Muzeu Kombëtar i Kosovës me ekspozitë në Tiranë, shfaqen 91 fotografi nga trashëgimia kulturore

“Trashëgimia kulturore dhe jeta ndër breza” titullohet ekspozita e hapur në Muzeun Historik Kombëtar në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor Shqipëri-Kosovë.

Ekspozita përmban rreth 91 fotografi nga jeta e përditshme, nga trashëgimia kulturore, zejtaria dhe shumë fusha të tjera.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, theksoi: se “është një kënaqësi e veçantë që në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë dhe mbledhjes së pestë të përbashkët të dy qeverive, të hapim këtë ekspozitë”.

“Në mars të këtij viti, në Muzeun Kombëtar të Kosovës, çelëm ekspozitën “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”. Kjo është ekspozita e dytë, e cila na sjell një pjesë të rëndësishme të memories urbane dhe pjesë që ndoshta mund të jenë harruar dhe që mund të kenë qenë rite ose doke të vjetra të cilat pritet të ripërtërihem. Përshëndes stafin, i cili me punën e bërë tregoi edhe njëherë që kultura nuk njeh kufij”, tha Koçi.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, i cili ndër të tjera tha se “pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit me rastin e festave, kjo është ekspozita e parë e çelur në Shqipëri nga Sektori i Etnologjisë së Muzeut Kombëtar të Kosovës”.

“Kjo ekspozitë flet më tepër sesa ne mund të flasim”, shtoi Leci.

Vizitorit, përmes kësaj ekspozite, i ofrohet mundësia e krijimit të imazhit për mjedisin kulturor kosovar në aspektin diakronik dhe sinkronik, me përmbajtje dhe vlera të mirëfillta të trashëgimisë kulturore.

Përmbajtja e këtyre fotografive, vizitorëve i’u ofron mundësi të shumta informimi, si për: mjedisin kulturor; arkitekturën tradicionale; veglat dhe mjetet e punës të sektorit primar dhe të zejtarisë; për disa zeje në shuarje ose tashmë të shuara; për veshje tradicionale dhe të kohës në proces; për forma tradicionale të punës në bujqësi; për poçarinë tradicionale, mënyrën e të kënduarit me gisht në fyt, nga vajza drenicake, tash e sa vite i harruar në traditën e kësaj krahine; lojëra tradicionale të fëmijëve; për tregjet e organizuara në qendra të ndryshme, etj.

Ekspozita është kuruar me mjaft profesionalizëm nga kuratorët: Besarda Reçica, Fahri Sheqiri dhe Arberina Mataj. /atsh/ KultPlus.com

Hapet “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”, ekspozohen eksponatet me vlera artistike, estetike dhe historike së qyteteve ilire

Gjithsej 25 stenda të cilat përmbajnë objekte e përzgjedhura nga pavijonet e muzeut, erdhën nëpërmjet ekspozitës së titulluar “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” që u shpalos sot për publikun në hapësirën e Muzeut Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Kur ora shënoi fiks 18:00, ishin të pranishmit ata që zunë vend për të parë nga afër stendat si: Portreti i Erosit nga mermeri, Mbulesën e Ikonës së Gjën Gjergjit nga argjendi dhe ari që ndodhet në Kishën e Gjirokastrës, Dyert e Bukura që i përkasin vitit 1591 e që gjenden në Kishën “Shën Maria” në Berat, Këmbën vazi në formë feniksi që vjen në formën e bronzit, skulpturën Athina Promahos e punuar në mermer, Kokën e Apollonit që po ashtu është punuar në mermer, Dividi dhe kama e shkruesit së Ali Pashë Tepelenës si dhe shumë të tjera që tërhiqnin vëmendjen e gjithsecilit.

Kjo ekspozitë që vjen në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor për vitin 2022, është realizuar nga Muzeu Historik Kombëtar me mbështetjen e fotografit Fation Plaku, për realizimin e fotove të vendeve ku janë zbuluar objektet e paraqitura në ekspozitë, dhe në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Kosovës.

“Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” solli para publikut një numër të madh të objekteve të shumta, koleksion të pasur me artefakte arkeologjike siç është koleksioni i objekteve prehistorike, koleksioni i skulpturave, enët nga qeramika, monedhat ilire greke e romake, objekte të punuara në qeramikë dhe metal si dhe koleksione që hyjnë në vazhdën e antikitetit greko-romak për të vazhduar deri në mesjetë.

