuar, burgosur dhe dërguar në internim, një pjesë të madhe të trupës artistike.

Fadil Kokomani, Vangjel Lezho, gazetari Trifan Gjika, Havzi Nela poetë, janë disa nga emrat që spikatën në fushën mediatike. Po liria e shprehjes në media e poezi i çoi ata drejt persekutimit, burgimit dhe vdekjes. Shumë të tjerë, piktorë, skulptorë, dramaturgë, aktorë, këngëtarë e përkthyes u përndoqën dhe burgosën për lirinë e shprehjes së tyre.

AIDSSH publikoi dokumentet që ish-Sigurimi i Shtetit krijoi (ka shumë të tillë) gjatë survejimit të emisioneve të Radio-Televizionit Shqiptar, në të cilën zëvendësimi i një dokumentari për Brigadën e 22-të Sulmuese me një emision shkencor për fëmijët konsiderohet “një skandal i madh politik”./ atsh/ KultPlus.com

AIDSSH publikon dosjen e shkrimtarit Uran Kostrecit, dënuar nga diktatura

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka vënë në dispozicion të studiuesve dhe të interesuarve dosjen e Uran Kostrecit, i burgosur politik nga diktatura komuniste.

“Ju thoni liria, në fakt nuk ekziston. Në rast se ka liri, përse atëherë nuk lejohet edhe Shqipëri demokracia, grevat e të tjera si në vende të botës? Këtu nëse flitet kundër partisë ose pushtetit juve të fusni menjëherë në burg. Atëherë, pse thoni ka liri?”.

Mendimet e Uran Kostrecit për barazinë, lirinë dhe demokracinë mund t’i lexoni në dosjen e përpunimit me nr. 5997, deklasifikuar me vendim të KDZH nr. 2, më 22.01.2018.

Uran Kostreci lindi më 1938 në Sarandë. U arrestua më 5 gusht 1961. Më 28 tetor 1961 Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi “për tradhti ndaj atdheut”, e mbetur në tentativë, me 15 vjet burg, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet.

Më 28 qershor 1973 Gjykata e Matit e dënoi “se ka fyer përfaqësuesin e pushtetit” dhe se ka bërë “agjitacion e propagandë”, me 8 vjet burg. Kreu gjithsej 20 vjet burg, u lirua më 13 qershor 1981. Pas burgut bëri 5 vjet internim, 1983-1988 në fshatin Kurtaj të Peqinit, ku u dënua me 3 vjet burg për largim pa leje nga internimi. Ka filluar të shkruajë poezi që në gjimnaz, por nuk mundi të botonte për arsye biografie.

Botimet e para i ka filluar pas rënies së regjimit komunist në shtypin e përditshëm. Ka botuar disa vëllime me poezi dhe një novelë. Ndër më të njohurat është poema “Epopeja e karkalecave”, të cilën e shkroi në vitet e burgut të Burrelit dhe mundi ta nxirrte që aty, sepse e mësoi përmendësh.

Uran Kostreci ishte kryeredaktori i parë i gazetës “Liria” gazetë e të përndjekurve politikë, ku solli për herë të parë frymën antikomuniste, lëvroi dhe publikoi dosje, figura, klerikë të persekutuar nga regjimi komunist.

Shkrimtari, poeti, gazetari Uran Kostreci u nda nga jeta në korrik të viti 2021, në moshën 83-vjeçare. / KultPlus.com

AIDSSH kujton firmëtarin e deklaratës së pavarësisë Lef Nosi, pushkatuar nga regjimi komunist

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit Shqiptar kujton sot firmëtari i deklaratës së pavarësisë, Lef Nosi.

I lindur në Elbasan në prill të 1877, firmëtari i deklaratës së pavarësisë, Lef Nosi, kishte kontribut të spikatur patriotik, nënkryetar i Klubit ”Vllaznia”, themelues i shoqërisë “Afëdita”, i gazetës “Tomorri”, revistës “Kopështi letrar” e të tjera.

