Nata nuk ka fund

Poezi nga Ajne Iberhysaj

Mendja e fjala ndrydhen mes dhëmbëve
Puthen aq sertë si dritëhijet e rrugëve
Theken me derte e plasë veten

Nata nuk ka fund e shkëmbi rrotulliset
Dinjiteti thërret e Don Zhuanet bëhen manar
Revolta godet ndërgjegjën e heshtur.
Nata nuk ka fund e Sizifi me shkëmbin përqafohet

Gjykatësi kërkon prova tjera
Si janë buzët e saj e sytë ç’ngjyrë kanë
Mbledh krahët e morali nuk ka masë as ngjyrë
Në çfarë derexhe kemi ardhur.

Durimi u shtjerr e Prometheu kërkon nyjën lidhëse
Melodrama vazhdon e teatri mendor rrëfehet
Kemi mbetur si pikturë akulli në mur
Ecim e këmbët i zvarrisin vitet

Ky djall jetën kafshon e drejta heshtë
Kush do dënohet unë ti ajo
Nata nuk ka fund e Sizifi me shkëmbin goditet
Shikon ëndrra e buzët të digjen

Shiu i pjekë qershitë e goja zjarr
Në heshtje e shijon lëngun e hardhisë
Kemi rënë në Had e dëshpërimi është dhuratë
Rrokullise edhe një gote tjetër vere

Tereziu matë e matë e puthen djajtë
U plevitosën rrugët me shtrëngim e kafshim buzësh
Kaq poshtë kemi rënë unë ti ajo
Nata nuk ka fund e Sizifi me shkëmbin kacafytët… / KultPlus.com