Pra, qysh nga periudha e antikitetit të vonë e deri tek ajo bizantine dhe osmane, ekspozita synon të paraqes larminë e këtyre objekteve mesjetare që në thelb shpërfaqin kulturën materiale që është formuar në territorin e Shqipërisë si dhe ngjarjet kryesore që kanë zënë vend në territorin e saj.

Ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” krejt në fund paraqet disa objekte ikonografike, të cilat përfshijnë një hark kohor, që fillon nga shekulli XVI e vazhdon deri në fillim të shekullit XIX.

Ndërkaq, objekt i veçantë në këtë ekspozitë u konsiderua edhe Epitafi i Gllavenicës që daton në vitin 1373.

Fillimisht, fjalën e parë e mori drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, i cili foli rreth bashkëpunimit mes Muzeut Historik Kombëtar dhe Muzeut Kombëtar të Kosovës.

“Ju uroj mirëseardhjen në ekspozitën e organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar në koordinim me Muzeun Kombëtar të Kosovës. Siç e dini më parë kemi pasur një memorandum bashkëpunimi mes dy institucioneve tona që i ka parapri një marrëveshje dhe një kalendar i përbashkët për organizimin e ekspeditave në mes institucioneve. Kjo është ekspozita e parë që po organizojmë dhe të tjerat do të zhvillohen gjatë tërë vitit 2022. Shpresoj që shpejt do ta kemi edhe ekspozitën nga Muzeu Kombëtar i Kosovës në Muzeun Historik Kombëtar”, thotë Leci.

Sipas tij, kjo ekspozitë paraqet thesare nga Muzeu Historik Kombëtar që tashmë veçse ekziston rasti që të shihet.

Po ashtu, ministri i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku foli rreth veçantisë së kësaj ekspozite që sipas tij dëshmojnë për të kaluarën e historisë tonë.

“Është kënaqësi e veçantë që sot edhe njëherë gjatë këtij viti, disa muaj pas ceremonisë në Elbasan, po kalojmë nga akti i nënshkrimit tek akti i zbatimit. Është një ekspozitë interesante ku paraqiten thesaret e Muzeut Kombëtar Historik. Është dëshmia e të kaluarës, e historisë tonë dhe e të tjerëve, por mbi të gjitha është një moment për ta freskuar bashkërisht atë që na bashkon dhe çka më mirë se kultura, trashëgimia, identiteti dhe historia jonë e përbashkët”, thotë Çeku.

Sipas tij, në aktivitetet e kalendarit të përbashkët, qëndron synimi për afrimin sa më të madh dhe pikërisht në këtë drejtim do të bëhet gjithë ajo se çfarë i takon Ministrisë së Kulturës.

Ndërkaq, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi theksoi se në këtë ekspozitë gjenden gjurmët e një Shqipërie të hershme që vjen nëpërmjet imazheve.

“Është një kënaqësi e veçantë që të rikthehemi sërish pas një periudhe të aktivitetet këtu në Muzeun Kombëtar të Kosovës për të ardhur në një ekspozitë e cila realizon dhe tregon gjurmët e identitetit kulturor shqiptar. Në këtë ekspozitë ka pjesë të madhe të objekteve kryesore të thesarit që  ndodhen në Muzeun Historik Kombëtar për të vendosur kështu gjurmët e një Shqipërie të hershme e cila vjen jo vetëm përmes teksteve por edhe fotove dhe imazheve”, thotë Koçi.

Sipas tij, kënaqësi tjetër është që në vazhdën e aktiviteteve që do të vinë, fundin e vitit do të përmbyllet me botimin e katalogut të përbashkët të trashëgimisë arkeologjike të Muzeut të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.

Gjithashtu, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi tregoi për dimensionin e lartë nëpër të cilën ka kaluar Kosova dhe Shqipëria me rastin e kësaj ekspozite.