Ministër i Postë-Telegrafëve në Qeverinë e Ismail Qemalit, Lef Nosi është krijues i filatelisë shqiptare. Sipas familjarëve dhe të afërmve të tij, Qeveria e Vlorës nxori gjashtë emisione pullash, mes tyre ato me shqiponjën dykrenore dhe shkrimin “Shqipënia”.

Veprimtaria e tij në shërbim të Shqipërisë vijoi në shumë drejtime, në hapjen e Shkollës Normale, në kryetar i bashkisë së Elbasanit, kontaktet dhe bashkëpunimet me Luigj Gurakuqin, Aleksandër Xhuvanin, Faik Konicën e Fan Nolin, Mit’hat Frashërin e atdhetarë të njohur të kohës, në Janinë, Stamboll, Manastir e Bukuresht, po ashtu, me hulumtimin dhe botimin e dokumenteve me vlerë historike, folklorike, etnografike, me peshë për albanologjinë.

Njohës i disa gjuhëve të huaja, sipas bashkëkohësve thuhej se Lef Nosi kishte bibliotekën e dytë të Shqipërisë, pas asaj të Mit’hat Frashërit, nga e cila, fondi i albanologjisë dhe ballkanologjisë në bibliotekën publike “Qemal Baholli” në Elbasan, mban vulën e tij.

Në vitet 1943-1944, Lef Nosi është një nga anëtarët e Këshillit të Naltë, Regjencës. Në përfundim të luftës, në 1945 arrestohet si kolaboracionist, për t’u dënuar me vdekje në gjyqin publik të 1946.

Lef Nosi pushkatohet më 20 shkurt të 1946, me Atë Anton Harapin dhe Maliq Bushatin, në Kodrën e Priftit në Tiranë.

I burgosur nga osmanët për veprimtari patriotike në përhapjen e gjuhës dhe arsimit shqip, i internuar nga pushtuesit italianë për aktivitet antifashist, i pushkatuar nga qeveria komuniste e pasluftës si kolaboracionist, Lef Nosit ende nuk i dihet vendvarrimi nga familjarët. Po ashtu, atyre që e strehuan dhe mbështetën.

Lef Nosi është dekoruar me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Presidenti i Republikës dhe është shpallur Qytetar Nderi i Elbasanit, ku edhe është ngritur shtatorja e tij. Një rrugë dhe një shkollë në këtë qytet dhe në Prizren mbajnë emrin e tij. Studimet e Lef Nosit janë publikuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë./atsh/ KultPlus.com

Në Ditën Botërore të Postave, AIDSSH deklasifikon letrat e hapura nga Sigurimi i Shtetit

Në Ditën Botërore të Postave, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, deklasifikoi letra që hapeshin nga Sigurimi i Shtetit, duke shkelur të drejtat e njeriut.

Postat dhe shërbimet që ofrojnë duhet të marrin vëmendje një ditë të vitit, sipas OKB, si elementë të infrastrukturës për zhvillim, po ashtu ura lidhëse mes njerëzve dhe qytetërimeve.

Në dosjet e Sigurimit të Shtetit mund të gjenden në masë të gjerë dokumente postare të hapura, në shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, ku korrespondenca brenda vendit dhe jashtë tij filtrohej dhe censurohej nga bashkëpunëtorët përkatës të rekrutuar.

“Zyrtarisht, censura nuk ekziston, prandaj duhet të mbahet shumë konspirative. Materiali komprometues që zbulohet me censurimin e korrespondencës private dërgohet tekstualisht origjinali… në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit dhe zakonisht dërgohet kopja e materialit komprometues ose fotografia e tij dhe origjinali i lihet të shkojë në destinacion” – thuhej në platformat e Sigurimit, që në vitin 1948 e më tej. /atsh/ KultPlus.com

Image