“Shqipëria ka një avantazh në këtë drejtim sepse për të pasur një ministër të suksesshëm siç është Çeku, i ka dhënë një vizion më të gjerë se thjesht të qenurit një ministër, por një njeri intelektual, kulturalisht i përmbushur për të kuptuar edhe ato pak ndasi që ekzistojnë midis nesh por që mund të jenë një vlerë e shtuar për punën që bëhet në Kosovë. Duke parë këtë ekspozitë, më vjen në mendje që po kalojmë në një dimension tjetër më të lartë. Kemi të bëjmë me trashëgiminë kombëtare, që është më e rëndësishme sesa sensi kulturor i ngushtë”, thotë Minxhozi.

Sipas tij, këto ekspozita të kësaj natyre janë shumë të rëndësishme, jo thjesht për t’i vizituar por pse jo që këto të jenë edhe pjesë e teksteve shkollore për arsye se ka shumë mangësi, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

Krejt në fund, u bë e ditur se me iniciativën e ministrit Ceku, do të organizohet 150 vjetori i Asdrenit, (Himnit Kombëtar), ku në Prishtinë do të bëhet një ceremoni e madhe. / KultPlus.com

Shpaloset ekspozita ‘Raffaello portertist’, Çeku: Mos e humbisni rastin të shihni një nga ekspozitat më të arrira artistikisht në Kosovë

Era Berisha

Gjithsej 14 vepra të përmasave origjinale të piktorit të njohur italian Raffaello Sanzio da Urbino, sot përmes teknikave inovative duke filluar pikërisht nga riprodhimet e pikturave të cilat jepnin iluzionin se çdo nuancë, ngjyrë, teknikë e ngjyrosjes e edhe detajet nga më të voglat, pothuajse dilnin nga pëlhura e tyre për të hyrë në vëmendjen e çdokujt e grabitur mendimet e tyre nën strofullën artistike, për të vazhduar me sistemin e ndriçimit të pasmë që dallohej si një siluetë e pikturave, e deri tek fotografitë të cilat i përkasin arkivave të televizionit publik italian RAI e të cilat shfaqeshin në një ndërlidhje të vazhdueshme kinematografike për syrin e pranishëm, shpalosën kështu ekspozitën e titulluar “Raffaello portretist” të kuruar nga historiani i artit Antonio Paolucci, shkruan KultPlus.

E tërë jeta e mjeshtrit të madh italian, Raffaello, të cilit në vitin 2000 i ishte shënuar 500 vjetori i vdekjes, kishte gjetur shtëpinë e përkohshme në Muzeun Kombëtar të Kosovës duke shfaqur kështu vepra tejet të mrekullueshme dhe krejtësisht origjinale. I frymëzuar nga piktorët si Leonardo da Vinci dhe Michelangelo, Raffaello na dërgon në rrugëtimin pasionant të ndjenjave diversive përmes portretizimit të identiteteve reale të cilat shfaqeshin në mënyra të ndryshme në secilën pikturë.

Gjestet e duarve, pozita e personazheve, shfletimi i faqeve të Biblës, satenet dhe kadifet e veshjeve të papëve dhe kardinalëve, imazhet e një zgjuarsisë të mprehtë, stili antik, emblemat aristokratike, portreti i një dashurie të dalluar në teknikë, fisnikëria e të shkruarit, portrete të shkëlqyera në butësinë e përpiktë, mistere portretesh nga perspektiva e syrit të piktorit, simbole të shfaqura përmes kafshëve mitike, lumturia rinore, eleganca e peizazheve të ndërthurura mes etikës dhe estetikës si dhe sfondet poetike janë këto vetëm disa nga elementet që Raffaello ka përplasur para syrit të shikuesit e njëkohësisht duke na dërguar në botën e skenave groteske, erotike e mitologjike gati në çdo cep të Muzeut Kombëtar.

Perspektiva dhe syri i tij kërkon të shpalos një simfoni të nuancave të errëta duke nisur nga ngjyra e kuqe, e zeza e deri tek e bardha, të cilat evokonin një përqendrim e përhumbje mjaft të dëshiruar të të pranishmëve. Piktori vazhdimisht në një mënyrë paralele qëndron në transparencën e pëlhurës, mëndafshit si një peizazh ku shikuesi vëren hovin e rilindjes italiane e që në realitet ashtu edhe dukej; një renesancë e brendshme.

Të pranishëm në ceremoninë hapëse të kësaj ekspozite ishin edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Zv. Ambasadori i Ambasadës Italiane, Ugo Ferrero dhe Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci.

“Është një ngjarje ku shënohet një bashkëpunim i rëndësishëm kulturor mes Kosovës dhe Italisë. Jemi të lumtur që sot kemi mundësinë që para publikut të Kosovës të kemi një ekspozitë të veçantë të një prej artistëve të mëdhenj botërorë, i cili na sjell një dimension të rafinuar të paraqitjes artistike. Unë jam shumë i lumtur që si Ministri e Kulturës kemi mundësinë të jemi pjesë e organizimeve të tilla të nivelit ndërkombëtar”, thotë Çeku.

Sipas tij, një ekspozitë e tillë lëvizëse ka lëvizur në tërë botën dhe do të lëvizë ende, andaj lumturia që Muzeu Kombëtar i Kosovës është pjesë e një organizmi ndërkombëtar, është tejet e lartë.

“I bëj thirrje publikut që duke i respektuar masat pandemike, të mos e humbin rastin të shohin një nga ekspozitat më të arrira artistikisht që ndonjëherë prezantohet në Kosovë”, përfundon Çeku.

Ndërsa, Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci foli rreth rëndësisë që kjo ekspozitë ka për Muzeun Kombëtar.

“Falënderoj të gjithë të pranishmit që ishin prezent në këtë ngjarje të rëndësishme. Shpresoj se këso bashkëpunime do të kemi edhe në të ardhmen. Është tejet e rëndësishme që kjo ekpozitë është shfaqur sepse është një organizim ndërkombëtar mjaft i rëndësishëm”, thotë Leci.

Po ashtu, Zv. Ambasadori i Ambasadës Italiane, Ugo Ferrero

“Ne jemi shumë të lumtur që po shpalosim këtë ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Hapja e kësaj ekspozite ka qenë shumë e rëndësishme sepse sjellja e një artisti të njohur italian si Raffaello, i cili ndërlidh klasiken dhe teknologjinë e re, është shumë e rëndësishme, andaj edhe ftojmë të gjithë që të vijnë ta shikojnë dhe të kënaqen me këto vepra të mrekullueshme”, thotë Ferrero.

Ekspozita “Raffaello portretist” është promovuar nga Ministria e Punëve te Jashtme e Italisë dhe Raicom, në kuadër të projektit Opera Omnia.

Ekspozita e realizuar me mbështetjen e Ambasadës së Italisë në Prishtinë, Institutit Italian të Kulturës në Tiranë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, do të qëndroj e hapur në Muzeun Kombëtar të Kosovës çdo ditë nga e marta, 21 shtator deri te dielën 10 tetor 2021 (orari 10:00 – 18:00), përveç të hënave.

Ekspozita, e cila tashmë ka ndaluar në Tunizi, Turqi dhe Finlande, pas Kosovës do të vazhdojë në Maqedoninë e Veriut. / KultPlus.com

Kosova kërkon nga Serbia kthimin e koleksionit të grabitur arkeologjik dhe etnologjik

Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, sot i është drejtuar me një letër Muzeut Kombëtar në Beograd, Muzeut Etnografik në Beograd dhe Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve me kërkesën për kthimin e artefakteve tona që vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në Serbi, përcjell KultPlus.

Kërkesës së Muzet Kombëtar të Kosovës përmes një letër përcjellëse, i dhanë mbështetje të plotë edhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporit, Hajrulla Çeku.

Të dy letrat argumentojnë detyrimin e Serbisë dhe institucioneve përkatëse për kthimin e këtij koleksioni bazuar në Marrëveshjet e nënshkruara që parashohin ekspozimin e përkohshëm në Beograd dhe kthimin e tij, konventën e UNESCO-s për kthimin e pasurisë kulturore në vendin e origjinës, dhe pakon e Ahtisaarit që obligon Serbinë të kthej në Kosovë koleksionin në fjalë.

Lexoni më poshtë letrën e plotë të Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe letrën përcjellëse nga Ministrat e Qeverisë së Kosovës në gjuhën shqipe.

Të nderuar,

Kam kënaqësinë t’ju drejtohem me këtë letër që synon rregullimin e një çështje të rëndësishme që ka mbetur e hapur prej kohësh mes institucioneve tona. Në emër të Muzeut Kombëtar të Kosovës dua t’ju kujtoj obligimin e papërmbushur për kthimin e artefakteve nga koleksioni arkeologjik dhe etnogafik i Kosovës. Ndonëse të marrura nga Kosova në fund të viteve 90-ta të shekullit të kaluar me qëllim ekspozimi të përkohshëm në Serbi dhe me detyrim për t’i kthyer, artifaktet tona vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në muzetë tuaja përkatëse.

Kam dëshirë t’ju përkujtoj detyrimin e trefishtë në raport me keto artefakte:

1. Marrëveshjet e nënshkruara mes institucioneve tona parashohin bartjen e artefakteve me qëllim ekspozimi të përkohshëm dhe kthimin e tyre në vendin e origjinës dhe Muzeun Kombëtar të Kosovës, pronë e së cilës janë,

2. Konventa e UNESCO-s për Mjetet e Ndalimit dhe të Parandalimit të Importit, Eksportit dhe Transferimit të Paligjshëm të Pronësisë së Pasurisë Kulturore (1970) obligon shtetet ratifikuese të punojnë për t’u siguruar që pasuria kulturore i kthehet vendit të origjinës (Serbia është ratifikuese e Konventës),

3. Aneksi V, neni 6, paragrafi 1 i Planit te Ahtisaarit në mënyrë të prerë obligon Serbinë të kthejë në Kosovë koleksionin arkeologjik dhe etnografik të marrur përkohësisht për qëllime ekspozuese në Beograd.

Numri total i artefakteve të koleksionit arkeologjik dhe etnografik të Kosovës që mbahen padejtësisht në Serbi është 1247. Ato duhet të kthehen sa me parë në vendin e tyre të origjinës. Për të realizuar këtë detyrim, propozoj themelimin e një grupi punues të përbërë nga përfaqësues (nga një zyrtar) të katër muzeve: Muzeu Kombëtar i Kosovës, Muzeu Etnografik i Kosovës, Muzeu Kombëtar në Beograd dhe Muzeu Etnografik në Beograd, si dhe profesionistë ndërkombëtarë të muzeologjisë. Detyra e këtij grupi punues do të ishte hartimi i planit dhe mbikëqyrja e procesit të kthimit të të gjitha artefakteve në Kosovë.

Ju falënderoj paraprakisht për bashkëpunimin. Do të jem ne pritje të përgjigjes tuaj dhe mundësisë për të caktuar takimin e parë mes institucioneve tona. 

Me respekt,

Ajet Leci

Muzeu Kombëtar i Kosovës

Të nderuar,

Në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës, ofrojmë mbështetjen tonë të plotë për angazhimin dhe kërkesën e Z. Ajet Leci, drejtor i Muzeut Kombëtar i Kosovës, për kthimin e koleksionit arkeologjik dhe etnografik nga Serbia në Kosovë. Pasuria kulturore e Kosovës e marrur në fund të viteve 1990 për qëllime ekspozuese, me kohë të kufizuar dhe me detyrimin për ta kthyer, vazhdon të mbahet në muzetë e Serbisë. Në radhë të parë si detyrim nga marrëveshja mes muzeve, pastaj edhe si detyrim nga Konventa 1970 e UNESCO-s për kthimin e pasurisë kulturore në vendin e origjinës dhe Plani i Ahtisaarit, Serbia duhet të kthejë artefaktet e Kosovës duke i dhënë fund një procesi veçse të stërzgjatur.

Institucionet e Republikës së Kosovës do të ofrojnë gjithë mbështetjen e nevojshme Muzeut Kombëtar të Kosovës në përmbushjen e këtij qëllimi. Ne e mirëpresim propozimin e tyre për të themeluar një grup të përbashkët pune mes muzeve të Kosovës dhe Serbisë, me prezencë profesionale ndërkombëtare për të hartuar një plan dhe mbikëqyrur procesin e kthimit të artefakteve në Kosovë. Kërkojmë përgjegjësi institucionale nga muzetë përkatëse në Beograd, si dhe përgjegjësi politike nga qeveria në Beograd për të përmbushur një obligim ndërkombëtar. Njëherit zotohemi që nuk do të ndalemi së vepruari deri në momentin e kthimit të të gjitha pjesëve të koleksionit përkatës në vendin tonë.

Ju falemnderit për bashkëpunimin tuaj.

Me respekt,

Donika Gërvalla-Schwarz

Zv. Kryeministre

Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës

Hajrulla Çeku

Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit/ KultPlus.com